Pashtriku.org, 11. 01. 2014 – (Cinizmi i fitores së humbësit) – 1. Ai merr ashensorin i këndellur në këtë fillimjavë të pranverës ringjallëse dhe niset lirshëm drejt zyrës së tij. Hap derën dhe gatitet me një buzëqeshje të çiltër të përfalet kolegun e ri. Por befas shtanget. Nuk mund tu besonte syve. Përballë, me kundrim nga dritarja, qëndronte një i njohur i vjetër.
Nga koha e virgjër e fëminisë?
Nga vitet çapkenërore të studimeve?
Jo, jo!
Kujtesa e kthente rrufeshëm në një tjetër periudhë të jetës së tij: në motet e trishtuara burgëtare. Po përse ky shqetësim? Ja, një bashkëvuajtës me të cilin do evokonin stuhitë e ikura. Thënia e një urtaku lashtësie se është dëshpëruese të evokosh kohët e gëzuara në mjerësi, tani merrte kuptimin peshëplotë, pikërisht pse, ndoshta, ngjante e kundërta: do kujtonin kohët e liga në fatlumësi! Madje, për më tepër, ndryshe nga të bugosurit ordinarë apo mundimtarët e tjerë të jetës, këta kishin dhe një shtysë djellandritëse më shumë: shihnin të sendërtuar ëndrrën e tyre sublime.
Por çfarë ndodhi?
Përse ky nuk arriti për disa çaste që zgjatën një përjetësi, të frymonte për të thënë dhe një gjysmëfjale? Një pyetje idhtane si re shiu që errëson gjithçka përpara, i erdhi vetimthi e nuk ikte dot: Si ishte e mundur? Ishin po ata sy picërrues që zhbironin urrejtshëm e po ato duar që ruanin ende tizgën e gjakut. Megjithatë, mblodhi veten dhe shqiptoi përshëndetjen mirëmjesore me një zë të mekur e vështrim gati të rrëzuar përdhè. Iu bë se dëgjonte sërish fyerjet e goditjet më mizore dhe psherëtimat e britmat më pikëllimore. Tani, me një lehtësi të padurueshme, bëri rindarjen e roleve dramatike: ky e miqtë e tij të idealit qëndronin këndej, në një anë – në anën e dhimbjes e poshtërimit, kurse tjetri që tani rrinte ulur aty me një qetësi të habitshme përhihur njëj nënqeshje qesëndisëse, gati sfiduese, ishte andej, në anën e shkaktarit të dhimbjes – në anën e ofenduesit të ultë dhe torturantit të pashpirt. Dhe, si dredhë ere që përplas çdogjë, nuk tretej assesi pyetja shungulluese: Si ishte e mundur? Si ishte e mundur që tani, në një kohë të dytë, të ishin sërish të pabarabartë? Ky kishte lirinë për të cilën flijoj njomësinë e djalërisë, po dhe tjetri do të bënte herët një flijim, veçse, për ironi, në kah të kundërt: përdhoste shtegun e po kësaj të shkrete liri, që tash e gëzonte, në altarin e interesit të huaj. Ky kishte, tutje, epërsinë morale, por tjetri kishte armën tjetër që nuk i vjetërohej kurrë, cinizmin triumfues: aq ia bënte atij për etosin, ndërgjegjen dhe pendesën njerëzore! Ndërsa bluante përfundimin e tillë, i ulur dhe ky pranë skrivanisë, diçka do thyhej e shmagjepsej, për të gurëzuar një zhgënjim të thellë brënda qenies së tij: ishte ideja tragjike se kjo s’ishte piktura e lirisë, por hirnosja e saj. Kurse ai tjetri, mentori dhe ekzekutori i rrëzomës së kazamateve e të popullit të ndaluar, që kishte nisur, ndërkaq, të dërdëlliste për punën – i dukej tmerrsisht i fituar!
2.
Kjo traumë i do ti ndodhte një të burgosuri politik, në beharin e shkuar, në një nga institucionet e rëndësishme politike të Kosovës së lirë. Dhe unë do endja atë në këto radhë, i frymëzuar nga paralajmërimi belgradas, si detyrim Europe, për të hapur dosjetë e Udb-së famkeqe që pat nxirë jetën shqiptare, aherë dhe pështjellon shpirtërat e saj, sot.
Dhe le të hapen, më në fund, o Zot!
Le të shohim, ditën për diell, cilët kjenë zyrtarë rrogtarë, e cilët bashkëpunëtorë të fshehtë!?
Mandej: Cilët ishin vullnetarë të zellshëm shërbimi dhe cilët sish rekrutë të zorit: pra, të dhunës e varfërisë!?
Tutje poashtu: Cilët i përkisnin rangut të ulët dhe cilët patën përbetuar në rrathët e sipërm të kierarkisë!?
Pastaj: Cilët janë përshpëritur a nofkuar, po, mbase, nuk paskëshin qenë të tillë!?
Dhe akoma: Cilët naltçmoheshin si burra të ndershëm kombi, madje duke ngjitur dhe karrierë me këtë profil publik, dhe nuk kjenë të këtij soji, por, përkundrazi, sigurimsa sekretë!?
Mëtej prapë: Cilët kishin autorizime vocërrane lajmdhënëse, e cilët ishin misionarë realizimesh “madhore”, nga ngujimi i lirisë e deri tek privacioni i jetës!?
Tutje: Frekuentonin vetëm këtë agjenturë apo, në multifunksione, dhe të tjera?
Dhe së fundmi: Cilët janë shuar dhe ç’bëjnë të gjallët? Kanë lënë zejen apo ushtrojnë ende pasionshëm e aktivisht atë dhe ku? Në ç’instancë e me ç’objektiv?
3.
Nëse, prandaj, nga Belgradi nuk vjen një mashtrim i ri çorientimor dhe, njëkohësisht, nëse shqiptarët, kthjelluar kulture shtetërore e jashtë komleksesh provinciale, ndërtojnë një konsens nacional për të diferencuar kristalisht të mirën dhe të keqen – aherë Republika ende e brishtë, duhet të bënte lustrifikimin e kësaj mbeturinë të neveritshme e, poaq, gjakmpikëse në trupin e saj. Por dhe nëse eprorë të kastës politike nuk reflektojnë, prirë nga pragmatizmi votëprurës apo solidarësia natyrale e racës me ta, së paku ne vdektarët e pashibluar ti njohim bëmat dhe fytyrat e tyre. Dhe, duke i njohur, të mos i njatjetojmë respektshëm në udhë e sheshe të pafajshme. E, së mbrami, me një ofshamë klasike të themi çlirueshëm: ranë këto dosje e u pamë! R.Kasumaj – Berlin, janar 2014
==================
REXHEP KASUMAJ: SEDËRHOLLA E HISTORISË
(Prizreni që s’pret)
1.
Një qytet i lashtë ka sedër të hollë. Prekja e saj mallkon. Veçanërisht e rëndë është nëma kur mbi fytyrën e tij ka përftuar shumë lot, gjak e dhimbje njerëzore. Prizreni është njëri prej tyre, qytet i ndjeshmërisë, krenisë e kujtesës historike. Dhe ai gatitet sërish, si kryehershëm, të presë e ndijojë krerë të epërm shqiptarë. Por, konformohet vallë plotësisht caksynimi i këtyre që vijnë tani (anëtarë qeverish të të dy vëndeve), në madhështinë e historisë që ky qytet e ka për zemër? Apo do mbetet stoli e simbolikës së tij? Dikur, aty patën zbritur misionarë kombi nga e gjithë hartografia etnike, për të përskajuar mëvehtësinë unike të tokave të Arbërit, ndërkohë që tani pararendësit e tyre latojnë një bashkëpunim mes dy shtetesh (njërit sovran, po të këputur nga bijtë e vet dhe një tjetri të gjysmëndaluar e brejtur nga çdo anë) në hapsinë ende të coptuar nacionale. Është mot tjetër, njëmend, por megjithatë një paralele shpaloset idhshëm mbi rrethnajën dhe protagonistët e saj. Ata kishin sakrificën – kurse këta veç përfitimet, ata kishin çiltërinë dëshmidhënëse – e këta kanë meskinërinë fuqimarrëse, mandej, ndërsa ata shkrinin pasurinë për idealet – këta shkrijnë idealet e shkërmoqura për pasurinë përrallore, ata jepnin vizion e shpresë – këta ravijëzojnë ëndërr e të ardhme, ata, tutje, nuk agjitonin askurrë fetë – këta, fatmjerisht, i shpërdorin për resurse pushtetare, po, në fakt, religjioni i tyre i vërtetë është religjioni i arrogancës bestiale të parasë, ata, së mbrami, nuk kishin vokacionin negativ të krahinarizmit provincial – e këta janë, përfundimisht, flamurtarë të paemancipuar të feudëve të tyre politikë. Rrjedhimisht, ka pësuar mort klinik vetë ideja e lirisë. Dekadenca e saj gërryen e gropos themelet e qenies nacionale. Shteti e kultura janë antagonistë. Kur shteti, e pra dhe fuqia militare, shtohet, aherë zvetnohet kultura e tij. Ndaj, gjemanët janë mërzitur me shpirtin, sepse shteti gllabëron gjithçka të bukur shpirtërore. A ka libra të mirë në Gjermani? Po, Bizmarku, u thoshte Niçe me qesëndi miqëve të penës jashtë Atdheut! Poashtu dhe ndërsjelltas, kur kultura flakëron, shteti tashmë është i tërhequr në bedenat e vet modest. Kështu mendonte ai, por me sa duket, ka dhe një gjëndje të midisme, si në truallin verior të shqiptarëve: kur të dy bashkë, shteti e kultura, katandisen keq!
2.
Natyrisht, konteksti ka konstelacion e shenjëzim të rinuar. Po dhe trashëgimi të vjetër, poashtu. Shqiptarët, vegjëlia e tyre, kanë bërë tutje ndër vite. Kanë zhvilluar prapë luftëra dhe kanë kapur kurora triumfesh. Por, ndonëse lëvizën më shumë drejt interesit jetik shqiptar në fundshekull, janë gjithnjë sallonet e errëta të rezonit shtetëror, që, tash si atëherë, bëjnë të jetë akoma e trishtuar ëndrra e Burrave të shquar të Lidhjes. A do arrijë, prandaj, ky samit i lartë guvernash të vete përtej shakullimës zhurmore të tij (Fondi i Luginës, që për dallim nga ai serbian për veriun, e ka të pasigurtë legjitimimin ndërkombëtar, pastaj Arsimi, komplementariteti ekonomik…) apo, s’do të begatojë veçse simbolikën e qytetit kujtestar? Për të pasur një paravlerësim, duhet parë se ç’objektiv është vënë përpara në këtë fillimmijëveçar të ri! Bëhet me dije se aty, në përmbyllje, do të dokumentohet një partneritet strategjik mes dy landesh shqiptare. Rëndësore, pa dyshim. Po a ngjan, ndërkaq, i denjë ky fill për ti dhënë atij përmasën e veçanësisë? Pak vështirë! Pse? Sepse strategjike janë cilësuar, pokështu, dhe raportet me shtetet e turkut e grekut. Madje, me tension emfatik e besim ardhmërie. Ku do të qëndronte, që këtej, përveç përbashkësisë plenare, e ndryshmja e relatave strategjike me Kosovën? Do të donim që prapa termit formal të diplomacisë mbarëshqiptare, të drunjtë e ngurruese, të ngjizet një marrëdhënie speciale si embrion vlere paralajmëtare. Porse, i mësuar me zhgënjimet e të vetëve dhe përbetimet e të huajve, Prizreni s’pret shumë. Ndoshta pritja e tij i përket një kohe tjetër. Një kohe që vjen. Me flijim e heronjë të rinj. R.Kasumaj – Berlin, janar 2014
==========================
KODI I PËSHTYMËLËPIRJES
– Një betejë brumësore për sheshet heroike –
(Disidenca, termi dhe vlera e saj, si çlirim shpirtëror nga autoriteti dhunëtar i Kishës apo tiranisë politike, ekziston tash 400 e ca vjet (1573). Porse, fatmjerisht, ky nënqiell nuk i njohu kurrë!)
1.
Një tepih i kuq i shtrirë, si rëndom, me elegancën solemne. Në në skaj të tij qeveritarë e homologë dhe, natyrisht, gazetarë të shumtë. Prisnin një zonjë të largët nga Europa. Ishte opozitarja e kierarkisë së epërme gjermane Angela M., që zbriste për vizitë në Vashington. Rrëfimi i saj i parë kje idhnak e gjithë pezm. Flet e nxinë keq politikën e oponentëve të saj pushtetarë. E përmes tyre dhe vëndin e saj të mirë. Ja që nuk paskësh qenë ky cen vetëm ballkanës. Pushtetdashja errëson arsyen e pështjellon ndjesitë gjithkund. Pra edhe në Europën e ligjeve dhe skrupulave, të rregullsisë dhe traditave shtetërore. Një urtak me nam e i veçantë, ndjek kronikat e ligjërimit ankimor të Angelës dhe reflekton i trishtuar. Nobelisti i letërsisë Günter Grass nuk zgjedh heshtjen. Ngre zërin e revoltës si sot e përherë. Dhe s’kish si t’mos bëzante për këtë cinizëm. Të rrëzosh gurë mbi Atdheun nëpër botën e huaj vetëm për një post politik? Për një karrierë kancelareske? E ultë, shpërthente ai. E mnershme dhe e papërkitshme me edukatën kombëtare. Këtë jokonformizëm lapidar (ndonëse afektivisht majtist) do ta dëshmonte ai përjetë. Poezia e bukur e rebeltare kundër shantazhit që shteti izraelit, me mbështetjen dhe uratën e fuqive perëndimore, i bën paqes së përbotshme, ishte prova dhe përndritja e gjallë e yllit të tij të lirë.
2.
Dijetari i vërtetë është, prandaj, prore në opozitë. Është armik racor i të keqes. Veçanërisht kur ajo vjen, jo nga Hyu, po nga bijtë e njerëzëve mbi tokë. Në viset e Arbërit, ndërkaq, ka ende shumë për të mësuar mbi refuzimin e pakëmbyeshëm intelektual. Largina ndaj princit dhe konzistenca e munguar, janë pikëdobëta, squllosja dhe raporti problematik me ndërgjegjen krijuese. E, gjithësesi, dhe me ftomat udhëkryqëse kolektive. Piketat e shenjëzimet dhe referencat e animet – ndërrojnë ritmikisht me lëvizjen diellore në kupën e kaltër. Luledjellësa të kulluar, ata pohojnë e mohojnë, shejtnojnë e profanojnë milje, procese e titaj fuqie në orët e përbaltura a zenitore e tyre. E bardha nxiroset, teksa e zeza zbardhet e borëton argjendërisht në lavjerrësin nuhatës të konjukturës. Nuk bëj aspak mohësin e meritorsisë së tyre (për çka kam shkruar qindra herë) – në letra publicistike dhe burgje, megjithëse i pari është ekzemplar i pashoq për kundërthënësinë, tautologjinë lodhëse e gjuhën e drunjtë, kurse i dyti, një pëndestar e kaotist i moshës së muzgët i cili, në një roman të tij që i përket letërsisë serbo-shqiptare, i dedikon dashnores imagjinare, ose jetës vetë, ofshamën zhgënjyese “se isha (e nuk duhej) vetëmohim, e tani, e dashur, do të jem vetëpohim”! Mirëpo klaviatura e luajtur së fundmi në debatin e ethshëm e plot zhurmë, vulos rrotullimet e befta e dëshpëruese mbi piemontët e lirisë. Për hirin e të drejtës, evokojmë ca dromca që, disi, autoportretojnë ata në këtë shtjellën e sertë pasvajtëse. “Gjëndja jonë është si buka”, thoshte gjatë vitesh të 90-ta (para luftës) më i shquari tribun popullor – nismëtar diskursi të tanishëm mbi shqiponjat e laraskat, në ngasjen për të shestuar një shtegdalje nga realiteti represiv e i përbuzshëm kolonial. “Pajtimisht me këtë simbolikë”, elaboronte ai mëtej, “dhe rezistenca kundërserbiane nuk mund të jetë as korja e sipërme e armëve dhe as korja e poshtme e agonisë pacifiste”. Po cila aherë? Duke përjashtuar pa asnjë ndërdyshje luftën si opsion çlirimtar, ai ofronte në vend të saj, strategjinë skofiare e mëshirëplotë të asnjanësisë dhe përgjigjej: brumi midis tyre! As luftë, as paqe! Vetëm brum i paformë, i pashije dhe frymëkëputës. Kjo dhe bredhëritja e tij anekdotike prej shterpari konceptesh e taktikash të pambara, ndoshta, do të ketë qënë një nga shtysat e ligjshme që një tjetër figurë e lakuar si epiqendrore a supreme e arenës publike, të pohonte asokohe pendueshëm: “Mendoja se ai” (aluzion për autorin e tezës së koreve ekstreme), “me të dalë nga burgu duhej të vëhej në ballë të frontit qëndrestar, por tash nuk mendoj më ashtu”! E, ç’ndodhi pas kaq motesh? I qëndronte ende, me besë e parimësi, vlerësimit të atëhershëm? Jo, jo! Tani është rrethnajë tjetër. Gjetësi intuitiv i “dy koreve” të bekuara ka nisur, tashmë, një betejë të re jetëvdekëse që i vete fort për shtat “Supremësit epiqendror”, në rendjen e kahershme për olimpin e perëndishëm. Ndaj riqarkullon ai fjalësinë e pietetshme e glamuroze për “Admiruesin e brumit”, si luftëtar të paepur kundër paqësorizmit nënshtrimtarë që kje sabotuar e ndërskëmbcuar padrejtësisht për të marrë, si shprehet, “atë çka i takonte”: frerët e Lëvizjes kombëtare. E çuditshme? Aspak! Lakadredhjet janë ves, normë dhe gjallim i tij. Më parë ishte një tjetër, “Korifeu i pushkës” drenicare varri i establishmentit sërbian në Kosovë, kurse tash, kur këtë e dikton kodi i pështymëlëpirjes, ai sposton atë, duke glorifikuar sërish të parin, “Veteranin e hapsanës”, si themelësin e lirisë. Gjithnjë brënda këtij kodi të pështirosur, ai dhe mandantët e zvargur, shlyejnë dominancën e një faktori të tretë fuqidhënës: metamorfozën gjeopolitike të Europës, e cila, me daltimin mjeshtëror amerikan, do të rrafshonte kryeqytetet sllave të territ e robnisë. Jashtë rrezes së tij, as pushka e hapsanja nuk do mjaftonin të jetohej ëndrra e bukur pavarësiste. Është e ditur, gjithashtu, se pa vullnetin mëndjes dhe sakrificës elitare, asnjë popull nuk mund të trokiste në dyert e hekurta të interesave të mëdhenj. Por në Europë vijon të ekzistojë “Shoqata e popujve të rrezikuar” (Göttingen). Përse? Sepse ende (Baskë, Irlandezë) ka të tillë. Edhe ata kanë epopetë e veta të grilave e të zjarrit. Veç, fatkobsisht, projekti i tyre i bardhë bie ndesh me planimetrinë e zezë të skenaristëve të epërm. Kurse dhimbja e loti nuk i lëvizin dot politikat e strategjitë e kancelarive të hirta dhe zemrat e gurta të krerëve të tyre. Si u bë që “Supremësi”, anise absolvent i shumë stileve të mundjes, të katapultojë tejdukshëm kështu? Të vëngërojë a heshtojë kaq lehtësisht kornizimet e hershme mohore që i bënte dhe, poaq, të bëmat e të thënmet tjera ingjenioze që kontrastojnë pikëllueshëm profilin e shpellosur të “anti-korësit”? ”Brumësi anti-kore” pat hedhur në tregtizën politike dhe margaritarë të tjerë nëpër stuhi vitesh. Do të prononcohej botërisht (gjatë luftës): “Edhe tek unë erdhi e trokiti në derë milicia serbe, por me dy-tri fjalë u morëm vesh paq dhe ata shkuan në punë të vet.” Mrekullore! I fajshëm ishte, rrjedhimisht, vetë njeriu shqiptar që, duke qenë i pakulturuar, nuk mirëkuptohej dot me këtë milici fine millosheviqjane tek vriste prej zori, e zënë ngusht nga keqsjellja e atyre që donin jetën. Dhe e ëndërronin atë të lirë. A s’ishte kjo një dhuratë e kushtueshme për mbeturinat imperiale të Rendit të moçëm, në revanshin e tyre ndanë legjitimitetit të së drejtës indipendiste të Kosovës? Pastaj, kulmorja (pas luftës): “ Nato-Pakti hyri në Ballkan si elefanti në qelqëtore lulesh. Nuk pati nëvojë për ndërhyrjen e forcës, sepse ne do të binim në ujdi shumë më mirë pa të”! Rezulton, që këtej, përfundimi brilantin se Diplomacitë dhe Ushtritë perëndimore kishin ndëshkuar fashizmin e paqenë dhe armikun e gabuar. Madje më keq akoma, prishën idilën e fiseve gadishullore që ishin gati të gjenin dashunisht formulën e bashkëjetesës prrallore! Mesazh më fatal s’mund ti dërgohej aleatëve që ende përplaseshin për legjitimitetin intervencionist dhe, ndërkohë, kishin atashuar asistencën e shtetndërtimit në truallin e lirë! Dhe prapë (krejt tevona): “- A frikësoheni zotni që ndodheni në Belgrad”? “- Jo aspak, shpirti jeton edhe pas vdekjes”! Besimi në përtejsinë ishte në të drejtën e tij, por kishte vajtur atje (në një paraqitje mediale) për të mbrojtur vetëjetesën sovrane të popullit të tij në këtë rendin toksor të papërkryer të gjërave, apo të teologjizonte për kurmin e frymën, për pluhurin e qiellsinë? Po të gjykojmë me këtë mëndësi religjioze dhe punët politike, aherë për ç’iu desh shqiptarëve shteti i dytë? Gjaku i shtrenjtë i lindjes dhe djersa kotnare e kultivimit të tij? Le të mbaheshin më mirë larg helmit të jetës së përkohshme mashtruese, në pritje të lumnisë së amshuar!..
3.
Mirëpo dhe “Supremësi” s’mbetet aspak poshtë “Brumësit” dhe kredos së tij mjegullore. Ka një pirg me diamantinë të ngjashëm të zinj. E imagjinoni dot një humanist të proveniencës etike të identifikohet shërbyeshëm me qendrën e fuqisë politike e të kërkojë arrestime për kundërshtarët e saj? Të prejudikojë verdikte dhe t’bëj vaj pse s’pati e të hymnizojë gjyqet ushtarake? Apo t’ia shohë për të madhe një letrari tjetër që s’kishte bërë burg nën diktaturë, ndërsa vetë kishte njëmijë e një arsye më tepër për këtë në tokën e okupuar. Biles një të vetme herë gjatë atyre viteve do ta përmendte burgun, por për të fyer ata që kalbeshin qelive të errta të tij. Që në krye të një libri polemist ai, në vetëprezantimin lajelulës, mburrej: “ Nuk kam qenë kurrë i burgosur”! A nënkuptonte kjo se, ndërsa ky krenohej, ata duhej të turpëroheshin pse digjeshin, jo si ordinerë – por për kauzën liridashëse. Kur këtë (si thamë më sipër) ia kërkonte një tjetri, pse vetë nuk ishte aty? Klasa e të burgosurve, dalëzotës i së cilës do të vetëshpallej vetëm kur do të abrogohej penalizimi i deliktit verbal dhe pa qenë i ftuar a i dinjtetshëm për këtë, nuk kallej atje poshtë as për luksin e demokracisë nën krusmën e pushtimit – por për mëvetësinë nacionale. Po ky, “Supremësi” nuk e bënte as njërën dhe as tjetrën. Përkundrazi, gëzonte ofiqet e dheljen e ngrohtë oficiale të eprorëve bolshevikë, sllavë e shqiptarë, që i përligjë e justifikon përulshëm gjithherë? Ndaj, është i pafund pusi i përjagieve, por kësaj here fokusojmë veç një hark kohor specifik. Në prakçlirim, ai theksonte: “Nuk them se politika lëdëkëiste është një vepër trathtie të paramenduar, por ajo është, thjeshtë, e gabuar!” Pra nuk implikonte fare qëllimin e keq. As mëndjen e ligë. Apo dhe mefistofelizmin demoniak. Ndërsa këtoditshëm, menjëherë pasi zbulestari i “dy koreve” do të shprushte hirin, Ati kujdestar i gjithçkajes që merr frymë në universin shqiptar, me instinkt dhelpëror, kapte nervin e çastit të maturuar për të dalë letargjie dhe frike të shuarjes. Kur “Brumësi” e cilësonte “frikacak” një mëtues tjetër për epitetin e Mandelës që ky e kishte rezervuar për vete, ndihmëtari i tij, “Epiqendrori” zelltar, do ta korrektonte atë shpejt, preras e rëndshëm: ”Jo”, thoshte, “nuk ishte frikë”. Dhe shtonte dënueshëm: “Ishte trathti”! I lëndueshëm keq në temën e frikës, sepse ishte dhe vetë ikanak i tebdilosur i Bllacës, ai bën distinkcionin taktik. Tërhiqet dhe adopton rrafshin e “trathtisë” ku pretendon dëlirësinë. Po a është kjo struhera e sigurtë e tij? Nuk ngjan shumë e besueshme. Fundja, a nuk është oborrtarizmi intelektual, sidomos në regjimet autokratike, një trathti e lartë morale? E ishin, ai e galeristët e tij, verniltarë të pamposhtur klikash tek vëzhgonin vetëm fanarin e polit të mujshisë. Për sa kohë do të shtrëngohej në grushtin bravuroz të së kuqes jugosllaviste, ata vegjetonin aty dhe herrnin privilegjet e arta, por kur piramida shkërmoqej e dërgonte kumtin e kalesës në anën përballëse të së kuqes që përshfaqte dimension tjetër kombëtarizme, behte papritur kapërcimi i bujshëm, e çuditërisht krenar, në krahun e saj. Natyrisht, spërkatja e gjithmonshme e të kuqes me gjakun pafajsor, është krejt dytësore. Përparsia i përkiste prehjes në lozhën e epërme dhe në ballë të aradhës së intelektualëve të shtruar: dhe ky interes vetor, të cilin do ta njëjtësojë me interesin kombëtar, e shpesh të shaluar mbi te, mund të mëkohej më së miri duke qenë afër prijësit kodosh të instancës komitetare, atëbotë dhe të elitës së ish-ilegalistëve të pushtetuar, sot. Në fakt, brejën e afrimitetit nuk e kishte imanente e të çiltër. Nuk e lëngonte aspak kuqosjen e tij të alltë herake. Madje, do ta ruante merakosshëm në kujtesën e begatuar me shërbesa lojale, emnesa e tituj kierarkikë, rrudhje të drejtash të tjetrit, arbitrimin e parë… E kuqja ishte vetë ai. Prej saj, ashtu si prej vdekjes, edhe po të donte, nuk mund të këputej dot. Po përse ta bënte? Ai s’mund t’ishte askush tjetër përveçse e kaluara e tij, një lulnajë vëllazërisë së ngrohtë proletare. Ndaj, për idhujtarët që dezhurojnë prore pranë tempujsh ideologjikë, e kuqja, komitetëse dhe ilegaliste, këto dy skaje që i përbashkonte ngjyra, por i përveçonte virtyti i flijimit, mbeten përjetësisht drama përkallëse e fundjetës: rroba dhe, njëkohësisht, qefini i tyre! E, pra, termi “frikacak” i poentuar në kundrimin e “Brumësit” që i ngjante i butë e amnestues, ishte, si me thënë, pjesë e këtij kalvari shndërrestar. Njëmend “Frikacaku” mbase kje i tillë. I poshtënënshkruari i këtyre radhëve nuk i bën apotheozë atij dhe asnjë kooperative politike, aq më pak ansamblit të tyre të paraluftës. Po këta të dy? Ishin frikamanë? Nëse nuk patën frikë, aherë përse nuk u flijuan në zallahinë e flakës kryengritëse? Apo, nëse nuk e bënë këtë vetë, aherë përse i kurseu dora e gjatë serbiane, kur, sado të mbuluar nga protagonizmi ose ferexhja, mund ti arrinte gjithmonë? Tani, si kurorë e trajektores së “Epiqendrorit”, vjen fragmenti hijekeq në stuhinë e atij fundmijëvjeti dramatik. Në një rast (e në një libër) tjetër, që do ta mësonim pas luftës, ai, si një arnesar i përvuajtshëm i kultit të tij zhelan, monologonte : “eh o i mjerë, erdhe këtu në Parisin dimëror dhe nënshkrove autonominë për Kosovën nën Sërbi”! Akti ishte, padurueshëm, i vërtetë. Grafikoni i vrojtimeve tejpamëse të tij rrëzohej vazhdimisht. Shkelte mbi ide e fillesa, si mbi barin e fushës së shkretë. Kishte pleduar fillimisht bashkimin e Kombit nga ambientet komode kabinetike, më pas, kur themelonte një Lëvizje politike alternative në mesdekadën e fundme të qindvjetshit të ikur, pati rënë në Republikë (të federuar, mbase, me Jugosllavinë e tretë të Zhablakut të cilën e preferonte dhe folësi i Ushtrisë çlirimtare J.K., në një prononcim për “Europën e lirë”) dhe në Konferencën parisiene të paqes (viti 1999), vegimi i tij politik mbyllej me status Autonomie nën stemën e shtetit sërbian. Meqë gjëma ishte e ligë, a ishte, njëherësh, vërtetësisht i paqtë e katarsist, pranimi i hapur i saj apo veçse një shtirje e shplarje hipokrite para popullit dhe historisë?
4.
E kësisoj, krejt ndryshe nga kolosi Grass, këta miqët e tij të penës e aktivizmit, kanë njësuar mënyrat e instrumentet, kanë retushuar biografitë e figurat dhe kanë rinuar pozicionet e aleancat për të arritur caksynimin e dyfishtë: pakti me politikën dhe vëndzënja në tempullin e lavdisë. Meraku gërryes është i përnatshëm e gjumëprishës. Kurse sheshi, ah ky sheshi i ngratë, është aq i vocërr për tu lënë pak hapsirë të gjithë heronjëve të luftës e punës, të burgjeve e letrave, të korrupsioneve patriotike dhe të pushteteve të shkërdhyera. Emblema ngado. Merita. Supore. Por dhe populli, ah ky popull, tepër i vogël i gjori për madhështinë e tyre. Ndaj, mbase, nuk duhet vonuar e Guverna vizionare, pedante e altruiste e Kosovës, të ndajë fonde buxhetore për një shesh të ri madhor. Mbi të ose poshtë tij. S’ka rëndësi. Mjaft që të ketë vënd për kuaj me njerëz dhe për njerëz pa kuaj, dinjitozë të dytë, për shtatoret e përjetësisë. E populli? Si ta shtojmë e përzgjërojmë atë? Vështirë, mjerisht! Mirëpo, për ngushëllim, nëse jo numërin – aherë, së paku, ta përnaltësojmë shpirtin e tij, që të njohë e parzmojë madhnorët në arkivin e tij! E, diku në një nga raftet e veçuar, të palosë edhe “Brumësin” që s’i trëmbet mortit trupor, edhe “Epiqendrorin” që heq e vuan për grabitjen e shesheve heroike. Le të lutemi për ta. Për jetën e këndejme të statujtë dhe për faljen e andejme të Rregullatorit suprem. Është vështirë të bësh jetëshkrimin e kohëve dhe rendeve politikë, shkruan Ch.G. von Krockow (“Portret burrash të shquar gjermanë”), sepse vetëm në shekullin e 20-të, gati të gjithë, 4 në Perëndim e 5 sish në Lindje, afishoheshin si armiqë të sistemit pararendës. Është e dhimbshme të mendosh, ndërkaq, që dinjitarë të quajtur formatmëdhenj, ishin përherë në bedena kundër armiqësorëve të ikur dhe asnjëherë (ose rrallëherë) kundër sistemeve a rendeve pozitivë, nga të shumtët e poshtnorët që përftuan këtyre trojeve. Disidenca, termi dhe vetë vlera e saj, si çlirim shpirtëror nga autoriteti dhunëtar i Kishës apo tiranisë, ekziston tash 400 e ca vjet (1573). Porse, mjerisht, ky nënqiell nuk i njohu kurrë! Kushedi, mbase ka gjithnjë kohë për fisnikërim a përdhosje. Të rënët dhe kujtimi i tyre nuk janë drynuar ende thellë e paprekshëm në legjendën e lashtësisë. Janë promemorje e gjallë mes nesh. Currilët e rinj të gjakut pikëzojnë sërish mbi gjurmët e vjetra të tyre!.. R.Kasumaj – Berlin, janar 2014
=============================
KTHIMI I RI SËRBIAN (Një shteg gjithmonë i hapur)
1.
Fjalë kritike ndaj guvernantëve të Kosovës dëgjojmë çdoditë nga mëndje të hapura e vënddashëse. Epo, jemi shoqëri e lirë. Apo? Ndoshta! Por, për të gëzuar këtë epitet sublim mungon dhe diç fundore: sado të mprehta, të kthjellta e të sakta të jenë ankesë-akuzat, ato nuk i shkundin dot titajt lëkurëtrashë me ansamblin institucioneve të sunduara dhe, për çudi, as elektorët indolentë e harrestarë. Mirëpo, mjerisht, hidhen poashtu vlerësime që dhe desperadosin më të thekur e shpërthyes do ta bënin të rimenduar e dyshimtar total: ndaj gjithçkajes e ndaj të gjithëve! Njeriu politik, i thjeshtë e vdektar, përfundimisht e ka tepër të vështirë zgjedhjen! Më rastisi të shihja këto ditë një shkrim, që nuk e di në përfaqëson opinionin oficial, doktrinar të ndonjërës nga kooperativat e shumta politike. Me një gjuhë paksa klerikale, shpallej nëma: “Komandantët e hoteleve kanë kthyer pa kushte Sërbinë në Kosovë”. Më herët, mbase nga i njëjti taborr, do të flitej shpesh se Sërbia është gjithnjë këtu dhe bën e drejton politikat sipër nesh. Aherë, po t’ketë qenë kështu, ç’kuptim ka tehu i oponencës se ajo është kthyer, kur s’kishte ikur fare? Nga shkrimi i sipërcituar del se ajo kje shpërngulur njëherë dhe tani – ç’ligësi – pa kushte paraprake e paskan kthyer prapë. Përpiqem ta mirëkuptoj orvatjen për një rezon shtetëror, kryeftohtë e racional. Por dhe këto radhë pretendojnë këtë. Nuk janë retorizëm apo ligështim emocional.
2.
Është kthyer, prandaj, Sërbia në Kosovë?
Po, po, thotë, por shih tani çudinë: komandantët e shkretë kanë bërë këtë prapësi pa asnjë kusht! Athua paskësh qenë e parathënë (traktate të fshehta, pëndesë euroatllantike, ndryshim i skemave gjeopolitike – si azhurimi i datënisjes së negociatave me Sërbinë për të kompensuar disfatën në Kijew), të rivinte doemosshëm ajo në Kosovë? Nuk e besoj aspak këtë. Por, me sa rrjedhon drejt e pa keqlexim, përgjigja e autores së nderuar është tragjikisht pohuese. Edhe ajo nuk i kundërqëndron trokut serbian, veçse pajtimin do ta jepte me ca kushte! Vallë, përmbushja e cilit kusht madhor, jetik a të shenjtë, do t’përligjte kthimin e saj? Ndjesa? A do t’mjaftonte një përulje, qoftë dhe vilibrantjane për të hedhur ajo prapë pëlhurën e harresës dhe zinxhirët e zbukuruar mbi fytyrën e Kosovës? Reparacione? Ç’para mund të blinte gjakun e derdhur shqiptar kundër bankave të tyre të vdekjes? Dhe për ç’para do vinte sërish qafën nën zgjedhë ky popull, që tashmë ka lindur e po rritë brezin e parë pa shfytyrimin e robnisë dhe vetë idenë e tij? Çuarja dorë nga viset veriore e establishmentit serbian? Veç arsyeve të ditura (qeverisja e pamirë, korrupsioni si alkimi, pakti me mafiokratë) që dobësojnë qëndrueshmërinë e Kosovës, a është dhe fuqia reale e saj e tillë që të mbaj peng konstelacionet ndërkombëtare? Aleatët strategjikë ia shkëputën Kosovën Sërbisë dhe tani kërkojnë bashkëpunësi e koncesione për t’ia shkëputur dhe Sërbinë Rusisë. Një Ukrajinë, a një Kubë e dytë, nuk do të lejohej në Ballkan! Apo është kushti i njohjes? Po dhe ky, në fakt, do t’ishte një contradictio in adiecto i kulluar, sepse si mund ta njihte Belgradi shtetin e ri e sovran dhe, njëkohësisht, të kthehej aty ku ishte, e si ishte, tash 100 vjet? Por ja: një palë pa kushte fare, kurse kjo tjetra, anipse e kudocilësuar si kundërshtare konceptesh e morali të saj – me kushte, por gjithësesi do të pranonte (e, kushedi, mirëpriste) kthimin e Sërbisë në Kosovë! Dhe në esencë ky është boshti i higjienës kombëtare: të tjerat janë ngjyresa të hirta e trishtuese të gjëmës së saj. R.Kasumaj – Berlin, dhjetor 2013
=========================
NEGATIVIZMI I FUQISË VETMITARE!
(“Në varrezën e iluzioneve të botës le të gatitet një pllakë përkujtimore për ëndrrën dhe sprovën e shuar të Shteteve të Bashkuara të Europës”.)
1.
Boris Johnson-i, prefekt i Londrës, ëndërron të ribëj lavdinë. Parathotë se britët e tij, në pak vite e dhjetëvjeçarë, do të bëhen një e tillë mbifuqi demografike, e rrjedhimisht, politike, që kryeqyteti i tyre ta kalojë Nju-Jorkun, kurse Britania e tërë, ta lë pas – Gjermaninë! Mirëpo ky nuk është i pari e, as do jetë i fundmi vegim për shtegëtim vetmitar. Kombet e Europës, ndonëse të nyjëtuar në një traktat të çlirët, akoma endin, ndaras e nënujshëm, fije të madhështisë: për të shtuar popullsinë a rinovuar armët dhe për të sofistikuar intrigat a për të ekspanduar influencat e tyre. Asgjë e huaj për natyrën klasike të shteteve, sikur individualizmi negativ që ruan rudimente rivalitetesh të vjetra, të mos binte ndesh me fizionominë dhe aspiratën komunitare.
Prej nga rivjen ky ngazëllim për shtetin kombëtar? Këtë pyetje reflektuese bënte një gazetë gjermane, duke nënvizuar se vetëm në faqen e 156 të Kontratës koalicioniste, gjendet fjalia e kursyer se “Bashkimi i Europës është detyra më e rëndësishme e Gjermanisë”! Pse kaq poshtë e kaq shkurt? Ndjesia e zhgënjimit a lodhjes sikur sëmbon të gjithë. Një palë kalojnë krizë dhe, në kulmet e saj, sikur pëshpërisin se pa kupolën e epërme dhe monedhën unike, do të rikuperoheshin shpejtësisht. Kurse një tjetër, për të cilët “kriza e mirë” është shndërruar në shans flatrimi prosperues, nuk duan të shpenzojnë mjete e fantazi për bllokun e “shpejtësisë së dytë”! Dhe ky është, me ç’duket, vetë mëkati i zanafillës (i fajshmi Maastricht): historia e qenja, kujtesa e shpirti dhe vatra e interesi, mbeten përjetë tipare prijëse, të pashkrifta e ekzistenciale. E pra, 28 Kombe, 28 Guverna dhe poaq Armata, shenjojnë po të njëjtin objektiv: mirëqenjen, sigurinë dhe shkëlqimin e Europës. Porse leksioni i Ukrajinës (ndoshta pajtesa e ngutshme për datënisje negociatash me Sërbinë është një përpjekje kompensimi për këtë) që, e dorëzuar para shantazhit rus, i ktheu krahët turpshëm, dha kumtin që meriton ti bëhet një lexim historik. 28 pushtetet, ekonomitë dhe ushtritë e tyre, dëshmojnë shkathtësi mahnitëse për ndërkëmbëza të ndërsjella në mikroplanin e shtëpisë që zvoglohet ngaherë e vazhdimisht. Jashtë saj, ndërkaq, shumica syresh gjenden vështirë dhe në hartën e botës. Pikërisht ky lloj dyzimi përjashtimor midis shteteve me politikat nacionale në lidhjen e tyre, akoma të brishtë dhe intencës qendërzuese të Brukselit, që idealistët do deshnin ta shihnin të inkarnuar në sajesën federale të quajtur, shpesh, me mallëngjimin e t’pambërritshmes – Shtetet e bashkuara të Europës, është honi që greminos përjetshëm ripërtrirjen e “perandorisë universale” atërore të Karlit të madh! Madje, më tej se kaq. Vullnetet dhe vizionet ngjajnë dëndur të pakonformueshëm dhe, ndonjëherë, të përballur pa shpresë. Një pol landesh ndërkallet emocionesh të turmës (ndjekur, jorrallë, demagogjie të klasës politike) për të hyrë nën kulmin e Shtëpisë Europë, një tjetër, tutje, duke qenë tashmë nën strehën e saj, refuzon bjerrjen e ingerencave nacionale, kurse një i tretë, skeptik prore, kumton ndërdyshas një deklarim referendar për dalje prej saj. Të parit i përkasin ballkanësit e harruar ndër shekujt e gjatë, të dytit i prinë Vacllav Klausi i çekëve, që ka marrë mundin të krijojë një bosht solidarësie vëndesh që, të vogla siç janë, i trëmben majorizimit poshtërues dhe, të tretin fare, e përfaqësojnë britët e vetmuar me lojën e dyfishtë: përplasen me familjarë kontinentalë për formulën e bashkëjetesës, tek ndërkohë vjelin partneritetin natyral me Amerikën që bën gjthnjë ligjin ndërkombëtar. Ndërkaq, si tendencë e pamirë që përhihet kudo, madje dhe aty ku politika i bën apologjinë rituale, është ngritja mbi 50 përqind e ndjesisë qytetare joentuziaste për Europën e njësuar.
2.
Shkurorëzimi i ishullorëve, qoftë dhe si ide a shakullimë kalimtare, do t’kurajonte grupe dytësore politike që qyshmoti i bëjnë asaj gjyqin përfundimtar. Këtë komocion ua jep atyre dhe gjeopolitika pozitive: janë larg zonave të përskajuara si tiranike, eruptive dhe antiperëndimore, e pra, rrezikprurëse për sigurinë e tyre.
Po a është krejt kjo e përligjur?
Koncepti i sigurisë, tashmë, ka ndërruar dhe ajo nuk cënohet vetëm së jashtmi, por poaq së brëndshmi nga tenja përbluese në vetë strukturën societare. Sidoqoftë, britët, si mesazhon plot vaktësi kryebashkiaku i metropolit të tyre (transmetuar nga “SZ”), planizojnë aventurën e vetmuar të fuqisë. Dhe, po tu besohet tumirësve të rrëmbyer, predispozitat nuk janë të papërfillshme. Trualli e tradita, kultura e gjuha e mbarëfolur, sikur premtojnë jetësimin e dalldisë. Por, njëkohësisht, dyshimtarët gjykimftohtë që pretendojnë realizmin, shprehen të kenë të drejtë dhe, sipas tyre, zhvillimet venë vështirshëm hullisë dëshirake. Përkundrazi: përvijimet dëshmojnë një prirje tjetër.
Si do arrihej a restaurohej ky rang madhnues?
Nga lindshmëria hovmarrëse e nënave angleze? Apo prej emigrantësh të ish-kolonive që sjellin me vete barqet pjellore të grave, varfërinë e injorancën lapidare – në një anë dhe – në anën tjetër, prej oligarkësh të kamur nga Rusia a vendet e Golfit, që pushtojnë zonat e bukura të qyteteve, duke shtyrë e zhvendosur vendësit dorëhollë të Mbretërisë së bashkuar? Recesioni ekonomik, braktisja e mundshme e Bashkimit Europian, pastaj lokomotiva e ardhësve të pandalshëm, zvetnimi i “Leit-kulturës” (çdo i dyti qytetar nuk e flet, tashmë, anglishten si gjuhë amtare) dhe mëvetësimi i mundshëm (pas 300 vitesh kaohabitimi) i Skocisë, bëjnë një piketë fundore që rrah ta thërmojë projekt-ëndrrën, për ta kthyer Anglinë në një vend të vogël, margjinal dhe me shfytyrim të thellë identitar!
3.
Në fakt, pothuajse të gjithë vuajnë idhujtarinë e tillë vetanake dhe, njëherësh, limitet e liga gjakmpikëse. Kriza e diferencuar finansiare, dështimi i multikulturalitetit, e pra e kryevlerës së civilizimit demokratik, mandej, si një hije vrugtane, tymi i konfliktit midis, si thuhet, “kulturës së mirëseardhjes” dhe “populizmit të djathtë” shkaktuar nga ikanakët e hershëm apo arratiakët e vonë të skamjes (gjysma jovëndore e banorësisë së vetë kryeqendrës, 16 milionë gjermanët me prejardhje të huaj, karvani i pambarimtë i veriafrikanëve në Francë, tregtimi fitimprirës paradoksal i shtetësisë malteze) – janë pamje që drynojnë prapa vetes po atë brejcë largvajtëse. Po ato janë, poashtu, gurëprova që do të duhej ti këndellte ithtarët e idesë së skifterëve të vetëmjaftuar, për ti kthyer vrullshëm në frymën e ideatorëve të hershëm të përbashkësisë. Vegëzat që do të duhej ti mbanin europianët sedërhollë në njëshmërinë e tashme simbolike, apo ti çonin drejt një shtetërie federale – më shumë se glorifikimet egoiste, janë pellgjet e dikurshme të gjakut pa ngadhnjimtarë, vlerat e reja egalitare, pastaj droja nga teatri i vjetër armiqësive totale dhe, veçanërisht tani, nga gogolë të konsoliduar a të posashfaqur në arenën e madhe të botës. Megjithatë, qasjet e afinitetet kolizive vrujojnë, ballas e dorëfshehtas, me shkallëzim e horizonte ndryshmërisht të largët: nga ata që janë frustruar pritmërish të papërmbushura dhe deri tek ata (rënja e euros do të shuante 200 mijë vënde pune në Gjermani) që eurozonën e përjetojnë si një mrekulli për aftësinë e tyre kompetitive dhe që kërkojnë klauzolë suspendimi për “delikuentët” e zonës mesdhetare. Nga kjo arsye i nxitur, një admirues i përkorë i bashkimit, Prof. Winkler (nga Universiteti Humboldt i Berlinit), përpiqej të gjente pikëqendrën e ekulibruar të përafrimit të tyre: pa ofenduar të mëdhenjtë dhe pa lënduar të vegjëlit e saj! I ndërgjegjshëm për sensibilitetet etnike, ai pledonte për një përbashkësi shtetesh postklasike, e kurrsesi shtetesh postnacionale, që do të thoshte-sa më shumë politika harmonike, por pa dorëzuar asnjëherë substancën e sovraniteteve kombëtare. Sado i matur e i baraspeshuar, ky përceptim sikur nuk joshte dot nihilistët e kryehershëm. Ndoshta balansimi artificial – është gropa e tij vetë. Mosdashësit refuzojnë një mbishtet përbindshor dhe, thjeshtë, nuk e besojnë ardhmërinë e tij. Dhe ata, nga ana e tyre, betohen në dashurinë për Europën. Veçse me një dashuri ndryshe. Çdokush të jetë zot në shtëpi të vet. Që në vitin e 1946 W. Churchill-i fliste për kombet e federuara të Europës, po natyrisht, pa Britaninë në radhët e tyre. Mbase anglezëve do tu voliste alternimi i principit të federalizmit me atë të subsidiaritetit (vetëpërgjegjësisë) dhe, që këtej, nëse ata hezitojnë, aherë përse frëngjët duhet të delegojnë pjesë të sovranitetit në supershtet? Pse, poashtu, gjermanët që, si shprehet filozofi Hermann Lübbe, ende kujtojnë trishtëm tundimin e De Golit për të coptuar edhe atë Gjermani të ngelur perëndimore sipas kartave të Napoleonit? Për bashkëkombësit e tij ai thotë se, në punë të një instance madhore shteti të legjitimuar të Europës, janë iluzionistë të përsosur dhe nga ky cen i ruajnë, faltlumnisht, vetëm fqinjët e mirë. Njëri prej tyre nga galeria e mohimtarëve, Henryk M. Broker-i, shtron diskursin se a mund të profilohet fare identiteti i njeriut europian? E vijon mëtej: a mund të ngrihet e mbijetojë një krijesë shtetesh të federuara pa këtë identitet? Vështirë, pohon ai dhe, pa rezervuar as gjasën teorike të së kundërtes, pyet sërish se a nuk provuan këtë marrëzi sovjetët, Pol-Potët zymtorë dhe e dëgjuara shkollë e Odenwaldit në Heppenheim? Dhe a nuk dështuan të gjithë me laboratorin e krijimit të njeriut të ri? Biles, ata patën rrethana më të pllenueshme e instrumente më efektive për këtë. Kishin tiranitë e ideologjitë dhunëtare për të tretur e mekur “njeriun e keq të vjetër”. Dyshimtar i pandreqshëm, Broker propozon, prandaj, që në varrezën e iluzioneve të botës të gatitet një pllakë përkujtimore për ëndrrën dhe sprovën e shuar të Shteteve të Bashkuara të Europës! Kujt do i përkasë e ardhmja? Vetë Lübbe shfaq bindjen se e keqja po izolohet dhe e ardhmja nuk do jetë pronë e saj. Po, fundja, për ç’nëvojitet zindjellja? Dhe ç’fillesë tejpamësie ka koston më të lartë: caksynimi ngulmëtar apo paragjykimi negacionist? E kaluara ishte e mnershme. Forca dhe inteligjenca nuk ishin gjithherë bashkë. Kohët prodhonin zinxhirë e skllevër edhe për mëmëdheun e Brokerit, Poloninë e vajtueshme. Europianët ndajnë një truall, një kulturë e një fat dhe çdo projeksion mbifuqie kundër njërit, si ëndrra e vetmore e prefektit londinez, shndërrohet ligjshmërisht në strall përdjegës për të gjithë. Ndaj, anipse duket një romantikë iluministe, Europa duhet të vijëzojë njëherë kufijtë – gjeografikë e vleftorë, e, mbi këtë definim të ri, të kultivojë jetikisht njësinë e kombeve dhe të ruajë paprekshmërisht emrin e saj: si gurrë e pashuar e dijes dhe djep i barazisë së jetës! R. Kasumaj – Berlin, dimër 2013.
Postime të Lidhura
ÇKA ËSHTË SHQIPËRIMI?
ÇKA ËSHTË SHQIPËRIMI? Nga Ballsor Hoxha Le të pyetemi, për t’u kthyer në zanafillë të problemit që keni…
NISMA E DRENASIT DHE AJO E VITISË KUNDËR KOALICIONIT TË NISM-ës ME AAK-në!
Pashtriku.org, 24, 04. 2016: (DEKLARATË) – NISMA e Rinisë për Kosovën-Drenas,me datë: 24.04.2016,ora 16:00, ka thirrur një mbledhje…
DR.GËZIM ALPION: KUR HISTORINË E SHKRUAJNË HISTORIANËT – SI KRISTO FRASHËRI
Pashtriku.org, 09. 07. 2015 – (“Meditime për monografinë e Kristo Frashërit “Ahmet Zogu: Vështrim Historik” Tiranë: Botimet M&B,…
IZET IBRAHIMI: TERMOCENTRALI ‘KOSOVA E RE’ MODEL I VJETRUAR ENERGJETIK DHE NË KUNDËRSHTIM ME MARRËVESHJEN NDËRKOMBËTARE TË PARISIT!
Drenas, 15. 01. 2016: Udhëheqësit botëror, që nga Kryetari Obama e deri tek Sekretari i OKB-së Ban Kimuni,…