REXHEP KASUMAJ: DY PYETJE PËR IDENË

Berlin, 30.11. 2015: 1. Para çdo Ideje (siç do të mësoja nga libri i një të Përndrituri, “Vargjet satanike”), shtrohen dy pyetje fundamentore: a do të bëj kompromis kur është e dobët dhe, më rëndësore akoma, si do të sillet ajo pas fitores? Përgjigja ndaj tyre, do të përcaktojë gjithmonë Arsyen dhe Kuptimin e saj! Çfarë do ti ndodhte Idesë sonë çlirimtare dhe ç’relatë do të ndërtonte ajo me këtë sprovë të vështirë?
Kisha kujtuar se kompromiset që bënte këtyre moteve indipendente, duke qenë të panatyrshme, kjenë njëmend të tilla: afrimitet e tërheqje nga shpirti frymëzues për objektiva të mëdhenj. Por isha gabuar. Ato, po si ky i fundmi, nuk rezultuan të ishin kulturë sakrifikimi interesash pjesorë në altarin e një përgjithësie të lartë.
Mirëpo tonet e kundërta në diversitetet demokratike s’prajnë kurrë. Më e huqura e të gjithave ishte, ndërkaq, murmurima e lodhshme e një Tribun-fosili të hapërdarë konceptesh e të zhytur në ligësi perversiteti, i quajtur herë Dema e herë Demaçi. E papritshme? Aspak! A nuk ofronte ai simbolikën e “brumit të bukës” (vitet 90-të), pra as luftë as paqe, një asnjanësi tepër e pashpresë dhe e pagjak për të pretenduar strategji çlirimi, që më pas të vishte uniformë ushtarake si një figurë groteske filmash bardh-e-zi të Çaplinit legjendar? Dhe, poashtu, a nuk ankohej ai (në një media sllave të pasluftës), gjithnjë foshnjërisht entuziast, se ndërhyrja e ushtrive të Nato-s në Ballkanin perëndimor, si e elefantit në qelqëtore, paskësh qenë e panëvojshme, sepse ata do të gjenin vetë formulën e lumtur të bashkëjetesës? (Tani, pas një kohe reflektive, e imagjinojmë tepër mirë si do ujdiseshin shqiptarët me Serbinë e Sllbodanit!). Meqë pra, do të dëshmojë prore jokonzistencën lapidare të pikëvështrimit a, madje, njëlloj fantazie politike të përgaztë e makabre – përse tani, kur sërish rreket të thotë diç, duhet marrë seriozisht mendimi i tij i shthurur?

Ndaj, për çudinë e, njëkohësisht, zhgënjimin e thellë, kompromiset u bënë përherë brenda llojit. Po të njëj race politike ishin të gjithë krahët që koaliciononin ndër vite.Të bashkuar rreth vesit e jo virtytit, ata kanë afishuar, tashmë, postamentin e rrallë: shteti nuk u përket atyre që e banojnë territorin e tij, por pushtetësve sulltanorë për krimet e pasuritë, për sadizmin dhe orgjitë e tyre!
2.
E tani: si do të silleshin përfaqësues (meritorë e uzurpatorë) të Idesë fitimtare ndaj të tjerëve?, do t’ishte pyetja e dytë, që vë n’provë legjitimitetin e saj!..
E qysh vërtetë?
Fillimisht, në ag mijëvjeçari, u duk sikur të gjithë dolën ngadhnjimtarë. Ndër kombe historikë kështu shfaq liria, rëndom, fytyrën e saj. Por, të pangjashëm me askënd, këtej poshtë, gjithçka ravijëzohej ulët e përdhosshëm: do të formësohej shpejtësisht klasa shumicë e të mundurëve, e alienëve socialë të cilëve Republika, qoftë si entitet mëvetësor, qoftë si tip regjimi, do tu dhuronte veç dhimbje e deshpërim. Ata, në fakt, nuk patën kërkuar guvernë altruiste që do të shpërndante barazisht varfërinë, por ende më pak kishin pritur përjashtimin brutal nga shansi njëjtësor në jetë, si gurthemel i shoqërisë së lirë…
E, si të mos mjaftonte kjo, do të pasonte pa vonuar më e hidhta metaforë e keqkuptimit të lirisë. Bastardhët politikë, pasi mbaruan punët e shtetngritjes me një lartësi të admirueshme, iu qasën një lartësie tjetër të harruar: burgut të sigurisë, poashtu, të lartë.
Por, meqë gjithçka e bëjnë për pushtetin e asgjë për shtetin të cilin e identifikojnë me veten dhe, pastaj, veten me historinë, edhe Burgut i vunë shenjën e veçansisë. Aty nuk bëjnë strehë martirët e rinj të vjedhjes popullore, vrasësit e njeriut shqiptar dhe tregtarët e tokave të të parëve – por kundërshtarët e politikës a etikës së tyre.
Premieri minak, ky përvijues i tri kohëve politike, për inercion e strukturë mendësie dhe Ndihmësi i tij gërdallë, për lëngim të “sindromit të Stokholmit”, kur viktima dashuron sëmurshëm dhuntarët e vet, i bënë Republikës së coptuar një dhuratë të çmuar (në katundin e pafaj me emrin Dyz): Goli-Otokun e afërt jugosllavist dhe Gulagun e largët stalinist, ku dergjeshin ata që i thërrisnin të drejtës natyrale për ndryshmëri njerëzore…
Veçse idhujt e tyre, si shumë figura historie, pos të ligave që nuk i përbin as dhéu, kishin lënë pas dhe kujtim veprash madhore…
Për dallim nga korifenjët demoniakë, këta të vocërr e margjinalë përherë, kanë vetëm tiparet dhe përmasën e krimbave. Por, sidoqoftë, ndjekur nga një armatë e tërë zvarritëse, janë të mjaftë për brejë të ngadaltë dhe helm mortor!
3.
Nëse, së mbylluri, përgjigjet e pyetjeve të sipërthëna rrjedhuan të jenë rreptësisht negative, aherë ato, të sakta deri në pamëshirësi, i marrin Idesë Kuptimin dhe i mohojnë asaj Arsyen e ekzistimit!
Dhe kështu ikën Koha me shenjat e premtimet e saj, deri në ardhjen e Idesë së re: gjasës a mashtrimit të saj!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura