PSIKOLOGJIA E LUFTËS KUNDËR LUFTËS / DREJT KUKЁSIT ATJE KU FILLON KOSOVA (3)

PSIKOLOGJIA E LUFTËS KUNDËR LUFTËS / DREJT KUKЁSIT ATJE KU FILLON KOSOVA (3)

NGA SULEJMAN ABAZI (Komandanti i Divizionit të Tiranës – ’98 – ‘99 – Kujtime)

Drejt Kukësit, atje ku fillon Kosova

Situata në Kosovë zhvillohej me shpejtësi, duke i bërë prezente më shumë vështirësitë dhe koha po i kërkonte UÇK-së sakrifica shumë të mëdha. Në zonat e ngushta të veprimit të saj, kishte shumë grumbullime të njerëzve të shpërngulur, të cilët ajo i kishte marrë nën mbrojtje. Ende komuniteti ndërkombëtar ishte në kuadrin e veprimeve diplomatike, duke i berë presion regjimit serb të tërhiqte trupat ushtarake nga Kosova.

Armëpushimi dhe Rambujeja kishte kohë që ishin në qendër të vëmendjes, por gjithësesi, luftimet ishin të ashpra dhe genoncidi shfaqej me tërë përmasat dhe fytyrën e vet. Megjithatë, reagimet e opinionit publik ndërkombëtar ishin shumë të fuqishme ndaj krimit dhe kriminelëve. Komandantët dhe shtabet në njësitë e Divizionit të Tiranës, po e kuptonin se kush do të ishte misioni i tyre. Tashmë nuk kishte më vend për alternativë tjetër dhe forcat e rezervës e të vartësisë së drejtëpërdrejtë në Tiranë e kishin vendin dhe detyrën e tyre në Kukës.

U nisëm përsëri në drejtim të Kukësit. Këtë radhë grupi i rikonicionit ishte shumë më i gjërë se më parë. Nga Divizioni i Tiranës ishin planifikuar komandantët e Brigadave, një pjesë e shefave kryesor dhe specialistëve të shtabit dhe komandantët e batalioneve të gatëshme. Ky rikonicion udhëhiqej nga Drejtori i Drejtorisë Operacionale dhe të Stërvitjes, kolonel Qatip Alia. E filluam veprimtarinë qysh në pikën e Vah Spasit. Ishte pika e parë në të cilën u orjentuam dhe morëm disa detyra paraprake.

Detyra e parë ishte për kolonel Asllanin, komandantin e Brigadës së Mekanizuar të Laçit. Pasdite vonë mbritëm në Kukës. Ndaluam në hyrje të qytetit, tek ura e fundit e liqenit, për të bërë një pushim të shkurtër. Në radio u njoftua komandanti i Divizionit të Kuksit, për mbritjen e grupit të rikonicionit nga Tirana. E kisha të qartë, se këto tri katër ditë, në Kukës do të kishim një veprimtari të ngjeshur e të lodhëshme, por kjo nuk më shqetësonte aspak. Tashmë isha i orjentuar plotësisht me zonën dhe idenë, mbi drejtimet e mundshme, se ku mund të vepronim në rast situate.

Nuk kisha shërbyer ndonjëherë në zonën veriore të vendit. Një retrospektivë e shkurtër. Në vitin 1989-të, kur vazhdoja studimet në Kursin e Shtatmadhorisë pranë Akademisë së Mbrojtjes, kaluam në rikonicion në tërë shtrirjen e kufirit verior dhe verilindor, për zgjidhjen e një detyre operacionale të planizuar. Ky ishte një nga rastet e rralla të kontakteve të mia me këtë zonë dhe oficerët që shërbenin atje.

Po kthehem disa kohë në të kaluarën, në një episod të thjeshtë të ditëve të qëndrimit në veri të vendit në vitin 1989. Sapo ishim kthyer nga rikonicioni në afërsi të kufirit dhe ishim nën miqësinë e komandantit të Divizionit të Tropojës. Për të gjithë mbasditja ishte disi e veçantë. Ishte pikërisht dita, kur “Flamurtari” i Vlorës do të ndeshej në kryeqytetin jugosllav me “Partizanin” e Beogradit për kupat e Europës. Ndeshjen atë pasdite po e shikonim në ekran, në një dhomë të hotelit të oficerëve të qytetit të Bajram Currit. Kulminant ishte momenti kur skuadra jonë shënoi golin e barazimit dhe tashmë skuadra sllave ishte e skualifikuar. Në këtë moment u ndje një buçitje në tërë qytetin e Tropojës, sikur doli për momentin nga thellësia e dheut.

Gjithë qyteti ndiqte ndeshjen dhe rasti i golit u bë shkak i këtij entusiazmi, që përpiu qiellin. Populli shprehte hapur ndjenjën kombëtare. Përfundimi i ndeshjes e nxori popullin tërësisht në rrugë. Tropoja gumëzhinte dhe festonte në mënyrën e vet fitoren futbollistike mbi sllavët. Nga ky momet tepër tërheqës, nuk kaluan veç rreth 20-të minuta dhe u kërkua që komandanti i Divizionit të Tropojës me shtabin e vet të dilte në vendkomandë. Informohemi, se me përfundimin e ndeshjes, matanë kufirit shtetëror, Brigada e Tankeve të Gjakovës (e cila në atë kohë kishte 60-të për qind kompletim) ishte ngritur në alarm, e po kështu forcat e kufirit dhe disa reparte të tjera.

Ndoshta kjo situatë mund të ishte në të gjithë kufirin me Kosovën apo dhe më gjerë. Çfarë ishte ky reagim i jugosllavëve nga humbja e një ndeshjeje sportive prej një skuadre shqiptare në zemër të Beogradit? Mos vallë për ata kjo ishte shumë më tepër se sa humbja e një ndeshjeje tashmë të humbur? Por dhe për ne shqiptarët fitorja e një ndeshjeje në zemër të Beogradit, ishte shumë më tepër se sa një fitore e një ndeshjeje thjeshtë sportive. Me gjithatë këta ishin jugosllavët, urrejtja e tyre ndaj shqiptarëve nuk njihte kufi. Por tashmë shumë kohë kishin kaluar dhe shumë gjëra kishin ndryshuar. Tani ishte kohë tjetër dhe situatë tjetër. Tashmë matanë kufirit shtetëror bëhej luftë.

Detyrimet ndaj rikonicionit po plotësoheshin normalisht sipas parashikimit dhe oficerët po orjentoheshin mirë, se çfarë u kërkohej të bënin sot e në të ardhmen. Po më vinte mirë, që në çdo rast, këtu po kontaktoja me oficerë vendas të shtabit e të trupës, të cilët e njihnin terrenin dhe zonën me pëllëmbë. Të tillë kishte shumë në shtabin e Divizionit të Kukësit.

Gjatë tri ditëve, në shtabin e Divizionit të Kukësit, nuk më shpëtoi nga vëmëndja një situatë e tensionuar, e cila megjithëse zhvillohej në heshtje, për ne nuk ishte e vështirë të kuptohej. Megjithatë, ne na takonte të rrinim larg kësaj “merseleje“. Veç kolonel Qatipit në Divizionin e Kukësit, ato ditë, kishin ardhur dhe disa drejtorë të tjerë, midis tyre dhe kolonel Lutaj i Policisë Ushtarake dhe kolonel Shulku i Personel Arsimimit.

E kuptova më mirë situatën ditën e dytë, kur kolonel Shulku më thotë: “…Sulejman, bëhu gati, më duket se të erdhi përsëri radha të marrësh drejtimin e Divizionit të Kukësit….“. E kuptova se ku “rrihte çekani” dhe ju përgjigja: “…Po a nuk e kupton t’i se përse kam ardhur unë me shokët e mi këtu në Kukës? Unë tashmë e kam të qartë, që një ditë të afërt do të vij këtu, së bashku me trupat e Divizionit të Tiranës. Më lini rehat po deshët, të bëj mirë këtë detyrë me njerzit që kam mbi dy vjet që po i drejtoj e i njoh mirë. Nuk e konceptoj dot, që ju së bashku me Ministrin, akoma keni këtë mendim për mua, kur unë kam dhënë më parë një përgjigje. Unë të them të mos ma zësh më në gojë këtë bisedë. Përsa vetëm më kini marrë mendim unë kam të drejtë të mos e pranoj propozimin tuaj. Kam bindjen se ju nuk do të ma kujtoni më këtë problem”.

E mbylla këtë bisedë, megjithëse nuk po më vinte aspak mirë, për ato që po thoshte ai për komandantin dhe disa oficerë të shtabit të Divizionit të Kukësit. Nuk kisha aspak dëshirë ta dëgjoja. Më bënte shumë përshtypje fakti se angazhimi i disa drejtorëve në këtë situatë me probleme të tilla, patjetër do të ishte rrjedhojë e ndonjë qejfmbetje “shefash” karshi komandantit të Divizionit të Kukësit.

Me të drejtë, të nesërmen në rikonicion, në fushën e Bardhocit, i them gjeneral Lames: “Ç’farë ke bërë ti gjeneral që duan të të heqin nga kjo detyrë, kush është i nteresuar që ti të largohesh nga Kukësi”? Nuk ishte çliruar ende nga ajo që i kishte ndodhur një ditë më parë. I habitur nuk po i besonte ato që po i tregoja dhe me sinqeritet filloi të fliste hapur. Por dhe në këtë çështje jo pak të rëndësishme, të dy e kuptonim, se çdo rregull ka një përjashtim. Këtë mund dhe duhet t’a pranojmë, në kushtet kur çdo analizë dhe përfundim të imponon të kundërtën. Besova se gjenerali e kuptoi mirë këtë.

Isha kategorik në mungesën e dëshirës për të dhënë opinione për këto probleme, madje e ndjeja veten shumë të trishtuar, kur mendoja, se përse kishim ardhur këtu, e çfarë na dëgjonin veshët. Megjithatë, nuk mund të isha i qetë përsa kohë ende eprorët kishin këto mendime dhe çdo gjë mund të ndodhte.

Punët matanë nuk shkonin hiç mirë. Kishte kohë, që qindra e mijra të shpërngulur me dhunë kishin kaluar e po kalonin kufirin përditë dhe tashmë qyteti i Kukësit dhe zonat përreth ishin të mbipopulluara. Mbi 100-të mijë njerëz ishin të grumbulluar në çdo kohë në Kukës dhe në zonat përreth.

Vazhdonte ç’vendosja e tyre masive në thellësi të Shqipërisë. Ishte koha kur midis shumë të tjerësh, shkrimtari i njohur, i madhi Kadare, po jepte mesazhet botës së qytetëruar se; “Krimi po triumfonte edhe një herë në mes të Europës. Gjymtyrë të prera, fëmijë të coptuar me sëpatë, gra me barrë me një thikë të ngulur në bark, vajza të mitura të përdhunuara, pleq të karbonizuar… njolla, vazhdon më tej shrimtari i madh, është tepër e rëndë për t’u mbajtur në ndërgjegje… Europa dhe SHBA-ja duhet të nguten. Ato nuk duhet të lënë që koha të punojë për krimin. Populli shqiptar i Kosovës nuk është një popull i tepërt në këtë botë. Ai duhet të mbrohet me çdo kusht dhe me çdo mjet”.

Ato ditë të qëndrimit në Kukës, jam stresuar rëndë nga ajo që kam parë e dëgjuar. Është tragjedia e një populli të tërë, i përzënë nga trojet e tij, i persekutuar, i vrarë e i masakruar, i përdhunuar, të gjitha këto pa hesap. Nuk më hiqen nga sytë e nga mendja varganët e veturave, traktorëve e lloj lloj mjeteve të ngarkuar me njerëz të shpërfytyruar, në aksin rrugor Morinë – Kukës, njerëz që ecnin në këmbë, të uritur, të kërcënuar deri në vdekje, me sy të hutuar ku dallohej lehtë çakërdisja për tmerret që kishin parë e hequr mbi shpinën e tyre matanë kufirit.

Tashmë dihet, se njeriu ka ndërruar vend për ushqim, strehë, siguri. Është përmbytur dhe ka ikur. Është djegur dhe ka ikur. Është goditur nga vullkani nga kolera dhe ka ikur. Ky është largimi i njeriut nga “forcat” e natyrës. Por njeriu ka ikur dhe nga lufta. Është sulmuar, është dëbuar, është vrarë, është plaçkitur, është përdhunuar e persekutuar dhe ka ikur. Ky është largimi i njeriut nga njeriu, një largim i detyruar dhe njeriu ikën edhe pse nuk dëshiron të ikë. 

Më bënte përshtypje fakti, që në mes të këtyre grumbujve njerëzish të gjithfarëllojshëm kishte shumë fëmijë, shumë, e çuditërisht në sytë e tyre dalloje tmerrin, por dalloje jetën, dalloje naivitetin, pafajësinë, sytë e tyre çuditërisht shkëlqenin. Në këto fytyra fëminore, kuptoje dhe dalloje zemrën dhe shpirtin e plagosur të popullit shqiptar të Kosovës. Tregonin, se matanë në Kosovë, UÇK-ja po luftonte shumë e kishte marrë në mbrojtje me mijra njerëz, të cilët në çdo moment mund të binin viktima e të bëheshin pre e kriminelëve paramilitarë serbë. Ata po e përballonin me shumë vështirësi ofensivën e egër dhe gati, gati rrethimin e hekurt ushtarak serb.

Dëgjoja me dhjetra histori të dhimbëshme. Kam qenë dëshmimtar i drejtëpërdrejtë i vargjeve të gjata të mjeteve e njerëzve në rrugën nga dogana e Morinit në Kukës, por dhe i situatës në këtë qytet. Kishte shumë kohë që qyteti i Kukësit ishte bërë tashmë i njohur nëpërmjet seksioneve mediatike në të gjithë botën. Kukësi ishte qyteti që po përballonte tërë pasojat e luftës, Kukësi kishte hapur zëmrën dhe shtëpitë e veta, Kukësi jetonte më pranë se kushdo dhimbjen e madhe njerëzore.

Nuk mund të gjesh rast tjetër ndokund në botë që jeta e një qyteti brenda një kohe kaq të shkurtër të dhjetëfishohej. Fotoreparterë, kamera, kampingje, çadra të improvizuara në tokë e mbi rrota, objekte portative, makina ushtarake, zhurma të helikopterëve, autobotë uji, autoambulanca të gjitha para bashkisë, prefekturës, ngado që të hidhje sytë në të gjithë qytetin dhe rrethinat e tij, ngado e kudo. Radhë të gjata para kasetave të kartofonëve, makina që shpërndanin bukën, zhurmë helikopterësh, burie makinash, forca speciale të Ministrisë së Rendit e policë rrugorë, të gjithë aktiv, të shqetësuar e të lodhur.

Vetëm liqeni i Drinit, i mbushur me ujë si asnjëherë tjetër, i cili rrethonte qytetin në pjesën lindore dhe jugore, me heshtjen e tij dukej sikur thithte pjesën e errët e të vrejtur të situatës dhe jepte imazhin e zbutjes sadopak të një pjese të kësaj dhimbje të madhe njerëzore. E kështu, në Kukës jeta vazhdonte me hallet e privacionet e veta, e megjithatë vazhdonte… Ç’farë mund të bënim? Këtë pyetje ja bëra disa herë komandantit të Divizionit të Kukësit. Ndoshta, ai duhet të dinte diçka më shumë. Hidhja sytë matanë, drejt kufirit dhe tokës që digjej dhe në brendësi të shpirtit përsërisja:” o Zot, ç’farë është kjo që po ndodh,… ku jemi, … ç’farë po bëjmë, …. ç’farë duhet të bëjmë…”?

E ndjeja dhe e “lexoja” shqetësimin në sytë e oficerëve të grupit të rikonicionit, por këtë më shumë e konstatova në të gjithë ushtarakët e Divizionit të Kukësit, të cilët kishin parë më shumë e kishin shumë gjëra për të thënë. Ata vetëm në pamje e përcillnin disi më të qetë këtë situatë. Shtëpitë e tyre tashmë kishin hapur zemrat e ishin kthyer në strehë të të ardhurve nga Kosova. U kthyem në Tiranë, tashmë të bindur se shumë shpejt, do të lëviznim me forcat e Divizionit në drejtim të qytetit të Kukësit…

24 Mars 1999: NAT fillon bombardimin

Po bëheshin shumë negociata dhe paralajmërime ndaj Millosheviçit për tërheqjen e trupave ushtarake nga Kosova. Emra shpresdhënës si Hollbruk, Solana, Klarku, ishin në fokusin e tërë mediave botërore. Por Milloshi ngelej Milloshe – viç!

Më ka ngelur ndër mend vështrimi i guximshëm e i patundur i gjeneralit brilant, Komandantit Suprem të forcave të NATO-s, Uesli Klark, mbi kasapin e Ballkanit në selinë e tij në Beograd. Mesazhi i shkurtër se; “Nëse nuk tërhiqeni nga Kosova ne do t’ju godasim” nuk linte vend për alternativë tjetër. Por kasapi ngeli kasap dhe nuk u bë dot kirurg.

Ndodhem përballë qendrës televizive të TVA-së këtu në Tiranë. Ndërkohë dëgjoj në transistorin e makinës lajmin, se aeroplanët e NATO-s sapo kishin filluar bombardimet kundër Serbisë. – “Filloi” thashë me zë dhe kujtova se fola me vete. Menjëherë, komunikova në radion e dorës “Aselsan” me grupin e drejtimit të Divizionit. Me shërbim ishte major Kozmai, shefi i MKA-së në Divizion. E kishte ndjekur situatën. I dhashë disa porosi të përgjithëshme, sepse e dija që ai më kuptonte mirë.

Ndërkohë, para meje ndalon një makinë dhe prej saj zbret Preç Zogaj. Më pa ushtarak dhe m’u drejtua. I dhamë dorën njëri – tjetrit, sikur të ishim njohur kohë më parë. Nuk më njihte, por meqë më pa ushtarak mendoi se mos isha me shërbim, aty diku pranë. Më pyeti, se ku ndodhej godina e TVA-së. Ja tregova, me sa duket e kishin njoftuar për t’u prononcuar në televizion mbi gjëndjen dhe situatën që sapo kishte ndryshuar.

Përsëri fillova të flisja me vete…. filloi …. filloi…. më në fund erdhi momenti që paralajmërimet nuk “pinin më ujë” dhe së fundi botës i ishte mbushur mendja, se me Millosheviçin kishte vetëm një gjuhë. Kjo ishte gjuha e forcës. Në mbrëmje, në zyrën time pashë pamjet televizive të goditjeve të aviacionit ushtarak të Aleancës mbi objekte strategjike të Serbisë.

Të lumtë NATO…… Nata e 24 dhe 25 marsit do të mbetet në mendjet dhe zemrat e shqiptarëve brenda dhe jashtë atdheut, si nata e dhimbjes dhe e shpresës së madhe. E dhimbjes sepse përgjithësisht jemi kundër luftës së imponuar dhe e shpresës së madhe, sepse kjo luftë është shansi shqiptar për çlirimin e Kosovës. Luftën klika e Millosheviçit e zgjodhi vetë, megjithë paralajmërimet që i janë bërë deri tani.

Mijëra sy ndoqën atë natë atë ç’ka po ndodhte në Kosovë, kur u panë dhe dëgjuan bombardimet e para të NATO-s kundër Serbisë. Të gjithë njerëzit në botë dhe veçanërisht ne shqiptarëve që na binte barra e rëndë e kësaj lufte, ndoqëm me ankth atë që po ndodhte. Vetëm 4 orët e para të pas-sulmit të NATO-s, në RTV Shqiptar, u realizuan mbi 400 telefonata nga të gjitha anët. Shprehej dhimbja, solidariteti dhe falënderimet për NATO-n, SHBA-në, UÇK-në dhe për mbështetjen e vet Qeverisë Shqiptare.

Ishin Alfons Gurashi dhe Agron Çobani, këta gazetarë të njohur me një përvojë 30 vjeçare, të cilët bënë që të dëgjoheshin të gjitha komunikimet e njerëzve me dhimbjen dhe atë ç’ka tashmë kishte marrë udhë. Asnjëri nuk pranonte të largohej nga detyra, të gjithë vëzhgonin, komunikonin, hamendësonin, ndiqnin pronocimet nga të gjithë anët e botës dhe shpresonin. Këtë rol do t’a luante veçanërisht analisti i njohur Artur Zheji, gazetarët Valbona dhe Enkeli në TVA, e shumë të tjerë.

Në Shqipëri, Kosovë e kudo ishte “vrarë” gjumi. Telefonata të shumta nga Zvicra, Greqia, Kroacia, Bosnja, Sllovenia dhe shumë të tilla nga brenda vendit. Të gjithë telefonuesit shfaqnin solidaritetin dhe njëkohësisht bënin thirrje politikanëve, që në këto momente të vështira, të linin mënjanë grindjet politike. Atdheu dhe Kosova mbi gjithçka!!

Dikush telefonon nga Greqia dhe thotë prerë “….. koha kërkon tjetër mendim, sidomos për forcat politike. Tani, më tepër se kurrë, duhet unitet kombëtar, duhet paguar gjaku i viktimave të pafajëshme të gjenoncidit serbomadh, këtë po e bën NATO dhe Amerika. Europa po i lan borxhin Shqipërisë, që nga Kongresi i Berlinit e më tej”.

Dikush tjetër thotë “…zoti qoftë me Kosovën dhe dihet, zot për vendin janë njerëzit autoktonë, kosovarët vetë, ne vëllezrit e tyre të një gjaku, jemi gati t’u vemë në ndihmë po qe nevoja, pavarësisht se jemi në mërgim”. Një telefonatë tjetër nga Përmeti thotë “….sytë dhe mendjen i kemi atje, në Kosovë, ku liria e saj është shumë afër, po troket“, dikush i quajti avionët e parë të NATO-s, që filluan bombardimet, si “lajmëtarët e parë të lirisë“, dikush tjetër thotë “….shpirti më gufon, më në fund erdhi dita e shumëpritur, bombardimet e vonuara filluan, por, më mirë vonë se kurrë“, e dikush tjetër thotë “….e dua mëmën time Shqipëri, jam 58 vjeç e nuk do më tresë dheu, pa e parë Kosovën të lirë……nëse duhem jam gati”.

Natë shumë e gjatë, një natë maratonë..…

Shteti në veprim

Ndodhem në zyrën e Prefektit të Tiranës, zonjës Makbule Çeço. Është mbledhur Këshilli Administrativ i Prefekturës, për të shqyrtuar masat për sistemimin e të ardhurve nga Kosova e të shumë punëve të tjera të kohës. Përveç funksionarëve civilë, ndodhej kolonel Bashkimi nga Shtabi i Përgjithshëm, nënkolonel Luani i VKQ të MKA-së, komandanti i Regjimentit të MCR-së, nënkolonel Bashkimi e disa të tjerë.

Kishte kohë që kishin filluar bombardimet ndaj Serbisë nga forcat e NATO-s. Ishte krijuar një situatë e rëndë me të papritura në të gjithë rajonin. Serioziteti i të pranishmëve, kuptohej lehtë nga bisedat që bënin dhe nga pyetjet që na drejtonin për problemet ushtarake, për veprimet e NATO-s mbi Kosovë, për armët që po përdoreshin, efektet e tyre, për llojin e aviacionit ushtarak, për mundësinë e futjes së trupave nga toka etj. Shpjegonim me sa mundim për të qënë sa më bindës në ato që thoshnim. Lajmet e stacioneve të ndryshme televizive, ishin nga më të çuditshmet e nga më të padëgjuarat ndonjëherë. Dhe në këto biseda të lira, nuk mund të flitej absolutisht për asgjë tjetër.

Në mbledhje diskutohej e merreshin vendime për masat urgjente të pritjes dhe akomodimit të të shpërngulurve nga Kosova. Evidencoheshin mjaft probleme e halle, që donin zgjidhje të shpejta. Autokolonat e ushtrisë e mjete të tjera, çdo ditë ulnin para pallatit të sportit “Asllan Rusi“, në Tiranë, me qindra e mijra njerëz të traumatizuar që kërkonin mbështetje.

Ndërmjet të tjerash, në këtë mbledhje, shtrova problemin e ndërhyrjes për ripërtëritjen e një pjese të sistemit të lajmërimit e të kushtrimit ajror për qytetin e Tiranës, pasi kishte rreth 9-të vjet, që ky sistem ishte abandonuar krejtësisht dhe ishte tërësisht jashtë gatishmërie. Nga 83 elektrosirena që ishin të instaluara në Tiranë, asnjë nuk funksiononte, e mbi të gjitha, gjithë instalimet e tyre ishin jashtë funksionit, objektet të mbyllura dhe askush nuk ndjente përgjegjësi për to.

E njëjta gjëndje ishte edhe për strehimet nëntokësore. Me hallkat që ishin krijuar në këto vite, në pushtetin vendor dhe privatizimet që ishin bërë, ende mungonte një kuadër ligjor për funksionimin e këtyre sistemeve edhe nëqoftëse ato do të mund të riparoheshin.

Prefekte Çeço më kërkoi mendim se si mund të veprohej. E dëgjoja me vëmendje këtë grua të fortë dhe të jashtëzakonshme që rrinte “nonstop” në zyrën e saj. Më pëlqente biseda me të sepse kisha kuptuar që ishte shumë e interesuar të dinte, por mbi të gjithë kërkonte mendime për të vepruar më pas shumë energjikisht në përmirësimin e gjendjes. I kërkova që të konceptonim një raport të shkurtër mbi gjendjen dhe t’ia kalonte me një faks të momentit Kryeministrit Majko. Idea ishte, që disa veprime duhet të përshpejtoheshin dhe të kërkohej që projekt-vendimi që kishte dërguar Ministria e Mbrojtjes për këtë qëllim, të kthehej menjëherë në një vendim të Këshillit të Ministrave dhe të fillonim nga puna. Punuam deri vonë në Prefekturë dhe ashtu u bë.

Është fakt që kjo ndërhyrje e Prefektes pati vlerat e veta. Të nesërmen doli vendimi i Qeverisë, i cili detyronte disa institucione të realizonin vënien në funksion të sistemit të lajmërimit ajror të kryeqytetit. Kryetar i Bashkisë së Tiranës, Zoti Brojka, mori përsipër të shpenzonte një sasi fondi financiar nga Bashkia, ndërsa Divizioni të përballonte transportin dhe specialistët, të cilët do të merreshin me riparimin e sistemit të kushtrimit ajror. U angazhua gjithashtu ndërmarrja e Ndriçimit të qytetit të Tiranës.

Menjëherë organizuam grupin e punës dhe major Kozmai e mori përsipër drejtimin e tërë proçeseve deri në përmirësimin e gjëndjes, të paktën për 20-të elektrosirenat më të domosdoshme, duke bërë mbulimin me sinjal të pjesës kryesore të qytetit të Tiranës. Ishte kjo një ndër veprimtaritë tona, kur njësi të tjera, si Regjimenti i MCR-së, Brigada e Transportit, Regjimenti i Policisë Ushtarake, vazhdonin të kontribuonin në pritjen dhe akomodimin e të shpërngulurve nga Kosova.

Kriza humanitare vlerësohej përditë dhe nga Tirana bëhej shpërndarja e të shpërngulurve edhe në rrethe të tjera të vendit. Prefektura punonte “non stop” 24 orë. 

Replikat e një situate të tensionuar

Bombardimet e NATO-s mbi objektet ushtarake dhe institucione të rëndësishme brenda Serbisë dhe në Kosovë, vazhdonin intensivisht, e megjithatë çdo ditë që kalon na servirte lajme nga më të çuditshmet. Ndiqja detyrat e gatishmërisë luftarake në Divizion dhe herë pas herë kam shkuar në objekte të ndryshme të pritjes së të shpërngulurve nga Kosova. Si anëtar i Këshillit Administrativ shkova disa herë në Prefekturë dhe mora pjesë në disa ballafaqime të organizuara për zbatimin e masave të emergjencës me karakter humanitar.

Më ka bërë shumë përshtypje fakti, nga ato çfarë shikoja e dëgjoja në kontakte të tilla, dhe bëja çudi me faktin se si janë mësuar të punojnë shumë funksionarë në sektorin civil. Nuk e kanë konceptin se çdo të thotë emergjencë, veprimtari humanitare e njerëzore, u duket diçka e zakonshme, pavarësisht se gjithë shteti punon me një gjendje dhe mobilizim të jashtzakonshëm dhe duke mos mjaftuar kjo, sipas tyre, mund të ketë kundërshtime nga lloj – lloj “kopetentësh” me argumente foshnjore, duke mos e vrarë trurin se shumë njerëz ende janë të traumatizuar nga dhuna mbi ta, nuk dinë ku kanë familjet e të afërmit, ende flenë jashtë, ende janë të uritur dhe duan të hanë, se duhen administruar me shumë zhdërvjelltësi mjaft ndihma, që ato të shkojnë tek nevojtarët etj…etj….

Një ditë bëra bilancin e punës së grupit të riparimit të sistemit të elektrosirenave dhe të them të drejtën nga pakënaqësia, se si ishin marrë punët nga Ndërmarrja e Ndriçimit të qytetit të Tiranës, në një nga mbledhjet e Këshillit Administrativ debatova ashpër me Albertin (Brojkën). Më mirëkuptojë dhe premtoi se çdo gjë do të ndryshonte që të nesërmen.

Edhe këtu dalloja replikat e tij me Prefekten. Eh!!…thosha me vete, nuk i lanë një herë këta njerëz këto debate edhe atëhere kur duhet të jenë së bashku, të paktën në këto momente të vështira që kalonte kombi. Edhe për sa kohë politika dhe bindjet do të na ndajnë?! Kur do të arrijmë të kuptojmë, se në kushte të vështira, më shumë se sa interesa të tilla vlejnë hallet e popullit, vlejnë interesat e Shqipërisë dhe të çështjes kombëtare, vlen toleranca, mirëkuptimi dhe përkushtimi për t’u dalë punëve të shumta ballë për ballë e për t’i zgjidhur sa më mirë ato.

Edhe për këtë rast, që e shikoja me sytë e mi, i tronditur gjykoja, se ata nuk kanë faj, nuk kanë faj sepse rreziku është ende larg, predhat e artilerisë serbe godasin njëherë për njëherë diku larg, larg Tiranës, se po të ishte ndryshe, ndoshta dhe këta njerëz do të mund të shpresonim që të silleshin ndryshe. Dhe kjo nuk ishte një rastësi. Të tilla replika dëgjonim përditë të publikuara në mediat shqiptare. Jo rrallë këto reflektoheshin në nivele të ndryshme të përfaqësimit të politikës shqiptare. Nuk më takon t’i gjykoj, por jo pa tronditje dua të them se në këto situata kjo nuk më duket një rastësi…

Njerëz të vegjël që vetëm dinë të ankohen

Ndodhem në mbledhjen e pasdites të Kryetarit të Bashkisë me kryetarët e zonave administrative të qytetit të Tiranës, për problemet e vendosjes në gatishmëri të objekteve për strehimin e popullatës, në rast të një situate ajrore. Ishin mbledhur rreth 17 veta në zyrën e Kryetarit. Një mbledhje e rëndomtë dhe pa shumë sens serioziteti e pune efektive. Raportime të pakonceptueshme për atë ç’ka ishin mbledhur.

E ndjeva veten keq që ndodhesha në një mjedis të tillë. Njerëz të paprinciptë, neglizhues, “qanin” për çdo gjë dhe vetëm kërkonin nga Kryetari, deri dhe lopata e kazma, a thua se zoti Brojka duhet të bënte punën e tyre dhe ishte përgjegjës pse ata nuk dinin, ose nuk donin t’u dilnin për zot punëve për detyrat që kishin marrë. Mesa kuptova çdo gjë rrihte tek fondet. Ndryshimi i gjendjes nuk këkonte qarje dhe ankesa, por kërkonte punë, vetveprim, sensibilizim të të gjithë opinionit. Tirana ishte kryeqyteti ynë, që tashmë kishte shumë halle dhe kishte filluar të përballonte shumë nga pasojat e krizës humanitare.

I drejtohem njërit prej tyre duke i thënë: “…si mendoni ju zotni, kush do të mbajë përgjegjësi nëse një ditë Tirana mund të këtë pasoja nga kjo luftë, a do ta ndjenit veten të qetë nëse njerëzit në një moment të caktuar nuk do të kenë ku të fusin kokën“, “….është normale që në këto kushte të kemi dhe vështirësi, por nuk është koha që të qahemi, por është koha të veprojmë dhe të bëjmë më shumë, deri dhe të pamundurën, për të realizuar ato detyrime, për të cilat juve shteti ju paguan”. Ktheni më mirë sytë nga detyrimet tuaja dhe lereni Kryetarin të bëjë detyrat e veta”. Më pa si i hutuar dhe nuk më ktheu përgjigje. Me këto mendime nuk dua aspak të fyej e të rëndoj njeri, por isha shumë i shqetësuar për një papërgjegjshmëri që më irritonte jashtë mase.

Urdhër për të vepruar

Sot morëm urdhërin para-operacional të veprimit në drejtimin verilindor me repartet e Divizionit të Tiranës. Ende nuk po kuptoja se si kishin kaluar kaq shpejt ditët, njëra pas tjetrës. Ditë të mbushura me punë e detyra nga më të ndryshmet. Urdhëri nuk na u duk i papritur. Tashmë ne kishim kohë që merreshim me detyrat tona dhe në konceptimin e gjendjes dhe masat organizative kishim ndryshuar shumë gjëra.

Vazhdoja të testoja nga afër gjëndjen morale dhe psikologjike të oficerëve dhe të trupës në prag të kësaj detyre, e cila për ne nuk do të ishte aspak e lehtë. Konstatoja shqetësim, por dhe siguri e vendosmëri për të bërë atë që do të ishte më e mira. Shtabi i Divizionit, në veçanti Thomai, Haxhiu, Bilbili, Çarçani, Thimjoja, Azemi dhe komandantët e Brigadave, Budjoni, Kastrioti, Tomorri dhe Hysniu e mbanin gjëndjen në dorë e nën kontroll të plotë.

Kam kryer shumë detyra në njësitë dhe repartet e ushtrisë deri komandant njësie. Kam përballuar shpesh në karrierën time ushtarake situata me ngarkesa psikologjike e fizike, por në kushtet e përgatitjeve që po bënim për lëvizje operacionale në drejtim të Kukësit nuk e kam ndjerë ndonjëherë veten më të ngarkuar me punë. Megjithatë, përherë e më shumë po e ndjeja veten të qetë, sepse kisha shokë shumë të mirë, ata dinin t’i manaxhonin problemet e detyrat, t’i ndanin përgjegjësitë dhe arrinin deri atje sa t’i “merrnin” disa punë nga duart.

Ndjeja kënaqësi dhe siguri që punoja me ta. Këta ishin disa nga oficerët më të mirë që kisha njohur, njerëz të punës, të gjithë të përjashtuar prej “reformave” nga ushtria e tashmë të rikthyer në strukturë. Kontribonin pa fjalë, ishin të sigurtë në ato që bënin dhe në mendimet që shfaqnin. Këta oficerë të Akademisë Shqiptare e dinin mirë, se në Kukës kishin shokët e tyre dhe tashmë e kishin ndarë mendjen, se do të ishin në krah të tyre. Pse ta zgjas, me njerëz të tillë ndihesh mirë në detyrë dhe të shumfishohen forcat e energjitë.

Situata matanë ishte shumë e rënduar dhe forcat serbe me kokëfortësi kishin filluar t’i përshtateshin bombardimeve, duke sakrifikuar për këtë civilët e pambrojtur dhe duke realizuar copëzimin e forcave të tyre në terren. Përherë po na informonin, se ndaj forcave tona në kufirin shtetëror, kishte shumë provokime dhe në drejtim të brezit kufitar ishin hedhur dhe vazhdonin të hidheshin me qindra predha artilerie. Në një gjëndje të tillë lufte, këto veprime nuk ishin të “reja” apo të papritura.

Bëja çudi me ato që interpretoheshin prej mjediseve e bisedave të kafeneve, në publikimet e opinioneve të disa njerëzve që donin të bënin politikë “të madhe“. Jepnin alarme për atë që “po ndodhte” në kufijtë tanë veriorë, se si “duronim” ne që serbët na godisnin me predha, se sa të paaftë ishim që nuk ishim në gjendje t’u përgjigjeshim e ku e di unë se çfarë tjetër…..ishin gati që dhe “mushkën ta bënin me barrë….”!!

Ishte një injorim i hapur i tërë përpjekjeve që bëheshin për të përballuar situatat. Ky lloj injorimi ishte vesi më i keq, që herët ose vonë duhet të merrte atë që i takonte.

E çuditshme por jo e habitshme që në situata të tilla, të cilat mund të quhen tepër delikate dhe të rënda, ende dilnin mostra të tilla që shkonin deri atje, sa të shpërfillnin përpjekjet e shtetit për të përballuar situatën, të rëndonin mbi tragjedinë e një populli të tërë dhe të mos donin të shikonin se çfarë po bënte komuniteti ndërkombëtar për çështjen e kombit tonë. “Verbëri” që të ngjall krupën. E çuditshme…!!

Përgatitjet vazhdojnë…

Ndodhemi në zyrë, me komandantin e BrK Shijak, kolonel Luan Shehun, komandantin e BrK Yzberish, nënkolonel Tomorr Bajraktarin, shefin e personelit nënkolonel Çarçan Çakon dhe shefin e logjistikës së Divizionit, nënkolonel Bilbil Çelën.

Në bazë të një direktive të gjeneral Andonit, kishim marrë për detyrë të ngrinim dhe të vendosnim në gatishmëri operacionale një batalion këmbësorie me trupa aktive, i cili do të kalonte në vartësi operacionale të Divizionit të Tiranës. Nuk çuditem aspak nga mënyra se si dikutohet për punët që duhet të kryhen. Historikisht po aq kohë sa ka bërë luftë, njeriu është përpjekur dhe përpiqet që ta shpjegojë luftën, por mbi të gjitha dhe ta shuajë atë. Kjo është një dukuri e natyrës njerëzore.

Diskutonim me shumë përgjegjësi pa na shkuar shumë mendja në këto perifrazime, duke mbrritur në përfundimin se, në kushtet e lëvizjes së Divizionit në verilindje çdo gjë mund dhe duhet të ishte gati. Me komandant Tomorrin, në rikonicionin e dytë, kishim përcaktuar dhe rajonin e vendosjes së këtij batalioni. Tashmë gjithçka ishte e qartë dhe e sinkronizuar për veprim. Në veçanti ngarkova me detyra sektorin e logjistikës, për të marrë masa të plota për kompletimin e këtij reparti.

A ka vend për alternativë tjetër?

Në orën 17.00 ishim njoftuar për një raportim tek Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Objekti ishte i qartë, do të informonim për gjendjen dhe problemet që kishim në drejtim të kompletimit të njësive e reparteve të Divizionit, në bazë të plotësimit të kërkesave të urdhërit para-operacional që na ishte dhënë kohë më parë. Ishin të gjithë komandantët e njësive, të parashikuara si Rezervë e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, të paracaktuar për të vepruar në drejtimin të kufijve shtetëror të Shqipërisë.

Pritëm rreth mbi 2 orë deri sa erdhi momenti të mblidheshim. Në takim ishte edhe zëvëndësministri Boçka. Nga gjeneral Andoni bëhet një ekspoze e përgjithshme e gjendjes në zonën e Kukësit dhe të Tropojës dhe nevojën e vendosjes së reparteve të Rezervës së Shtabit të Përgjithëshëm në këtë zonë, për të përballuar situata të papritura. Pa e zgjatur shumë këtë çështje ai e orientoi takimin direkt në qëllimin për të cilin na kishte thirrur.

Raportimet filluan direkt nga komandantët e Brigadave. Ishin prezent kolonel Budjon Arapi, nënkolonel Tomorr Bajraktari, nënkolonel Kastriot Musabelliu, Kolonel Petrit Asllani, Kolonel Islam Batalli, Kolonel Luan Shehu dhe disa oficerë të tjerë të Drejtorisë Operative dhe të Stërvitjes.

Vëreja trishtueshëm një takim të ftohtë, pas një pritje të mërzitshme prej mbi dy orë. I pari e mori fjalën kolonel Budjoni. Nuk u pranua asnjë kërkesë apo ndërhyrje, a thua se njësitë tona ishin ato të para viteve 90-të. Detyra jonë ishte të raportonim dhe të largoheshim sa më parë. Kërkova fjalën dhe sugjerova edhe për dy tri ditë të tjera shtyrje të afatit të lëvizjes, duke qënë i bindur se ato ditë nuk do të na duheshin më, pasi çfarë ishte planifikuar për t’u bërë ishte bërë dhe tashmë çdo gjë ishte vendosur. Përgjigja e ftohtë e gjeneralit nuk më çuditi aspak.

Kisha kohë që kryeja “i komanduar” detyrën e komandantit të Divizionit të Tiranës dhe ky njeri nuk më kishte thirrur asnjëherë, qoftë dhe për të më dhënë një orientim apo mbështetje formale, për të cilën ndoshta, unë e ndjeja të nevojshme në punën time. Megjithatë ky ishte “gjenerali im”!!

(VIJON)

© Pashtriku.org

———————————–

PSIKOLOGJIA E LUFTËS KUNDËR LUFTËS / PЁRSЁRI DREJT KUKЁSIT (4)

NGA SULEJMAN ABAZI (Komandanti i Divizionit të Tiranës – ’98 – ‘99 – Kujtime

https://pashtriku.org/psikologjia-e-luftes-kunder-luftes-p%d1%91rs%d1%91ri-drejt-kuk%d1%91sit/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura