Berlin, 04. 02. 2012 – (Improvizimi çoroditës i gjuhës politke është shenja njohëse e përndritjes socio – kulturore dhe diskursi i saj lodhës, disi, torturon e dekulturon të gjithë: elektorë e militantë, njerëz politikë e të dijes akademike, punëtorë të harruar, studentë të përkorë, madje edhe ata vetë!)
1. Përgjigja dëshpëruese!
Gjuha politike e titullarëve të parë të jetës publike jep, si të thuash, shkallën e përndritjes socio – kulturore. Dhe ç’i ofrojnë miljeut tanë të kësokohshëm folës e fortafolës të tyre?
Çfarë janë, si thonë ndjekës të temës, teknikat specifike të argumetimit, ligjërimi i drejpërdrejtë dhe metaforat, përdorimi i saktë i nocioneve, pastaj modelet e interpretimit të rrethnajës apo elokuenca inteklektuale? Përgjigja që do të lexojnë brezat pas nesh do të jetë, pashmangshëm, dëshpëruese!
Improvizimi çoroditës është shenja njohëse, vula dhe mesazhi i kësaj gjuhe lodhëse që, disi, dekulturon e torturon të gjithë: elektorë e militantë, njerëz politikë e të dijes akademike, punëtorë të harruar, studentë të përkorë, madje edhe ata vetë!
Do të përftonin në hullinë politike të moteve disa tipe leksiku, ndër të cilët, gjuha mashtruese dhe ajo difuze a klerike do të orvateshin të shenjonin orientimet strategjike kombëtare në mbyllje e fillim mijëvjetshi të ri në truallin verior të shqiptarëve.
2.Dupliciteti i ligjërimit politik!
Lajthitja e të parës, e gjuhës mashtruese politike niste, ashtu, me kampionin e saj të nomenklaturës së vjetër partiake të Kosovës së pushtuar. Në prak kuvedimesh të Vjenës dilte e merrte dhenë kjo fjalë që betononte duplicitetin moral e mesazhpërçues (ndryshe në shtëpi e krejt tjetër jashtë) nga deklamuesi (K.B.) ynë i fantaksur: “Do të marrin çka të na japim”! Populli i tij ishte shpallur tepricë etnike dhe ai nxirrte tokë e tapi në treg plaçkash diku në një sallon europe. Kjo sintagmë, në fakt, kapërthente gati si aksiomë, gjithë filozofinë e një shkolle politike që njëjtësonte rezistencën me vetënënshtrimin e paparë rrafshues që kërcënonte, madje, shfytyrimin e vetë kodit të lashtë moral shqiptar. Por, ndërkohë që nga demiurgët e saj ajo mbështillej me stil të kadifenjtë të “mohimit estetik” të okupimit, ky derëziu do ta shplonte në dritë dielli mjerimin e saj: uljen e kokës për paqen e padrejtë që, siç kishte ndodhur tashmë, do të rikthehej sërish në një kohë të dytë me ujemin e gjakut dhe vdekjes.
Shpallja e pangjashme në poshtërinë e saj për të marrë çfarë të japin, do të kishte dhe një rrfanë përplotësuese për të qenë, kështu, sa më tipike në llojin e vet: gjuhën e dytë difuze stolisur me zhgunin shfajsues klerik! Ndodhte, shpesh, që gjuha politike e „prijësve tanë“ të paepur, të merrte një dimension e ngjyrim tjetër të habitshëm: notën çliruese klerikale!
Qëmoti ka pasur një përplasje doktrinash mes filozofësh e teologësh mbi çështjes se, është vallë, zotmohimi apo, përkundrazi, zotbesimi – një udhë e sigurtë e shpresës dhe çlirimit të kulluar të njeriut?! Por mua më ka mbetur në mëndje i mrekullueshëm, madje, i fundmë definimi i At Z. Pllumit tek, në „Rrno për me tregue“, shkruan: për ekzistencën ose jo të Krijuesit, njeriu nuk mund të arsyetojë. Është jashtë fuqisë së tij. I mbetet, thjeshtë: të besojë ose të mos besojë!
I flatruar kësaj frymësie a zhgënjyer nga firot e fidanishtes së tij politike, një tribun popullor kosovar, dukej të kishte zgjedhur si patericë ndihmëtare variantin e dytë shpëtimtar. Dhe kjo ishte në të drejtën e tij. Por, ndërkaq, nuk ishte në të drejtën e tij të përzjente punët e pamira të kësobotshme me vizionet sublime të matanshme. Andej, si thonë Shkrimet, pret harmonia absolute e dimensionit të pestë që njëson njeriun me dritën ëngjëllore, kurse këtej skeptron gjithnjë formula parake e fillimbotshme me mall, dhimbje, e lot!
Megjithatë, i pyetur në një emision të medias qendrore serbe në Beograd vite e vite më parë, se a friksohej që ndodhej këtu në mes të kampit armik, ai preras do të thotë: aspak, shpirti njerëzor edhe ashtu nuk vdes! Dhe imponohet kryeneçsisht pyetja: kishte vajtur atje për të mbrojtur të drejtën e shqiptarëve për vetëjetesë sovrane në këtë rendin toksor të papërkryer të gjërave, apo të teologjizonte për kurmin e frymën, për dheun e qiellin? Sigurisht do ta ketë kujtuar ekperiencën e jetës jasht-trupore të Ernest Heminguejit pas alivanisë nga një plage e rëndë në Luftën e parë botërore, që ai i kishte rrëfyer mikut t afërm të armëve. Apo ndoshta ka evokuar herë-herë fshehtas e frymëzueshëm një fragment të lashtë historie se si një grup çifutësh, të trembur nga legjioni siperan romak që afronte dhe njëkohësisht të pajisur me bindjen për pavdeksësinë e shpirtit, u morën vesh të vrisnin njëri-tjetrin derisa të shuhej i fundmi i tyre.
Tani: po të gjykonim hallemëdhatë e kësaj bote mërrutë, si do thoshte Fishta, me të tillë fillesë përendisore – aherë për ç’iu desh shqiptarëve shteti i dytë? Gjaku i çmuar i lindjes dhe djersa e kotë e mbajtjes së tij? Ngjashëm me çifutët e mjerë të atëbotshëm edhe shqiptarët, sipas këtij optike mbrapshtane, nuk duhej fare të ngrinin kryet për lirinë e tyre. Ishte e mjaftë mbijetesa robnore, madje, dhe mund të vetëvriteshin mes tyre, për tu shkëputur sa më shpejt – jo nga vargojt e pushtimit serbian, por nga makthi i jetës së boshtë të mishit e pluhurit! Le të mbaheshin, prandaj, më mirë, larg zallahisë së këtejme të jetës në pritje të lumnisë së vërtetë që vjen me vdekjen!..
Mirëpo pati gjithë kohës, fillimisht më e heshtur dhe e paktë, po më pas e zëshme dhe predominuese dhe një gjuhë të tretë: gjuha e qartë, kristalisht e qartë që përçonte vullnetin e ligjshëm politik të popullit të nëpërkëmbur dhe të shaluar nga të katër anët. E shqiptuan martirë të burgjeve, tutje, intelektualë të anatemuar dhe, më vonë, kryengritës të maleve. Por ndryshe nga shemrat e saj, atë e shquante njëshbërja me aktivizmin flijues dhe, të dyjat bashkë – jakobinizmi i pashoq. E tillë, ajo do të arrinte shpejt të shurdhojë këmabanat e ndryshkura të fatpajtimit humbëtar. Dhe ky investim i papërsëritshëm për historinë rezultoi ta bënte të jetueshme ëndrrën e bardhë: dëboi Sërbinë nga toka amtare dhe solli botën e lirë në Kosovën sovrane!
3. Aparatura zhganore!
Por këto kategoritë e moçme terminologjike paraindipendente për Serbinë e pushtimin, mandej për paqen e nënshtrimin dhe, më në fund, për luftën e çlirimin, sikur qenë vjetruar dhe tani gjuha politike duhej të mprehej për sfida të reja të epokës së qytetnisë demokratike. Po dhe në i dallonte thellë shenjëzimi identifikues i frymësisë historike, mandej nënteksti misionarist dhe ndjesia e sakrificës, ato i bashkon, tashmë, një relief unik kulturor: bastardhiteti i gjuhës në trafikun e ndyrë politik. Kështu, mjerisht, mund të thuhet edhe për gjuhën e çiltër të idealistëve të dikurshëm mbi të cilët , me sa duket, ka rënë perdja e dramës së lavdisë.
Nuk jam ithtar, (aq më pak i „ndërkryer“ si ndonjë mehyb i pabotë) i asnjë grupimi politik (nuk e di a mund të cilësohen ato parti me profil identitar), ndaj persiatja e mësipërme i detyrohet të gjithë ansamblit partiak të Republikës së re: pushtetarë dhe opozitarë! Kam shkruar një herë tjetër se, siç më ka rënë të lexoj nga Kapuçinski, kultura e personit europian është resurs i parë zhvillimor i kontinentit të vjetër. E në shtjellën e temës sonë, gjuha politike është përshfaqja besnike e saj!
Natyrisht flasim për tipologjinë e gjuhës së njeriut politik. Të atij që ka rrëmbyer fron apo të atij që gatitet të ulet në ballin e tij.
Bastadhiteti i gjuhës, si tipar i përbashkët i kohëve indipendete, ngjan të jetë, si të thuash, treshtresor: është, së pari, urrejtja e helmët, gjarpërisht e helmët ndaj grupimit kundërshtar politik. Nëse, pra, njërit i atribuohen ethet e pushtetmarrjes, aherë tjetrit, Premierit me sejmenë, mund ti lexohet lehtësisht një vuajtje tjetër, ende më e mnershme dhe rrënuese: marrëzia e pushtetruajtjes me çdo kusht! Por historia politike ka provuar se të parët, që si rregull, përdhosin votën e lirë, alternancën e spërkatin shpesh me tizgën e gjakut.
Kjo, në fakt, nuk është tjetër veçse mosmarrëveshja e dënueshme me demokracinë. Në një forum medial në Shanghai, fjala vjen, njëfarë z.Hu, redaktor i “Global Times”-it, të atjeshëm i thoshte justifikueshëm e në mirëbesim kolegut të tij nga “Die Zeit”-i gjerman se, të mësuar qëmoti me “kupolën konfuçianiste të harmonisë”, kinezët, duke rënë në gjëndje varshmërie ndaj saj, nuk e përballojnë dot, si pohonte, “konflikt-demokracinë” atllantike. Liria e padozuar e shprehjes është shkaktarë xyfjesh (grindjesh) dhe kinezët, shtonte ai, lëngojnë mungesën e “fillesave sociale e kulturore” për të absolvuar qetësisht e në paqe përplasjet interesore të demokracisë, që atij i dukej konfliktore dhe, si e tillë, e parezistueshme për shpirtin e shtruar kinez. Nuk do të doja të ishte kështu, por, me gjasë, krerë të personelit politikë të Kosovës (të të gjithë proveniencave), nuk i përqasin me hir përplasjet pozitive të “konflikt-demokracisë” që tmerronin kinezin si vdekja duke ruajtur ende rudimente të mendësisë së ngjashme që i ngrejnë kultin adhurimtar “harmonisë negative” të tiranisë.
Mandej, vulgariteti i gjuhës pasrobnore të protagonistit politik kosovar jep, tutje, mangësinë fatale të emancipimit politik. Duke qenë e thjeshtë, e bajatshme, e zbrazët nga elokuenca dhe dija, ajo i bën vetë folësit pikturën, autoportretin e trishtuar provincial. Firojnë e treten përherë si falsitete të mësuara përmendsh ca fjalë leksiku kabinetik, të shqiptuara mundimshëm e akcentlodhshëm, në një të folme të dhunuar letrare. Dhe shfaqet, ashtu, personi i vërtetë përfaqësues: i zhveshur nga manteli i shpifur i kultures snobe, zhelane, të arnuar e obskure!
Dhe së mbrami, është tashmë e ditur se njeriu me ikjen e viteve ka ngasjen a prirjen natyrale të kujtojë përherë e më shumë jo gjërat e vona, por ato të hershmet – edhe me të shprehur, huqe, ëndje, mnirje, ndjesi, botëvështrim dhe, të tëra sidomos, mbështjellë përmallshëm me zhargonin lokal. Pikërisht kjo do ti ndodhë parreshtur (kjo është lëkura e tyre) prototipit tanë të identifikuar aq mistikshëm me panteonin pushtetar: për ta mbajtur turpshëm apo për ta marrë rrezikshëm atë! Dhe flasin, në çaste krizash, me gjuhë çobenjësh a çirakësh të dikurshëm të mëhallës së tyre të pafajshme! Ikin ashtu, të trëmbura si zogjtë e strehuar gabim, floskulat e diskursit “demokratik” e “eurointegrues” për të mbetur vetëm ai dhe mjerimi qytetërues dhe afshi i tij delirant për pushtet të shfrenuar.
Skena dhe, artikulimi i saj me këtë aparaturë zhganore të gjuhës politike, vijon të përgjasojë ende me ujërat e zeza të promiskuitetit politik. Asgjë tjetër dhe asgjë më shumë se kaq. Për fatin e keq të atyre që, të pafuqishëm të instituojnë vullnetin e tyre politik, tani mbajnë sytë e shpresës drejt qiellit!
Edhe sa kohë vallë?
4. Iluminimi që s’vjen!
Duke lexuar këto ditë se si një politikan i lartë i legjislaturës së tashme (as të tjerët nuk janë për lavd e nderim), për pak nuk ishte shkrehur në vaj nga pamundësia për t’iu përgjigjur pyetjeve të Komisionit të jashtëm për korrupsion dhe, rrjedhimisht, nga frika se mund të refuzohej emri i tij për një vend përfaqësimi diplomatik, do të evokoja këtë dromcë antike : “Edhe sa kohë, Catilina, do të shpërdorni durimin tonë” (Quousque tandem abutere, Catilina, patientia nostra?), janë fjalët legjendare që Cicero në Kuvendimin e parë (nga katër gjithsej) i drejton senatorit Catilina (në vitin 63 p.K.) pas përbetimit të tij të dytë përmbystar kundër Republikës së Romës. Edhe sa kohë, edhe sa kohë (pyesim ne me poaq revoltë e dëshpërim) do të shpërdorin durimin e njeriut të vogël të Republikës me paterica gjymtanësh, këta Catilinët tanë të shumtë si krimbat e motit të lig?
Kurajo, kurajo thotë një urti antike, sepse edhe dielli përendon! Po këtu, me sa duket, nuk ka diej që dijnë udhën e vet! Që dijnë dhe të perëndojnë në një muzg të bukur…
Një njeri i vetmuar, thotë një dijetar italian, është një ëngjëll me një flatër, kurse i përqafuar me tjetrin – bëjnë ëngjëllin e vërtetë! Por ata, flatruesit e iluminuar që do të fisnikëronin moralisht politikën duke ripohuar të vërtetën se ajo nuk është vetëm intrigë, janë ende në larginë. Ndoshta sepse ende në këtë hapsirë rrëmujtare, provohet ana e errtë e parathënies së Aristotelit se demokracia, mjerisht, shpesh mund të shndërrohet në sundim vulgu!
Postime të Lidhura
RACIZMI I HAGËS DHE RACIZMI I PRISHTINËS
Nga Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA Të dhunuar në Hagë, të përdhunuar në Prishtinë Tash u mbushëntre vite…
ARDIAN NDRECAJ: ORA E TOKËS
Tiranë / Prishtinë, 12 mars 2018: Për shkak të humbjes së shpejtë të biodiversitetit nevojiten veprime të shpejta…
GJOKË DABAJ: SËMUNDJA MË E RËNDË E KOMBIT SHQIPTAR!
Durrës, 16. 09. 2015: I kalova, para disa ditësh, një për një, të gjitha mobileritë e Durrësit. Më…
XHEVAT BISLIMI: E VËRTETA PËR KUFIJTË E JASHTËM TË KOSOVËS
Viti, 10. 04. 2016: (Sipas shpjegimit dhe logjikes se fakteve qe di une…) – Percaktimi i kufijve te…