PSIKOLOGJIA E LUFTËS KUNDËR LUFTËS / “SHIGJETA – 2”, TOKA DHE NJERЁZIT LЁVIZIN … (6)

PSIKOLOGJIA E LUFTËS KUNDËR LUFTËS / “SHIGJETA – 2”, TOKA DHE NJERЁZIT LЁVIZIN … (6)

NGA SULEJMAN ABAZI (Komandanti i Divizionit të Tiranës – ’98 – ‘99 – Kujtime

“Shigjeta – 2”, toka dhe njerëzit lëvizin…

Kam disa ditë që kam marrë në dorë planin e përfshirjes së forcave të Divizionit në një stërvitje të madhe manovër me qitje luftarake, të emërtuar “Drini i Bardhë-99-të”. Sot gjithë ditën e kaluam në rajonin e Bardhocit. Konkretizuam në terren veprimet e pritëshme që do të kryheshin. Do të realizohen veprime të përbashkëta të të dy Divizioneve, të kombinuara me qitje me të gjitha llojet e armëve që disponojmë. Shumë mirë, për këtë kemi ardhur, të realizojmë elemente të stërvitjes së bashkërenduar në interes të forcimit të gatishmërisë luftarake dhe aftësive operacionale.

Qitjet do të realizoheshin kryesisht nga distanca shumë të mëdha. Topave obuz të artilerisë së rëndë u binte që flurudhat e tyre të kalonin direkt mbi qytetin e Kukësit. Ishte një veprim me përgjegjësi dhe disi i veçantë në kushtet e zbatimit të kërkesave doktrinare të luftës. Në kushte të tilla, kërkohet përgjegjësi e lartë dhe profesionalizëm ushtarak. Nisur nga përvoja e qitjeve luftarake të mëparshme me personelin e BrAT, kam krijuar besimin tek oficerët dhe ushtarët artilierë.

Nuk dyshoja, se të gjithë qytetarët dhe të ardhurit nga Kosova, në disa momente të ditëve në vazhdim do të ndjenin fishkëllimat e predhave mbi kokat e tyre. Këto do të ishin fishkëllimat e artilerisë shqiptare dhe ishim të bindur se dhe ata do të kishin siguri e besim tek ne.

Sot në orët e vona jam informuar se një Brigadë e UÇK-së (e cila u përgatit nga oficerët tanë në zonën e Burrelit, Divizioni i Tiranës vuri në dispozicion të përgatitjes 14 oficerë), kaloi kufirin dhe kapi malin e Pashtrikut. Po zhvilloheshin luftime të ashpra me forcat serbe. Në përshtypjen e parë ky lajm më entusiazmoi pa masë. Në grykën e Morinit ishin shpeshtuar zhurmat dhe ndiqnim me shqetësim shpërthimet e artilerisë serbe. Me siguri ata godisnin Brigadën dhe ishin vënë në gjendje të plotë alarmi.

Informohem se veprimtaria operacionale e forcave të njësisë kosovare ishte kodifikuar me emrin operacioni “Shigjeta – 2”. Duke qenë dëshmimtar okular në terrenin e luftës, shikoja me shqetësim çfarë po ndodhte në terren. Nga pika e drejtimit operativ të Divizionit shikonim me sy të lirë se si predhat e artilerisë serbe ndëshkonin forcat e kësaj brigade, e cila pati guximin të shkelte kufirin ndarës shqiptar – shqiptar. Kërkova informacion, por shpejtë e kuptova se ky veprim operacional ruante “sekretin” e tij ndoshta për të tjera qëllime. Miratimi ishte marrë tek Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Kjo ishte njera anë e problemit. Ajo që më shqetësonte ishte fakti se disa parime të doktrinës tonë ushtarake ishin shmangur, shkelur dhe ato rrezikonin suksesin. Imagjinoja luftëtarët djem e vajza me nga një automatik në dorë dhe një pagure uji në brez, të ekspozuar ndaj zjarrit të atrilerisë dhe në prapavijë të tyre vetëm “heshtje”. Sedra profesionale nuk më lë pa shfaqur disa mendime dhe pa bërë disa pyetje, për të cilat do të doja sinqerisht që dikush nga protagonistët e planizimit dhe realizimit të këtij operacioni të më jepnin përgjigje. Ky veprim luftarak me pikënisje tokën e shtetit shqiptar më bëri përshtypje deri në ekstrem.

  • Si mund të fillohet një operacion i tillë nga toka e shtetit administrativ i shkëputur nga veprimtaria operacionale e reparteve dhe njësive luftarake të ushtrisë shqiptare, që aktualisht ishin të dislokuara në zonën e mbrojtjes së Divizionit të Kukësit?
  • A do të mundet vallë, që ky veprim luftarak të ketë sukses i vetëm dhe pa mbështetjen e trupave të ushtrisë shqiptare?
  • Nëse fillon një veprim ushtarak nga toka, në anën jugore të kufirit, a mund të konceptohen kapacitetet ushtarake të kësaj njësie jashtë këtyre veprimeve?
  • A do të mundte njësia kosovare të realizonte objektivat e saj, të cilat mendoj se në planifikim nuk do të jenë të mangëta?
  • A ishin parashikuar drejt objektivat ushtarake në raport të drejt me sasinë e forcave dhe mjeteve në dispozicion të kësaj njësie?
  • A duhej konceptuar operacioni jashtë pjesmarrjes së forcave aktive të ushtrisë Shqiptare?
  • Kush mund të jetë inisiatori dhe ideatori i veprimeve të tilla me shumë përgjegjësi?
  • Nëse lidershipi shqiptar kishte dhënë pëlqimin që të realizohej një mësymje e tillë me objektiva të rëndësishme ushtarake, kush e orientoi atë të linte jashtë kësaj veprimtarie bashkërendimin dhe mbështetjen me strukturën aktive të ushtrisë Shqiptare?
  • Ishte koha për eksperiment apo për një veprim luftarak serioz që do t’i kushtonte rëndë pushtuesit matanë kufirit?
  • Si mund të heshte artileria jonë aktive në kushtet kur po e shikojmë me vrojtim të drejtpërdrejt goditjen e artilerisë serbe mbi formacionet e njësisë kosovare në faqen veriore të malit të Pashtrikut?

Pas dy vitesh pata rastin të jem në Akademinë Ushtarake në Prishtinë me një grup oficerësh dhe veprimtarësh të ftuar nga Komandanti i Akademisë. Ai vetë kishte qenë pjesë e luftëtarëve në Brigadën e Operacionit “Shigjeta – 2” dhe i plagosur në këmbë. Ishte kuruar në Gjermani para një viti dhe ndihesh mirë. Këto mendime i kam trajtuar edhe me këtë djalosh energjik plotë shpresë e besim. Atëherë ai nuk i kuptonte ato që po ndodhnin, por në këtë kohë tjetër arsyetimi i drejtë profesional e bënte të më jepte të drejtë për çfarë diskutonim.

Mund të kem dhe pyetje të tjera por jam shumë i rezervuar dhe skeptik në rezultatin e këtij veprimi ushtarak. Unë në një moment të tillë nuk kam menduar dhe gjykuar asnjëherë në një sukses pa një pjesmarrje masive të reparteve dhe njësive aktive, të cilat mendoj se kanë dalë në rendimin e luftimit pikërisht për të bërë këtë gjë në një rast të tillë. 

Veprime të tilla në analizën e parimeve të Doktrinës Ushtarake do t’i konceptoja më shumë se një aventurizëm ushtarak. Më ka rënë rasti në kohë të tanishme të kontaktoj me ushtarë dhe oficerë të kësaj Brigade. Mendimet dhe gjykimet e mia nuk kanë dalë jashtë asaj që ata tregojnë për zhvillimin e një operacioni të tillë. Megjithatë luftë është dhe mund të veprohet edhe kështu….!!

***

ALBANIA: PRESIDENT REXHEP MEIDANI KOSOVO INTERVIEW, 19. 05. 1999

Madhështia ka një cak…

Rreth orës 09.00 të paradites takova gjeneralin e Kukësit. Hyri si rastësisht në zyrën e kolonel Selimit (shefi i shtabit të Divizionit të Kukësit) pasi ishte informuar se isha aty. Pasi u përshëndetëm më qerasi me ca çokollata të rrumbullakta. I futa në xhepin anësor të kamuflazheve.

Kuptova menjëherë se ishte shumë i entusiazmuar. Më çuditi gjëndja e tij. “Ngadalë gjeneral – thashë me vete – është akoma shpejt të dalim në përfundime“. I kërkova të n’a informonte më gjërësisht për atë ç’ka kishte ndodhur dhe po ndodhte në terren përballë syve tona. Isha informuar dhe një ditë më parë se një njësi e UÇK-së kishte filluar veprimet luftarake në Pashtrik. Gjenerali “enigmatik” nuk jepte hollësi, vetëm n’a siguroi se diçka e madhe do të ndodhte. E uruam me gjithë zemër që të ndodhte pikërisht ashtu siç mendonte ai.

Shpesh individi ndodhet para një dileme, e cila e shoqëron atë në rastet kur ka të bëjë me veprimtari që përfshijnë grupe të caktuara nën autoritetin e tij. Në këto kushte shtrohet përherë pyetja: “A është e mirë që të jesh optimist i zjarrtë apo një realist i fortë”? Disa reagime emocionale realizohen përpara se të kryhet proçesi i të menduarit. Madje pëlqimi, mospëlqimi dhe frika kanë shumë pak analizë në vetvete në raste të tilla. Ndaj dhe detyrohesha të replikoja në heshtje me veprimet dhe qëndrimet e komandantit të Divizionit.

Ngjarja në Pashtrik ishte një inisiativë shumë e rëndë dhe ishte e shpejtë të parashikoje se çfarë mund të ndodhte. Këto nuk janë veprime të lehta për t’u menduar, e aq më tepër për t’u realizuar. Nëse kjo ishte e nevojshme dhe e domosdoshme larg aventurizmit, hajde t’a përshëndesim të gjithë.

E dija se në zonën e mbrojtjes së Divizionit të Kukësit vepronin 4 qendra të rekrutimit dhe organizimit të luftëtarëve të UÇK-së, të cilët hera herës kryenin manovra me makina të trasportit ushtarak dhe në kohë të përshhatshme kalonin matanë kufirit për t`iu bashkuar formacioneve çlirimtare. Larg konstatimeve të situatës luftarake që zhvillohej në Pashtrik, për një arsye n’a vinte mirë të gjithëve; diçka do të përfitohej nga ky veprim. Shpresonim të ndodhte kështu. Veprimi i mekanizmave mbrojtës psikologjik tek individë të veçantë vepron në të shumtën e rasteve kur llogariten edhe dështimet ose pasojat. Shpresoja që të mos ishte kështu. Shpesh individë emoncionalë të prirur nga dëshira e mirë e përfundimit me sukses të gjërave shpejtojnë të bërtasin qoftë dhe në publik “eureka”.

Këto nuk janë gjë tjetër, veçse zgjidhje të çastit që të entusiazmojnë, por në të vërtetë nuk janë gjithçka. Në veprimtarinë jetësore, zakonisht, njerëzit kërkojnë rrugët më të shkurtra për të arritur atje ku duan, por për t’i përcaktuar këto rrugë duhet të jenë të saktë, ndryshe………!!

Kur ekzistojnë emocionet pozitive, mjedisi duket më miqësor dhe në mendje zakonisht të mbizotërojnë vetëm anët e mira të situatës në të cilën ndodhesh. Kështu ndodhi me Gjeneralin kur trupat e Brigadës Kosovare sulmuan nga rrethi i Hasit dhe kapën malin e Pashtrikut në 23 Maj (më 26 Maj – SHB). Por mjedisi në Pashtrik nuk ishte aspak miqësor për ushtarët tanë, ai ishte një mjedis tepër agresiv, i panjohur mirë për ndryshimet e tij dhe përgjithësisht vrasës. Lajmet e mira duhet të ishin marrë me rezervë ashtu sikundër dhe perceptuan ngjarjet në ditët e mëvonshme. Jemi të prirur t’i përkrahim këto lloj emocionesh, por kurrësesi nuk duhet të shkëputemi nga realiteti.

Një gjendje e tillë shpirtërore ndikon më pak në proçesin e të menduarit dhe më tepër në gjykimet e sforcuara, të cilat mbartin shumë vëmendje dhe përpjekje. Nuk isha i gabuar në analizën që bëja. E kam ndjerë veten ngushtë në një rast kur komandanti i Divizionit më fliste për disa udhëzime të Shtabit të Përgjithshëm dhe unë me sinqeritet i them se, ky do të ishte një veprim shumë i mirë nëse gjykohej kështu. Më shikoi me një vështrim disi triumfator dhe më pyeti se, “….për cilin Shtab të Përgjithshëm kupton ti Sulejman…..(nënkuptonte Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së)”? Përsëri me sinqeritet iu përgjigja se “…kuptoj për Shtabin e Përgjithshëm në Tiranë…”  

Nuk e pash të arsyeshme t’a vazhdoja më tej këtë bisedë ….Ndërkohë, u afrua tek dritarja e zyrës me qeskën e çokollatave në dorë dhe u foli disa oficerëve të shtabit që ishin përjashta, poshtë dritares. Dëgjoja zëra nga poshtë. Kudusiu filloi t’u hidhte çokollata nga lart, duke bërë shaka me ta. Ishte shumë euforik dhe entusiast. Kisha disa kohë që kisha filluar të njihja disa nga dobësitë e tij. Kishte filluar si duket të ndikohej nga deliri i madhështisë. Çuditërisht, në moment m’u kujtuan disa nga sekuencat e filmit shqiptar “Lulëkuqet mbi mure“, momenti kur ekonomati i konviktit u hidhte copa buke fëmijëve të uritur, duke kërkuar prej tyre që të mbanin rregull!!

U vura në pozitë të vështirë dhe njëkohësisht bëja habi me fantazinë time. “Jo zoti Gjeneral – thashë me vete – ne kemi shumë më tepër përgjegjësi për këta “fëmijë”, të mësuar jo keq dhe që me atdhedashuri mbanin vetë rregull në vijën e kufirit, përballë provokimeve dhe goditjeve të ushtrisë serbe. Ata nuk duan çokollata, por atë që u takon, duan atë që u mungon deri më sot dhe që unë e t’i dhe unë nuk po ua japim dot. A të kanë bërë ndopak përshtypje shënimet e tyre në gazetën Ushtria”?

Nejse, qoftë i mbarë ky veprim. Po i mbyll shënimet e kësaj dite duke menduar për “telashet” e stërvitjes së madhe me qitje luftarake që do të realizonim së bashku me Divizionin e Kukësit pas dy ditësh.

Tirana bën presion me forcat e “divizionit të blinduar”

Në orën 08-të të datës 28 Maj të gjitha komandat raportuan gatishmërinë e forcave dhe teknikës luftarake në pozicionet e zjarrit dhe rajonet e përqëndrimit. Sot do të zhvillohej një provë me qitje luftarake. Pas dy orësh u realizuan disa të tilla dhe në këtë kontekst u përsosën mjaft nga elementet e drejtimit dhe të komunikimit. Tanket u paraqitën mjaft mirë në stërvitje dhe realizuan qitje në ecje.

Ndodheshim diçka më shumë se dy kilometra nga vija e kufirit. Gjatë gjithë ditës shikonim dhe dëgjonim qitjet e artilerisë serbe në faqe të malit të Pashtrikut. Kalimi i kufirit nga Brigada e UÇK-së, në kuadrin e realizimit të operacionit “Shigjeta – 2“, i kishte vënë tërësisht serbët në gjendje alarmi, i kishte tërbuar dhe tashmë, me sa po kuptonim, ata po kryenin veprime për t’a rrethuar atë nga të dy krahët dhe për t’a asgjësuar këtë njësi luftarake. Goditjet e artilerisë së tyre po ndëshkonin herë pas here edhe disa fshatra kufitarë të rrethit të Hasit.

Me sa duket serbët mendonin që të vepronin nga të dy drejtimet dhe të krijonin një darë rrethimi. E marrim me mend se luftëtarët kosovare në këto kushte ndodheshin në gjendje të rëndë, por ata e dinin se nuk ishin vetëm. Sipas kërkesës së grupeve tona të koordinimit me strukturat e NATO-s aviacioni luftarak në të dy drejtimet u bëri një ndëshkim të rëndë forcave serbe. Informohem se në spitalin e Krumës sot janë shtruar të dëmtuarit e parë nga radhët e luftëtarëve kosovarë.

Në orën 13.00 rreshtuam tërë trupat në fushën e Bardhocit. Ministri i Mbrojtjes kishte filluar një inspektim të njësive e reparteve nga Tropoja dhe pritesh që të takohej edhe me ne. Një takim pa shumë ceremoni pas një pritje prej dy orësh në pikë të vapës. Nuk do të heqim dorë ndonjëherë nga këto lloj ceremonish, të cilat nuk kishin asgjë të përbashkët me mjedisin luftarak në vijë të kufirit? Kujt mund t’i shkonte ndër mend se një përqëndrim i tillë i forcave dhe mjeteve ishte nën rrezikun e ndonjë goditje të befasishme nga artileria serbe.

Diskutonim me njëri – tjetrin me shumë seriozitet e shqetësim për atë që mund të ndodhte duke na ngelur sytë nga “zogu i qiellit“, që ende nuk po dukej. Duhet pranuar se edhe kjo “stërvitje” ishte. Një ceremoni e sforcuar me disa sllogane që i kishim dëgjuar dhe herë tjetër nëpërmjet valëve televizive. Pas takimit pa shumë ceremoni u futëm në fushimin tankist.

Nuk thotë kot populli, “Gjuha vete tek dhëmb dhembi“. Dhe kolonel Budjoni pas pak mori inisjativën për t’i bërë të qartë Ministrit situatën, përkushtimin dhe gatishmërinë e oficerëve kundrejt një shpërblimi dhe pagese simbolike të akorduar për ata dhe familjet e tyre. Shikoja reagimin dhe dëgjoja i vëmendshëm. Kolonel Budjoni fliste lirshëm, pa emocione dhe po i drejtohej eprorit (Ministrit Hajdaraga) mbi konstatimet e një realiteti të jetuar.

Gjeneral Kudusiu ishte në krahun tim. Vëreja se ishte i heshtur dhe kuptova se nuk ishte i gatshëm të ndiqte atë bisedë, aq më tepër të ndërhynte. Ju fut ushqimeve që kishte përpara dhe nuk i bënte aspak përshtypje se për çfarë po flitej. Biseda të tilla tashmë dhe ne e kemi kuptuar se janë shumë formale dhe bajate, kur shikoje se si mundoheshin të gjithë të pranishmit t’i bënin qejfin Ministrit, kur edhe vetë e dinin se ato që thonin, në kushte të tjera, edhe vetë nuk do t’i besonin. Një komunikim me kolonel Abazin (Çipin) si “ekspert” i gjendjes pranë tij, se “diçka ishte vendosur” dhe çuditërisht “si nuk kishte mbritur deri në Divizion“. Kuptova nga biseda se ne oficerët nuk kishim për të përfituar asgjë nga kjo punë. Ajo nuk ishte gjë tjetër veçse një lojë fjalësh midis “të mëdhenjve“.

E përcollëm Ministrin, mbase me shpresë se diçka duhet të ndryshonte. Një ditë shumë e ngjeshur kjo, me lodhje të madhe. Në orën 18.00 bëmë një provë drejtimi me të gjitha hallkat e rendimit të luftimit dhe e uruam njëri – tjetrin për një ditë tjetër të mbarë. Qëndrojmë pranë çadrave deri pasmesnate në këmbë. “Aselsani” nuk pushon. Herë pas here dëgjoja në radio një zë që e njihja shumë mirë. Ishte nënkolonel Agroni, një oficer model i batalionit të trupave speciale të Shtabit të Përgjithshëm. Përherë komunikonte shkurt e me kod. Në të shumtën, veprimet e tyre kryheshin natën.

Kundërpërgjigja që kanë marrë serbët në sektorin e tyre i kishte bërë ata të mos kakarisin më si pulat dhe të mos guxonin të provokonin më në atë sektor të kufirit. U lumtë djemve të kolonel Hysen Ymerit. Janë fjalëpakë e punëshumë. Kam pasur rastin në rikonicionin e dytë të jem midis tyre në Kam të Tropojës, së bashku me kolonel Alinë dhe jam ndjerë krenar për ta, që edhe ne më në fund kemi arritur të ngremë struktura me trupa të tillë speciale, të përkushtuar e me një profesionalizëm të lartë. Janë të mrekullueshëm dhe sinqerisht ju lumtë.

Ndjekim me vëmendje lajmet dhe zhvillimet e situatave. Nuk na befason fakti i deklarimeve në mediat qendrore serbe, të cilat shkojnë më larg se sa një kërcënim. Në shtypin e ditës me gërma kapitale: “Ushtria Shqiptare po bën presion me forcat e divizionit të blinduar në kufijtë tanë jugorë”!! Edhe brenda territorit administrativ shqiptar ne nuk paskemi të drejtë të realizojmë manovrën dhe stërvitjet tona. Edhe për këtë duhet t’i marrim “leje” agresorëve serbë. Përse shqetësohen ata kaq shumë për qitjet tona? Cila është “e drejta” për të imponuar? Ç’farë shpreh në thelb kjo megallomani e “të madhit”, si u dukemi ne shqiptarët atyre?! 

Rrëfimet e kolonel Hysen Ymerit

Prezenca dhe demostrimi në vijën e kufirit i forcave të batalionit special të SHPFA ishte një veprim i planizuar në kuadrin e bashkëveprimit me të gjithë njësitë dhe repartet në zonën e Divizionit të Kukësit. Në datën 11/04/99, përballë malit të Krajlicës, në vijën qafë Prush qafë Juxhë, në një vijë prej 15 kilometër front ne plotësuam një detyrë të tillë. Në këto kushte bashkëveprimi gjithashtu me postat kufitare të Zogajt e të Zherkës e vuri zonën nën kontroll.

Që ditën e parë ende pa u dislokuar në zonën e përgjegjësisë autokolona e batalionit me 15 automjete kreu një demostrim si një forcë e planizuar për të kryer detyra në vijën e kufirit. Vendbanimet e batalionit ishin deri 150 – 200 metra larg vijës së kufirit. Kryeplaku i fshatit Zogaj, komandanti i postës së kufirit, kapiten Selim Zeneli, ofruan bashkëveprim dhe ndihmë reciproke në menaxhimin e situatës. Vija e kufirit duhej mbajtur nën kontroll të plotë.

Tashmë nga të gjithë informacionet konstatohej se provokimet dhe infiltrimet e trupave sërbe në kufi pothuajse ishin të përditëshme. Me mbritjen e batalionit në Kukës, komandanti i Divizionit mori takim me efektivin duke na përgëzuar dhe kurajuar për detyrën: “Jam i lumtur që forca të tilla si ju kanë ardhur në krahun tim për të luftuar makinën ushtarake serbe”. Ndjenjat për detyrën na u shumfishuan pas fjalës së Gjeneralit. Në datën 05/05/99 batalioni inspektohet nga Drejtori i Drejtorisë Operative dhe të Stërvitjes kolonel Qatip Aliaj dhe komandanti i Divizionit të Tiranës, kolonel Sulejman Abazi.

Vëmendja kryesore në këtë periudhë u përqëndrua në vrojtimin dhe zbulimin, në kryerjen e manovrës së forcave për të parandaluar penetrimin e forcave të pakta komando e këmbësorie të ushtrisë serbe, të cilët kryenin diversion mbi popullsinë dhe pasurinë në fshatrat e vijës së kufirit. Veprimet e grupeve e nëngrupeve tona speciale në shumë raste ç’kurajuan kundërshtarin dhe e bënë atë më të vëmendshëm.

Funksionimi i sistemit të ruajtjes, komunikimit dhe raportimit të të dhënave e bëntë mjaft efektiv praninë e forcave tona. Veçanërisht dua të theksoj se këto veprime u planizuan me shumë kujdes për veprimtarinë tonë natën. E kishim të qartë se në kushtet e një afërsie të tillë nga vija e kufirit shpesh nga ana e serbëve kryheshin të shtëna me armë snajper mbi banorët e zonës. Këtij efekti iu shmangëm duke forcuar disiplinën e zbatimit të misionit dhe kryesisht planifikimin e veprimeve natën.

Me batalionin tonë veproi për dy muaj rresht edhe një grup i forcave speciale të zbulimit amerikan duke na dhënë një përvojë të madhe stërvitore dhe luftarake. Ata ishin të paisur mirë me armatim, mjete komunikimi dhe aparaturë speciale zbulimi të fjalës së fundit. Kishim raste, që për mungesë të dhënash, artileria jonë nuk mund ta çonte zjarrin mbi pozicionet e artilerisë serbe. Bashkëveprohej me këto grupe dhe pas 15-20 minutash avionët e NATO-s bombardonin saktë mbi këto objekte. Kjo për ne ishte një përvojë më shumë.

Kufiri me konfiguracionin e tij gjeografik ofronte mundësi për afrim në mënyrë të fshehtë nga të dy palët. Kështu rastet në postën kufitare të Stoberdës ishin identike të një penetrimi pa shumë probleme, veprim ky që kërkoi masa plotësuese nga ana jonë.

Patrullimet në zonë, postat e vrojtimit, rojet e brendëshme e të jashtme dhe vendosja e dy qëndrave të zjarrit sekrete, të cilat funksiononin pas orës 21.00, bën të mundur që ky drejtim të mbyllej përfundimisht për komandot serbe. Në këto data vrojtonim se kishte një intensifikim të punimeve fushore të trupave serbe në kufirin shtetëror dhe shpeshtim të organeve të tyre të zbulimit.

Jo vetëm elementet aktiv të zbulimit që nxirrnim, por dhe sistemi i ruajtjes dhe komunikimit të fshehtë vepronin e zbatonin me rigorozitet e mjeshtëri proçedurat e bazimit dhe të veprimit të fshehtë në prapavijë të armikut. Në orën 10.00 të datës 16/04/99 u hap zjarr i fuqishëm nga trupat serbe në drejtim të postës së Stoberdës shoqëruar me shpërthime të fuqishme të predhave të artilerisë. Në front u sulmua dhe posta kufitare dhe pas shkëmbimeve të forta të zjarrit serbët u tërhoqën prapa malit të Padinës. Në orën 14.00 nga Brigada e Këmbësorisë së Tropojës mbritën përforcime, duke mbyllur unazën e drejtimit të Zherkës. Pas disa orësh në vendbazimin tonë erdhi dhe komandanti i Divizionit të Kukësit, i cili ndiqte nga afër situatën. Në këto kushte riorganizuam ruajtjen, përforcuam drejtimet me dy grupe të tjerë special duke i kushtuar vëmendje drejtimit të Kamit para fshatit Kepenek.

Në datën 17/04 batalioni inspektohet nga nënkolonel Pajtim Abazi. Në po atë ditë i raportohen të dhënat e zbulimit mbi veprimtarinë e trupave serbe, komandës së Divizionit të Kukësit. Vërenim me kujdes, që trupat serbe kërkonin vazhdimisht të penetronin 50-100 metra brenda kufirit, me synimin e vendosjes së fushave të minuara. Frika e një ndërhyrje të trupave tokësore të Aleancës dhe trupave tona i shqetësonte përditë. 

Vlerësimi i forcave të batalionit tonë ishte në fokusin e vëmendjes së lidershipit ushtarak. Në datën 24/04/99, vetëm 150 metra larg kufirit trupat tona inspektohen nga Gjeneral Andoni, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Në datat 23-25/04/99 dy grupe speciale kryen misionin e tyre në krahun e djathtë të mbrojtjes së Divizionit të Kukësit, në vijën e kufirit Kallbak – Shishtavec – Borje.

Në këtë zonë situata ishte e qetë, por sidoqoftë popullsia kishte organizuar grupe të gatshme, të cilët vepronin kryesisht natën. Këtu u ndeshëm dhe me koncepte të cilat në një farë mase na bënin të ishim më të kujdesshëm. “Ku ishte shteti – sipas tyre – ku ishin tanket, artileria, ushtria”? Sqaronim me durim se “ato që kërkonin ishin atje ku duhet të ishin dhe po e kryenin detyrën e tyre, kufiri në këtë zonë ishte i qetë”.

Në datën 26/04/99 një grup prej 35-40 ushtarësh serbë hyn në thellësi dhe u vunë zjarrin shtëpive të braktisura të fshatit Stoberdë. Disa orë përpara kishin kryer zbulim me helikopterë. Në të njëjtën kohë në fshatin Lajthizë fillojnë të godasin me mortaja të rënda, të vendosura në malin e Padinës. Në datën 29/04/99, në malin e Pëllumbit diktohet vendosja e mortajave serbe dhe në orën 16.00 informohemi se serbët kanë hyrë në fshatin e boshatisur Mëhalla e Sipërme.

Me veprime të shpejta e të specializuara kryem afrimin dhe rrethimin e grupit të ushtarëve serb në fshatin Xhuxh. Ata nuk kishin llogaritur në kohë tërheqjen e tyre. Tashmë të rrethuar ata prisnin se çdo të bëhej me ta. I kishim të gjitha mundësitë që t’i asgjësonim, apo t’i zinim rob. Nëse do të ndodhte kjo ndoshta nuk do të mungonin lëvdatët apo dekorimet për ne.

Por një arsye tjetër më e fortë na bëri që të vepronim ndryshe. Fshati Xhuxh ishte i paevakuar dhe në çdo çati jetonin 10-15 frymë. Zjarri nga të dy palët do të sillte fatkeqësi të rënda në njerëzit e pafajshëm. Forcat serbe nxorrën 6 mortaja 200-300 metra mbi fshatin, në vijën e kufirit. U zbatua një marrveshje pa fjalë por me veprime konkrete. Kryem një manovër të shpejtë me tërheqje. Kjo bëri që serbët me shpejtësi e lebeti të dilnin nga kurthi ku kishin rënë dhe të largoheshin matanë kufirit. 

Goditjet e vazhdueshme të artilerisë serbe kishin shkatërruar pothuajse godinat e postave kufitare të Zherkës, Zogajt dhe të qafës së Prushit. Forcat e tërhequra më në thellësi u përforcuan me bateri të mortajave 82 mm dhe të topave KT 75 mm. Në këto kushte përforcohej dhe misioni i pengimit të forcave tona deri në mbrritjen e forcave kryesore. Nga detyrat e zbulimit u riorganizuan strukturat për të kryer veprime mbrojtëse dhe të pengimit të forcave të kundërshtarit. Ndryshimi i veprimeve taktike nuk përbënte problem për batalionin special, i cili kishte aftësi profesionale të kompletuara dhe efektive.

Duke vlerësuar veprimtarinë e batalionit në datën 03/05/99 artileria serbe ndërmori një zjarr të fuqishëm kundër vendislokimit në rajonin e Kamit. Ishte kjo një nga arsyet që vendislokimi i repartit u çvendos disa herë, por dhe reagimet tona ishin të ashpra. Krahas detyrave luftarake një element shumë i rëndësishëm ka qënë realizimi i programit intensiv të stërvitjes, rreth 4 orë në ditë. Situata impononte rritje të aftësive profesionale dhe të efektivitetit të veprimeve luftarake. Është kjo një nga arsyet kryesore që efektivi i batalionit kishte tregues të lartë moral psikologjik, fizik dhe profesional.

Do të veçoja një fakt të ndodhur në datën 30/05/99, kur grupet e zbulimit të batalionit në orën 15.30 dorëzuan specialistëve amerikanë shtatë pjesë kryesore të avionit zbulues pa pilot të NATO-s, prodhim i vitit 1996, i cili u rrëzua direkt në vijën e kufirit. Se si janë çmontuar ato dhe se si u transportuan deri në bazë nga trupat e batalionit këtë e dinë më mirë ata djem të zotë që e bënë. Ky aeroplan iu rrëmbye serbëve pothuajse nga dora, pasi ata e mbulonin me zjarr objektin jo më larg nga 80-100 metra, në pritje të urdhërit për të depërtuar e për ta tërhequr vetë aeroplanin. 

Si specialist të njëjtat vlerësime do të bëja dhe për trupat e Brigadës Komando. Kjo njësi u përhap në të gjithë zonën e mbrojtjes së Divizionit të Kukësit, në drejtimet kryesore dhe shpesh herë u bë objekt i goditjes së artilerisë serbe. Qëndrimi dhe veprimtaria e trupave “komando“, maturia, profesionalizmi dhe manovra e tyre në kushte të vështira, janë për t’u marrë shembull.

Batalioni special vazhdoi të kryente detyra në vijën e kufirit edhe pas mbylljes së konfliktit në Kosovë. Në fund të fundit ky ishte dhe misioni ynë. Studimi sot i ditarit të veprimeve luftarake të batalionit special të jep të kuptosh një situatë të ndezur që rritej dita ditës dhe nga kjo kuptonim agresivitetin e trupave serbe në kufi. Veprimet e tyre ishin të programuara por dhe spontane. Në përgjithësi ato kërkonin të ushtronin trysni psikologjike e ushtarake mbi trupat tona, duke synuar që në çdo rast, përgjegjësinë e situatës ta kalonin mbi shtetin tonë. Ky synim djallëzor mund të them se përgjithësisht dështoi, përball gjakftohtësisë dhe maturisë së komandantëve, shtabeve dhe trupave tona.

Në kushtet e realizimit të këtij misioni pranë afshit të luftës vlerësoj këto element special të strukturës sonë ushtarake. Trupa të tilla profesioniste krahas atyre “komando” treguan se ato janë efektive në drejtime të veçanta dhe të gatshme për të marrë përsipër çfarëdolloj misioni. Këto trupa rritën shkallën e besimit të popullsisë së zonës tek ushtria, u bënë faktor bashkëpunimi me organet e pushtetit vendor, u bënë elemente të rëndësishëm të manovrës dhe të zbulimit. Në këto dy muaj veprimtari luftarake gjatë luftës në Kosovë çdo pjestar i efektivit të batalionit manifestonte bindje, zotësi, trimëri, profesionalizëm, sa vështirë se mund të bëje dallime.

Për arsye të tjera unë nuk mund t’i përmend ata djem të mrekullueshëm në këtë botim. Unë sot e ndjej veten krenar që kam drejtuar këto trupa në një situatë të rënduar luftarake dhe u jam mirënjohës gjithë personelit të batalionit që megjithë vështirësitë financiare nuk u ankuan asnjëherë, por kryenin detyrat me një përkushtim, që është për t’u marrë shembull në shkallë ushtrie. Le të mbetet kjo një traditë e mirë në trupat speciale që t’i shërbejë brezave në “beretat e gjelbërta” të Ushtrisë Shqiptare.

Gjëmon gryka e Morinit….

E parandjeja që kjo ditë do të ishte një ditë e vështirë. Çuditërisht sot nuk po dëgjonim dhe shikonim të shtëna të artilerisë serbe në Pashtrik. Herë pas herë dëgjonim zhurmën e avionëve të NATO-s në fluturim. Dita e sotme, ndoshta ishte një nga ato raste, vlerat e të cilit nuk maten me sasinë e rreshtave që mund të shkruash në një ditar të thjeshtë, por me mbresat që lë në kujtesën dhe memorien historike të ditëve të vështira të Kukësit. Ishim para një prove të vështirë. Kishim marrë përsipër një përgjegjësi që e ndjenim të gjithë. Trupa dhe tërë organet e drejtim komandimit kishin dalë me kohë në vendet e tyre dhe rapotronin gatishmëri të plotë luftarake.

Në orën 08.00 raportohet nga të gjithë komandat gatishmëria në pozicionet e zjarrit. Nga matanë kufirit kuptonim se ishte një qetësi e rreme, por gjithësesi ndryshe nga një ditë më parë. Nga Myç Manza dëgjohet një gjëmim i rëndë. Bëmë një qitje provë me artilerinë e rëndë, e cila doli shumë mirë. Stërvitja dhe qitja do të fillonte në orën 11.00.

U takova përzëmërsisht me kolonel Arben Çukon, komandantin e Gardës së Republikës. Kishim kohë pa u parë. Atashetë ushtarakë kishin ardhur më parë, gazetarë, fotoreporterë, forcat e Gardës, një gjë e pazakontë në vijën e kufirit. Në një moment, nënkolonel Beshiri (Rrokaj), shefi i Qëndrës Kulturore të Ushtrisë, më pozicionojë para pikës së drejtimit të shtabit të Divizionit të Tiranës, një qendër zjarri e madhe artilerie dhe pa shumë ceremoni më thotë “fol”. Operatori ngriti kamerën duke thënë “gati“. Sokolin, një djalë me sy bojëqielli e njihja qysh më parë. Realizuan një intervistë për telereportazhin e tyre. Fola i qetë. Vura në dukje qëllimin e pranisë së strukturave të Divizionit të Tiranës në Kukës, misionin dhe detyrat kryesore, bashkërendimin e veprimeve operacionale me forcat e tjera duke e lidhur situatën me gjëndjen matanë kufirit.

Më pas analizoja gjithë ato ç’ka kisha thënë. Siç mora vesh më vonë, dikush ishte thirur nga Ministri në zyrë pas dhënjes së kronikës dhe intervistës në televizion (TVSH) dhe ishte kërcënuar deri në shkarkim nga detyra. Nuk më ka çuditur aspak një veprim i tillë, pasi jemi ndeshur dhe me raste të tjera që “burrat e shtetit” kanë bërë sherr për daljet në televizion.

Urrejtja në gen gjen vend në shumë njerëz të tillë, të cilët nuk kanë moral tjetër veç atij të “hundës” dhe kultit. Do të dëgjoja dhe shumë gjëra të tjera për këtë lloj Ministri, që e rrente mendja se ishte vetë në “rrugë të mbarë“. Po le t’a lëmë Ministrin në shpirtvogëlsinë e vet. Ishte një situatë e tensionuar, kudo dëgjoheshin komandat dhe porosit e fundit. Presidenti i Republikës (Rexhep Mejdani) na takoi të gjithëve dhe në orën 11.00 filloi qitja luftarake. Nuk dua t’a përmënd fjalën e pritjes së Gjeneralit vendali. Për atë tashmë ishte bërë ritual i zakonshëm se mos forcat e ardhura nga Tirana i merrnin një pjesë “të lavdisë“. Forcat vepruan në mënyrë të shkëlqyer. Kur filloi qitjen në Myç Manzë artileria e rëndë, oshëtima e të shtimeve erdhi me vonesë. Ministri ktheu kokën dhe ma bëri me shenjë për të nënkuptuar se ishte artileria e rëndë “po – i thashë – ata janë”.

Me sa duket i kishte bërë përshtypje vendosja e batalionit në pozicione zjarri, kur u ndodh pranë tyre një ditë më parë. Zjarr artilerie i përpiktë, manovër e mrekullueshme e tankeve, vlera dhe nivel profesional. “Katjushat” fishkëllenin, artileria e rëndë gjëmonte, të gjitha llojet e armëve zukatnin me tërsëllëmë dhe tërë gryka e Morinit atë paradite Maji gjëmonte. Oshëtima e armëve më siguri është dëgjuar shumë larg, edhe matanë në Kosovë. Koloneli italian Alessandro (atasheu ushtarak) donte të dinte më shumë për forcat e Divizionit të Tiranës. I jap informacion me mënyrën profesionale të komunikimit. Përkthente Artur Lazemeta. Edhe atasheu kinez, kolonel Huei, me fjalë e superlativa i lavdëroi artilierët për saktësinë e zjarrit, por kuptova që tjetërkund e kishte qëllimin koloneli kinez. Donte që me çdo kusht t’i thoshja ” po, është e vërtetë, sepse kjo është teknologji kineze”. Nuk ia thashë.     

Kolonel Budjoni nuk mori pjesë në këtë qitje luftarake. E nisëm qysh në mëngjes në Tiranë, pasi e lajmëruan që i kishte vdekur i jati. Më erdhi mjaft keq për një nga shokët e mi më të mirë, sepse m’u desh mua t’i jepja i pari lajmin e hidhur. E kam dashur dhe respektuar përherë kolonel Budjonin, si shok shumë të mirë, një profesionist e punëtor i palodhur, oficer me inisiativë. Prezenca e tij në mes të tankistëve më bënte përherë të isha më i qetë. Pavarësisht nga mungesa e komandantit, tankistët vepruan mrekullisht në këtë stërvitje e qitje.

Kjo qitje luftarake më bindi përfundimisht se repartet tona në rendim luftimi ishin në gjendje të realizonin detyra delikate me përpikmëri dhe efektivitet të plotë. Unë e dija se nënkolonel Thoma Konduri nuk “flinte“, ai përherë ishte në punë. Në sistemin e drejtimit të zjarrit të artilerisë sonë kishte shumë të dhëna të siguruara nga zbulimi i Divizionit të Kukësit për “këpushat” që ishin mbjellë matanë kufirit. 

Në mbrëmje oficerët pritën të shikonin kronikën në TVSH. Kuptova nga bisedat e tyre se kishin ngelur të pakënaqur. E çuditëshme. Mirë më parë, por edhe tani që është tepër normale në këtë situatë të tensionuar e deri luftarake duhet të kufizosh sekondat elektronike për të pasqyruar prezencën dhe forcën e ushtrisë tënde? Kam përshtypjen se ndjehemi “fajtorë” dhe sikur kemi frikë nga ndokush që “kemi guxuar” të shkojmë deri në Kukës. Ju lumtë djemve të TV Kukësit, të cilët e dhanë kronikën të plotë disa herë. Populli në Kukës e kishte dashur dhe mirëpritur këtë kronikë në televizion dhe kërkoi përsëritjen e saj atë ditë. U mbyll një ditë e lodhëshme…

Në mëngjez shkova në zyrën e komandantit të Divizionit të Kukësit. Nderova si zakonisht dhe u ula në një nga kolltukët e zyrës së tij. Takime të tilla pune gjatë kësaj periudhe kisha zhvilluar shumë me të. Përherë mbaja qëndrim korrekt e të qetë dhe e dëgjoja me shumë vëmendje. Nga sjellja e tij kuptova se ai diçka donte të më thonte e ndoshta donte të dinte nga unë për “mbresat” e një dite më parë. Ai nuk kishte aftësi të “lexonte“. Jo zoti Gjeneral, për mua ka më shumë rëndësi detyra për të cilën kam lënë familjen time në Tiranë dhe kam ardhur këtu.

Unë dhe shokët e mi jemi krenar për këtë detyrë e që po shërbejmë për kaq kohë në këtë zonë. “Trimi i mirë është me shokë shumë” – kështu thotë populli ynë e këtë edhe t’i duhet ta dish mirë. Nëse ke diçka për të më thënë, më mirë mos ma thuaj sot, le të të brejë sadopak kjo në ndërgjegjen tënde … E lashë me kaq këtë ndodhi.

Lidhje me telefon nga Kukesi (26 Mars 1999)

https://www.youtube.com/watch?v=E4Cj9cUXI9o

Krimi nuk ka të sosur…

Ndodhem në zyrën e shefit të shtabit të Divizionit të Kukësit, kolonel Selimit. Njoftohet në radio, se në pozicionet e zjarrit të artilerisë në fshatin Golaj, bien 7 predha të artilerisë serbe. Ishte momenti, kur në fshat po zhvillohej ceremonia e varrimit të një vajze 15 vjeçare, e cila vdiq nga predhat serbe një ditë më parë. Reagimet e popullsisë u ndjenë edhe mbi repartin ushtarak. Është e çuditëshme. Ndërkohë që mund t’i gëzohesh paqes për momentin, mundet ndoshta t’a kesh të vështirë të mendosh se ç’farë mund të ndodhë më pas në situata të tilla. Diku ky repart ushtarak do të vendosej për të kryer detyrën.

Një telefonatë tjetër informative dhe në zyrë vjen grupi i oficerëve amerikanë i Forcave Ajrore. U përshëndetëm shqip. Ishin të sjellshëm. Kishin filluar të mësonin disa fjalë nga gjuha jonë. U hapën hartat mbi tavolinë dhe filloi shkëmbimi i informacionit. Kërkuan të dinin me koordinata të sakta, nga major Shyqyri Shabani, shefi i zbulimit të Divizionit të Kukësit, se ku mund të ndodheshin bateritë e artilerisë serbe. U kufizuan në një sipërfaqe 6-të km2 nga Qafa e Prushit, Krajlicë deri në fshatin Zhep në thellësi të territorit të Kosovës. Kërkonin, me sa kuptuam, garanci për mundësinë e pranisë së popullsisë civile në këtë zonë. Punuan me kujdes në hartë dhe mbajtën shënim koordinatat.

Vërejta se hartat e tyre nuk kishin të njëjtën kuadraturë me hartat tona. Për disa nga objektivat për të cilat kishte të dhëna u përcaktuan koordinatat me saktësi. U larguan pas 30 minutash duke përshëndetur “allashqiptarçe“. Në orën 20.30-të avionët e NATO-s realizuan një “spektakël” të vërtetë mbi këtë zonë mbi objektivat ushtarake serbe.

Në fushim në këtë ditë mbretëron një qetësi e zakonshme. Raportojnë se nga komunikimi me repartet nuk kishte ndonjë gjë të veçantë. Nga “Aselsani” kuptoja se mesazhet komunikoheshin si zakonisht. Në Orën 22.30-të dëgjojmë në drejtim të Krumës shpërthime të forta artilerie, të cilat përcilleshin deri tek ne me një zhurmë të mbytur.

Në krahun e majtë të vëndvendosjes sonë shtrihej kurrizi i malit të Tregtanit. Nën këmbët e tij në pjerrësitë perëndimore shtrihej qyteti i Krumës. Nga raportimet e menjëhershme në radio kuptova se po goditej spitali i qytetit (xhamia e qytetit ishte improvizuar si spital ushtarak). Kruma ishte një qytet me mbi 5 mijë banorë, por tashmë i trifishuar nga të ardhurit nga Kosova. E kam thënë dhe më parë që në këtë spital kuroheshin luftëtarë të plagosur të UÇK-së, pjestar të Brigadës që sulmoi disa ditë më parë matanë malit të Pashtrikut.

Pas 7-8 shpërthimeve të para, në të gjithë zonën e Krumës dhe të Kukësit u ndërpre energjia elektrike. Ne ndodhemi në një kuotë të favorshme ku n’a jepet mundësia të vrojtonim një pjesë shumë të madhe të zonës së Kukësit dhe drejtimeve më kryesore drejt kufirit. Nga raportimet e para në radio u konstatua panik dhe mungesë informacioni të saktë për atë që po ndodhte në Krumë. E ndjemë veten ngushtë, por mua nuk më lejohej të ndërhyja direkt në këtë radiorrjet.

Pas disa minutash dëgjojmë zërin e qetë e të sigurtë të kolonel Selimit, shefit të shtabit të Divizionit të Kukësit, i cili u kërkoi të gjithëve të ruanin gjakftohtësinë dhe të komunikonin në bazë të rregullave. Më erdhi mirë… Para disa orësh serbët kishin hedhur disa predha artilerie në fshatin Nikoliq dhe kishin plagosur disa fëmijë e kishin dëmtuar disa shtëpi. Banditizëm tipik kolerik serb dhe asgjë tjetër, të zotë vetëm për të goditur të pafajshmit prapa shpine e prapa gardhit.

Në hapsirën mbi zonë pas 10 minutash u dëgjuan zhurmat e avionëve të NATO-s. Goditjet e artilerisë serbe u ndërprenë. Tashmë përvoja kishte treguar dhe të gjithë e dinim se serbët ishin të papërgjegjshëm e të pabesë në veprimet e tyre. Pikërisht sot është dita kur delegacionet e të dy palëve, përfaqësuesit e NATO-s dhe të ushtrisë serbe, u takuan për herë të parë në kufirin maqedonas, në fshatin Kumanovë. Nga transmetimet radiofonike kuptuam se ushtarakët serb kërkonin kohë për t’u konsultuar me udhëheqjen e tyre politike. Për turpin tuaj bastardë të ndyrë, vrasës, të pacivilizuar, kërkonin ende kohë se nuk ishin ngopur akoma me gjakun e njerëzve të pafajshëm dhe krimet që kishin bërë në Kosovë.

Takimin megjithatë e vlerësuam të gjithë si një ogur të mirë për popullin e Kosovës. Të gjithë shpresonim se liria dhe paqja do të vinte shumë shpejtë.

(VIJON)

© Pashtriku.org

———————————–

PSIKOLOGJIA E LUFTËS KUNDËR LUFTËS / LUFTЁS PO I VJEN FUNDI (7)

NGA SULEJMAN ABAZI (Komandanti i Divizionit të Tiranës – ’98 – ‘99 – Kujtime

https://pashtriku.org/psikologjia-e-luftes-kunder-luftes-luft%d1%91s-po-i-vjen-fundi-7/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura