ROLAND SYLEJMANI: KRYEMINSTËR! PRONTO!

Prishtinë, 27. 04. 2014 – Unë ju njoh shumë mirë. Qysh i vogël më kanë folur për ju. Ju shihja në televizor, ndërsa të gjithë mbërtheheshin pas ekranit kur nisnin lajmet, por mua nuk me pëlqenin ato, më shpifnin. Unë më shumë doja të shikoja filma të vizatuar, sepse aty gjeja njerëz të fortë, që luftonin për ideale, për të mirën e përgjithshme.
Por u bëra dhe një prej fëmijëve të rrallë që ndiqte lajmet, duke mos lënë të më ikte asgjë. Frymëzimi për t’i parë lajmet ishit ju, si udhëheqës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Unë atëherë isha vetëm 6 vjeç. Nuk kuptoja shumë nga ajo që po ndodhte në Kosovën e vitit 1999. Por me ato pak shpjegime që kisha, për mua ishit kthyer në personazhin më të dashur.
Tash, 15 vjet më vonë, unë vazhdoj të të ndjekë, duke parë telenovelën në të cilën ju mbeteni ende protagonisti. Por tani, i transformuar, më jepni pamjen e atij personazhi kundër të cilit dikur luftonte populli ynë. Më ngjani me kundërshtarin e pamëshirshëm që na kishte mohuar lirinë dhe sillej sikur gjithçka përreth të ishte vetëm e tija. Ky ndryshim më zhgënjen. Të bëmat tuaja në vitet e paqes më bëjnë të mendojë se e gjithë përpjekja juaj disamuajshe në luftë ishte thjesht një gënjeshtër.

Roland Sylejmani: “kryeministër, më jepni pamjen e atij personazhi kundër

të cilit dikur luftonte populli ynë”!

* * * 

Në janar të këtij viti, studentët protestuan për të drejtën e tyre për arsim më cilësor. Ju na shpërfillët, na shqelmuat, na helmuat me gazlotsjellës dhe na treguat “heroizmin” dhe fuqinë tuaj ndërmjet dajakut dhe prangave. Ne protestonim paqësisht, policia na arrestonte; ndërsa djemtë e një mikut tuaj rrahën një polic, ky nuk guxoi të japë as deklaratë për krimin që e përjetoi.
Tani i kamufluar në qytetarin e Kosovës, keni filluar të braktisni xhipin dhe xhamat e zi. Keni përvjelë duart për të shfaqur imazhin e një lideri shembullor, që tashmë u kujtua të vijë edhe pranë studentëve për t’i parë hallet e tyre. Ju ulët çmimin e semestrit si dhe pagesën për mensë, në një kohë që “rastisi” fare pak para zgjedhjeve.
Në qoftë kjo përpjekja juaj për ta fituar votën tonë, ta dini se ne nuk jemi në shitje e as nuk mund të mbështesim qeverisjen tuaj. Studentët e sapo diplomuar rropaten për të gjetur një punë, ndërkohë që ju rehatoni miqtë dhe familjarët e tyre. Nuk mashtrohemi kaq lehtë.
Isha në mëdyshje ta nisë letrën me “I nderuar z. Kryeministër”. Mirëpo nuk e bëra. Ka kohë që nuk jeni më i nderuar, dhe si përfundim vendosa ta nisë letrën time me kryeministër (me shkronjë te vogël).
Për fund, kam vetëm një urim: Uroj që telenovela për Kosovën të mos jetë nga ato turke, të cilave përfundimi u dihet.
Pronto!

—————————————————————-

Dëgjoni bisedën e Pronto mafisë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura