RRUGËTIMI IM NË LËVIZJEN TONË KOMBËTARE (2)

Flet Sabri Maxhuni Novosella

RRUGËTIMI IM NË LËVIZJEN TONË KOMBËTARE (2)

Sabri Novosella: Tash çka ndodhi, prej atyhit shkum në Mal të Zi. Ishte, po quhej fshati Kurrec. Deri aty, aty Mark Mërturi. Aty kjo Tereza Mërturi ishte e këtij fshati. Aty kishte nanën e vllaznitë. Atëherë, Mark Mërturi me ni vlla të Tereza Mërturit më ndihmunë me kalu kufinin. Me kalu kufinin edhe dola në Shqipëri. Masi dola në Shqipëri atëherë unë… se para se me shku në Shqipni, ne e kishim kriju ni lidhje. Mark Mërturi i kish të partë e vet prej Mërturi, prej fshati Mërtur. Për çdo vjet shkonte atje në vizitë. Ambasada e Shqipnisë në Beograd ia jepke vizën, po.

Kështu që, atëherë ne me Metush Krasniqin, me Shefqet Jasharin edhe faktikisht e krijum nëpërmes lidhjeve e krijum ni lidhje me Ajet Haxhinë, Sali Shatrin edhe Ali Buletinin. Kur e kalova kufinin në atë anë unë kërkova të takohem me Ajet Haxhinë, Sali Shatrin edhe Ali Buletinin. Bile, ai oficeri i Sigurimit [Shtetëror] që më mori në pytje, posa e kisha kalu kufinin më tha, po bisedojmë, këto që i thashë para jush, “Familja jonë ka qenë kështu, serbët na kanë vra, ma kanë vra mixhën, ma kanë vra kta, na kanë vra shtatë maxhunë, serbët, serbët”.

M’u drejtu në mënyrë kërcënuese, “Mos shaj serbin, serbët i kem vllezër. Me serbin luftuam gjermanin, armik e kemi Titon që tradhtoi shokun Stalin, Marksizmin-Leninizmin. U shndërrua në shërbëtor të imperializmit amerikan dhe të reakcionit europian”. Më besoni, në atë moment, po ia them sinqerisht qe edhe para kamerave. Mu Tita diçka më dul krejt tjetër. Më dul tjetër. Tap {onomatope} u ktheva. Po të vinte kralji [Srb.: Mbreti], po të vinte Drazha Mihajlloviqi shqiptarë nuk do të metke në Jugosllavinë e kraljevinës [Srb.: Mbretërisë]. Po fati jonë në fatkeqësi që s’mujtëm me kriju shtetin shqiptar. Fati jonë që në pushtet erdhën kroatët, sllovenët dhe u shpëtuam sa u shpëtuam.

Atëherë, ai mu tepër më dëshproi, tepër më dëshproi. Por, ishte ni dëshprim në hapin e parë, u çudita. Pasi shkova, pas… tani prej atyhit më çunë në shtëpinë e Laçit. Bile po ju çoj edhe ktu, në shtëpinë e Laçit ose pak ma vonë. Këtu më majtën dy muj ditë, më pritën shumë mirë, jashtëzakonisht mirë më pritën se ata veç më njifshin. Faktikisht Ajet Haxhija, Sali Shatri disa vite na kish majt, ishim në kontakt. Se letrat i shkrujshim me Metush Krasniqin, me Jusuf Gërvallën. Çojshim, komunikojshim. Unë letrat i marr Mark Mërturit, se, ia… se si rrobaqepës që isha i rregullojsha ia shtisha këtu mas {bën me shenjë tek supet}. Letrat ua çojshim atyne edhe me ta ishim, faktikisht bashkëpunojshim.

Atëherë ajo thanja që e përsërita pare, që e thashë parzit se në vitin e ardhshëm kosovarët do t’i bëjnë pushimet në detin Adriatik, në Durrës, shkollimi e këto tjerat që i thashë… tani Enver Hoxha, qeveria, Partia e Punës e Shqipërisë, partia e dhunës e Shqipërisë, ata u çmendën fare. Ata i hynën me bo çmos Kosovës me ia futë flakën, me ia futë tymin. Knena kishe në veprim Organizatën Marksiste-Leniniste, në krye me kryetarin e Organizatës Marksiste-Leniniste, Hydajet Hysenin i cili sot osht’ kryetar i asaj organizatës edhe janë kah veprojnë, këtu e kanë qendër. Kështu që, mas dy muj ditë unë kërkova që të qëndrojë në Shqipëri edhe grupin e kem ta formojmë degën në Shqipëri.

Ata më thanë gjoja ktu nuk osht’ e mundur. Thashë, “Po atëherë me më mundësun me dalë jashtë”. Me dalë ose në Europë ose me dalë në Turqi. Tani ndërkohë Jusuf Gërvalla kish dalë në Gjermani, Kadri Zeka ishte në Zvicërr. Atyne ju duhej një njeri në Turqi. Pse? Me bo ata që ndodhi në vitin 1981. Kështu që, u zhvillunë situatat, Kosova e kishte marrë ni hov të zhvillimit, të përparimit. Pse? Kroato-sllovenët e kishin pushtetin në dorë. Serbëve iu duhej me kallë Kosovën. Aq sa ju duhej serbëve, ju duhej ma shumë edhe Partisë së Punës së Shqipërisë. Pse? Me ndërpre marrëdhaniet, me ndërpre shkumjet-ardhjet.

Po unë kur e pashë realitetin në Shqipëri, se Shqipëria ishte bo ni, ni, ni vorr. Shqipëria ma keq e kom gjetë Shqipërinë kur kom kalu jom hy në atë anë, populli si jetonte, se kushtet që i kena pasë ktu në burgun e Goli Otokut, se në burgun e Goli Otokut ushqimin e kem pasë ma të mirë, veshëmbathjen e kem pasë ma të mirë, punën e kem pasë ma… aty [në Shqipëri] ishte ni tmerr. Atëherë çka ndodhi? Erdh viti 1981. Në vitin 1981, te unë ku isha në Turqi e prunë Profesor Doktor Bujar Hoxhën me bashkëpunu me mue. Në Vienë e çunë Engjëll Kolonecin me bashkëpunu me Jusuf Gërvallën, me Kadri Zekën. Çdo gja ishte e pregatitne me kallë Kosovën. Atëherë lëvizja, kjo, Organizata Marksiste-Leniniste e bonte punën e vet. Se kta ishin komplet të lidhun me Sigurimin e Shqipnisë, me [Fatos] Klosin1 e kta, që ka edhe sot. Sot janë. Sot e asaj dite u qujtë Klosi majti fjalim kundër Amerikës, kundër Rusisë, të më falni, faktikisht e mbrojti Rusinë me luftën në Ukrainë.

Erdh viti 1981. Në vitin 1981, shpërthynë demostratat. Aty demostrata u organizunë. Bile t’ua thom edhe si rast, kur vdiq [Murteza] Xaja Nura ishim në Gjakovë. Aty u majtë tubim komemorativ për vdekjen e… edhe pasi dolëm… me Ali Lajçin kurrë s’isha taku po e njifsha mes… ai më pa. Tha, “Sabri”, tha, “e kom ni bisedë me ty”, thashë, “Ali Lajçi edhe unë e kom me ty ni bisedë. Gjithsesi kur të dush, por vetëm ni pytje e kam asgjë tjetër tani bisedojmë”, thashë, “natën që i organizutë në konvikte të studentëve demostratat e ‘81-ës prej mramjes deri në mëngjes. Të gjithë që ketë në atë tubim u burgosët, një nuk u burgos. Si e kishte emrin ai?” “Po ato kanë qenë lëvizjet gjithë popullore”, “Ju lutem, çka kanë qenë e di unë, po më intereson ai që nuk u burgos”. E ai që nuk u burgos ka qenë spiun i Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Serbisë. Jo Jugosllavisë, jo i Kosovës, por i Serbisë.

Ai nga mrena, kohë mas kohe, dilke përjashta i raportojke Abdullah Prapashticës. Abdullah Prapashtica ishte UDB-ash i Serbisë. Nejse, kishte kry shkollat në Vojvodinë atje, tjera, e tjera. Tani, çka ndodhi? U organizunë demostratat, u kall, u përvlu Kosova, i hyni tymi në tona antë. Enver Hoxha e kryjti punën e vet nëpërmes… se në ballë të demostratave Hydajet Hyseni. E kemi në maje të ni lisi ka majtë fjalim. Tash kjo komplet Organizata Marksiste-Lininiste u vu në veprim. Pse çka i duhej Enver Hoxhës. Kurse, meniherë mas demostratave ne jemi dalë me komunikatë. Unë, organizata jonë, Metushi [Krasniqi], Shefqet Jashari, Abdullah, ky, Jusuf Gërvalla. Bile Jusufi e shkrujti komunikatën. Demostratat e vitit 1981, Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës dhe Viseve të tjera Shqiptare nuk i ka organizue. Ata që janë sakrifikue, janë vra, janë burgosë, ata kanë qenë njerëz të pavetëdijshëm çka po ndodhë. Por ata janë me të vërtetë njerëz që duhet me na u dhimtë të gjithve, me na ardh keq për ta, se ata ranë në kurth.

  • Sabri Novosella me bashkëshorten dhe fëmijtë e tyre

Tani po e citoj, unë këtë e kom thanë nëpër librat e mija, e kom argumentu nëpër librat e mija. Këto e thotë edhe Azem Vllasi, siç e thotë në librin e tina ku folë për demostratat e ‘81-tës. A nxjerrë fakte argumente që ato i kisha unë. Thotë, “Ashtu siç thotë veprimtari i mirënjohur Sabri Novosella, demostratat e ‘81-shit i ka organizue Serbia, jo federata as Kosova, Serbia i ka organizu”. Tani çka ndodhi? Mas atyne demostratave Kushtetuta e ‘74-tës mori fund. Me qindra mija, me 300-400 mijë shqiptarë, rinia dul rrugëve të botës, u mshelën shkollat, u mshelën fakultetet, u mshel puna, u bo nomi. Pra, prej ‘81-tës deri ‘99-ën, deri 1999 që erdh ushtria e NATO-s, e Amerikës na shliroi nga pushtuesit serbo-sllav e Millosheviqit…

Anita Susuri: Zoti Sabri, ishit t’u tregu për demostratën prej vitit ‘81. Po po du m’u kthy edhe pak ma herët…

Sabri Novosella: Po.

Anita Susuri: Me bisedu. Ju më tregutë për, për shkollimin fillor që është dashtë me ndërpre, faktikisht…

Sabri Novosella: Na përjashtunë.

Anita Susuri: Po, qysh ka qenë, qysh ka ndodhë krejt kjo?

Sabri Novosella: Kjo ndodhi, se faktikisht në familjen tonë ishte ajo fryma kombëtare, fryma… te na s’u përdorë kurrë fjala serb. Shkau, shkau na e boni, shkau na pushkatoi, shkau na i murr mashkujt, shkau na boni të gjitha. E tash, na veç si fëmijë ishim pregatitë shpirtnisht edhe nga e kalumja jonë edhe nga ato kangtë që knoheshin për familjen tonë. Kështu që, na faktikisht shpirtnisht ishim të pregatitun për aktivitet. Edhe siç e thashë ma parë, p’e përsëris, kontakt me Adem Demaçin, organizimi me Adem Demaçin. Organizon Adem Demaçi, më propozon për… edhe pa asni imponim unë e pranoj me knaqësinë ma të madhe. Isha i martum atëherë, e kisha djalin i lindur tre mujsh kur jom burgosë. Jo, domethonë, kur jom organizue kom qenë i martum, po ma vonë ka lind djali, para se me ra në burg. Familja jonë kështu ka fillue, puna jonë ka fillu. Masanej ajo propaganda mos m’u largu ka qenë shumë, shumë aktuale kudo ku jem, kah shkojmë, me pengu mos m’u largu nga Kosova. Se ajo që bohej, largimi, shpërngulja që bohej për Turqi…

Anita Susuri: Ju thatë që keni reagu për përjashtimin e mësusve që i përmendet ma herët në fillim edhe ni msuse ju ka dërgu te drejtori edhe pastaj…

Sabri Novosella: Pastaj kishin marrë vendim aty edhe më kanë përjashtu prej shkollës.

Anita Susuri: Pastaj jeni organizu edhe cilat kanë qenë aktivitetet e para?

Sabri Novosella: Aktivitetet e para kanë qenë, aktivitetet e para kanë qenë shkrimi i parullave. Po tani unë si rrobaqepës që isha kepja e flamujve. Kjo për neve ishte shumë e rëndësishme. Se me u përmend emri flamur të mytke UDB-a, e le mo me qepë flamuj… në përgjithësi organizata jonë ka pasë, veprimtaria e saj ka qenë propagandistike. Me propagandu çashtjen kombëtare, çashtjen shqiptare. Moslargimi nga Kosova, mundësi për shembull edhe të gjitha kanë qenë. Me shkollu vajzat, se atëherë nuk janë shkollu vajzat. Shkollimi i vajzave. Gja që unë motrat e mija… paskam dalë nga burgu i parë në ‘68-ën. Tri motrat e mija në shpi kanë qenë, kishin qenë. Baba në atë mënyrën e vet.

Igballi ka qenë, që ka qenë ktu, me shami ka qenë {përshkruan me duar shaminë e lidhur poshtë mjekrrës}. E kish kry vitin e katërt. Magbulja e kishte kry vitin e katërt. Meleqin fare s’e kishin regjistrue. Atëherë e çova Magbulen, Igballin i kryti privatisht edhe katër klasë, tetë klasë edhe dy klasë të shkollës të mesme ekonomike edhe e regjistrova në klasën e tretë të shkollës ekonomike. Magbulja qashtu e kryjti katër klasë privatisht krejt, e kisha mundësi pak punojsha edhe e regjistroj medicinën e kryjti shkollën e mesme të medicinës. Masnej e vazhdoi. Meleqin e regjistrova në shkollë. Domethonë, faktikisht në çdo aspekt organizata kish për detyrë me kontribue në ringjallen e kombit, mos me u asimilue, mos me hupë edhe m’u përgatitë në momentin e duhur.

Anita Susuri: A mundeni me më tregu për këtë organizatën që keni qenë pjesë, diçka ma shumë për ta? Edhe këto parollat, çfarë parolla kanë qenë?

Sabri Novosella: Organizata e ka pasë Komitetin Qendror në krye me Adem Demaçin. Ka pasë Komitete të Qarqeve. E ka pasë Komitetin e Qarkut të Prishtinës, Mitrovicës, të Pejës, të Gjakovës, të Gilanit, të Podujevës, po. Unë kam qenë i zgjedhur në Komitetin e Qarkut të Prishtinës. Kryetar i Komitetit ka qenë Xhafer Mahmutxhiku, ni veprimtar shumë, shumë, shumë djalë i mirë me tona të mirat. Në përgjithësi kanë qenë tonë djem të mirë. Poashtu edhe ni djalë që me të vërtetë osht’ për m’u cekë… krejt ajo, 350 vet na kanë burgosë. Disa femra kanë qenë. Pi krejt atyne veprimtarëve, ata që i kanë marrë kah dy-tre muj në burg, ata që kena vazhdu burgjet, asni nuk ka kalu nana… asnjo nuk u bo spiun i UDB-së. Përkundër torturave, përkundër, për shembull, neve na mytën Fazli Grajçevcin. Bile me Fazli Grajçevcin qelia e burgut, unë kam qenë në qelinë e burgut numër pesë, ai ka qenë qelinë e burgut të Prishtinës numër gjashtë. Deri në gërrhamzën e fundit ia kom ni gërrhamzën, ka vdekë, e kanë mytë. Ni fjalë s’e ka tregu, ni fjalë nuk e ka qitë…

Anita Susuri: Ju keni qenë në [burg] atë kohën kur ai osht’ vra?

Sabri Novosella: Bashkë na në organizatë jemi konë, pastaj na kanë burgosë në të njejtën kohë. Bile pak ma vonë veç për të njejtën kohë na kanë burgosë. Pastaj, po ja u them edhe juve që vajza apo si mesat e mija, prej shokve tonë që janë burgosë shtatë prej tyne pasi kanë dalë prej burgjeve kanë qenë të paaftë për me lind fëmijë. Prej torturave të tmerrshme që ua bojshin gjatë hetimeve. Kemi shokë me emra.

Anita Susuri: Po më intereson këto mbledhje për shembull që i keni bo ose rregullat si kanë qenë?

Sabri Novosella: Rregullat…

Anita Susuri: A ka qenë organizatë e msheftë?

Sabri Novosella: Organizatë krejtësisht ilegale. Dega jonë për njësi i kemi majtë mbledhjet në shtëpinë e Xhafer Mahmutxhikut. E ka pasë përtej pazarit e ka pasë ni shpi, aty banojke te ni mik i veti. Edhe tani u takojshim gjoja si shokë për ni darkë edhe u mbajshin mbledhjet. Mbledhjet faktikisht u mbajshin sipas nevojës, po për ni si u majke mbledhja edhe u vendoske mas dy jave, mas tri jave u shty atëherë u tubojshim, raportojshim për aktivitetet gjatë asaj kohe, për pranimin e anëtarëve të ri në organizatë. Kështu që, organizata vinte t’u u zgjerue. U bom rreth 350 anëtarë, u bonëm.

Anita Susuri: Si i keni përzgjedhë për shembull anëtartë e juj? Si i keni besu?

Sabri Novosella: Po shif, në përgjithësi ka qenë obligim me njoftë. Nëse s’e njef ti personalisht me njoftë dikush i familjes tane. Ma s’pari me njoftë si familje, a kanë qenë bashkëpunëtor të UDB-së a jo edhe me njoftë veprimtarinë e tina si po shkon. Kështu që, në atë, në atë, në ato kushte janë pranu njerëzit në organizata të reja. Janë bo gabime, janë bo edhe atëherë gabime e na kanë hi spiuna. Na kanë hi spiuna gja që ata edhe na kanë zbulue. Kështu që, ka qenë punë e vështirë. Me të vërtetë ka qenë ni guxim jashtëzakonisht i madh se…

Anita Susuri: Cilat kanë qenë rregullat e juja? Për shembull, aktiviteti kur u dashtë me u zhvillu? A ka pasë orar të caktum a qysh ka qenë?

Sabri Novosella: Sipas situatave, sipas situatave. Për shembull, ka qenë 28 nandori, për 28 nandor vazhdimisht janë ngritë flamuj, janë shkru parulla, ky ka qenë aktiviteti jonë. Ni aktivitet me rraf dikond a me mytë dikond a me bo diçka, apo me rrxu naj diçka absolutisht [jo]. Këto kanë qenë të preme. Pse? Thjeshtë se edhe ktu ka qenë ni ide e Adem Demaçit. Ne faktikisht, ideologjikisht me u ngritë. Thjeshtë m’u ngritë fryma kombëtare, fryma atëdhetare. Se shkau e bojke të vetën. Se na flasim për turq, turq në Ballkan s’ka pasë kurrë. Turq që fillunë këta [të identifikohen] krejt janë të krijunë. Pse? M’u regjistru turk kishe plot lehtësina. Me i regjistru njerëzit turq, jo boshnjak, jo dreq e të bir… Kështu që, ka qenë ni situatë tepër e randë, por organizatat politike kombëtare e ka lujt rolin e vet shumë pozitiv. Me rujtë frymën e vet kombëtare edhe m’u pregatitë në momentin e duhur.

Anita Susuri: Cilat kanë qenë parullat që i keni shkru?

Sabri Novosella: Po gjithmonë ka qenë për shembull, “Rrnoftë Shqipnia, rrnoftë populli shqiptar”, mbi të gjitha, bashkimi. Se Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, emrin e ka pasë. Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve. Kështu që, si ideal, si ideal ka qenë shlirimi dhe bashkimi edhe parullat në përgjithësi në qat’ përmbajtje janë shkrue.

Anita Susuri: Tash po më intereson kjo qepja e flamujve…

Sabri Novosella: Po.

Anita Susuri: Kah ka ardhë ideja edhe qysh osht’ formu krejt, qysh ka ecë krejt kjo?

Sabri Novosella: Puna e flamujve. Kështu, ideja ka qenë, ka majtë, unë nuk di ndoshta ata e kanë marrë edhe prej Adem Demaçit. Veç unë edhe me Ademin kom kontaktue po edhe faktikisht isha anëtar i Komitetit të Qarkut. Në Komitetin e Qarkut, aty u epke propozimi, u jepke ideja edhe u dajshin detyrat aty. E unë si rrobaqepës m’u dajke detyra për qepje të flamujve.

Anita Susuri: E ju në familje po më doket nuk keni tregu, nuk e ka ditë kërkush, as nana juj as bashkëshortja se çka jeni t’u bo, çfarë aktiviteti?

Sabri Novosella: Kështu, kështu. Askush s’e ka ditë. Askush s’e ka ditë. Bile, kur kisha m’i qepë flamujt, se unë në shpi i qepsha, e kom pasë makinën. E çojsha Safetën, shoqen, te nana e vet ni natë-dy netë, kryjsha puntë. Po nifarë mënyre as unë s’i kom tregu Selatinit, as Selatini s’më ka tregu mu. Por, çka qysh si. Por, në qepjen e flamujve më nimojke Selatini, më nimojke Selantini.

Anita Susuri: Po më doket që mrena natës i keni qepë…

Sabri Novosella: Gjithmonë, gjithmonë. O në rregull. Mrena natës u qepshin, mrena natës u qepshin, mrena natës u shpërndajshin. Çdo gja natën, çdo gja natën shkojke.

Anita Susuri: Po tash po më intereson edhe kjo, kuq e zi, ku e keni marrë materialin? A ka qenë rrezik se ato ngjyra kanë qenë identifikuese.

Sabri Novosella: Ni vend u blejke ni pëlhurë e zezë, tjetër vend u blejke ni pëlhurë e kuqe, që mos me konë… mundësisht mos m’u zbulu. Gja që edhe prej tyne nuk jemi zbulu. Prej atyne shitoreve ku blehej materiali nuk jemi zbulu prej tyne. Gja që gjatë hetimeve ka që asni prej, asni akuzë s’e kem pasë.

Anita Susuri: E qysh ka ndodhë pastaj? I keni dorëzu ato edhe? Apo keni marrë pjesë edhe në ngjitjen e atyne?

Sabri Novosella: Unë s’kom marrë pjesë. Pasiqë unë i qepsha s’kom marrë pjesë në ngritjen e flamujve. Po tash u caktojshin, për shembull, u caktojshin, çdo gja u krynte natën. U pshtjellshin, kështu në torbë gjoja që ma, ka marrë material a ushqim a diçka edhe u shpërndajshin nëpër tjera, nëpër tjera qytete. Ama, ka qenë gjithqysh mrena ni natës m’u ngritë në tanë Kosovën. E kena pasë ni informatë që edhe në Shkup janë ngritë.

Anita Susuri: E qysh ka qenë reagimi juj? Qysh ju ka dokë juve kur i keni pa ato flamuj?

Sabri Novosella: Po ta them të drejtën…

Anita Susuri: Sigurisht mrena kohës të shkurtë i kanë heqë ndoshta.

Sabri Novosella: Mrena afatit të shkurtë i kanë hjekë. Po ka qenë kënaqësi e madhe, kënaqësi e madhe, se e dishim që rreziku ishte shumë i madh.

Anita Susuri: A kanë qenë nëpër institucione të ngrituna apo…

Sabri Novosella: Vallahi, gjithkund, gjithkund. Për shembull, ka pasë edhe… se vishin në mëngjes, vishin në mëngjes me falë sabahin… edhe nëpër shtyllat afër dyrve të xhamiave. Ku janë konë xhamiat ata vishin… se ata në saba, tash si e pajke UDB-a e merrke e hiqke. Që me pa njerëz sa ma tepër [flamuj]. Po si e pajke njani e merrke vesh krejt Prishtina, “Sot janë shpërnda flamuj”. “Kush?” “Filani e ka pa, ky e ka pa”. Ashtu që ndikojshin shumë.

Anita Susuri: E ju qysh e keni pa reagimin e njerëzve?

Sabri Novosella: Unë them kështu, me burgosjen e parë të Adem Demaçit, shpirtnisht në Kosovë osht’ bo ni ndryshim. Për shembull, u përhap me të madhe propaganda mos me shku në Turqi. U përhap me të madhe [vetëdija] ky është vendi joni këtu. Ka me të madhe, ni ditë kena m’u shlirue. Kështu që, organizatat ilegale kanë pasë rolin në Kosovë.

Anita Susuri: Ju thatë si rrobaqepës e keni pasë, e përmendet ma herët që kto materialet të ndryshme i keni qepë edhe mrena teshave? Mrena setrave për shembull?

Sabri Novosella: Jo, jo.

Anita Susuri: A ju kuptova mirë a

Sabri Novosella: Jo, jo. Letrat që ua çojshim në Shqipni, Sali, Ajet Haxhisë, Sali Shatrit e Ali Boletinit. Po aty në përgjithësi lidhja ish majtë ma së forti mes Ajet Haxhisë dhe Sali Shatrit, po kanë qenë burra shumë të mirë. Masanej kur dola unë, kur u shliru Kosova, Shqipnia, shkova e pashë e rrisha me to. Kom pasë nderin. Kanë vdekë… kështu që unë ia qkepsha këtë pjesën mrapa setrës edhe mrena ktu osht’ ni pamuk mrapa aty e shtisha letrën, aty e rregullojsha. Tashi e qepsha, e ndreqsha edhe i merrke Mark Mërturi i veshke edhe… plot që e keni në fotografi edhe Mark Mërturin aty. Aty letrat u bajshim në atë mënyrë.

Anita Susuri: Hera parë që, po menoj kur jeni burgosë ka qenë viti ‘64

Sabri Novosella: Me 8 qershor të vitit 1964 jom burgosë për herë të parë.

Anita Susuri: A mundeni me shpjegu krejt këtë? Qysh ka ndodhë? Edhe krejt domethonë qysh e kujtoni ju?

Sabri Novosella: Burgosja ka ndodhë kështu. Ni… pra me 8 qershor muna me thanë kah ora katër, pesë osht’ rrethu shpija edhe kanë hy mrena UDB-ashët. S’pari më kanë kërku mu, më kanë lidhë, m’i kanë vu prangat. Ni milic rrijke me mu, ata hinën e hallakatën shpijën krejt komplet. Tani nana u çue, qikjo nana Naile e Banjës “Nana Naile” edhe me të vërtetë në jetën time s’kom bo gja pa e vetë atë. Për organizatë literalisht asgja s’i kam tregue. Po me nënkuptime po. Çka m’ka thanë goja e saj kurrë ndryshe s’më ka dalë. S’e kam bo vetëm si respekt ndaj nanës, mbi të gjitha çka më ka thanë ashtu më ka dalë.

Atë ditë më morrën milicët, po ju them policët, njëri për ni dorë, tjetri për ni dorë. Durtë e lidhme. Ishin disa tjerë. Nana u afru tha, “Te kapi për qafe”, e shtyjnë nanën. Nana me dy durtë, “Djali jem me faqe të bardhë m’u kthefsh”. Nëpër tortura ma të tmerrshme kur m’u kujtojke fjala e nanës, “M’u kthefsh me faqe të bardhë”, a muna m’ju kthy nanës me faqe të bardhë? I dekun i kthehna, me faqe të zezë nuk i kthehna. Kalojshin ato ditë burgu. Se tash s’pari kam nejtë tre muj vet në qeli deri në gjykim. Tani mas gjykimit na edhe me shokë tjerë, me katër-pesë shokë…

Anita Susuri: Juve ku ju kishin pasë zbulu apo nuk e dini?

Sabri Novosella: Jo e di. Më ka zbulu ni Qerim Pozhegu. Tash kom informatë që u dekë. Veç, po, nëpërmes ni shokut, ni anëtari tjetër. Ai s’e ka ditë, s’e ka njoftë. E pruni te unë, u krye. Ai masanena ish konë spihun i UDB-së, e ka zbulu.

Anita Susuri: Ai ka qenë spiun?

Sabri Novosella: Po, spiun i UDB-së. Bile, veç, beso në Zot s’më hjekët prej mendje kurrë a, po qysh e bon bre burri ashtu. Me siguri ka qenë rreth 40-50 vjeç e unë çka jom konë djalë 19 vjeç, 20 vjet. Punojsha nër xhaminë e madhe, ka qenë ni rrobaqepës aty i Gjakovës. Merre me mend tash, ai e dinte kur dal nga puna. Tash ish dalë, unë kur dalë nga puna ky ish dalë te Xhamia e Çarshisë knena e në anën tjetër të rrugës Rela. Rela ka qenë ni polic, ni kriminel. I ka pasë vra dy shqiptarë në pazar. I njoftun si kriminel, vrasës. Merre me mend! Unë dola prej ktuhit, ky ish pshtet aty, m’pa mu. Ia bojke atij {me lëvizje koke dhe me sy demek doli nga puna}. Zbulimi jem.

1) Ish shef i Shërbimeve sekrete të Shqipërisë.

_______

Sabri Novosella, Intervistë/ Pjesa e Dytë

VIJON …

____________________________

Flet Sabri Maxhuni Novosella

RRUGËTIMI IM NË LËVIZJEN TONË KOMBËTARE (3)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura