RRËFIM LUFTE NGA ISH’ZV.KOMANDANTI I ‘ZO’ TË KARADAKUT, SHEMSI SYLA

Pashtriku.org, 8 nëntor 2017: Hyrja e tij në UÇK nuk ishte e rastësishme pasiqë ai ishte i vetëdijshëm se po kryente një shërbim ndaj atdheut dhe lirisë së tij. Shemsi Syla tregon se sa e vështirë ishte të linte ditarin dhe nxënësit për t`iu bashkuar UÇK-së, sepse atyre nuk mund t`ua rrëfente të vërtetën. Siç beson edhe sot, ai kishte besuar që atëherë se të luftonte për lirinë e atdheut ishte nderi më i madh. Ai rrëfen momente drithëruese që ka përjetuar gjatë luftës, por që tregon se po të përsëritej diçka e tillë nuk do hamendej për asnjë moment të vetëm për t`iu futur luftës, dhe se obligimin ndaj atdheut do ta përmbushë, vetëm kur vdekja ta marrë.
“Hyrja ose angazhimi i im në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ishte vetëm një vazhdim i punës dhe luftës qe kisha filluar qysh i ri. Nga mosha njëzet vjeçare, si student, atëherë kur po lulëzonte pranvera e madhe e tetëdhjetë e njëshit, kisha bërë hapat e parë sprovues në organizim dhe veprim kundër ish-Jugosllavisë, robëruesit tonë për vite e dekada”, kështu fillon rrëfimin e tij të luftës, ish zëvendëskomandanti i Zonës Operative të Karadakut, Shemsi Syla.
Ai vazhdon rrëfimin duke treguar se si u fut në UÇK, dhe se a iu desh kohë të matej se a të futej në luftën për çlirimin e atdheut apo jo.
“Më pastaj pasuan burgosjet e perndjekjet e pandërprera nga ai regjim, i cili si qëllim kishte shkatërrimin e shpirtit çlirimtar e të qenies shqiptare. Dhe, nuk ia doli, erdhi edhe momenti fort i pritur, organizimi i luftës që ishte mjeti i fundit pa të cilin nuk çlirohej vendi. Dhe kur erdhi ky moment, nuk kishte nevojë të matesha të hyj apo jo, sepse isha edhe unë ai kontribues i punës dhe luftës së pandërprerë, me vite të tëra, për të hyrë edhe në krijimin e mekanizmit luftarak. Siç besoj edhe sot, kam besuar edhe atëherë se të luftoja për lirinë e atdheut tim ishte nderi më i madh. Po, fundi i fundit të luftosh për atdhe ishte dhe do të mbetet përherë edhe obligim qytetar dhe njerëzor. Prandaj, hyrja ime në UÇK, nuk ishte e rastësishme, pasiqë isha i vetëdijshëm se po kryeja një shërbim ndaj atdheut dhe lirisë së tij”, rrëfen ai për momentet e para të hyrjes në UÇK.
Momentin e daljes,Syla nuk e pati të lehtë, sepse atë ditë po e linte mësimin dhe ditarin e nxënësve. Përshëndetej me nxënësit, të cilëve nuk mundej t’ua rrëfente të vërtetën, shumë gjatë e kanë pritur mësuesin, pa e ditur ku është. “Gjithnjë më ka munduar ky fakt. Prehje gjeja vetëm kur lexoja poezitë dhe tregimet e nxënësve qe i kisha marrë me vete dhe i ruaja kudo që isha, edhe në vija luftimi, nga brendia e atyre vargjeve nxirrja frymëzimin dhe merrja forcën duke u betuar se: për ju ia vlen të vdiset, ju duhet të jeni të lirë”, shprehet Syla.

Shemsi Syla student.

