RIKUJTESЁ – ATA JANЁ VETЁ LIRIA!

RIKUJTESЁ – ATA JANЁ VETЁ LIRIA!

Letër falënderuese nga Prof.dr.Nusret Pllana

Aty, ku fjala, kënga, vallja, lutjet, gëzimi e hidhërimi bëheshin vetëm shqip!

Në Lucern të Zvicrrës, në shenjë kujtimi të përjetshëm të 1432 fëmijëve shqiptarë të Kosovës, të vrarë nga Serbia gjakatare, u mbajt akademi shkencore dhe një nga promovimet më të organizuara ndonjëherë në Evropë!

E falënderoj nga zemra, Misionin katolik shqiptar, të udhëhequr nga Dr.Don Anton Uka,  dhe Shoqatën “Nëna Terezë” nga Luzerni, të udhëhequr nga z.Nue Zalli,  për organizimin e mrekullueshëm, njërin nga organizimet më të suksesshme në Evropë, për promovimin e veprave të mia publicistike e dokumentare, që përmes një akademie shkencore dhe hapjes së ekspozitës “RIKUJESË – Ata janë vet liria”, në shenjë të 26 vjetorit të çlirimit të Kosovës nga Serbia pushtuese, ua kushtuan  dhimbjes më të madhe dhe më të përgjakshme të fundshekullit XX-të, vrasjes dhe masakrimit të mbi 1432 fëmijëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror serb, në periudhën e viteve 1998/1999.

Me një organizim shembullor, ata,  ua kujtuan miqëve dhe armiqëve se, Kosova jonë dardane, ishte martirizuar me shekuj dhe, për të ardhë deri te liria dhe pavarësia e saj, e ka larë  çdo pëllëmbë të tokës së saj, me gjakun e djemëve dhe vajzave tona më të mira, me gjakun e nënave dhe baballarëve tanë, por edhe me gjakun e më shumë se 1432 fëmijëve të vrarë e të masakruar nga barbaria dhe mizoria serbe, vetëm e vetëm pse ishin shqiptarë, vetëm e vetëm pse ishin gjak Kastrioti, gjak Skenderbegian dhe Ademjasharian, vetëm e vetëm pse ishin racë e kundërt me ekzekutorin.

Falënderojmë nga zemra gjithë ato familje shqiptare që kishin ardhur edhe nga Gjermania, Belgjika, Franca e Italia, për ta nderuar gjakun e 1432 “engjëjve” tanë, e për të ndarë dhimbjet dhe emocionet me të gjithë të pranishmit në sallën e madhe dhe të bukur,  që e kishte rezervuar Misioni katolik shqiptar, në krye me të palodhshmin, patriotin dhe intelektualin Dr.Don Anton Uka, i përkrahur fuqishëm edhe me atdhetarin dhe humanistin e dëshmuar, z.Nue Zalli.

Me prezencën e tyre na nderuan edhe: Ambasadori  i Republikës së Kosovës në Zvicërr, Z. Mentor Latifi, Konsull i Ambasadës së Republikës së Kosovës, Z. Vigan Berisha, ish Konsulli i Republikës së Kosovës, Dr.Salih Sefa, Deputeti i Parlamentit të Republikës së Kosovës, Z. Hysen Sali Çekaj me bashkëshorten Valentina Çekaj, bashkëluftëtari im Bashkim Hoti, veprimtarët Fatmir Gashi e Rexhep Neziri, Xun Çetta, Kristi Uka, Pal Deda, e shumë e shumë të tjerë.

Emocion të veçantë gjithë të pranishmëve në sallë, i dha prezenca e të mbijetuarës së gjenocidit serbë në Kosovë në vitin 1999, znj.Liridona Nuraj Kameri, e cila atë botë ishte vetëm 9 muajshe, kur plagoset rëndë bashkë me motrën e vet Saberneten dhjetë vjeçe, e ju vritet vëllai Mërgimi, vetëm 4 vjeçar, me ç’rast, rrëfimi prekës i saj, i bëri me lot të gjithë të pranishmit në sallë

Liridona, tashmë kishte 6 muaj që ishte bërë Nënë, andaj prezenca e saj dhe e burrit të saj Besmirit, me voglushin e tyre Siarin, bëri që, i tërë publiku të ngritet në këmbë dhe t’i nderojnë me duartrokitje frenetike.

Një falënderim shumë të  veçantë ia dedikoj mikut tim, z.Marjan Nue, i cili ishte ndër të parët, duke treguar  një interesim jashtëzakonisht të madh,  që kjo ngjarje kulturore, shkencore dhe edukative të jetë kaq e suksesshme,  siç edhe miku im, z.Zef Marku dhe z.Ukë Nrejaj, për kontributin e tyre të pakursyer në sensibilizimin e opinionit artdashës, jo vetëm në Zvicërr, por edhe më gjerë.

 Ata që i dhanë ,shije’ tejet profesionale këtij manifestimi promovues, ishin artistët e vërtetë, Afërdita dhe Shpejtim Krasniqi, për këngët dhe moderimin e mbrëmjes, pastaj djemtë dhe vajzat e Ansamblit “Shqiponja”, Kastriot dhe Vera Frrokaj, fëmijët e Misionit, fëmijët e Ansamblit “Arbëresha” të Sirnachit, Bordi udhëheqës i  Shoqatës “Nënë Tereza”, e shumë aktivistë dhe veprimtarë e veprimtare gjithandej Zvicrrës dhe shteteve tjera evropiane, që ndihmuan në realizimin kaq të suksesshëm, e kaq madhështor të këtij manifestimi promovues.

Misioni Katolik Shqiptar – Luzern 

“Rikujtesë – ata janë vetë liria”

Mbrëmjen e djeshme, më 29 qershor 2025, në Luzern, në sallën e kishës të mbushur plot me pjesëmarrës nga bota kulturore, politike dhe akademike, përkujtuam historinë më të dhimbshme të popullit shqiptar në Kosovë, masakrën e 1432 fëmijëve të vrarë nga gjenocidi serb gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Fillimisht i zoti i shtëpisë, Dr. Don Anton Uka, përshëndeti të gjithë të pranishmit me këto fjalë:

“Përshëndetje dhe mirëmbrëma të gjithëve

I nderuari Ambasador i Republikës së Kosovës, Z. Mentor Latifi

I nderuari Konsull i Ambasadës së Republikës së Kosovës, Z. Vigan Berisha

I nderuari Deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës, Z. Hysen Sali Çekaj, e nderuara Znj. Valentina Çekaj

I nderuari dhe shumë i respektuar Prof. Dr. Nusret Pllana, e nderuara Znj. Pllana

Të nderuar Konsuj, Kryetarë dhe Përfaqësues të Partive Politike dhe Institucioneve Kulturore në Zvicër, Profesorë, Publicistë, Artistë, Gazetarë shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Të dashur fëmijë që keni zbukuruar festën dhe ambientin tonë me praninë dhe veshjen tonë të bukur kombëtare. Të dashur Pjesëmarrës, në emër të Misionit Katolik Shqiptar në Lucern dhe në emër të Shoqatës Humanitare “Nënë Tereza” në Zvicër, Ju përshëndes përzemërsisht: Mirë se ju ka pru Zoti me idealet tona të përbashkëta kombëtare.

Arsyeja e bashkimit tonë këtu është të kujtojmë dhe nderojmë vuajtjet, sakrificën dhe vdekjen e mbi 1432 fëmijëve të pafajshëm shqiptarë, të vrarë dhe të masakruar nga urrejtja dhe barbaria serbe në Kosovë. Pa përmendur ata që u vranë dhe u viktimizuan në barkun e nënave të tyre. Profesori ynë i nderuar, z. Nusret Pllana, nëpërmjet studimeve, kërkimeve, shkrimeve, botimeve dhe promovimit të këtyre ngjarjeve, është bërë një misionar i vërtetë i cili, me dashuri, kulturë, profesionalizëm dhe dinjitet të madh, vazhdon ta shndërrojë britmën e tyre të heshtur në një zë të fuqishëm përballë faktorëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Ky aktivist i bindur i çështjes kombëtare në luftë e tani edhe në liri, nëpërmjet punës së tij të palodhur, vazhdon të na tregojë se kjo britmë e të pafajshmëve sfidon vdekjen, indiferencën dhe harresën, duke i bërë një apel ndërgjegjes njerëzore: këta fëmijë ende jetojnë si simbol i rezistencës dhe dëshirës për liri, këta fëmijë janë shenjtërimi i lirisë dhe demokracisë sonë. Prandaj, detyrimi ynë sot për të mos harruar dhe për të mos lejuar që të tjetërsohemi nga ata që historikisht kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë kundër vlerave, kulturës, traditës dhe historisë së vërtetë të popullit tonë, mbetet një detyrë e shenjtë dhe një obligim moral që kemi ndaj atdheut tonë dhe gjakut të atyre që u sakrifikuan për të.

Gjenocidi serb kundër fëmijëve përmban brenda tij një politikë djallëzore që shkon përtej asaj që shihet dhe dëgjohet në të vërtetë, duke vepruar kështu ata donin t’ia mohonin të ardhmen një populli me rrënjë të thella dhe kulturë të lashtë perëndimore.

Duke parë biografinë dhe krijimtarinë shumë të pasur të Prof. Pllanës, vura re se fjala ose termi liri është ndër më të përdorurit në korpusin e tij letrar dhe artistik. Kosova e lirë; Rruga e Kosovës së Lirë; Gjaku i Dëshmorëve i ka hije Lirisë; Rruga e Gjatë e Lirisë; Udhërrëfyes i Lirisë; Në shërbim të Lirisë; Vetëm në Liri; Liria e Atdheut; Falja Jetën Lirisë etj., këto janë vetëm disa nga shumë tituj dhe argumente që përqendrohen te liria si një koncept filozofik, psikologjik, historik dhe, në shumë aspekte, do të thoja edhe biblik, pasi rruga drejt lirisë është përvoja më e dhimbshme dhe e lavdishme që karakterizon historinë e popullit hebre, ndërsa mbi dimensionin shpirtëror dhe psikologjik të lirisë Jezusi tha: “E vërteta do t’ju bëjë të lirë” (Gjn 8, 32).

Ky theksim i veçantë dhe i rëndësishëm i Profesorit tonë mbi vlerën dhe rëndësinë e lirisë na bënë të kuptojmë arsyet e guximit të tij dhe deklaratave të tij të drejtuara kundër të gjitha atyre formave, njerëzve dhe institucioneve që synojnë dhe veprojnë për ta mbajtur Dardaninë tonë të shenjtë të robëruar dhe larg qytetërimit perëndimor. Ngriteni zërin edhe më fort, Profesor i dashur, sepse të gjithë shqiptarët e vërtetë i bashkohen thirrjes për një Kosovë të lirë dhe përfundimisht të çliruar nga ideologjitë serbo-sllave dhe neo-osmane.

Në librin “A vriten Engjëjt” të autores Hanëmshahe Ilazi, redaktor i të cilit jeni ju, paraqitet historia e krimit dhe masakrës mbi të Pafajshmit e Kosovës. Titulli i kësaj vepre më bëri përshtypje sepse engjëjt nuk mund të vriten, ata jetojnë në qiell, ndërmjetësojnë dhe janë vazhdimisht në shërbim të së mirës dhe drejtësisë. Tani ata janë më të fuqishëm se kurrë për të ndihmuar dhe bekuar popullin e tyre. Prandaj, profesor i dashur, mos u dekurajoni në misionin tuaj fisnik, jini të sigurt se angazhimi dhe përkushtimi juaj do të ndihmohen dhe bekohen nga qeta e gjatë e Engjëjve dhe Shenjtërve të popullit tonë.

Të dashur të pranishëm, sonte jemi mbledhur këtu në Luzern për të përkujtuar dhe për të përkthyer në gjuhën dhe realitetin tonë vajtimin e famshëm të kalvarit të gjatë biblik për masakrën e fëmijëve të pafajshëm: “U dëgjua një klithmë në Dardani, vajë e gjamë e madhe. Vajton Kosova fëmijët e vet e nuk do të pajtohet sepse nuk i ka më” (krh. Mt 2, 16-18).

Ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen tuaj të denjë dhe shpresoj ta shijoni këtë mbrëmje të veçantë kujtimi, shprese dhe dashurie për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen tonë.

Zoti ju bekoftë të gjithëve!”

Pjesëmarrja masive e të pranishmëve nga qytete të shumta të Zvicrës, Kosovës dhe Gjermanisë, programi i mrekullueshëm kulturor dhe artistik, fjalimet mbresëlënëse, ekspozita me fotografi të fëmijëve që vuajtën dhe u gjakosën gjatë luftës, aperitivi me pije dhe ushqim të shijshëm, e bënë këtë festë jashtëzakonisht të bukur dhe të paharrueshme për të gjithë pjesëmarrësit.

Për këtë ngjarje të bukur dhe domethënëse, falënderojmë të gjithë ata që na ndihmuan, veçanërisht Afërdita dhe Shpëjtim Krasniqin për këngët dhe moderimin e mbrëmjes, djemtë dhe vajzat e Ansamblit Shqiponja, Kastriot dhe Vera Frrokaj, fëmijët e Misionit, fëmijët e Ansamblit Arbëresha të Sirnachit, Këshilltarët, Bordin e Shoqatës Nënë Tereza dhe të gjithë të tjerët që në mënyra të ndryshme na ndihmuan në organizimin dhe realizimin e kësaj mbrëmjeje kulturore vërtet të veçantë.

Shoqata “Nëna Terezë”, Zvicërr 

Në një atmosferë të mbushur me ndjenja të thella dhe respekt të veçantë, më 29 korrik u mbajt Akademia përkujtimore dhe Ekspozita Dokumentare “Rikujtesë – Ata ishin vetë Liria”, dedikuar fëmijëve të pafajshëm të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Ngjarja u organizua me përkushtim nga Shoqata Bamirëse “Nënë Tereza” në Zvicër dhe Misioni Katolik Shqiptar – Luzern, duke krijuar një hapësirë reflektimi dhe kujtese kolektive.

I ftuar i veçantë ishte Prof. Nusret Pllana, zëri i pashuar i kujtesës sonë historike, i cili me përkushtim e guxim ka dokumentuar dëshmitë rrëqethëse të gjenocidit mbi popullin shqiptar. Fjalët dhe rrëfimet e tij na rikujtuan plagët ende të hapura të një historie që nuk guxojmë ta harrojmë.

Manifestimi u nderua me praninë e figurave të rëndësishme institucionale dhe diplomatike:

– SH.T. Ambasadori Mentor Latifi

– Konsulli z. Vigan Berisha

– Deputeti z. Hysen Çekaj, djali i heroit të kombit, Sali Çekaj.

Mirënjohje e thellë për artistët, fëmijët, vullnetarët, organizatorët dhe të gjithë ata që kontribuan me zemër e përkushtim në këtë mbrëmje të paharruar, që bashkoi kujtesën me dinjitetin.

Kujtojmë që të mos harrojmë. Nderojmë që të mos lejojmë të përsëritet.

***

Bora Balaj, New York

Engjëj që nuk u rritën kurrë!

Për 1432 fëmijët tanë – dritë e përjetshme e lirisë

*

 Ju s’kishit as faj, as armë,

 kishit lodra të fshehura nën jastëk,

 ëndrra të pafajshme në duar të vogla,

 e një botë që mezi kishit nisur ta njihnit.

*

 Ju s’kishit kohë të thonit “nënë”,

 as të qanit nga frika,

 sepse plumbi s’pyet për emër,

 dhe asnjë gjak nuk është më i heshtur se ai i një fëmije që pushon përgjithmonë.

*

 Ju morën nga barku i shtëpisë,

nga mesi i ëndrrave të papërfunduara,

 si të mos ishit kurrë,

 si të mos kishit frymuar asnjëherë.

*

 Por ju jeni – dhe do të mbeteni – fytyra më e pastër e lirisë sonë,

 ulërima më e thellë e historisë,

 qarja që s’pushon kurrë në ndërgjegjen tonë.

*

 Ju nuk jeni statistika.

 Jeni dhimbja që na ngrin gjakun.

 Jeni shpirtra të vegjël,

 që i folët botës me gjak e me heshtje.

*

Një ditë, drejtësia do të trokasë,

 por deri atëherë, ne do t’ju mbajmë në zemra,

 si një plagë që nuk mbyllet, si një dritë që nuk shuhet.

 Lavdi ju qoftë, engjëj që nuk u rritët kurrë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura