Berlin, 9 tetor 2020
1. Mësim lashtësie…
“Atëherë kur sundimtari duket i ligështuar, gjindja ka për t’u ndier e lumtur dhe e plotësuar”.
Në gjurmë të mendimit a, mbase, peshores së Lao Ce-së, në ç’relatë qëndrojnë Sundarët dhe Populli në Kosovë?
Janë ligështuar të parët e, sipas rregullit që ai thotë, lumturuar të dytët?
Për pak kohë, si një rrahje zemre, peshorja u shfaq e tillë. Por (sa shpejt) riqarkullimi i sundtarëve në rrethin e pasosur, dëshmoi të kundërtën: është sërish e përherë populli i ligështuar dhe sundtarët e gëzuar.
Një ndarje rolesh e pafund dhe humnerëse, sa vetë jeta e këtij trualli që nuk e gëzoi asnjë brez ndër shekuj…
2. Aftësia e padurueshme e dremitjes…
Përse standardet shqiptare të etikës dhe përgjegjshmërisë mbeten përherë poshtë? Atje në llumishtën e vonestarëve të historisë?
Vërtetë, nuk arrij t’kuptoj, edhepse s’ia vlen përpjekjen, se si ndodh që dy figura të Arenës së bujshme politike të qarkullojnë ende lirshëm në hallkat e saj?
I pari, Basha në Tiranë, njëj lehtësie të habitshme, me një të lëvizur pene falte pjesë territori detar, ndërkohë që i dyti, Mustafa në Prishtinë, firmoste krijimin e Entitetit serb, e kjo dmth. zhbërjen e brendshme të Kosovës.
Dhe të dy aktet, njësoj të dënueshme e antikombëtare, do të shfuqizohen nga gjykatat supreme respektive.
Tani, në vend se të ishin ngujuar a harruar qyshkur si kudo botës së lirë, ata bëjnë jetë të vrullshme në Kooperativë. Por, me sa duket, faji nuk flet shqip. Njëri gatitet për Premier, kurse tjetri, më i errtë e meskin se askush, ishte i tillë dhe vijon tutje t’a dominojë kalvarin politik të Kosovës.
E populli? Dhjetë kafe gjumë zbritën në këtë botë, thotë Talmudi i urtë. Nëntë i kanë pirë robërit, e një të vetme të mbetur e gjithë bota tjetër. Ndaj, nëse akoma është aty, populli ushtron, me gjasë, aftësinë e padurueshme të dremitjes talmudjane…
3. E drejta e marrëzisë
Shkrimtari i shquar kroat, M. Kërlezha, pat thënë njëherë ironikisht bukur: “Meqë është kaq human, aherë socializmi ynë i vetëqeverisjes, ndër shumë të drejta të tjera, do të duhej t’njihte dhe të drejtën e marrëzisë!”
Po tani në miljeun e ri?
Demokracia parlamentare, duke qenë fundi i kufijëve të lirisë, ka ligjëruar, tashmë, këtë të drejtë të epërme njeriu: të drejtën e bekuar të marrëzisë. Në zemrën ballkanike, veçanërisht!
Ndaj dhe Hyji ishte kaq bujar. Sepse, si do thoshte Erazmo i Roterdamit, po t’mos ishte ndërmjetësimi i saj, bota do t’plaste nga serioziteti i mërzitshëm i mendimtarëve!..
***
PËRFTESA TË LARGËTA DHE I MIRI HOMER…
(Mbi një vetëtimë që iku pa gjurmë)
1. Arkmorti vetëthënës…
Pjesëtarët e fisit afrikan Ga (të Ganës) kanë ca rituale interesante varrimi. Për ata që iu lënë shënde’në, porosisin arkmortër formash të çuditshme, që duhet të pasqyrojnë pasionin e të ikurit: piano, çekan, peshk a kitarë…
Tani që janë bërë të lirë e globalë, shqiptarët, më saktë sundtarët e tyre, do t’mësojnë përvojat e vyera gjithandej botës.
Ndaj, me gjasë, më shumë se vetë ganezët e zinj, do të deshnin një arkë të pangjashme për mbetjet e tyre trupore. Nuk do të joshen fare nga peshku e çekani, aq më pak nga një piano e përzishme.
Venddashës të devotshëm siç janë, ata kallen dhimbjes për një sarg a, madje, sarkofag solemn me profilin e hirësisë së bekuar, Monedhës, në aktin e vjedhjes madhështore të saj..!
2. Libri udhërrëfimor…
Ç’prej lashtësive të mugëta, pos librave të jetës, vijnë ende turbullues dhe ata të mortit: libri tibetian dhe, tjetri, egjiptian, i të vdekurve. Do t’më mrekullonte, ndërkaq, një fragment i të dytit, në restaurimin intelektualisht mjeshtëror të Borhesit, që jep rrënqethshëm ndëshkimin e të ikurit gabimtar…
“…I vdekuri betohet se nuk ka qenë shkak urie e dhimbjeje, se nuk ka vrarë a nuk ka cytur të tjerët që t’vrisnin për të, se nuk ka bërë hile n’kandar, se nuk ka hequr qumshtin nga goja e foshnjeve, se nuk ka ndjekur bagëtinë nga kullosat, se nuk ka zënë me kurthë zogjtë e perëndive.” Nëse ai do t’gënjejë, aherë dyzetedy gjykatësit ia dorëzojnë Ngrënësit të madh të të vdekurve, që sipas Plutarkut, ndihmohet nga Titani që lindi Kimerën homerike të armatosur me flakë..!
Këtë rishtjellon gjeniu i hollë në Librin e Qenieve imagjinare, që, si thotë vetë, do të përligjte qysh në titull përfshirjen e zhvillimeve përmasore të princit Hamlet e, ndoshta, të secilit prej nesh dhe Hyjnisë…
Përveç mëkatit të trashëguar zanafillor, vështirë të shpëtojë njeri pa prekur ligështinë e mëkatit të fituar. Por ka një shkallëzim, më i veçanti i të cilit është dallesa e thellë mes të poshtmëve, ndër njerëz që e vuajnë atë vetë me ndoca të tjerë dhe atyre që mëkatojnë lartë, atje në majat fshehatare të fuqisë pushtetëse – dhe e vuajnë dhjetëra, mijëra, një popull i tërë, përtej një brezi dhe një kohe…
Athua do të besoheshin dinastët provincialë të regjimeve despotike, mashtruese dhe shpirtshitura, nga dyzetedy gjykatësit e Hadesit, për ç’flet Borgesi, ringjallësi letrar i krijesave fantaste që s’patën njëherë pranishmëri historike?
Më pak se rrallëkush, sigurisht!
3. “Mësuesi” që s’është
“Magister dixit”, thoshin nxënësit e Pitagorës. E zgjodhi vetë të mos shkruante, por vetëm të fliste. Ndaj shpreheshin ashtu: jo e ka shkruar, por e ka thënë Mësuesi fjalën e vërtetë që s’mund t’a vënte askush në dyshim. Dhe e citonin prorë me përulje e admirim…
Ndërkaq, mijëra vjet më pas, një tabllo simbolike sikur paralajmëronte “magistrin” e vonuar dhe një gurëkufi të vështirë.
Autobusi gjarpëronte diku në zona të largëta rurale. Pikturë Dukagjini. Magji Dhéu…Pas një frenimi të detyruar, merr sërish shpejtësinë e papritur. Tranden të gjithë. Madje, hallakaten e shfryjnë dhe ca gra burrnore me strajcat plot pazar vjeshte.
Por dikush nga udhëtarët , për të qetësuar zërat, thotë solemnisht: ishte inercioni shokë! Papritmas, një polic që u ndodh mes tyre, me të dëgjuar këtë, briti: ku është, kapeni!
Rrfenjëza jep disi fijet e përafërta. Dërgon rudimentin, passhenjat e saj njohëse. E pra, Motin e ri me protagonistët politikë: shpejtësinë e “magistrit” dhe milicin që ndjekë inercien, fajtorin e tronditjes së tij.
Mirëpo bota politike e Kosovës, anise kushdo, përfshirë dhe vulgun, arrin në tempull, s’ka ende një të tillë magistër-emblemë. U shfaq si një vetëtimë. Dukej se vinte, por e mira orë e tij do të ndalonte. Koha, prapaskena e hijeve ku pishat dridheshin në erë, mbase ai vetë…Çka e kush tjetër do t’i prente udhën?
Por, fundja, dhe të kishte, si pretendojnë ndjekës të milituar, Horaci që nga thellësi e kohës sugjeronte kujdes, sepse edhe i miri Homer, dremit ndonjëherë…
***
Fijet e Nyrnbergut…
(Mbi shtegtimin e turbullt të së drejtës)
1.
Njëj pasdite të vonë e të bukur, kur dielli i afrohej horizontit të kuqrremtë, kaloja pranë një godine të vjetër. Në dukje krejt e rëndomtë. Rozë e mbyllur me ca shenja e gjurmë bojhiri, por që ruante brenda saj histori, terr, ëndje krimesh.
Ishim të ftuar me një mikun tim të respektuar e atdhetar i devotë, Ahmet Meta, në drekë, diku në blernajën e Spandaut që thuase jepte parashfaqjen parajsore.
E shikon këtë ndërtesë, tregon ai me dorë ndërsa ecnim përbri saj. Po i them, kjo duhet të jetë. Ja atmosferë e braktisjes, jetëndaljes, fajit dhe mureve të zymta, si vetë kujtesa e tyre. Në një nga qelitë e errëta të saj, kishte vuajtur dënimin e përjetshëm Rudolf Hess, i burgosuri më i famshëm i pasluftës së dytë botërore.
2.
Nyrnberg. Nëntor 1945. Vjeshtë që do të shënojë një kufi epoke. Vrasësit e jetës njerëzore larg fronteve ose të luftëtarëve të dorëzuar, nuk mund të gëzonin lirinë.
Më rastisi herët të lexoja nga një autor gjerman se, megjithë sovranitetin klasik, politikat jashtme të shteteve të botës kanë vdekur qyshkur. Tani ka një të vetme politikë të brendshme planetare. Sa dëshirak, gati fëminor më dukej ky pohim ëndërrtar!
Megjithatë, sikur kishte të drejtë. Por vetëm pakëz. Pjesërisht. Fijet e Nyrnbergut do të vijonin motesh të tejshme dhe politikat e brendshme do të vdisnin vërtetë. Por pyetja e vështirë që mbetej gjithnjë pezull ishte: ku dhe si? Mbarëbotshëm apo, së paku, në t’gjithë hemisferën perëndimore?
Përgjigja është deshpëruese. Dhe e tillë duket, sepse mjerisht s’doli të ishte tjetër: negative akoma sot!
3.
“Sa bukur digjet ky qytet i mrekullueshëm”! Kështu murmuriste lumnisht mareshali brit, Arthur Harris, tek vështronte Dresdenin, barok-qytetin prrallor të mesfrorit, viti 1945, që kallej tym e flakë.
Gjermania e Fyhrerit po kapitulonte. Dhe nuk bënte asnjë rezistencë e, ndaj, rrezik për një përpjekje të dytë revanshi në fushëluftë.
Përse, pra, duhej të rrënohej e magjishmja “Florencë e Elbës”? S’kje veçse hakmarrje, urrejtje, dhunë morale e shpirtërore, përbuzje e, mbase, poshtërim për brezat që vinin.
Gjenerali jetonte orën e dehjes dhe orgjisë, ndërkohë që poshtë Kullës nga kundronte vdisnin burra, gra e fëmijë të pafajshëm. Dhe do të kthehej në Dhéun anglez i lirë: pa akuzë e pa ndërgjegje! Nuk do t’i ndodhte asgjë e ligë, sepse ishte Jalta e treshit të madh që rreshtohej pas veprës edukuese të tij. Një edukatë e përgjakshme që, përmes mnerit, duhej të fismëronte popullin gjerman.
Ndërkaq të tjerë para Adolfit i’a kishin mësyrë poashtu Europës: për rroposjen dhe robninë e saj. Veçse për ta, më saktë për Napoleonin, flitet me shumë finesë e romantikë pranë oxhakut, netëve të gjata dimnore. Sa të shumta janë rrëfimet për bëmat, marshin rus, ekzilin, Korzikën, aventurat e Paulinës (motrës së tij të përdalë), madje se pati gjak arbresh e fantazira të tjera kotnare.
Përmasa shpërpjestimore e tragjedisë së konteksteve të ndryshme, s’pati ndonjë lidhje justifikimi me gjenin a moralin etnik. Ishte, thjeshtë, punë kohe dhe fuqie të saj.
E, ndërsa evokimi i lirshëm i Bonapartës nuk penalizohet, çdo fjalë e pamatur për të dytin, për Ariozofin e mortit të madh, të vë arsyeshmërisht ndesh me ligjin dhe njëlloj kodi etik të Europës!
4.
Ndër vite, pastaj, edhe Nyrnbergu edhe vdekja e politikave të brendshme rezultonin hileqarë: një seleksionizëm cinik për luftëra e popuj. Dhe, ashtu, në emër të së drejtës përfundonin përtallës të saj!
Do të ndëshkohen, prandaj, ose të vegjëlit ose humbësit. Përherë. Gjermanët ishin të mëdhenj, por humbës. Kurse, mbanë tjetër, shqiptarët janë fitimtarë, por të vegjël.
Po kauza e luftës, pushtuese a çlirimtare? Ah, për këtë nuk pyet askush. Sallonet e ftohtë nuk bëjnë dot asnjëherë diferencën e thellë jetike. Janë interesat që fshijnë linjat dhe përzjejnë ngjyrat e tyre: blunë e akullt me të kuqen e zjarrtë!
Kështu ndodh gjithandej e gjithmonë. Por ja, kështu shtyhet tutje kjo botë. Sa e re, poaq dhe e vjetër.