Ai tregon se fillet e angazhimit të tij në UÇK kanë qenë organizimi i celulave të para në Zonën e Karadakut dhe krijimi i struktuarave të larta të Shtabit, në një teritor bukur të gjerë, me katër komuna, Gjilan, Dardanë, Viti dhe Artanë. Me krijimin e Shtabit të Zonës,tregon se është emëruar zëvëndës Komandant Zone. Në këtë përgjegjësi ai edhe ka përfunduar luftën duke qëndruar në këtë pozitë deri në transformimin e UÇK-së në Trupa të Mbrojtjes të Kosovës.
Syla rrëfen se lufta ka momente të rënda dhe të dhimbshme. Po të kujtohen dhe rikujtohen të gjitha do të duhej shumë kohë për t’i pasqyruar ato. Ai thotë se vështërsi kishin shumë, por ato kaloheshin me moralin e lartë të luftëtarit të lirisë. Kësaj here ai rikujton mungesat e mëdha në armatim dhe përpjekjet mbinjerzore të ushtarëve për t’i siguruar ato. Për të siguruar armatimin, nga zona e tyre duhej të udhëtonim për në Shqipëri, duke kaluar qindra kilometra, duke i rënë anë e kënd Kosovës, për të arritur në Shqipëri, gjithnjë duke i shtuar edhe rrezikun e kalimit të kufirit, që shpesh ishte bërë edhe varr për shumë shokë të tyre.
“Me kujtohet një moment edhe i dhimbshëm edhe i rëndë, por edhe motivues dhe shumë interesant. Në janarin e nëntëdhjetë e nëntës po prisja ushtarët që po ktheheshin nga bartja e armatimit nga Shqipëria, kishte katërmbëdhjetë ditë që udhëtonin. Shtatë andej e shtatë ditë i bënin këndej. Ishte mot shumë i ashpër, borë e acar… Të gjithë u kthyen, shëndosh e mirë, ishte gëzim i papërshkrueshëm për të gjithë ne, përkundër vuajtjeve të papërshkruara. Jo me pak se njëzet, tridhjetë e më shumë kilogram kishin mbajtur mbi supe për t’ua sjellur shokëve armët e lirisë. Të gjithë kishin rrëfimet sa rrënqethëse aq edhe interesante të përshkruara edhe me humor e frymë optimiste, përkundër faktit sa ishin të lodhur, të rraskapitur e te dërmuar, të pa gjumë, sa kishin humbur shumë në peshë. Pas pushimit njëditor, kur po bënim përgatitjet për të dërguar njësinë tjetër për armatim, më është drejtuar, njëri nga ushtarët më të rinj, ishte trupgjate jo më pak se dy metra. Sapo ishte kthyer, ashtu edhe pse i lodhur më është drejtuar: komandant, unë dua të shkoj përsëri për të marrë armë, unë jam mirë….Të gjithë janë kthyer nga ai të habitur. Ushtari në fjalë i kishte që të dy krahërorët e lëndur nga pesha e rëndë e armëve dhe së paku një muaj, sipas mendimit të mjekut, duhej shëruar plagët e shkaktuara nga rripat e armëve që iu kishin ngulur në mishin e njomë të tetëmbëdhjetë vjeçarit”, rrëfen Syla momentin emocionues të të riut që edhe pse i lënduar ka kërkuar sërish të sjellë armë. Kjo tregon se sa e pastër ka qenë lufta e UÇK-së.
Kanë kaluar vite e vite dhe në kujtesën e Sylës kanë mbetur të palshyera momentet në të cilat i paraqiten heroizmi dhe gatishmëria për sakrificë e ushtarëve të lirisë. Syla thotë se ata ishin të pamposhtur edhe me plagë në trup. Ai rrëfen se përjetimet e rënda dhe të dhimbshme nuk ishte lehtë të kaloheshin. Rënjët e shokëve ushtarë, gjatë luftimeve, ishin kulmi i dhimbjeve. Akte të tilla të rënda ai tregon se janë të shumta në numër. Ai përmend një nga ato që janë dhe do të mbeten të paharruara në jetën e tij.
“Ishte prilli i vitit 1999 në Malësinë e Zhegovcit po zhvilloheshin luftime të ashpra mes UÇK-së dhe forcave serbe. E gjithë Malësia ishte shndrruar në arenë lufte. Në momentin kur po ndaja detyra për eprorë dhe ushtarë, para më doli një djalë i ri, korpulent dhe shumë i zhvilluar. Ai ishte paraqitur vullnetarisht në luftime edhe pse nuk i kishte përfunduar ushtrimet paraprake njëzetenjëditëshe për regrut të rinj. Ai me ngulm kërkonte angazhimin e tij në luftë. Unë i thash se ju nuk mund të dilni në vija fronti, sepse ende nuk i keni përfunduar ushtrimet luftarake, prandaj ju do të angazhoheni në sigurimin e Shtabit. Reagimi ishte shume i rreptë; jo komandant- më tha- unë jam nisur për në dasëm dhe atje po bëhet dasëm, atje i kam shokët, jo këtu në shtab”, rrëfen ai momentet emocionese. “Unë do jem krushk dasme, nuk ka forcë të më ndalojë, por nuk po më duket në rregull dhe e drejtë, ju zoti komandant të posedoni dy tri arme e une vetëm një. Ky zë aq i fuqishëm, aq i vendosur më theu mendjen, ma mbërtheu një rrënqethje trupin, paksa u ligshtova, u zura ngusht, nuk më mbet as një pikë hapësirë ta ndaloja. Duke e parë vendosmerinë e tij, hoqa nga trupi im një karikator me fishek dhe njërën nga bombat e mia të dorës, e nga një ushtar i sigurova edhe një automatik të ri. Kur po ia afroja armët, fëtyra i mori flakë në të qeshur, gëzim i papërshkrueshem e mbuloi të tërin. Bëmë një shtergim duarsh dhe u përqafuam ngrohtë. Sa me forcë i ka kapur armët, si era u nda nga ne me përshendetjen e fundit, “lamtumirë komandant, krushqit janë nisur për ta marrë nusen, nusen më të bukur të quajtur Liri. Jam shumë me fat se do bëhem krushuku i lirisë!…”, këto ishin fjalët e fundit të ushtarit të ri, i cili pas dy ore luftimesh ra për të mos vdekur kurrë, për të jetuar gjithmonë i ri, trim e i patrembur në kujtimet tona”, tregon ai për luftën e të riu.

Shemsi Sylës gjatë luftës…

Ai tregon se Dëshmori i lirisë, Alban Ajeti, 21 vjeçar ishte në perfundim te studimeve për mjekësi në Tetovë. Kishte lënë studimet për t’iu bashkangjitur shokëve në luftë. Pas çlirimit, nga nëna e tij kishin mësuar edhe më shumë për shpirtin e tij të madh e liridashës dhe përcaktimin e tij jetësor për sakrificë sublime për lirinë e atdheut. Në këshillën e nënës që ia jepte ajo për kujdes, duke e paralajmëruar se “ unë veç dy djem i kam”, Albani ishte përgjigjur: “boll po ta lë Petritin, njërin duhet dhënë atdheut”.
“Se Albani ishte përgatitur për flijim na e dëshmon edhe poezia e tij kushtuar nënës, përmes së cilës e njohim edhe talentin e tij krijues, të një shpirti prej artisti të vërtetë. Vargjet “mos më qaj se kam vdekur, më fal shumë nënë që të lash gjirin zbrazur… më fal që të lash pa nipa”, më shoqërojnë gjithënjë e gjithkund, duke më sjellur në kujtesë flijimin sublim njerzor”, ka thënë Syla për InfoPress në rrëfimin e tij plot emocion.
Për Sylën, as për së afërmi nuk është Kosova për të cilën kishin ëndrruar, për të cilën kishin luftuar, për të cilën kishin vendosur edhe të vdisnim, për të cilën edhe vdiqën qindra e mijra shokë të tyre. Ideali i tyre i përmbysur, i përbuzur, i shkelur ka thyer mjëra zemra patriotësh e luftëtarësh të devotshëm të kauzës së tyre.Ai tregon se qindra e mijra dëshmorë kishin vdekur duke iu mbetur syte çelë me brengën edhe në botën e përtejme “si nuk do të mund të u ndihmojmë shokëve deri në fitore”.
“Dhe ja sot të gjitha ato ëndrra, ato përkushtime u shkelën nga vet shokët e tyre, pikërisht pas asaj “fitoreje”.Sido qoftë, pavarsisht të gjithë zhgënjimit të madh, për asnjë çast, për asnjë moment nuk do të hamendem kur është në pyetje cenimi i tokës, cenimi i dheut për të cilin ranë shokët. Si edhe më parë do të jam në ballë të luftës, aty do e kem vendin, thjeshtë obligimin ndaj atdheut tim do ta përmbushi vetëm kur vdekja do të me marrë”, kështu përfundon rrëfimin e tij të luftës zëvendëskomandanti Shemsi Syla
Bisedën e zhvilloi: Ardiana Zeqiri.

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura