PSIKOLOGJIA E LUFTËS KUNDËR LUFTËS / PROVA E “KULLAVE TЁ ÇELIKTA” (5)
NGA SULEJMAN ABAZI (Komandanti i Divizionit të Tiranës – ’98 – ‘99 – Kujtime)
Konceptimi psikosocial i situatës
Qëndrimi i trupave ushtarake shqiptare në këtë situatë, ishte një testim real, ndërkaq një përvojë më shumë, ishte një triumf i vlerave më të mëdha morale të popullit tonë, që shumëkush me të drejtë i ka quajtur vendimtare dhe historike. Megjithatë, krahas këtij qëndrimi dinjitoz, nuk duhet të lihen jashtë vëmendjes së syrit të specialistëve ushtarakë, analistëve dhe drejtuesve të njësive e reparteve, ato dukuri e fenomene të karakterit moral e psikologjik, të cilat, në momente të caktuara, në rrugën drejt frontit të luftës “treguan diçka”.
Këto dukuri nuk ishin gjë tjetër, veçse pasoja të gjendjes së ankthit dhe stresit që shkakton vetë fenomeni dhe nocioni “luftë”, të mungesës së përvojës e në ndonjë rast dhe të dëshirës për t’u përshtatur këtij mjedisi të veçantë. Është momenti dhe rasti dhe ende nuk është vonë që këto dukuri të mirëvlerësohen. Nëse ato nuk do të analizohen, do të kenë ndikime e pasoja edhe për të ardhmen. Me të drejtë disa pyetje janë shqetësuese. Analiza e tyre, e mbështetur në gjendjen reale, na paraqet (domosdoshmërisht edhe për lexuesin e gjerë) disa përgjigje gjithpërfshirëse me sistemin e vlerave të edukimit ushtarak. Konkretisht:
A u vlerësua drejt dhe në kohë situata? Si e shfrytëzuam ne faktin që lufta na pozicionoi në krah dhe si pjestarë të Aleancës kundër klikës së Milosheviçit? A ishim në në gjëndje të përballonim ngarkesat psikologjike të situatës që kishte kaluar ushtria jonë disa vite më parë? A pati raste të mungesës së predispozicionit e dëshirës, por edhe të kundërshtimit prej oficerëve për të shkuar në veri të vëndit? Në çfarë formash u shfaqën ato përballë kërkesave të urdhërave e detyrave që u dhanë? A veproi faktori “frikë” dhe a reflektoi pasoja në radhët e personelit ushtarak? Analiza e faktorëve psikologjik jep mundësi për një përmirësim të trajtimit profesional të ushtarakëvenë të gjitha hallkat e komandimit e të drejtimit të trupave, apo mund të konceptohet si zbehje e vlerave që u shfaqën? Si ndikoi terreni dhe situata me kalimin e kohës në forcimin e gjendjes psikologjike të hallkave të drejtimit dhe të vartësve? A ndikoi fuqimisht shfrytëzimi i gjendjes së vështirë të strukturave ushtarake të UÇK-së në forcimin e gjendjes, për të qenë të gatshëm të përballonim situata dhe më të vështira? Në kushtet e veprimit të faktorëve të mjedisit luftarak, a i zgjidhën drejt komandat dhe shtabet detyrat e detyrimet operacionale?
Trajtimi i këtyre pyetjeve, përballë qëndrimit, veprimit dhe heroizmit masiv të ushtarakëve shqiptarë në të dy anët e kufirit shtetëror, mund të konceptohet disi i papeshë e të dalë në përfundime të zbehta dhe shumkush edhe sot mund t’i imponohet mendimi se, përderisa kjo situatë u kapërcye nuk ia vlen të merresh me të. Pa mëdyshje nuk do të bashkohesha me këtë mendim dhe do të preferoja të kundërtën. Lidhjet dhe raportet midis nocioneve “psikologji mase” dhe “psikologji individi” brenda strukturave ushtarake janë të ndërveprueshme dhe nuk mund të shmangen.
Roli i individëve në kushte të tilla dhe ndikimi i tyre mbi masën e ushtarakëve vartës do të bënte të mundur pikërisht përfitimin e vlerave midis këtyre dy kategorive të shfaqjes së psikologjisë së luftës. Por gjithësesi, nga shikimi i problemit në fokusin e analizës psikologjike dhe të pasojave të tyre, është me vend, që edhe me këtë çështje të merremi pak.
Koha vërtetoi se këto shqetësime, u shfaqën me tërë seriozitetin dhe efektet e tyre dhe në një farë mase, siç shprehet populli, në raportin e vlerave dhe vlerësimeve, “e ndanë shapin nga sheqeri“. Nëse në të shumtën do të merrem me fenomenet që do t’i quaja negative, kjo nuk zbeh vlerat, të cilat përgjithësisht janë të evidentuara gjerësisht në botim.
Në këtë periudhë, të ngarkuar me emocione në radhët e ushtarakëve, natyrisht jo dominante por në individë të veçantë, u shfaqën disa qëndrime e pretendime, nga të cilat mund të veçojmë:
- “si do t’i sigurojmë familjet që do të lëmë prapa”;
- “përse të mos shkojnë të gjithë”;
- “përse të komandohemi në repartet e tjera”;
- “si do të jetë masa e shpërblimit për këtë detyrë”;
- “përse urdhëri operacional u dha në një kohë kaq të shkurtër” etj etj..
Përball motivimit të ushtarakëve, këtyre problemeve e pretendimeve, e themi që në fillim, u mungonte masiviteti dhe orientoheshin më shumë drejt merakut e pretendimit të një trajtimi dhe kujdesi më të mirë të shtetit për gjendjen sociale dhe ekonomike të ushtarakëve, problem ky që ndoshta nuk dominon në ushtritë e tjera. Këtyre dukurive e fenomeneve nuk u shpëtuan dhe disa prej oficerëve të reparteve të zonës së veriut, disa prej të cilëve kërkuan të liroheshin vullnetarisht nga ushtria “për arsye shëndetsore”, disa kërkuan leje “për halle familjare” etj.
Ndonëse në raste të pakta, këto shëmbuj, aq më tepër, në profesionin e ushtarakut, nuk mund të anashkalohen e nuk duhet kurrësesi të ngelen jashtë vëmendjes e analizës. Të tilla pretendime u evidencuan jo vetëm në fazën e masave përgatitore por dhe pas vendosjes së reparteve në zonën përgjegjësisë e të veprimit operacional. Në kushtet e mjedisit tashmë më agresiv ato dalluan në mënyrën e infiltrimit dhe të veprimit. Format e shfaqjes së tyre, ishin nga më të ndryshmet.
Gjëndja e depresuar shpirtërore motivon dhe stimulon të menduarit intensiv. Kjo gjendje, shton nevojën tek ushtarakët, që në këtë mjedis agresiv ata të siguronin dhe të kërkonin më shumë informacion me synimin për t’a bërë këtë mjedis më të kontrollueshëm nga ana e tyre.
Është kjo një nga ndjesitë psikologjike të të menduarit dhe vepruarit që u shfaq tek ata në kushte të tjera. Pavarësisht nga kjo, nuk mund të justifikohen disa qëndrime të avancuara në kushtet kur realisht kryhet manovra dhe tashmë çdo gjë ka marrë formën e saj.
Kjo situatë imponon vetëm një rrugëzgjidhje; atë të përshtatjes me mjedisin dhe gjendjen. Por edhe në këtë aspekt vepronin edhe faktorë të tjerë. Askush nuk është i privuar nga momentet e ankthit, por devijanca shfaqet atje ku masa e ankthit e kalon normalen. Është kjo një nga arsyet që disa oficerë në kompleksin e ndikimeve të mjedisit të luftës u tërhoqën përball sakrificave dhe detyrës.
Disa trajtime më thelbësore:
Shfaqjet e indiferentizmit ndaj detyrave të menjëherëshme për të kaluar në elementet e rendimit luftarak;
Nuk arritën të ngushtonin distancën e tyre me trupën ushtarake, të vlerësonin gjendjen psikologjike të trupës dhe t’i paraprinin fenomeneve negative deri në shmangie të tyre;
Qëndrimi jokorrekt ndaj kërkesave të programit të përgatitjes luftarake me trupën, por nënvleftësim i tyre me idenë e qëndrimit në kushte të veçanta;
Evidentim i shpejtë i kërkesave në këtë masë ushtarakësh për të shkuar me leje pranë familjeve, duke nxjerrë lloj – lloj arësyesh e pretendimesh;
Ankesa për qëndrimin në kushte fushore “të vështira” dhe përpjekje të pakta për të kapërcyer vështirësitë që faktikisht impononin kushtet e vendosjes në terren;
Mospërshtatja me situatën e krijuar, çoi deri në raste të shmangies nga detyra, në kërkesa për lirim nga ushtria. Dukuri të tilla në oficerë të veçantë nuk kaluan pa ndikime dhe në radhët e rekrutëve. Në individë të veçantë nga trupa u evidencuan raste të braktisje së detyrave të shërbimit ushtarak;
Këto dukuri, në aspektin e analizës psikologjike, nuk është për të thënë, se kanë qënë “të pakta“, vetëm e vetëm sepse mund t’i ulim autoritetin e kredibilitetin ushtrisë dhe dëmtojmë imazhin e saj në popull. Kush mendon kështu, e themi me bindje, se është i gabuar.
E vërteta është e tillë, kur atë e shikon drejt në sy dhe nuk i shmangesh. T’i shmangesh analizës së këtij problemi, do të thotë që këto ngjarje, t’i zërë pluhuri i harresës dhe një ditë të bukur, të rishfaqen me tërë dhunën dhe pasojat e tyre. Ky qëndrim nuk mund t’i shërbejë aspak rritjes së moralit dhe forcimit të gjendjës shpirtërore të luftëtarëve, oficerë e ushtarë, të masës së popullit, që kur e kërkojnë interesat e atdheut, rreshtohen pa hezitim në krah të njëri – tjetrit. Frymës dhe tendencës së trashëguar të mbulimit të problemeve e të rrumbullakosjes së tyre për hir të parimeve, tashmë i ka kaluar koha dhe ajo është e “dalë mode”.
Trajtimi me seriozitet e kurajo, pranë së vërtetës, është një veprim qytetarie dhe një kontribut për shërimin e “plagëve psikologjike” të ushtrisë, për të cilën duhet të kontribojmë të gjithë. Në këtë aspekt, duhet të vleresojmë dy momente kryesore:
Momenti i parë: Gjëndja e krizës fillestare që përjetuan ushtarakët, si rezultat i mungesës së përvojës dhe informacionit të gjërë për situata të tilla; ritmet e ngadalta për t’u ambjentuar e përshtatur në kushtet e reja, mospërballimi i ngarkesës së madhe psikologjike e stresit të shkaktuar nga ndryshimi i ambjentit. Rezultati i këtij momenti, natyrisht kishte dhe shkaqet e veta. Nga një mjedis normal, tashmë, mjaft njësi e reparte u çvendosën në një mjedis tjetër të transformuar me tipare agresive e të rrezikshme. Kjo nuk mund të mohohet.
Momenti i dytë: Vështirësitë në përshtatjen me kushtet e terrenit e të motit, përballja me gjendjen e luftës, e cila mund t’i përfshinte, nga çasti në çast, mosparashikimi i sakrificave e sfidave të operacionit luftarak dhe pranimi i tyre nën zë edhe në mënyrë të pavullnetshme etj.
Këto dukuri të karakterit psikologjik e profesional, pavarësisht se nuk ishin dominante, ato duhet të jenë objekt i qart analize si dhe një moment mjaft i përshtatshëm testimi për masën e oficerëve në ushtrinë tonë. Duhet pranuar se, dhe oficerët e zonës verilindore në 187 km front, nuk e patën aspak të lehtë të kapërcenin këto dy momente që në fazën e parë të shfaqjes së konfliktit.
Shumëkush mund të flasë shumë e të përbetohet për përkushtim, atdhetarizëm, por një gjë është e qartë se askush nuk do të dëshironte kurrë të krijohej një situatë tjetër e tillë, apo të improvizohej një luftë tjetër në rajon, për të vënë në provë “përbetimet“, për të cilat koha e dha rastin, e që gjithkush që flet shqip dhe i thotë vetes shqiptar, duhet të tregonte vetveten. Përballimi i situatës së tensionuar luftarake, ishte një akt burrërie, trimërie e fisnikërie për të gjithë ata ushtarakë, që e përjetuan dhe e përballuan atë. Trimëria dhe fisnikëria do të jenë një test real e me vlera të pazëvendësueshme në të ardhmen.
Ky test është një mesazh i vlerave njerëzore, atdhetare e profesionale, por dhe një shuplakë e fortë, për të gjithë ata që janë mburrur e mburren me specializimet e karakteristikat (CV) e “pasura“, që në momentin e duhur iu shmangën pjesmarrjes në repartet e veriut, e tani pas lufte, “kakarisin” e nuk e kanë për gjë të “ngjisin” shkallët e karrierës ushtarake “në mënyrë të suksesshme“. Askujt nuk i duhen dhe nuk u hyjnë në punë “trimat mbas beteje”. Fakti që në një situatë të tillë lidershipi ushtarak nuk i kaloi “lehtë” problemet me masën e ushtarakëve, evidenton një dukuri të pazakontë për situata të tilla.
Në kuadrin e masave të përgjithshme të përgatitjes së strukturave ushtrake, përgatitja morale dhe psikologjike duhet të shkojë paralelisht dhe me një vlerësim më dinjitoz të punës që kryejnë ushtarakët në çdo kohë. Ushtarakët janë njerëz të përkushtuar me një botë të pasur shpirtërore, të cilët lehtësisht binden vetëm me një urdhër, qoftë edhe kur ky u kërkon atyre sakrifica ekstreme.
Por ata nuk mund të jenë kurrë dakort me vlerësime të tilla si “mballomat dhe shpërblimet lëmoshë” që u fali atyre qeveria dhe lidershipi i tyre në kushtet e qëndrimit përballë hordhive serbe në kufi. Po le të vazhdojmë me ngjarjet e ditëve të pritëshme….

Prova e “kullave të çelikta”
Artileria vazhdonte aktivitetin stërvitor duke preçizuar detyrat në pozicionet e zjarrit. Këto ditë janë për të gjithë të tensionuara. Në orën 06.00 nga Zallherri është nisur kollona e parë me tanke. Isha me një grup të shtabit në rajonin e Gjegjanit.
Në orën 19.00 morëm informacion për mbritjen e autokollonës së tankeve në Kukës. Ajo mbështetej nga njësia e transportit ushtarak të SHPFA. Ndaluan rreth 200-të metra nga ura e lumit të Shishtavecit. Ishte i pamundur kalimi mbi urë. U bë zbritja e tankeve nga rimorkiatorët.
Kishim marrë dijeni që ajo urë nuk përballonte tonazhin e rëndë më tepër nga 24-tër ton dhe vendosëm që tanket t’i kalonim në shtratin e lumit. Në dalje të urës, në drejtim të Bardhocit ja behën telekronistët e disa stacioneve të huaja. Filluan të filmojnë nën dritën e prozhektorëve të makinave. Budjoni, komandanti i Brigadës ishte shumë i tensionuar. Ishte një veprim jo i zakonshëm dhe në kushtet e pamjes së kufizuar. Kaloi tanku i parë me sukses. Vëreja fytyrat e nxira të shoferëve, ishin shumë të lodhur, kishin hak.
Kush e ka përshkuar rrugën e Kukësit (rrugën e vjetër) e di se çdo të thotë të përballesh me vështirësi në rrugëkalime malore. Ishte një çvendosje që rrallë herë kishte ndodhur në historinë e ushtrisë Shqiptare. Tanket dukeshin shumë hierendë, të zhurmshëm, të zinj e të frikshëm në terrin e mbrëmjes. Kaluan të gjithë në vahun e lumit, u vunë në kollonë dhe u lëshuan në drejtim të Gjegjanit me tërsëllëmë. Dridhej vendi. Ju lumtë djema, kini bërë atë që nuk do t’a bënte kushdo.
Fillova të ndjej të ftohtë, u përshëndeta me Budjonin dhe u nisa në drejtim të fushimit. Tashmë po ndjehesha i sigurtë se shumë shpejt tërë forcat e Divizionit do të kompaktësoheshin sipas planizimit operacional që kishim bërë. Kishim katër ditë që po lëvizim dhe po studjonim terrenin në rajonin e Kukësit. Kuptoja se çdo orë që kalonte n’a ambjentonte me gjendjen e luftës, n’a familjarizonte me terrenin dhe me mjaft njerëz të panjohur më parë.
Po ndjenim një dashamirësi dhe afrimitet nga oficerët e shtabit të Divizionit të Veriut. Edhe ata kishin nevojë për një prezencë ushtarake të tillë. Midis tyre nuk njihja shumë, por kjo nuk n’a pengonte që të komunikonim me njëri – tjetrin sikur të kishim punuar vite të tëra së bashku. Koha dhe momenti n’a solli të vendoseshim në krah të njëri – tjetrit.
Rrëfimi i kolonel Budjon Arapit
Ishte data 20/04/1999 kur komandanti i Divizionit n’a thirri në zyrë dhe n’a informoi për situatën në veri të vendit. Shtroi detyrën se Divizioni i Tiranës me një pjesë të forcave do të shkonte në veri. Diskutuam së bashku për gjendjen e reparteve tona, furnizimet, mjetet, gatishmërinë, për njerzit dhe për çdo gjë të mundëshme që n’a duhesh për të realizuar misionin.
Nuk kaluan dy ditë dhe ne u nisëm në veri, në rajonin e Kukësit. Morëm kontakt me gjeneral Kudusi Lamen, shtabin e tij dhe nën drejtimin e kolonel Alisë dolëm në terren. Përcaktuam detyrat dhe rajonet ku do të vendoseshim. Batalioni i Brigadës së Tankeve u vendos në vijë të parë. Me grupin e rikonicionit të Brigadës caktuam vendvendosjen dhe rajonin e mbrojtjes. Të nesërmen u kthyem në Tiranë. Qysh kur morëm detyrën për të shkuar në veri, bluaja në kokën time gjithë ato çfarë planizuam për të kryer në Kukës, si do të kryenim manovrën dhe si do të përballonim situatat që mund të n’a krijoheshin. Të gjitha këto versione donin zgjidhje. Shumë gjëra n’a mungonin.
Puna e parë dhe më kryesore për mua do të ishte komunikimi me njerëzit. E dija fort mirë se Brigada në Marsin e vitit 1997 ishte terrorizuar. Oficerët dhe nënoficerët me forcë dhe detyrim ishin nisur për në jug të vendit për të shtypur revoltat popullore, jashtë dëshirës dhe vullnetit të tyre, në kundërshtim me misionin që kishte njësia. Në radhët e personelit duhej të “vritej” frika. Përgatitja psikologjike për veprim në kushte të reja ishte një nga detyrat kryesore që duhej të përballoja.
Me shtabin e Brigadës dhe komandantët e batalioneve komunikuam gjatë dhe shqyrtuam shumë probleme delikate, duke e shtrirë punë tek nënoficerët dhe ushtarët. Së fundi gjykova, se duhej të komunikoja me tërë efektivin e njësisë, në veçanti me b3 tankist që ishte paracaktuar për të shkuar në veri. Fillimisht zotëroi heshtja e mandej ata folën, folën si luftëtarë, patriot e atdhetarë, shtruan kërkesa dhe tërësisht shfaqen vlera njerëzore e profesionale.
Mjaft nga oficerët ishin të pastrehë, me të ardhura të pamjaftueshme për të mbajtur familjet, e megjithatë vlerat e detyrës dolën mbi ato vetjake. Ky ishte një nga momentet më delikate të cilin e kapërcyem me sukses dhe qysh në këtë çast unë si komandant i Brigadës e quaja betejën të fituar, isha i sigurtë se suksesi dhe lavdia këtyre njerëzve nuk do t’u mungonte.
U punua për gjithçka që në momentin e duhur të fillonte lëvizja. Mjaft probleme dhe masa u realizuan ende pa ardhur urdhëri operacional dhe kjo n’a e lehtësoi shumë punën për realizimin me sukses të manovrës. Më kujtohet kur n’a thirri gjeneral Andoni në Ministrinë e Mbrojtjes, së bashku me një pjesë të Shtabit të Përgjithshëm. U shtrua detyra e qartë, për të marrë shumë masa plotësuese në interes të manovrës. Në fund m’u drejtua duke më thënë: – “Hë Budjon si do t’ja bëjmë”? Me kurajo dhe dashamirësi i thashë se “grykës së Morinit do t’i nxjerrim ujë të zi”. Qeshi dhe n’a uroi të gjithëve suksese.
Në datën 14/05/1999 morëm urdhërin për t’u vendosur me një batalion tankesh në grykën e Morinit. Batalioni do të kryente manovrën në dy kolona, së pari me njerëzit dhe mandej me tërë teknikën luftarake. Lëvizjen e kreva me kolonën e parë, sepse e ndjeja se atje duhej të isha. Oficerët e ndjenin se në Kukës do t’a kishin të vështirë, situata ishte e nxehtë dhe çdo gjë mund të ndodhte. Ata ishin “të lexueshëm”. Ndjeheshin më të sigurtë kur shikonin se çdo gjë e bënim së bashku.
Më datën 14/05/1999 u vendosëm në Gjegjan. Kam përjetuar momente që rrallë mund t’i has në jetën time. Mbrritja në vendisllokim ishte më shumë se sa mobilizim, vigjilencë, një moment përkushtimi i veçantë. Njerëzit u tendosën dhe vlerësonin çdo gjë. Atë natë nuk vura gjum në sy. Oficeri i rojes, komandanti i truprojes, gjithë ushtarët me armët në duar. Në çdo 30 minuta dëgjohej zëri i oficerit të rojës. Më bëhej zemra mal për këta njerëz të mrekullueshëm.
Në datën 17/05/1999 mbriti kolona e parë me tanke në Kukës. Ardhja e tankeve elektrizoi gjithë Kukësin dhe kampet e të ardhurve nga Kosova. Me qindra vetë dilnin dhe i përshëndesnin tanket dhe tankistët. Në sytë e tyre dallonim shpresë dhe besim. Kjo n’a i shumfishonte forcat dhe na jepte besim për kryerjen e detyrës. Një pjesë e tyre qanin dhe duartrokisnin, duke folur “Shqipëria, Shqipëria…”.
Dikush tentonte t’u jepte duart ushtarëve. Na u desh të kapërcenim tanket në përroin e Shishtavecit, pasi ura nuk mbante më shumë se 26 ton. Ora 23.00 na kapi në kalimin e tankut të fundit. Sakrifica dhe aftësia e kapterëve shofer tanku ishte e veçantë. Një stërvitje e vështirë dhe shumë e vlefshme në kalimin e pengesave ujore.
Ditët pasonin njëra – tjetrën dhe ne gradualisht i ngritëm të gjithë elementet e duhur, dolëm në terren, përcaktuam detyrat luftarake, bëmë planizimin dhe i’u nënshtruam stërvitjes. Na duhej të punonim shumë, veçanërisht me ushtarët, të cilët duhet të përfitonin shumë nga stërvitja speciale në tank. Në stërvitjet komplekse aftësia luftarake e batalionit i kapërceu parashikimet e mia si komandant. U krijua një atmosferë besimi dhe vendosmërie.
Në vijën më të rëndësishme të mbrojtjes hapëm rreth 30 pozicione fushore për “tank të groposur” dhe organizuam një rajon mbrojtje së bashku me forca të tjera të Divizionit të Kukësit. Qysh ditën e parë të mbrritjes, kompanitë dolën me radhë në rajonet e detyrave luftarake. U përcaktua sistemi i zjarrit, për çdo tank, togë e kompani, rajonet e bazimit, rrugët e afrimit dhe të manovrës. Njerëzit punonin mirë. Komandanti i batalionit, Gjergj Kola, drejtonte me siguri e kopetencë. Musa Sula, Mehmet Morini e Ramazan Ahmeti kryenin detyrat me përpikmëri me kompanitë e tyre. Nënkolonel Shuaip Jaupllari, kapitenët Alban Ndreu, Xhevdet Sula kryen planizimin luftarak të saktë e me nivel profesional. Në bazën e këtyre veprimeve dallonte aftësia e lartë profesionale e shoferëve tankistë, kapterët Vath Disha, Hasan Vogli, Skënder Fieri, Xhemali Vogli e shumë të tjerëve.
Hallet tona nuk mbaronin. Përherë ishim në kërkim të mundësive më të mira për kushtet e jetesës së efektivit. Ardhja në fushim e Prefektit të Kukësit Qemal Elezi dhe përfaqësuesit të qeverisë Vladimir Shehu, ishte një mbështetje e organeve të pushtetit vendor duke n’a dhënë më shumë siguri në zonën ku vepronim.
Në datën 25/05/1999 kolonel Qatip Alia na mblodhi në shtabin e Divizionit të Kukësit dhe u dha detyra për realizimin e stërvitjes së përbashkët bashkëvepruese dhe luftarake me pjesmarrjen e të gjithë forcave të disllokuara në Kukës, të emërtuar “Drini i Bardhë 99″. Tanket në këtë stërvitje u ishte ngarkuar detyrë e rëndësishme. Ata do të vepronin me të gjithë potencialin e tyre luftarak. Ne ishim gati t’i tregonim forcave serbe se ishim në kufi dhe jo formalisht, me veprimet tona luftarake do të ngrinim më shumë moralin e popullsisë në zonën e “nxehtë”.
Pjesmarrja e Komandantit të Përgjithshëm në stërvitje buzë kufirit në këtë situatë, ishte diçka më shumë se sa një stërvitje me qitje luftarake. Misionin e realizuam me sukses. Vetëm për transportimin e batalionit me mbi 30 mjete të blinduara në interenarin Tiranë – Kukës gryka e Morinit u deshën 13 ditë në vajtje dhe 14 ditë në kthim.
Unë kam gjykuar se ushtarët dhe oficerët tanë e kryen detyrën që ju ngarkua, por në të njëjtën kohë trajtimi i tyre për këtë sakrificë që mund t’u kushtonte dhe jetën, ishte në nivele minimale. Kjo është e pafalëshme dhe e pamoralshme, kur gjykon se ende ka mendime e koncepte deri në kufijtë e paradokseve. Me moralin, sakrificën dhe ndershmërinë e njerëzve që sakrifikojnë nuk ka të drejtë të luajë askush.
Kuksianët dhe kosovarët: ju lumtë ushtarëve të Tiranës
Nuk thonë kot se çudia më e madhe në botë tri ditë e ka efektin e saj. Kështu ndodhi edhe me ushtarët e artilerisë. Sot inspektova fushimin e tyre dhe u futa direkt në pozicionet e zjarrit të artilerisë së rëndë. I gjeta të gjithë në punë e sipër, duke hapur gropat e thundrave të topave të rëndë. Kalova në çdo top dhe komunikova drejtpërdrejt me të gjithë ushtarët, duke u folur “me gjuhën e tyre“. Aq të impresionuar ishim, sa djersë më dilnin e nuk e ndjenim lodhjen. Më shoqëronte, Kujtimi, një major i Drejtorisë Operative e të Stërvitjes. Zbraza “dufin” mbi dezertorët.
Dhashë urdhër shefit të marrdhënieve civilo – ushtarake, major Shpendit, që të gjithë ushtarët të filmoheshin në kamera, portret më portret, dhe u premtova ushtarëve se kaseta e tyre do të transmetohej nga kanalet televizive private në qytetin e Elbasanit, në mënyrë që të gjitha familjet e tyre t’i shikonin djemtë e tyre ushtarë në frontin e luftës, ashtu në punë e sipër, të qeshur dhe entusiastë e të mos bëheshin aspak merak për ta, por të ishin krenarë për bijtë e tyre. Dhe e mbajta fjalën.
Pasdite dhashë urdhër që batalioni 130 mm “katjusha” të çvendosej në rajonin e Bardhocit. Brenda dy orëve u çvendos teknika, municionet, logjistika dhe filloi ngritja e fushimit. Nuk ma merrte mendja se ushtarët tanë do të kalonin në mes të qytetit të Kukësit duke kënduar këngë patriotike. Atë pasdite gri, për habinë e qytetarëve kuksianë dhe të të ardhurve nga Kosova, kjo nuk kishte ndodhur ndonjëherë më parë në ditët e vështira të vitit 1999-të.
E vërteta është se nuk i nxiti kush. Me gjithë shpirt i uroja; “Ju lumtë djema, jeni të mrekullueshëm”. Kur po shkarkohej makina e fundit me municion në Bardhoc, u ndodha në mes të ushtarëve dhe oficerëve. Një pasdite e vrejtur dhe me erë të ftohtë. Hodha sytë nga gryka e Morinit. Grykë e thellë, e kufizuar me male të lartë. Në krahun e majtë të saj, poshtë shtrihet liqeni i Drinit të Bardhë. Ai zgjatej edhe matanë kufirit shtetëror. Matanë në humbëtirën e hapsirës së vrejtur, në vorbullën e luftimeve dhe të krimit serb, shtrihej KOSOVA.
Kuptova se vendi i vendosjes së batalionit nuk ishte fort i volitshëm. U nisëm menjëherë me nënkolonel Thomain për të parë vendin më me kujdes. Nuk mund të nënvleftësonim asgjë përballë situatës në vijën e kufirit. Matanë kësaj vije luftohej dhe gjëmimet e artilerisë vinin deri tek ne. Vonë u takova me komandantin e Divizionit të Kukësit, shkëmbyem informacion e mendime për situatën. Bisedat me gjeneral Kudusiun i kam bërë përherë me interes. Dukej sikur fliste ngadalë, por ishte në të vërtetë ndryshe, në veçanti kur biseda shkonte për çështjen e Kosovës. Ishte optimist se Kosova do t’a fitonte lirinë. Dukej shumë i lodhur dhe kishte të drejtë.
Atë mbrëmje fola me familjen në telefon. Zëri entusiast i çentralistes së Ministrisë, Zamirës, pyetjet e saj të drejtpërdrejta për gjëndjen në Kukësin, por dhe komunikimi me gruan dhe fëmijët, më përmëndnin dhe më kujtonin se diku ekzistonte dhe një ambjent e jetë tjetër, larg zhurmave, streseve dhe halleve të luftës. Kur mbarova bisedën dhe ula receptorin e ndjeva veten shumë të lehtësuar. Rruga për në vendvendosjen e shtabit të Divizionit në raste të tilla na dukej shumë e shkurtër.
Mesnata na zë të gjithëve në këmbë. E kam veçuar edhe një herë të tjera, se natën vrojtonim shkëputjen e raketave nga avionët luftarakë dhe përflakjen e qiellt të Kosovës nga shpërthimi i tyre. E kuptonim se këto goditje matanë ishin shumë të fuqishme.
Një e papritur e këndshme
Në Kukës takohem me inxhinierin e Ishullit të Sazanit. Qëndrimi në këto kohë në Kukës më dha rastin që të kontaktoj dhe të komunikoj me shumë njerëz. Kjo më ngjallte interes, sepse isha shumë i interesuar të isha sa më afër psikologjisë së tyre, mentalitetit, dialektit e shumë fenomeneve që ishin rrjedhoja të gjendjes së veçantë në të cilën Kukësi kishte muaj që jetonte.
Në këto kushte nuk mungonin dhe surprizat, të cilat ishin momente të rralla, që n’a shkëpusnin për disa çaste nga andrallat tona. Kështu më ndodhi në këtë ditë Maji. Sapo dola nga kafe “Gjallica” u ndodha përballë me inxhinierin e televizionit të Kukësit, djaloshin shtatshkurtër e të shëndetshëm, Ardian Nelaj.
U befasova. Pak ditë kisha që kisha ardhur në Kukës dhe nuk e dija ende që Ardiani punonte në televizionin lokal. U përshëndetëm me shumë përzëmërsi. Ishte një takim mbas shumë vitesh. E dija që deri në 94-trën kishte punuar inxhinier për ndërlidhjen në ushtri dhe vetëm kaq. Ardiani kishte ndjekur të gjitha veprimet e Divizionit të Tiranës dhe punët e shumta nuk e kishin lënë të më takonte. U gëzuam të dy, por më shumë unë që gjeta një mikun tim të mirë në një qytet që vuante dhimbjen e vet. Më tregoi shumë gjëra që kishin ndodhur në këtë qytet dhe rrethinat e tij. Mora vesh se Ardiani kishte shkuar deri në vijën e kufirit për të riparuar antenen e televizionit të goditur nga artileria serbe. Ishte njeri i ndjeshëm, fliste ngadalë e me zë pak të lartë. Nuk i’u shmang dot kujtimeve të viteve të vështira të jetës në Ishullin e Sazanit…Pas viteve 85-së kam qënë me detyrën e komandantit të ishullit të Sazanit. Në vitin 1989-të inxhinier Ardiani emërohet me detyrën e specialistit të ndërlidhjes. Atëhere më thanë që do të vinte një djalë i ri inxhinier me origjinë nga Kukësi.
Në takimin e parë me Ardin kuptova, se ende ishte i shokuar nga ambjenti dhe ndoshta menjëherë kish filluar të mendonte se si do t’ia kalonte në Ishull. I afrova ngrohtësi dhe e sigurova se nuk do t’ia kalonte keq. Shumë shpejt Ardiani i’u fut problemeve të ndërlidhjes dhe nuk vonoi që të shtronte kërkesa për ndryshime. Kishte koncepte profesionale, por më bënte përshtypje egua e tij.
Ishin vite të fillimit të ndryshimeve dhe kisha kuptuar që inxhinieri kishte mendime “të ndaluara“. Megjithë kujdesin dhe druajtjen që kishte, vëreja që shokët me të cilët kalonte pasditet e gjata të Ishullit, i kishte të zgjedhur. Të dy ikëm nga ishulli i Sazanit në vitet 92, për t’u takuar me mall pas kaq vitesh. Ky është miku im i mirë, kuksiani Ardian Nelaj.
Drejt normalitetit
Shtabi i Divizionit, me të gjithë elementet e strukturës së tij ushtarake, është vendosur në Fush – Dukagjin – Kolsh, në pjerrësinë verilindore të kodrës së Vishajve. Përballë duken sikur janë të rreshtuara gjithë lartësitë e maleve të njohur, në veçanti Gjallica, Pashtriku dhe Koritniku. Në krahun e majtë, mali i Tregtanit duket sikur n’a ka ndarë si “me thikë” me zonën e Hasit dhe qytetin e Krumës.
Është përgjithësisht një bukuri e egër, e cila i ndryshon reflekset sipas orëve të ditës. Oficerët dhe ushtarët kanë punuar mirë për ngritjen e vendosjen e elementeve të fushimit. Është krijuar një ambjent i këndshëm e me seriozitetin ushtark në mes të pyllit me dushqe, i cili reflekton rregull e disiplinë. Poshtë nën këmbët tona shtrihet liqeni i Drinit. Është i mbushur me ujë si asnjëherë tjetër. Batalioni i ndërlidhjes ka hapur dhe vënë në funksion të gjithë elementet e vet të komunikimit. Antenat e radiove, të shtrira në drejtimin e Tiranës nga makina speciale “mobile“, u japin më shumë siguri tërë personelit të shtabit.
Në këtë pikë të drejtimit, gjithë komandat e njësive e reparteve janë të vendosura në drejtim e komandim. Këtu kemi prezent zërin e Tiranës. Komunikojmë normalisht, duke e mbajtur gjendjen nën kontroll. E ndjekim situatën në “Aselsan“. Ushtarët e batalionit të komunikimit dhe ata të ruajtjes janë mjaft të vëmendshëm dhe ndjekin në heshtje punët e detyrat e tyre. Fushimi dhe ambjenti përreth tashmë e kanë bërë punën e tyre. Prej kodrës se Vishajve konceptoj, si në maketin topografik, gjithë shtrirjen e elementeve të rendimit të luftimit të Divizionit, të sinkronizuara me ato të Divizionit të Kukësit.
Drejtimi i Morinit, vlerësohet si drejtimi më i shkurtër për të dalë në qytetin e Kukësit. Sipas të dhënave që disponojmë, del se, forcat serbe, pikërisht në këtë drejtim kanë të përhapura shumë forca e mjete të blinduara, e në veçanti artileri të kalibrit 155 mm dhe mortaja 120 mm. Në vijën e kufirit kanë vendosur organe të shumta zbulimi dhe ushtarë me snajper, që hërë pas here godasin pa paralajmërim.
Kishim vlerësuar se ndodheshim në drejtimin kryesor të mbrojtjes dhe niveli i zbatimit të detyrave na bënte më të sigurtë në mundësitë e realizimit të misionit.
Po këta çfarë janë?!!
Fshati Kolsh ndodhet rreth 800 metra larg fushimit të shtabit tonë. Gjatë lëvizjeve n’a takon që të kalojmë përherë mespërmes fshatit. Në Kolsh ishin strehuar shumë familje të ardhura nga Kosova. Shikoja përditë shumë fëmijë e gra, që merreshin të qetë me punët e tyre. Përgjithësisht ishte një fshat i qetë. Kuptoja, se ndjenin kënaqësi që ndodheshim aty pranë e në çdo rast banorët dhe të ardhurit n’a përshëndesnin me përzëmërsi.
Ditë më pasë u takova rastësisht me kryeplakun e fshatit. Një ditë që ktheheshim në orët e vona të natës në fushimin e shtabit e marrim në rrugë në automjetin tonë. Ishte i veshur me një xhaketë kadife dhe kapele në kokë, veshje tipike të banorëve të zonës.
Qysh në kontaktin e parë, kuptova se ishte një njeri i pashkolluar e që e rrente mendja se ishte i ditur, vetëm e vetëm se ishte kryeplak i fshatit. Kishte shumë fjalë, nuk të linte radhë në bisedë dhe me sa kuptova ishte me shumë ngarkesa dhe emocione politike. Më llomotiti shumë një ditë tjetër, kur e mora në makinë, për gjoja atdhetarizmin që po tregonte se u kishte dhënë pa para disa objekte tip tunel disa forcave ushtarake, sipas tij “të UÇK-së“. Nuk u mora më asnjëherë me këtë njeri e nuk kisha dëshirë t’a takoja përsëri.
Në këto ditë oficerët e shtabit më informojnë se në mjediset e fshatit vërejnë ushtarakë të veshur me kamuflazh e me bereta të kuqe në kokë. Disa oficerë të tyre, shpesh dalin në klubin e fshatit dhe kalojnë disa orë të ditës atje duke pirë dhe trajtuar me zë të lartë lloj – lloj problemesh në lidhje me luftën. Ata ishin të vendosur në objektet tynel në jugperëndim të Kolshit, dikur objekt i rëndësishëm i Divizionit të Kukësit. Kaq u desh. Prorosita tre oficerë të shtabit që në orën e ahengut të tyre të futeshin në klub dhe si rastësisht t’i vinin në sedër për çfarë mendonin dhe për çfarë po bënin. Mes tyre ninte në sy komandanti i batalionit, një kapadai trupshkurtër e barkmadh. Plani funksionoi. Të turpëruar ata nuk u panë më në “sfilatat e tyre të luftës” në mes të Kolshit.
Informacionin e vlerësova dhe nuk e lash me kaq. Ishin forca deri të një batalioni të FARK-ut, të armatosur mirë me armë konvencionale dhe me mundësi të mira telekomunikimi. Më pas morëm vesh, se nuk ishin nga ata kontigjente “të UÇK-së“, siç pretendonte kryeplaku i Kolshit, por nga ata “mëmëdhetarë” për të cilët “ende nuk kishte ardhur koha të shkonin në luftë“, kur Kosova po zbrazej dhe atje çlirimtarët luftonin për jetë a vdekje.
Në biseda me oficerë të shtabit ata shpreheshin hapur, se “…edhe ata ishin për luftën, por nuk kishte ardhur ende koha për të luftuar“. Heu, përsëri avazi i “Epopesë së Ballit Kombëtar”, në kohët moderne. Kontaktoj me komandantin e Divizionit të Kukësit dhe kërkoj shpjegime mbi prezencën e tyre. Më habiti përgjigja e qetë, se për qëndrimin e tyre në Kolsh “….kishte dijeni dhe kishte dhënë lejen…” dhe Gjenerali.
I sugjerova se këto struktura ushtarake jashtë kushtetuese nuk mund të integroheshin në veprimet tona dhe i kërkova që ai duhet të ndërhynte që këto forca të largoheshin nga zona e përgjegjësisë së Divizionit ose të përfshiheshin në vartësinë tonë. Nuk më tingëllonte mirë që në shpinë të shtabit të Divizionit qëndronte një forcë ushtarake e armatosur dhe anonime. Fola edhe me shefin e shtabit, kolonel Selimin. Edhe ai ndante të njejtat mendime me mua. Disa herë kishte marrë kontakt me ta dhe u kishte sugjeruar largimin ose vartësinë operacionale. Mendova se ky problem nuk zgjidhej në Kukës, por në Tiranë. Dhe ashtu veprova. Në Shtabin e Përgjithshëm më siguruan se ky problem do të zgjidhjej shpejtë. Pas disa ditësh ata morën rrugën drejt Tiranës, një veprim i paprecedentë ky në kushte të një situatë të ndërlikuar. Një forcë ushtarake e armatosur lëvizte drejt kryeqytetit dhe në të kundërt të frontit të luftës!! Falë ndërhyrjeve për “të ç’bërë atë që u bë”, pasi dorëzuan armatimin dhe paisjet logjistike që dispononin strukturave të UÇK-së, ata u larguan nga Kolshi drejt Mamurrasit.
Shumë prej tyre u rreshtuan në formacionet e qendrave stërvitore në Kukës. Ndoshta më mirë kështu.
(VIJON)
© Pashtriku.org