REXHEP KASUMAJ: TRONDITJE DHE METAMORFOZË… SI DHE INVESTURA E KRIMIT

Berlin, 21 korrik 2020: Thaçi turrndalur dhe vartës të tij të hallakatur ç’nuk bënë, kthyen mbrapshtë gjithçka për ta trafikuar veglën Hoti në ballë të qeverisë. Por pa vonuar, atllasi politik do të prishej. Do të trandej tërmetshëm.
Por, njëj dite të bukur, do marrin papritur distancë brutale ndaj tij. Natyrisht, jo në tregtizën interne ku ai akomodon me inercie argatë e interesa të tyre. Jo. Jo. Distanca vendoset tjetërkund. Në politikën e jashtme, më saktë në dialogun e rivazhduar me Serbinë.

Ofensiva përmblidhet në një grusht termash bajatë, të zbraztë e pa shpirtin e përkushtimit. Premieri Hoti, thonë zëlartë, s’pati në Bruksel një platformë, ekip, ekspertë e as vija të kuqe…
Ashtu? Ç’reflektim i vonë. Madje mashtrues. Thellësisht i tillë.
Po Thaçi vetë a nuk sfidonte të gjithë dhe negocionte fshehtësisht me Vuçiqin e Mogherinin ndër vite në Bruksel e, më pas, ndëmjetësuar nga Rama njëj takimi traktativ, në Nishin e bazës ushtarake të Rusisë?
Hoti do ishte, vërtetë, një epizod komik sikur Ora politike e Kosovës të mos kishte anën përmasore të dramës.
Por, megjithatë, eksponentë të Pdk-së kanë djegur të drejtën për të hedhur fjalë e gurë kundër qeverisë së tij. Përfundimisht. Ndaj, ky ripozicionim s’është veçse një shenjë e rënjes, thyerjes morale të një partie të harxhuar e tronditur.
Fillimisht, nuk mbështeste kabinetin. E pohonin me arrogancë: përkrahim vetëm qeverinë që udhëheqim vetë. Asnjë tjetër. Asnjëherë. Por ja, tani, të trëmbur, duan të katapultohen jashtë çdo fryme demokracie, n’mos në krye, aherë në radhët e saj. Për të siguruar imunitetin e kotë dhe për të shpëtuar erozionin, mbase rrokullimën e saj.
O tempora, o mores!
Dhe quhen shtetas e shtetarë të Republikës që, njëj hipokrizie tashmë të provuar mijëra herë, mëngjesesh mugëtore betohen për të, e në muzg, kur terri mbulon gjurmët, ngrysen varrmihës të saj!
_______
Berlin, verë 2020
INVESTURA E KRIMIT

Europa komunitare ka një katalog kushtesh për të aderuar në radhët e saj. Demokracia parlamentare, sundimi i ligjit, e drejta për shans e lumni…E të tjera.
Mirëpo, përveç tyre, është dhe një tjetër fundamentor: që aplikanti t’mos ketë asnjë kontest kufitar, territorial, politik a pronësor me fqinjtë e vet.
Dhe duket e arsyeshme e, poaq, e drejtë. E arsyeshme, sepse vetëm ai që kultivon paqen mund t’ë vë një dorë sigurie në këtë ngrehë, të dridhshme si qiri n’furtunë.
E drejtë, poashtu, sepse shumë, sa shumë fantazma padrejtësie, të gatshme për zgjim, prehen në arkivat dhe kujtesën plot hije të saj.
Tani s’dua t’a evokoj mallkimin përbuzës të poetit kombëtar Fishta, megjithatë vijon të kujdestarojë pyetja e vështirë: përse ajo nuk i vuri aherë kusht Greqisë që, madje akoma, është formalisht në gjendje lufte me Shqipërinë?
Përse, prandaj, lëmon shtetet me histori krimesh etnocidalë: grekun, dje e serbin, sot? Dhe, ç’të ardhme pretendon të ëndrrojë kështu mbi parimet dhe frymën e shpallur libertare?
Kam lexuar diku mendimin e vyer, se vënja e gurit të vjedhur në themelet e shtëpisë, është garanci e rrëzimit të saj. Urtia e vjetër, ardhur nga tymnaja e kohëve të ikura, sikur shpjegon Orën e Europës: krimi i pandëshkuar në themele është, ndaj, fitil i rezervuar shpërthimesh në kohët që vijnë.
Dhe shpjegon atë parathënshëm, mjerisht!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura