Berlin, 21 maj 2019: (Mbi personalizimin e të vërtetës)
1.
Parisi mirëpriste botën që kish vajtur të ndante dhimbjen për sulmin mortor në redaksinë e Charli-Hebdo-së. Dhe, ndërsa prania e të tjerëve kje një gjest politik, madje hipokrizi e kulluar, marshi i klerikëve shqiptarë përçonte shpirt koekzistence. Ishte, thjeshtë, një mikrokozmos tolerance që Europa ëndërronte ndër shekuj. Por vetë shqiptarët, elita e dijes do t’i dërgonte më herët mbarë Dheut kumtin e kundërt. Një pretendim të rëndë, të trishtë. Një maskë shëmtie mbi ftyrën e pafaj…
2.
“Shkodra ishte qyteti më i përçarë shqiptar në punë feje. I ndarë si me thikë midis katolikëve dhe myslimanëve, ai shkumëzonte nga pasionet e të dyja palëve kundër njëra-tjetrës… Një traditë e tërë urrejtjeje, e mjaftueshme të ushqente breza të tërë njerëzorë, mbahej gjallë me të gjitha mjetet: libra, revista, shoqata, procesione, thashetheme, përdhosje vendesh të shenjta, grindje, vrasje e gjer te masakra që shmangeshin me vështirësi.”
Rilexova këtë fragment nga një ese i Kadaresë për Migjenin dhe u tmerrova. Si qenkësh e mundur? Pyetja që bëra në heshtje, trondiste gjithë kullën e kulturës që përceptoja. Një nga postulatet e vetë qytetnisë shqiptare.
Unë që besoja krenisht m’një pamje tjetër historie, s’arrija kurrësesi të dyshoja dhe, më pas, të bashkëpohoja: athua kështu paskësh qenë!
Përvojat e zonës ku jam burrnuar rrëfejnë krejtësisht ndryshe: as urrejtje, as konflikte, as mnirje, as përçarje, as vrasje ndërfetare. Përkundrazi. Shqiptarët i diferenconin fiset, por asnjëherë feja. Edhe krushqitë s’do të kenë ndalesë, prag fatal përkatësinë religjioze. Kjenë vetëm fiset, 12 tyresh, që nuk përzjenin deri vonë gjakun e tyre.
3.
Shkodra paraqitej si metaforë negative. E zezë. Dhe një ekzemplar bashkëjetese të vështirë e përfytëse ndër shqiptarë.
Urrej iluzionet. Lavdinë e shpifur. Dhe delirin e madhështisë së paqenë kombëtare. Megjithatë e besoj virtytin rrallë të harmonisë fetare të popullit tim.
Sidoqoftë, është e bukur, fisnike kur shkrimtari i shpërfaq botës të vërtetën, sado të errtë, për kombit të vet. Është një përndritje intelektuale dhe naltësi njerëzore. Madje, një shërbesë që i bën Votrës, sepse e vërteta, vetëm ajo, i hap udhët e dritësisë.
Mirëpo shpjegimi, me gjasë, del të jetë ndryshe. Kadare do t’a shkruaj trajtesën në kohën e Rendit komunist. Ushtrimi i fesë ishte ndaluar. Entusiazmi për veçanësinë planetare, për vrasjen e Zotit, ishte i madh. Po meqë njeriu s’bën dot pa Zotin, aherë ai do zëvendësohej me një Instancë tjetër tokësore. Për të rrafshuar sfidën, në kazamate gulagësh vuanin mëkatin e mashtrimit gjithë eprorët e saj. Urrejtshëm dergjeshin, sidomos, dinjitarët e iluminuar françeskanë…
Ndaj dhe, besnik ndaj konformizmit legjendar, Kadare personalizonte të vërtetën dhe mallkonte periudhën para-ateiste. Që, ashtu, si provë shërbese a hir lojaliteti, të përligjte përulësisht suspendimin e saj. Të ideologjisë Zotmunguese, si fillesë e lirisë së njeriut!
Postime të Lidhura
YLLI POLOVINA: NË MES TË LUFTËS NË KOSOVË, LEKA ZOGU KËRKON PAQE NËPËRMJET BISEDIMEVE (21)
Tiranë, 27 Qershor 2019: Shkrimi i njëzetë e një i ciklit me kujtime, ekskluzivisht për “Illyria” dhe “Pashtriku.org”,…
SHAQIR SHAQIRI: ZONJË E NDERUAR, A KA MBETUR NDONJË PORE SADO E VOCKËL KU NUK JENI PËRZIER JU DHE NUK ËSHTË VENDOSUR SIҪ KENI URDHËRUAR JU?
Pashtriku.org, 25. 04. 2014 – (Letër e hapur ambasadores së SHBA’ve, Zonjës Tracey Ann Jacobson) – zonjë e…
SOKOL BYLYKBASHI: QEVERI KEQBËRËSE
(Pashtriku.org, 24. 04. 2012) – Qeveria e Republikës së Kosovës karakterizohet më shumë me mosveprim se sa me…
BEHXHET SHALA BAJGORA: GOZHDIMI I ISËS NGA ATA QË E SHTREMBËRUAN KULLËN E PISËS!
Prishtinë, 3 maj 207: (Zgjedhje të lira, me koalicione të pështira) – Që nga zgjedhjet e fundit parlamentare,…