QAZIM KABASHI: MASAKRA E KABASHIT TË PRIZRENIT (MARS – PRILL 1913) Pjesa e parë

Pashtriku.org, 06. 12. 2013 – Në shpatijet perëndimore të masivit malor të koxha ballkanit, të cilin e ndanë nga vargmali i Sharrit: rrafshlarta e Shtërpcës, përballë Dukagjinit lindor jo më larg se 7 km në veri të Prizrenit – shtrihen fshatrat Kabash, Korishë, Grejkoc dhe Shtratinoc, të banuar me Kabash (Shtratinoci është shuar nga malarja kah gjysma e shek.XIX, ndërsa banorët e shpëtuar u tërhoqën në Grejkoc dhe disa në Kabash). Kabashi mbeti pa banorë, në vitin 1997 – u shpërngul familja e fundit në Korishë). Mes tyre gjendet një kodër që ne e quajmë Bokë, e cila më shumë i ndau se i bashkoj. Në hapësirën kodrinore mes Kabashit dhe Korishit është një vendbanim i kohës së bronzit dhe një kala në një kodër që ne e quajmë Gralisht, afër 800 m mbi nivelin e detit. Kalaja – që duket se i përketë kohës së antikës së vonë ose mesjetës së hershme, (mbrenda kalasë është një kishë paleokristijane e madhësisë 21 x 9.5m si dhe gjetje të tjera) – flasin për një rajon të banuar që në lashtësi. Këtë kostatim e plotëson pranija shumë e madhe e keramikës gjithëkund në fshatë dhe në fushë përreth si dhe varrezat tomulare në fund të lagjes Zekaj – në zgjatimin kah fshati Lutogllavë. Po në hapësirën që e ndanë Korishin nga Kabashi, një Kishë e vjetër në shpellën e Shën Pjetrit dhe shumë të tjerave flasin për kristianizmin e popullatës vendore. Punimet e herëpas’hershme të popullatës kanë nxjerrë nga nëntoka arkeologjike 2 pitosa të mdhenjë dhe 2 përkrenare dhe 1 furrë për shkrirjen e metaleve, që e përforcojnë bindjen për lashtësinë e këtyre katër vendbanimeve dhe të kësaj popullate.

Fshati Korishë

 Fshati Korishë

 * * *
Të dhënat e para historike, së paku sipas dijes sime – flasin nga koha e C.Dushanit për një vendbanim të madhë, ku përmendet edhe pronari i tij me emrin Grigor – emër Bizantin (në Acta Albania). Ne nuk e dimë si quhej në lastësi ky fshat, por kronikat e kohës flasin për një vendbanim me emrin Kabash – në luginën e Moravës, para dyndjes së madhe të popujve që ndoshta më vonë banorët e tij u tërhoqën më në jug dhe u vendos në vendin ku është sot. Këtë fakt e përforcon cilësimi Kabashi i Vendit, për ta dalluar nga Kabashi i Hasit, Pukës dhe ai i Moravës. Plotësorin Kabashi i vendit nuk ja dhamë ne por të tjerët (njëri nga ata që përdori ishte kryeministri shumë vjeçar i Shqiprisë – Mehmet Shehu nga jugu i vendit). Gjatë inspektimit të efektivave ushtarake të divizionit të V dhe VI në Kërçovë, në fund të luftës – kur mori vesh se njëri nga Kosovarët ishte sekretar i administratës së brigades së V e pyeti: – nga je ore derëbardh? ai ju përgjegj – nga Kabashi, – nga cili Kabash or derbardh, – ky u përgjegj, unë nuk e di nga cili Kabash por rrugës Prizren – Prishtinë në krahun e djathtë 6 km nga Prizreni. – Ih mor derzi je nga Kabashi i Vendit dhe ju na keni vonu çlirimin e Prizrenit për 6 muaj.
* * *
Meqenëse Kabashi si vendbanim është në një teren kodrinor – malor, në të dy anët e një lumi të vogël në shpatijet e koxha ballkanit, tokë jo fortë e begatë për bujqësi, por i sigurt për kohë të turbullta, i mbrojtur nga terreni i thyer dhe larg rrugëve që në situata të tilla ishin në rrezik. Së paku sa ishin në Kabash, në anën lindore të lumit që quhet mahalla e Zenelit banonin Rexhajt, Muçajt, Bobajt dhe Ukimerët si lagje sipas gjakut. Në anën veriore të atij lumthi, mahalla e gurit banonin: Ahmetajt, Dakajt, Dullajt dhe Kukajt. Në situata të qeta popullata dyndej në Korish rrez atyre shpatijeve, vend i begatë pranë rrugëve ku tani ato sillnin favore. Në Korishë ndarja sipas gjakut nuk u ruajt por u krijuan lagjet sipas territorit. Dyndjet në të kaluarën shkaktoheshin nga dy arsye, siguria dhe kërkimi i tereneve më të begata për zhvillimin e bujqësisë.
* * *
Pranija e legjendës për preardhjen e 4 vllaznive pasardhës të Lekës: Kokë Lekës, Qafë Lekës, Hadër Lekës dhe Lush Lekës në të dy Kabashët, atë të vendit dhe të Pukës – flet për të njejtën popullatë, por me pikëpytjen – cili vendbanim është pritës e cili përcjellës, kjo mbetet të shihet. Në Korishë rreth kësaj teme kanë ekzistuar dy versione për ardhjen e këtyre banorëve. Bartës i versionit se kabasht janë ardhës ka qenë Abdulla Sylejmani – Kabashi “ai thoshte se kabasht janë ardhës, janë Kolonjar – pra jugor të ardhur në Pukë dhe ishin vendosur në një mal afër Pukës. I pari i Pukës kur informohet për praninë e disa njerzëve që s’po shqetsonin kënd i fton në konakun e tij, i porosit njerëzit e tij t’ju shërbejnë me ushqime, por së prapthi pa ju qit me i la duartë dhe pastaj nga ushqimet më të vlershme ose më të kushtushme për ta përfunduar me supë. Por ata nuk e pranuan këtë rend, së pari kërkuan t’i lanin duartë pastaj servirjen e ushqimeve sipas vlerës. Kur familjarët e tij i thanë për gjithë këtë rend ai u tërhoq nga i pari i vendit në favor të tyre. Dhe gojdhana vazhdon tani, i pari i kishës i fton në kishë për ti njoft me shejtnit e kishës, dhe kur prifti tha se ky është zoti në ikonë njëri nga 12 kabasht këkoj një sopatë për ta vrarë zotin, pra del se ishte ikonokllast”.
Bartës i versionit se kabasht janë vendas është Ramë Muharrem Dakaj. Ai thoshte se kabasht kanë ikur nga Kabashi i vendit para ardhjes së Turqve nga zullumi i serbëve dhe janë kthyer në vendin e tyre pas vendosjes së Turqve në këto troje por edhe ai e thotë si të krishter. Me gjithatë legjenda tjetër thotë – se, themelues janë: Zeneli dhe Ahmeti – dy vllezër Hadroj të Islamizuar. Në Kabashin tonë nuk ka Qafali. Hadroj janë pjesa dërmuese e lagjeve të banorve Kabash/Korishë. Lushaj janë banorët e Grejkocit – 3 lagje të Mushlakut, Dakajt, Dullajt, Kukajt dhe Bobajt në Korishë. Dakajt (Gegajt) e Korishit janë Kokëlekë.
* * *
Diku kah gjysma e shek. XVIII kabasht tanë filluan të lëvizin në kërkim të tokave të bukës ose jetës më të mirë. Në vitin 1780 katër familje tona u vendosën në afërsi të Vitisë dhe formuan Kabashin e sotëm të Moravës. Për të tjerët që u vendosën në fshatrat Mushtisht, Studençan, Leshan, Optorush dhe të tjerat më në veri nuk kemi data. Në Prizren u vendos familja e parë, ajo e Mulla Abazve në vitin1815 dhe ajo e Sahit Brahës në vitin 1825, që të dyja të lagjes së Muçajve. Pjestarë të këtyre familjeve, por dhe një degë e Imerve – e Bajram Imerit shtegëtuan më larg deri në Stamboll. Kështu ndodhi edhe me pasardhësit e atyre që u vendosën në Moravë që shtegtuan në Shkup, Saraj por edhe në Turqi. Pjesëtarët e këtyre familjeve që u vendosën në Prizren, Shkup dhe Stamboll e gjetiu u integruan në popullatat e atjeshme dhe u inkorporuan në establishmentin e pushtetit, por kurrë nuk u tjetërsuan, mbetën shqiptar dhe Kabash.
Psh. Bajram Efendiu, kryesekretar i Sulltan Hamitit në Stamboll, Vebi Efendiu, Vali në Selanik, Haxhi Destani, Shyqëri Sylejmani, Abaz Selmani dhe Gjemajl Efendiu në Prizren. Kabasht e Prizrenit i implikuan edhe kusherinjët e tyre në ngjarjet që do të ndodhin në kohën e krizës lindore, se kishin nevojë për mbështetjen e tyre. Atëherë, dalin në skenë emrat e parë: Sahit Uka, Haxhi Rrusta, Ukë Ukimeri, Sylejman Imeri e të tjerë, përballë ngjarjeve të mëdha që i bënë emër Kabashit. Sahit Uka që u nxu robë në luftën ruso-turke dhe u internua në Rusi, pas kthimit nga internimi u kyq në rrjedhat kombëtare që i paraprinin ngjarjeve të dimrit 1912/13. Ukë Ukimeri u zgjodh në kryesinë e degës së Prizrenit – të Lidhjes Shqiptare. Haxhi Rrusta udhëheqës i kryengritjeve shqiptare deri në vitin 1910, kur u kap dhe u varë në Shatërvan. Syleman Imeri e vrau prokurorin e Prizrenit – Reis Efendiun edhepse si ushtarak osman – kalors (qaush) ishte dekoruar për guxim dhe trimëri me dekoratën Ovshar – që kishte filluar të ipej pas luftës së Krimes.

Memoriali i Rrustë Kabashit në Sheshin “Shadërvan” të Prizrenit.
========================

Xhafer Ahmetaj – këngë për atdhetarin Rrustë Kabashi

* * *
Me temën, masakra e Kabashit, janë marrë edhe të tjerë, e sidomos pas vitit 1986, kur sipas porosisë së Vahid Kabashi, Fehrat Kabashi atëherë 72 vjeç, voli të dhënat e një grupi personash të moshuar informuesish (Ramë M. Dakaj 97 vjeç, Sali H. Ahmetaj 85 vjeç, Nuhi A. Kabashi 80 vjeç, Rrustem A. Kabashi 68 vjeç dhe Rexhep N. Ukaj 60 vjeç) dhe në bashkëpunim me Xhafer Kabashin hartuan një listë emrash të atyre që u prenë te Manastiri i Shën Markut, të atyre që u vranë te ara në Ograjë dhe te përroni i Duhit. Caktuan një datë 13 marsin e vitit 1913 dhe për çudi ishin shumë afër të saktës, megjithëse u mbështetën vetëm në mbamendjen e informuesve. Këta, atëherë nuk e dinin se Sreten Martinoviq në punimin ”Qëndrimi i ushtrisë serbe ndaj Shqiptarëve në tokat e pushtuara” në Gjurmime Albanologjike, seriali historik, Prishtinë 1977 dhe Dr.Liman Rushiti në “Lëvizja e kaçakve të Kosovës“ Prishtinë 1979, ishin marrë me këtë temë, kishin dhënë shifra dhe data, por nuk kishin ofruar kurrfarë liste emërore ose regjistër emrash të atyre që u masakruan.
Poashtu ata nuk e dinin se kryesekretari i prefekturës së Prizrenit, Niko Lafe në vitin 1943 për nevojat e qeverisë në Tiranë, kishte shkruar për masakrat e Serbisë në Dukagjin dhe kishte ofruar edhe një regjistër emrash. Dhe mu për këtë zotrinjtë Xhafer e Vahid Kabashi me grupin e informuesve të tyre meritojnë lavdata dhe respekt të veçantë.
* * *
Para se të provoj të jap një kontribut modest në ndriçimin e kësaj ngjarjeje të dhimbshme të historisë sonë, jo të largët të Kabashit dhe Korishit, sepse janë e njejta popullatë, edhe pse në dy vendbanime, njëri malorë e tjetri fushorë, në vija të trasha do t’i theksoj rrethanat që quan në zhvillimin e këtyre ngjarjeve tragjike. Dobësimi i perandorisë osmane ose siç e quanin ndryshe personalitete europian e ‘smuara e bosforit’, në qerekun e katërt të shek. XIX, i intrigonte borgjezitë ballkanike dhe përkrahësit e tyre monarkitë europiane e sidomos atë ruse, e cila mbahej si mbrojtëse e ortodoksisë. Perandoria osmane pra u bë arenë ngjarjesh dramatike që sollën krizën ndërkombëtare të njohur me emrin “kriza lindore” dhe me traktatet e Shën Stefanit (3.03.1978 e të Berlinit (13.06. 1878) me të cilat u krijua harta e re politike e ballkanit. U krijuan shtete të reja si: Serbija, Mali i Zi dhe Bullgaria, kurse për territoret që s’u morën vesh mes veti do të ruhej perandoria osmane në Ballkan, derisa fuqitë e mëdha t’i harmonizonin interesat e tyre. Shqiptarët përballë rrezikut të copëtimit të tokave të tyre dhe si rezultat i zgjimit nacional (Rilindja Kombëtare) ju kundërvunë edhe politikisht edhe ushtarakisht kësaj politike, që synonte t’i zhbënte edhe si popull edhe si vend. Themeluan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, më vonë atë të Pejës, organizuan një varg kryengritjesh të armatosura, sidomos pas vitit 1908, kur ndodhën aneksimi i Bosnës dhe revolucioni borgjez xhon’turk.
Monarkit Ballkanike synonin të zgjeroheshin në tokat juridikisht turke, e në fakt ishin toka shqiptare dhe maqedonase. Në harmoni me këtë politikë shtetet ballkanike mbajtën qëndrim armiqësor ndaj kryengritjeve shqiptare të viteve 1908-1912, e sidomos asaj të përgjithshmes të vitit 1912. Gjatë vitit 1911/1912 shtetet ballkanike krijuan aleancat në mes tyre dhe me klauzola të veçanta të fshehta ishin marrë vesh për ndarjen e tokave shqipare e maqedonase. Të frikësuar se kryengritja e përgjithshme mund të jepte rezulltate, shtetet ballkanike vendosën të hyjnë në luftë kundër Turqisë. Me 1 tetor 1912 trupat malazeze kaluan kufirin Malazezo-Turk, me 16 tetor e bëri këtë veprim edhe ushtria serbe, kështu filloi konflikti me përmasa rajonale i njohur me emrin Lufta e parë ballkanike. Mbështetësit e luftës së tyre, fuçitë e mëdha (vendet e antantës) nuk e parashikuan se ngjarjet do të mernin rrjedhë të tillë dramatike pas betejave në Merdar (16-19.10.1912) dhe në Kumanovë (23-24. 10. 1912). Pas Fitoreve të ushtrive të vogla, por të freskëta ballkanike në Merdare dhe Kumanovë filloi ndjekja e ushtrisë turke. U pushtuan qytetet e mëdha si Shkupi, Prizreni, Manastiri dhe Edrena, ndërsa Shkodra dhe Janina u rethuan. Pas ndërprerjes së luftimeve dhe disfatës së Turqisë, filluan bisedimet e fuçive të mëdha të të dy taborreve në nivel të ambasadorëve në Londër (17.12.1912).
Qeveritë ballkanike megjithëse ishin marrë vesh qysh para luftës për ndarjen e tokave, territorin në jugëperëndim të Rodopeve dhe në verilindje të Sharrit e kishin lënë ta zgjidhnin me arbitrazhin e carit rus.
Me të përfunduar të luftës së parë ballkanike shpërthyen zënka në mes të Serbisë dhe Bullgarisë për territorin e kontestueshëm (lufa e dytë ballkanike), aleatët e deridjeshëm, por edhe Turqia mbajtën anën e Serbisë. Lufta e dytë ballkanike i dha fund projektit të fuqive të mëdha për ruajtjen e pranisë turke në Shqipëri. Fuqitë e Mëdha në seancën e 7 korrikut 1913 (të Konferencës së Ambasadorëve në Londër) njohën pavarësinë e Shqipërisë, të shpallur me 28 Nëntor në Vlorë.
Në prag të luftës së parë ballkanike krerët e Lëvizjesë Kombëtare Shqiptare e hetuan me kohë rrezikun që i kanosej tokave shqiptare, u takuan në Shkup me 14 tetor dhe përballë situatës së krijuar morën qëndrim, se “shqiptarët po i rroknin armët për të mbrojtur atëdheun në rrezik”. Për të mos i lënë hapësirë diplomacisë dhe për ta bërë të paevitushëm luftën me Turqinë, komandanti i aradhës çetnike të Llapit, Voisllav Tankosiç e sulmoi ushtrinë turke në Prepallac me 14 X. 1912. Në luftë hyri armata e III serbe me 70.000 ushtarë e komanduar nga gjeneralit Bozha Jankoviq me 16 X. Përballë tij ishte rreshtuar Korpusi turk i Prishtinës me afro 20.000 trupa i komanduar prej Ali Rizah Pashës. Luftimet zgjatën 4 ditë dhe përfunduan me thyerjen e ushtrisë Turke. Prishtina ra me 22 korrik 1912, dy ditë më vonë komandanti Ali Rizah në një letër dërguar Isa Boletinit i ankohej për mos luftimin e shqiptarëve (sabotimin) përkundër faktit se ata i kishin marrë 63.000 pushkë nga magacinat e shtetit.
Armata e parë Serbe që komandohej nga regjenti Aleksandër Karagjorgjeviç dhe gjenerali Mihailo Zhivkoviç u rrjeshtuan në krahun e djathtë, kurse armata e II në krahun e majtë kah kufiri me Bullgarinë. Pas fitores në Merdare, armata e III-të prej 110.000 ushtarësh marshoi drejt Kumanovës, ku kishte përballë armatën turke të Vardarit prej 58.000 ushtarësh, të komanduar prej Zeki Pashës. Luftimet në Kumanovë zgjatën 2 ditë dhe përfunduan me fitoren e Serbisë. Në Shkup, forcat serbe kapën disa nga krerët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në mesin e të cilëve Hasan Prishtinën, Nexhip Dragën, Idriz Seferin etj., dhe i burgosën në Kështjellën e Kalemekdanit në Beograd.
* * *
Rendin dhe sigurinë në rrafshin e Kosovës e mbante divizioni i Drinës, i mobilizimit të dytë. Në Mitrovicë ishin dislokuar trupa të armatës së parë e ashtuquajtura “armata e Ibrit”. Në kohën kur aradha lindore malaziase po marshonte drejt Dukagjinit, komandantit të kalorsisë të divizionit të Drinës, majorit Ostoiq, ju dha urdhër të marshonte drejt Prizrenit. Majori Ostoiq, me 30. X. 12 hyri në Prizren, por pozicioni i trupave të tij qe i brisht. Për ta përforcuar pozicionini e trupave serbe në Prizren ju dha urdhër divizionit të Shumadisë të mobilizimit të parë, të depërtoj nga Ferizaj nëpër bjeshkët e Sharrit për në Prizren. Në bjeshkët e Kabashit këtij divizioni iu bë rezistencë e madhe nga burrat e Kabashit të udhëhequr nga Imer Uka. Nga Prishtina u nisë në drejtim të Prizrenit edhe divizioni I i Drinës i mobilizimit të dytë. Me 3 nëntor zuri urën e shenjtë dhe me 4.XI 1912 hyri në Prizren e në Gjakovë. Trupat serbe të armatës së parë në Prizren u riorganizuan në aradhën bregdetare, dhe u nisën për në Durrës, ëndërr e vjetër e borgjezisë Serbe. Marshimi i trupave serbe grykës së Drinit qe i randë me humbje të mëdha sidomos të mëdha qenë humbjet në Gomsiqe dhe në Flet. Në të njejtën kohë forcat ushtarake Malaziase, të grupuara në 2 aradha, të Zetës dhe të bregdetit, në përbërje prej 23000 vetësh rrethuan Shkodrën, të cilën e mbronte një garnizon i vogël ushtarak prej 10.000 vetësh i komanduar prej Hasan Rizah Pashës. Trupat malazeze u takuan me ushtrinë serbe në Lezhë. Arrestimit të krerëve të lëvizjes kombëtare shqiptare i patë shpëtuar Isa Boletini, i cili po tërhiqej drejt jugut sipas porosisë së Ismail Qemalit. Delegacioni shqiptar i kryesuar nga Ismail Qemali takoi në Vjenë ministrin Austro-hungarez të punëve të jashtme dhe ambasadorët e Gjermanisë dhe Italisë. Ministri Berthold dhe ambasadorët gjerman e Italian i premtuan ndihmë Ismail Qemalit. Ngjarjet dramatike që po zhvilloheshin në Ballkan dhe depërtimi i shpejt i trupave serbe në tokat shqiptare e detyruan Ismail Qemalin ta ndërroi itinerarin e udhëtimit. Dhe në vend që të vazhdoi për Berlin, Paris e Londër u kthye në Triestë.

Rrënojat e Kishës së Kabashit, ku u krye masakra e vitit 1913!

Dhe nga aty ai i porosiste parinë e qyteteve shqiptare që sa më parë të zgjidhnin delegatët e tyre dhe t’i nisnin për në Vlorë – se situata nuk priste. Në Durrës, Ismail Qemali arriti më 25 nëntor. Pjesën tjetër të rrugës Ismail Qemali e kaloi ilegalisht, largë rrugëve, për t’i ikur urdhërarrestit nga Esat Pashë Janina. Në natën në mes të 27 e 28 XI 1912, zhvilloi punimet Kuvendi Kombëtar Historik në Vlorë, ku u shpallë Pavarësia e Shqipërisë dhe zgjodhi Qeverinë e Përkohëshme Shqiptare, të kryesuar nga Ismail Qemali. Qeveria e dalë nga Kuvendi i Vlorës bëri edhe hapat e parë jo vetëm për njohjen ndërkombëtare të saj, por edhe për ruajtjen e tërësisë territoriale.
* * *
Pas përfundimit të luftës së dytë ballkanike (maj – korrik 1913) me 7 korrik 1913, konferenca e fuqive të mëdha në nivelë të abasadorëve: 1) Njohu pavarësinë e Shqipërisë, 2) Me regjim monarkistë, 3) Për Mbret të Shqipërisë do të caktohet më vonë – një princ i krishter (protestan) europian, 4) Do të caktoi një komision ndërkombëtar për caktimin e kufijve dhe 5) Dhe një komision ndërkombëtar të kontrollit si pushtet ekzekutiv deri në cakimin e mbretit. Akoma pa u bë i ditur fati i shtetit shqiptar, pushtuesit e rinjë u munduan që në tokat e pushtuara të organizojnë pushtetet e tyre.
* * *
Në këtë frymë mbreti Petër i parë Karagjorgjeviq me 27.XII. 1912, nënshkroi një dekretligj mbi vënjen e pushtetit ushtarak në tokat e pushtuara, në bazë të të cilit vendoset, pushteti ushtarak, që ka në krye komandën supreme me seli në Shkup. Në mbështetje të rregullave të dala nga ky dekretligj nëpunësit në terren i emëronte komanda supreme, të propozuar nga ministrat e resorve përkatës. Themelimi dhe organizimi i njësive administrative komunale dhe emërimi i nëpunësve komunal e kishte në kompetencë pushteti policor. Që ta mbanin rendin dhe sigurinë në territoret e pushtuara ishin vendosur roje ushtarake dhe policore që të kontrollojnë lëvizjet e njerëzve ditë e natë. Brahim Sahiti (i Sahitukajve) një natë të dimrit të vonë të 1912/1913 shkon për ti vizituar barinjët e tij në stanin që kishte në krye të Korishit, në vendin e quajtur Balec dhe bie në pritë të rojeve ushtarake. Krisën pushkët por pa pasoja për të dy palët. Incidenti i armatosur me Brahim Sahitin si dhe rezistenca e armatosur që iu bë divizionit të Shumadisë – në gjysmën e dytë të tetorit dhe fillimit të nëntorit të vitit 1912, për pushtetin ushtarak Serb në Prizren qe shkak i mjaftueshëm për të ndërmarrë ekspeditë ndëshkuese kundër Sahitukëve. Me sa duket nuk e kishin llogaritur mundësinë e rezistencës së armatosur. Trupat serbe pësuan disfatë dhe tërhiqen duke lënë të vrarë. Kufoma e një ushtari të vrarë u dogj për arsye të pashpjeguara.
Në fillim të marsit 1913, divizioni i Shumadisë i bëri rrethim të hekurt të dyja fshatrave, Kabash dhe Korishë, popullatës i dha ultimatum që të shkonin në konakun e manastirit, deri në orën 12 të datës 16 mars 1913, për të marrë dokumente të identitetit për lëvizje të lirë, se për ndryshe, kushdo të zihet pa to, do të pushkatohet.
Në hyrje të punimit e theksova, se ishte një synim imi dhe një borgj ndaj gjeneratës së re me ndihmuar në vendosjen e një date të saktë, se kur ka ndodhur kjo ngjarje e dhimbshme si dhe për të dhënë një kontribut modest në hartimin e listës emërore të atyre që pësuan, ku pësuan dhe kur e pësuan, sepse unë konsideroi, ndoshta pa të drejt, se ka ende çka të thuhet e të shkruhet.
Një paraardhës i familjes sime, Abdullah S.Kabashi* i lindur përafërsisht në vitet e Lidhjes së Prizrenit (vdiq në vitin 1973 në moshën 93 vjeçare), i arrestuar me të tjerët në konakun e Manastirit shpëtoi dhe unë që në moshë të re e dija versionin e tij. Unë kujtoi se ai ishte njeriu më i kthjelltë i kohës së ngjarjes *.

( VIJON… )

============================

QAZIM KABASHI: MASAKRA E KABASHIT TË PRIZRENIT (MARS – PRILL 1913)
– Pjesa e dytë –
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=2185

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura