REXHEP KASUMAJ: ZHGUNI I BRAKTISUR I DON SHANIT (PRAGU I URREJTJES)

Berlin, 22. 08. 2014: Cili shqiptar i kulturuar nuk shqetësohet për zhvillimet e fundme në Kosovë? I natyrshëm, e, madje, krejtësisht qytetar do të duhej të ishte dhe shqetësimi i prijësit të Kryeipeshkvisë së Kosovës. Ai ka gjithë të drejtën e botës për këtë. Fjala duhet të përçojë dashuri në komunitet, thotë Shkrimi i shenjtë, por a ndoqi kësaj here fjala e Don Shan Zefit frymën e tij?
Në një kontribut jashtëkishtar ai (së paku prej tij e pashë) do të shpërndante këtyre ditëve, autorialisht e triumfshëm, një video me pretendimin të ketë zbuluar, si thuhet, “rrenat e Shefqet Krasniqit” për mostakim me një luftëtar a desperados kosovar në fushëvdekjet e Sirisë. Mbase gjahu i tij nuk ka shkuar huq. Fundja, kjo mbetet për tu parë. Po a duhej kaq ngulitshëm të impenjohej në vorbën që, siç ndahen punët rregullësisht në demokraci, është çështje e guvernës dhe shtetit laik? Mandej sërish: a duhej pikërisht ky nga pozita e një religjioni tjetër, tashmë të krishterë, të bëhej pjesë anëmbajtëse, e paftuar dhe, poaq, nguctare e përplasjes së elementëve të hazarduar islamë me Institucionin të Rendit që ndjek problemin sipas detyrimit kushtetues?
Kurrësesi! Etika vetore, laiciteti i Republikës së re dhe përgjegjshmëria për fatet kolektive në këta mote të mëdhenj, po kjenë të përvetësuara njerëzisht e kishërisht, do ta mbanin larg tyre. Por, jo! “Me gojë bekojnë, veç në zemrat e tyre ata mallkojnë” – lexoj tek Ps. 62,5 dhe i tillë, shtinjak, do më ngjante për një çast (dhashtë Zoti të hutuar e kalimtar), Doni i nderuar, që sikur kishte zënë një pusi të vjetër e të mezipritshme…

– Don Shan Zefi – 

Ndaj, nëse kleri mysliman, një fragment i tij, qortohet si promotor i radikalizmit të huaj dëmprurës – aherë a nuk fqinjëron hasmërisht ndërhyrja e afshtë dhe disi gëzimligë e Kryeipeshkvit, me një radikalizëm tjetër, të cilin historia e kujton, shpesh, barbar e të pashpirt? Madje me vetë pragshkeljen turbulluese të urrejtjes së hidhët konfesionale mes vëllezërish në Kosovë?
Manteli (ndoshta?) i shpërdorur e zijosh i Shefqetit, nuk e justifikon në asnjë masë e mënyrë, braktisjen e zhgunit a pelerinës së larme të Don Shanit!
E keqja kërkon truall, por atë nuk duhet t’ia japë askush!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura