QERIM REXHAJ: RAMË ALIA – EMBLEMA E LUFTËS, LIRISË DHE BASHKIMIT KOMBËTAR

Burim, 08. 02. 2015 – (Me rastin e 70 vjetorit të vrasjes Ramë Alisë, Sali Ramës, të familjes Muzliaj, kapedanit të çetave të lirisë gjatë Luftës së Dytë Botërore në Podgur) – Fshati Uçë është një ndër pesëdhjetë e dy fshatrat e komunës së Burimit që shtrihet në pjesën më verilindore të kësaj treve. Historia e këtij fshati, është sa e dhimbshme, sa tragjike po aq edhe krenare dhe heroike. Burrat e këtij fshati, të cilët me plot të drejtë i quajnë edhe “uçalinjë”, u dëshmuanë nëpër të gjitha fazat më kobzeza të historisë sonë fatkeqe, duke rezistuar me armë në dorë, duke u vënë në mbrojtje, jo vetëm të vatrave të tyre shekullore, por duke u shndërruar edhe në mburojë të të gjithë vijës kufitare të veriut që përkufizon etninë e trojeve shqiptare brez pas brezi nga sulmet e pandërprera të hordhive dhe ushtrive serbo – malazeze dhe partizano – çetnike, të cilat si synim kishin pushtimin e përjetshëm të Kosovës.
Në varganin shumënumerikë të luftëtarëve atdhetarë që spikatën për organizim, trimëri, për sakrifica sublime deri në vetflijim, ndër luftëtarë dhe trima që kurrë nuk u nënshtruan para rreziqeve, sulmeve dhe kërcënimeve të armiqëve pushtuesë, personaliteti i Ramë Alisë, është ndër më meritorët, sepse edhe pas shtatëdhjetë vjetë të vrasjes së tij,ai vazhdon të jetoj dhe frymoj sikur të ishte i gjallë. Në këtë 70 vjetor të rënjës heroike, të birit të kësaj toke martire përkujtojmë Ramë Alinë,i cili tërë jetën ia kushtoi çështjes së atdheut deri në flijimin e tij heroik bashkë me djalin e tij Salihun, 18 vjeçar dhe kushëririn e afërm Bajram Gashi. Ramë Alia, i familjës Muzlijaj nga fshati Uçë u lind në vitin 1901 në një familje të shquar tradicionale ku besa, trimëria, bujaria dhe atdhedashuria ishin përcjellur si gjërat më të shtrenjta brez pas brezi, si flakadani që nuk shuhet kurrë, as në shtërngatat më të furishme. Babai i tij, Ali Muzlia, që më 1912, me rastin e ripushtimit të Kosovës nga forcat serbo-malazeze, si kundërshtues i këtij pushtimi, së bashku edhe me Abaz Sylën, Sali Hetemin, Daut Arifin, Haxhi Cufën etj., u arrestuan dhe pasi i torturuan në mullirin e Gjuriqëve, në Lugun e Shkive në ish Istog, i mbajtën në ujin e acartë të atij dimri, për t’i rrahur më vonë më drunjë dhe duke ua vendosur kokat në gurët e mullirit në lëvizje për tua gërryer ato. Ramë Alia u rritë dhe u edukua në kullën fortesë, e cila qëndronte si bjeshka,në një pikë nevralgjike, ku i sfidonte të gjitha anët e horizontit. Kjo kullë që nga viti 1900 kur u ndërtua, u shndërrua në një bazë të sigurtë të rezistencës së armatosur. Aty takoheshin trimat e Podgurit,trimat e Drenicës, trimat e Dukagjinit, për të hartuar plane dhe për të marrë vendime për t’i dalur zot fatit të atdheut, rreziqeve pushtuese nga serbo – çetnikët dhe pushtuesë tjerë. Kjo kullë që qëndronte si fanar drite në natën e zezë sterrë për liridashësit,ishte shndërruar halë në sy të okupatorëve. Sa e sa herë ishte sulmuar nga hordhi gjindarmësh dhe banda të kriminelëve serbë, por gjithmonë kishte sprapsur sulmet e tyre me turp nga mëshkujt e kësaj kulle fortesë. Në murët e tymosura nga flakët e luftës së fundit, ajo si dëshmi ruan plagët e predhave të kalibrave të shumëllojshëm që janë zbrazur gjatë periudhës njëqindvjeçare të pushtimit serb. Trualli përrreth saj është i mbjellur me plumba dhe gëzhoja të sulmeve të parreshtura të armiqëve dhe mbrojtjësve të vazhdueshëm që ka bërë kjo familje përgjatë gjithë shekullit të kaluar.

Pas vdekjës së Ali Ramës, Jashari,vëllau i madh i Ramë Alisë, kishte marrë përsipër udhëheqjen e shtëpisë, por edhe këshilltarit të Ramës.i cili ishte betuar në nderin e tij, nderin e familjës dhe në nderin e gjithë atyre luftëtarëve të rënë për liri, për të luftuar deri në vdekje për mbrojtjen e kufijve etnikë, lirinë e popullit tonë deri në bashkimin përfundimtar të trojeve të okupuara dhe bashkimin e tyre me nënën Shqipëri. Në kullën e tij Ramë Alia, si i ri, do të takohej me burra të besës, me trimat e Podgurit, Dukagjinit dhe Drenicës, të cilët po u delnin zot trojeve shqiptare gjithandej, me pushkë në dorë, kundër pushtuesve serbo-malazezë. Si i ri ai jetoi në një kohë të pakohë,në një kohë luftërash,në një kohë kur pushtuesit ndërroheshin njëri pas tjetrit, secili më i zi dhe më barbarë së tjetri. Dhe pikërisht në këto rrethana të turbullta, në heshtje, në vetminë e tij shpirtërore Ramë Alia, do betohej së kurrë nuk do të ndalej, kurrë nuk do ta ulte kokën para falangave pushtuese dhe puthadorëve të tyre.
Vitet 1941-45 për shqiptarët e këtyre trevave janë zëvendësim i pushtimit serb me atë italiano – gjerman. Ndonëse, ky pushtim ishte tejet klasik, si çdo pushtim tjetër, në dukje ishte më i lehtë, më i pranueshem dhe më i përballueshëm nga popullata shqiptaresë ai i okupatorit serb, i cili që nga viti 1912 deri më 1945 kishte ndërmarrë veprimet më shfarosëse kundër popullit shqiptar duke rrahur, burgosur,shpronësuar me toka e shtëpi, duke shpërngulur e duke vrarë në vazhdimësi gjithë rezistencën kombëtare. Ëndrrat serbo – malazeze për t’u rikthyer në Kosovë nuk kishin rreshtur kurrë. Ato po pregaditeshin në kuzhinën serbo-jugosllave me një petk të ri mashtrimi. Forcat partizano – çetnike të mbështetura dhe të ndihmuara edhe nga Fuqitë e Mëdha të koalicionit,po i shtërngonin në rrethim si darë e hekurt trojet etnike duke i sulmuar me të gjitha kapacitetet e mundshme. Pikërisht në këtë kohë,do të shkëlqej personaliteti atdhetar, luftarak dhe vetmohues i Ramë Alisë. Tashmë i pjekur në vorbullën e jetës dhe situatat ushtarake, do të gradohej me gradën e oficerit. Në kohën kur partizano-çetnikët kishin vënë nën zjarrin e armëve të të gjitha kalibrave trevat shqiptare si: Andrejevica, Plava, Gucia, Kolashini, policat e Beranit, Ҫakorri, Kacuberri, Pazari i Ri etj.po lëshohej kushtrimi i lirisë gjithandej Rrafshit të Dukagjinit, Podgurit, Drenicës dhe gjithë Kosovës. Ky kushtrim kishte marrë përmasat e një beslidhje gjithkombëtare, për t’i bërë ballë agresionit dhe rikthimit të pushtetit vrastar serbo-malazez në këto treva. Në këtë kohë, Ramë Alinë e gjëjmë si udhëheqës,si kapedan të një çete vullnetarësh. Veprimtaria e këtij udhëheqësi popullor do të shtrihej gjithandej në mbrojtje të kufijve veriorë të trevave etnike shqiptare. Pikërisht në këto treva së bashku edhe me çeta të tjera, Ramë Alia do të ndeshej me partizanët e Titos, çetnikët e Drazha Mihajlloviqit, të cilët si qëllim të vetëm kishin pushtimin e Kosovës dhe trevat tjera shqipare me çdo kusht.
Sipas dëshmitarëve që mbijetuan këto beteja të ashpra, të cilat shpeshherë shndërroheshin në luftë fyt në fyt, emri i Ramë Alisë u shëndrrua në emblem të lirisë, në emblemë të shpresës dhe bashkimit kombëtar.Ashpërsia e tij në luftë kundër armikut, dashuria dhe respekti që kishte për bashkëluftëtarët e tij, bënë që ai të shndërrohej ndër personalitetet më të respektuara të këtyre trevave, krahas emrave të prijësve të formacioneve luftarake si: Ramë Beka, Binak Përkiçi, Hajdin Zeka, Zekë Hajdini, Bardh Isufi, Ramë Tahiri,Ahmet Nuhi, Sadik Rama,Bajram Keça, Kadri Hajdari, Haxhi Murtezi, Muzli Mula,Fetah Rama,Zenel Ujkani, vëllëzërit: Tafil, Beqir dhe Zeqir Balaj, Nak Berisha, Adem Sejdija,Isa Shalaku, Adem Zenuni etj. Dëshmohet së Ramë Alia, si komandant, respektonte rregulla, zakone lufte, kode morale që buronin nga tradita e jonë shekullore që përkonin me rregullat e së drejtës në luftë. Gjatë udhëheqjës së tij,asnjëherë nuk lejonte të vriteshin fëmijtë, gratë, pleqtë, bujqë duke punuar tokën,njerëz pa armë dhe të dorëzuar… Ai nuk i falte vetëm ata që kishte përballë,ata që ishin rrezik potencial për lirinë e popullit të tij. Ramë Alia dhe luftëtarët e tij u bënë tmerri i armikut. Edhe atëherë kur formacionet partizane dhe çetnike kishin epërsi në ushtarë dhe armatim nuk mundën të matën me çetën e Ramë Alisë. Ndër shumë beteja që mori pjesë gjatë periudhës 1941-45 lufta e Pazarit kishte qenë më e përgjakshmja kundër formacioneve çetnike. Në këtë luftë, më shumë së kudo, kishte shkëlqyer uniteti i armëve të çetave të vullnetarëve të lirisë nga Dukagjini, Podguri, Drenica dhe pjesë tjera të Kosovës. Në këtë betejë forcat vullnetare shqiptare jo vetëm që i detyruan mijëra çetnikë të tërhiqen me turp nga Pazari,por ata lanë qindëra të vrarë pas veti dhe teknikë të ndryshme luftarake. Krahas vullnetarëve të lirisë dhe kapedaneve si Ramë Alia, Mulla Zekë Bërdyna, Haxhi Jaha, Bajram Gashi, Col Bajraktari etj. një kontribut të pamohueshem dhanë edhe oficerët shqiptarë të karrierës nga Shqipëria, të cilët kishin ardhur për ta ndihmuar Kosovën në ditët më tragjike të saj. Numri i tyre është i madh por duhet përmendur: Ahmet Satën, Hysen Xhaferin, Hysni Rudin etj.
Katër vite me radhë, malët përgjatë kufijve etnikë të Kosovës Veriore ishin bërë strehë e qendresës dhe vigjilencës së çetave vullnetare,të cilat ishin shndërruar në shpresën e vetme të mbrojtjes dhe lirisë për shqiptarët e Kosovës.Por,koha edhe kësaj radhe nuk po punonte për mbrojtësit e lirisë dhe integritetit të kufijve shqiptarë. Forcat çetniko – partizane të mbështetura edhe nga faktorë politikë e ushtarakë të Fuqive të Mëdha dhe Bashkimi Sovjetik, kishin filluar depërtimin e ngadalshëm, por të sigurtë drejtë Kosovës. Kosova përsëri po mbytej në pellgun e gjakut dhe klithmave të një tragjedie të re, fundi i së cilës nuk mund të parashihej.Pas kalimit të tri Brigadave të UNC të Shqipërisë nëpër Kosovë, të cilat mobilizuan djalërinë më të mirë të Kosovës për ta ndjekur okupatorin gjerman,për të dhënë kështu, kontributin antifashistë në këtë luftë, në Kosovë do të depërtojnë brigada të ndryshme serbo-malazeze, të cilat si synim kishin ripushtimin e Kosovës. Në trevën e Podgurit, Brigada malazezo – serbe nga Boka e Kotorrit /Bokëshka Brigada/, është e njohur për terrorin që ka bërë mbi popullin shqiptar, për plaçkitjet, bastisjet, arrestimet burgosjet, vrasjet pa gjyq.Poashtu edhe çetnikët serbë të trevës së Istogut që kishin zhveshur uniformat e tyre,kishin rruar mjekërrat dhe ishin kethyer të pabëzdisur jo vetëm në vendin e tyre, por edhe nëpër struktura udhëheqëse dhe komanduese të pushtetit serbosllav që po konsolidohej mbi fatkeqësinë dhe gjakun të derdhur lumë të shqiptarëve të pafajshëm gjithandej etj. Kulla famëkeqe e Popit në Istog, nga OZNA, u shndërrua në burg – thertore, ku ndaj të burgosurve kryheshin masakrimet dhe barbaritë më monstruoze para së të vritëshin pa gjyq. Besohet së rreth 400 shqiptarë të cilët më parë kishin kaluar nëpër duartë e OZNËS gjakatare në Kullën e Popit, janë pushkatuar pa gjyq dhe trupat e tyre janë hedhur nëpër përrocka, zabele të ndryshme, në dy bunarë të mbushur plotë kufoma afër kësaj Kulle e sidomos në Llugën e Xhamisë, ku edhe sot, eshtrat e të vrarëve mbetur mbi tokë akuzojnë të gjallë,të cilët të pabezdisur edhe sot nuk kujtohen të ngrejnë qoftw edhe një monument përkujtimi për ta… Ndonëse kryekrimineli satrap, Josip Broz Tito, në emër të strukturave ushtarake dhe politike që udhëhiqte në Jugosllavi, për të penguar Kosovën drejt bashkimit të saj me Shqipërinë sipas Rezolutës së Konferencës së Bujanit, më 8 shkurt 1945 do të shpallte gjëndjen e jashtëzakonshme në Kosovë duke instaluar një administrim ushtarak.Ky planë ishte përgaditur dhe kishte filluar shumë më heret që do shihej qysh në veprimet e para të depërtimeve të eshaloneve ushtarake serbe, të cilat filluanë plojën më çnjerëzore mbi shqiptarët e pambrojturë gjithandej trevave shqiptare nëpër Kosovë. Hakmarrja e pushtetit serbo – malazez kundër shqiptarëve dukej së ishte akumuluar shumëfish nga një mungesë e pranisë së tyre gjatë viteve 1941-45 në Kosovë. Dihet së vetëm gjatë kësaj gjëndje të jashtëzakonshme ushtarake në Kosovë ,sipas statistikave arkivore janë vrarë dhe masakruar rreth 50000 mijë shqiptarë, pa përmendur të burgosurit dhe të torturuarit tjerë. Kjo gjëndje, ndër më të rëndat që po ndodhte mbi popullatën shqiptare, Ramë Alinë, Bajram Gashin dhe shumë kapedanë dhe luftëtarë tjerë të lirisë do t’i gjënë në mal me armë në dorë duke u përballur tashmë jo vetëm me formacionet e përbashkëta partizano – çetnike,por dhe me njësi vullnetare ndjekëse të përbëra edhe nga shqiptarë, të cilët ishin vënë në sherbim të pushtetit okupues serb. Duke e ndjerë fundin e gjithë asaj rezistence mbinjerëzore që kishin bërë luftëtarët e lirisë në periudhën katërvjeçare, një pjesë e tyre për të humbur gjurmët do të inkuadrohen në bata – lionin e Rakoshit të komanduar nga Zeqir Rexha,i cili u kishte premtuar mbrojtje dhe siguri,ndërsa një numër tjetër do t’u kthehej punëve të përditshme të shtëpisë,ndërsa disa të tjerë që kishin qenë më të ekspozuar gjatë këtyre luftërave edhe pse u dorëzuan në “Besë” të shkive, përfunduan në bajonetat, në darat e mandej edhe nën breshërinë e pushkatimeve pa gjyq. Në rrethana kur çdo gjë po rrokullisej dhe po përmbysej, një grupim i luftëtarëve të Pazarit të Ri dhe rrethinës të komanduar nga kapedani shquar i atyre anëve, Bik Pazari arijnë në bjeshket e Vojdullit dhe pasi takohen me Ramë Alinë, një natë dimri zbresin në kullën e tij. Pas një bisede të gjatë rreth situatës politike dhe ushtarake, Bik Pazari u propozon Ramës dhe Bajram Gashit arratisje për në Greqi. Që të tre ishin miqë dhe kapedanë të shquar dhe shumë herë kishin bashkuar armët kundër të njejtit armik. Sipas Sefer Muzlijajt, i cili është pjestar i afërti i trungut familjar të Ramë Alisë, tregon së ai i qetë dhe i vendosur i shte përgjegjur shkurt: ”Unë kam zgjedhur një rrugë para meje. Që në fillim kur i kam ngjeshur këto armë,jam betuar mbi truallin e kësaj toke,jam betuar në gjakun e gjithë atyre të rënëve që do luftojë deri në frymën e fundit për lirinë dhe bashkimin e popullit tonë. Ky është betim që nuk mund ta thyej, kështu që armët e mia, kundër pushtuesit serb, do të pushojnë vetëm atëherë kur unë do të pushojë së egzistuari”. Duke e njohur Ramë Alinë, Bik Pazari nuk kishte insistuar më shumë. Duke lënë në dispozicion të luftës një sasi armësh dhe municioni, ai ishte nisur i përcjellur me bukë, veshmbathje dhe përcjellës të Ramë Alisë drejt Greqisë.
Janari i vitit 1945 kishte shtri bardhësinë e borës gjithandej. Akujt e strehëve të pullazeve të shtëpive pothuajse preknin tokën.Lëvizja e njerëzve nëpër rrugë ishte rralluar.Lëvizej vetëm për ndonjë punë që nuk priste. Vetëm njesitet e ndjekjes, OZNA dhe strukturat e PKJ-së ishin vënë në lëvizje të mobilizuar. Gjithçka ishte e ftohtë, e tkurrur,e zbrazët dhe e frikëshme në qenjën shqiptare. Bastisjet, rrahjet, keqtrajtimet, burgosjet ishin bërë moto e çdo ore të ditës. Krismat e pushkëve, breshëritë e automatikëve gjatë netëve ishin bërë ritual i përhershëm në kobin e zi të Kosovës.Nuk dihej së kë e merrte nata dhe cilin nuk e gdhinte dita në Istogun e këtij janari të përgjakshëm dhe të frikshëm njëkohësisht.
Muaji shkurt 1945. Në bjeshkët e Vojdullit tri shqiponja vazhdonin të fluturonin lartë. Tre bijë të shqipes luftonin përjetë a vdekje përballë forcave numërike të Brigadës së Bokës dhe forcave vazale shqipfolëse. Shënjestrimi i bijve të trollit arbëror nga ana e falangave serbo-çetnike sa vinte e bëhej më i qartë. Rrethimi disaditor nga qindëra ushtarë po e bënte të vetën. Në një ballafaqim shumë të pabarabartë, pas disa orë luftimi në krye të detyrës në mrotje të atdheut, më 8 shkurt 1945, në fushën e nderit bien për të mos vdekur kurrë Ramë Alia, Bajram Gashi dhe djali 18 vjeçar i Ramë Alisë, Sali Rama, i cili nuk pranoi të shkëputej në asnjë rrethanë nga kjo rezistencë. Po atë ditë, një slitë bore me trupat e tre luftëtarëve të rënë e përcjellur nga një njesit i armatosur po rrëshqiste tëposhtë për në fshatin e Uçës. Mbi bardhësinë e bores gjurmët e gjakut po krijonin heshturazi rrugën e përjetshme të lavdisë, të cilë nuk do ta shlyente as bora ,as harresa e brezave.Për ironi të fatit nga familja e të rënëve u lejuan kufomat u lejuan t’i shihnin vetëm dy gra sa për identifikim. Kufomat nuk iu lanë familjes për t’i kryer ceremonitë e fundit të të vdekurve. Të vrarët atë natë u vendosën në xhaminë e fshatit Shushicë, nën mbikqyrje të fortë të ushtarëve.Të nesërmën u dërguan dhe u vendosën në sheshin e qytetzës së Istogut ku paraprakisht masa nën kërcënimin e armëve ishte detyruar për të dalë dhe për t’i parë të vrarët. Paturpësisht udhëheqës serbë por dhe shqiptarë,kufomat e tre heronjeve te Podgurit i përdorën si podium para turmës së tubuar duke u kërcënuar dhe duke u krekosur se të të njejtën gjë do ta pësojnë të gjithë ata të cilët ndjekin rrugën e këtyre “prishësve të bashkim-vëllazërimit”. Trupat e Bajram Gashit,Ramë Alisë dhe Salih Ramës nuk u lejuan të varrosën as në varrezat e xhamisë së Istogut. Fshehurazi atë natë, tinëz, në fshehtësinë më të madhe, larg syve të njerëzve u varrosën kufomat e tre luftëtarëve të pa epur të lirisë. Sot, në Kosovën e lirë,emrat e këtyre dëshmorëve, luftëtarëve të pakompromisë të idealizmit dhe bashkimit të popullit shqiptarë, mbajnë emra rrugësh të rëndësishme në trevën e Burimit. Ata ishin shembull frymëzimi për brezat e rinjtë të këtij fshati dhe Burimit në përgjithësi cilët nuk u ndalën në përmbushjen e ëndrrës së tyre me veprimtari ilegale, legale pore dhe me pushkë në dorë për çlirimin e K osovës nga okupatori serb. Shëmbëlltyra e Bjram Gashit, Ramë Alisë dhe Sali Ramës do të mbetet përherë flakadan i pashuar…

– Konatkti me autorin: [email protected]

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura