Gjilan, 1 shtator 2018:
E nderuara familje e ngushtë dhe e gjerë Pireva!
Gruaja e kurorës dhe jetës së Prof. Magjistër Bislim Pireva!
Djem dhe vajza të çmuara!
Vëllezër, nipa e mbesa të Bislimit!
Miq e shokë, ish nxënës të Prof. Bislim Pirevës!
Drejtori Komunale e Arsimit në Gjilan!
Përfaqësues i Shkollës Ekonomike “Marin Barleti” në Gjilan
Sot një ditë para fillimit të vitit shkollor 2018-2019, na bashkoi kujtimi i jetës dhe veprimtarisë arsimore-edukative për breza të tërë shkollarësh, kujtimi dhe dhimbja për shkuarjen në amshim e prindit, edukatorit, studiuesit dhe mikut tonë, Prof.Mr. Bislim Pireva!
Na ka bashkuar kujtimi dhe respekti i një prindi të përgjegjshëm, që rriti dhe edukoi një familje të shëndosh trashëgimtarësh dinjitoz.
Bislim Pireva përfaqëson malësorin e qytetëruar, të ngërthyer e të pajisur me dije e qëllime iluministe, me kulturë profesionale e përvojë jetësore. Si të gjithë intelektualët shqiptarë të kohës, edhe Prof. Bislim Pireva prore ishte i rënduar me barrën e brengës së kombit, për padrejtësitë, dhunën dhe tragjedinë shekullore të ushtruar mbi etninë autoktone të shqiptarëve nga pushtuesit serbë. Në këtë pikëpamje, Profesor Bislimi hulumtoi, gjurmoi, kërkoi dhe shkroi një varg shkrimesh, studimesh, dëshmish, trajtesash, polemikash të karakterit dokumentar, historik e publicistik; duke iu dhënë trajtim e peshë shkencore-dokumentuese bëmave serbe mbi shqiptarët, përmes të dhënave ushtarake dhe dëshmive tjera publicistike e politike të vetë burimeve zyrtare serbe.
Bislim Pireva (1946-2018)
Kush e ka njohur Prof. Mr. Bislim Pirevën, ka ruajtur mbresën e njeriut me veprime të arsyeshme. Paraqitjet e Prof. Bislimit, qoftë në diskutime, qoftë për tumirje argumentesh ose për kundërshtimin e tyre, karakterizoheshin, pothuaj se, secilën herë si paraqitje të qeta, pa nguti e nervozë të theksuar. Ai para argumentit nuk e nxirrte emocionin, as fjalën e pamatur.
Profesor Bislim Pireva ishte një arkiv i gjallë i kujtesës së breznive, i përvojës, i ndodhive të veçanta të Malësisë së Gallapit, i personazheve, i figurave të thjeshta, por të devotshme të popullit; të këtij populli të shumëvuajtur, por të pa tjetërsuar.
Shpesh herë në ndejat tona, Prof. Bislimi pohonte me drojë, se shqiptarët ende nuk kanë nxjerr mësime të duhura nga pësimet e historisë së egër e djallëzore ndaj tyre.
Padyshim, Prof. Bislim Pireva meriton vëmendjen dhe respektin e dijes albanologjike për veprat e tija në fusha të dijes humanitare.
Të dhëna jetëshkrimore dhe bibliografike
U lind në Tuxhec të Kamenicës, më 1946. Filloren e nisi në vendlindje, kurse e mbaroi në Koretin. Normalen, SHLP dhe Fakultetin Filologjik – Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, pa shkëputje nga puna, i kreu më 1975. Magjistraturën e kreu, më 1985, në temën “E folmja shqipe e Jabllanicës së Epërme të Medvegjës”.
Si nxënës i normales punës ia filloi, më 1968, në vendlindje. Më 1971, diplomoi në SHLP dhe punoi në Shkollën Fillore “Thimi Mitko”(atëbotë Vuk Karaxhiq) në Gjilan. Ishte lektor i programit informativ të TVP-së. Nga shtatori i vitit 1989, ishte profesor i Gjuhës dhe letërsisë shqipe në Shkollën Ekonomike “Marin Barleti” në Gjilan, deri në pensionimin e tij, më 2011.
Gjatë tri viteve sa punoi në fshatin e lindjes, voli fjalë të rralla popullore, fjalë të urta popullore, këngë lirike dhe epike. Fjalët e rralla dhe fjalët e urta popullore, i botoi në disa numra në revistën “Shkëndija”, ndërsa te “Flaka e vëllazërimit” në Shkup, më 1971, e botoi trajtesën “Bota subjektive e të rinjve në këngët e dashurisë”. Po në revistën “Shkëndija”, në tetor të vitit 1988, e botoi shkrimin “Gjuha e teksteve në përdorim”, ndërsa në dhjetor mori pjesë në Simpoziumin e organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, në temën “Folklori dhe të arriturat” me kumtesën “Këngët dhe ritet e martesës në Malësinë e Kamenicës”, të cilën e botoi në revistën “KOHA” të Podgoricës.
Gjatë viteve të tetëdhjeta, edhe pse ka dërguar ndonjë shkrim, nuk i është publikuar. Në vitet e nëntëdhjeta ka botuar disa artikuj, polemika e reagime.
Gjatë viteve të tetëdhjeta akuzohej se nuk është diferencuar, se i ka shtypur telegramet përkrahës për ish-KK të LK-s të Kosovës, për kërkesat e minatorëve të Stan Tërgut, ultimatumin dërguar KK të LK-së të Gjilanit për t’u deklaruar për dorëheqjen e A. Shukriut, Rr.Morinës dhe H Azemit, se e ka sulmuar dhe fyer LK-në dhe Komitetin komunal, se për gjendjen që ishte krijuar e ka fajësuar udhëheqjen krahinore dhe mjetet e informimit.
Pas pamundësimit të arsimimit në gjuhën shqipe në Kumanovë, gjatë viteve të tetëdhjeta, u angazhua që të përfshinte një numër sa më të madh nxënësish në shkollat e mesme të Gjilanit.
***
Vepra të botuara:
Këngët dhe ritet e martesës në Malësinë e Kamenicës, Prishtinë, 1992
Mësojmë gjermanisht, Prishtinë, 1993
Shënime nga teoria e letërsisë për nxënës të shkollave -Lirika, Prishtinë, 1994
Gramatikë e shkurtër e shqipes dhe e gjermanishtes, Prishtinë, 1996
Fjalor shqip-gjermanisht (me gramatikë) , Gjilan, 1997
E folmja shqipe e Jabllanicës së Epërme të Medvegjës, Prishtinë, 1997
Shkolla shqipe në komunën e Medvegjës, Prishtinë, 1998
Xhemë Osmani – Tupalla, Prishtinë, 2001
Nga lirika popullore e Gollakut, Prishtinë, 2004
Shkolla e Tygjecit 1947-2004, Prishtinë, 2004
Dhuna shekullore serbe në Gallap, vëllimi i parë, Prishtinë, 2010.
Dhuna shekullore serbe në Gallap, vëllimi i dytë, Prishtinë, 2014.
Falsifikatori dhe gënjeshtari Radomir Trajkoviq, libër me polemika, Prishtinë, 2014.
Falsifikimet, krimet dhe trillimet serbe, Prishtinë, 2014,
Qoftë i ndritur kujtimi i jetës dhe i veprës të Profesor Bislim Pirevës!
Ngushëllime!
Mehmetali Rexhepi, prof.
Gjilan, më 2shtator 2018