REXHEP KASUMAJ: VDEKJA E IDEOLOGJISË! (NJË RILINDJE E PAMUNDUR)

Berlin, 20. 12. 2013 – …a po vdes ideologjia, këtë herë e çlirësisë, në Kosovë? Jo, gjithësesi jo! Është një retorikë sofiste, sepse ajo, thjeshtë, nuk mund të vdiste. Është parë ndonjëherë të rroposet diç pa u shfaqur, pa lindur akoma? Më parë se të jetëndërronte, si çdogjë tjetër e kësaj bote, ideologjia politike e lirisë në rrethnajën e begatë demokratike, duhej të lindte, që nuk ndodhi e s’po ndodh dot! Kosova ka përjetuar mbi fytyrën e saj të bukur vetëm këtë trini ideologjish: ideologjinë e pushtimit, atë të bashkëpunimit dhe ideologjinë e çlirimit. Ndërsa të parat janë të qarta si loti dhe nuk lënë hapsirë interpretimesh ekstensive-kjo e fundmja, për shpjegim, do të nënkuptojë se shqiptarët kultivuan ideologjinë e çlirimit, por jo të lirisë dhe të së drejtës në shtetin e vet kombëtar.
1.
A po vdes, vërtetë, ideologjia? Ideologjia e lirisë? Ka një kohë që kjo pyetje intriguese bëhet kudo n’Europë. Po n’Kosovë në ç’stadium është, vallë, shuarja e saj? E përse, përgjithësisht, vdekja e ideologjisë? Sociologë të politikës pohojnë se midis formacionesh të mëdha partiake, që suksesivisht ngrejnë pushtete vetore apo koalicioniste, hetojnë gjithherë e më pak diferenca identitare. Ato shpesh janë, thjeshtë, vetëm nominale e syprinore. Gjithçka duket se agon e ngryset në gjakimet për të marrë pushtetin apo për të ruajtur atë.

Po, fundja, ç’të keqe ka këtu? A s’është më elegante e më pak lodhëse dhe, pastaj, më etike e më pak mashtruese kështu? Mbase, nga kjo arsye ky milje politik do të cilësohet romantik, një idilë politike e këndshme dhe prehëse për njeriun politik të Botës së vjetër! Ai, tashmë, nuk vuan vështirësitë e identifikimit interesor me njërën nga forcat që lypin votën e tij. Ato janë tëpër të ngjashme mes tyre, në një anë dhe me legjislaturat e ikura, në anën tjetër, për ta joshur a eksituar atë me daullet e premtimeve të radhës, tok me titullarët që i deklamojnë me zjarr. E të tilla janë, qoftë kur vetëqeverisin dhe, sidomos, kur, rrallë, koalicionojnë. Për rrjedhojë, zgjedhjet nuk sjellin angushti e dramë. As përplasje e mort partizanësh, vjedhje e deformim korruptiv të verdiktit sovranor. Përkundrazi, shndërrohen në festë të hareshme popullore.
Në paraqitjet autoriale mbi temën ka një kundërshti e mospajtim me teorinë, paksa ironike, të “idilës” e, poaq, shqetësim për apatinë zgjedhore dhe këtë lloj siameziteti të “atdheve” të shumtë politikë. Udo Di Fabio, prof. i shkencave politike në Bon, shprehet se partitë, megjthatë, kanë ruajtur veçanësitë dhe, si dëshmi, jep rivalizimet e ashpëra pozicionale për Kontratën e bashkëqeverisjes. Ç’është e vërteta, atë e kishte refuzuar Rinia socialdemokrate (Jusos) që pledon kthimin e etshëm në gjenealogjinë e saj, sikundër dhe dinjitarë të epërm demokristianë. Në fakt, Partia më vjetër demokratike gjermane (SPD), ka shfaqur, së voni, shenja çorientimi themeltar. Ish-kancelari Schröder do ta çonte atë drejt qendrës dhe, për pasojë, ithtarësia e dëshpëruar do të kërkonte veten në të Majtën (Linke) e ish-komunistëve gjermanolindorë. Tani, e tretur pa kauzë, ajo vijon të shijojë humbjet pambarimisht. Ndërsa, pra, Fabio justifikon koalicionizmin përfshirës, një koleg i tij tjetër, Uwe Volkmann, autor i termit të “idilës”, ngulmon argumentisht se prirja gjermane për konsens është bjerrje e besimit në shtetin dhe apolitizim dëshpërues i jetës.
Sipërthënja rreket të jetë bindëse, sepse afiniteti uniformitar është shenjë e zvetnimit të kulturës së ndryshmërisë demokratike. Fenomeni, prandaj, trishton shpirtërat e paqetë krijues. A nuk e parashihte këtë dhe i madhi Ludwig Erhard, demiurgu i ekonomisë sociale të tregut në Gjermani? Tash e 45 vjet më parë, në një ligjëratë mbajtur n’Skotlandë ai venëronte se “koalicioni i madh” mes kryepartive (si ky i sotmi që është ngjizur në Berlin), është fatal. Pikëpamjen e tij të aherëshme do ta botonte në edicionin special të fundjavës së fillimdhjetorit, “Frankfurter Allgemeine” prestigjioze, për vrajën e temës sot e gjithë ditën. Qeveritë e kompozuara kësodore janë të njëmendimta e monolitiste dhe të tilla, i vetmojnë jetimërisht të drejtën dhe lirinë, vlera sublime që humbin, ashtu, dalëzotësit në ftomë vullnetesh arbitrare. Kjo është një fatkeqësi! Dhe droja është e ligjshme. Demokracia është një pemë e brishtë që do mirëkujdesur përherë. Janë të liga ernat e barishtat e egra që i sulen në çdo orë harrimi. Arkmorti i ideologjisë së lirisë, është djeplindja e ideologjisë së vdekjes!
2.
A do të akomodohej dhe në Kosovë ky vlerësim i artë i kolosit gjerman? Hiç aspak! Atje, si një tëhuajsim endemik, gjithçka ngjan e paadoptueshme: edhe politika, edhe rezoni, edhe morali i saj! Profili i i personelit politik është i pashenjë, fluid dhe amorf. Guvernat njëpartite apo koalitive, sidoqë t’ndërtohen, nuk rrjeshtohen askurrë, me dedikim e frymëzim, pranë lirisë dhe të drejtës. Madje, fqinjërojnë zellshëm me paktin përbetues kundër tyre. Më saktë, ato janë pakti demoniak vetë.
Po ç’është tani puna e “idilizmit” politik, që nuk është veçse dyshimsi dhe demobilizim apatik i elektorëve ndaj politikës dhe krijesës shtetërore? Asgjë për admirim! Nëse idila e politikës është e re në Europë, në Kosovë ajo nuk është as e re dhe as e vjetër, sepse nuk pati të tillë asnjëherë. Në vend të saj kishte: ose pushtet të huaj ose tirani komuniste ose intermezo luftërash e vakumesh të hirta! Në të gjithë versionet e shfaqjes ajo nuk gëzoi kurrë demokraci nacionale alternativash prosperuse dhe as idilën komode të distancës, si “çlirim” nga kthetrat e mundimshme të ideologjive poshtëvënëse. Nëse “romantizmi politik zgjedhor” dhe brënga e Erhardit për lëndueshmërinë e lirisë, janë të luftueshme dhe, pra, të shmangshme e provizoriale – në Kosovë, ato janë të paluftueshme dhe, pra, në këtë vështrim, të pashmangshme e trollëzuese. Pikërisht kjo përherësi totale dhe, disi, e paracaktuar nga tipi i kulturës politike që rezulton në pamundësi të zgjedhjes, është fatkeqësia e vërtetë! Në Europë, së paku, vrujon prore një opozitë reale (koalicionet e mëdha janë tepër të rralla) dhe e drejta e liria kanë zë. Ankohen e bërtasin në kupë të qiellit. Kurse në Kosëvë, çfarëdo konstelacioni t’kenë kooperativat politike, zëri dhe sytë e tyre – të së drejtës dhe lirisë, janë të ngjirur, dergjur e vërbuar krejt në rrapëllimën dhe shkëlqimin e hyqmetarëve të ndërkryer.
3.
Sërish pyetja e fillimshkrimit: a po vdes ideologjia, këtë herë e çlirësisë, në Kosovë?
Jo, gjithësesi jo! Është një retorikë sofiste, sepse ajo, thjeshtë, nuk mund të vdiste. Është parë ndonjëherë të rroposet diç pa u shfaqur, pa lindur akoma? Më parë se të jetëndërronte, si çdogjë tjetër e kësaj bote, ideologjia politike e lirisë në rrethnajën e begatë demokratike, duhej të lindte, që nuk ndodhi e s’po ndodh dot! Kosova ka përjetuar mbi fytyrën e saj të bukur vetëm këtë trini ideologjish: ideologjinë e pushtimit, atë të bashkëpunimit dhe ideologjinë e çlirimit. Ndërsa të parat janë të qarta si loti dhe nuk lënë hapsirë interpretimesh ekstensive-kjo e fundmja, për shpjegim, do të nënkuptojë se shqiptarët kultivuan ideologjinë e çlirimit, por jo të lirisë dhe të së drejtës në shtetin e vet kombëtar. Që këtej, ata do të dinin të nënshtroheshin heshtur, të kolaboronin zëshëm dhe, primun ideje të çlirimit, të kryngriteshin përgjakshëm. Por, tani, assesi të mësojnë ideologjinë e lirisë. Bashkëjetesën me hopet e pellgjet, truket e magjinë që ajo shkëndijon paprerë.
Por shteti dhe njerëzit nuk bëjnë dot pa ideologji, pa aromën a thonjtë e saj. Aherë, duhej zëvëndësuar ideologjinë e lirisë, që, e munguar siç është, nuk mund t’prodhonte substitutin e lig, “idilën” – këtë mosbesim apatik ndaj politikës dhe pushteteve përverse. Apatia “romancore” e Kosovës do t’ketë tjetër shtysë përlindëse. Ndërkohë që akoma hijesojnë errtë të moçmet, tani, mbi mbetjet e tyre, ka lëshuar shtat lulzueshëm, një rrfanë mondane: jo e panjohur në botë, por e njohur për krusmën e ligë mbi krahët e ngushtë të Kosovës. Është ideologjia e mafiokracisë me pajisjet e rënda: vjedhje, mort dhe vobektësim! Ky është “pushteti paralel i së keqes”, për të cilin alarmonte një studim i mëhershëm i Organizatës botërore (relator: Maria Costa), që hidhte tezën se kriminaliteti i organizuar kërcënon paqen globale e, gjithaq madje, sovranësinë e kombeve dhe vetë ( si p.sh. në viset veriore të Kosovës) gjithësinë toksore të shteteve të tyre. E pra, vetëjetesën e nacioneve në këtë motin e ri, nuk e gërryejnë “armiku i jashtëm”, “armiku i klasës” apo “armiku i opozitës”. Është korporata shumëkrerëshe e krimit që sfidon atë dhe, më keq akoma, paritë politike që bëhen karusel tragjik i saj.
Si të dërgohet kjo ideologji dhe eksponentët e saj atje ku kalben të gjitha?
“Nuk njoh të drejtën e revolucionit, por nuk më pengon të shfajsoj masat që shpërthejnë zemërimit”, thoshte Herman Hess.
Ah, sikur ta njihte ai njeriun shqiptar që shumë më lehtë e shtrinë dorën sesa e bën grusht atë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura