REXHEP KASUMAJ: SHFORMIMI VULLNETAR …

Berlin, 13 shtator 2018:
1.
Ndër shqiptarë zhvillohet, së fundmi, një proces i madh. Më i veçanti i të gjithëve. Nuk është politik, i stisur e përbetues si në mote tiranike. As ushtri perandorake me marshtarë e munxadhënës. Aq më pak i krahut tjetër: përmbarim i vështirë, vetmohues i një ngrehe që i thonë shtet.

Pastaj është i qetë. Aspak vrulltar. Dhe në ngadalësinë e tij, gati i mpirshëm. Por, njëkohësisht, dhe paqësor. I padhunshëm mbi askënd. Mbi të tjerët veçanërisht.
Është ky, ndaj, procesi vullnetar i shformimit shpirtëror. Në dukje ngjan një paradoks i vërtetë. Liri. Energji sociale. Përtëritje e racës. Emancipim. Universitete. Dije. Kulturë. Dhe prapë e sërish, dhiaresh të rrëpinta sikur përvijohet njëj helmi të ëmbël hemoragjia shpirtërore.
2.
Hiberti cinik (Reginald) shkruante: shqiptarët kanë vetëm një hero, kryezotin e tyre mesjetar. Ç’jetëshkrim kolektiv! A mund t’a imagjinoni, pyeste ai me qesëndi, Anglinë vetëm me Riçard Zemërluanin dhe, para e pas tij, askush. Asgjë. Terr.

Por, sikur të jetonte akoma (nuk e di në ka vdekur) do të lehtësohej fort. Shqiptarët s’kanë më asnjë hero në atllasin e tyre. Errësinë absolute ndehet gjithandej. Janë rrekur, me thonjë e gjak, të rrokullisin dhe atë Gurin e madh themeltar të ndërgjegjjes kombëtare. Gjergji që ai njihte, tani është lokalizuar. E shumta, ka mbetur hero veç i një dore shqiptarësh që, për sherr, janë të iluminuar dhe duan truallin e vet amnor.
Ky proces shformimi, ndodh, ndërkaq, dy linjash paralele në përplotësinë e hënëmarrokshme. Ndërsa m’një anë, anatemohen e shpallen të huaj përsonalitete, emblema shqiptare të shekujve – mbanë tjetër zhbirohen biografira të atyre që, dhe në kanë pasur fragment gjenealogjie, nuk janë më shqiptarë. Kanë përfunduar në oborre të tjerë. Në historinë dhe lavdinë e atyre që dinë t’i përulen hirësisë sublime.
3.
Ja, merrini. Nuk janë tanët. Merreni lirisht Gjergjin. Ishte serb. Bëri gjithë atë luftë që mrekulloi Europën për principatë e prona sllave. E Kadare, për ç’na duhet? Ishte turk që, nga kompleksi i arratiakut për të zhdukur gjurmët e rrënjës, shkruante përbuzshëm për fisin e vet. Migjeni, poashtu. Ishte malazaz. Merreni edhe atë. E sidomos atë mantenutën Terezë, së cilës dhe “nënë” i thërrasim. Tregtoi shpirt me t’paudhin. Le të kthehet e mallkuara mbapsht, në fund të botës. Po “horrin” Ismail Qemali që s’dinte dy fjalë shqip, kush e do? Ramiz Alia, që dikush e cilësoi “profet të demokracisë”, s’kje shqiptar. Fshijeni kujtese. Pati gjak boshnjaku, dmth. sllavomusliman. Ç’turp që do printe në stinë të vështira një rom. Rugova. A s’kishte dhe ai prejardhje të largët ciganërie? E i thonë president historik! Ç’marrëzi! Po Naimi i Frashërllinjëve, ç’ishte. Ah, për të zezën tonë, kje vllah. Si mund t’a ndjejmë atë, bashkë me vëllezërit e tij, të tre arumunë? Merrini, për besë. I po këtij soji qenkësh dhe valltari i yjëve, Lasgushi dhe përralla e tij: do vijë dita të themi, mos e ngritshim këtë dolli pa Kosovën…Dhe tani ky i voni, Ademi i Jasharëve – ç’flijimtar ishte, vallë? Ai s’kje veçse një terrorist që shoi fëmijët e vet!
Ja, pra, merrini të gjithë. Nuk i prehin zemrat tona. Duam të rikthejmë Karagjorgjen dhe ndonjë vezir a sadrazem të fikur. Madje, të këmbejmë Kristoforidhin a Fishtën (a s’briti vetë në kupë të qiellit se s’është më shqiptar?) me Vuk Karaxhiqin e çalë. Sepse dhe ai, paskësh pasur kryehershëm degëzim arbnor. Ose dhe në arenë politike: të japim Thaçin se, me gjasë, nga një rrem shartohet diku me serbë dhe, në vend të tij, të marrim dy madhnorë: Trampin që doli puroshqiptar dhe turbullon botën, por pa harruar kurrë Bonaparten, djaloshin shqiptar të Korzikës.
4.
Procesi i shformimit entuziast, plot mall për një tjetër ftyrë e shpirt, i ngjason krejtësisht vdekjes dimnore. I ftohti hyn tinëzisht thellë, ngrin gjakun e, duke bërë t’përftojnë hijadhë ngazëllime, thirrje, zhvendosje ngjyrash e tinguj evgjitësh, shuan krijesën e trajtës së vjetër.
Dhe vdekje është emri i saj.
5.
Në fakt, ne s’kemi hekura e zinxhirë në trup. I hodhëm. Kanë mbetur ende vetëm në ca gjymtyrë të këputura. Por kjo nuk është e gjitha. S’është kjo fatkeqësia e vetme që kumton Orën e ligë.
Ne hekurat i kemi në shpirt. Të mësuar mijëra vjet, nuk mund të jetojmë pa gudulisjen e tyre të qefintë në honet e errta e të padukshme të qenies. Janë përmasë dhe shenjë njohëse. Damkë e koduar e llojit n’për dredhkat ekzistenciale. Me ta kemi bërë udhën e gjatë dhe, po me ta, njëj besnikërie robi, do shtegtojmë në kohët që vijnë…
Tani, në mbyllje të këtyre radhëve, bëjmë distancë nga një pandehmë. Nga një shfajsim. Shfajsim që stolis marrëzinë e bredhëritjes ndër skema identitare gjatë ftomash historie. E, pra: urren Europa shqiptarët? Jo. Është gabim. Ajo përçmon kulturalisht shqiptarët dhe ata, sipas një pakti të pashkruar, i dhurojnë asaj me zell e gjithmonësi, dëshminë për këtë – çdo ditë, çdo orë e n’çdo frymëmarrje të tyre.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura