QENDRA JUSUF GËRVALLA – “BASHKIMI” I ÇORODITUR (6)

Në 41 vjetorin e vrasjes

QENDRA JUSUF GËRVALLA – “BASHKIMI” I ÇORODITUR (6)

Nga Xhafer Durmishi, Pashtriku 6 shkurt 2023

Përmbajtja:

5. Loja e pahijshme Kadri Zekës dhe shokëve të tij me personin e Jusuf Gërvallës

5-1. Tani disa fjalë rreth takimit të Stambollit

5-2 ASNJËHERË NUK KA RËNË FJALA PËR NJË “BASHKIM” TË TILLË TË ÇORODITUR

5-3. Epërsia boshe si privilegj ekskluziv i kokave boshe

5-4. NUK DO TË PENDOHEM PËR ANGAZHIMIN TIM TË KOTË

5-5. PO KUSH DYSHONTE NË MOSSINQERITETIN E KADRI ZEKËS DHE SHOKËVE TË TIJ

5-6. Këtë mendim e kanë plotësisht Xhafer Durmishi dhe Bardhoshi

***

5-1. Tani disa fjalë rreth takimit të Stambollit

Selatin Novosella: “Duke qenë ndër udhëheqësit e nivelit më të lartë të LNÇKVSHJ-së, duke mbajtur lidhjet me Metush Krasniqin në Kosovë e Sabri Novosellën në Turqi, nga njëra anë: duke qenë mik i afërm me Hydajet Hysenin në Kosovë dhe Kadri Zekën në diasporë, si udhëheqësit më të lartë të OMLK-së, nga ana e dytë … Jusuf Gërvalla, kështu do të shndërrohet në faktor koheziv dhe të pazëvendësueshëm.” (Metush Krasniqi, Prishtinë 2011, f. 147-148)

Ibrahim Kelmendi: ”Nuk kam çfarë të komentoj këtu. Vazhdoj të kem keqardhje për “shoqërimin” e JG me SN, rrjedhimisht për raportet: epror (SN), vartës (JG).” (Gjurmë e fërkem, libër i shpërndarë përmes internetit në shtator 2016)

Jusuf Gërvalla: “Tani disa fjalë rreth takimit të Stambollit.

Ka disa muaj që unë po fluturoja nga gëzimi, në pritje të bashkimit të forcave tona revolucionare, që isha bërë gati ta quaja bashkim historik. Më herët të kisha dërguar një letër dhe të kisha thënë se këtë bashkim unë vetë nuk e shoh çështje aq të thjeshtë. Ka probleme parimore për të cilat duhen marrëveshje serioze, siç është ai se a duhet të kemi fare parti k.m.- l., (komuniste marksiste-leniniste – shën i Xh. D.) apo ajo parti është e domosdoshme për t’i dalë në ballë popullit tonë në drejtim të luftës dhe të fitores. Ky ishte për mendimin tim problemi kyç. Meqë me Organizatën e shokëve të “Lirisë” kishim të përbashkët ideologjinë e qëllimin dhe ndonjë ndryshim të vogël në pikëpamje të taktikës revolucionare dhe të organizimit, kujtoja se pas disa bisedimesh mund të rregullohej shumëçka. Për veten time, në shërbim të kësaj çështjeje, nuk kurseva gjumë as punë, shëndet as djersë, e besa as shpenzime materiale. Aq më pak e kam kursyer sinqeritetin e shokut me shokun, e revolucionarit me revolucionarin. Si të kursehem në një kohë që populli ynë, i cili sot po martirizohet si rrallëherë në historinë e tij shumëshekullore, pret nga djalëria e tij patriotike e revolucionare që ajo të çajë rrugë drejt luftës dhe fitores, e lidhur fort me besa besë dhe me grushtin të bashkuar.” (Letër Sabri Novosellës, 5 nëntor 1981; Faridin Tafallari, “Me tre yjet e pavdekësisë në ato vite të stuhishme”, Tiranë 2010, faqe 273-274)

5-2. ASNJËHERË NUK KA RËNË FJALA PËR NJË “BASHKIM” TË TILLË TË ÇORODITUR

Hydajet Hyseni: “Atëherë e quanim edhe një organizim pararojë dhe një lloj armature e bashkimi gjithëpopullor. Synohej kështu një ndërlidhje e brendshme strukturale dhe funksionale dhe jo farë hierarkie organizimesh, siç ishte kuptuar e interpretuar aty-këtu dhe kjo i kishte krijuar vështirësi Jusufit me shokë. Jusufi dhe Bardhoshi e kishin përqafuar këtë skemë organizimi dhe sipas asaj që na kishte thënë Kadriu, ishte pikërisht Jusufi që kishte insistuar që Kadriu të shkonte dhe të punonte, së paku një kohë, me bërthamën prej pesë anëtarësh që kishte krijuar Jusufi sipas këtij koncepti të organizmit.” (Selatin Novosella, Metush Krasniqi, Prishtinë 2011, f.  292)

Thelbi i përrallës së Kadri Zekës rreth interpretimit të Tezave ishte: komunistët duhet të udhëheqin, komunist në Kosovë jashtë OMLK-së nuk ka, komunist në Kosovë jashtë OMLK-së nuk guxojnë të ekzistojnë, prandaj i vetmi shpëtim për çdo aktivist është inkuadrimi në Frontin e OMLK-së.  

Jusuf Gërvalla: “Nga e gjithë kjo, tash mbeti vetëm dëshira. A ka vend të ndruhemi se s’paska ardhur ende çasti i pritur i bashkimit? Ende po dua të shpresoj që qëndrimi i shokut Z. (Kadri Zeka – shën im) ndaj kësaj çështjeje të rëndësishme nuk është edhe qëndrimi i shokëve të tij, aq më pak vija e tyre dhe përfytyrimi i tyre për bashkimin.

Pasi kuptova si është shtruar kjo çështje në takimin tuaj (e këtë e kuptova në çastin e fundit në bisedë me shokun Z.), ishte e vetëkuptueshme të pajtohesha plotësisht me qëndrimin që ke marrë ti atje. Të njoftoj se, që kur mbaj kontakte me atë, asnjëherë, as rastësisht, nuk ka rënë fjala për një “bashkim” të tillë të çoroditur, siç e kishte shtruar çështjen shoku Z. (Kadri Zeka-shën im)” (Letër Sabri Novosellës, 5 nëntor 1981; Faridin Tafallari, “Me tre yjet e pavdekësisë në ato vite të stuhishme”, Tiranë 2010, faqe 274)

5-3. Epërsia boshe si privilegj ekskluziv i kokave boshe

Jusuf Gërvalla: “Po e panë ata të udhës, le të përpiqen të arrijnë “bashkime” me hope e boshllëqe, duke pasur cak të fundit jo grumbullimin optimal të forcave tona revolucionare në frontin e rreptë të luftës, por megalomaninë e arrivistëve të revolucionit, ndjenjën e epërsisë boshe mbi të tjerët dhe tendencën për dominim me çdo kusht mbi të tjerët. Kam dëshirë të madhe të më dalin gabim përshtypjet e këqija që formova për ta pas atij takimi dhe pasi mësova për qëndrimin e tyre.

 Në këtë mes, më duhet të pranoj se, nga ana e atyre shokëve, qenka bërë një lojë e pahijshme me personin tim. Nuk di me se e kam merituar një gjë të tillë. Por tani, pas hidhërimit të parë, nuk ndiej kurrfarë nevoje të kërkoj ndonjë shpjegim e satisfaksion prej tyre. Sedra s’ka vend në këtë mes.” (Letër Sabri Novosellës, 5 nëntor 1981; Faridin Tafallari, „Me tre yjet e pavdekësisë në ato vite të stuhishme“, Tiranë 2010, faqe 274)

5-4. NUK DO TË PENDOHEM PËR ANGAZHIMIN TIM TË KOTË

Jusuf Gërvalla: “Nuk do të pendohem për angazhimin tim (të kotë) në këtë drejtim, as për sinqeritetin që ua kam falur atyre pa rezervë. Mjafton ndërgjegjja e pastër dhe qëllimet e mira, që më kanë udhëhequr gjithë kohën. Veçse, një mësim duhet nxjerrë: sinqeriteti –  për shokët e sinqertë.” (Letër Sabri Novosellës, 5 nëntor 1981; Faridin Tafallari, “Me tre yjet e pavdekësisë në ato vite të stuhishme”, Tiranë 2010, faqe 274)

 5-5. PO KUSH DYSHONTE NË MOSSINQERITETIN E KADRI ZEKËS DHE SHOKËVE TË TIJ!

Berat Luzha: “Megjithatë ishte mendimi i Kadri Zekës se ky bashkim do të arrihej në të ardhmen, duke pasur parasysh se Jusuf Gërvalla ishte pajtuar me përmbajtjen e Tezave për Republikën e Kosovës, dhe bisedat në mes të Jusuf Gërvallës dhe Sabri Novosellës, do të rezultonin me bashkimin që ishte imperativ i kohës.” (Selatin Novosella, Metush Krasniqi, Prishtinë 2011, f. 190)

 Jusuf Gërvalla: “(Po kush dyshonte në mossinqeritetin e tyre, kur nuk dhanë asnjë shenjë! Kjo më brengos edhe më shumë për rrugën e tyre.)

 Paska qenë e logjikshme nga ana juaj që të ndruheni se mos unë ia kam kthyer shpinën ose kam ndër mend t’ia kthejë Lëvizjes, duke kaluar në taborin e ndonjë organizate tjetër. Kjo nuk do të ndodhë kurrë. Përkatësisht, deri në çastin që të bindem plotësisht se Lëvizja e ka lënë rrugën e drejtë dhe, në vend që të luftojë si duhet për popullin, i sjell dëme pikërisht kësaj lufte. Shenjat për këtë, fatbardhësisht, nuk janë dukur gjëkundi deri më këtë çast. Bashkëluftëtarët tanë, në paçin sado pak veçoritë dhe virtytet e tua luftarake e patriotike, Mërgim, mund të mburren se janë duke u shkrirë si qiriu, që populli të shohë dritë.

Është e tepërt të thuhet se do t’i çojmë në vend këshillat, sugjerimet dhe urdhrat që do të na vijnë nga ana juaj.” (Letër Sabri Novosellës, 5 nëntor 1981; Faridin Tafallari, “Me tre yjet e pavdekësisë në ato vite të stuhishme”, Tiranë 2010, faqe 274-275)

5-6. Këtë mendim e kanë plotësisht Xhafer Durmishi dhe Bardhoshi

Jusuf Gërvalla: “Këtë mendim e kanë plotësisht edhe Shpendi (Xhafer Durmishi – shën im) e Besniku (Bardhosh Gërvalla – shën im).” (Letër Sabri Novosellës, 5 nëntor 1981; Faridin Tafallari, Me tre yjet e pavdekësisë në ato vite të stuhishme, Tiranë 2010, faqe 275)

(VIJON …)

______________

Në 41 vjetorin e vrasjes

QENDRA JUSUF GËRVALLA – KADRI ZEKA ME SHOKË NUK DUAN BISEDIME PËR BASHKIM ME JUSUF GËRVALLËN! MANIPULIMI ME METUSH KRASNIQIN (5)

Nga Xhafer Durmishi, Pashtriku 3 shkurt 2023

https://pashtriku.org/qendra-jusuf-gervalla-kadri-zeka-me-shoke-nuk-duan-bisedime-per-bashkim-me-jusuf-gervallen-manipulimi-me-metush-krasniqin-5/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura