SALIH MEHMETI: ARRATISJA NGA SHTIMJA: RASTI KLINIK I AHMET QERIQIT!

Prishtinë, 27. 09. 2016: Anti-heroi i këtij shkrimi, Ahmet Qeriqi nuk tematizohet në këta rreshta si plak senil dhe i topitun nga dementia. Drejtori i Radios «Kosova e Lirë’ (të mos ngatërrohet me radion që mbante të njejtin emën gjatë kohës së luftës), prej kohësh ásht kthye në nji eremit vetmitar me çallmën osmane në krye dhe ngrys ditët e fundit të jetës së tij me fanitje për nji kohë që s’kthehet ma: për jeniçerë shpatëzhveshun që hakërrehen me «Allahu ekber», për vezirë e pashallarë, për hamame e çeshme, për ulema e për xhami. Dhe shikimi i përhumbet diku «përtej Urës së Qabesë». Saga për lunatikun e Shtimjes mundet me u përmbyll me kaq: robi që e quen vetën drejtor i Radios «Kosova e Lirë» tani ka mbetë fikall vetë. Hetimet ndaj imamit vahabist, Shefqet Krasniqi që ngarkohet me akuzën për «shpërlarje parash», ngjajnë me qenë nji traumë e vërtetë meqë e privon «radion e luftës» nga nji prej sponzorëve kryesor financiar dhe ideologjik. Miku i ngushtë i lunatikut tonë nga Shtimja, imami Shefqet Krasniqi për vite me radhë në rezonancën e valëve «Ju flet Kosova e Lirë» i përhapi mësimet vahabiste, shumë më mirë sesa nga Xhamia e Madhe në Prishtinë. Megjithë pështirosjen e përgjithshme, ankesave të pambarimta dhe qortimeve zemër-plasta të njerëzve, lunatiku ynë nga Shtimja vendosi me provue alkiminë ma të çuditshme. «Radio e Luftës» tani do të bahej megafon i nji botëvështrimi ekstremist për gjithçka që gjallnon në agorat tona.
Si shpjegohet ndryshe kjo disonancë: a bahen bashkë dëshmorët që ranë me flamuj kuqezi me hoxhallarë e imamë që falen pesë herë në ditë para portretit të Erdoanit, që teksa e ndin nëpër gishta tespihet këndojnë «İstiklâl Marşı» e Ersoyt e andërrojnë ditën kur turq e shqiptarë do të qafohen përmallshëm si vllazën. Sigurisht që plaku senil nga Shtimja nuk ásht kaq djallëzor por të paktën di ta ndrrojë gzofin: prej 2009-ës e tutje, shteti turk ka rritë ndikimin dhe praninë e tij n’Kosovë, përpjestimisht e vëllimisht po kaq sa Serbia. Nëse Beogradi vazhdon me mbajtë të gjallë pezhishkën e vet në Kosovë përmes financimit të strukturave paralele, edhe Turqia ka shënue përparime të frikshme në këtë drejtim. Prania gjjithnji e ma e prekshme e shtetit turk nuk shpjegohet nga terma patetik si «vllazni» e «aleancë mes miqsh». Ashtu sikur e sëndërgjon Ahmet Davotugllu në librin e tij «Thellësia Strategjike», në zemër të politikës së jashtme turke në Ballkan ásht orvatja me u rikthye n’Ballkan nëpërmjet lidhjeve të pretendueme kulturore dhe investimeve ekonomike. Njohja e Kosovës nga Ankaraja ishte veçse prologu i gjithështrimjes së Turkisë në vendin tonë. Shërbimi Informativ Turk (Millî İstihbarat Teşkilatı, MİT) si dhe zgjatimi i tij kryesor, TIKA, ka krijue nji rrjet të kapilarizuar demagogësh që bajnë çmos me i fitue mendjet dhe zemrat e njerëzve, në mënyrë që në nji të nesërme të afërt penetrimi turk në Kosovë të natyralizohet si nji etablim i një rendi natyror gjanash. Zaten, sforcimi për me rikonceptualizue historinë shqiptaro-turke sipas një perspektive islamike bahet asisoj sa e kaluara lexohet me korrektesë politike.
Në këtë frymë, ambasada turke tregohet tepër e vëmendshme që përmes «rekomandimeve vllaznore» të diktojë ose të fshijë paragrafe të tëra nga librat e historisë që të hiqet edhe hija e fundit e dyshimit për paudhësitë e të kaluarës. Ky ásht flirti i viktimës me dhunuesin e saj, siç do të shprehej Ismail Kadare. Dhe lunatiku ynë nga Shtimja e kupton mirë klimën e përgjithshme: ai përvjelë mangët dhe na rizbulon nji «paneton» vlerash e heronjsh të ri. Vezirë të njohur e të panjohur, jeniçerë, bashibozukë, hoxhallarë e kadinjë na rizbulohen prej Qeriqit si arketipa të shqiptarit të vërtetë. Na «rizbulon» edhe Halil Patronën, jeniçerin e fundit dhe si ky na paska nisë nji hallakamë midis Stambolli por nuk na thotë nëse patëm hajr prej këtij jeniçeri dhe banditëve të tjerë të pagdhendun – arketipa frymëzues të mjediseve rustike n’Kosovë.

Ashtu si turkofilë të tjerë të të gjitha ngjyrave, lunatiku nga Shtimja shkon edhe nji hap ma tej: konceptimi islamik i historisë duhet me i thjeshtëzue gjanat asisoj që e nesërmja me sjell ymetin monolit islamik: turq, shqiptarë, sirianë, jemenas e arabë krahpërkrah në nji llogor kundër Perëndimit. Për lunatikun tonë nga Shtimja nuk ka randësi pse Perandoria Osmane nuk u njohu trohë subjektiviteti shqiptarëve, madje u mohoi edhe kërkesën minimale për autonomi në një kohë kur Porta e Naltë dhe sulltani me firmane u njihnin të drejta speciale «mileteve» ortodokse në Vilajetin e Shkupit, të Manastirit dhe atij të Selanikut. Ndonëse shkollat e para serbe në Vilajetin e Shkupit u hapën qysh në vitin 1836, ndonëse gazeta e parë në Kosovë u botua në osmanisht dhe serbisht, ndonëse Perandoria deri në ditën e fundit ndërseu aparatin e saj represiv kundër shqiptarëve, Qeriqi dhe turkofilat e tjerë të të gjitha ngjyrave e madhësive nuk dënjojnë me jep përgjigjje për të tilla vogëlsina. Herë në oda e herë në çajtore, misionarët e vllaznisë perpetuale shqiptaro-turke dojnë me na bind se Turqia ásht aleat kryekreje i shqiptarëve. Shestojnë ashtu siç bajnë culltë me ekipe futbolli sesi nëse bahemi bashkë me Turkinë do të jemi ma të fortit në këto anë. Por asnjani nga këta misionarë nuk merr guximin me pohue të vërtetën e hidhun: fakti cullak qysh Turqia vazhdon me kultivue marrëdhanie gjithnji e ma intime me Serbinë. Harrojnë se në vitin 2009 ish-kryetari turk, Abdullah Gyl midis Beogradi pohonte se «Serbia ásht faktori kyç i stabilitetit në Ballkan», nënteksti i të cilës ishte trashja e marrëdhanieve serbo-turke dhe ndarja e rajonit në sfera të padukshme interesi.
Ku mund të vërehet ky përpjestim ma shumë sesa në Kosovë?
Duke përfitue nga elitat e korruptueme politike, në procesin e turbo-privatizimit dihet se kompanitë turke patën thelën ma të madhe të mishit. Turqia sot ka pronësue asetet ma dobiprurëse të ekonomisë së Kosovës: kompania turke «Limak» ásht pronare e Aeroportit ‘Adem Jashari’, nji firmë turke ásht pronare e rrjetit të shprëndamjes së rrymës elektrike – KEDS; nji konzorcium turk ásht gjithashtu ndërtues i autostradës ma të shtrenjtë në Europë. Të gjitha këto investime krijojnë infrastrukturën e tillë që Turkia arrin me nxjerrë miliona euro nga Kosova, meqë mallrat serbe dhe ato turke në treg gzojnë duopoly të harmonishëm. Por Qeriqi me mutantët e tjerë nuk merakosen për to: ata na mallëngjejnë me avazin e viktimizimit, ankohen kurvnisht me za të naltë se paska «turkofobi» në Kosovë, se të gjithë kritikët e Turqisë qenkan «islamofob» e turli stigme tjetër. Por njerëz të esëllt, madje dashamirë të huaj që e duan sinqerisht Kosovën, prej kohësh kanë tërheqë vërejtjen që shqiptarët me pas kujdes prej miqve të rremë (në këto linja ishte edhe deklarata e David Philips).
Hajvanllëqet për «partneritet strategjik» shqiptaro-turk mbesin prapëseprap hajvanllëqe që bajnë përshtypje veç te injorantët. Dy shtete shqiptare që mbahen me paterica në një përçapje të mundimshme të konsolidimit të brendshëm, ende nuk janë shënue në hartë si faktor. Kjo parakupton që çdo «aleancë» që nguten me e shpallë jeniçerët, ásht de-subjektivizim fatal i shqiptarëve, përkatësisht mplekjse në aventura kobzeza, ashtu si dikur Beqir Grebena, oficeri osman me origjinë shqiptare e vnoi në rrezik jete shtetin e sapo-formuem shqiptar tu provue «aleancë shqiptaro-turko-bullgare». Insinuata kryesore që e bajnë turkofilët ásht kjo «Europa nuk na do, Perëndimi nuk na do se jemi shqiptarë, prandaj le të gjuhemi në krahët e bashkë-vëllëzërve tanë të fesë».
Këta gomerë sikur harrojnë që pikënisht Oksidenti «anti-shqiptar» u ba forca kryesore lëvizore që i dha impuls çlirimit të shqiptarëve në nji kohë ku asnji shtet nga e ashtuquajtuna «Konferencë Islamike» nuk guxoi me e sfidue Serbinë e Millosheviqit, madje edhe sot purteken nga dashuriçkat e vjetra që la pas Tito. Antipatia që sëmbon Perëndimin nuk ásht anti-shqiptarizëm: ajo ásht vetëm neveritje me mendësinë e elitave të korruptueme, me honxho-bonxhot që kanë krijue kartele mafioze brenda shtetit. Kjo elitë e delegjitimueme si brenda dhe jashtë vendit, ka gjetë veç një byrazer: regjimin e Erdoganit. Ky i fundit nuk e ka zor me e vnu në lojë nji pjesë jo të vogël të shqiptarëve duke përmendur sharlatanizma e duke nguc sentimentin e tyne fetar.
Siç vëren profesori boshnjak, Enver Kazaz teksa lamenton rrëshqitjen e Bosnjës drejt turkofilisë, tu aludue në Bakir Izetbegoviqin nënvizon se elita politike boshnjake po ‘erdoganizohet’ – babëzia për me e zgjenue pushtetin e tu marrë tipare autokratike. ‘Erdoganizmi’ i elitave ásht nji proces komplementar që harliset me rritjen e sentimentit pro-turk. Nuk ásht çudi që gjen gjithnji e ma shumë shqiptarë që e ndjesojnë Turkinë si atdheun e vërtetë të tyne, që lumnohen kur shohin tankset e ushtrisë turke kah shkrumbojnë kurdët e mjerë, që besojnë me gjithë mend se Turkisë i frikohet Amerika, Rusia dhe krejt Europa.
A nuk e përmendte Çubrilloviqi në elaboratin e tij se mënyra ma e mirë për me e yshtë shprënguljen e shqiptarëve në Turki ásht kur tek ata do të krijohej nji «krenari shtetnore për Turkinë»?
Ndërkohë, anti-heroi jonë, Ahmet Qeriqi tash së fundmi i paska dhënë frymë nji shkrimi me titull që bie në sy edhe nga Aja Sofia e Stambollit «Tri personalitete madhore turke: Ertugruli, Ataturku dhe Erdogani». Ndonëse shkrimi nisë me një disonancë neveritëse (futet në nji torbë Ataturku sekularist me Erdoganin teo-fashist), Qeriqi ndjen nevojë me e sigurue publikun e tij (qofshin në çajtore apo kudo tjetër) e me mos me u merakos fort për puçin kundër «demokracisë turke». Harron virani plak me thanë se ky «puç» ishte gati i paqenë meqë gjithçka nisi si luftë brenda llojit: u rebeluen pikënisht gjeneralë dhe admiralë që ma parë ishin caktue në detyrë nga vetë Erdoani teksa po spastronte ushtrinë nga kundërshtarët. Në një kohë kur regjimi i Erdoanit mungesën e legjitimitetit popullor e kompenson me retorikë populiste islamike dhe me masa drakonike ndaj opozitës, ásht e prishtme që revolta me nisë ma parë brenda radhëve të ushtrisë sesa në protesta që shtypen përgjakshëm nga policia fashiste e Erdoanit. Disa muej pas, Qeriqi si miliona turq të tjerë e kujton puçin si një ankth që desh i hangër kryet krejt rrjetit agjenturor që ka krijue Turkia në Kosovë. Për takimin Putin-Erdoan që u zhvillue në nji serenitet diplomatik, ashtu si dhe për kërkim-faljen plot përulësi ndaj Netanjahut, Qeriq efendia ka veç nji heshtje domethënëse. Çdo fjalë tjetër ásht e tepërt. Arratisje nga Shtimja, ky kish me qenë titulli kuptimplotë që portreton ditët e fundit të Qeriqit. Paradoksi qëndron në faktin që ma normal duken banorët e përhershëm të çmendinës së Shtimjes sesa turkofili, Ahmet Qeriqi që banon disa qindra metra ma larg. Ajme!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura