PROF.MURAT GECAJ: BABË E BIR, PRJETËSISHT PRANË…

 Pashtriku.org, 24. 06. 2016: 1. Por, siç kam shkruar në këto “Kujtime”, edhe Xhema ynë kishte pasur një jetë të vështirë. Ndër të tjera, kishte kaluar “tifon e morrave” dhe ishte ngrirë nga këmbët, gjatë kohës së luftës në Judovnik të Jugosllavisë. Në vitet e qëndrimit në Xhafzotaj të Durrësit, punoi në bujqësi dhe infermier në blektori. U ushqye keq, pasi kishin gjithë ata fëmijë për të rritur. Prandaj e shikoja që, dalëngadalë, po shkonte drejt fundit. Në vitet e mbarimit të jetës, kur nuk dëgjonte mirë, e kishte përplasur një karrocë me kuaj, afër një kanali dhe kishte dhimbje mjaft nga këmbët e trupi.
Në këto kushte, Xhema e zuri shtratin dhe pothuajse nuk hante gjë. Kemi shkuar atje nga Tirana, disa herë, me bashkëshorten, Katerinën. Kështu ndodhi dhe afër dy ditë para se ai të ndahej përgjithnjë nga jeta. Më kujtohet se ishte bërë kockë e lëkurë dhe nuk qëndronte dot në këmbë. I kërkoi djalit të madh, binjakut Ilirjan, që ta nxirrte jashtë. Ky e kapi para duarsh, si fëmijë dhe e nxori në oborr. Vështroi rreth e qark, por nuk i mbajti dot sytë hapur, nga dielli i fortë. Pastaj, u kthyen brenda dhe atë e shtriu në shtrat. Ashtu e lamë dhe erdhëm për në Tiranë, ku ishim në punë dhe kishim tre fëmijët.

Xhemë Gecaj

Të pasnesërmen, më 4 qershor 1990, morëm vesh lajmin e hidhur, se në moshën 73-vjeçare, Xhema kishte vdekur. Shkuam atje nga Tirana, me Katerinën dhe morëm pjesë në organizimin e ceremonisë së varrimit. Njoftimi ishte dërguar jo vetëm te njerëzit e njohur në Tiranë, Tropojë e gjetkë, por dhe në institucione zyrtare. Se kuptohet që ai ishte njeri me një njohje jo të vogël. Kështu, përveç njerëzve të sektorit Xhafzotaj, Sukthit, Durrësit, Tiranës etj. erdhën dhe mjaft të afërm nga Krasniqja, Nikaj-Mërturi dhe një autobus me veteranë e bashkëluftëtarë nga qyteti “Bajram Curri”. Ceremonia ishte mjaft e mirë, siç e meritonte Xhema, si luftëtar, veteran e njeri. U varros në varrezat afër sektorit të fermës bujqësore, në Xhafzotaj. Më pas djemtë e afruan, në varrezat ku ndodhen dhe eshtrat e Namire Ganajt (nëna e Faries, Hamitit, Flamurit e Firduzit) dhe të gruas së Hamitit, Feruzes, që i morën nga Fushë-Kruja.
Pas vdekjes së Xhemës bëra përpjekje të botohej një shkrim në organet qendrore të Tiranës, por kjo gjë nuk u përkrah nga drejtuesi i sektorit të shtypit në KQ të Partisë, që ishte dhe i njohur i imi!? Atëherë, u botua vetëm një shkrim në gazetën e rrethit të Tropojës, e cila e kishte emrin “Shkëlzeni”. Ndërsa më 4 qershor 2009, në përvjetirin e vdekjes së tij, u botua një shkrim në gazeetën “Z.P.”, nga N.Lushaj.
Shënoj këtu se, kur ishte gjallë, Xhema kishte shkruar me dorë materiale të ndryshme, si për origjinën e familjes sonë, për luftën partizane etj. Por ato kishin probleme në trajtim dhe nuk u arrit që të botohej ndonjë libër nga ai, pra mbetën dorëshkrim. Është botuar vetëm një kujtim i tij, te seria “Veteranët tregojnë”(2), ku flitet për aksionin e forcave partizane, kundër gjermanëve, në Shënmëri të Kukësit.
2.
Por një ngjarje tjetër tronditëse për të gjithë ne ndodhi në Xhafzotaj edhe në qershorin e vitit 2006. Në mëngjesin e datës 22, dolën nga shtëpitë e tyre vëllezërit, Ilirjani e Dritani, pasi do të shkonin në Durrës për një problem të tyrin. I pari eci pak përpara dhe takoi një shok të sektorit. Ndërkaq, ai u ndal e vuri dorën përpara, se ndjeu një të therur të fortë. “Kam një dhimbje të madhe në gjoks”-iu drejtua Ilirjani bashkëbiseduesit. Por ky buzëqeshi, se mendoi që bënte shaka, si përherë. Goditja në gjoks iu përsërit dhe ai ra përnjëherësh në tokë. Shoku dha alarmin e aty mbërriti Dritani dhe pas tij vëllezërit e tjerë e motra.
E morën Ilirjanin me të shpejtë me makinë dhe e nisën për në spitalin e Durrësit. Aty i dhanë ndihmën e parë në urgjencë dhe mjekët menduan që e kaloi. Pastaj vëllezërit e morën ndër duar dhe e çuan në katin e tretë, ku ishte i shtruar dhe Nikolla ynë, nga sëmundja e diabetit. Gjendja e Ilirjanit ishte tepër e rënduar dhe nuk po jepte shenja jete. Në këtë çast, shumë i alarmuar, më mori në telefon Dritani e më tha se vëllai i tyre ishte në gradën e fundit.
Me të shpejtë, unë e bashkashortja Katerina u bëmë gati për rrugë. Pas pak, morën prapë në celular e na thanë se Ilirjani kishte dhënë shpirt! U tronditëm jashtëzakonisht për këtë ngjarje të papritur, pasi ai nuk kishte pasur asnjëherë ankesa, nuk kishte bërë mjekim as qe shtruar në spital nga zemra. Ishte në moshë relativisht të re, pa i mbushur të pesëdhjetat. Përveç kësaj, do të lente në pikëllim dy djemtë, Orgesin e Alvaron, gruan Mondën, nënën Farije gjysëm të paralizuar, motrën Mimozë, vëllezërit dhe gjithë të afërmit.
Ne njoftuam menjëherë dhëndërrin, Shpëtimin, që ishte me punë në Autostradë. Ai shkoi në shtëpi e mori makinën dhe bashkë me vajzën tonë, Mirelën, erdhën tek ne. Së bashku, u nisëm shumë të mërzitur për në Xhafzotaj, ku kishin sjellë trupin e pajëëtë të Ilirjanit dhe kishte nisur kuja. Ne qendruam atë natë aty, të nesërmen pasdite në varrim dhe në drekën e shtruar, me atë rast. Trupin e Ilirjanit e dërguam pranë babait të tij, Xhemës, në varrezat e reja të Xhafzotajt, ku janë dhe eshtrat e gjyshe Namires e Feruzes së dajë Hamitit.

Ilirjan Xhemë Gecaj

Më pas, kemi shkuar në Xhafzotaj edhe kur u mbushën 40 ditët e ndarjes nga jeta të Ilirjanit e më vonë. Por jemi tronditur jashtëzakonisht edhe unë e Katerina, sepse ai, si fëmijët e tjerë të Xhemës, ishte rritur para syve tanë dhe na lidhnin shumë aspekte të jetës me të. Të gjithë ata nuk janë për t’u qortuar, por e themi me plot gojën se Ilirjani ishte më i miri. Prandaj, plaga në zemër për atë nuk do të na shërohet asnjëherë. Kur djali i vetë, Orgesi u martua e lindi një djalë, për ta përjetësuar, i vunë emrin e tij.
Pas vdekjes së Ilirjanit, e ëma, Farija pësoi një paralizë dhe, që nga ajo kohë, mbeti në shtrat e në spital. Më në fund, më 22 shtator 2009, ajo u largua përgjithnjë nga kjo jetë. Ne morëm pjesë në ceremoninë e rastit dhe aty erdhi i biri, Shkëlzeni nga Italia. Ndërsa i vëllai, Flamuri, që jeton në Greqi dhe trajtohet me dializë, kishte qenë aty pak ditë më parë dhe e pa për herën e fundit motrën e tij. Farija u varros aty afër, ku prehen i shoqi Xhema, i biri Ilirjani dhe e ëma Namirja e kunata Ruzi.
(M.Gecaj, nga libri jetëshkrimor, “Ëndrrat ‘e grisura’ të jetës sime”, faqe 314-316, Tiranë, 2010)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura