AHMET ÇOLLAKU: BOTIME SHQIPTARE PËR NAFTËN

Tiranë, 1 dhjetor 2018: “Të mos lëmë asgjë për më vonë.. Òªdo ditë të mos i mbetet borxh të nesërmes”. Seneka, (4 – 65 të e.s.)
Të gjithë e dinë se botime për naftën tonë dhe naftëtarët tanë ka fare pak, një numër gati i papërfillshëm, shifër mikroskopike krahasuar kjo me sasinë e naftës së nxjerë, të numrit të punonjësve dhe ngjarjeve me fontana e kapje “sabotatorësh” në administratën moniste. E kemi fjalën për botime të mirëfillta shqiptare, libra pa koordinata pusesh, pa harta, jo kopjime arshiva-fonde, jo CV, libra me ndiesi të korelueshme nga të tre palët, autorë, personazhe dhe lexues. Jo dacibao.

Në vitin 1918 në Shqipëri u zbulua naftë. Na e ka bërë dhuratë Zoti! Por, që nga ky vit e këtej, nuk është botuar asgjë e plotë për historikun e detajuar të këtij zbulimi magjik. Janë botuar veçse kronika gazetash të huaja. Pra, asgjë, as në kohën moniste dhe as sot në kohën demokratike. Raftet e librave tona për naftën shqiptare, janë bosh. Asnjë nuk angazhohet të ulë kokën dhe të shkruaj për pasurinë tonë më të shënjtë, naftën. “E kemi të lehtë të shkruajmë, nëse kemi diçka për të thënë”, thotë fillozofi.
Së fundi, sa hiç fare do të thosha unë, le të botoheshin edhe ato biseda private nostalgjike dhe patologjike për naftën dhe naftëtarët që bëhen rëndomë kudo nëpër kafene me tym. Çensurë historisë së naftës shqiptare. Të mos ngelet asgjë e shkruar apo e gëdhendur. Ku janë çizmet e Ing. Toptanit, kapela e gjeolog Koço Plakut, blloku i kimistit Koço Pepa, lapsi i matricës Naun Prifti, prerjet litologjike të Profesor Luan Pezës… Çensurë tani edhe asaj që del nga nëntoka.

Kjo epidemi e rëndë kundër naftës ka mbuluar gjithë Shqipërinë virtuale, artet, vetë gjeologët, arkeologët, sociologët. Zinxhir… Por kjo nuk është rastësi. Këto qindra studio televizive private dhe shtetërore, me dekore partish dhe seks, çfarë nuk tjerrin me analistë që po shembin botën. Sado që janë shumë studio, asnjë nuk fletë për naftën dhe pasuritë tona natyrore, nuk reklamohet asnjë shkrim për naftën, nuk ftohet asnjë naftëtarë. Gazetat shqiptare ngarkohen plotë, por jo me kujtime, kronika pusesh a portrete naftëtarësh. Çdo pus nafte është një Trojë, një histori me miliona dollarë. Të dhëmbshurit naftëtarë, sa shumë para kanë pasur nëpër duar! Tani janë fukarenjë.
Qeveritë tona nuk stimulojnë asnjë llojë botimi për naftën sado që nafta jonë është armë dhe para në xhepat e politikanëve shqiptarë që u siguron atyre legjislatura të gjata, alternative. Kujtoni Rrugën e Kombit, 21 Janarin, Trebickën, Vetingun… E kam thënë dikur se në kutit e votimit është nafta… Nuk gjendet asnjë të shkruajë si lindi nafta jonë, apo për naftëtarët tanë, për këta heronjë të urtë, të gjallë dhe të vdekur. Nafta jonë ka shumë episode dhe heronjë!
Disa naftëtarë kanë ikur larg, këta këtu, nga cinizmi dhe mëritë personale, marrin inat dhe u ngjiten partive politike, flenë dhe shkërdhehen me mullixhinjë partiak. Askush nuk shkruan për naftën tonë. Nafta është autobiografi e Shqipërisë.
Është e domosdoshme të shkruen libra, si u zbulua nafta jonë në vitin 1918, si shpërtheu Fontana e Cakranit. Të shkruhet për vendburimin gjigant të Marinzëz, për martirët Koço Plaku dhe Milto Gjikopulli, për këta të thjesht që janë mes nesh, këta të urtët që ecin me shkop, nën ritmin qeveritar ”Satusi sot, Statusi nesër”.
Janë disa personalitete të cilët mbahen mend lehtë. Janë të djeshëm. Kollosi Anastas Kondo. Guximtar si asnjë tjetër. Ai shkroi për naftën tregime, reportazhe dhe romanin, “Zbulimi”. Shkrimet e tij të shkurta, reportazhet janë brilante. Tjetri, Ramadan Pasmaçiu, befasoi shokët dhe publikun, jo vetëm me poezit për fëmijë por edhe me prozën humoristike, nderuar disa herë me çmime kombëtare. Të mos lëmë në harresë kapacitetin teknik dhe artistik Arqile Teta, i cili u bë zyrtar për t’iu fshehur artit, po arti vazhdon ta ngacmojë edhe sot. Këta artistë qenë kaq afër me naftën, por ndërsa njëri iku shumë shpejtë, dy të tjerëve dikush u bëri magji, nuk u morën fare me naftën.
Është sensacion i madh të botohet një libër për naftën shqiptare. Lëshohet një satelit shqiptar, them me vete. Por, edhe nëse botohet ndonjë i tillë, të gjithë heshtin, sikur ky të jetë një libër me eksploziv.
Për naftën në kohën moniste u botuan vetëm dy libra: “Historiku i vajgurit në Shqipëri”, shkruar nga Ing. Zenel Hamiti në vitet ’60, dhe “Për naftën”, shkruar në vitin 1984 nga Enver Hoxha. Libri i parë me vetëm 164 faqe, ka një paraqitje të thjeshtë, por qëndron akoma në krye të librave për naftën shqiptare. Në këtë libër nafta shikohet si ardhje historike, si energji dhe lakmi prej të huajëve. Shumë komplote për ta bërë naftën për vete, jo shqiptare! Do ishte mirë që ky libër të ribotohej, se ështe vështirë ta gjesh në ndonjë raft. Është libri i vetëm, që citon shumë literaturë të huaj, dhe që duhet të ishte përkthyer dhe botuar me kohë në shqip.
Libri “Për naftën”, me 630 faqe, botuar në Tiranë në vitin 1984, vendoset në serinë e veprave të Enver Hoxhës. Ky libër është libër ideologjik, aspak teknik, kryesisht me intensitet partiak në naftë. Libri i mësipërm është ngjeshur me ideologji, diktaturë, egoizmë, libër që të trëmb si revolveri. Por ama ky libër ka diçka të veçantë, që nuk e gjen sot asgjëkundi në Shqipëri në asnjë lloj shkrimi për naftën. Enver Hoxha na thotë se me naftën garantohet lidhja politike dhe ekonomike, se nafta është pavarësi. Nafta është armë, që mbron një sistem. Kjo është formula e naftës sipas Enver Hoxhes. Këtu ai nuk ka gabuar.
Në kohën moniste nuk mund të shkruaje për naftën, për ngjarje apo për specialistë të veçantë, real. Në atë kohë botohej ndonjë gjë e lehtë, parfum monist, sepse çdo gjë censurohej. Nuk lejohej të citoje numrin e një pusi, apo sasi prodhimi…
Në botimet e tanishme, kohë demokratike, bien në sy librat e Prof. Dr. Ramadan Perhatit: “Një jetë për arin e zi”, botuar në vitin 2014, dhe “Unë (Ai) kamikazi dhe ministri”. Në librin e parë autori përmbledh shkrime teknike dhe publiçistike. Ky është libër shumë real, aplikativ, libër që nuk të lodh me fillozofi. Libri është shkruar me rënkim dhe dhembje nga një shenjëtor nafte, të cilin monizmi e denoi, e çoi në prodhim. Në librin tjetër më të vogël, autori tregon mbresa nga jeta e tij personale, vështirësitë dhe heroizmin në shuarjen e fontanave të gazit dhe naftës. Kemi nisur të harrojmë shumë gjëra, të harrojmë edhe rrugën që na çonte në shtëpinë ku u rritëm, kemi harruar fontanat, puset, njerëzit…
Një libër tjetër shumë investigues, i vetmi deri më sot për ngasjen e naftës Shqiptare, është libri “Nafta dhe politika”, shkruar nga Prof. Dr. Maksim Shuli. Libri është një pretencë ndaj atyre që kanë vjedhur dhe keqmenaxhuar naftën tonë, një dosje, akuze me shifra, emra, grafikë, dokumenta, një proçes i mirëfilltë gjyqësor, që demaskon këto qeveri të gabuara…
Libra për perspektivën e naftës shqiptare janë vetëm dy: Libri “Nafta në Albanide” i Prof. As. Dr. Vangjel Kici është një libër shkencor, një botim dinjitoz, të cilin mund ta studjosh vetëm nëse je i kualifikuar dhe i përkushtuar në zbulimin e naftës shqiptare. Autori është marrë gjithë jetën me studimin e stratigrafisë dhe mikropaleontologjisë së aplikuar. Në këtë libër trajtohet perspektiva shumë e madhe për naftë dhe gaz në Shqipërinë Lindore (Brezi Mirditë-Kosovë), dhe disa aspekte të gjeologjisë së Shqipërisë. Libri ka 230 faqe, është botuar në vitin 2013. Po a do të dalë ndonjë gjeolog, ti bëjë një reçencë këtij libri shumë aplikativ? Apo ndonjë biznesmen shqiptar ta sponsorizojë autorin, ta bëjë realitet një perspektive të tillë?
Libri i Prof. Dr. Telo Velaj: “Perspektiva e kërkimit të hidrokarbureve nën mbihypjet e Albanideve të jashtëm” është botuar në anglisht nga një shtëpi e huaj botimesh shkencore. Autori, siç thotë vetë, në këtë libër bënë një paraqitje të ideve të tij të reja mbi perspektivën e kërkimeve të naftës dhe të gazit nën mbihypjet e strukturave sipërfaqësore të Albanideve të jashtme, dhe vazhdimit të tyre në Hellenide (Greqi), Dinaride (Mali i Zi, Kroaci) dhe Apenine (Itali). Libri është botuar në Gjermani nga shtëpia botuese LAMBERT.
Pas viteve ’90 nuk munguan inisiativat për të shkruar monografi, biografi, apo kujtime. Këto janë pak dhe modeste. Këtu së pari do të permendnim librin: ”Kalvari i një intelektuali”, shkruar nga Dr. shkencave gjeologjike Petraq Xhacka. Ky është libër autobiografik, shkruar me ndiesi personale nga një gjeolog që ka shumë për të treguar, nostalgji për kohën e shkuar dhe duf për kohën moniste, sado që në këtë kohë u gradua dhe lakua nga liderët e shtetit. Shpërthim i një korçari të fisëm, që herë si drejtues naiv, e herë si fodull i zhdervjellët dhe i këndshëm ra në grackën e “sabotatorëve”. Libri na sjell në kujtesë ngjarje dhe skena rrënqethëse. Hyrjen, “Një jetë nën dritëhijen e naftës”, e ka shkruar shkrimtari Teodor Laço, një artist me ndiesi të holla. Ai e ka ndier shumë autorin, edhe përtej vellos së naftës kur shkruan për të, “…intelektual plot finesë, i mësuar në lindje, por me gen dhe psikologji perëndimore…”
Arqile Teta, një inelektual i mirëfilltë, me kulturë dhe kapacitet profesional, ekstrem i vetëpërmbajtur, ka botuar librin monografik, “Profesor Stanisllav Zuber, jeta dhe veprat”. Ky është një libër i konturuar dhe thurur këndshëm, me ndiesi dhe meditime, me të dhëna për jetën dhe aktivitetin e Profesor Zuberit, që punoi dhe la gjurmë në gjeologjinë Shqiptare. Prof. Zuberi punoi në Shqipëri, sikur të ishte në vëndin e vetë, në Poloni. Ky libër është shkruar për një gjeolog të madh. Është e nevojshme të dimë më tepër edhe për kohën kur ai u kryqëzua në qelitë komuniste.
Një libër të larmishëm për kolegun tonë Enriko Veizin, ka botuar tani Fadil Shehu. Libri mban titullin: “Shkencëtari dhe artisti Enriko Veizi”. Autori nëpërmjet shkrimeve dhe kujtimeve të familjarëve, shokëve dhe kolegëve, vizaton portretin e Enrikut, kolegut tonë, këtij kollosi që ju përkushtua punës si asnjë tjetër. Libri është interesant, sepse përmbledh kujtime reale, shumë nostalgji për ne që kemi qënë shumë afër me ‘të, jo në një klasë, por në një bango… Libri ka disa përseritje, por ato janë refrene dhëmbje, se autori ka tendencë të futet në brendësi nëpërmjet kolegëve dhe shokëve të tij.
Mjaft libra ka shkruar dhe botuar Ikona e gjeofizikës shqiptare, Prof. Alfred Frashëri. Aktiviteti i tij në botimet gjeologjike-gjeofizike është shumë i madh. Për gjithë trashëgimin e tij shkencorë, duhen bërë studime speciale dhe serioze, se ai na ka lënë shumë libra, studime aplikative, referate, kumtesa, ai e ka ekspozuar Shqipërinë në të katër anët e botës. Me këtë autor duhen të merren institucone shkencore shtetërore, se ky fond zë mijëra faqe, disa libra, kujtime, shumë formula. Dr. Prof. Alfred Frashëri ngelet një studjues individual, që nuk u thërmua, njeri me valenca aktive, se punoi shumë sa asnjë sistem nuk i bëri dot vaksinë. Këtij studjuesi të ndjeshëm, i takon një monografi e plotë dhe një statujë aty pranë Fakultetit Gjeologji-Miniera. Një autodidakt si asnjë tjetër që eci pranë nesh pa u ndier.
Botime ka bërë edhe Akademik Prof. Dr. Teki Biçoku, një personalitet i drejtimit të Shërbimit gjeologjik Shqiptar për një kohë të gjatë. Ai ju përkushtua shumë historikut dhe inventarizimit të gjithë kërkimeve gjeologjike të hersheme të autoreve të huaj dhe vendas. Librat e Akademik Teki Biçokut janë një regjistër i madh, të dhëna të nxjerra me mundim nga arshivat, fondet shqiptare dhe të huaja. Këto botime në shumë raste janë kopjime, me pak ndërhyrje… Kjo që na ka lënë Akademik Teki Biçoku, ky personalitet i urtë i gjeologjisë Shqiptare, ka një vlerë të madhe, se asgjë s’mund të studjohet pa filluar këtej.
Libri shkruar nga z. Agron Òªuadari, “Një jetë”, duhet të jetë libër autobiografik, shumë interesant. Dy kollosë të naftës shqiptare, Milto Bano dhe Vangjush Kokonozi, kanë botuar librin “Historiku i zhvillimit të naftës shqiptare në përgjithësi dhe i shkencës së saj në veçanti”. Këtu janë përfshirë materiale gjetur nëpër fonde-arshiva apo nga libra të botuar më parë. Portretet e ekspozuar në këtë libër, janë standarte, materiale zyrash kuadri. Pa dyshim që edhe këto na duhen për të parë istitucionet e naftës shqipare, punimet dhe studimet e shokëve dhe kolegëve tanë.
Dy libra për aktivitetin e specialistëve të naftës ka botuar Z. Daut Velaj. Kjo inisiativë është për t’u lavdëruar, pavarësisht se edhe këto portrete teknike, janë krysisht materiale fondore. Dy libra ka botuar edhe kolegu ynë Prof. Dr. Hazbi Sheku. Ky sepcialist i dëgjuar, i shkon tangent naftës, ai më shumë rreh tema sociale, ndërkohë që ne presim të shkruaj për naftën, për perspektivën dhe për ngjarje të mbushura me karaktere. Prof. Hazbiu ka shumë për të shkruar, sepse ai është shumë i ndjeshëm. Shkrimet e tij sociale-psikologjike janë rrahje zemre, por nuk vijnë erë nafte.
Libër për naftën ka shkruar edhe Ing. Vlash Fili me një eksperiencë të gjatë në botimin e librave.Viktima e monizmit, Nuredin Skrapari shkroi një libër biografik. Një përkthim ka botuar edhe gjeologu Fatri Kadilli. Shumë vite më parë, gazetari Napolon Roshi, ka botuar librin: “Nafta dhe grabitësit imperialistë”, ku derivon naftën si lakmi dhe pasuri kapitaliste. Theksojmë se përkthime të huaja për naftën, në gjuhën shqipe mungojnë. Është botuar libri, “Ana e fshehtë e naftës”, shkruar nga Eric Laurent dhe përkthyer nga Miço Gubera. Libri ka shumë të dhëna, karaktere, është shkruar me art, libër që lexohet me kënaqësi. Nafta këtu trajtohet herë si superfuqi, herë si biznes i fshehtë, e herë si perlë në duart e njezëve me të pasur dhe të fuqishëm të globit.
Për naftën tonë duhet të shkruajnë të gjithë naftëtarët që kanë ngjarje dhe episode për të treguar. Ka shumë naftëtarë që kanë aftësi për të shkruar si, Gjergji Foto, Genc Melonashi, Petrit Mavrovi, Vangjel Kici, Fatmir Shehu, Luçi Pleqi, Vullnet Xhango, Òªaush Xhufi, Vangjush Kokonozi, Spiro Bonjako, Palush Ziu, Daut Velaj, Dino Shehu dhe shumë të tjerë…
Unë pres shumë të shkruaj miku im i talentuar Genci Melonash që, po ta qëllosh në një faqe, të ofron edhe tjetrën, po ai mbush kronikat ditore të ”Armatës…” herë me “ha ha ha”, herë me anektoda, herë me citate, e herë gjoja me… replika. Unë pres shumë nga miku im Petrit Mavrovi që po thërmohet me përkthime artistike, ndërkohë që ka pranë mikroskopin dhe përtej dritares, shokët naftëtarë me shumë ngjarje… Duhet zemër e madhe të shkruash për naftëtarët, duhet dashamirësi, dëshirë, dhëmbje, kënaqësi, duhet të jesh fetar, arti është fe thotë Konica. Nuk është e thënë që ai që shkruan, të jetë i talentuar, mjafton të ketë një shtysë apo nxitje të mbrendshme, të ketë dëshirë të tregojë ndodhira me ndiesi personale që shkojnë me bindjet dhe moralin e tij. Sikurse arti, edhe proçesi i të shkruarit është personal. Kjo bënë që shkrimet personale të lexohen me kënaqësi. Ka shumë për të shkruar, për naftën shqiptare, për specialistët, jo broshura por libra që si gurë të rëndë ndërtojne mure, kështjella…
Është detyrim moral të shkruhet për Ing. Sherif Toptanin, Stanislav Zyberin, Luan Pezën, Koço Plakun, Milto Gjikpullin, Tomi Kriston, Kadri Ramën, Koço Pepën, Novruz Kodhelin, Petraq Xhaçkën, Fatmir Shehun, Vangjush Kokonozin, e shumë e shumë të tjerë, për konçesonet shqiptare. Nuk është shumë e vështirë, duhet pasion.
Të shkruhet për naftën dhe naftëtarët tanë! Kjo është luftë kundër atyre që duan të fshijnë gjithçka që ka të bëjë me naftën tonë, me Shqipërinë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura