(Prizren, 16. 03. 2013) – Një shkrim për kreun e komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, këtë javë, nënkupton se je brenda modës më shumë së asnjëherë tjetër. Në fokus të mediave ishte padia e ngritur nga Prokuroria e EULEX-it ndaj zyrtarit më të lartë prizrenas dhe disa vartësve të tij. Dyshimet e ngritura për shpërdorim të pozitës zyrtare, për përfitime të kundërligjshme në kurriz të pronave të komunës, shkaktuan reagime të ndryshme si herëve tjera edhe në vetë qarqet zyrtare të Prizrenit, për dallim nga rastet e natyrave të tilla të ngritura nga drejtësia vendore, të cilave duket se pushtetarët nuk ua vinin shumë veshin. Disa nga prizrenasit mbetën të habitur nëse kryetari i shtyrë nga mosha është përfshirë në afera të tilla, “modë” kjo që në qytetin jugor nuk është e rrallë.
Pesë vjetët e drejtimit të Prizrenit nga profesori Muja
Pothuajse një anonim në politikën lokale, Ramadan Muja në postin e të parit të Prizrenit erdhi më 2008, vetëm disa muaj pasi organizatat monitoruese të Kuvendit të Komunës, e patën shpallur ndër kuvendarët më pasiv të organit më të lartë lokal, përderisa ai ishte edhe përfaqësues zyrtar gjatë lidhjeve martesore, punë kjo që më tepër synon marrjen e një mëditjeje, aq më tepër nga njerëz, që për nga profesioni i tyre pritet më tepër se kaq.
Përderisa garën e parë elektorale Mujës ia bënë aktivistët e subjektit, fushatën e dytë tashmë kryetarit që nuk tregoi ndonjë performancë gjatë mandatit të parë, që e nisi me përçarjet brenda vetë asambleistëve të subjektit të tij, kur nuk pajtoheshin për zgjedhjen e drejtorit të administratës, u detyrua t’ia bëjë vetë shefi i partisë Hashim Thaçi, që për të mos lejuar dështim që në fillim, pasi mandati i parë i kryetarit komunal në shtetin e Kosovës ishte dy vjet. Kjo situatë, jo vetëm e detyroi Thaçin që bashkë me një pjesë të kabinetit të qëndronin për disa ditë në Prizren, por madje kryeministrit iu desh të qëndronte këmbëkryq edhe nëpër dhomat më të largëta të zonave malore, në kërkim të votës për Mujën, duke premtuar realizimin e së paku pesë projekteve më të nevojshme për banorë.
Muja mbahet mend për shkak të përsëritjes së balotazhit për kryetar
Rezultati i ngushtë në rrethin e dytë zgjedhor, ku si PDK ashtu edhe LDK shpallën fitues kandidatët e tyre për kryetar komune, detyroi Mujën të rifutej në përsëritjen e kësaj gare, kësaj radhe për të tretën herë, rast ky i pari i kësaj natyre në vend.
Rizgjedhja për herë të dytë në post, tashmë kur nuk e kishte afër shefin e degës Zafir Berishën, që ishte larguar nga partia, duket se e trimëroi Mujën, që edhe mandatin e dytë mezi arriti ta formojë ekzekutivin, për shkak të problemeve rreth hises që duhet t’ia jepte partnerit në koalicionin lokal AKR-së, që PDK-së ia shkëputi më shumë drejtori sa pati këshilltar në Asamblenë Lokale.
Profesorit Muja gjithnjë e më shumë i hynte në qejf pushteti, ndërsa veten e shihte superior, sikur zakonisht bëjnë profesorët me mentalitet të vjetër, ndaj studentëve në provime. Pasi u bë kryetar, atij nuk i interesonte si e arriti këtë, duke mos përfillur shumë njerëz që e ndihmuan për mbajtjen e pushtetit.
Sjellja e tij, nisi ta demantonte deklarimin e tij nëpër rrethe të ngushta miqësore, në mandatin e parë, kur deklaroi se, nuk pretendonte ta vazhdonte karrierën aq më tepër në këtë moshë.
Madje, në një farë humori njëherë pati treguar një thënie, që ish-kryetari i komunës Eqrem Kryeziu, ia kishte thënë gjatë një sqarimi rreth pagesës së qirasë së objektit të komunës që ndodhet në objektet e ish-“Bankosit”. Muja pati pohuar se Kryeziu i kishte thënë, që në fillim të mandatit të mos deklarohej i painteresuar për pushtet, pasi, sipas tij, nga përvoja Kryeziu kishte parë se me kalimin e kohës, ky mision i kishte hyrë në qejf.
Veprimin kësisoj të Mujës e dëshmoi edhe angazhimi i familjarëve, sidomos djalit të tij në struktura të larta partiake. Babë e bir morën pjesë edhe në Konventën e fundit të PDK-së. Muja ndërkaq, konkurroi përsëri për kryetar të degës, por doli i dyti, pas deputetit Nait Hasani.
Shumëkush priti që në mandatin e dytë Muja ta shfrytëzojë eksperiencën e fituar dhe ta rriste performancën në qeverisje, por atij që në fillim i doli sfida, duke treguar se nuk mund t’i menaxhonte punët brenda partisë, ndërsa ‘rebelimi’ i asambleistëve bashkëpartiakë dhe nevoja e numrave në Kuvend, e detyruan ta ftojë në pushtet AAK-në, e cila para dy muajsh, gjatë zgjedhjeve lokale të 2010 duke qenë krah i Zafir Berishës kishte hedhur gurë e dru mbi Mujën dhe partinë e tij.
Gjatë përurimit të projekteve Muja me vete merrte tërë stafin ekzekutiv, ani pse projektet ishin vetëm pjesë e një fushe dhe nuk kishte nevojë për shpenzime të panevojshme nga drejtorët, që në këto raste si duket dilnin për t’i ikur punës dhe për reklamim nëpër mediat lokale, e që kur deklarohej kryetari ata mblidheshin te koka e tij, që sa më tepër të jenë në fokus të kamerës.
Muja përuronte kabinete nëpër shkolla, ndërsa para fëmijëve mbante fjalime të gjata dhe monotone për moshat e tyre prej filloristësh. Ngjashëm vepronte edhe nëpër tubime të tjera. Ndonëse zyrtar politik, më shumë ai fliste për çështje teknike të objekteve të realizuara, si bie fjala për numrin e klasave apo të bankave të një shkolle, se sa potenconte politikat menaxhuese të komunës.
Gjatë qeverisjes ai disa herë pati përçarje me drejtorët e zgjedhur, duke shkuar deri aty sa disave u ka thënë se nuk i duhen, por që më vonë, kishte ndryshuar qëndrim, e për më keq kjo binte në sy, kur me “të padëgjueshmit” më pas, ai afrohej edhe më tepër. Për më keq, përkundër që pati shumë kritika dhe ngritje akuzash nga ana e drejtësisë, ai nuk qe në gjendje ta drejtojë gishtin ndaj asnjërit prej bashkëpunëtorëve, ndërsa qytetarët komentonin se kjo ishte e pamundur për shkak të lidhjeve zinxhirore. Një situatë tjetër ndërkaq ishte parë në qeverisjen paraprake të komunës, kur ish-kryetari Eqrem Kryeziu (LDK) pati shkarkuar disa drejtorë komunalë, disa prej të cilëve pas trysnisë së opozitës së atëhershme PDK-së.
Në pushtet mund të thuhet se Muja pati fat vetëm për mungesë të veprimit opozitar. Kryetarin më shumë e “djersitën” bashkëpartiakët në Asamble sesa opozita. Kjo pranohet si nga pushtetarët ashtu edhe nga disa që mundohen të jenë opozitarë, sipas të cilëve nuk janë të rralla drekat e përbashkëta. Muja mbahet mend edhe për këtë.
Në vend që tash në moshën 74-vjeçare, prof. dr. Muja, në qendër të opinionit të ishte për botimin e ndonjë vepre historike, për ngjarje që në rajonin e Prizrenit nuk janë të pakta, e kjo të diskutohej në media, profesorit të historisë, që ka ligjëruar në ish SHLP-në e Gjakovës, tashmë i duhet të gjejë ndonjë avokat “që nuk do të dezertojë” nga mbrojtja e tij para gjykatës dhe atë për akuza më të rënda në mentalitetin shqiptar për shpërdorim detyre. Për t’iu ikur mediave, sikur herën tjetër, kur ai ishte marrë në pyetje në Prokurorinë e Prizrenit, pas deklarimit, atij sigurisht do t’i duhej të dalë nga ndonjë derë sekondare e padukshme. Ky padyshim është një leksion i keq apo jo!
…………………………………………
(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org)