REXHEP KASUMAJ: BASHKËPUNËTORË … (MBI KULTURËN E REFUZIMIT)

Berlin, 25 shkurt 2019: Është paksa i keqkuptuar, sepse, ndërsa këshillonte Princin për fron, Machiavelli i kërkonte atij një distancë të ekuilibruar: midis forcës dinake dhe dedikimit popullor. I sugjeronte, sidomos, të bëj kujdes me popujt që kanë kujtesë lirie…
Megjithatë, posi ai, dhe mendtarë tjerë politikë, janë rrekur, pa ua kërkuar kush, të ngrejnë teori e t’mbajnë predikte mbi artin e sundimit.
2.
Ndërkaq, njëj mjesi të hershëm kur rreze të kursyera parathoshin ditë të vagëllimtë, kolegu im i mirë pakistanez, burrë i shtyrë në moshë, më dhuroi një libër. Në fakt ishte një broshurë. E hollë dhe e lehtë si masë fizike, por rëndshëm e thellë në mendimësi filozofike: e epërme, vepruese e frytbartëse për kohët e vështira.
“Nëse dikush nga ju vëren të Keqen, duhet ta mposhtë me dorë atë; po t’mos jetë në gjëndje ose i aftë ta bëj, aherë nevojitet ta kritikojë me fjalë. Nëse sërish nuk e pëlqen këtë, aherë duhet ta dënojë, së paku, me zemër. Veçse kjo e fundmja është shkalla më e ulët e besimit.”
Dhe, teksa lexoja ëndshëm për të disatën herë këtë Hadis të Profetit Muhamed, u mrekullova nga përskajimi i përsosur i kulturës së Refuzimit. I kundërshtimit aktiv të së Ligës.

3.
Nëse, ndaj, i adoptuar kësokohshëm, besimi rezulton ekuivalent i rezistencës – aherë miljeu kosovar jeton stadin më të poshtëm të saj.
E keqja që shihet e ndjehet mbi krahët e lodhur, dënohet shumë me zemër, kritikohet pak me fjalë dhe nuk preket hiç me dorë. Ky shpirt i fatpajtimit do t’i shndërrojë ata, elektorë të shpërdorur e banorë të nënshtruar: në bashkëpunëtorë të paepur e mizorë në skalitjen e fatkeqësisë së vet..!
Madje, si thotë dhe Niccolo, tribalëve të pushtetuar, nuk iu duhet shumë përpjekje, mund e stil. Sepse poshtë tyre vegjetojnë ata që vuajnë mungesën dramatike të një kujtese: kujtesën e lirisë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura