PROF.UKË THAҪI: SI NDODHI MASAKRA NË BURGUN E DUBRAVËS(I)

(Pashtriku.org, 21. 05. 2012) – Tansferimi nga Burgu i Prizrenit për në Kampin e Dubravës – Më 30. 04. 1999, nga burgu i Prizrenit, para mëngjesit, na urdhëruan të përgatitemi. Në ndërkohë na i thërrisnin emrat. Ata që thirreshin i shpiejnë në autobus. Në një autobus na futen, hiç më pak se 80 të burgosur. Nuk dinim se për ku na transferonin. E merrnim me mend se po na transferonin gjetiu në ndonjë burg tjetër. Shpëtuam gjallë nga torturat, në hetuesi, gjatë qëndrimit në burgun e Prizrenit deri më 28 prill. Dy ditë para transferimit nga ky burg, pësuam nga torturat e gardianëve të dehur e të etur për tortura, tmerruam të gjithë të burgosurit si dhe edhe stafin e gardianve me ofshama, britma e klithmat tona. Pas dy dite, thirrja nga gardianët para mëngjesi për t’u transferuar dikun gjetiu, për disa të burgosur ndoshta ishte e rëndë se ku do të na transferonin, por për mua dhe disa tjerë ishte shpëtim nga tmerri i këtyre gardianve në këtë burg.
Në mëngjesin e asaj dite, pasi e mbushën autobusin me 80 të burgosur, na drejtuan në drejtim të Pejës, për në burgun e Dubravës. Gjatë tërë rrugës pamë e çka nuk na panë sytë! Pamë policë e paramilitarë, që vëzhgonin me dylbi anëve të rrugës; pamë autoblinda e tanke të pajisura me armë të rënda të futura nën dyer të oborreve e nën disa pullaze të haureve me qëllim të fshehjes (maskimit) nga aeroplanët e NATO-s; rreth e qark tankeve pamë ushtarë, të armatosur gjerë më dhëmbë. Gjatë tërë rrugës pamë shtëpi të djegura e të rrënuara.

Të gjitha ambientet e Burgut të Dubravës.

_____________________________________________

Mbërritëm në Dubravë. Me të hyrë në oborr, para mureve të burgut, pamë autobusë me regjistrim të Nishit, me të cilët ishin sjellë shqiptarë nga burgjet e Serbisë. Prej tyre i pamë duke zbritur të burgosurit shqiptarë, që i kishin sjellë nga burgjet e Serbisë. Rrallë kush nga të burgosurit mund të zbriste me këmbët e veta. Me të dalë nga autobusi, gardianët e godisnin çdo të burgosur. I rrahnin me shkopinj. Disa gardianë i përdornin këmbëzat e traktorëve, që i kishin përdorur, më parë, për bartjen e sanës. Sana u duhej për të ushqyer bagëtinë e plaçkitur nga shqiptarët e arratisur nga frika, që ua kishin kallur çetnikët shtëpitë. Pasi u zbrazën autobusët e Nishit, na erdhi radha neve, që ishim në autobusin e Prizrenit. Gardianët bënin gara se cili i pari ta zinte radhën, te dera e autobusit. Mbi ne u sulën si bisha të uritura, duke i rregulluar këmbëzat e rimorkios së traktorit, që të mos ua vrisnin duart, kur të na rrahnin neve, për të shfryrë epshet e veta shtazarake. Rruga, që nga autobusi e deri në hyrje të burgut, nga të dyja anët, ishte me gardianë e mbikëqyrës të burgjeve, me qëllim që të na kishin sa më afër për të na goditur. Kjo i ngjante një tuneli të pafund. Nga të goditurat shumë prej nesh rrëzoheshim për tokë. Ecnim pa guxuar të shihnim se ç’po bëhej. Na vinte keq për shokët, por ishim në hall për vetëvetën. As nuk guxonim dhe as nuk mundnim t’u ndihmonim shokëve. As nuk guxonim të shihnim se ç’bëhej me të tjerët. Ecnim, sipas urdhërave, duke mbajtur kokën ulur. Ecnim kokëulur nën breshërinë e goditjeve të shqelmave e të shkopinjëve. Kështu vazhdoi derisa na futën në pavijonin e mesëm (B). Aty u njohëm mes veti, se kush ishte e nga ishte dhe prej cilit burg vinte në këtë burg.
Edhe ditëve tjera sillnin të burgosur nga burgje tjera, që i dërgonin në pavijonet tjera (në Pavijonin “C” dhe atë të pranimit); Në Pavijonin “C” i vendosën të burgosurit, që i kishin sjellë nga burgjet tjera si: Vranja, Leskovci, Prokupla e Gjilani. Ndërsa në Pavijonin e pranimit i vendosen 155 të kidnapuarit e Gjakovës.
Pavijonet u mbushen me të burgosur shqiptarë. Numri i të burgosurve, sipas të dhënave të atyre që punonin në kuzhinë kishte arritur në 954.

Ministri i Drejtësisë së RS – Dragoljub Jankoviq.

____________________________________________

Më herët nga burgu i Dubravës i kishin larguar të burgosurit shqiptarë. Atë e kishin mbushur me ushtarë e paramilitarë serbë. Por, me të filluar bombardimet e NATO-s, ushtarët e paramilitarët kishin dalë jashtë mureve të burgut.  “Me urdhrin e Ministrit të Drejtësisë së RS Dragoljub Jankoviq, i cili kishte urdhëruar që të denuarit dhe të arrestuarit shqiptarë të transferohen nga Serbia në Kosovë (në burgun e Dubravës U.TH.) në kohën e bombardimeve”. *) Dëshmi nga: Hysni Bytyqi më, 9. maj. 2005; nga interneti.)
Ushtria e policia serbe, pasiqë ishin tërhequr jashtë mureve të burgut, herë pas herë i provokonin aeroplanët e NATO-s duke shtënë me “praga”, me qëllim që ata të reagonin, në objektet, ku kishin qenë më herët këta provokatorë serbë. Por, sipas Planit “SKENARIT”, këto pavijone tani ishin përplot të mbushura me të burgosur shqiptarë.
UKSHIN HOTI- LIRIMI I TIJ DHE PRAPAVIJA
(Fillimi i Masakrës serbe në Burgun e Dubravës)

“Emri i Ukshin Hotit (është) i njeriut të shndërruar në histori, ku e ardhmja do të kuptimësojë pafundësisht të tashmen, por edhe të kaluarën.. Dje dhe sot! „Dora që shkruan, ka thënë Da Vinçi, është vegla e trurit“. Dora e Ukshin Hotit, që shkroi librat e guximshëm e të mençur, është truri i tij i memorizuar në përjetësi. Ai qe paralajmërues dhe një argumentues vizionar. Prandaj, ai mbijeton përherë në këtë vizion ndërtues horizont-ndritës prë të gjithë. Dje dhe sot” ! *)Nga fjala e Dr. Moikom Zeqos në Akademinë politike kushtuar Mr. Ukshin Hotit më 16 Maj 2008.

___________________________

Në këtë burg gjendej Mr.Ukshin Hoti nga Krusha e Madhe, Komuna e Rahovecit, profesor universitar. Publicist, themelues e kryeredaktor gazetash. I burgosur disa herë.
Më 17 të muajit maj do t’i mbushte 5 vite të vuajtjes së dënimit në burg. Kështu kishte qenë i dënuar e tani duhej të lirohej më 17 maj 1999. Por e “liruan” një ditë më herët, më 16 maj 1999. Këtë e dinte mirë Ukshin Hoti, se nuk do të lirohej pa ndonjë skenar e prapavijë të përgatitur. Ukshin Hoti “u lirua” më 16 maj 1999. Këtë ditë pranon Vendimin (Reshenjen) në Çirilicë me nr. 24-2241-05, të cilën e kishte nënshkruar Drejtori i burgut të Dubravës, Aleksandër Rakoçeviq. Nga ky moment, sot e atë ditë, nuk dihet asgjë për fatin e atdhetarit, intelektualit e politologut të shquar shqiptar.

 Siç dëshmon kjo listë e shkruar gjatë struktirimit të të burgosurve nëpër dhoma të këtij Pavijoni Ukshin Hoti ishte i vendosur në dhomën Nr. 22. të krahut: 13 D. Dhe siç vërehet është shlyer me laps mbi Emrin e Ukshin Hotit, me vërejtjen „ka mbaruar denimin“.

______________________________________

Këtë datë fillon Masakra në të burgosurit shqiptarë, në Burgun e Dubravës. Të gjithë e përcillnim nga dritaret, daljen e tij deri sa qe afruar te dalja e burgut, me një thes të mbushur me gjëra të tija personale. Nga pavijoni, Ukshinin e mori mbikëqyrësi i Pavijonit “B” – Branko Komatina, të cilin të gjithë të burgosurit e kemi parë nga e ka dërguar deri në dalje të Burgut.

 Kartela e letërnjoftimit të Mbikqyrësit: Branko (Milovan) Komatina.

______________________________________

Këto ditë u liruan edhe Rasim Plava e Shkëlzen Pepshi të cilët me të dalë menjëherë janë ekzekutuar. Më tutje askush nuk dinë se ç’ndodhi me Ukshin Hotin, pos Branko Komatina. A ishte dikush në pritjen e tij, apo në përcjelljen e tij, pasi që ishte gjendje lufte? Edhe sot e kësaj dite nuk dihet as për fatin e Ukshin Hotit, as për fatin e Haki Z.Dinaj nga Raushiqi . Në shtëpinë e një polici ishte gjetur një dokument ku shkruante se gjoja për sjellje të mira gjatë 5 viteve të vuajtjes së dënimit (dëshmi e Dr Haki Kasumit), Ukshin Hotit i ishte falur një ditë. Për këtë ishte liruar gjoja një ditë më herët. Nga dritarja e korridorit të burgut dolëm ta përcillnim të gjithë me sy, se kah po shkonte dhe më kujtohet…!
Eeeh, kaluan 5 vite nga dita, kur një javë para se të arrestohej, pranoi që të udhëhiqte UNIKOMB-in. Atë ditë patëm shkuar në shtëpinë e tij, në Krushë, si delegacion i këtij subjekti politik.
Pas një bisede të shkurtër pranoi këtë post, postin e Kryetarit të UNIKOMB-it. Ishim në Xërxë te një mik i tij. Shkuarjen atje, Ukshinit ia kishte propozuar vetë miku. Këtë e bëri në shenjë respekti për të. Ishim ulur rreth një tryeze aq të gjerë sa nuk më kishte rastisur kurrë më parë të shihja një tryezë të tillë të madhe. Folëm me enthuziazëm e besim të plotë. Ishim të bindur se Ukshin Hoti do sillte risi në arenën e politikës shqiptare, si shtylla kryesore e UNIKOMB-it. Ukshini e pranoi propozimin tonë. Në ndërkohë ngritëm dollinë duke uruar që populli shqiptar të çlirohej njëherë e përgjithmonë nga okupatori shekullor. Në ndërkohë i cakërruam gotat me raki dhe njëzëri uruam: ”Gëzuar!“
Pyetje pa përgjigje?
Pse liderët tanë nuk e thanë asnjë fjalë kundër arrestimit të Ukshin Hotit? Pos deklaratave të para Luftës, “se na vjen keq”.
Kur liderët tanë ftohen në Konferencën e Rambujesë, pse nuk iu ra ndërmend që në këtë përbërje të ishte edhe Mr. Ukshin Hoti?
Nuk dinin?!
Nuk dinin se çfarë potenciali politik, i Politikës Ndërkombëtare ishte Ukshin Hoti?!
Apo nuk deshën ta kenë në përbërje për diçka tjetër ?!
Cilët nga liderët tanë fajësohen më së shumti?
Kujt nuk i falet gabimi?
Këta e patën të vetmin rast, ndoshta për të ndikuar për lirimin e tij nga burgu.
Pse liderët, përkrahës të tij, nuk ia hodhën “pataten e nxehtë” ato ditë faktorit ndërkombëtar? (për hyrje në formacion për bisedime në Rambuje që të jetë Mr.Ukshin Hoti). Apo iu frikësuan se profesori do të kuptonte dhe se nuk do të toleronte makinacionet, që kurdiseshin në dëm të së ardhmes së Kosovës? Ngase Lufta e UÇK-s filloi në Drenicë por do të përfundonte e dështuar në Rambuje.
Po të merrej shemulli i algjerianëve ndaj Liderit Ahmed Ben Bella*)Algjeria ishte e okupuar nga Franca. Më 01. 11. 1955 në Algjeri fillon Lufta Çlirimtare për pavarësi, këtë Luftë e filloi Ahmed Ben Bella të cilin francezët e rrëmbyen e dërgojnë në Paris dhe e burgosin. Më 1962 filluan bisedimet mes algjerianve dhe francezve për pavarësinë e Algjerisë. Kushti i algjerianve ishte që bisedimet t’i udhëheqë Ahmed Ben Bella. Franca u detyrua që ta dërgoi Ahmetd Ben Bellen në Algjeri dhe bisedimet filluan në EVEN të Francës).
Nuk iu shkoi mendja te themeluesi i çelulave të UÇK-s Nait Hasani i cili ato ditë gjendej në burg.
Po çka t’i bëhet Simbolit të Rezistencës Kombëtare Adem Demaçi i cili nuk dakordohej me përfaqësuesit e politikës shqiptare në Rambuje e lëre më të ftohej Mr. Ukshin Hoti (Tigri)* ) lexo proverbin kinez!
Cilit prej liderëve nuk i shihet për të madhe? (Merreni e lexoni deklaratën në mbarim të seancës gjyqësore, gjatë gjykimit të tij të fundit në Gjykatën e Qarkut në Prizren, të botuar si shtojcë e veçantë dhe deklarata në librin e tij, “Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare”).
Akuzat mbetën të shtruara, që nga ajo ditë, kur Ukshin Hoti e lexoi deklaratën që patë zgjatur pesë orë.
Akuzat mbeten pa përgjigje. Atë ditë që është arrestuar, gjatë gjykimit, gjatë vuajtjes së denimit e gjer më sot, kurrë nuk iu përgjigjen akuzave të Ukshin Hotit. Kurrë nuk iu përgjigjen akuzave, janë apo nuk janë të vërteta akuzat? Fajtori mbetet ai që është i akuzuar. Që për qëllim kishte eliminimin e “Tigrit”.


Shkolla në Krushë tani ka nderin të gëzojë emrin e Ukshin Hotit. Mbi emrin e shkollës fotografia e U.Hotit, tani i biri i tij Andini dhe Ettriti i biri i Dëshmorit Ragip Hoti(vëllai i Ukshinit

_______________________________________

PROVOKIMET E USHTRISË SERBE PËR FILLIMIN E REALIZIMIT TË SKENARIT
Të burgosurit, që ishim në pavijonin “B” dhe në dy pavijonet “A” dhe ”A-1” dhe të kidnapuarit e Gjakovës, në pavijonin e pranimit, dërgoheshin për t’u ushqyer në kuzhinë, ndërsa të burgosurve, që gjendeshin në pavijonin “C”, u çonin ushqimin brenda në dhoma izolimi të këtij pavijoni. Ndoshta, kjo i bënte aeroplanët vëzhgues të NATO-së që të dyshonin, se në atë pavijon strehohej dikush (ndoshta ushtarë e paramilitarë serbë).
Më parë nga ky burg ishin transferuar të gjithë të burgosurit shqiptarë në burgje tjera në Serbi, në Nish dhe Mitrovicë të Sremit. Këtu tani ishte stacionuar ushtria dhe policia serbe. Sipas skenarit të përgatitur për një masakër si kjo, që u realizua. Forcat serbe ishin tërhequr jashtë mureve të burgut.
Tani këtu duhej mbushur me të burgosur shqiptarë, këtë skenar e kishte udhëhequr Ministri i Drejtësisë së RS -Dragoljub Jankoviç i cili urdhëron që të denuarit shqiptarë të transferohen nga burgjet e Sebisë në Kosovë, në burgun e Dubravës.
Poashtu më, 15. 10. 2010, Prokuroria serbe pohon se masakra ndaj të burgosurve shqiptarë në burgun e Dubravës, gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999, është kryer me urdhër të Qeverisë së Serbisë. Për një gjë të tillë, Prokuria në Beograd ka siguruar prova që tregojnë përfshirjen e ministrit të atëhershëm serb të Drejtësisë, Dragolub Jankoviç dhe zëvendëskryeministrit Nikolla Shainoviç, në rastin e vrasjes makabre në burgun e Dubravës, pranë Istogut. Sipas urdhrit të dhënë nga qeveria e atëhershme serbe, të burgosurit serbë për krimet më të rënda janë transferuar në burgun e Dubravës, për të “qëruar” hesapet me të burgosurit shqiptarë. (janë udhëhequr nga komanda e burgut e në veçanti Komandanti Miroljub Vidiq -MIKI dhe i tërë stafi i burgut, dëshmi që janë njohur nga të mbijetuarit dëshmitarë)
Siç shkruajnë mediet në Beograd, gjatë hetimeve është zbuluar se mbi të burgosurit shqiptarë fillimisht është hapur zjarr me pistoleta dhe pushkë, ndërsa më pas të dyshuarit kanë kuptuar se për këto krime nuk mund të akuzojnë NATO-n dhe atëherë kanë vendosur që kundër të burgosurve nëpër dhoma të hapet zjarr nga mortajat “zola”.

Dëshmi e gjakderdhjes së të vrarëve dhe të plagosurve në dhoma të pavijoneve…

___________________________________________

Menjëherë pas krimit, rreth 90 për qind e të burgosurve serbë marrin 15-20 ditë pushim, për të mos u kthyer më kurrë në vendin e vuajtjes së dënimit. (variant i shpërblimit – U.TH.) Gazeta “Danas” citon zëvendësministrin e atëhershëm të Drejtësisë, Zoran Stefanoviç, i cili ka thënë se të gjitha urdhrat kanë arritur nga ministri Jankoviç. Gjatë hetimeve është konfirmuar se personat në terren, të cilët u kanë raportuar autoriteteve të atëhershëm të regjimit në Beograd për krimin në burgun e Dubravës, qëllimisht kanë rritur numrin e të vrarëve, sepse kanë pasur urdhër që numri i viktimave të jetë rreth 500.
Fondi për të Drejtën Humanitare me seli në Beograd, në maj të këtij viti ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë për Krime Lufte kundër 34 përgjegjësve për vrasjen e më se 90 (& deri tani të verifikuar 120-U.TH.) të burgosurve shqiptarë dhe plagosjen e më se 150 (dëshmitë tona të SHBPK japin mbi 300) të tjerëve në burgun e Dubravës. Zhurnal/nga interneti; (fjala është për kohën e bombardimeve të NATO-s, vërejtje e U.TH.).
Kështu që çdo mbrëmje, gjatë fluturimit të aeroplanëve të NATO-s, mbi hapësirën e këtij burgu, provokoheshin me të shtëna nga “pragat” e ushtrisë serbe, nga vendi ku ishin stacionuar jashtë mureve të burgut, në drejtim të aeroplanëve të NATO-s. Për këtë e dinim edhe ne, që ishim aty, se do të përdoremi si kafshatë për bisha, se provokimet me të shtëna nga “pragat”, kishin për qëllim revanshin e aeroplanëve të NATO-s.

Struktura komanduese e ushtrisë serbe!

……………………………………

Struktura komanduese e MUP’it!

________________________________________________

Pilotët e NATO-s, ranë në grackë. E gjuajtën dhe e bombarduan pavijonin e mbushur përplot me të burgosur shqiptarë. Ushtria jugosllave; armata e tretë, e komanduar nga Gjeneral kol.Nebojsha Pavkoviç, ishte përgjegjëse për Kosovën. Më tej, Pavkoviç ishte Shef i shtabit të përgjithshëm të UJ-së. Gjatë luftës nën Pavkoviçin vinte majori Gjeneral Vladimir Lazareviç, i cili komandonte Korpusin e Prishtinës të Armatës së Tretë të vendosur në Kosovë. Nën komandën e Lazareviçit ishin pesë brigada, një njësi policore ushtarake dhe një regjiment aviacioni. Emrat e këtyre komandantëve gjenden në kapitullin “Forcat në Konflikt” *)Humen Rights Watch, october 2001; kapitulli “Zingjiri i Komandimit”.
Struktura e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë e Drejtuar gjatë luftës nga Ministri Vlajko Stjoljkoviç. Brenda Ministrisë së punëve të brendshme të Serbisë bënin pjesë policia e rregullt e Kosovës, e komanduar nga Sreten Lukiç, forcat policore speciale të komanduara nga Lt.Gen.Obrad Stevanoviç dhe forcat antiterroriste te komanduara nga Kolonel Zhivko Trajkoviç….!*)po aty.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë përmban gjithashtu shërbimin e sigurimit, apo siç quhet ndryshe, policinë sekrete, e cila luajti rol të madh në Kosovë. Përveç aktiviteteve të fshehta për monitorimin dhe sulmin e aktiviteteve politike të shqiptarëve etnikë dhe të UÇK-së, sigurimi i shtetit dislokoi gjithashtu njësi operative speciale, JSO-në (Jedinica za Specialne Operacije), dhe ndihmoi organizata të ndryshme paraushtarake. Të njohur gjithashtu si “Beretat e Kuqe” apo ”Djemtë e Frenkit” (sipas Frenki Simatoviç, një personalitet kyç në MPB, i cili njhet si themelues i grupit), JSO-ja komandohej gjatë luftës nga Milorad Lukoviç (Ulemek), një njeri i njohur si “Legia”. Deri në janar të vitit 2001, në krye të sigurimit të shtetit të Serbisë ishte Gjeneral Kol. Radomir Markoviç, u arrestua nga policia serbe pasi akuzohej për sulmin kundër Vuk Drashkoviqit. Kreu i sigurimit të shtetit në Kosovë gjatë luftës ishte David Gajiç.*) po aty, në vijim.
Kështu të gjithë këta dhe stafi komandues i burgut të Dubravës me: Drejtorin – Aleksandër Rakoçeviç, komandantin e burgut Miroljub Vidiç – MIKI , si dhe stafin komandues që urdhëronte nga Ministria e Drejtësisë së Serbisë si dhe komandosë nga rajoni i Pejës të cilët u cekën në vijim, bënë planet dhe ky Plan “SKENAR” filloi realizimin.

Kopja e Kartelës së letërnjoftimit të Drejtorit të Burgut të Dubravës; Aleksandër Rakoqeviq.

___________________________________________

REALIZIMI I SKENARIT TË MASAKRËS – 19 MAJ 1999
5 minutat e parë të situatës kritike, të 19 Majit
Më 19 maj 1999 përafërsisht rreth orës 10.00, filloi fluturimi i aeroplanëve të NATO-s. Si çdo ditë edhe atë ditë mendonim se do të sulmonin diku afër nesh, por edhe e kishim parandjenjën, se mund të gjuanin edhe në objektet e burgut. Atë ditë isha i shtrirë në dhomë dhe pritja Sherif Hamzën, që të vijë e të më mjekonte plagët e marra më 28 prill, nga gardianët serbë në burgun e Prizrenit. Erdhi Sherif Hamza, por kësaj radhe jo për të më mjekuar, por më sugjeroi që sa më shpejtë, të ngrihem e të shoh se çka bëhej jashtë. Jashtë pamë gardianët, që vraponin duke ikur nga vendi i ngjarjes, nga bombardimi i Pavijonit “C”.

 Pavijoni “C” ku për herë të parë më 19. 05. 1999, u bombardua nga NATO-ja.

_____________________________________

Aeroplani, që me sulmin e parë, kishte goditur me dy raketa nga krahu i majtë dhe një nga krahu i djathtë, sërish rrotullohet i njëjti aeroplan dhe e goditi pavijonin në radhë. Pavijonin “B-1”, u godit me një raketë të krahut të djathtë, ngase të dytën të krahut të djathtë e kishte hedhur, ndoshta gabimisht në sallën e Pavijonit ‘C’ ishin vrarë 3 të burgosur e plagosur disa të tjerë. Tani ne ishim, të burgosurit shqiptarë në pavijonin e radhës – “Pavijoni “B” (pavijoni i III -të), ku pritnim çdo çast se do të godasin edhe pavijonin tonë. U krijua panikë e rrëmujë te të gjithë të burgosurit e këtij pavijoni. Në këtë pavijon ishim 360 shqiptarë të burgosur. Vërejtëm se gardianët e pavijonit “C”, vraponin duke ikur nga vendi i tyre i punës. Në ikje e sipër, njëri prej tyre alivanoset. Ai e kishte humbur vetëdijen dhe ra për tokë. Në ndërkohë gardianët tjerë e tërhoqën zvarrë . Pamë këta tre gardianë që arratiseshin. Ata i kishte mbuluar pluhuri i betonit të krijuar nga raketat e NATO-s, që kishin rënë në Pavijonin “C”. Edhe më tej huti. Ç’të bënim? Grilat, që ishin brenda objektit, ku gjendeshim ne, në Pavijonin “B-1”, mendohej se ishin të pathyeshme, të larta, dykatëshe (në këto grila dykatëshe ishin ngjitur gati të gjithë të burgosurit dhe i lëkundën, i shkoqën nga muret). Pamje për t’u habitur. Askush nuk e kishte menduar se këto grila mundë të shkoqen nga muret. Por kishte edhe tri lloje të grilave për të dalë jashtë pavijonit.
Vërehen lëvizjet e të burgosurve shqiptarë nga pavijonet që më herët ishin vendosur këtu, në pavijonet tjera të këtij burgu. Lëvizin në drejtim të pavijonit ku ishim ne. Vrapojnë me kazma në duar për t’i thyer çelësat e dyerve të grilave. Këtë ia arritën dhe i thyen dyert e grilave. Dolëm jashtë nga Pavijoni. Ndjehet një situatë e madhërishme te të gjithë të burgosurit. Situatë e paparamenduar; – dolëm jashtë grilave (parmakëve) (rrethojave të hekurta) të Pavijonit “B”.

Pavijoni “B” ku gjendeshin 340 të burgosur shqiptarë…

____________________________________________

– Ç’të bëjmë tani?
-Çaste që duhej vepruar – “ad – hoc” (aty për aty).
Të burgosurit mësyjnë secili në drejtim të përkohshëm, në drejtimin që mendonte se është më së miri për të shpëtuar. Disa prej nesh mbetën në oborr të hutuar.
-Ejani të shohim se si është situata në Pavijonin “C”.
Kaluam për skaj Pavijonit “B-1”që ishte i zbraztë. E kishte goditur aeroplani me një raketë. Arritëm tek Pavijoni “C”.
Këtu shohim të burgosur të shashtisur, të tërbuar, thirrje e britma!
– Hapni dyert! Afrohemi duke vrapuar me të shpejtë te hyrja e Pavijonit. Hyjmë brenda.
Foto nr. 18Dhomë vetmie në pavijonin “C”
Në hyrje ende nuk kishte rënë pluhuri i betonit për tokë. I thyem grilat, tani më lehtë , ishim mësuar t’i thyenim çelësat e grilave. Hapëm edhe dyert e dhomave të këtij pavijoni.
-Ç’të shihnim?
-Shohim tmerr!
-TMERR I PA PARË!
-E tërë kjo kohë, nga fillimi i masakrës e gjer tek mbarimi i situatës fillestare, zgjati përafërsisht pesë minuta!

 Pavijoni “C”, i bombarduar më 19 maj 1999, që ishte plot me të burgosur shqiptarë. Ky objekt, si dhe i tërë kompleksi i këtij burgu është dashur të mbetet muze i krimeve sërbe.

______________________________________________

Pamje e brendisë së kompleksit në burgun e Dubravës.

___________________________________________

Pas pesë minutave.
Lëvizje e të burgosurve që ndihmojnë dhe të burgosur shqiptarë që ndihmohen. Kush kë ta ndihmojë. Të gjithë, kush më parë, bartë të plagosur. Një prej këtyre të plagosurve rëndë e shoh se ishte në gjendje kritike. Kishte mbetur para derës së hyrjes, te Pavijoni “C”. Nuk mund të merrte frymë. I afrohem, Përpiqem t’ i jap zemër. I them:
– Ja tani po vjen mjeku. Veç sa nuk ka ardhur! – dhe e mbulova me një batanije. Nuk doja ta shihja kah përballet me jetën a vdekjen. Ia hoqa sërish batanijen për ta parë. Por… Zemra i kishte pushuar së rrahuri. E mbulova dhe pyesja vetën. Athua edhe sa të tillë tani do t’i kemi?
Nja katër veta më tej bartin një person me batanije. Dikush, më tutje, thërret i shashtisur:
Ku po e çoni? A nuk po e shihni si po i shkon gjaku curril?!
Ata ecin; nuk i njihja se kush ishin, po, njërin nga ta e njoha më vonë. Ishte Agim Thaçi. Ai, për fat të mirë ka mbijetuar. Personat që e kanë bartur ndoshta i din Agimi. Më vonë pas gati dy vite, e takova Agimin. Ishte gjallë. E kishin sjellur në burgun e Pozharevcit. Agimi ishte nga Skivjani. Më vonë e kuptova se Agimin e plagosur, atë kohë, e paskëshin shpënë në spitalin e Pejës, për të thënë se ja çka po bëjnë aeroplanët e NATO-s. Agimi nëpër spitale kishte vuajtur “të zitë e ullirit”. E kishin maltretuar sa nuk bënë më ndryshe. E kishin rrahur të gjithë ata që e kishin kuptuar, se çka e kush ishte Agimi; Policë e punëtorë sigurimi e bile edhe mjekët të ndihmuar nga teknikët e mjekësisë. Duke e sharë e fyer Agimin dhe NATO-n. Por edhe kështu kishte mbijetuar. Nuk e dinte as vetë Agimi sa plagë kishte, por megjithatë kishte mbijetuar. Tani është gjallë.
Siç mësuam më vonë, për fillimin e këtij tmerri të 19 majit ishin vrarë 3 të burgosur e shumë të tjerë të plagosur. Nga të vrarit ishin: Enver Bajram Topalli nga Gremja e Ferizajit, Avdulla Ramadan Tahiri nga Malisheva e Gjilanit dhe Xhokë Matej Ndreca nga Bitishi i Gjakovës.
Në këto momente vërtetojmë se kishin ndërruar jetë tre të burgosur. Numri i të plagosurve nuk dihet, por dihet se disa nga të burgosurit improvizuan spitalin, ku kishte shumë të plagosur, por s’kishin me çka t’i trajtonin. Ku t’i merrnin barërat? Përpiqet Bislim Zogaj me Haqif e Sherif Ilazin, Defrim Rifajn e të tjerë.
Alarm në Bruksel
Të nesërmen, më 20 maj 1999, kaluam si kaluam. Dita kaloi më e qetë. Nuk pati të vrarë as të plagosur.
Por, të gjithë ishim si në ankth.
NATO-ja ra në grackë. Në Bruksel, zëdhënësi i NATO-s e pranoi bombardimin dhe tha se Dubrava ishte një “kamp stërvitjeje ushtarake”. Në një konferencë për shtyp, majori Walter Jertz shpjegoi:
“Ajo (Dubrava) është një objektiv i rëndësishëm ushtarak; ne e dimë se ajo është një kompleks i sigurimit ushtarak, dhe ky objektiv është sulmuar nga se ishte një objektiv legjitim ushtarak dhe ne nuk kemi të dhëna që goditjet ranë në ndonjë vend tjetër apo që pilotët kanë gabuar shënjestrën. Mund të shtoj se ne përdorëm bomba me precizitet të lartë, dhe për ta thënë përmbledhtazi, ishte një kompleks i sigurimit ushtarak, një objektiv legjitim ushtarak.*)Nën Pushtetin e urdhrave, Krimet e luftës në Kosovë; ”Humen rights Watch”,f 261.)

Një bombardues i NATO’s – 1999.

__________________________________________

Më tej, në vazhdim, sipas MJPJ, “NATO-ja bombardoi forcat e Ushtrisë Jugosllave e të policisë serbe në afërsi të burgut, në orën 13.15, më 19 maj, duke vrarë tre civilë. Sipas raportimeve, tri bomba goditën burgun, duke vrarë dy të burgosur e një roje”.*) *(po aty në faqen 261).
Më 22 maj, zëdhënësi i NATO-së Jemie Shea tha: “Siç e dini tashmë në Istog, Kosovë, forcat e NATO-s sulmuan një zonë të kazermave, e cila ishte përdorur për një kohë të gjatë nga Ushtria Jugosllave dhe nga forcat e policisë speciale të MUP-it, si pjesë e operacioneve kundër UÇK-së dhe kundër civilëve kosovarë. Kjo zonë gjendet pran një burgu, por unë dua të theksoj, ashtu siç bëra edhe dje, që fjala është për një zonë ushtarake. Burgu është pjesë e kësaj zone, por përbën vetëm një pjesë të vogël të një kompleksi të madh ushtarak.*) *(po aty faqe 263).
Çka e ardhmja?
“Mish njeriu, për bisha”.
Me të burgosurit shqiptarë udhëheqin gardianët dhe të burgosurit serbë, që deri në këtë moment ishin të burgosur ordinerë, por me fillimin e këtij skenari, këta të burgosur, ndërruan pamjen: në koka kishin vënë kapela të zeza, me vrima te sytë dhe në hundë e gojë – për frymëmarrje më të lirë dhe për të mos u identifikuar. Tatuazhet e vizatuara në trup (pikërisht në qafë) kishin harruar t’i mbulonin; rrobat e burgut nuk i kishin hequr dhe në duar mbanin automatikë kundër të burgosurve shqiptarë. Ishin, bile edhe më aktivë se vet gardianët gjatë maltretimeve që ua shkaktonin të burgosurve shqiptarë si në rreshtim, jo këndej, jo andej, “Ja e keni kërkuar NAO -n”, “ he nënën juve dhe NATO-s” e lloj-lloj fyerjesh.
Dallohej tani kush ishte kriminel e kush ishte viktimë, por…!
Dielli rrezonte!
Dielli për të gjithë rrezonte njëjtë, si për viktimën ashtu edhe për kriminelin.
VIJON…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura