QENDRA JUSUF GËRVALLA – FESTIMI I 28 NËNTORIT, “THIRRJA” DHE DASMA E KADRI ZEKËS, SI DHE GËNJESHTRAT E IBRAHIM KELMENDIT + “HARAPIT TË SHKODRËS” …   (7)

Në 41 vjetorin e vrasjes

QENDRA JUSUF GËRVALLA – FESTIMI I 28 NËNTORIT, “THIRRJA” DHE DASMA E KADRI ZEKËS, SI DHE GËNJESHTRAT E IBRAHIM KELMENDIT + “HARAPIT TË SHKODRËS” …   (7)

Nga Xhafer Durmishi – Pashtriku, më 8 shkurt 2023

6. Organizimi i festimit të 28 Nëntorit 1981 në Shtutgart

Ibrahim Kelmendi: ”Sa për Kadriun, Jusufi nuk do të merrte pjesë (në dasmë-shën. i Xh. D.). Me të ishte hidhëruar që nga tetori.” (Atentatet, f.308)

Jusuf Gërvalla: ”Tani të njoftoj se bashkë me shokun e „Bashkimit“ dhe të „Lirisë“ kemi vendosur të organizojmë një manifestim qendror për kremtimin e festës kombëtare të 28 dhe 29 Nëntorit në Shtutgart. Do të mblidhemi nja 300-400 veta nga Gjermania, Zvicra e Belgjika. Një pjesë e shokëve do të shkojnë për festë në Vjenë.” (Letër Sabri Novosellës, 16 nëntor 1981; Faridin Tafallari në www.albaniapress.com, më 1 tetor 2013)

Ibrahim Kelmendi: ”Informim për një bashkëveprimtari rutinë, do të thosha. Por, e solla si shembull për të plotësuar mozaikun kohor, se nuk kemi qenë të armiqësuar ndonjëherë.” (Gjurmë e fërkemë, libër i shpërndarë përmes internetit në shtator 2016)

Raportet e kësaj kohe shihen mirë në letrën e 5 nëntorit 1981, pa përjashtuar këtë të 16 nëntorit, të dyja dërguar Sabri Novosellës, dhe raportet vulosen me letrën që Jusufi ia dërgon Kadri Zekës më 7 dhjetor 1981.

Ideja që festa 28 Nëntorit i vitit 1981 të organizohet në Shtutgart, së bashku me aktivistët e Zvicrës, Gjermanisë e Belgjikës, ka qenë e Kadri Zekës. Poashtu në bazë të planit të Kadri Zekës bëhet ndryshimi. Vetëm aktivistët e Zvicrës vijnë në Shtutgart, kurse atyre në Dusseldorf u thuhet ta bëjnë organizimin ata vetë.  

Pse Kadri Zeka merrë iniciativën dhe bënë marrëveshje me Jusufin për festimin e 28 Nëntorit në Shtutgart? Ai e bënë këtë me të vetmin qëllim, për ta përgatitë terrenin për një dokument me titull “Thirrje – Të gjithë në Front! Të gjithë për Frontin!” të OMLK-së sipas të cilit të gjitha organizatat janë bashkuar në Frontin e OMLK-së. Me këtë organizim Kadri Zeka mendon t’i thotë Jusufit: bashkatdhetarët na kanë pa bashkë në festën e 28 Nëntorit. Nga kjo rrjedhë, vërtetohet se është bërë bashkimi i të gjithëve në Frontin e OMLK-së.

Jusuf Gërvalla: “Po të kihet parasysh pesha historike e situatës aktuale, një detyrë prioritare del bashkimi optimal i organizatave e grupeve komuniste, patriotike e revolucionare, të cilat luftën kombëtare dhe shoqërore të popullit tonë të shumëvuajtur e marrin në tërë seriozitetin e saj. Ato grupe e organizata, që bëjnë lojën e “politikës së madhe”, lojën e arrivizmit revolucionar, të udhëhequra prej karrieristësh megalomanë, dhe ato që janë organizuar prej elementësh të dyshimtë e tani mbjellin në radhët e njerëzve tanë anarki dhe sjellin dezinformime në fitim të qeverisë së Beogradit, i ftojmë të heqin dorë nga rruga e tyre e gabuar.” (T’I JAPIM SHTYTJE TË RE LUFTËS, fjalim i lexuar në mbrëmjen festive të 28 Nëntorit 1981 në Shtutgart)

6-1. THEMELI ËSHTË VËNË ME GËNJESHTRA

Ankesa është arma e të mjerit.

Hydajet Hyseni: “Por siç i ishte ankuar Jusufi Kadriut, ishte pikërisht kjo që kishte shkaktuar disa keqkuptime me ndonjë veprimtar të shquar me të cilët Jusufi ishte në lidhje.” (Selatin Novosella, Metush Krasniqi, Prishtinë 2011, f. 292)

Më 7 dhjetor 1981, me postë, paradite, ka ardhur tek Jusufi një zarf postal me dy dokumente në te. Njëri ka qenë ftesa personale (me sa më kujtohet), individuale apo familjare për Jusufin, për dasmë dhe tjetri ka qenë një dokument me titull “Thirrje – Të gjithë në Front! Të gjithë për Frontin!”, që në bazë kishte të pavërtetën, pra ishte një lloj testimi se mos këtë të pavërtetë e këtë manovrim po e përbinë edhe Jusufi. Jusufi po atë ditë, në praninë time i shkruan këtë përgjigje Kadri Zekës.

Jusuf Gërvalla: “Thirrjen për bashkim me frontin po ta kthej ashtu si ma dërgove. Ato që thuhen në të për bashkimin e të gjithë organizatave komuniste, patriotike e revolucionare, dhe që, sipas meje, përbëjnë themelin e kësaj thirrjeje, janë në kundërshtim me informatat më të reja që kam marrë nga shokët e Lëvizjes. Si janë sjellë punët këto kohët e fundit, në gjithë çështjen ka gjëra të mjegullta (dëshiroj të gabohem nëse them se mjegullimi ka ardhur nga mënyra e veprimit të shokëve të Organizatës m-l).

Për mua konkretisht, dhe shokët e Lëvizjes me të cilët kam kontakt, thënia në “Thirrje”, ku thuhet se është bërë bashkimi i organizatave, nuk është e vërtetë, së paku deri në këtë çast, ndërsa thirrja është shkruar shumë më herët.

Ju po deshët mund të delni me atë thirrje. Por duhet të jeni të vetëdijshëm se çfarë mund të jenë sukseset dhe konsekuencat e një pune, në dokumentin e parë të së cilës themeli është vënë me të pavërteta.” (Letër Kadri Zekës, 7 dhjetor 1981; Faridin Tafallari, ME TRE YJET E PAVDEKËSISË NË ATO VITE TË STUHISHME, Tiranë 2010, faqe 277)

6-2. MOS U HABITNI NËSE NE DO TË DALIM PUBLIKISHT ME SHESHIMIN E GËNJESHTRAVE

Ankesa është arma e të mjerit.

Hydajet Hyseni: “Por siç i ishte ankuar Jusufi Kadriut, ishte pikërisht kjo që kishte shkaktuar disa keqkuptime me ndonjë veprimtar të shquar me të cilët Jusufi ishte në lidhje.” (Selatin Novosella, Metush Krasniqi, Prishtinë 2011,  f. 292)

Jusuf Gërvalla: “Në lidhje të ngushtë me këtë, po dolët me thirrjen pa u kristalizuar mirë të gjitha çështjet e bashkimit, ne do ta konsiderojmë se keni bërë përpjekje për t’i vënë disa forca të caktuara patriotike e revolucionare para një akti të kryer, në mos e teprofsha, me manovrime nga ana juaj. Prandaj, mos u habitni nëse pas hapit tuaj ne do të dalim publikisht me sheshimin e të pavërtetave. (Letër Kadri Zekës, 7 dhjetor 1981; Faridin Tafallari, ME TRE YJET E PAVDEKËSISË NË ATO VITE TË STUHISHME, Tiranë 2010, faqe 277)

7. Dasma e Kadri Zekës me Saime Isufin

7-1. U bë një dasmë e thjeshtë

Saime Isufi: “Pasi mora këtë vendim, Kadriu në konsultim me shokët, filloi të organizonte një dasmë. U bë një dasmë e thjeshtë, me ‘dasmorët’ e republikës së Kosovës.” (Apostol Duka, Vrasje në Shtutgart, Tiranë 2008, f. 99)

7-2. Dasma qe tepër modeste

Albana Krasniqi: (Kadri Zeka) ”Më 2 janar 1982 martohet me Saime Isufin, apo Bule Zekën, siç e njohin punëtorët bashkëluftëtaren e tij. Dasma qe tepër modeste. Krushq qenë mërgimtarët me mallin e pashuar për vendlindjen. Ishin mes shokëve dhe idealit të luftës edhe Jusufi e Bardhoshi, Hasani, Fahredini e shumë të tjerë. Disa ditë më pas udhëton për në Gjermani të takohet me vëllezërit Gërvalla. Kishte ardhur koha që grupet në mërgim të bashkohen në një, dhe vetëm ashtu të bashkuar mund t’i prinin luftës bijtë e Kastriotit.” (Pishtarët e lirisë, Editor Begzat Baliu, Shtëpia botuese ERA, Prishtinë, 2002, faqe 36)

7-3. Gënjeshtra se Jusufi dhe Bardhoshi ishin mysafirët më të nderuar

Hydajet Hyseni: “E tillë ishte miqësia e tyre gjer në fund. Në dasmën e Kadriut, Jusufi dhe Bardhoshi ishin mysafirët më të nderuar.” (Rasim Selmanaj, Heroi me Kitarë, Prishtinë 2007, f. 118)

Mysafiri më i nderuar nga Gjermania dhe ndoshta në gjithë dasmën ka qenë Ibrahim Kelmendi, me të cilin Kadri Zeka ishte bashkuar në një organizatë, në tetor 1981. Mysafiri më i nderuar prej Kadri Zekës nga rrethi i Shtutgartit ka qenë Faridin Tafallari dhe jo Jusufi dhe Bardhoshi. Kadri Zeka ia jep si detyrë Faridin Tafallarit, përmes dy letrave, ta organizoj se kush duhet të shkoj në dasmë nga rrethi i Shtutgartit. Faridin Tafallari nuk e pranon rolin që mundohet me ia dhënë Kadri Zeka dhe shkruan më vonë se organizimi i shkuarjes në dasmë nga rrethi i Shtutgartit është bërë nga Jusufi.

7-4. Gënjeshtra se Jusufi shkon në dasmën e Kadri Zekës si i paftuar

Në gënjeshtrën e mëposhtme, përmbajtja e qartë. Jusufi shkon në dasmë për hatër të dasmorëve dhe jo pse është i ftuar.

 I. Kelmendi: ”Viti i Ri 1982 do t’i gjejë të gëzuar Jusufin, Kadriun, Bardhin, Miranin dhe shumë të tjerë. Kadriun sepse ishte bashkuar me Bulen. Të tjerët sepse po u martohej bashkëveprimtari dhe ishin ftuar në dasmën e tyre që do ta bënin, më 2 janar në Zvicër. Por, gëzimi i Jusufit kufizohej pothuajse vetëm në faktin se një shqiptar, i njohur i tij, po martohej, ndërsa ishte në dilemë nëse do të merrte pjesë në dasmë. Më në fund gjykoi se duhej të merrte pjesë, më shumë për hatër të dasmorëve që ishin kryesisht aktivistë të të njëjtave radhë. Ata dëshironin t’i shihnin udhëheqësit e tyre të bashkuar. Sa për Kadriun, Jusufi nuk do të merrte pjesë. Me të ishte hidhëruar që nga tetori.” (Atentatet, f.308)

Ibrahim Kelmendi: ”Thënë, ndoshta naivisht, unë ndihesha më i çliruar për të nxitur biseda, sepse kohëve të fundit, sidomos në dasmën e Kadriut e Saimës, ushtroja rolin nga pozita e neutralit, ndërmjetësuesit, në mes të Jusufit dhe Kadriut.” (Lëvizja, f.58)

Me pasë dëshirë me u bërë arbitër e refer, ndërmjetës është vetëm pjesa e parë e problemit. Kryesorja është a të pranojnë palët si refer e ndërmjetës. Jusuf Gërvalla kurrë në jetë nuk e ka pranuar shpifësin Ibrahim Kelmendi për ndërmjetës me Kadri Zekën dhe me askend tjetër. E vërteta është se Kadri Zeka ka qenë personi në qendër në mes Jusufit e Ibrahimit.

 7-5. Kadriu ishte kujdesur të thërriste dy a tre veta nga secili metropol

 Ibrahim Kelmendi: “Dasmorët vinin nga metropole të ndryshme evropiane. Kadriu ishte kujdesur të thërriste dy a tre veta nga secili metropol ku kishte shqiptarë të angazhuar për veprimtari çlirimtare. Vetëm nga Dusseldorfi ai kishte ftuar më së shumti, gjashtë veta, me Miranin shtatë.” (Atentatet, f. 308)

Pjesëmarrës të organizuar nga Jusuf Gërvalla nga rrethi i Shtutgartit për në dasmën e Kadri Zekës kanë qenë 17 (shtatëmbëdhjetë) veta (burra, gra e fëmijë).

Çka është e vërteta është pikëpyetje se a ka pas më shumë dasmor vetëm nga nga rrethi i Shtutgarti apo nga krejt Zvicra të marrë së bashku. Ibrahim Kelmendi, ashtu si e redukton numrin e dasmorëve të Shtutgartit nga 17 në 2-3, në të njejtën mënyrë e rritë numrin e dasmorëve nga Dusseldorfi dhe shpikë dasmorë nga metropolet e Evropës, prej të cilave nuk ka qenë asnjë pjesëmarrës.

Gënjeshtrat e Ibrahim Kelmendit për dasmën dhe rolin e Ibrahim Kelmendit në dasmë e vërteton më së miri filmi i dasmës.

***

Më 2 Janar 1982 – Pjesë nga dasma e Kadri Zekës …

https://www.facebook.com/watch/?v=694842281231399

***

Më 2 janar 1982: Kadri Zeka i përshëndet bashkëveprimtarët e ftuar në dasmën e tij …

https://www.facebook.com/sheradin.berisha/videos/10218733798952502

***

Dasma e Kadri Zekës,  më 2 janar 1982

https://www.facebook.com/shaban.muharremi/videos/120428403498240

***

Lidhur me dasmën Ibrahim Kelmendi gënjen çdo fjalë që e thotë. Atmosfera në dasmë ka qenë e pakëndshme, për shkak të gënjeshtrës së Kadri Zekës dhe OMLK-së, të shprehur në dokumentin me titull: “Thirrje – Të gjithë në Front! Të gjithë për Frontin!” ku thuhej se të gjitha organizatat janë bashkuar në Frontin e OMLK. Atë çka e ka bërë të gjitha organizatat duhet ta bëjnë edhe të gjithë individët – të bashkohen në Front.

Jusufi nuk e pranon këtë gënjeshtër dhe i përgjigjet rreth 7 dhjetorit 1981.

Në nëntor 1981 ka dalë „Zëri i Kosovës“. Në gepekun e kerrit të Bardhoshit kanë qenë disa ekzemplarë të numrit të parë të „Zërit të Kosovës“. Jusufi ia shprehë idenë Kadri Zekës për t’ua treguar dasmorëve „Zërin e Kosovës“, me arsyetimin se shikimi i Zërit të Kosovës, në një dasmë politike të Kosovës është më i arsyeshëm se sa brohoritjet ”Parti Enver jemi gati kurdoherë!” Kadri Zeka e kundërshton atë ide. Kadriu nuk e ka shpërnda revistën e Jusufit në Zvicër, e ka ndaluar përmendjen, tregimin e ekzistencës së „Zërit të Kosovës“ në dasmë, më 2 janar 1982, ua ka ndaluar shokëve të vetë ta shpërndajnë deri në vdekje.

Përkundër këtyre fakteve, Jusufi kurrë në jetën e tij nuk e ka pranuar Ibrahim Kelmendin (dhe askend tjetër) si ndërmjetës, si refer, si arbitër, si pajtues apo si gjykatës, në punët e raportet e tij me Kadri Zekën, as në momentet kur ato raporte kanë qenë më të mirat e as në ato momente kur ato kanë qenë më të këqijat.

Jusuf Gërvalla kurrë në jetën e tij, do me thënë as në dasmë, e as më 17 janar 1982 në shtëpinë e vetë, nuk e ka pranuar si ndërmjetës, refer, pajtues, avokatë apo gjykatës as Ibrahim Kelmendin e as Kadri Zekën për raportet e tija me Sabri Novosellën, dhe për asnjë punë tjetër të brendshme të „Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe viseve të tjera Shqiptare në Jugosllavi“ (LNÇKVSHJ).

7-6. Përfaqësuesit e të gjitha rrymave dhe organizatave të përçara

”Më 2 janar 1982 Kadri Zeka u martua me Saime Zekën. Në dasmë ftoi të gjithë shokët dhe miqtë e tij e ndër ta edhe Jusufin e Bardhoshin dhe dasma e tij u bë një lloj kuvendi në të cilin u takuan përfaqësuesit e të gjitha rrymave dhe organizatave që deri diku ishin të përçara dhe pritej të shkriheshin në një.” (Filmi dokumentar; Ç’ke bërë sot për Kosovën?, janar 1997,  minuta 35.00-36.00, 1997)

Hydajet Hyseni: “Shprehje e frymës gjithnjë e më të fortë të bashkimit dhe në funksion të këtij bashkimi ishte edhe dasma e Kadri Zekës me shoqen e punës dhe luftës ilegale, Saime Isufin, ‘Bulen’. Quhej Bule në shembullin e antifashistes Bule Naipit.” (Rasim Selmanaj, Heroi me Kitarë, Prishtinë 2007, f. 141)

Hydajet Hyseni ka aq të drejtë sa asnjë lexues i jashtëm nuk mund ta merr me mend. Së bashku me ftesën për dasmë, ku Jusufi ftohet si individ, Kadri Zeka, ia dërgon një ftesë shumë më interesante, me titullin “Thirrje – Të gjithë në Front! Të gjithë për Frontin!” Pra në këtë rast ndodh ajo që quhet; Një udhë e dy punë. Jusufi me të njëjtën dërgesë postale, me të njëjtin zarf, ftohet në dasmë si individ dhe bëhet manovrimi që Lëvizja e tij të vihet para aktit të kryer e të futet në Frontin Popullor për Republikën e Kosovës. Këtë farë “Thirrje për hyrje në Frontin e madh”, Kadriu ka dëshirë që vetë Jusufi ta shtyp, radhisë e shpërndaj në rrethin e vetë si postier i tij, të veprojë me te në të njëjtën formë siç kishte vepruar në shtator me Tezat, pra ta bëjë një reprizim të ngjarjeve, sikur takimi i Stambollit të mos kishte ekzistue. Kësaj Thirrje Jusufi i përgjigjet: ”Ju po deshët mund të delni me atë thirrje. Por duhet të jeni të vetëdijshëm se çfarë mund të jenë sukseset dhe konsekuencat e një pune, në dokumentin e parë të së cilës themeli është vënë me të pavërteta.”

7-7. Harapi i Shkodrës dhe bashkimi në dasmën e Kadri Zekës

Harapi e injoron avokatin dhe e merr rolin e pajtuesit e referit mbi vete

Fazli Veliu: ”E shoh të arsyeshme të sqaroj se, ky bashkim është arritur më 1 e 2 janar të vitit 1982, në dasmën e Kadri Zekës, në Zvicër, kur të gjithë pjesëmarrësit, krushqit e dasmës ose të lirisë, pas fjalimit të Kadri Zekës, dhanë betimin për bashkim të radhëve brenda dhe jashtë vendit. Kjo ngjarje e bashkimit shënohet pas rënies së Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Badhosh Gërvallës, nga veprimtarët e të gjitha viseve të cilët çonin në vend mesazhet e të rënëve për liri, duke u betuar në veprën e Jusufit, Kadriut e Bardhoshit, në vazhdimin e luftës deri në fitore për çlirim e bashkim kombëtar. Për këto që përmendëm, kemi fakte, shënime drejtpërsëdrejti, incizime dhe filma, të cilët do t’i dorëzojmë te shtypshkronja, kur të botohet libri për këto.

Autori i këtij punimi pati një bisedë të gjatë, kokë më kokë më shumë se katër orë, me Jusuf Gërvallën, Kadri Zekën, më shumë se një orë me Bardhosh Gërvallën poashtu.” (Lëvizja; Themelimi i Lëvizjes dhe heronjtë e janarit 1982, Prishtinë 17 shkurt 2017, f.199-200)

Fazli Veliu, me banim në Zvicër, dhe shok i Kadri Zekës, ka qenë i ftuar në dasmën e Kadriut dhe Saime Isufit. Jusuf Gërvalla nuk e ka njohur në kurrfarë mënyre Fazli Veliun. Megjithate Fazli Veliu, shok i Kadri Zekës, mundohet ta plasoj veten në qendër, me rolin e pajtuesit, të jetë neutral dhe se gjoja fletë nga pozita të njejta neutrale si me Jusufin si me Kadriun dhe Bardhoshin.

Shokët e Kadri Zekës në Zvicër Fazli Veliun e kanë quajtur Harapi i Shkodrës, me emrin e një personazhi nga drama “Baca i Gjetajve”. Në dramën Baca i Gjetajve, Harapi i Shkodrës është këshilltari kryesor i bajraktar Kadrisë. Ka mundësi që Fazli Veliu, si shok i komunistit Kadri Zeka dhe këshilltar i Bajraktar Kadrisë, të ketë kontribuar në unitetin e bashkimin e tyre, në bashkimin e bajraktar Kadrisë dhe komunist Kadrisë, si në një trup të vetëm.

Nga kjo rrjedh se Fazli Veliu ka mundur ta luaj rolin e qendrës, referit, pajtuesit, vetëm në mes bajraktar Kadrisë dhe komunist Kadrisë, por kurrë në mes Vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës. Këtë e tregon më së miri filmi i dasmës.

Rolin e referit, arbitrit, pajtuesit, gjyqtarit në mes Jusuf Gërvallës dhe Kadri Zekës përveç Fazli Veliut është munduar ta luaj edhe Ibrahim Kelmendi dhe Abdullah Prapashtica. Suksesi i Fazli Veliut dhe e vërteta e Fazli Veliut është i barabartë me suksesin dhe të vërtetën e Ibrahim Kelmendit dhe Abdullah Prapashticës.  

Fazli Veliu së bashku me rrethin e vetë, nga viti 1985, i kanë dënuar bashkimet e 17 shkurtit dhe 15 majit 1982, me shpresën se vetë do të krijojnë ndonjë datë më të rëndësishme, e kanë riogranizuar OMLK-në e Kadri Zekës, me qëllim të DOMINIMIT ME ÇDO KUSHT MBI TË TJERËT dhe e kanë udhëhequr deri në shembjen e Murit të Berlinit. Vetëm pas shembjes së Murit të Berlinit, falimentimit të etiketave marksiste-leniniste, pas 30 vitesh, riorganizuesit marksist-leninistë riorientohen e mundohen të tregojnë rëndësinë e shtëpisë së Jusuf Gërvallës dhe  Lëvizjes së Jusuf Gërvallës.

7-8. Avokati i Harapit të Shkodrës

Jusuf Gërvalla: “Me përfaqësuesin e Frontit të Kuq Popullor, Ibrahim Kelmendin, jam njohur në janar të vitit 1980. Më ka sjellë për t’ia korrigjuar disa artikuj të përgatitur për gazetën “Bashkimi” dhe më ka propozuar që të shkruaj edhe unë për këtë fletushkë. Pasi e kisha lexuar numrin e saj të parë qysh në vendlindje dhe e dija se gazeta bie në duar të popullit, bile në një gjendje jo të lakmueshme e pashë të arsyeshme t’i përgjigjem pozitivisht për propozimin dhe konkretisht fillova me bashkëpunimin. … Është nip i një agjenti me zile të UDB-së, i quajtur Ramë Nikçi ose Ibërdemaj, punon në postën e Pejës. … Shokët e Vjenës (të Ambasadës Shqiptare -shën i Xh. D.) e mbajnë larg. Bile, kur njërit prej këtyre shokëve, i cili më qortoi pse rrija me I. K., i thash se është një njeri që imponohet me këmbëngulje dhe unë, si shqiptar, nuk mund ta përzë nga shtëpie ime, ky m’u përgjegj fjalë për fjalë kështu: “Ia paske frikën, prandaj s’e përzen si qenin!”

Ka disa muaj që i kam ndërprerë marrëdhëniet me të. Kur takohemi rastësisht flasim, por punë të përbashkëta nuk kemi. Bashkëpunimi me të gjatë demonstratave të mbajtura në Perëndim ka shkuar përmes shokut të “Lirisë” (Kadri Zekës).

Kështu e kam parë unë të arsyeshme të veproj, duke marrë për bazë vrojtimet e parashtruara më sipër si dhe disa anë negative në sjelljen elementare të I. K., që herë duken agjamillëk, herë djallëzi të thella.” (Raport Komitetit të Degës së LNÇKVSH “Hasan Prishtina” në Turqi, 31 korrik 1981)

Ibrahim Kelmendi: ”Kohë më parë, në Maqedoni, më ka rastisur të ballafaqohem me materiale të falsifikuara, që ca kriminelë i shpërndanin për “dosje”. Ishin sajuar për të diskredituar Ali Ahmetin, Fazli Veliun, Musa Xhaferin, bashkëveprimtarët tanë shumëvjeçarë. Edhe ky “raport” më ngjan me ato falsifikime.” (Bedri Islami, Lëvizja f. 115)

(VIJON …)

________________

Në 41 vjetorin e vrasjes

QENDRA JUSUF GËRVALLA – “BASHKIMI” I ÇORODITUR (6)

Nga Xhafer Durmishi, Pashtriku 6 shkurt 2023

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura