Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981
Nga Artan R. HOXHA
Më 8 prill të vitit 1981, thuajse një muaj pas demonstratës së parë studentore të 11 marsit në Prishtinë, gazeta “Zëri i popullit” botoi artikullin e parë redaksional në shtypin shqiptar mbi atë që po ndodhte në Kosovë. Regjimi komunist i Tiranës do të qëndronte fillimisht në heshtje për atë që po zhvillohej në krahinën autonome që banohej në shumicë dërrmuese nga shqiptarë. Enver Hoxha do të mbante shënimin e tij të parë mbi lëvizjen studentore në Prishtinë vetëm më datën 1 prill, ku do të theksonte, pa bërë asnjë interpretim, dhunën e përdorur nga policia për të shpërndarë demonstratën e të rinjve si dhe parullat e tyre “Duam Kosovën të bëhet republikë”. Përpara se sa të bënte të ditur qëndrimin e saj, Tirana zyrtare ishte në pritje të zhvillimit të mëtejshëm të ngjarjeve dhe me mjaft kujdes po përpiqej të kuptonte kush i organizonte lëvizjet studentore si dhe çfarë implikimesh do të kishin ato në marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave.
***
Enver Hoxha mbi protestat në Kosovë në 1981 Është e pamundur të mbash nën frikën e tankeve dhe bajon
Qëndrimi i Hoxhës diktohej nga imperativa të realpolitikës dhe rolit që, sipas tij, luante Jugosllavia në sigurinë e Shqipërisë dhe pushtetit të tij. Fati i Jugosllavisë pas vdekjes së Titos e shqetësonte shumë Enver Hoxhën. Qysh më 13 shkurt të vitit 1980, atëherë kur Tito po lëngonte në shtratin e tij, udhëheqësi komunist shqiptar bëri në ditarin e tij një analizë të hollësishme të situatës në Jugosllavi. Në të vërtetë, ky shënim i gjatë ishte një shkrim programatik, i zhveshur nga zhargoni marksist-leninist, ku përcaktoheshin interesat e Shqipërisë së Hoxhës lidhur me të ardhmen e Jugosllavisë post-titiste dhe pozicionin e popullsisë shqiptare në të. Teksa vëzhgonte shuarjen e jetës së armikut të tij të betuar, dora e fortë dhe mjeshtëria e të cilit kishte arritur të mbante në ekuilibër rivalitetet etnike në Jugosllavi, diktatori shqiptar ndiqte me mjaft vëmendje nga fortifikata e tij e izoluar në Tiranë atë që po ndodhte në fqinjin verior.
Përmes një analize të ftohtë të raportit të forcave brenda strukturës federative jugosllave, të cilën e integroi në suazat e përplasjes Lindje-Perëndim, Hoxha profetizoi shpërbërjen e mundshme të federatës. Sipas tij, shembja do të ishte rezultat i ndërthurjes së shkaqeve të jashtme, që ai i identifikonte me rivalitetin amerikano-sovjetik për të zgjeruar sferën e tyre të influencës, dhe faktorëve të brendshëm jugosllav. Rivaliteti për dominim ndërmjet klanit kroato-slloven, që sipas Hoxhës ishte i lidhur me kapitalin perëndimor dhe kishte mbështetjen amerikane, me klanin burokratiko-centralizues serb, ishin burimi kryesor i dobësisë, që e bënin strukturën jugosllave tepër të brishtë dhe lehtësonte ndërhyrjen nga jashtë. Ishte pikërisht frika e këtyre ndërhyrjeve, sidomos e Bashkimit Sovjetik, ajo që e shqetësonte më shumë se gjithçka liderin komunist shqiptar. Ky i fundit, identifikonte Kremlinin si rrezikun kryesor për pushtetin e tij, pasi druhej se, në rast se do të kishin mundësi sovjetikët do të ndërhynin që të ndryshonin regjimin në Shqipëri dhe të vendosnin në krye të vendit mbështetësite tyre.
Ajo që i mbante ushtritë e Traktatit të Varshavës larg kufijve shqiptarë ishte pikërisht Jugosllavia, që për Shqipërinë e Hoxhës luante rolin e një shteti tampon. Edhe pse publikisht Enver Hoxha nuk linte rast pa anatemuar politikën e “mosangazhimit” të Titos si tradhti ndaj marksizëm-leninizmit, në ditarin e tij politik, udhëheqësi i PPSH-së rrëfente se ruajtja prej Jugosllavisë së statusit të vendit të paangazhuar kishte rëndësi jetike për të. Kjo ishte një shtyllë e politikës së jashtme të regjimit komunist të Tiranës dhe drejtuesit e tij do ta bënin vazhdimisht të qartë se nëse Jugosllavia do të sulmohej nga një fuqi e huaj agresive, që nënkuptonte Bashkimin Sovjetik dhe aleatët e tij evropiano-lindorë, Shqipëria do të mbështeste ushtarakisht fqinjin e saj.
Megjithatë, në vitin 1980, Hoxha ishte optimist se udhëheqja kolegjiale jugosllave do ta vazhdonte kursin e Titos. Sipas tij, edhe pse sovjetikët ishin duke përdorur pansllavizmin si instrument ideologjik për të farkëtuar aleancën në Ballkan dhe përmes tij të zgjeronin ndikimin e tyre në këtë pjesë të Evropës, nuk kishin mbështetës në asnjërin prej dy klaneve kryesore në Jugosllavi, përfshi edhe serbët, të cilët ishin të interesuar të ruanin pavarësinë e tyre vis-à-vis të Moskës. Nga ana tjetër, kreu i Tiranës, hidhte dyshime mbi klanin maqedonas, që, sipas tij, mbështeste politikat e aleates më besnike të Kremlinit në Ballkan, Bullgarisë, e nëpërmjet kësaj të fundit, Bashkimin Sovjetik. Për momentin gjërat nuk dukeshin edhe aq keq dhe dukej se jugosllavët ishin të vendosur të mos hynin në orbitën sovjetike, që për Hoxhën ishte konstantja e politikës së tij të jashtme dhe që do të përcaktonte edhe qëndrimin e tij ndaj çështjes së shqiptarëve në Jugosllavi dhe kërkesave të tyre në vitet që pasuan vdekjen e Titos.
Nga njëra anë, Hoxha ishte i interesuar që tensionet ndëretnike në Jugosllavi të ekzistonin, por në atë shkallë sa të dobësonin autoritetin e Beogradit dhe ta bënin më pak të rrezikshëm për të. Nga ana tjetër, ai nuk donte kurrsesi që përplasjet brenda federatës të degradonin deri në shkatërrimin e strukturës së ndërtuar nga Tito. Udhëheqësi i Tiranës argumentonte në ditarin e tij se shqiptarët të shpërndarë në republikat e Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi duhej të qëndronin të bashkuar për të fituar të drejta kushtetuese brenda suazave të federatës, pa u instrumentalizuar nga klani kroato-slloven apo ai serb. Theksi te kujdesi dhe shmangia e mbështetjes së palëve që rivalizonin për pushtet brenda Jugosllavisë, tregonte, në të vërtetë qëllimin kryesor të Hoxhës: mbajtjen nën kontrollin e udhëheqjes komuniste shqiptare të lëvizjes nacionaliste të shqiptarëve në Jugosllavidhe shndërrimin e saj në një instrument të politikës së jashtme të Tiranës. Hoxha nuk donte thellimin e prirjeve qendërikëse brenda Jugosllavisë dhe për këtë arsye ai u përpoq të përdorte shqiptarët që ndodheshin brenda juridiksionit të fqinjit verior si një mjet efektiv për të vendosur ekuilibrin ndërmjet dy klaneve rivale, gjë që do të mbante strukturën federale në këmbë. Aventurat, shkruante ai në ditarin e tij më 23 maj kur do t’i kthehej sërish çështjes së të ardhmes së Jugosllavisë pas vdekjes së Titos, do të shtypen dhe nuk kanë asnjë shpresë për fitore. Në këtë mënyrë, kreu i PPSh-së e bënte mjaft të qartë se zgjidhja e problemit të tyre do të realizohej vetëm në suazat e revolucionit brenda në Jugosllavi.
Por nxitja e nacionalizmit në radhët e rinisë kosovare, me qëllim rritjen e ndikimit të Tiranës tek ajo, mund të shkaktonte një efekt boomerang. Në vend që të ndiqnin udhëzimet e Tiranës, aktivistët kosovarë mund të dilnin jashtë kontrollit të saj dhe të ndërmerrnin nisma që binin ndesh me interesat e udhëheqjes komuniste shqiptare. Kreu i Tiranës zyrtare parashikonte se në një rast të tillë, shumë nga shqiptarët e Kosovës që do të përfshiheshin në ndonjë lëvizje antijugosllave do të arratiseshin në Shqipëri, gjë që do të bënte këtë të fundit të dukej si përgjegjëse për krizën. Hoxha do ta shprehte këtë frikë të tijën kur theksoi se, disa shqiptarë qoftë se ishin vegla serbe apo se “nuk e kuptonin mirë zhvillimin e ngjarjeve” mund të ndërmerrnin hapa që do t’u jepnin dorë klaneve serbe dhe kroate të armiqësonin shqiptarët me popujt e Jugosllavisë. Këtu, me “shqiptarë” kreu i PPSH-së kuptonte regjimin që ai drejtonte.
Mesazhi i Enver Hoxhës ishte i qartë: regjimi i tij nuk do të mbështeste asnjë lëvizje irredentiste shqiptare në Kosovë dhe Jugosllavi. Ai nuk ishte partizan i revizionizmit të kufijve dhe e cilësonte ruajtjen e status quo-së ekzistuese në Jugosllavi si një sine qua non për Shqipërinë e tij. Dhe këtë ai donte që elitat e Beogradit ta kuptonin sa më shkoqur. E megjithatë, përpjekja për ta ushqyer nacionalizmin në radhët e shqiptarëve në Jugosllavi në funksion të interesave të veta e mbarste politikën e regjimit komunist shqiptar me kontradikta të shumta. Tensionet ndërmjet nevojës për të instrumentalizuar nacionalizmin ndër shqiptarët në Jugosllavi, dhe sidomos ata në Kosovë, dhe nevojës për të shmangur fillimin e një krize që mund të shkatërronte federatën ishin të mëdha.
Kjo ishte situata në mars të vitit 1981, kur filluan demonstratat studentore në Kosovë, në tre javët e para të të cilave Tirana qëndroi në heshtje. Ishte një heshtje kuptimplote, një heshtje që dëshmonte se udhëheqja komuniste shqiptare ishte duke kërkuar të kuptonte se çfarë po ndodhte, kush ishin aktorët e përfshirë, çfarë kërkonin ata dhe se si duhej të vepronte në një situatë të krijuar pa dijeninë e saj. Lëvizja e vitit 1981 i shfaqi zhveshur kontradiktat dhe rreziqet e kursit politik të Tiranës, e cila duhej të gjente një pikë pajtimi ndërmjet shtyllave të palëvizshme të konservatorizmit të politikës së saj të jashtme dhe lakueshmërisë së nacionalizmit funksional që ajo artikulonte
***
Në fillim të prillit, Enver Hoxha ishte për pushime në Vlorë kur lajmet për ngjarjet në Kosovë filluan të bëhen alarmante. Më 3 prill, trupat e milicisë serbe shpërndanë me dhunë të skajshme demonstrata në Prishtinë e Podujevë, ku studentëve u ishin bashkuar edhe punëtorët kosovarë; kurse autoritetet jugosllave akuzuan demonstruesit si “nacionalistë shqiptarë” e “irredentistë” dhe shpallën gjendjen e shtetrrethimit. Këto akuza dhe përkeqësimi i skajshëm i gjendjes në Kosovë e detyruan Enver Hoxhën t’i ndërpriste pushimet e tij në qytetin bregdetar jugor dhe të rikthehej me urgjencë po atë ditë në kryeqytet. Të njëjtën ditë, lideri komunist shqiptar u takua me dy bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, Mehmet Shehun dhe Ramiz Alinë. Në vlerësimin që i bëri situatës së krijuar, Hoxha parashtroi se udhëheqja e PPSH-së duhej të analizonte ngjarjet në Kosovë duke vendosur në plan të parë implikimet që ato kishin për RPS të Shqipërisë. Sipas kreut komunist të Tiranës, armiqtë e Shqipërisë socialiste prisnin rastin ta likuidonin atë dhe ngjarjet e Kosovës mund të ishin pjesë e një skenari që kërkonin të përfshinin vendin në një situatë që t’u krijonte mundësi për të arritur qëllimete tyre. Ndërhyrja e Shqipërisë për të kërkuar bashkimin e saj më Kosovën do të ofronte këtë shans dhe prandaj RPSSH-ja duhej të bënte kujdes dhe t’i ndihmonte demonstruesit kosovarë tërthorazi dhe jo në mënyrë të drejtpërdrejtë. Hoxha, u shpreh qartë në këtë takim se regjimi komunist i Tiranës duhej të përpiqej ta mbante të ndezur nacionalizmin shqiptar në radhët e rinisë kosovare pasi kjo do ta mbante këtë segment shoqëror të Kosovës të lidhur pas Shqipërisë. Pra, ndërsa duhej bërë kujdes të mos provokoheshin jugosllavët, sekretari i parë i PPSH-së e konsideronte mbajtjen gjallë të nacionalizmit në Kosovë si një kapital të rëndësishëm politik në shërbim të interesave të tij.
Në mbledhjen e 5 prillit, Byroja Politike e PPSH-së, formalizoi vendimin që Hoxha kishte marrë me Alinë dhe Shehun dy ditë më parë për të botuar një artikull polemizues kundër udhëheqjes jugosllave në gazetën “Zëri i popullit”. Sikundër do të shprehej edhe Hoxha në këtë mbledhje, në një kohë që Shqipëria ngre zërin edhe për vendet më të largëta, nuk mund të qëndrojë në heshtje për atë që ndodh në Kosovë. Artikulli, udhëzoi Hoxha do të mbështetej në një përzgjedhje të lajmeve të Agjencisë Telegrafike Jugosllave “Tanjug” dhe deklaratave të udhëheqësve jugosllavë, serbë e kosovarë në mënyrë që të goditnin fqinjët veriorë. Për shkrimin e artikullit, Byroja Politike ngarkoi Ramiz Alinë, detyrë që e kreu duke u mbështetur në një varg tezash të hartuara personalisht nga Enver Hoxha.
Artikulli doli më 8 prill dhe do të ndiqej nga një artikull tjetër i botuar tek “Zëri i popullit” më 23 të po të njëjtit muaj, i cili po njëlloj u mbështet mbi tezat e Enver Hoxhës. Të shkruara me një ton të kujdesshëm, pajtues por njëkohësisht edhe të vendosur për të hedhur poshtë çfarëdo lidhje ndërmjet Tiranës dhe demonstratave që kishin shpërthyer qysh në mars në Kosovë, të dy artikujt e drejtonin gishtin tek politikat ekonomike të Jugosllavisë si burimin e trazirave që po përfshinin krahinën autonome të banuar në shumicën dërrmuese nga shqiptarë. Duke e përqendruar debatin tek infrastruktura ekonomike si çelësin shpjegues të dukurive politike në nivelin e superstrukturës, udhëheqësi komunist shqiptar përdorte analizën materialiste marksiste për të zhvlerësuar pretendimet jugosllave që mëtonin se prapa revoltave të studentëve kosovarë qëndronte propaganda ideologjike irredentiste e regjimit “stalinist shqiptar”. Ndërsa, udhëheqja jugosllave akuzonte homologen e saj shqiptare për këto revolta, duke i dhënë kështu rol parësor faktorëve të jashtëm dhe subversionit ideologjik të nacionalizmit të ushqyer nga autoritetet e Tiranës, këto të fundit e drejtonin gishtin nga politikat e Beogradit, duke e shndërruar problemin e demonstratave që shpërthyen në Prishtinë në një rezultat të sistemit ekonomik dhe politik të Jugosllavisë. Dhe këtu, nëpërmjet shtypit shqiptar, Hoxha e fuste debatin në orbitën e parapëlqyer të tij: në kritikën ndaj modelit jugosllav të “vetadministrimit”, të cilin udhëheqësi komunist shqiptar e kishte etiketuar si antimarksist dhe kapitalist qysh në vitet ‘50-të.
Ishte varfëria, produkt i diskriminimit ekonomik, ajo që i shtyn kosovarët të ngrihen në protesta, theksonin artikujt e “Zërit të popullit”. Ndryshe nga sa pretendonin teoricienët jugosllavë se Jugosllavia ishte një shtet që mbështetej mbi barazinë e njësive administrative që e përbënin atë, realiteti ishte i mbushur me pabarazi të thella dhe diskriminime që në vend t’i sheshonin, i thellonin ato. Të ardhurat për frymë në Kosovë ishin gjashtë herë më të ulëta se në Slloveni, republika më e begatë e Jugosllavisë, 3.5 herë më të ulëta se në Kroaci, e 2.5 herë më të ulëta se në Serbi. Investimet në Kosovë, vinte në dukje organi i shtypit të PPSH-së, ishin 43% poshtë mesatares jugosllave, ndërsa rritja ekonomike në krahinën autonome shqiptare ishte disa herë më e ulët se në republikat e pasura të federatës jugosllave. Pasuritë e Kosovës shfrytëzoheshin dhe shkonin në tregjet evropiane. Por, kush përfitonte nga këto pasuri? Këtu krijohej një konflikt ndërmjet praktikës së vetadministrimit jugosllav dhe përvetësimit të pasurive të Kosovës nga qendra jashtë saj. Për rrjedhojë, Kosova vuante nga papunësia shumë e lartë dhe emigracioni masiv, plagë këto të gjendjes shumë të vështirë ekonomike dhe mungesës së shpresës për një jetë më të mirë në vendin e tyre. Kjo ishte rrënja e pakënaqësive që cytën demonstratat e marsit dhe prillit të vitit 1981.
Në thelb të problemeve të Kosovës, vinte në dukje një artikull tjetër i “Zërit të popullit”, i botuar më 17 shtator të vitit 1981, ishte statusi i shqiptarëve si shtetas të dorës së dytë. Varfërimi i Kosovës dhe pozita e saj si një periferi ekonomike të republikave të pasura dhe të zhvilluara të federatës lidhej pazgjidhshmërisht me statusin e shqiptarëve si shtetas të dorës së dytë. Për rrjedhim në Jugosllavi ndodhte një shtypje me karakter kombëtar, ku hierarkitë klasore ishin shndërruar në hierarki kombëtare. Fakti që udhëheqja jugosllave nuk pranonte afirmimin kombëtar të shqiptarëve dhe krijimin prej tyre të një republike ishte tregues i qartë se ajo nuk kishte për synim që t’i shkëpuste shqiptarët nga statusi i tyre inferior. Kjo bëhej edhe më e qartë po të merret parasysh se ndërsa Beogradi ndihmonte farkëtimin e një kombi maqedonas, këtë nuk e lejonte për shqiptarët që numerikisht ishin të barabartë me të parët. Pra, problemi nuk ishte kërkesa e ligjshme e shqiptarëve për republikë të tyren brenda suazave jugosllave, por padrejtësitë të krijuara në Jugosllavi kundrejt tyre.
Zgjidhja e kësaj gjendje? Shndërrimi i Kosovës në republikë. Statusi i republikës do të shkëpuste Kosovën nga varësia koloniale e saj prej Republikës së Serbisë dhe republikave të tjera të pasura të Federatës së Jugosllavisë. Në këtë mënyrë, shtypi shqiptar i dërgonte mesazhe pozitive protestuesve kosovarë, duke i treguar atyre se Tirana zyrtare i mbështeste ata. E megjithatë, qëllimi i shtypit shqiptar nuk ishte t’i dërgonte mesazhe vetëm audiencat kosovare por edhe udhëheqjes jugosllave. Kësaj të fundit, regjimi komunist i Tiranës jo vetëm se i bënte të ditur se ai nuk kishte gisht në këto lëvizje, por edhe se kupola e PPSH-së nuk kishte asnjë qëllim irredentist kundrejt Jugosllavisë. Madje, shtypi do të ripohonte se shqiptarët do të luftonin përkrah popujve të Jugosllavisë në rast se ajo sulmohej nga social-imperialistët sovjetikë, deklarata këto që Tirana i bënte për të treguar përkushtimin e saj për të ruajtur strukturën jugosllave të pasluftës.
Jugosllavët, nga ana tjetër, ishin të vetëdijshëm për rëndësinë që ata kishin për mbrojtjen e Shqipërisë nga një sulm i mundshëm nga forcat e Traktatit të Varshavës, mesazh që e bën publik dhe me të cilin debatoi edhe “Zëri i popullit”. Edhe pse nuk e hodhën poshtë pretendimin e jugosllavëve, duke i dhënë atyre të drejtë, pala shqiptare nxitoi t’i kujtonte homologëve të saj jugosllavë se edhe Shqipëria ishte mbrojtëse e federatës nga krahu jugor i saj pasi nuk i hapte dyert investimeve të huaja – që do të përktheheshin në influencë ekstraballkanike në këtë pjesë të siujdhesës, prani ushtarake dhe kërcënim për sovranitetin e Jugosllavisë, madje të krejt Ballkanit dhe Evropës.
Ndërkaq, duke pasqyruar frikën që kishte udhëheqja komuniste shqiptare nga një sulëm i mundshëm ushtarak preventiv të Jugosllavisë mbi Shqipërinë, goditje kjo që mund të synonte lëvizjen e Hoxhës nga pushteti dhe ndryshimin e kursit politik që ndiqte deri në atë kohë Tirana, shtypi shqiptar i kujtonte fqinjit verior se Traktati i Varshavës përfaqësonte armikun kryesor për të dy vendet. Madje, organi i shtypit të PPSH-së nuk kurseu edhe shantazhet kur ngrinte pyetjes se si mund të pretendonte Beogradi, që shqiptarët e Jugosllavisë të kthenin pushkën ndaj Shqipërisë kur ata do të ndiqnin shembullin e Shqipërisë për të mbrojtur Jugosllavinë. Pra, ndërsa nga njëra anë ofronte degën e ullirit, Tirana i lëshonte Beogradit një kërcënim të fshehtë mbi rëndësinë që udhëheqja komuniste shqiptare luante për mbrojtjen e strukturës jugosllave. Ndërsa refuzonte se nuk kishte dorë në revoltat e vitit 1981, nga ana tjetër, Tirana rrihte gjoksin mbi ndikimin e saj mbi shqiptarët që jetonin në Jugosllavi, në mënyrë që të rriste rëndësinë e saj në sytë e udhëheqjes jugosllave.
Njëkohësisht, “Zëri i popullit” ritheksoi vendosmërinë e udhëheqjes së PPSH-së për ruajtjen e status quo-së së kufijve ndërkombëtarë duke argumentuar se nuk kishte asnjë dokument ku Shqipëria të bënte rivendikime territoriale ndaj Jugosllavisë. Madje, që të qetësonte Athinën dhe të shmangte një aleancë antishqiptare greko-jugosllave, shtypi shqiptar i dërgoi sinjale edhe Athinës, kur bënte me dije se regjimi komunist nuk kërkonte rishikimin e rendit ekzistues ndërkombëtar në rajon dhe nacionalizmi i tij nuk ishte irredentist. Fitimi i statusit të republikës për Kosovën, vijonin artikujt e “Zërit të popullit”, ishin një çështje e brendshme e Jugosllavisë dhe e shqiptarëve që jetonin aty.
Mesazhin e mësipërm, gazetat “Zëri i popullit” dhe “Bashkimi” – dy organet kryesore të shtypit komunist shqiptarnëpërmjet të cilave udhëheqja e regjimit të Tiranës bënte botërisht të ditur qëndrimin e saj -e dërgonin edhe në mënyrë të tërthortë, por gjithsesi mjaft efektive, duke vendosur pjesën më të madhe të artikujve mbi Kosovën në faqen katër të tyre, që i kushtohej çështjeve ndërkombëtare. Kështu, raportet dhe komentet mbi ngjarjet në Kosovë vendoseshin përbri reportazheve dhe njoftimeve mbi luftën antiimperialiste të popujve të Lindjes së Mesme dhe asaj të Largët, Amerikës Qendrore dhe Afrikës. Ndarja e të njëjtës hapësirë për zhvillimet në Kosovë me ato në Palestinë, Kamboxhia, Guatemalë apo Honduras në periodikët e saj tregonte qartë se autoritetet e Tiranës nuk i cilësonin demonstratat e vitit 1981 në krahinën autonome juglindore të Jugosllavisë si një problem të brendshëm por të jashtëm.
Si pjesë e gjuhës së dyfishtë që kërkonte të dërgonte mesazhe mbështetëse dhe qetësuese dy palëve të përfshira në konflikt, shtypi komunist bënte të ditur se nuk mund të pajtohej me trajtimin që Beogradi i bënte shqiptarëve dhe këshillonte uljen e gjakrave, maturi e kujdes. E detyruar të ecte mes Silës dhe Kabilës, kupola e regjimit komunist shqiptar gjente ekuilibrin e vështirë duke e kalibruar gjuhën e saj në atë mënyrë që dërgonte sinjalin e duhur secilës palë dhe duke u kufizuar te këshillat dhe sugjerimet. Teksa deklaronte se Shqipëria nuk kishte për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të Jugosllavisë, shtypi i Tiranës zyrtare theksonte se nuk mund të linte pa ngritur zërin për padrejtësitë që u bëheshin vëllezërve të tyre shqiptarë në Kosovë. Ndërsa, vinte në dukje se forcimi i Jugosllavisë ishte në interes të Shqipërisë, udhëheqja komuniste theksonte se ajo nuk pranonte që kjo të bëhej në kurriz të shqiptarëve. Se si Tirana do t’i imponohej Beogradit për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavi, dhe sidomos ata të Kosovës, kjo mbetej e paqartë. Në fakt, deklarata të tilla nuk bartnin ndonjë përmbajtje reale dhe përgjithësisht ishin eufemizma për efekt propagandistik dhe konsum në Kosovë. Udhëheqja e PPSH-së donte t’i dëshmonte demonstruesve shqiptarë në Kosovë se ajo i mbështeste, edhe pse kjo mbështetje ishte vetëm me fjalë, pasi regjimi komunist shqiptar ishte njëkohësisht i interesuar të qetësontejugosllavët.
Një luftë fjalësh filloi midis Tiranës dhe Beogradit. Nga njëra anë pala jugosllave e mohonte diskriminimin e shqiptarëve në Jugosllavi si një problem sistemikdhe i interpretonte ngjarjet që kishin përfshirë Kosovën si rezultat të shovinizmit shqiptar tënxitur nga udhëheqja komuniste shqiptare. Prapa dyerve të mbyllura të mbledhjeve të Byrosë Politike, Hoxha e pranonte se shpërthimi i demonstratave të vitit 1981 ishin edhe pasojë e politikës së regjimit komunist shqiptar, i cili kishte shfrytëzuar bashkëpunimin kulturor ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, të nisur qysh në fund të viteve ’60, për të mbajtur të gjallë ndjenjën kombëtare në të rinisë kosovare. E megjithatë, shtypi shqiptar pretendonte të kundërtën. Gazetat shqiptare argumentonin se mëtimet e udhëheqjes jugosllave identifikonin në mënyrë të qëllimshme Tiranën si përgjegjëse në mënyrë që të shmangnin vëmendjen nga burimi kryesor i pakënaqësive që kishin përfshirë popullsinë kosovare. Në mbështetje të tezave të tyre, autoritetet shqiptare përdorën përgjatë gjithë pranverës, verës dhe vjeshtës së vitit 1981 edhe shtypin e huaj, si atë suedez, zviceran, danez, francez, austriak, meksikan, grek, turk dhe sidomos atë amerikan, gjermano perëndimor dhe italian. Një pjesë e madhe e artikujve që i bënin jehonë ngjarjeve në Kosovë, dhe që organet shqiptare i përzgjidhnin me kujdes, e drejtonin gishtin nga Beogradi si përgjegjësin e vërtetë të trazirave që po ndodhnin në krahinën autonome shqiptare. Duke e shpjeguar situatën e krijuar në Kosovë brenda paradigmës kolonialiste dhe nacionalizmit si një forcë e lidhur pazgjidhmërisht me procesin e dekolonizimit, një pjesë e mirë e artikujve të botuar në gazetat e huaja, të cilat referonin organet e shtypit shqiptar, e identifikonin rrënjën e protestave në Kosovë në pozitën e kësaj të fundit si një koloni e republikave më të pasura jugosllave. Jo shumë ndryshe nga regjimi komunist i Tiranës, edhe këto artikuj e konsideronin Kosovën një Afrikë të Jugosllavisë, ku diskriminimi kombëtar shkrihej me sundimin politik dhe shërbente si bazë për shfrytëzimin ekonomik.
Në faqet e gazetave shqiptare nisën të botoheshin reportazhe dhe artikuj të vjela nga mediat e shkruara të huaja. I tillë ishte edhe rasti i gazetarit suedez, Richard Swarz, bashkëshorti i shkrimtares dhe feministes së njohur kroate, Slavenka Drakulić, i cili në një artikull të botuar në të përditshmen e njohur të Stokholmit, “Svenska Dagbladet” raportonte se shumë të mirarsimuar kosovarë e shikonin vendlindjen e tyre si një koloni të Jugosllavisë, të shtypur dhe shfrytëzuar ekonomikisht. Sipas Swarz, edhe në Beograd, kishte mjaft njerëz që e kuptonin rrënjën ekonomike të revoltave në Kosovë. Një peizazh të ngjashëm ofronte edhe përshkrimi që një student italian i vendosur në Prishtinë, i bënte ngjarjeve në Kosovë. Në një artikull të botuar në gazetën “L’Espresso”, ky student vinte në dukje se 80% e rinisë studentore kosovare nuk gjente punë dhe detyrohej të emigronte. Revoltën e shqiptarëve të Kosovës si reagim ndaj statusit të tyre si popullsi e dorës së dytë dhe marrëdhënieve diskriminuese të tipit kolonial të vendosur brenda RFSJ-së, e artikulonte edhe gazeta amerikane “The Boston Globe”. Sipas një artikulli të botuar në këtë të fundit, në shtetin e sllavëve të jugut, shqiptarët ishin shtetas të dorës së dytë, jo ndryshe nga zezakët në shtetet jugore të SHBA-së. Kosova është bota e tretë e Jugosllavisë, theksonte kjo gazetë dhe shqiptarët në këtë shtet janë më të varfrit e të varfërve që emigrojnë nga vendlindja e tyre për të bërë tjetërkund punë nga më të ulëtat vetëm sepse në Kosovë ata nuk kanë mundësi.
Shtypi shqiptar botoi ekstrakte edhe të një artikulli të gazetës belge “Le Libre Belgique”, e cila vinte në dukje se ndërsa Tito kishte ngritur zërin për fëmijët e Afrikës, tashmë dilte në pah se vetë Jugosllavia ka pasur një situatë të ngjashme brenda kufijve të saj. Kështu, të ardhurat në Kosovë ishin gjashtë herë më të ulëta se ato në Slloveni, varfëri kjo e shoqëruar me papunësi njëzet herë më të lartë se ajo e republikave të tjera. Të njëjtën panoramë ekspozoi edhe gazeta frënge “Le Figaro”, e cila ndërsa vinte në dukje pasuritë e jashtëzakonshme minerare të Kosovës, nënvizonte varfërinë e skajshme të Kosovës dhe plagën e emigracionit. Gazeta e pavarur daneze “Aalborg stiftstidende”, komentonte se burimi i demonstratave të Kosovës ishte shtypja kombëtare që u bëhej shqiptarëve. Diskriminimi ndaj shqiptarëve duket, theksonte kjo gazetë, ushtrohej edhe në rrafshin ekonomik, gjë që pasqyrohet në thellimin e hendekut të krijuar ndërmjet republikave të pasura të Jugosllavisë dhe Kosovës. Krahina autonome nën juridiksionin politik të Serbisë ishte rajoni më i varfër i RSFJ-së. Jo shumë ndryshe shprehej edhe gazeta meksikane “Excélsior”, sipas së cilës arsyet e vërteta të demonstratave ishin varfëria e skajshme e Kosovës dhe stanjacioni ekonomik i saj, produkt i politikës diskriminuese të Beogradit.
Nisur nga rrënja endogjene e shkaqeve të protestave që përfshinë Kosovën në vitin 1981, shtypi shqiptar i bëri jehonë artikujve të botuar në mediat e huaja që e vendosnin përgjegjësinë e trazirave në Beograd e jo në Tiranë. Kështu, gazeta socialiste daneze “Socialistisk dagblad” nënvizonte se shteti shqiptar nuk kishte fare dorë në ngjarjet e Kosovës dhe se nuk kishte ndërhyrë aspak në çështjet e brendshme të Jugosllavisë. Të njëjtën gjë theksonte edhe gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung”, e cila shtonte se çështja e statusit të republikës për Kosovën ishte një problem i brendshëm i Jugosllavisë dhe se qëndrimi i Tiranës zyrtare ishte mjaft parimor. Edhe gazeta meksikane “Excélsior”, pohonte me mjaft forcë se Shqipëria nuk kishte ndërhyrë në punët e brendshme të Jugosllavisë. Edhe revista e njohur të djathtë angleze “The Economist” vlerësonte se ngjarjet në Kosovë ishin rezultat të ndërthurjes së faktorëve nacionalë, ekonomikë dhe shoqërorë. Shqiptarët, theksonin analistët e kësaj reviste, ishin ngritur në demonstrata për shkak të shtypjes kombëtare që ata pësonin nga institucionet e Beogradit. Po në linjë me kundërargumentet e Tiranës zyrtare se Beogradi e drejtonte gishtin nga Shqipëria për të fshehur rrënjën e brendshme të problemit kosovar, gazeta amerikane “The Boston Globe” theksonte se ishte më e lehtë të gjendej një djall i jashtëm se sa të pranohej një “kalbëzim i brendshëm”. Jo shumë ndryshe shprehej edhe gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, e cila pohonte se në Beograd pranohej pak a shumë hapur se pretendimi për dorën e Tiranës në trazirat e Kosovës ishte një lëvizje taktike për të hequr përgjegjësitë nga vetja.
***
Shtypi i huaj i shërbente Enver Hoxhës dhe rrethit të tij të ngushtë shumë më tepër se sa një platformë në shërbim të pretendimeve të veta apo si armë për të sulmuar argumentet e palës jugosllave. Për udhëheqësin komunist, shtypi ishte barometër i politikës ndërkombëtare, instrument për të matur qëllimet e shteteve të ndryshme dhe politikave që ndiqnin elitat e tyre; shtypi ishte mjet për të kuptuar edhe pozitën e tij dhe Shqipërisë komuniste në botë. Në fakt, sikundër shihet qartë edhe në gazetat që referonte shtypi shqiptar, ngjarjet e Kosovës kishin gjetur jehonë në diskutimin publik vetëm në vendet e demokracive liberale. Asnjë organ shtypi në bllokun socialist nuk kishte shkruar për demonstratat e Kosovës dhe shtypjen e tyre me dhunë të skajshme nga organet policore dhe ushtarake jugosllave. Një gjë e tillë nuk mund t’i shpëtonte Enver Hoxhës, i cili e kishte shumë të qartë se pavarësisht lirisë relative që kishte media në vendet e Traktatit të Varshavës, në asnjë rast shtypi nuk do të sfidonte politikën e regjimeve të tipit sovjetik. Në një reflektim të gjatë që mbajti në ditarin e tij më 22 maj të vitit 1981, diktatori shqiptar e përqendroi vëmendjen e tij te sovjetikët dhe bullgarët. Sipas Hoxhës, udhëheqja e Moskës dhe ajo e Sofjes, ose nuk mbanin anë në konflikt në mënyrë që të nxisnin konfliktin shqiptaro-jugosllav e të përfitonin prej tij, ose sepse ato ishin të lidhura dhe mbështetnin në heshtje elemente të caktuar në Beograd.
Në fillimi të qershorit,Hoxha dhe shtypi shqiptar e drejtuan gishtin hapur drejt klanit serb si kolona e pestë prosovjetike në Jugosllavi. Në të vërtetë, gjatë majit të vitit 1981, fillon një ndryshim i rëndësishëm në ligjërimin e regjimit komunist shqiptar. Si do të thoshte edhe Enver Hoxha në mbledhjen e Byrosë Politike të datës 13 majit të vitit 1981 të mbajtur mbi qëndrimin publik të PPSH-së ndaj zhvillimeve në Kosovës, situata në Jugosllavi “nga koha në kohë ka evoluar”. Ndryshimi i situatave, për të cilat fliste Hoxha, e kishin bërë më të qartë për diktatorin komunist se cili ishte rreziku afatgjatë dhe më i madh për të, gjë që do të pasqyrohej edhe në gjuhën e përdorur në shtypin shqiptar. Edhe pse akuzat ndaj titizmit dhe sistemi të vetadministrimit si burim i problemeve në Kosovë mbetën konstante e këtij diskursi, rëndësia e tyre filloi të humbasin. Nga ky moment, në fokus të udhëheqjes së PPSH-së vendoset klani serb.
Demonstratat në Kosovë treguan qartë krisjet që ekzistonin brenda udhëheqjes kolegjiale jugosllave dhe brishtësinë e strukturës federative; sikundër shfaqi qartë se klani serb ishte më i vendosuri kundër kërkesave të shqiptarëve, i cili ecte paralelisht me vendosmërinë e eksponentëve të shquar të këtij grupimi për të rivlerësuar pozicionin e serbëve brenda suazave të Jugosllavisë titiste. Nacionalizmi serb në rritje, rishfaqi për udhëheqjen komuniste shqiptare fantazmat dhe frikën e të shkuarës. E bashkë me fantazmat e të shkuarës regjimi komunist shqiptar nisi të huazonte nga e shkuara edhe repertorin terminologjik për të zhvilluar debatin e tij me ata që Tirana zyrtare identifikoi si armiqtë kryesor të saj. Nga maji i vitit 1981, termat kryesore në ligjërimin e shtypit komunist shqiptar janë ata të “serbomëdhenjve” dhe “social-imperialistëve sovjetikë”, që nisin identifikohen me politikat pansllave të Rusisë cariste. Bagazhi kryesor që frymëzon këtë terminologji është nacionalizmi shqiptar dhe përvoja historike e tij, gjë që krijonte për regjimin komunist atë që sociologu amerikan Sideny Tarrow e emërton si “rezonancë simbolike”. Bëhet fjalë për koncepte familjare dhe të njohura nga aktorët e përfshirë në luftën politike dhe që përdorin një bagazh të caktuar leksikor për të formuluar idetë dhe kërkesat e tyre, kundërshtarët dhe strategjitë për të përmbushur objektivat që ata kanë. Ky bagazh shpesh është i ri, por në mjaft raste huazohet nga e kaluara, sidomos kur rrethanat e reja u përgjigjen përvojës historike. Në këto raste, thekson Tarrow, kur nocione të rëndësishme gjuhësore fitojnë qëndrueshmëri në aksionin politik, atëherë ato fitojnë cilësinë e “modularitetit strategjik”, pra zotërojnë fleksibilitetin e duhur për t’iu përshtatur rrethanave të ndryshueshme historike.
Nëse gjatë prillit artikujt e botuar në shtypin shqiptar e preknin problemin e shpalljes së Kosovës republikë vetëm brenda tekstit dhe mes rreshtash, duke nisur nga maji, regjimi komunist shqiptar nis e kërkon këtë gjë hapur duke e vendosur në qëndrimin e tij edhe në titujt e artikujve të botuar në organin e tij të shtypit, “Zëri i popullit”. Tanimë, në vend të gjuhës së dyfishtë, e cila kërkonte të qetësonte njëkohësisht Beogradin dhe të ruante ndikimin mbi demonstruesit kosovarë, udhëheqja komuniste shqiptare filloi të ishte më e drejtpërdrejtë e të përdorte një gjuhë që dërgonte gjithnjë e më pak mesazhe të shumëfishta. Paralelisht me artikulimin më të hapur të nevojës për shndërrimin e Kosovës në republikën e shtatë jugosllave, shtypi shqiptar i mëshoi gjithnjë e më shumë tezës serbomadhe si burimi kryesor i protestave në krahinën autonome me shumicë dërrmuese shqiptare. Tanimërrënja e pakënaqësive të shqiptarëve në Kosovë identifikohet gjithnjë e më pak me sistemin e vetadministrimit, e gjithnjë e më shumë me shovinizmin serb.
Siç do të theksonte edhe artikulli i tretë i rëndësishëm redaksional që botoi “Zëri i popullit” mbi çështjen e Kosovës, më 17 maj të vitit 1981, fakti që Beogradi lejoi krijimin e një republike maqedonase dhe malazeze por ndaloi rreptësishtë atë të Kosovës, tregon se në kryeqytetin e Jugosllavisë dominonte mendësia dhe politika e borgjezisë serbomadhe. Deklaratën e Petar Stambolić, njëri nga përfaqësuesit kryesor të klanit serb në Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë, se nuk kishte një etni të pastër shqiptare në Kosovë, udhëheqja komuniste e Tiranës i shikonte si zgjatime gjenealogjike të programeve shoviniste të Vaso Čubrilović. Këto deklarata, theksonte artikulli i “Zërit të popullit”, i cili ishte konceptuar nga vetë Hoxha dhe ishte diskutuar në Byronë Politike të PPSH-së, ishin për nga natyra fashiste dhe krijonin etni të dorës së parë dhe ato të dorës së dytë, në shfrytëzues dhe të shfrytëzuar. Ishin “serbomëdhenjtë” ata që, sipas një artikulli tjetër të botuar në 12 shtator të vitit 1981 nga “Zëri i popullit”, pengonin kthimin e Kosovës në republikë. Tashmë nuk ishin as titistët dhe as klani kroato-slloven, që ishte i lidhur me kapitalin perëndimor dhe SHBA-në, ata që përfaqësonin armikun e shqiptarëve në të dyja anët e kufirit politik shqiptaro-jugosllav, por ishte klani serb.
Manovrat diplomatike të eksponentëve të rëndësishëm të qarqeve politike serbe për të farkëtuar një aleancë me rrethet nacionaliste greke që kërkonin aneksimin e Shqipërisë së Jugut, e përforcoi bindjen e lidershipit të Tiranës se “serbomëdhenjtë” ishin një rrezik ekzistencial për Shqipërinë. Sipas “Zërit të popullit”, ishte klani serb ai që kishte kërkuar aleat te Greqia kundër Shqipërisë me qëllim izolimin e Shqipërisë dhe futjen e saj brenda kllapës greke dhe serbe. Sikundër tregon edhe historiani Beqir Meta, ky përfundim nuk ishte i pabazuar dhe frika e krerëve të regjimit komunist shqiptar nuk ishte e pambështetur. Në të vërtetë, Jugosllavia, në një përpjekje për të goditur Shqipërinë në sa më shumë fronte, përpos mbështetjes që i dha forcave nacionaliste greke që kërkonin aneksimin e krahinave jugore të Shqipërisë, bëri një manovër të gjerë diplomatike të ekspozonte dhunimin e të drejtave që regjimi komunist shqiptar i bënte minoritetit grek.
Në këtë moment, qasja e Hoxhës ndaj Greqisë merr një kthesë të rëndësishme. Në këtë kuadër, ai botoi librin “Dy popuj miq”, ku edhe reflektohet kursi i ri i politikës së jashtme shqiptare që kërkon afrimin me Greqinë në funksion antijugosllav. Hoxha vetë do të kërkonte shpeshtimin e marrëdhënieve tregtare dhe shkëmbimeve me Greqinë për të ulur rolin e Jugosllavisë në ekonominë shqiptare. Në fakt, pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën, partneriteti ekonomik dhe shkëmbimet tregtare me Jugosllavinë u rritën ndjeshëm, gjë që edhe vetë jugosllavët ishin të vetëdijshëm për rolin e tyre. Sikundër e vë re edhe Beqir Meta në studimin e tij të marrëdhënieve shqiptaro-greke gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, në vitin 1981, rritja e tensioneve ndërmjet Tiranës dhe Beogradit, e shtyu regjimin komunist shqiptar të kërkonte të rriste shkëmbimet tregtare me vende të tjera të rajonit dhe Evropës Perëndimore në mënyrë që të ulte varësinë ekonomike ndaj Jugosllavisë.
Nga maji, regjimi komunist shqiptar e zhvendosi ideologjikisht edhe interpretimin e tij mbi rrënjën e protestave në Kosovë. Nga shpjegimet material-ekonomike, artikulli i 17 majit argumenton të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për të pasur një republikë të tyren në suazat e Jugosllavisë mbi bazën e argumentit primordialist të unitetit të kulturës popullore, gjuhës, historisë, letërsisë dhe muzikës së përbashkët. Në këtë artikull, koncepti marksist i tregut të unifikuar kombëtar, si baza mbi të cilën ngrihej kombi u zhduk krejtësisht dhe në vend të tij, Hoxha dhe lidershipi komunist shqiptar nisën të përdornin një ligjërim që mbështetej mbi parimet e Herderit dhe Fishtës. Unitetin shpirtëror dhe kulturor i këpuste lidhëzat e shumta të këmishës së forcës që impononin ekonomia dhe politika. Në një demonstrim force, artikulli i 17 majit i kujtonte udhëheqjes jugosllave se shqiptarët ishin komb i vetëm, një realitet i përbërë prej 5 milionë banorësh të vendosur në një territor kompakt.
Një pohim i tillë nga ana e autoriteteve shqiptare nuk ishte i rastësishëm. Beogradi kishte akuzuar Shqipërinë komuniste se kishte shndërruar në një armë lidhjet kulturore të vendosura pas vitit 1968 midis Shqipërisë dhe Kosovës për të përhapur ide irredentiste dhe shoviniste. Duke drejtuar gishtin nga shovinizmi borgjez serb, Tirana legjitimonte politikën e saj kulturore ndërmjet shqiptarëve nga të dy anët e kufirit jo si shprehje e nacionalizmit romantik, por si një e drejtë që nuk binte ndesh me frymën e socializmit. Beogradi hidhte poshtë kërkesat e shqiptarëve në Kosovë duke përdorur në mbështetje të tij marksizmin. Autoritetet e larta jugosllave i etiketonin kërkesat e nacionalistëve shqiptarë si “mite të së kaluarës” e “idhuj të së kaluarës” të frymëzuara nga nacionalizmin romantik. Duke i identifikuar këto kërkesa si antisocialiste, elita jugosllave synonte të delegjitimonte kërkesat e shqiptarëve në Kosovë. Në kundërpërgjigje, shtypi komunist shqiptar i hidhte poshtë këto pretendime pasi ato sipas tij synonin privimin e shqiptarëve nga e drejta e vetëvendosjes, e mbështetur mbi idenë e kombit, për t’u organizuar në një republikë.
Jashtë këtij debati nuk do të mund të qëndronin historianët. Stefanaq Pollo, drejtori i Institutit të Historisë në Tiranë, ishte një ndër studiuesit shqiptarë që kërkoi të pajtonte marksizmin e deklaruar të udhëheqjes së PPSH-së me ligjërimin saj nacionalist të tipit herderian. Në debat me një artikull të botuar në gazetën “Le Monde” – të cilën “Zëri i popullit” e quante si një zëdhënëse të shovinizmit jugosllav – që pohonte se shqiptarët kishin kolonizuar Kosovën, Pollo argumentonte se këto teza ishin ndërtuar nga historiografia borgjeze serbe e shek. XIX, teza këto që ajo jugosllave vijonte t’i riciklonte. Si pjesë e një akademie të një vendi josocialist, ku socializmi ishte një cipë e hollë që nuk e fshihte dot ideologjinë borgjeze që udhëhiqte elitën politike jugosllave, edhe historiografia e këtij vendi nuk udhëhiqej nga marksizmi.
Pollo e hidhte poshtë tezën e kolonizimit të Kosovës dhe argumentonte në mënyrë aspak marksiste se shqiptarët e këtij rajoni kishin formuar tiparet e një kombësie kompakte qysh në shekullin XIV – kohë kjo kur në hapësirën shqiptare as nuk mund të bëhej fjalë zhvillim kapitalist. Zgjerimi i shtetit mesjetar të Nemanjiçëve vendosi përballë klasën feudale serbe mbi masën e gjerë autoktone shqiptare. Pollo e vendoste dominimin serb të Kosovës dhe programin e “Serbisë së madhe” në një kontekst më të gjerë kur e krahasonte atë me programit nazist të “Lebensraumit”, që kërkonte pushtimin gjerman të krejt hapësirës së Evropës baltike nisur nga sundimi shumëshekullori fshatarësisë sllave prej aristokracisë prusiane. E njëjta dukuri kishte ndodhur edhe në territoret moderne jugosllave, ku pjesë të tëra të rajoneve të populluara nga popullsi sllave dominoheshin nga aristokracia dhe borgjezia urbane gjermane. Mesazhi i këtij prezentizmi historik ishte i qartë: shqiptarët në Kosovë po përjetonin në fundin e shekullit XX një rikthim në histori, një padrejtësi që i kthente ata mbrapsht në kohën kur dikur popullsia e rajonit sundohej nga kasta drejtuese e një shteti të huaj. Si në mbretërinë e Njemanjiçëve në mesjetë, ashtu edhe në mbretërinë e Karagjorgjeviqëve apo në Jugosllavinë titiste në shekullin XX, shumica autoktone shqiptare po shtypej nga një shtet i huaj, duke e bërë këtë riciklim të historisë një plagë të shekullit ku parimi i vetëvendosjes ishte postulati kryesor për organizimin e rendit ndërkombëtar.
Historianët nuk ishin të vetmit intelektualë shqiptarë që u përfshinë në betejën mbi mitet e nacionalizmit shqiptar e serb. Shkrimtari i shquar Ismail Kadare u bë pjesë e këtij debati. Në artikullin “Kultura shqiptare në shënjestër të shovinizmit serbomadh”, të cilën Hoxha e kishte lexuar paraprakisht dhe shprehu pëlqimin për përmbajtjen e tij, Kadare replikoi me ideologët jugosllavë, që e konsideronin nacionalizmin shqiptar në Kosovë si të nxitur nga Tirana dhe e vishnin me petkun reaksionar të “romantizmit kombëtar” dhe “idealeve të vdekura”, si një alternativë anakronike, të tejkaluar, një ide subversive që krijonte kushtet për shkatërrimin e Jugosllavisë. Njëlloj si edhe Pollo, Kadareja, që diskutoi mitet e historisë, mori në shqyrtim idhujtarinë e tejkaluar kombëtare duke e ballafaquar atë me idhujtarinë e re jugosllave, që i shërbente interesave të Beogradit në dëm të interesave të veçanta, por që në të vërtetë ishte idhujtaria e nacionalizmit serb që kërkonte të heshte atë shqiptar. Si do të mundeshin intelektualët shqiptarë të Kosovës të këmbenin historinë mijëravjeçare të kombit të tyre me atë 40-vjeçare të Jugosllavisë socialiste? – pyeste Kadare. Njëlloj si edhe të gjithë nacionalistët, shkrimtari i shquar shqiptar e esencializonte kulturën shqiptare dhe e shikonte atë të shprehur tek një strukturë mendore dhe ndijore specifikisht shqiptare që shpalosej në jetën shpirtërore të kujtdo shqiptari. Kështu, kombi shqiptar shihej dhe vlerësohej si një entitet ahistorik që kishte mbijetuar për mijëra vite dhe që kishte ruajtur të paprekur thelbin e tij.
Artikulimi gjithnjë e më i hapur i dimensionit kulturor të kombit e shndërroi kulturën dhe historinë shqiptare ashtu si e përpunonte dhe përhapte regjimi komunist i Tiranës në një mollë sherri mes këtij të fundit dhe Beogradit. Në kushtet kur përdorimi i trashëgimisë kulturore i shërbente farkëtimit të një vetëdije kombëtare në radhët e shqiptarëve të Jugosllavisë dhe orientimin e besnikërisë së tyre kah Tiranës, gjë që përshkallëzonte edhe më tej prirjet centrifugale në Jugosllavinë post-titiste, një grup politikanësh të lartë jugosllavë, sidomos serbë, propozuan ndërprerjen e marrëdhënieve kulturore ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, bashkëpunim ky që shihej në zanafillë të trazirave të vitit 1981 dhe ngjalljes së idhujve të nacionalizmit. Me udhëzimin personal të Enver Hoxhës, shtypi shqiptar nisi një ofensivë kundër këtij propozimi. Si pjesë e kësaj fushate, një grup dijetarësh dhe profesorësh shqiptarë, ndër të cilët fizikanët Sotir Kuneshka dhe Viron Kola, matematikani Aleko Minga, mjeku Pëllumb Bitri, historiani Stefanaq Pollo, gjuhëtari Androkli Kostallari e të tjerë studiues, akuzuan në një artikull të botuar në 26 maj të vitit 1981 në gazetën “Zëri i popullit” se prapa masave obskurantiste që propozonin segmente të caktuara në Beograd fshihej dora e klanit serbomadh. Këto qarqe shoviniste synonin të pengonin zhvillimin kulturor të shqiptarëve në Jugosllavi sepse dija si forcë emancipuese shndërrohej në një instrument zhvillimi të tyre kombëtar.
Përpos dijetarëve dhe akademikëve, pjesë e polemikës së përgjithshme u bë edhe kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve, Dritëro Agolli. Në një artikull të dalë në “Zërin e popullit” më datë 7 qershor, në replikë me gazetën serbe “Politika”, të cilën shtypi shqiptar e cilësonte si zëdhënëse të klanit serbomadh, Agolli kujtonte se Tito e kishte miratuar personalisht vendosjen e bashkëpunimit kulturor midis Shqipërisë dhe Kosovës. Nëse ky bashkëpunim do të nxiste irredentizmin, vijonte Agolli, Tito nuk do ta kishte miratuar. Edhe pse Agolli nuk vononte të theksonte se Tito gjithashtu ishte antishqiptar, argumenti i tij nënkuptonte se nuk ishin mbështetësit e udhëheqësit të vdekur jugosllav, por armiqtë e këtij të fundit ata që donin t’i jepnin fund shkëmbimeve kulturore ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. E këta armiq nuk ishin askush tjetër por serbomëdhenjtë.
Përgjatë verës dhe vjeshtës së vitit 1981, si ideja e pavarësisë së Kosovës ashtu edhe akuzat ndaj klanit serbomadh do të bëheshin më të hapura dhe do të ishin politikat kulturore jugosllave ato që autoritetet e Tiranës do të cilësonin si antisocialiste. Përpjekjet e udhëheqjes jugosllave për ndërtimin e identitetit kulturor të jugosllavizmit, regjimi komunist i Hoxhës i emërtoi si një veshje e re për politikat e vjetra të mbretit Aleksandër për të serbizuar gjithë popujt e Jugosllavisë. Elitat e Federatës po dëshmonin se vijonin të frymëzoheshin nga të njëjtat parime si ato të borgjezisë së vjetër serbe. Jugosllavizmi nuk ishte asgjë tjetër vetëm se një emër i ri për të zbatuar politikën e kahershme serbe për asimilimin e shqiptarëve. Ndërsa akuzonin shqiptarët për nacionalizëm romantik dhe shovinizëm, ishin vetë serbët, malazezët dhe maqedonasit ata që po vepronin nën ideologjinë e shovinizmit borgjez dhe ishin ata antisocialistët. E thënë ndryshe, në Beograd ishin ulur këmbëkryq fashistët serbë, të cilët regjimi i Titos jo vetëm që nuk i kishte asgjësuar por i kishte integruar ata dhe ideologjinë e tyre brenda strukturës së pushtetit në krye të të cilit ndodhej vetë ai.
Më 9 qershor, në artikullin redaksional “Piemonti i mirëfilltë, “Piemonti” jugosllav dhe “Piemonti shqiptaromadh”, i cili ishte po ashtu i mbështetur mbi tezat e Enver Hoxhës, “Zëri i popullit” e ritheksoi këtë qëndrim të regjimit komunist shqiptar. Shqipëria socialiste, theksonte ky artikull, nuk kërkon ndryshim kufijsh, por një trajtim të barabartë të shqiptarëve të cilët shteti jugosllav i konsideron si “racë inferiore”. Në thelb të këtij racizmi qëndronte vetë programi i “Serbisë së madhe”, që kishte ushqyer politikën serbe qysh prej shekullit XIX e që reminishencat e saj po shpaloseshin qartazi në Kosovë në vitin 1981. Projekti nacionalist serb ishte në thelb imperialist dhe synonte bashkimin e sllavëve të jugut nën egjidën hegjemone serbe. Vetëm socializmi, i cili asgjësonte bazën e shfrytëzimit të shumicës nga pakica, mund të emanciponte popujt e Jugosllavisë dhe ta shndërronte këtë të fundit në një shtet ku të gjithë grupet të ishin të barabartë. Problemi ishte, vijonte artikulli, se Tito dhe klika e tij nuk ishin komunistë dhe klani që udhëhiqte Jugosllavinë e tradhtoi socializmin, duke i lejuar idesë serbomadhe të mbijetonte në formën e centralizimit burokratik serb. Mohimi i të drejtave të shqiptarëve në Kosovë ishte shprehja më e mirë e mbijetesës së shovinizmit borgjez serb në suazat e një shteti të vetëshpallur socialist, ku socializmi ishte një fasadë për të fshehur pabarazitë tipike të kapitalizmit.
Në 12 shtator të vitit 1981, “Zëri i popullit” botoi një tjetër artikull ku ndërsa pohonte me forcë të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për të jetuar në një republikë të tyren brenda suazave të Jugosllavisë, mëtonte se Beogradi kërkonte asimilimin e shqiptarëve brenda masës sllave. A mos vallë po përgatiten serbomëdhenjtë t’i heqin Kosovës të drejtën të flasë shqip? – pyeste Dritëro Agolli në artikullin e tij të 7 qershorit. Censurimi i teksteve si dhe shkarkimet në stafin pedagogjik shqiptar në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi, argumentonte një artikull i botuar po në shtator në gazetën “Mësuesi”, ishin pjesë e atyre politikave që synonin shndërrimin e rrjetit arsimor në zonat shqiptare nga një instrument për ruajtjen e vetëdijes kombëtare në një platformë për të asimiluar dhe sllavizuar shqiptarët nën parullën e jugosllavizmit. Këto reagime, vinte në dukje ky artikull, nuk ishin gjë tjetër veçse histeri serbomadhe të trashëguara nga e kaluara.
Sipas Ismail Kadaresë klima e ashpër e krijuar në Jugosllavi ishte rezultat i fushatës antishqiptare të krijuar nga shovinizmi serb i cili kishte vënë në shënjestër kulturën shqiptare. Këtë “gjueti shtrigash”, sikurse e konsideronte Kadare fushatën e ndërmarrë në atë kohë në Jugosllavi kundër lidhjeve kulturore ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, shovinistet serbë e bënin me qëllim të diskreditonin dhe përndiqnin intelektualët kosovarë që ishin bërë flamurtarë të lëvizjes për emancipimin e shqiptarëve në Jugosllavi. Në Tiranë, goditjen sistematike që organet jugosllave po i bënin institucioneve kulturore dhe arsimore në zonat shqiptare e interpretonin si një përpjekje për të goditur ndikimin që Shqipëria komuniste kishte mundur të ndërtonte në radhët e inteligjencies shqiptare gjatë thuajse një dekade e gjysmë, qysh nga viti 1968. Objektivi kryesor i Beogradit, në këndvështrimin e krerëve të PPSH-së ishte të këpuste lidhjet sinkronike dhe diakronike me Shqipërinë.
Përse “serbomëdhenjtë” vihen në qendër të vëmendjes së regjimit komunist shqiptar? Përse Tirana zyrtare nisi të konsideronte klanin serb si një rrezik eminent të sajin? Përse udhëheqja e PPSH-së filloi të shqetësohej për politikat asimiluese që autoritetet e Beogradit po kërkonin të zbatonin kundrejt popullsisë shqiptare në Jugosllavi? Përse kultivimi i identitetit kombëtar ndër shqiptarët e Jugosllavisë mori një rëndësi të madhe për Enver Hoxhën në vitin 1981? Përse regjimi komunist shqiptar filloi të shprehte hapur qëndrimin e tij pro shpalljes së Kosovës si republikë e shtatë e Jugosllavisë? Për t’i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, duhet bërë lidhja ndërmjet fjalëve kyç “serbomëdhenj” dhe “social-imperialistët sovjetik”.
***
Nëse pas vdekjes së Titos, në vitin 1980, udhëheqësi komunist shqiptar mendonte se grupimi serb në Jugosllavi do të ndiqte një kurs politik që do të mbante Moskën larg kufijve jugosllavë, ndërsa ngjarjet në Kosovë një vit më vonë e shtynë kreun e PPSH-së të ndryshonte mendim. Heshtja e shtypit sovjetik , bullgar dhe e gjithë vendeve të bllokut socialist mbi ngjarjet në Kosovë, përfshi këtu edhe atë kubanez , ndaj ngjarjeve në Kosovë, e shtynë Enver Hoxhën dhe rrethin e tij të ngushtë të rivlerësonin raportet ndërmjet klanit serb dhe Kremlinit. Madje, dyshimet e udhëheqësit komunist shqiptar kundrejt qëllimeve të Sofjes zyrtare u shtuan edhe më tej, ishte botimi që shtypi bullgar i bëri hartës së Bullgarisë së madhe të dalë nga Traktati i Shën Stefanit, brenda të cilës përfshiheshin edhe vise shqiptare.Intensifikimi i ligjërimit nacionalist në rajon çoi në kundërpërgjigjen shqiptare dhe Enver Hoxha porositi rrethin e tij të ngushtë të godisnin në shtyp edhe bullgarët. Këtë fakt,të cilin Hoxha e kishte artikuluar në ditarin e tij qysh në fund të majit, “Zëri i popullit” e bëri të qartë publikisht më 5 qershor të vitit 1981. Në një artikull të kësaj date, kjo gazetë theksoi se ndërsa Uashingtoni u mundua të qëndronte i paanshëm dhe i konsideroi trazirat në Kosovë si një problem të brendshëm të Jugosllavisë që nuk prekte interesat amerikane, sovjetikët nuk shpreheshin aspak lidhur me këtë çështje. Sipas organit të shtypit të PPSH-së, Kremlini po shfrytëzonte demonstratat në Kosovë për të nxitur tensionet ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë që të dobësonte të dy fqinjët ballkanikë dhe, nëpërmjet dorës serbe të përmbushte ambiciet e kahershme sovjetike në këtë pjesë të Evropës.
Duke përsëritur tezat që Hoxha kishte artikuluar qysh në maj dhe mbështetur në shkrimet e udhëheqësit komunist shqiptar, “Zëri i popullit” mëtoi në korrik të vitit 1981 se Moska synonte ta ushqente konfliktin shqiptaro-jugosllav. Acarimi i marrëdhënieve midis Tiranës dhe Beogradit, argumentonte artikulli, do t’i krijonte mundësi sovjetikëve të ndërhynin në punët e brendshme të dy vendeve të Adriatikut Lindor. Kali i Trojës në Jugosllavi ishte grupi burokratik serb, që do të kërkonte mbështetjen sovjetike për të imponuar mbi klanin kroato-slloven hegjemoninë e tij në federatë. Përpos rritjes së bashkëpunimit ushtarak midis të dy shteteve, i cili lehtësohej nga dominimi i ushtrisë jugosllave nga klani serb, shtypi shqiptar identifikoi rritjen e investimeve sovjetike në Jugosllavinë post-titiste, si në formën e kredive ashtu edhe në financimin e zgjerimit të aparatit industrial. Jo rastësisht këto investime ishin përqendruar në Serbi dhe Maqedoni, pasi ato synonin të forconin ekonomikisht klanin serb që ai të vendoste hegjemoninë e tij në Jugosllavi. Dhe ishte pikërisht në këto dy republika ku regjimi komunist i Tiranës identifikonte edhe zellin më të madh shovinist antishqiptar.
Vendosja në fokus të Moskës së dy republikave ortodokse tregonte qartë se Kremlini i ishte kthyer politikave pansllaviste të carizmit dhe rrjeti i aleancave po ndiqte vijat e vjetra qytetërimore dhe fetare. Nga vëzhgimet e tyre, Hoxha dhe udhëheqja komuniste shqiptare perceptonte se koniunktura ndërkombëtare në fund të shekullit XX po përvijohej dhe madje po i nënshtrohej historisë 1600-vjeçare të linjës së Teodozit. Tensionet dhe aleancat e jashtme të grupimeve politike që drejtonin Jugosllavinë ndiqnin këtë vijë të rëndësishme ndarëse. Regjimi komunist shqiptar interpretonte dhe shpjegonte tensionet si dhe dinamikat e investimeve në Jugosllavinë post-titiste brenda kornizave të Luftës së Ftohtë dhe ku nevojat politike të zgjerimit të zonave të influencës nënshtronte faktorët ekonomikë, të cilët konsideroheshin thjesht si mjete të objektivave gjeostrategjike. Ndërsa, rrjeti i aleancave udhëhiqej nga afiniteti fetar dhe kulturor, gjë që përforconte edhe më tej orientimet politike me karakter qytetërimor.
Ajo që e shqetësonte më shumë Hoxhën nuk ishte në vetvete nacionalizmi serb, apo edhe ai grek. Ishte sinergjia që mund të krijohej mes programeve për hegjemoni rajonale të nacionalizmave ballkanas dhe projekteve për dominim botëror të superfuqive ajo që trembte më shumë diktatorin komunist shqiptar. Sipas tij, Fuqitë e Mëdha që kërkonin të rrisnin ndikimin e tyre në Ballkan gjenin aleatë lokalë të zellshëm për të plotësuar ambiciet e tyre përmes mbështetjes nga jashtë. Dhe më shumë se kushdo, këtë zell e kishin nacionalistët e siujdhesës, për të cilët mbështetja nga jashtë ishte e nevojshme për të përmbushur objektivat e programeve të kahershme të tyre. Kështu, përmes aktorëve lokalë që vepronin si masha të tyre, Fuqitë e Mëdha apo superfuqitë e shndërronin gadishullin në një fushëbetejë. Sikundër do të shkruante në ditarin e tij politik më 1 nëntor të vitit 1981, superfuqitë kërkonin të ngjallnin pasionet nacionaliste në Ballkan për të rritur hegjemoninë e tyre në siujdhesë.
Shqiptarët në Jugosllavi sidomos ata në Kosovë, marrin një rëndësi shumë të madhe për regjimin komunist. Nga viti 1981, Hoxha filloi t’i shohë ata si një forcë kundërbalancuese ndaj nacionalizmit serb dhe shndërrimit të Serbisë në një vatër të përçimit të interesave sovjetike. Ligjërimi i regjimit komunist shqiptar ishte dinamik dhe i përgjigjej zhvillimeve politike dhe ideologjike që ndodhnin jashtë vendit. Në koniunkturën e rëndësishme historike të vitit 1981, nacionalizmi mori një rëndësi të veçantë në politikën e jashtme të regjimit komunist shqiptar. Kriza e vitit 1981 e bëri Hoxhën të kuptonte plotësisht forcën e nacionalizmit serb dhe aleancën e tij me Moskën, të cilën, sikundër e tregova edhe më sipër, në vitin 1980 kreu i PPSH-së e kishte nënvlerësuar. Frika nga nacionalizmit serb dhe mbështetja që ai mund të gjente tek Bashkimi Sovjetik ka qenë një faktor shumë i rëndësishëm në shndërrimin e shqiptarëve të Jugosllavisë në kapital politik për Tiranën zyrtare të kohës. Kjo është edhe arsyeja pse, udhëheqja komuniste shqiptare nisi të shprehi shqetësimin e saj ndaj asaj që ajo e cilësonte si politikë asimiluese të Beogradit që synonte të shkrinte shqiptarët me masën sllave.
Identiteti kombëtar i shqiptarëve në Jugosllavi dhe bashkë me të edhe kultura dhe ideja e një uniteti kombëtar që kapërcente kufijtë politikë dhe ideologjikë kishte për Tiranën rëndësi kapitale në kalkulimet e saj për një botë ku energjia e ideologjive universaliste po tronditej nga lokalizmat nacionalistë – ose të paktën kjo ishte panorama në vendet socialiste të Evropës Lindore ku solidariteti socialist nuk ia kishte dalë të fashiste nacionalizmin. Nga Polonia në Jugosllavi situata tregonte qartë se identitetet kombëtare ishin më të forta se çdo aleancë ideologjike internacionaliste. Edhe pse zor të mendohet se Hoxha dhe rrethi i tij i ngushtë ishin naivë sa të besonin se Beogradi do lejonte shndërrimin e Kosovës në republikë, interesat e regjimit komunist shqiptar ishin tjetër kund. Rëndësi kapitale për udhëheqjen e Tiranës ishte mobilizimi i shqiptarëve në Jugosllavi me kërkesa të qarta politike me karakter kombëtar. Kjo, sa do t’i mbante lidhur pas Tiranës aq edhe do t’i bënte ata një element tamponmes Shqipërisë dhe Serbisë. Në të njëjtën kohë, organizimi politik i shqiptarëve në Jugosllavi rreth një platforme ideologjike kombëtare do t’i kthente ata në një forcë që do të dobësonte faktorin serb brenda strukturës federative. Balancimi i klanit serb do të ulte aftësinë e tij për të përçuar interesat sovjetike në Jugosllavi e më gjerë në rajon.
Kështu, shqiptarët do të ndihmonin mbizotërimin e klanit kroato-slloven në dëm të hegjemonisë serbe dhe do të neutralizonin kështu nacionalizmin serb. Në momentin kur Hoxha mendoi se klani serb po forconte lidhjet me Bashkimin Sovjetik, ai filloi të mbështeste klanin kroato-slloven. Vijimi i dominimit të Jugosllavisë nga ky grupim do ta mbante në këmbë federatën, shembja e të cilës do t’i hapte rrugën simbiozës serbo-sovjetike dhe më pas ushtrimit të nacionalizmit ekstrem serb. Një skenari i tillë do të hapte një rrugë të panjohur sa për shqiptarët në Kosovë – sidomos ku asnjë nga kancelaritë perëndimore nuk kishte dalë në mbështetje të hapur të tyre – aq edhe për vetë Shqipërinë. Ishte aleanca e mundshme serbo-sovjetike ajo që shqetësonte udhëheqësin komunist dhe që ai konsideronte si rrezik ekzistencial për pushtetin dhe Shqipërinë e tij. Për këtë arsye, retorika nacionaliste e regjimit komunist shqiptar në vitin 1981, shoqërohej me praninë e kudondodhur të “Tjetrit” të nevojshëm. Ligjërimi nacionalist i udhëheqjes së PPSH-së, kishte në qendër të tij sa shqiptarët e Jugosllavisë dhe sidomos ata të Kosovës, aq edhe “serbomëdhenjtë” dhe social-imperialistët sovjetikë mbështetës të pansllavizmit – dy fraza kyçe këto në ligjërimin e Tiranës zyrtare nga maji i vitit 1981. Kultivimi i nacionalizmit ndër shqiptarët e Jugosllavisë ishte pjesë e përpjekjeve të Enver Hoxhës për të sulmuar klanin serb. Me këtë lëvizje udhëheqësi komunist shqiptar synonte të gjente mbështetje tek klani kroat.
Në aleancë me klanin kroat dhe atë slloven, shqiptarët e Kosovës dhe ata të Jugosllavisë, të udhëhequr nga një program i qartë nacionalist, mund të arrinin të organizoheshin në një republikë të shtatë brenda strukturës federative. Për këtë arsye, ligjërimi i regjimit të Tiranës i dha aq rëndësi gjeografisë dhe kompaktësisë së shqiptarëve në Ballkan dhe bashkimit të tyre në Jugosllavi nën një ombrellë të vetme. Ndarja e shqiptarëve në tri republika të ndryshme sllave, ishte një gërshërë për t’i dobësuar ata përballë etnive dhe republikave të tjera sllave. Ky ribashkim do t’i bënte ata një faktor të rëndësishëm në Jugosllavi dhe do të vinte në vend një padrejtësi historike. Territorialiteti i Kosovës dhe organizimi i shqiptarëve në Jugosllavi në një strukturë kompakte, i bënte ata një aktor strategjikë si në raportet ndëretnike brenda Jugosllavisë ashtu edhe ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë – ekzistencën e të cilës regjimi komunist i Tiranës e konsideronte si thelbësore për mbijetesën e tij.
Edhe në kulmin e polemikave ndërmjet Beogradit dhe Tiranës, shtypi komunist shqiptar nuk do të reshte së theksuari se ruajtja e Jugosllavisë ishte në interes të Shqipërisë dhe se kjo e fundit kishte për qëllim ruajtjen e stabilitetit të Jugosllavisë dhe jo shkatërrimin e saj. Regjimi komunist shqiptar u përpoq të vinte në dukje se nacionalizmi i tij nuk ishte agresiv dhe irredentist, se ai nuk synonte të ndryshonte kufijtë ndërkombëtarë. Këtë mesazh përcollën edhe intelektualët shqiptarë të përfshirë në debatet e tyre mediatike me homologët e tyre serbë. Sipas Ismail Kadaresë, shqiptari kishte një strukturë mendore dhe ndijore specifikisht të tijën që dallohej nga humanizmi dhe mungesa e plotë e urrejtjes për fqinjët e tij. “Reaksionar dhe shoven si Gjergj Fishta”, vepra e të cilit dallohej nga antiserbizmi, ishin, sipas Kadaresë, përjashtime dhe jo pjesë e rregullit. Të njëjtën gjë theksonte edhe Dritëro Agolli, kur vinte në dukje se populli shqiptar dhe kultura e tij nuk ishin farkëtuar në procese historike që kishin pasur në thelbin e tyre luftërat pushtuese. Duke mos qenë të shtyrë drejt zaptimit të tokave të të tjerëve, shqiptarët nuk kishin krijuar një kulturë me frymë shoviniste.
Mesazhi i dy shkrimtarëve më të njohur shqiptar ishte i qartë: duke venë shenjën e barazimit mes kulturës dhe nacionalizmit, ata theksonin se qëndrimi i Shqipërisë në mbështetje të përpjekjeve të shqiptarëve në Jugosllavi për vetafirmim kombëtar nuk ushqehej nga një ideologji agresive që nxiste urrejtjen për “tjetrin” dhe e dehumanizonte atë; nacionalizmi shqiptar nuk “shpikte” armiq me synim t’i asgjësonte ata, t’i zhvishte kundërshtarët e tij nga të drejtat e tyre dhe t’i shkulte nga tokat e tyre. Kështu, autoritetet shqiptare i bënin me dije jugosllavëve se nga Tirana, etnonacionalizmi shqiptar nuk shihej si një forcë për të ndryshuar status quo-në por për ta ruajtur atë.