ADNAN ABRASHI: HASHIM – KUJDES ME KËTO BISEDIME ME SERBINË!

Prizren, 24. 03. 2013 – Marrëveshja me Serbinë, mbase, kismet, po na përfundon me 2 prill dhe ajo si zgjedhje na koka tërësisht në përputhshmëri me Pakon e Ahtisarit dhe Kushtetutën e Kosovës. Kështu së paku po na thotë Hashim Thaçi. Por, unë, fare nuk e kam të qartë se pse u desh të na bëhet aq presion i madh diplomatik ndërkombëtar, aq deklarime publike se ato do të jenë të vështira për të dyja palët dhe aq takime të gjata maratonike, për diçka që veç e kemi pasur të rregulluar si zgjidhe për serbët në dokumentet tona juridike shtet-formuese?
Ende pa përfunduar këto bisedime, dhe enda zyrtarisht pa u finalizuar dokumentet e kësaj marrëveshjeje, ajo çka tanimë sigurisht dihet, është se, në Kosovë, përveç asociacioneve të komunave të dominuar nga shqiptaret shumicë, diçka, sikur thuhet, do të kemi edhe asociacionin etnik të komunave me popullsi të dominuar serbe. Kjo e dyta, gjithsesi do të dalloj nga ajo e para, sepse do të ketë edhe një fond të veçantë të financimit të vetë. Po ashtu, serbët etnik në Kosovë, dikur të ndarë në ata: “përfund lumin Ibër” – që e kanë njohur Kosovën si shtet të tyre, dhe në ata “mbi lumin Ibër”- që kurrsesi nuk e kanë pranuar pavarësinë e shtetit tonë, tash e tutje, brendapërbrenda shtetit tonë unik, do të jenë së bashku në diçka si mëvetësi autonome, së cilës, ne më pas, mund t’ia vejmë emrin si të duam. Por, ajo kështu si zgjidhje që pritet të jetë, gjithsesi shtetin tonë do ta ndaj në dy etnitete të ndryshme të pastra etnike. Bile-bile, për këtë të dytën edhe me një fond të veçantë të financimit. Andaj, edhe pse kryeministri i ynë, z. Hashim Thaçi, sipas refrenit të tij tanimë përmendësh të mësuar deklarativ, rregullisht dhe kudo e përsërit si papagall atë konstatim bajate se: nuk do të ketë ndarje me Serbisë, nuk do të ketë Republika Serpska, nuk do të ketë autonomi Serbe për veriun… tashmë është e sigurt se, në brendinë tonë unike shtet/formuese, gjithsesi do të kemi diçka të veçantë dhe si të ndarë puro SERBE, alla: “Asociacioni i Komunave Serbe”

Nju Jork, 22.03.2013: Hashim Thaçi, Behgjet Pacolli, Ivica Daçiq…

Po ashtu, na thuhet se ky “Asociacion i Komunave Serbe” si bashkësi etnike një nacionale, formalisht nuk do të ketë funksion të pavarur legjislativ, e që, në shikim të parë, mund të jetë ashtu, por, kush do të na garantoj neve se kjo bashkësi e pastër etnike serbe, ashtu horizontalisht e lidhur ngushtë me 10 komuna të veta shumicë, dhe vertikalisht, me shtetin amë Serbinë, si dhe me eksterritorialitetin veç ekzistues të hapësirave të kishave dhe kulteve tjera të veta fetare edhe nëpër komuna me shumicë shqiptare, në të ardhmen, nuk do të jetë faktor destabilizues, ose pengesë e organizuar rezistuese politike, ndaj shumë çështjeve të interesit nacional të shumicës shqiptare?! 
Për ta gjetur një përgjigje meritore në këto dhe shumë pyetje tjera shqetësuese, mendoj se, me këtë rast vendimtar, do të ishte e udhës që urtësisht dhe me maturi ta kërkojmë një mendim si këshillë edhe nga mësuesja e jonë e jetës – HISTORIA.
Historia, e cila, fatkeqësisht, me sa duket, edhe këtë herë do të na përsëritet.
Kush është historikisht, në të vërtetë, Serbia?
Të gjithë ata që sado pak e njohin mentalitetin e popullit serb dhe historinë e saj shet/formuese, e dinë mirë se kush është në këtë shtet kreatore e vërtetë e strategjive afatgjate politike dhe “sfinga” e padukshme mbrojtëse në prapavijë të interesave nacionale serbe. Edhe pse, realisht, metodat e tyre të veprimit dhe mënyrat e kontrollit autoritar të politikave vepruese, mbahen në konspiracion, si institucione publike ato dihen kush janë: Akademia e Arteve dhe e Shkencave e Serbisë dhe Kishës Ortodokse Serbe (mëndja dhe shpirti i kombit serb).
Nëse dikush ende mendon se politika oficiale e cila aktualisht zhvillohet në Serbi është e pavarur, atëherë mashtrohet rëndë. Sepse, shikuar edhe historikisht, të gjitha kahet e gjertanishme të strategjive politik/birëse të këtij shteti, janë mbështetur dhe mbështeten në platformat programore të përcaktuar më parë nga ta. Disa prej këtyre programeve si dhe kokave kreatore të tyre, tanimë veç ju janë të njohur opinionit tonë akademik dhe publik shqiptar, por, mbase jo edhe të gjitha. Si duket ka ende sosh, dhe ato, sipas rrethanave dhe kërkesave hapësinore-kohore, veç janë në realizim e sipër. Me pretekstin legal patriotik, dhe në emër të ruajtjes me çdo kusht të interesit nacional serb, ky bashkëveprim i instaluar edhe si mentalitet mbarëkombëtar, gjithmonë ka funksionuar në mënyrë të përsosur si relacion i pashkëputshëm veprues: “Akademia-Kisha-Politika.”
Edhe pse, në dukje, realitetit i disponimit politik të masave popullore në Serbi, në mes të forcave nacionaliste dhe ekstra-nacionaliste serbe, nga njëra anë, dhe demokratëve pro -evropian, nga ana tjetër, konsiderohet i balancuar “fifti-fifti”, gjithsesi si neutrale ekziston një “tampon shtresë” e pa orientuar politikisht, e cila, varësisht prej nevojave strategjike të vlerësuara për veprim, lehtë mund të përdorohet në favor të njërës apo anës tjetër të politikbërjes në pushtet. Sido që të jetë, cila do prej këtyre forcave politike që do të vije në pushte, kurrë nuk e shkëput marrëdhënien me atë “trinit” të njohur të koordinimit bashkëveprues: “Akademi – Kishë- Politikë”. Mbase, në Serbinë demokratike je i lirë të bësh çdo gjë, gjersa nuk konstatohet se me atë veprim ke shkel interesin më parë të përcaktuar nacional serb.
Derisa, ta zëmë, te ne në Kosovë, pushteti ynë aktual, “forcat dhe lëvizjet nacionaliste shqiptare” i konsideron dhe i anatemon si armiq të përbetuar të demokracisë dhe pengesë kryesore të proceseve integruese euro – atlantike, përkundrazi, politika serbe kur vlerëson se si efekt është nevoja pragmatike t’i kundërvihet ndonjë presione ndërkombëtare, me urtësi i fton dhe i përdor ekstremist e vetë nacionalist .
Asgjë në politikën serbe nuk ndodh rastësisht dhe si eufori e momentit. Çdo gjë është e koordinuar mirë. Që më parë dihet: kur duhet të bëhen protesta masive, dhe sa ato për efekt duhet të jenë të dhunshme; kur duhet të jep dorëheqje një lider dhe cili tjetër duhet të vjen në pushtet….
Të gjitha subjektet politike në Serbi, pa marrë parasysh orientimet e tyre ideologjike programore partiake, posa të vijnë në pushtet, si patriot serb, me devotshmëri duhet ta zbatojnë atë politikë nacionale, e cila më parë është definuar dhe përcaktuar nga “mëndja dhe shpirti i kombit” si interes nacional serb.
Dhe…krejt në fund, një këshillë miqësore për kryeministrin tonë! Hashim, KUJDES, me këto bisedime me Serbinë, e posaçërisht, kur ata me vete në to, e marrin edhe ndonjë përkthyese të bukur….!?

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura