Berlin, 19 mars 2020: (Shpresë, vetëm imagjinare)
1.
Në Faunën e Amerikës paskësh jetuar herët një krijesë e rrallë. Natyrisht, ajo do të popullonte vetëm fantazinë njerëzore. Porse a nuk pleksen shpesh mite, legjendë e jetë bashkë?Ishte i Prapafshehuri dhe cilësohej kështu, sepse fshihej prapa gjithëçkaje. Ky do t’ketë qenë shkaku (thotë i përnderti Mjeshtër i “Qenieve imagjinare”), që, megjithëse ngarkohej me vrasje, askush s’e përshkruante dot…
2.
Rilexoja këto radhë të Borges-it (n’rithurje të lirshme), e n’beft m’vinte ndrydhja e një aluzioni të trishtë: fryma krahasimore me Prapafshehësin e një bote dhe kohe të vonë e t’largët. Paralelja i ngjanë një blasfeme. Por erdhi e paftuar. E pa u lutur për behjen e saj. Janë një babël dëftejzash, të pamëshirë si mallkimi, që e prirën atë.
Ndërsa Prapafshehësi i amerëve s’kje veçse një trill fantast – ky i Visit verior të Arbnit është krejt real. E pra, nëse bëmat e Pararendësit janë supozuar vetëm në përrallat dimnore pranë votrës së kuqëlimtë – këto të Pasvajtësit, me mish e shpirt njeriu, janë të prekshme ditë e natë. Pastaj, duke truar Orën e tij, Prapafshehësin e Faunës thuhet t’a kenë fajsuar për mbytje e përlarje druvarësh. E rëndë e dridhmuese, po, fundja, ç’ishte ai para Reinkarnantit tokësor që godet e përlanë – jo druvarë të shkretë, por një popull të tërë?! Kudo që venë mundimtarë të turmës, ai do t’gjendet tinëzisht prapa krahëve të tyre. I gjurmon, heton, përgjon, sehiron e rrëzon…
Dhe shkathtësia e tij mizore është e papërballueshme. Dorëkeqen e tij ndanë çdo pjerrine, nuk arrin ta shohë kurrëkush. Madje, për dallim prej Legjendarit, ky i Këndejmi, i Kësojetshmi e i Patretshmi, ka dhe një veçanësi tjetër të mistershme: asnjëri nuk bën t’kqyrë punët e tij të errta. E po ndodhi, na ruaj Zot, t’i vërej padashje pengojcat e këtij shpirti të bjerrë, s’ka kurajon të flasë. Brenda tij është shuar eti për të vërtetën dhe vullneti natyral për t’a shpallur atë. Fjala kundërshtimore, kjo rreze e dielltë që verbon syrin e pamësuar, shenjon qyshkur kufijtë e të pamundurës. Është drama vetë. Autori i saj, gabimtar i pafalshëm, përfundon viktimë e Fuqive të territ që marrin prorë në mbrojtje bese Prapafshehësin çjetëzues me armatën e pafund të Shërbëtorisë së tij…
3.
Po kushedi. Një ditë edhe Zotat bien. Sipas kallzimeve të moçme, një palë janë shndërruar në gurë që vuajnë vetminë, ankthin e natës dhe mallkimin e valëve të tërbuara brigjeve të Sicilisë. Mirëpo me Perënditë-Prapafshehsa të miljeut tonë është një grimë më ndryshe. Ata janë të shumtë si korbat e stuhisë dhe, ndaj, sado gjatësore të jenë grykëderdhjet e lumenjëve a të ndonjë l’kéni vogëlak, ngurtësimi i tyre do ndalonte ujërat. Fushat do thaheshin, vegjetacioni, lulet, gjallimi vetë. Ndoshta, që këtej, nga Qielli do të zbresë një Urdhër i ri ogurmirë: të tejformohen në Derra, por të tillë që nuk kushtojnë mbajtjen, sepse do i përkisnin njëj lloji që hanë njëri-tjetrin xyfshëm. Pa seanca të përshpirtjes e pa pikëllim. Ngadalë e mnershëm, ndjekur nga dhimbja që ndjen vetëm zemra dhe britma që dëgjojnë vetëm veshët e tyre. T’bërë shpuzë nga dëshirimi për tu kthyer në trajtën e vjetër, tashmë të ftohtë e t’mbaruar, si ftyra e vdekjes..!
Postime të Lidhura
KUDUSI LAMA: UÇK-ja, RAPORTI I DICK MARTIT DHE GJYKATA SPECIALE (X)
Tiranë, 11 shtator 2020: Portreti e lufta e UÇK-së nuk i ka borxh njollosjeje as Serbisë e as…
DILAVER GOXHAJ: PSE KËRKESA IME PËR LLOGARIDHËNIE NGA FONDI “VENDLINDJA THËRRET” I SHQETËSON MILITANTËT E PARTISË?! (2)
Pashtriku.org, 12. 04. 2016: Të nderuar delegatë të Kuvendit të Dytë Zgjedhor të Veteranëve të Luftës për Çlirimin…
VERIU BOMBË E KURDISUR NGA REGJISORËT E POLITIKËS…
VERIU BOMBË E KURDISUR NGA REGJISORËT E POLITIKËS… Nga Sheradin Berisha, Facebook 27.12.2022 Në mbrëmjen e 15 dhjetorit…
QENDRA JUSUF GËRVALLA – GJUHA E SHËMTUAR E IBRAHIM KELMENDIT … (16)
Në 41 vjetorin e vrasjes QENDRA JUSUF GËRVALLA – GJUHA E SHËMTUAR E IBRAHIM KELMENDIT … (16) Nga…