BEHXHET SH.SHALA: A VËRTETË HUMBI SHIK’u APO FITOI UNMIK’u?!

Prishtinë, 06. 12. 2013 – (Krejt normale, dikush po këndon, tjetri po vajton dhe arsyeton) – Pas zgjedhjeve të fundit lokale e kemi një pamje më të qartë. Po bëhen llogaritë se kush fitoi, kush humbi e kush do të shkojë në trekëmbëshin për ekzekutim politik. Interesant është fakti se nuk kemi fare humbës por të gjithë paskan fituar! Si ndjenë apo si perceptim është i mirë kurse si realitet i shndërruar në numra për dikend do të duhej të jetë i hidhur! Po ne jemi si llamarina, shpejt nxehemi por shumë më shpejt ftohemi! Analistët që u morën me rezultatet e zgjedhjeve në të njëjtën kohë ishin edhe parashikues të këtyre rezultateteve, duke ia futur si kau elefantit! Ata që dikur goja e tyre shërbente si furrig (ngrohës) për vezë të Titos dhe Millosheviqit e pas luftës shërbyen si furrig për vezë të UNMIK-ut apo EULESH-it i cili është fëmijë i të parit u gëzuan që humbi krahu i luftës të cilin e identifikonin vetëm me SHIK. Që nuk është fare e vërtetë sepse luftën nuk e kanë nisur, as nuk e ka bërë vetëm një parti apo një shërbim por kontributi ka qenë gjithpopullorë! Dhe që fitoi qytetaria përballë mentalitetit fshataresk dhe kriminal.

Për të gjitha të zezat e këtij vendi pas përfundimit të luftës po akuzohet krahu i luftës apo SHIK-u ndonëse pas luftës pushtetin e patën “ushtarët e Himë Govës“ me të cilët varianti kosovar i Cecës e pati filluar dhe e pati fituar luftën! Dikur për SHIK-un flitej me shumë kujdes dhe me zë të ulur që më shumë ishte pëshpëritje ndërsa tani flasin me zë që do t’u kishte lakmi edhe Luçano Pavaroti i ndjerë! Nuk më kujtohet se për UDB-në flitej me një negativitet aq të madh sa flitet sot për SHIK-un! Si çdo shërbim informativ edhe SHIK-u mund të ketë bërë punë të këqija mirëpo përgjithësimi nuk është masë vlerësuese objektive! Unë njoh njerëz të mirë që kanë qenë idealistë e që kanë qenë strukturë e SHIK-ut por njoh edhe të tillë që, jo që nuk kanë pasur pregatitje profesionale apo se kanë qenë të denjë por nuk i kanë plotësuar as kushtet elementare për roje stani. Adem Demaçi, siç e quajnë politikanët tanë, si njerëz jashtëzakonisht të mençur që janë apo Baca Adem siç e quajmë ne, injorantët idealistë, menjëherë pas përfundimit të luftës në hotelin Grand, një dyzine komandantësh të vërtetë dhe atyre nga Bllaca u pati thënë se: ”askush nuk do të mbetet pa u koritë (pa u bërë horë )” dhe se do të vie një kohë që “ju që keni mbetur gjallë do t’ua keni lakmi atyre që janë vrarë në luftë si luftëtarë”! Nuk e besoj se Baca Adem mburret sot me profecinë e tij ndonëse në kohën kur e tha këtë pati reagime nga disa komandantë se: ”mosha e bënë të veten dhe koha e gjatë e kaluar në burgjet jugosllave e bënë Bacën të papërgjegjshëm dhe se nuk i prehet dëm”. Këtë kanë mundur ta thonë vetëm të pafytyrët dhe horrat që pastaj nuk lanë të zezë pa bërë, nga haraçi, rrëmbimi, uzurpimi, dhunimi, plaçkitje dhe vrasje qoftë nën siglën e UÇK-së apo edhe të SHIK-ut. Pas luftës Kosova u bë strehë e horrave, të luftës dhe të paqes! Kosova u bë vend ku ordinonin së paku 30 shërbime të huaja informative dhe kundërinformative. UDB-në e llogarisin si strukturë vendore sepse ata që i shërbyen dikur i shërbenin edhe tani. Të strukur dhe sistemuar mirë materialisht në UNMIK, OSBE, UNHCR, OJQ të huaja dhe vendore, si aktivistë për të drejtat qytetare dhe gazetarë të pavarur! Në këtë arenë spiunimi SHIK nuk ka qenë kurrë faktor relevant. Nuk kam dëgjuar kurrë që peshku i vogël e ka gëlltitur balenën! Por, gjithashtu nuk kam dëgjuar se patkoin e kalit ia kanë mbathur miut në këmbë! Nuk dua të bëhem e as që do të bëhem kurrë mbrojtës i askujt për të palarat që mund t’i ketë bërë mirëpo nuk do të pajtohem që këta që kurrë send të mirë nuk kanë bërë për vendin dhe popullin të më përcaktojnë një standard moral, politik, demokratik dhe kombëtar! Bijtë e atyre që dikur na kanë thyer dhëmbë dhe dhëmballë, na kanë vrarë, izoluar, diferencuar, burgosur, dënuar me burgje të rënda për shkak të aktivitetit armiqësor kundër bashkim-vëllazërimit, Titos, Jugosllavisë dhe Serbisë sot po e vazhdojnë traditën e etërve të tyre. Në fund të fundit, një pjesë e kriminalizuar skajshmërisht e krahut të luftës sot po e korrë ate që e ka mbjellë. Po u vinë faturat që nuk po janë në gjendje t’i paguajnë e as t’i përballojnë. As ato materiale, morale, njerëzore e lëre më ato kombëtare!

Nuk e humbi garën në Ferizaj Agim Aliu shkaku i SHIK-ut dhe Elmi Reçicës por shkaku se shumica e themeluesve të degës së Ferizajit ishin të përçarë dhe, jo që nuk e ndihmuan kandidatin Aliu por e penguan atë. Në fund të fundit nëse SHIK apo Elmi Reçica e paska zgjedhur Agim Aliun kryetar të Ferizajit një vit më parë, pse nuk do ta zgjidhte përsëri? PDK e ka humbur Ferizajin shkaku i përçarjes brenda degës së partisë dhe shkaku se nuk janë bërë përpjekje serioze për tejkalimin e kësaj përçarjeje. Edhe në Lypjan e kemi të njëjtën situatë kur një muaj para zgjedhjeve u bë një përçarje e madhe midis Shukri Bujës dhe Fitim Selimit. Mos të flasim për Vitinë ku në degën e PDK-së vetëm sa nuk shpërtheu lufta e armatosur. Gjilani gjithashtu ishte i përçarë dhe vet votuesit e PDK-së nuk e votuan kandidatin Mustafa. Në Prishtinë pikërisht për shkak të përçarjes dhe mosmarrëveshjes në degë hyri nga korneri kandidati Agim Çeku. Në Besianë shikisti Gashi e rriti numrin e votave për PDK-në. Duket se as në Mitrovicën e Jugut (ndarje poshtërsisht e imponuar) dega e PDK nuk ka qenë unike dhe e fortë si guri. Dikush nga ish shikistët ia ka pirë duhanin tinëz Kadri Veselit që ka penguar fitoren e PDK-së pa balotazh ndërsa në balotazh ka fituar LDK e jo Agim Bahtiri. Në rrethana normale Agim Bahtiri më lehtë do të bëhej kryetar në Tokio të Japonisë ku e ka mbjellë farën për këpurdha se kryetar i Mitrovicës. PDK ka ndasi edhe në Kuvend. Edhe në disa degë të tjera! Ka ndasi në kreun e saj! Megjithatë këto humbje janë të kthyeshme nëse partia reformohet dhe pastrohet nga disa elementë gangrenoz, dyfytyrësh, injorantë, parapagues të posteve dhe shpërdorues të pronës publike. Ose, këto humbje bëhen të pakthyeshme nëse edhe më tutje ia fusin gjumit dhe sillen si këpurdhat e Agim Bahtirit apo sikur kjo ngjarje të ketë ndodhur në Somali e jo në Kosovë! Jashar Teveqeli kishte dy djem që ishin shembull për Mëhallën e Tereqëve të Tredhur. Gjithmonë krenohej me ta. Dhe rrahte gjoks majtas – djathtas nëpër fshatin Kotlina e Hajnave. U bë faktor dhe autoritet. Me kalimin e kohës Duraku, djali i madh bëri një sherr të madh dhe kur fshatarët filluan të kërkonin llogari, duke bërë përpjekje ta ruante fytyrën e luste fqinjin e vet, Hajvan Murrizin që ta arsyetonte para fshatit duke thënë se është një gabim i vogël kalimtar dhe pa pasoja afatgjate. Po të ishte Jashari burrë dhe po të mos ishte teveqel, vet do të dilte para burrave të fshatit! Po, nejse historikisht gjithmonë hajvanët i arsyetojnë teveqelët e pse të mos vlejë kjo edhe për ne?! Apo, ndoshta si rast sui generis na lejohet të bëjmë ç’të duam?! Në një vend normal udhëheqësi normal nuk stoliset me suksese dhe nuk fshihet prapa tyre por e merr përgjegjësinë mbi vete kur i thyhet rruga dhe kur përfundon në llugë! Sepse ai është drejtues i qerres apo kopesë! Nuk ka ndodhë kurrë që këmbanën t’i varin në qafë një keci të lodhtë por për ogiç është zgjedhur një cjap me trup të Arnold Shvarcenegerit! Dhe nuk e përlanë ujku kopenë pa e përlarë ogiçin. Në të gjitha shtetet e fuqishme të botës njerëzit e fortë të shërbimeve informative, kundërzbuluese dhe të tjerë hyjnë në politikë duke u ngjitur në majat e saj. Kjo ndodhë në SHBA, Angli, Gjermani, Francë, Izrael etj. Dhe krejt në fund. Nëse 700 spiuj shqiptarë të Millosheviqit sot veprojnë lirshëm në Kosovë dhe janë të infiltruar në Presidencë, Qeveri, Kuvend, media, subjekte politike, biznese etj., të cilët kanë punuar dhe punojnë kundër shqiptarëve dhe Kosovës dhe për të cilët askush nuk shkruan apo organizon” gjah të shtrigave” pse kaq shumë urrejtje kundër një shërbimi i cili ka përfunduar misionin dhe i cili në radhët e saja ka pasur atdhetarë që janë burgosur, dënuar, vrarë gjatë dhe pas përfundimit të luftës së fundit për lirinë e këtij vendi dhe për lirinë e këtyre llaskucëve që godasin çdo gjë që ndërlidhet me luftën dhe sakrificën?! Ata që kanë bërë krime qoftë nën siglën e UÇK-së, SHIK-ut, Sigurimi i Atdheut, Shqiponjave të Zeza le të burgosen dhe dënohen. Por ata koha i ka dënuar dhe nuk do t’i shpëtojnë dënimit !
Tërë koha po na shkon duke i nxjerrë sytë njëri – tjetrit. Dikush Hashimit, Isës, Albinit, Kadrisë, Beh-Gjetit, Ramushit etj. Po kërkojmë shkarkimin e tyre sidomos të kryetarëve të komunave që ende nuk kanë filluar punën. Nuk ka problem. Lehtë e kemi me ta. Kur të duam i shkarkojmë. Po, le të dali një zog kosovari qoftë ai edhe vet Lil Toshi spo Nexhmedin Legjionari e ta shkarkojnë Krstimir Pantiq, apo bosin e Graçanicës, Ranillugut, Parteshit, Zveçanit, Zubin Potokut, Leposaviqit, Shtërpcës apo Kllokotit ?!
Sirenat e Dragodanit dhe peshkaqejt e Serbistanit
Na pështynë dhe na shanë. Na kërcënuan dhe politikisht na vranë. Na quajtën injorantë, trutharë dhe tradhëtarë! Na quajtën qakej dhe zagarë! Sepse pavarësinë po e zbehin, ata që po lehin. Të gjithë ata që thonë se Kosova nuk është e pavarur dhe sovrane duhet të dërgohen në rrotë same! Të gjithë ata që flasin se po formohet Republika Srpska Kosova i Metohije janë injorantë dhe hafije. Të gjithë ata që nuk po hanë fiq, nuk e duan shtetin e Kosovës dhe Listën Srbska – Ivica Daçiq. Të gjithë atyre që bëjnë krahasime midis Bosnjës dhe Kosovës duhet t’u fryjnë në vesh dervishët e Jakovës! Të gjithë ata që flasin për zhvillime dramatike duhet të shkojnë te Imam Shefqeti për kurse elementare të njohurive politike, tolerancës dhe shkathtësive demokratike! Kosova është unike, e pavarur, sovrane dhe territor i pandarë, o ju të paditur dhe me tru të shpëlarë! Në Kosovë nuk do të ketë as Tirol e as Birol, e as Tajvan o ju hajvanë, as Serbi e as Rusi, po besa as Shqipëri e lëre më Republika Srbska në zemër të kosovarisë por thjesht integrim, prosperitet, zhvillim, përparim sipas modelit të Etiopisë! Vërtetë nuk na kanë pranuar disa shtete si Greqia, Qipro, Spanja, Rumania dhe Sllovakia por na ka pranuar Nigeria! Për bonus do të na pranojë edhe Etiopia! Edhe unë mendoj se kanë plotësisht të drejtë kur thonë se Kosova është e pavarur dhe sovrane dhe se është e pandarë dhe e paparë. Për nder të Berluskonit, pafajësi të Al Kapones, buzëqeshje të baroneshës, sinqeritet të Xhentilinit, modestiesë së Zezditës dhe për punë krejtësisht vullnetare të Blerimit. Si dhe për vizion për integrime evro-atlantike dhe në BE të Hashimit! Në emër të bisedimeve teknike, lëshimeve të vogla taktike për fitore të shkëlqyera strategjike.
E titujt në gazeta si: ”Duhet të jemi të kujdesshëm që në Kosovë nuk do të krijohet Republika Srbska“, “Nuk duhet të lejohet Republika Srbska në Kosovë “ dhe se “Janë përralla se në Kosovë do të formohet Republika Srbska “ etj., si duhet të kuptohen?! Disi, thuaja në çdo titull po përmendet Republika Srbska në Kosovë! A është kjo e rastit apo ….?! Këta tituj në fakt janë marrë nga intervistat e diplomatëve me ndikim vebdimmarrës për proceset në Kosovë prandaj nuk mund të konsiderohen vetëm tituj por edhe qëndrime për realitetin aktual në vendin tonë i cili u krijua me dhunë dhe shantazhe nga Serbia por edhe disa “miq“ tanë ndërkombëtarë. Djallit i janë rritur shumë brirët për t’u mbuluar me një ble flokësh! Në Kosovë kutia e Pandorës ka qenë gjithmonë e hapur dhe askush nuk ka bërë përpjekje ta mbyllë ate. Tash do të merremi me pasoja që nënkupton Kosovën si shtet jofunksional ku Serbia po e firmosë tapinë për të gjitha proceset. Provë ishin zgjedhjet lokale në komunat serbe dhe “nevoja për ndryshime“ duke votuar 90% për ”Lista Serbska – Ivica Daçiq”. Edhe partisë nacionalsocialiste të Hitlerit i është dashur më shumë kohë për t’u kacavjerrur majave të pushtetit! Por, siç thotë Baca Adem edhe ashtu jemi në fund të pusit dhe nuk na mbetet asgjë tjetër vetëm se të dalim nga pusi.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura