QAZIM SHEHU: RAMIZ CËRNICA, ABDYL FRASHËRI I PRIZRENIT

Tiranë, 09. 04. 2015 – Figurat historike të popullit shqiptar shpesh kanë kaluar nëpër tymin e kohëve për të na sjellë nëpër bërjen dhe zhbërjen e kujtesës një tronditje të thellë. Populli shqiptar është dashur të provojë kthesa të veçanta dramatike dhe pikërisht atëherëjanë vënë në provë puthadorët e të huajve, njëherësh si geni zjarrtë impulsiv i racës kanë dalë edhe njerëz të pamposhtur, të cilët, pa u trembur, kanë qëndruar ballas, edhe pse e keqja përkohësisht i ka dënuar. Puthadorët janë mbuluar me turpin dhe llumin e historisë, ndërsa atdhetarët e vërtetë ky popull nuk i ka harruar dhe nuk do të ngurrojë asnjëherë t’i harrojë, pse vepra e tyre vihet gjithnjë në interesa madhore të bashkimit të popullit, të prosperitetit dhe mbrothësisë kombëtare.
Rastësisht më ra në dorë nga miku im, Ndue Dodaj, libri i Ismet Sylejmanit për Ramiz Cernicën.
Si gjithnjë, çdo libri përpiqem t’ia marr esencën, sidomos një libri që shkruhet për një njeri. Dhe aty gjeta esencën dhe madhështinë e një burri të madh të kombit, i një njeriu me zemrën kockë e fortë siç ishte Ramiz Cernica.
Në korrik të vitit 1945, në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës, si delegat i Gjilanit, Ramiz Cernica doli kundër diskutimeve tradhtare antishqiptare, duke iu kundërvënë hapur shovinizmit serb. Parulla sintagmatike e tij ishte: “Me Serbinë jo, me Shqipninë po”. Ai doli hapur kundër aneksimit të Kosovës e trojeve të tjera shqiptare nën Mal të Zi e Maqedoni. Ky burrë i rrallë, trim, atdhetar dhe besnik i idealeve stërgjyshore, nuk pati frikë ta thoshte hapur një fjalë që e mendonte, e ndjente dhe e kuptonte si të drejtë, ashtu siç ishte. Ai diti ta thotë atë mes folesë së gjarpërinjve, mes atyre njerëzve të cilët luhateshin si pendule nga era e frikës dhe me një zë burrëror shpërtheu arsyetimin e tij bindës pse Kosova duhej t’i përkiste Shqipërisë e jo dikujt tjetër që nuk e meritonte.

Ishte viti 1945 kur parullat e vetëvendosjes mbuloheshin me sajime kuvendesh që detyroheshin të miratonin një: po të padëshiruar nën tytën e armëve, kurthet pasmbledhoree parambledhore etj. Supozojmë se çfarë do të kishte ndodhur nëse gjithë delegatët do ta kishin mbajtur qëndrimin e tij.
Kosova atëherë s’do të bashkohej me Shqipërinë por,sidoqoftë, zëri do të ishte më i fuqishëm dhe pushtuesi nuk do ta kishte të lehtë. Megjithatë, zëri i Ramiz Cernicës pati një jehonë të madhe, duke e shndërruar atë në tribun të kurajës kombëtare në ato ditë të errëta të riokupimit serb.Në këtë vështrim Ramiz Cernica ngjason me Abdyl Frashërin,Sulejman Vokshin e Ymer Prizrenin, me ata burra të mëdhenj të kombit tonë të cilët nuk e ulën kokën dhe kuptuan më së miri rrethanat historike se populli shqiptar duhej të bashkohej dhe Ramiz Cernica ishte një zë i ndërgjegjes që nuk mund ta mbyste dot shovinizmi serb, edhe pse “kishte miratuar me vullnet e dëshirë të plotë nëpërmjet zërit jargosës e servil të disa puthadorëve se, delegatët e donin bashkëjetesën me Serbinë.
Zëri i Ramiz Cernicës u bë zëri i ndërgjegjes së një populli të martirizuar, një zë mbijetesë dhe kushtrimi, një zë që edhe sot apelon atë thirrje dhe gjykim të drejtë se Kosova dhe Shqipëria janë dy pjesë të një trupi. Ai zë del edhe sot kundër atyre mjeranëve të cilët ende nuk e kuptojnë dhe nuk luftojnë për këtë domosdoshmëri historike si nevojë e rritjes vitale të një kombi, si nevojë e bashkimit dhe e harmonizimit shpirtëror për të përçuar vlera të larta qytetare dhe zhvillimin në arealin e artë evropian.
Si erdhi Ramiz Cenica deri këtu?
Ai është pjesë e një familje të madhe patriotike, ku i ati, HalimAhmeti, u plagos në luftërat antiosmane. Mjaft nga fisi i tij ishin në çetën e Idriz Seferit. Ai vinte nga një gjen shqiptarësh liridashës e trima. Pastaj vetë jeta e tij, formimi dhe aktiviteti shembullor si kryetar i komunës së Parteshit, drejtësia dhe qasja realiste ndaj problemeve, nuhatja e fortë dhe syçelësia për të parë larg, shmangja e së keqes vetëm në përballimin e rrezikut nëpërmjet sendërtimit të një vizioni kombëtar, e bënë atë të shkonte me vetëdije dhe vendosmëri ndaj këtij formulimi madhor. Ai u ngrit kundër puthadorëve si Ali Shukriue Fadil Hoxha, të cilët, siç thuhet në librin e Ismet Sylejmanit,zgjodhën rrugën e turpit, ndërsa Ramiz Cernica zgjodhi rrugën e realizmit dhe të nderit.
Ky thelb kuptimor jashtë çdo patetizmi, saqë formohet natyrshëm në raste të tjera dhe çon në natyrshmërinë e një adhurimi pa krijuar mite të paqena, e mbështjellë me një dritë të artë të lirisë figurën e tij madhore, e bën atë të përsëritshme me figura të tjera të mëdha të kombit tonë, dalëzotës të atdheut në çaste kritike dhe të sakrifikuar prej luftës e intrigave vrastare, po të strehuar në panteonin e rrallë të lavdisë që u jep me të drejtë vetëdija e kujtesës popullore.
Ramiz Cernica si kryetar i Parteshit, si pjesëmarrës në luftën çlirimtare kundër okupatorëve fashistë, nuk mund të gënjehej kurrsesi nga idetë liridashëse që trumbetonte sllavizmi, edhe pse këto ide dhe kjo propagandë afrontenjë zgjidhje të lumtur. Ai ia dinte rrënjët historike së keqes dhe, historikisht, fisi dhe etnia e tij kishin luftuar për mbijetesë dhe liri në trojet dardane. Ai e dinte se ato ishin falsedhe nuk mund të pajtohej me to, qoftë edhe përkohësisht, për të kaluar një çast të vështirë që të shprehej në një moment më të volitshëm. As gënjehej prej tyre, sepse e priste me ndërgjegje të qetë se çfarë do të ndodhte më vonë prej sosh,ashtu siç vërtet ndodhi.
Kjo figurë e madhe vinte në këtë Kuvend si një luftëtar i famshëm, i cili kishte komanduar një mijë vullnetarë për ta ndaluar hyrjen e çetnikëve serbë në Kosovë. Është burgosur nga regjimi i Karagjorgjeviçëve pse kundërshtoi reformën antishqiptare agrare që shpronësonte shqiptarët dhe ua jepte tokën kolonëve serbë.
Kundërshtoi hapur likuidimin e 8 000 shqiptarëve në rrethinën e Gjilanit dhe sjelljet barbare të ligjvënësve të rinj.
Gjithë jeta luftë e përpjekje për të kundërshtuar e për të mos u nënshtruar. Kjo është ajo fije e artë me të cilën qepet kostumi i ndritshëm i kësaj figure madhore, gjithë jeta survejim e ndjekje edhe kur i duhet të dalë nga burgu, sepse e lirojnë nga frika e autoritetit të tij gjurmëlënës në shpirtin e popullit që e do dhe e nderon pafundësisht.
Fadil Hoxha, Miladin Popoviçi ia kishin drojën këtij personaliteti të madh dhe luftëtari të vendosur që nuk bënte kurrë kompromis.
Ramiz Cernicën e shohim në Kuvendin e Prizrenit me delegatë të tjerë si Mehmet Krileva, Adem Stanqiqi e Sinan Hasani, një politikan i shitur, delegatë të Gjilanit, po ai u bënëhije të gjithëve dhe provon të deklamojë me zë burrëror, sepse ai nuk mund t’i hidhte poshtë masakrat e bëra ndaj popullit, as mund ta falte dënimin me vdekje të djalit të tij, Raif Halimit,dhënë nga gjykata ushtarake, pse ai në Prekazin heroik,vendlindjen e heroit të ardhshëm Adem Jasaharit, kishte kaluar me partizanët në anën e patriotit Shaban Polluzha, duke likuiduar shtabin çetnik.
Zëri i Ramiz Cernicës trondit Beogradin, Titon dhe Rankoviçin. Kuvendi ndërpret punimet. Bëhen presione, por trimi RamizCernica nuk tërhiqet. Ajo që kishte deklaruar ishte e prerë, e saktë dhe, në mos sot, nesër Kosova do e fitonte të drejtën e saj.Zëri i arsyeshëm dhe burrëror i tmerroi shovinistët. Ata nuk mund t’ia falnin kurrë Ramiz Cërnicës këtë, sepse kjo ishte një kambanë e fuqishme alarmi për fundin e tyre, fund që do të vinte një ditë, sepse kjo tokë, më së shumti, kishte burra dhe trima të besës sesa puthadorë. Ajo çfarë ndodh është e vetëkuptueshme. Dënohet me 20 vjet burg dhe, pas 12 vjetëve,lirohet, i shkatërruar nga torturat.
Vdes më 1979 në shtratin e Lavdisë pa e parë Kosovën të lirë,por ai e kishte parë të lirë që atëherë në Kuvendin e Prizrenit,kur u ngrit ta mbronte të drejtën e saj natyrale, të drejtën e pamohueshme të një populli, zërin e të cilit e përfaqësonte me ftohtësinë e arsyes njerëzore dhe e mbronte me afshin e zemrës burrërore.

Ramiz Cërnica (1903-1979)

Libri i shkruar nga Ismet Sylejmani përbën një vlerë të rrallë, sepse i jepet lexuesit atdhedashës dhe të prirur, siç jam edhe unë vetë, drejt figurave të tilla që përfaqësojnë strallin e gjenit shqiptar dhe në pika të rëndësishme kthese nuk e humbasin toruan. Ata janë si timonierët që, edhe kur deti ka dallgë të mëdha, edhe kur horizonti është i mbyllur e me re të zeza, shohin dritë përtej tij, sepse kanë largpamësinë e mendjes dhe dinë ta projektojnë të ardhmen në dritën e një besimi të kthjellët, edhe pse rrethanat e çastit e pamundësojnë këtë. Libri është shkruar si një tërësi fjalimesh dhe dëshmish në një akademi përkujtimore zhvilluar në Gjilan. Ai dëshmon dhe jep fakte interesante për këtë martir të madh dhe Ante të tokës shqiptare, përcjell kumte force dhe lavdie, njëherësh na shërben mesazhe aktuale për të sotmen.
Sot Kosova është e lirë në saje të luftës që bënë heronjtë dhe luftëtarët si Adem Jashari, Fehmi Lladrovci, Luan Haradinaj, Agim Ramadani e shumë e shumë të tjerë. Po kjo Kosovë e pavarur ende nuk është me Shqipërinë.
Fjala e Ramiz Cernicës ende udhëton. Ajo po ecën drejt fundit të rrugës.
Fjalët e tij, se atdheu i shqiptarëve nuk është Jugosllavia, po Shqipnia, u bënë profetike edhe për popuj të tjerë që vuajtën thundrën e një regjimi tiranik dhe kolonizues. Ato fjalë i japin të drejtën natyrore çdo qenie njerëzore që kërkon dëshirën e përzgjedhjes së bashkëjetesës. Kështu, fjala e RamizCernicës është vullnet i hyjnisë që duhet materializuar në të drejtën e lirisë. Ky burrë sypaqësor e vështrimkthjellët me kapuç të bardhë (edhe kur kishte detyrën e kryetarit të komunës së Parteshit dhe drejtonte serbë e shqiptarë me drejtësi të barabartë dhe forcë bindëse të fjalës ai nuk e hoqi kurrë kapuçin e bardhë, simbol dëlirësie e pastërtie) nderohet sot, jo vetëm nga Gjilani e Kosova, po nga çdo shqiptar, aty ku ai jeton e punon në trojet shqiptare a diasporë. Ai është dekoruar nga presidenti i Republikës së Shqipërisë me medaljen“Shqiponja e artë”, po dekorata më e madhe për të është gdhendja që ai vetë i ka bërë asaj, duke u futur natyrshëm në kujtesën popullore.
Libri i Ismet Sulejmanit është një libër homazh, njëherësh edhe një libër që na sjell Ramizintë gjallë pas kaq dekadash, si një shëmbëlltyrë e shkëlqyer e vetvetes dhe gjithë atyre burrave historikë që luftuan pareshtur në dobi të çështjes shqiptare. Libri gërsheton bukur informacionin me përshkrimin me një patetikë patriotike, ku spikat realizmi dhe konstruktivizmi i logjikës kohore, gërshetuar me qëndrimet e sotme patriotike dhe të respektit, nga buron natyrshëm një përcjellje nderimi dhe një kujdes për t’i kapur mesazhet e historisë jo vetëm në aspektin nderues, po edhe në vijimësinë e sendërtimit të idealeve, për të cilat dhanë jetën dhe u torturuan burgjeve të serbosllavisë sa e sa njerëz, të cilët nuk e panë Kosovën të lire, po projektuan lirinë e saj me një embrion që e rriti pemën e guximit në dekada, gjersa ajo çeli frutet e dëshiruara të lirisë. Është e natyrshme dhe e domosdoshme dhe jetike që këto fruta të mos përcëllohen nga mëritë dhe ndasitë, nga mjegulla e harresës, përndryshe do të bënim një faj dhe do të rihynimnë borxh padashje ose jo ndaj figurave të tilla madhore që shkrinë jetën e tyre. Por, me ç’duket, kjo nuk do të ndodh, sepse sot rinia dhe inteligjenca shqiptare janë të ndërgjegjësuara dhe i mbajnë të qarta porositë dhe sakrificat sublime të burrave të tillë si Ramiz Cernica, Shaban Polluzha, Adem Jashari etj. Për të kuptuar se sado rrethanat dhe të fryjnë erëra të ngrohta mirëkuptuese të cilat shqiptarët i duan, historia s’mund të retushohet, as të anashkalohet. Ajo flet me mesazhet e saj madhore që kanë në qendër vetëm një pikë vluese: dëshirën për liri. Si një libër që i përcillet një lexuesi të gjerë, ai duhet lexuar jo si një kërshëri, as si një ndodhi e tërësi ndodhish, por si një interes për të njohur e për t’u thelluar në historinë dramatike, portë lavdishme të Kosovës dhe të kombit shqiptar në tërësi. Kështu, Ismet Sulejmani ka ditur ta gjejë rrugën për tek lexuesi, jo vetëm për figurën që trajton, por edhe për gjuhën e thjeshtë që përdor, që është gjuha e e zemrës së tij.

……………………………………………….

Gjon Frroku – Këngë për Ramiz Cërnicën

Hashim Shala & Sevdi Malsia – Ramiz Cërnica

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura