ROLI I FEMRËS NË ISLAM

Londër, 5 dhjetor 2018: Më 30 nëntor 2018, shoqata Balkan Muslim Society “Drita” (BMS) organizoi një takim për femra, me pjesëmarrjen e lektoreve Sumeja Idrizi dhe Jeni Myftari. Takimi u ndoq nga një numër aq i madh audience sa që sistemimi i pjesëmarrëseve në sallë u bë shqetësim për organizatorët.
Sumeja Idrizi, e ftuar nga Tetova, mbajti kumtesën me titull: “Roli i femrës në Islam”.
Ndërmjet të tjerave, Idrizi tha se njeriu si mashkulli ashtu edhe femra, u krijuan të lirë dhe duhet të jetojnë të lirë, me respekt të vazhdueshëm e të ndërsjellë në mes tyre. Allahu i krijoi njerëzit që të njihen e të respektohen në mes tyre.
Allahu xh.sh. thotë;”O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam prej një mashkulli e një femre, ju bëmë popuj e fise, që të njiheni ndërmjet jush, e ska dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që është ruajtur më tepër (nga të këqijat), e Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë”. (El-Huxhurat, 13).
Më pas Idrizi foli për të drejtat e femrës në Islam, për rolin e saj si nënë, si bashkëshorte dhe si monitore e shoqërisë.

“Femra – tha Sumeja Idrizi – sipas normave Islame ka të drejtë për liri të plotë të shprehjes së mendimit të vet. Po ashtu, është shumë me rëndësi të potencohet se rregullat juridike islame i dhanë gruas të drejtën e trashigimisë, gjë që më parë nuk e kishte.
Allahu xh.sh. thotë: “Meshkujve ju takon pjesë nga pasuria që e lënë prindërit e të afërmit (pas vdekjes), edhe femrave ju takon pjesë nga ajo që lënë prindërit e të afërmit, le të jetë pak ose shumë ajo që lënë, ju takon pjesë e caktuar (nga Zoti)”. (En-Nisa, 7).
Islami obligon për dashuri e respekt ndaj gruas, e jo dhunë, urrejtje, sharje, çfarëdolloj qofshin ato. I Madhi Zot në Kuran para 14 shekujsh, në shenjë respekti, nderimi e dashurie në mes gruas e burrit thotë:” Dhe nga faktet e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vet lloji juaj palën (gratë), që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argument për njerëzit që mëndojnë”. (Er-Rum, 21).
Edhe Muhamedi a.s. në një hadith thotë: ”Më i miri është ai që sillet më së miri ndaj grave, ato janë nënat e fëmijëve tanë”.
Nga porositë e Allahut në Kur’an dhe nga hadithet e Profetit Muhammed (s.a.a.s) bëhet e qartë se gruaja dhe burri gëzojnë të drejta të barabarta dhe gratë bartin një pjesë të përgjegjësisë të familjes.
Fjala e saj duhet të dëgjohet dhe ajo duhet të ketë vlerën e vet në familje dhe shoqëri. Islami këtë të drejtë ia ka siguruar gruas 14 shekuj më parë. Islami e ka shpëtuar gruan nga më e keqja, poshtërimi dhe nga nënshtrimi i burrave dhe e ka ngritur në piedestalin më të lartë të ndershmërisë dhe respektit.
Ju këshilloj ti merrni parasysh të drejtat e grave dhe për këtë të keni frikë Allahun. Ju i morët gratë si amanet nga Zoti; duke dhënë fjalën në emër të Allahut xh.sh., ju u bekuat me nderin dhe virtytin e tyre. Femra është baza e shoqërisë, -vazhdoi Idrizi. Nëse kemi një femër të edukuar kemi një shoqëri të civilizuar”.
Kumtesa u ndoq nga pytje-përgjigje të shumta.
Më pas fjalën e mori Jeni Myftari e cila ndryshe nga Idrizi foli për vlerën e Islamit në shtimin e atdhedashurisë dhe për rëndësinë e ruajtjes së kulturës shqiptare dhe gjuhës shqipe.
“Islami – tha ajo duke cituar një thënie të historianit dhe studiuesit britanik Noel Malcolm – është faktori kryesor i ruajtjes së identitetit shqiptar. Po të mos ishte islami shqiptarët do të ishin asimiluar nga fqinjët dhe sot nuk do të kishte më element shqiptarë në rajon”.
Fjala u ndoq nga pyetje të shumta rreth historisë së shqiptarëve dhe historisë së formimit të shtetit shqiptar.
Një pyetje e përsëritur edhe më parë dhe e ndeshur shpesh në qarqet mediatike ishte nëse duhet të përdorim në gjuhën shqipe fjalën “Allah” apo fjalën “Zot”?
Në përgjigje Myftari tha se fjala “Zot” e shqipes nuk është ekuivalent i fjalës “Allah” e përdorur në arabisht.
“Fjala “Zot”- tha ajo- në arabisht përkthehet “Rabbun”. Përdorimin e kësaj fjale e gjejmë gjerësisht në shprehje të tilla si: “Zoti i Qiellit dhe i Tokës”, “i zoti i tokës, shtëpisë, dyqanit etj.” Ndërsa fjala “Allah” është emër i përvetshëm dhe si të gjithë emrat e tjerë të përvetshëm lexohet dhe shkruhet ashtu siç është në origjinal. Veç kësaj “Allah” është emër nga emrat e Zotit (po them Zotit sepse nuk kemi një fjalë tjetër për këtë), një emër që nuk përkthehet në asnjë gjuhë të botës, por lexohet dhe shkruhet i njejtë. Prandaj si në anën gjuhësore ashtu dhe atë gramatikore emri “Allah” përdoret në shqip ashtu siç është në gjuhën arabe – përfundoi Myftari.
Në fund të aktivitetit pjesëmarëset u shprehën se nevoja për mbledhime të tilla edukative është e madhe dhe këto duhet të përsëriten më shpesh. /Përgatiti M.M

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura