PROF.DR.ZEQIRJA NEZIRI: PUNA E ROVENA VATËS, PËRBËN NJË KONTRIBUT TË RËNDËSISHËM NË FUSHËN E SHKENCAVE TË LETËRSISË, ANTROPOLOGJISË E MITOLOGJISË

Pashtriku.org, 01. 04. 2014 – (“Miti i malit në letërsinë shqipe: Fishta, Koliqi, Migjeni, Camaj” – përgatitur nga zonjusha Rovena Vata me gradën shkencore “Doktor në Filologji”). Ky studim monografik ka 241 faqe, 617 njësi bibliografike të 217 autorëve dhe 776 referenca. Libri është i ilustruar me fotografi të autorëve si dhe të vendeve malore e të bjeshkëve e urave, ashtu edhe të fotografive e të titujve të veprave të tyre.
* * *
Miti i malit në antropologji e letërsi (gojore ose të shkruar) vazhdimisht ka tërhequr vëmendjen e studiuesve, qofshin këta të huaj ose vendës. Titulli i temës ‘miti i malit’ në traditën artistike shqiptare është një temë krejtësisht e pahulumtuar dhe e pastudiuar.
Kjo e ka sjellë Rovena Vatën para një sfide me shumë vështirësi e të papritura kërkimore hulumtuese dhe para një kërkimi zhbirues për gjetjen e literaturës përkatëse, ku do ta mbështeste studimin e saj për ta ngritur në një nivel shkencor si ky të lakmueshëm e gjithëpërfshirës.
Edhe më parë janë bërë studime në fusha të veçanta për praninë e këtij miti në veprën letrare ose në ndonjë vjershë a tregim, novelë, poemë a roman të ndonjë autori, por në studimet mitologjike, teorike e historike letrare shqiptare kanë munguar studime të mirëfillta shkencore me një shtrirje kaq të gjerë të lëndës dhe me një hulumtim të rrëmuar kaq shumë në thellësi. Ndaj studimi i Rovena Vatës me përmasa të kësaj gjerësie e thellësie mbetet prijetar dhe shembull i mirë për t’u ndjekur nga të tjerët.

* * *
U bënë gati katër vjet prej kur Rovena Vatën e njoh si studiuese. Qysh prej leksioneve të studimeve të masterit në orët e leksioneve e të seminarit, si dhe në pjesën e organizimit të provimit Rovena u tregua se ka një afinitet të veçantë për studimin e letërsisë, se është këmbëngulëse dhe e thelluar në hulumtimet e lëndës në studim, që lexon shumë e me interes përcjell studimet në fushën e dijes së letërsisë dhe është në udhë të mbarë të formohet në një studiuese që premton shumë.
E kam përcjellë me një vëmendje të veçantë vazhdimin e ngritjes e të formimit të saj profesional shkencor në periudhën pasuese pas masterit dhe në kohën e përgatitjes së disertacionit. Kjo dëshmohet me pjesëmarrjen e saj nëpër konferenca, që organizohen nga institucione shkencore kryesisht brendashqiptare, si në Shkodër, Gjirokastër, Tiranë, Korçë, Elbasan, Prishtinë, Tetovë, Shkup, Ulqin, Shkodër, Vlorë etj. E fundit është konferenca e para një muaji në Prishtinë.
Në të gjitha paraqitjet e saj është treguar e aftë ta intrigojë vëmendjen e pjesërmarrësve, të bëhet sfiduese e debateve për çështjet që ka ngritur dhe e zoja t’i mbrojë pikëpamjet e veta. Të rrallë janë studiuesit si Rovena që me paraqitjet e veta arrijnë t’i intrigojnë të pranishmit, por edhe të mbesin të kënaqur të dy palët për debatin e zhvilluar.
* * *
Titulli i temës së disertacionit presupozon eksplorimin dhe herrjen e lëndës në veprat e katër autorëve ndër më të mëdhenjtë të traditës, të dy periudhave letrare shqiptare jo fort të largëta midis tyre. Megjithatë, studiuesja jonë Vata nuk kënaqet me kaq dhe nuk ndalet vetëm në këto dy periudha letrare shqiptare, por optikës së vet të kërkimit e të hulumtimit shkencor dhe të studimit kritik letrar i shton një shtrirje më të gjerë në dy drejtime, duke përfshirë në të edhe dy periudha shoqëruese: një paraprirëse dhe një pasuese. Kështu studimi zgjerohet me periudhën paraprake dhe me periudhën pasuese. Kjo bëhet për të vetmin qëllim që studimi të jetë më i plotë dhe ta ketë tërësinë e vet të rrumbullakësuar.
Lënda e temës në studim është organizuar përmes shtatë kapitujve themelorë, të cilët përcillen me një parathënie e hyrje të shkurtër dhe me një përfundim, i cili më tej shoqërohet me listën e një bibliografie shumë të pasur, për t’u mbyllur me listën e termave të përdorur. Më tej secili kapitull ndahet në nënkapituj të veçantë në të cilët rrihen çështje që lidhen me temën bazë. Në aspektin teknik, secili nga këta kapituj kapin nga disa faqe.
Kapitulli i parë ‘Toka dhe deti si kulturë‘, për shembull ka 15 faqe dhe është i ndarë në tre sythe. Ai shërben si një lloj kornize teorike në të cilën do të mbështetet lënda që studiohet, sepse aty bëhet fjalë për konceptin mbi Tokën dhe Detin, mbi banuesit e tyre dhe mbi raportin e njerëzve ndaj tyre e të marrëdhënieve me ta.
Këtë kapitull e pasojnë tre kapituj vijues në të cilët sheshohet miti i malit në të drejtën zakonore shqiptare (9 faqe), në letërsinë e pararilindjes (12 faqe) dhe të Rilindjes Kombëtare Shqiptare (10 faqe).
Të tre këta kapituj i shërbejnë studiueses Rovena Vata organizimin e lëndës ta shtrijë në një gjerësi më gjithëpërfshirëse se sa nënkuptohet në titull, në veprat e katër autorëve të apostrofuar. Pas këtyre tre kapitujve, të themi sipërfaqësorë, vijojnë katër kapituj të veçantë e mjaft të gjerë për secilin nga këta autorë dhe secilit prej tyre, lirisht mund të thuhet i kushton nga një minimonografi, prandaj kjo pjesë e disertacionit mbetet pjesa bazike e studimit.
Kështu miti i malit, kryesisht në Lahutën e Malcis të Fishtës përpunohet në 47 faqe të ngjeshura; në veprën e Koliqit, sidomos Hija e maleve (në 25 faqe); të Migjenit (34 faqe); dhe të Camajt (22). Siç shihet sipas vëllimit hapësirë më e madhe i është kushtuar mitit të malit te Gjergj Fishta, që kap më shumë se dyfishin e Camajt e të Koliqit, ndaj edhe ky kapitull mund të kosiderohet kapitulli bazë mbi të cilin është ngritur ky studim disertacioni. Është kapitulli i pestë dhe shërben si balansim, maje më e lartë e tetë kapitujve të tjerë: katër përpara dhe katër prapa.

Në këta katër kapituj, në mënyrë të hollësishme e në detaje studiohet prania e këtij miti në veprën e tyre dhe qëndrimi që këta katër autorë kanë pasur ndaj tij, qoftë si rikrijim (miti i zanave, dragojve e Kuçedrës te Fishta), afirmim e kryqëzim (zanat dhe e drejta zakonore te Koliqi, sidomos te Doda), qoftë si demistifikim e mohim (miti i malësorit të nënçmuar te Migjeni), apo demitizim dhe afirmim bashkë (Dranja, gjarpri, lahuta te Camaj). Studimi mbyllet me kapitullin e nëntë ‘Rikthimi i mitit të malit në letërsinë e Realizmit Socialist’, ku kryesisht ndalet në poemat e Kadaresë, të Agollit, Xhevahir Spahiut.
Siç shihet tema është ndarë në dy tërësi të mëdha:
– të lëndës themelore dhe
– të lëndës shoqëruese
.
Në të parën, si u tha bëjnë pjesë katër kapitujt bazë për Fishtën, Koliqin, Migjenin e Camajn; ndërkaq pjesës së dytë i përkasin katër kapitujt e fillimit dhe kapitulli i fundit. Kështu, me një shtrirje në gjerësi kaq të madhe studiuesja Rovena Vata, për herë të parë në studimet mitologjike shqiptare bën përpjekje të bëjë objekt studimi e të dëshmojë përfytyrimin e mitit të malit në një gjerësi integrale të letërsisë shqiptare.
Indi i përbashkët ndërlidhës midis të gjithë kapitujve, siç shihet është miti i malit dhe banuesit e tij të pranishëm në Eposin e Kreshnikëve e në traditën zakonore shqiptare, kryesisht në kanunet shqiptare, më saktë në Kanunin e Lekë Dukagjinit; mandej në veprat e Buzukut, Budit, Bardhit e Bogdanit; për të vijuar me Naimin, Kristoforidhin e Çajupin; për t’u ndalur gjerësisht te Fishta e Koliqi, Migjeni e Camaj; që të mbyllet me veprat e autorëve të letërsisë së Realizmit Socialist (Kadare, Agolli, Spahiu etj.).
Lidhja midis Eposit Heroik Shqiptar dhe të drejtës zakonore shqiptare shihet në kontekst të jetës në malësi, në mal dhe natyrisht është i pashmangshëm studimi i bashkëjetesës së njeriut të këtyre vendbanimeve me qeniet mitike, të cilat po ashtu jetojnë në male e pranë ujërave.
Natyrshëm studimi nis me kapitullin teorik, ku parashtron pikëpamje të ndryshme teorike të studiuesve shqiptarë e të huaj për mitin e malit dhe për qeniet që banojnë në to, duke përfshirë aty edhe njeriun si forcë përfytyruese e përjetuese.
Kuptohet se miti i malit nuk mund të imagjinohet pa përfytyrimin e tokës si epiqendër midis malit dhe antipodit, por edhe bashkëpërfytyruesin: detin. Kështu na dalin dy forca të përbashkëta që nga anë të ndryshme bëjnë presion mbi njerëzit në Tokë. Banorët, krijesat e imagjinuara mitike të njeriut tokësor të trashëguara nëpër mbijetoja nga periudha primordiale e të pranishme edhe në veprat e autorëve të apostrofuar në të dyja këto hapësira gjeografike janë përafërsisht ose krejtësisht të njëjta: zanat/orët (e malit ose të detit), e Bukura e Dheut = e malit/e detit. Pranë banorëve mitologjikë detarë, malorë e nëntokësorë (përbindëshave e kuçedrave), qëndrojnë banorët tokësorë e qiellorë/diellorë, me të cilët herë kanë marrëdhënie të mira, por në të shumtën e rasteve marrëdhënie kundërshtare/ të këqija me ata nëntokësorë e detarë.
Në panteonin mitologjik shqiptar banorët tokësorë (dhe malorë: zanat, orët) kryesisht na dalin me veti të mira, që janë të kundërt me ata detarë e nëntokësorë. Kështu janë parë në studimin e Rovenës sidomos në veprën e Fishtës e të Koliqit, ashtu dhe në veprën e Migjenit, të Camajt e të autorëve të tjerë.
Për këtë organizim të lëndës, përzgjedhjen e materialit ilustrativ dhe shfrytëzimin e literaturës përkatëse shkencore e letrare (617 njësi bibliografike të 217 autorëve) e të referencave shpjeguese duhet përgëzuar. Po kështu një përgëzim i vlefshëm meriton për ilustrimet me fotografi (të autorëve), si dhe të vendeve malore e të bjeshkëve e urave, ashtu edhe të fotografive e të titujve të veprave të tyre.
Përzgjedhja e kësaj lënde meriton lëvdatë edhe për faktin se paraqet interes për studiues të disiplinave të ndryshme shkencore, në radhë të parë antropologë, mitologë, etnofolkloristë, filologë e studiues të letërsisë. Është për t’u vlerësuar edhe mënyra e strukturimit të problemeve që rreh dhe të materialeve që ka marrë për ilustrim.
* * *
Mjaft pozitive i vlerësoj përpjekjet e autores për t’i parë dukuritë e ndryshme mitologjike të këtyre autorëve në plan krahasues midis tyre, në njërën anë dhe me traditën gojore e etnografike në anën tjetër. Kjo punë është bërë nëpërmjet konsultimit të një literature shumë të pasur, siç përmendëm të 217 autorëve shqiptarë e të huaj (por midis tyre disa njësi bibliografike janë të panevojshme).
Parë në tërësi vlerat e kësaj teme disertacioni qëndrojnë në këto aspekte:
(a) zgjedhja e temës për hulumtimin e lëndës së këtij studimi është mjaft interesante, sidomos trajtimi i temës në mënyrë krahasimtare te autorë të periudhave të ndryshme letrare;
(b) trajtimi bazohet në veprat e botuara të autorëve dhe të studimeve të bëra mbi to;
(c) materiali letrar i autorëve është përballur me një mori studimesh teorike të autorëve vendës e të huaj, që i ka mundësuar autores t’i përcaktojë pikëpamjet e veta për praninë e elementeve mitike të malit në veprat e autorëve të përmendur;
(d) në përgjithësi tema është shkruar qartë dhe me një gjuhë të rrjedhshme, çka bën që materiali të lexohet rrjedhshëm, edhe pse është shumë i gjatë (241 faqe) dhe i shkruar me shkronja në 12 pikë e me rreshta të dendur (përfshirë këtu edhe përmbledhjen në gjuhën angleze);
(e) vlerë e këtij punimi, përveç bibliografisë është edhe përdorimi i madh i referencave: 776 të numëruara.
(f) Përkushtimi i madh, korrektësia në përdorimin e citateve, këmbëngulja në punë shihen edhe në konkluzionet e fjalët çelës që jepen në fillim e në fund të çdo kapitulli.

* * *
Puna e bërë nga Rovena Vata përbën një kontribut të rëndësishëm, krejtësisht origjinal në fushën e shkencave të letërsisë, antropologjisë e mitologjisë.
Me çka dëshmohet se zotëron një aftësi origjinale në sjelljen e përfundimeve logjike dhe të arsyetueshme shkencore, që dalin nga natyra e punës së saj hulumtuese kërkimore, që janë shprehje e një afiniteti, korrektësie këmbëngulëse, dashurie të madhe në punë, si dhe i një vullneti të rrallë në rrahjen e çështjeve të marra në diskutim, të një kthjelltësie të mprehtë në mendime dhe të një rrjedhshmërie koherente në shtruarjen dhe sheshimin e lëndës në studim.
Mbështetur në të gjitha këto tipare të Dr. Rovena Vatës, që u nënvizuan më lart faktohet qartë se kemi të bëjmë me një studiuese serioze që është në udhë të mbarë të formimit shkencor e të ndërtimit në një studiuese, e cila në të ardhmen premton shumë për shkencat albanologjike dhe për problematika që lidhen me to.
Gjithashtu dua të theksoj se këndvështrimi, mënyra e shtruarjes dhe e shtrirjes, si dhe e rrahjes dhe e trajtimit të problemeve përbën një model shumë të mirë që mund të ndiqet nga studiues të tjerë të temave të ngjashme.

(Prof. dr Zeqirja Neziri – Tiranë, 17 qershor 2013)

(Autori është pedagog në Fakultetin e Filologjisë “Blazhe Koneski” në Shkup)

========================

KUSH ËSHTË DR.ROVENA VATA

Dr. Rovena Vata ka kryer studimet për Gjuhë-Letërsi shqipe pranë Universitetit të Tiranës, në fakultetin Histori-Filologji, ku realizoi edhe studimet e Masterit Shkencor në degën e Shkencave Letrare në specialitetin “Letërsi e Përgjithshme dhe Letërsi e Krahasuar” me Medalje të Artë. Me datë 17 qershor 2013 mori gradën shkencore “Doktor” në fushën e Studimeve Letrare, në specialitetin “Letërsia dhe mitologjia”, pranë Qendës Ndëruniversitare të Studimeve Albanologjike-Tiranë, ku dhe punon si studiuese e shkencave albanologjike. Ajo ka marrë pjesë në shumë konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit. Bashkëpunon në editorial board me revista shkencore në Mal të Zi, Maqedoni, Kosovë, Rumani, Itali, Suedi, SHBA, Slloveni etj. Rovena Vata është pedagoge e Shkencave Gjuhësore, Shkencave të Komunikimit, Drejtimit në Arsim dhe Metodikës së Kërkimit Shkencor, në Universitetin e Arteve në Tiranë, Universitetin Ndërkombëtar të Tiranës dhe Univeristetin Justicia.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura