PSE RAMADAN PLLANA GËNJEN DHE SHPIF PËR LNÇKVSHJ-në DHE UDHËHEQJEN E SAJ (13)

Reagim me shkas ndaj rrenë – shpifjeve të Ramadan Pllanës

PSE RAMADAN PLLANA GËNJEN DHE SHPIF PËR LNÇKVSHJ-në DHE UDHËHEQJEN E SAJ (13)

Shkruan: Shefqet Jashari – Strofci

DËSHMITË E RAMADAN PLLANËS PËR STRUKTURËN ORGANIZATIVE TË LNÇKVSHJ, JANË TË PA SAKTA DHE TË GABUARA

Me themelimin e LNÇKVSHJ dhe organit udhëheqës – Komitetit Qëndror; pastaj, me miratimin e Statutit (e jo siç thotë Ramadan Pllana Projektstatutit), janë vënë bazat e strukturës organizative të organizatës. Komiteti Qëndror ishte organi më i lartë i organizatës. Unë me bashkëpuntorët e mi gjithmonë e kam përdorë termin Udhëheqja e ngushtë, në vend të Komiteti Qendror.

Edhe pse struktura organizative e LNÇKVSHJ ka qenë e njohur nga Ramadan Pllana nëpërmjet Statutit të Organizates, por edhe nëpërmjet meje, ai edhe me këtë çështje spekulon.

Duhet cekur se në bazë të rregullave të konspiracionit, disa çështje që kanë të bëjnë me formimin e LNÇKVSHJ, Komitetit Qëndror, Komiteteve Qarkore, Ramadan Pllana nuk i ka ditur para burgosjes dhe gjatë vuajtjes së burgut. Për ato çështje ka mësuar pasi e ka lexuar Intervistën time të botuar në gazeten ‘’DRITA’’ më 1997, kurrsesi më herët. Nga ajo Intervistë ‘’historiani’’ i rrahagjoksave të Kosovës ka mësuar se si është krijuar Komiteti Qendror. Po ashtu ka mësuar se celulat e para të LNÇKVSHJ janë krijuar nga Metush Krasniqi (pesë celula), Sabri Novosella (tri celula), Shefqet Jashari (dy celula) dhe se prej 10 celulave të formuara 6 celula janë shëndrruar në Komitete Qarkore (komitete të qyteteve-komunave). Po ashtu ka mësuar se kryetarët e gjashtë Komiteteve të Qarkut i bëmë anëtarë të Komitetit Qendror. KQ i LNÇKVSHJ, në programin e tij ka vendosur t’i formonte degët e tij jashtë vendit, ku jetojnë dhe punojnë shqiptarët, e jo brenda vendit, siç fantazon Ramadan Pllana. Përpjekjet e para për t’i krijuar Degët jashtë vendit janë bërë me dërgimin e përfaqësuesve tonë në Shqipëri (një bashkëpunëtorë i Sabri Novosellës) dhe në Turqi (bashkëpunëtori im Sheremet Saraçi)

Në strukturën organizative, Komiteti i Rinisë së LNÇKVSHJ ka qenë në nivelin e Komiteteve Qarkore (qyteteve-komunave).

Komitetet Qarkore kanë pasur për detyrë t’i formojnë Komitetet Vendore, në fshatra, organizata punues, fabrika, punishte, institucione kulturo-artistike dhe edukativo – arsimore, lagje të qyteteve të mëdha, etj. Komitetet Qarkore janë paraparë që të formohen në të gjitha qytetet e Kosovës dhe në qytetet e viseve shqiptare që ishin nën sundimin serbo-jugosllav.

Siç po shifet të gjitha këto të dhëna Ramadan Pllana i ka pasur në intervistën time të botuar në gazeten’’DRITA’’. Po ashtu ai dëshmon se është shërbyer me të dhënat e asaj interviste (pra e ka pasur intervistën time në disponim). Pse Ramadan Pllana nuk i ka marrë për të vërteta këto të dhëna, kur dihet se unë isha pjesëmarrës në ato ngjarje, është puna e tij, por është dasht të japi një shpjegim. Pasi që ai nuk ka dhënë kurfarë shpjegimi konkret për to, por thjesht i ka mohuar, është dëshmi se ai don të spekuloi me të gjitha çështjet e Organizatës.

Strukturën organizative të vendosur nga KQ i LNÇKVSHJ ia kam shpjeguar Ramadan Pllanës, por jo më shumë se një herë, duke qenë i bindur se e ka pasur të qartë. Egziston mundësia se disa çështje (që unë ia kam shpjeguar) nuk i ka pasur të qarta sa duhet. Por, duke u mbështetur në rregullat e konspiracionit se ‘’sa më pak të kesh dijeni për të tjerët dhe punën e tyre, aqë më mirë për ty në rast se burgosesh’’, as mendja nuk më ka shkuar që t’ia shpjegoj mënyrën se si i kemi krijuar gjashtë Komitetet e para Qarkore dhe si është krijuar Komiteti Qendror. Por kjo nuk i jep të drejtën të spekuloj me këto çështje, pasi që para se ta shkruaj intervistën e tij i ka pasur të qarta të dhënat e strukturës organizative dhe udhëheqëse të LNÇKVSHJ.

Në pyetjen e interventuesit (që ia bënë Ramadan Pllanës): ’’Deri më tani i ke përmendur vetëm ‘’Komitetin Qendror’’dhe ‘’Komitetet Vendore’’e celulat e tyre, po a nuk kishit ndonjë Komitet Qarkor?

Ramadan Pllana ‘’dëshmon’’: ‘’Pyetje shumë me vend. Në të vërtetë ne kemi biseduar edhe për formimin e Komiteteve Qarkore dhe kishim planifikuar që aty kah fundi i vitit 1979, kur kishim propozuar që ta mbanim një mbledhje të ‘’Komitetit Qëndror’’, të fillonim edhe në jetësimin e këtij plani. Jusufit iu kishte dhënë detyra që të formonte Komitetin Qarkor në Pejë, mua për formimin e Komitetit Qarkor të Mitrovicës, kurse, për të tjerat do të bisedonim në mbledhjen eventuale të ‘’Komitetit Qendror’’. Kaq kam qenë i informuar nga Kryesia. Kurse, për Komitete tjera vendore a qarkore në formim nga ‘’Komiteti’’nuk kam qenë i informuar kurrë.’’

Të shohim se në këtë ‘‘dëshmi’’të Ramadan Pllanës çka ka të vërtetë, çka ka gënjeshtër dhe çka ka mosdije nga ana e tij.

E vërtetë është se Ramadan Pllana ka propozuar ta mbajmë një mbledhej të KQ në përbërje të plotë. Propozimin e tij e kam përcjellur në KQ dhe po ashtu, përgjigjen e KQ ia kam këthyer Ramadan Pllanës. Kjo çështje si dhe çështja e pyetjes së shtruar nga R. Pllana dhe përgjigja e dhënë nga KQ është shpjeguar në këtë reagim.

Nuk është e vërtetë se Ramadan Pllana ‘’ka qenë i informuar nga Kryesia‘’, se gjoja atij i ishte dhënë detyra për ‘’formimin e Komitetit Qarkor të Mitrovicës’’ dhe Jusufit ‘’që ta formonte Komitetin Qarkor në Pejë’’.

Vetë termi ‘’Kryesia’’ që e përdor Ramadan Pllana dëshmon se nuk e ka ‘’zier’’ mirë rrenën, pasi që organi i vetëm udhëheqës i LNÇKVSHJ ka qenë Komiteti Qendror. Pra nuk ka pas kurrëfarë organi udhëheqës i quajtu ‘’kryesi’’ (Me siguri ju ka pshtjell me Kryesinë e KQ të LKJ). Siç kam shpjeguar disa herë, Ramadan Pllana nuk e ka njohur askend nga KQ me emër të vërtetë dhe as me pseudonim, përpos meje, dhe se vetëm unë kam qenë lidhje komunikimi në mes tij dhe një anëtari të KQ, në rast të shqyrtimit të ndonjë propozimi apo marrjen e ndonjë vendimi nga anëtarët e KQ. Prandaj spekulimi me emrin e Jusuf Gërvallës, në këtë rast dhe në shumë raste tjera nga Ramadan Pllana, është e pa kuptueshme e pa arsyeshme dhe e pa moralshme.

Është e ditur se çdo informatë apo detyrë që ka marrë Ramadan Pllana nga KQ e ka marrë nëpërmjet meje. Por, përmes meje asnjëherë nuk ka qenë i informuar për detyrat apo për përgjegjësitë që i kanë marrë anëtarët tjerë të KQ. Prandaj ‘’dëshmia’’e Ramadan Pllanës se ‘’ai ka qenë i informuar nga ‘’Kryesia’’, që ‘’Jusufi ta formonte Komitetin Qarkor në Pejë’’ është rrenë e kulluar, siç është rrenë e kulluar edhe ‘’dëshmia’’ e tij se ai ka marrë detyrën ‘’të formonte Komitetin Qarkor të Mitrovicës’’.

Shtrohet pyetje: pse atëherë Ramadan Pllana nuk e kreu detyrën që ia dha ‘’Kryesia?!’’ Përgjigja është e lehtë. Ramadan Pllana po të kishte marrë detyrë nga KQ për t’a themeluar Komitetin Qarkor të Mitrovicës, me siguri do t’a themelonte, mos qysh është më së miri, atëherë në shpejtësi e palavala, si e ka pasur ai shprehi. Por pasi’’dëshmon’’ se e ka marrë atë ‘’detyrë’’ prej ‘’kryesisë’’, dhe nuk tregon se prej ‘’kryesisë’’ së cilit subjekt të Kosovës e ka marrë, ‘’dëshmia’’ e tij merret jo vetëm rrenë e pa ‘’zier’’mirë, por edhe shpifje e shëmtuar.

Dua t’i ceku edhe dy argumente që e hudhin poshtë këtë rrenë të Ramadan Pllanës:

Argumenti i parë. Vetëm përmes meje R.Plana ka pasur mundësi të merrte detyra nga KQ e prej askujt tjetër, sepse unë kam qenë lidhja e vetme e komunikimit në mes KQ dhe tij. Prandaj nuk është e vërtetë dëshmia e tij se ai ka qenë i ‘’informuar nga Kryesia’’ se i është dhënë detyrë të ‘’formonte Komitetin Qarkor të Mitrovicës.’’

Argumenti i dytë: Me bisedat që i kemi pasur me Sheremet Saraçin, anëtarin e KQ të LNÇKVSHJ, për themelimin e Komitetit Qarkor të Mitrovices, ai më pat propozuar ‘’Studentin e xehtarisë’’, të cilin e vlersonte shumë lart. Unë e pata miratuar propozimin e tij, por pastaj nuk ka shkuar kohë e gjatë dhe unë jam burgosur. Tek më 1991 kur nga Kroacia kalova ilegalisht në Zvicër për të gjetur punë, mësova se ’’Studenti i xehetarisë’’ kishte qenë Xhafer Durmishi. Prandaj edhe kam qenë i bindur se Xhafer Durmishi e ka formuar Komitetin Qarkor të Mitrovicës. Dhe në bazë të atyre bindjeve kam qenë i sigurt se Xhafer Durmishi ka qenë anëtar i KQ, (që nga tetori i vitit 1979) nga se marrëveshja ka qenë që kryetarët e Komiteteve Qarkore të jenë edhe anëtarë të Komitetit Qendror.

Por, Ramadan Pllana bie në kundërthënie me ‘’dëshmitë’’ e tija nga se disa herë ‘’dëshmon’’ se e ka formuar ‘’Komitetin e Rinisë të LNÇKVSHJ’’, kurse një herë tjetër duke spekuluar me emrin e Jusuf Gërvallës, thotë se ‘’Më 12 mars të vitit 1979 nga KQ m’u ka dhënë detyrë, me gjasë sipas udhëzimeve të Jusuf Gërvallës, që të formoj Komitetin Qëndror të Rinisë së LNÇKVSHJ-së.‘’

Dëshmoj, siç ka dëshmuar edhe vet zotëri Pllana, se ai ka qenë i autorizuar të formonte Komitetin e Rinisë së LNÇKVSHJ; Ai Komitet ka qenë në nivelin e Komiteteve Qarkore, prandaj në as një mënyrë nuk ka mundur të ketë Komitet Qendror. Tjetër detyrë Ramadan Pllana nuk ka marrë nga KQ, sepse ka qenë një ngarkesë dhe përgjegjësi e mjaftueshme, për të mos thënë e tepërt, për një student që ka pasur edhe obligime tjera. Është fakt se Ramadan Pllana e ka themeluar një komitet në Lipjan. Por në bazë të vendimit të KQ, për formimin e Strukturave udhëheqëse dhe organizative të LNÇKVSHJ, Ramadan Pllana nuk e ka formuar Komitetin Vendor të Lipjanit, siç thotë ai, por e ka themeluar Komitetin Qarkor të Lipjanit. Prandaj ky fakt dëshmon se Ramadan Pllana nuk e ka njohur strukturën organizative të Organizatës sa duhet.

Se Ramadan Pllana nuk e ka pasur të qartë Strukturën organizative të LNÇKVSHJ, tregon edhe ky fak. Ai na i jep dy vlerësime kundërthënëse për formimin e Komitetit Qarkor në Pejë. Në ‘’dëshminë’’ e parë ai thotë se ‘’është informuar nga ‘’Kryesia’’ se Jusufit iu kishte dhënë detyra që të formonte Komitetin Qarkor në Pejë ’’, kurse në ‘’dëshminë ‘’ tjetër, ai e shkel atë dëshmi dhe thotë: ‘’Grupi i Pejës është themeluar nga Jusuf Gërvalla në vitin 1978. Udhëheqës i Grupit ishte Hysen Gërvalla, vëlla i Jusufit. (…).

Se Ramadan Pllana nuk e ka pasur plotësishtë të qartë strukturën organizative të LNÇKVSHJ, vërteton edhe ky fakt: Në pyetjen e intervestuesit se ‘’…si vazhdonte puna organizative dhe ku janë formuar Komitetet e Vendit, ose celula, etj? Ramadan Pllana ‘’dëshmon’’:…. ‘’Ngritja organizative në nivel kombëtar me formimin e celulave, komiteteve vendore, komiteteve punëtore dhe fshatare.’’ Siç po shihet nga ‘’dëshmia’’ e Ramadan Pllanës, ai ka menduar se përpos komiteteve vendore, organizata jonë do të formonte edhe ‘’komitete fshatare’’ dhe ‘’komitete punëtore’’.

Shtrohet pyetja pse Ramadan Pllana i bënë këto shpifje dhe gënjeshtra, kur siç dihet e ka pasur Statutin e LNÇKVSHJ, por edhe e ka pasur intervistën time të botuar në gazetën DRITA. Pra, as në Statutin e Lëvizjes dhe as në intervistën time, nuk figurojnë të ashtuquajturat ‘’komitete fshatare’’dhe ‘’komitete punëtore. ’’

Të shiqojmë tani se çka na ‘’zbulon’’ Ramadan Pllana: Ai në intervistën e tij ‘’dëshmon’’se ‘’Komiteti i Rinisë së LNÇKVSHJ ka filluar të formonte degët e tij në fakultetet e Universitetit të Prishtinës. ’’ Shtrohet pyetja si ka mundësi të bëjë një shpifje kaq naive dhe qesharake R Pllana, kur në shkolla dhe fakultete, fshatra dhe ndërmarrje të ndryshme është paraparë (vendosur) të formohen Komitetet Vendore, e kursesi Degët e Lëvizjes. Degët e Organizatës janë paraparë të formohen jashta vendit ku jetojnë dhe punojnë shqiptarë me shumicë…

Duhet cekur, se, në bazë të vendimit të KQ të LNÇKVSHJ, në të gjitha qytetet-komuna të Kosovës dhe të Viseve tjera shqiptare në Jugosllavi, do të formohen Komitetet Qarkore. Prandaj Jusuf Gërvalla në Pejë nuk ka formuar ‘’Komitetin Vendorë’’ dhe as ‘’Grupin e Pejës’’, por ka formuar Komitetin Qarkor të Pejës.

Po ashtu edhe ‘’Komiteti i Deçanit’’ është emërtuar gabimisht. Në fakt ai ka qenë Komiteti Qarkor i Deçanit, e jo siç na thotë Ramadan Pllana ‘’Komiteti Vendor i Deçanit’’, apo ‘’Komiteti i Deçanit’’.

Po ashtu edhe Komiteti i Drenasit është emërtuar gabimisht, pra ai nuk ishte Komitet Vendi, por ishte Komitet Qarku i Drenasit.

Sa i pëket strukturës organizative të organizatës, ëshëtë biseduar shtruar me të gjithë themeluesit e çelulave të para, gjatë përgaditjeve për themelimin e LNÇKVSHJ. Në bazë të atyre bisedave kanë dalur dy propozime.

Propozimi i parë: Struktura udhëheqëse – organizative e LNÇKVSHJ të ndërtohen në bazë të strukturës organizative të administratës serbo-jugosllave në komuna dhe qarqe. Komitetet Vendore të ndërtohen nëpër qytete, fshatra, organizata edukativo-arsimore, organizata punuese etj. Ndërsa Komitetet Qarkore të ndërtohen në pesë qarqet egzistuese të administratës serbo jugosllave në Kosovë. Organizimi i njejtë do të vlente edhe për viset shqiptare nën sundimin serbo-jugosllav.

Sipas këtij propozimi, Komitetet Vendore udhëhiqen (varen) nga Komitetet Qarkore, ndërsa Komitetet Qarkore udhëhiqen (varen) nga Komiteti Qendror. Ky propozim u hodh poshtë nga shumica e veprimtarëve që murën pjesë në përgaditjen e themelimit të Organizatës për shumë arsye. Arsyeja kryesore ishte se në rast se zbulohet veprimtaria e një Komiti Qarkor nga sigurimi jugosllav, rrezikohet struktura udhëheqëse dhe organizative e disa qyteteve e qindra fshatrave dhe organizatave të ndryshme.

Propozimi i dytë: Të mos merret për bazë ndarja administrative serbo-jugosllave për formimine Komiteteve të Organizatës në komuna dhe qarqe. Sipas këtij propozimi Komitetet Vendore do të themelohen nëpër fshatra, organizata edukativo – arsimore si dhe në ndërrmarje të ndryshme, etj. Këto komitete do të udhëhiqen nga Komitetet Qarkore, që do të formohen në të gjitha qytetet-komunat e Kosovës dhe në qytete – komuna në Viset tjera shqiptare. Komitetet Qarkore do të udhëhiqen (do të jenë të lidhura drejtpërdrejt) nga Komiteti Qendror, nëpërmjet kryetarit. U pranua ky propozim nga shumica e veprimtarëve që muarën pjesë në themelimin e Organizatës LNÇKVSHJ për disa arsye, por arsyeja kryesore ishte se organizimi në këtë bazë është më i lehtë, ndërsa pasojat e zbulimit të një Komiteti Qarkor, nuk do të jenë në përmasat e propozimit të parë. Pra do të jenë shumëfish më të vogla.

Para se ta përfundoj këtë reagim, e shoh të udhës që t’ia bëjë edhe një kritikë Ramadan Pllanës. Athua pse nuk u konsultua me mua për ‘’dyshimet’’ e tia se Komiteti Qendror i LNÇKVSHJ, paska qenë ‘’fiktiv apo i imagjinuar’’ dhe i ‘’trilluar’’, po edhe për dyshimet tjera që ‘’djalli’’ apo ‘’insani’’ ia kishin ‘’ngulitur’’ në kokë para se ai t’a shkruante intervistën e tij.

Siç po duket Ramadan Pllana e ka parë të nevojshme të ‘’këshillohet’’ me ‘’shokët e Lëvizjes’’, por edhe me të tjerë, me telefona, por edhe duke hargjuar kohë e të holla për të bërë udhtime të gjata nëpër Zvicër dhe në Kosovë, për të ardhë deri te ‘’faktet’’ se sa anëtarë i kishte KQ i LNÇKVSHJ e gjëra tjera, kurse mua që më ka pasur ‘’te dera’’, dhe isha lidhja e vetme e komunikimit në mes tij dhe Komitetit Qendror, nuk më ‘’bëri hesap” fare. Pra nuk e pa të arsyeshme të konsultohet fare me mua për ato çështje, edhe pse ka qenë i bindur se unë kam pasur më shumë të dhëna të sakta se të gjithë ata së bashku me të cilët është ‘’konsultuar’’ Ramadan Pllana.

Shtrohet pyetja: pse Ramadan Pllana nuk u konsultua me mua, kur ndaj tij kam treguar respekt dhe mirëkuptim, duk e vizituar disa herë vetëm dhe me familje në banesën e tij në një fshat afër Lozanës (në Zvicër.) Po ashtu me as një fjalë nuk e kam nënçmuar, çortuar dhe as injoruar për lëshimet dhe gabimet e tia serioze që i pat bërë gjatë hetimeve dhe gjatë vuajtjes së dënimit. Pra në një mënyrë e kam ‘’arsyetuar’’.

Siç po shihet Ramadan Pllana e keqpërdori (e shkelmoj) atë respekt dhe mirëkuptim që pata ndaj tij dhe familjes së tij për këto arsye:

Ka qenë i informuar se nuk komunikojmë me Sabri Novosellën që nga janari i vitit 2001, për shkak të qëndrimeve të kundërta që i kishim ndaj LDK-së, e Ibrahim Rugovës dhe komandantëve të vetshpallur të UÇK-së, bajraktarëve të ‘’farës ruse’’ dhe LBDK-së. Si duket ky fakt e ka bindur R. Pllanën, se ‘’i ka ra shiu në kallamoq’’ për të shpifur e për të folur zi e terr, (pa pasur as një fakt) për Sabri Novosellën, e nëpërmjet tij, edhe për KQ të LNÇKVSHJ dhe udhëheqjen e tij, duke shpresuar se ato shpifje do t’a ndihmonin për t’u futur në rrethin vendimmarrës të rrahagjoksave të Kosovës që, sipas bindjes së tij, do t’i sjellin përfitime të mëdha materiale dhe pozita shtetërore dhe partiake.

Ramadan Pllana ishte i vetdijshëm se nuk do të rifitonte besimin e plotë te ish-shokët e LPK-së, pa i prishur plotësishtë marrëdhëniet me mua dhe me bashkëveprimtarët e Metush Krasniqit e të Jusuf Gërvallës. Prandaj e vetmja mënyrë për t’i kënaqur bajraktarët e ‘’farës ruse’’ të ish-LPK-së ishte shpifja ndaj LNÇKVSH, organit udhëheqës KQ dhe udhëheqjes së ngushtë të Lëvizjes sonë.

Me siguri tash e tutje Ramadan Pllana do t’a fitojë besimin e humbur te ish-shokët e tij të LPK-së, të cilët e injoruan; nuk mbeti me ta ku e kishte vendin, duke mos e ‘’arsyetuar’’ atë që rastësia e gjujti në ‘’krahun tjetër’’- të para luftës, që përfaqësohej nga Metush Krasniqi, Sabri Novosella, Jusuf Gërvalla, Ahmet Krasniqi, Shefqet Jashari dhe bashkëveprimtarët e tyre të ngushtë. Ai u dënua, pra, nga shokët e tij të LPK-së, duke mos i afruar atij as një post në organet shtetrore dhe as partiake, për shkak se e ‘’tradhtoi’’, ‘’krahun e luftës’’ që udhëheqej nga bajraktarët e ‘’fares ruse’’: Ibrahim Kelmendi, Xhavit Haliti, Azem Syla me kompani.

Edhe dëshira për t’u shfajsuar nga gabimet e tija serioze të organizimit dhe të konspiracionit, ishte faktor i rëndësishëm i cili ndikoi që ai t’a përdori rrenën dhe shpifjen si mjet të përshtatshëm që fajet e tija t’ua hudhë ‘’shokëve te Komitetit’’, Sabri Novosellës, vëllezërve Straja, e të tjerëve…

Dhe së fundit, mendoj se dëshira për t’u dukur, për tu ngritur ‘’në pyka’’ për ta paraqitur rolin e tij në LNÇKVSHJ si ‘’dominues’’ dhe të ‘’rëndësishëm’’, bëri që Ramadan Pllana të trumbetojë shpifje aq të liga deri në masën sa t’i mohojë të gjithë anëtarët e KQ të LNÇKVSHJ, që ishin bashkëveprimtarë të Metush Krasniqit, Sabri Novosellës, Jusuf Gërvallës, Shefqet Jasharit që nga themelimi i LNÇKVSHJ dhe i KQ-së. Këtë përpjekje të ligë, Ramadan Pllana e bëri me qëllim që vetit t’i sigurojë vendin e pestë në hiarkinë udhëheqëse të LNÇKVSHJ edhe pse ishte i fundit, i 14-ti, sipas radhës së pranimit. Pra edhe ky faktor duhet të merret parasyshë që R. Pllanën e shtyri të bënte shpifje djallëzore dhe shume të liga ndaj Metush Krasniqit, Sabri Novosellës, Jusuf Gërvallës, Sheremet Saraçit, Shefqet Jasharit, Xhafer Durmishit, Asllan Muharremit dhe anëtarëve tjerë të KQ të LNÇKVSHJ.

Më në fund, dua të konstatoi se ‘’pallati’’ i rrenave dhe i shpifjeve i konstruktuar nga Ramadan Pllana, nëpërmjet firmës made in ‘’Dëshmi kohe’’, së shpejti do të rrënohet, (shembet), sepse u ndërtua në një vend pa themel të shëndosh, u ndërtua në breg të lumit, uji i të cilit shumë shpejt ia grryu themelet e brishta pa asnjë armaturë. Edhe ‘’muri’’ i cili ishte ndërtuar shkel e shko me ‘’çerpiq të pa pjekur’’, ka filluar të çahet. Si duket edhe Ramadan Pllana e ka kuptuar se çfarë përfundimi po e pret ‘’pallatin’’ e tij të konstruktuar me gënejshtra dhe shpifje, të lënë përgjysmë. Paralajmërimi i tij se ‘’së shpejti do të filloj’’ ndërtimin e ‘’pjesës së dytë’’ të ‘’pallatit’’- ‘’kulmit’’dhe ‘’fasadës’’, nuk u realizua siç ai premtoi. Kjo është një shenjë e mirë se zotëri Pllana është vetëdijsuar, se, nuk bënë të shkohet mëtutje në dështim pas dështimi.

Jam i bindur se me këtë reagim, gënjeshtrat dhe shpifjet e Ramadan Pllanës i kam hudhur poshtë me forcën e argumenteve. Më vjen keq që disa prej shpifjeve të tija që ishin shumë të liga, më kanë detyruar të jemë ndoshta më i ashpër në kritika, se sa që është dashur të jem. Për këtë, kërkoj mirëkuptim nga lexuesit e nderuar të këtij reagimi, ngase, asnjëherë nuk e kam nxitur apo provokuar R. Pllanën me ndonjë shkrim, apo me ndonjë fjalë të shprehur gojarisht kundër tij, që do të ishte ‘’arsyetim’’ nga ana e tij, të më konsideronte ‘’gënejështar’’dhe ‘’shpifës’’, siç më shpalli në intervistën dhe shkrimet tjera të tij, jo drejtpërdrejt por tërthorazi.

Ramadan Pllana duhet të reflektojë për veprimtarinë e tij. Dhe vetëm atëherë kur do të jetë i sinçertë, pikësëpari ngaj punës së tij, duke mos i mëshefur dhe injoruar të metat dhe gabimet e tija, me siguri se vlerësimet e tia për punën e tij në kuadër të LNÇKVSHJ do të ndryshojnë. Do të ndryshojnë po ashtu qëndrimet jo të drejta, akuzat shumë të liga kundër anëtarëve të KQ të LNÇKVSHJ, të cilët punuan me përkushtim për realizimin e synimeve tona kombëtare.

Këtë reagim timin po e përfundoj duke konstatuar se ‘’dëshmitë’’ e Ramadan Pllanës ishin si puna e atij bariut, i cili, për t’i sprovuar bashkëfshatarët, krijoj rrenën se llava e ujqëve po ja sulmon kopenë e deleve. Thirrjes së tij iu përgjigjën tok bashkëfshatarët; vrapuan për t’i ndihmuar, por asgjë kundi nuk shifeshin gjurmët e sulmit të ujqëve në kopenë e tij. Edhe një herë tjetët të njëjtën gjë e bëri, por prap bashkëfshatarët nuk vrejtën asnjë shenjë të sulmit të ujqve. U kthyen në shtëpitë e tyre, duke e kuptuar të vertetën se bariu i fshatit ishte gënjeshtar. Herën e tretë, kur me të vërtetë llava e ujqëve ia sulmuan kopenë e deleve bariut, ai i thirri në ndihmë bashkëfshatarët, por asnjëri nuk ju përgjegjë thirjes së tij. Dhe vetëm kur bariu u dëmtua shumë nga ujqit e uritur, kuptoj se rrena nuk është e mirë dhe u bind se ajo askujtë nuk i sjellë dobi e dëfrim, por sjell vetëm të liga, të këqija dhe poshtrim.

Le Locle (Zvicër) më 24. 03. 2012

________________

(FUND)

© Pashtriku.org

________________________________

Kthehu në fillim të reagimit (në faqen e parë):

PSE RAMADAN PLLANA GËNJEN DHE SHPIF PËR LNÇKVSHJ-në DHE UDHËHEQJEN E SAJ (1)

REAGIM NË ’’INTERVISTË KUJTIMESH NGA NJË VEPRIMTAR I RADHËVE TË PARA TË LËVIZJES ILEGALE, QË NGA VITET 70-ta’’ i publikuar në ’’Albaniapress’’më 17 mars 2009, dhe në disa Web faqe në Internet.

Shkruan: Shefqet Jashari – Strofci


ALBANIAPRESS.COM PO I MBRONË SHPIFJET E RAMADAN PLLANËS NDAJ LNÇKVSHJ, METUSH KRASNIQIT, JUSUF GËRVALLËS DHE….

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura