HAZIR MEHMETI: KUR HELMOHESHIN LULËKUQET E KOSOVËS, 1990!

Vjenë, 27 Mars 2020: Nga përjetimet e mësuesit në ditën e helmimit të nxënësve shqiptarë në Kosovë nga agjentë ushtarak e policor serb.
Ishte ditë pranvere kur lakuriqët e natës vrisnin manushaqet që paralajmëronin pranverën e Lirisë. Atë ditë mbinin Lulëkuqet e Kosovës me aromë e rrënjë shekullore në dheun e bekuar shqiptar. Pranverë kur nga qielli binte shi dhe lot nënash. Pranverë, kur poeti thurte vargje në pavdekësinë e pranverës sonë.

Në shenjë respekti për të helmuarit dhe gjithë atyre që ndihmuan pa kursim, po nxjerr nga ditari i mësuesit një moment përkujtues. Helmimi i fëmijëve shqiptarë është akt kriminal, aktorët e së cilit duhet gjykuar në Gjyqin e Hages, AUBIN HEYNDRICKX, toksikolog ndërkombëtar.
E premte, 23 mars 1990.
Është një ditë e pazakonshme. Filluam punën në ora shtatë të mëngjesit, nxënësit nuk janë në klasë. Ata si duket të frikësuar nga helmimi i më shumë se 200 nxënësve një ditë më parë dhe nuk hynë në klasë. Të gjithë arsimtarët dalim në oborr të shkollës. Nxënësit sot kishin ardhur në numër të vogël diku rreth 300-400 veta (shënim, Qendra Shkollore “Muharrem Bekteshi” kishte 3100 nxënës). Pas pak nxënësit dhe ne filluam të hyjmë, papritur një nxënëseje i bie të fiktë në hyrje të shkollës Bahrije B. II-7, drejtimi i biologjisë. Menjëherë reagojnë shokët e shoqet e klasës së saj, e marrin në duar deri në veturën time, e sjelli në Shtëpinë e Shëndetit ku organizimi ishte i mirë dhe urgjentisht i japin ndihmën, por helmimi kishte qenë i fuqishëm dhe kështu duhej bartur në Spital në Mitrovicë ku ndalet për shërim disa ditë.
Pas kësaj fillon helmimi, disa nxënësve të tjerë u bie të fiktë nga helmimi. Shumë vetura hyjnë në oborrin e shkollës të gatshme për të ndihmë, kështu krijohet një ambient i rëndë i paparë ndonjëherë. Si duket helmet kimike janë shumë të forta dhe për ne të panjohura.
Pas dite, aty rreth orës 13-të sëmurët edhe kolegu ynë Abein Salihu, profesor i historisë, të cilin po ashtu me veturën time e bartim deri në shtëpinë e shëndetit në Vushtrri. Në korridorin e shtëpisë së shëndetit ishin shtruar shumë dyshekë të mbushur me të sëmurë, kryesisht të rinj. Një vajzë 12-13 vjeçe dy mjek e motra ia ngjishnin këmbët e masazhe tjera për ta shpëtuar.
Vajza rënkonte fuqishëm, kurse ata i jepnin injeksione e infuzion, por përpjekjet e mjekëve për ta qetësuar ishin të kota. Prindi i saj, një burrë rreth 45 vjeç qante te kryet e vajzës. Disa të sëmurë tjerë të shtrirë ishin të alivanosur e të pa lëvizshëm. Pas pak çastesh qëndrimi pranë kolegut, Prof. Abedin Salihu, në këto skena tragjike e sjellin një fëmijë 3-4 vjeç të alivanosur. Motra medicinale e mbante me kujdes në krah, kurse mjeku i tregonte vendin ku duhet vendosur për t’i dhënë ndihmë. Një njeri me moshë rreth tridhjetave e përcillte skenën i mërzitur dhe i shqetësuar. Dukej se secili ishte i shqetësuar dhe secili priste momentin që të rrëzohej përtokë.
Nga kjo skenë tragjike shumica qanin. Nganjëherë dëgjoheshin britma grash që vinin nga oborri i shtëpisë së shëndetit. Po në këto momente ishin tubuar shumë njerëz me veturat të gatshëm të ndihmonin të helmuarve vullnetarisht pa marr parasysh pasojat.
Në mbrëmje TV Beogradi në emisionin e lajmeve këto skena quhen pa asnjë turp, skena të inskenuara, simulantë e të kurdisura. Vallë, a është e mundur a po më bëjnë veshët, çfarë fjalësh ironike. Ku është humanizmi? Ku është ndërgjegjja?
Sa për ngushëllim i përgjigjem vetës: Njerëzit që e hodhën helmin u zbuluan vet. Pikërisht, skenaristi zbuloi perden e tragjedisë.

Këto ngjarje tragjike do shkruhen në Rilindje një ditë më vonë, shkrim nga gazetari, tani i ndjerë, Shefki Popova.
Kjo ditë ishte shkaku i arrestimit të autorit nga policia serbe pak ditë më pas.

Rilindja, 24 mars 1990, shkruan gazetari Shefki Popova
Pas tridhjetë vjetëve në Vjenë, rastisi të marr dhuratë simbolike dy portrete të emrave të njohur shqiptarë, Dr.Ibrahim Rugovës dhe poetit Ali Podrimja, nga shkrimtari dhe fotografi profesionist austriak Peter Paul Wiplinger. Ky mik i madh i shqiptarëve i kishte shkrepur para 60 vjetëve në Bledin turistik të Sllovenisë.
Poeti ynë i madh, Ali Podrimja do shkruan poezinë e tij të fuqishme Ndjesë.


NDJESË


Nuk janë yje vogëlushi im
kokarda janë sy të shqyer
vrarë e terr majë thikash

 

Nuk janë lodra vogëlushi im
tanke janë çizme hataje
Marshojnë nga të rëndë

 

Nuk janë sheqerka vogëlushi im
helme janë Dorë e Zezë
nateditë mbi ty i derdh
e temjan

 

Në këtë haklitje shpirti
ndjesë të kërkoj vogëlushi im
nëse ndonjëherë të kam rrejtur
se iku fashizmi
Ali Podrimja

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura