SADRI RAMABAJA: FAKTORIZIMI I SHQIPTARËVE – PARAKUSHT I INTEGRIMIT NË BE

Pashtriku.org. 10. 01. 2014 – Evropa do të duhej të ishte krenare që ta pranoj sa më shpejt në gjirin e saj kombin shqiptar. Gjithashtu edhe shqiptarët do të duhej të ishin krenar që ruajtën në genin dhe zemrat e tyre shpirtin dhe krenarinë e të qenunit evropian. Vendimi për shtyrjen e statusit kandidat për Shqipërinë nga ana e Këshillit Europian javën që lamë pas, ishte ogur i keq që la një shije të hidhur. Një valë pesimizmi me ngjyresa të“antievropianizmit shpërtheu kudo, në rrjetet sociale, në portale e media të shkruara e televizive. Tek pas rënies së tensioneve, pasoi gjykimi racional.
Një ditë para takimit të KM të BE-së vazhdoja të besoja se Shqipëria do të duhej ta merrte statusin e vendit kandidat. Por në ndërdije më gulonte herë pas herë dufi i dyshimeve. Ky dyshim nuk bazohej tek regjistrimi i popullsisë në Republikën e Shqipërisë që kishte publikuar të dhënat që flisnin se Shqipëria politike ka 57.2% të popullsisë myslimane. Ky dyshim imi disi rritej tek kisha parasysh një të dhënë shtesë që ka të bëjë me shkallën e arsimit dhe ndjeshmërinë kulturore që ka pësuar e po pëson kaq shumë këto vitet e fundit. Natyrisht se kësaj përqindje, meqë jam i prirur që shqiptarët t’i shikoj si komb në përmasat reale të tij,gjithësesi është bukur më e lartë se sa ka prezantuar censusi në Tiranë. Këtë fakt Brukseli e ka të qartë. Por, ndjesia e dyshimeve më rritej sa herë më dilte para syve skena e një salle të mërgimtarëve tanë të shpërfytyruar e trushpërlarë që ishin mbledhur diku në Zvicrën qendrore për të dëgjuar fjalimin e një deputeti të Kuvendit të Kosovës (G.K. nga Partia e Drejtësisë) tek fliste mbi gjoja padrejtësitë që po ju bëka Kosova një kategorie femrash në shkolla tek ua ndalon bartjen e shamive dhe si me komandë tek shoqërohej me brohoritjet e slloganeve në kor dhe ritëm pothuajse ushtarak, tipike për demonstrimet e Hamasit, Vëllazërisë Muslimane dhe simotrave të tyre gjithandej në Lindjen Afërt dhe në Azi.
Këto skena gjithësesi Evropën e bëjnë edhe më skeptike ndaj shqiptarëve, ndërkaq klasën politike shqiptare do të duhej definitivisht ta trandin nga ky lloj somnabulizmi politik.

Këto veprime që kanë marrë shtrirje gjithandej në hapësirën tonë, janë pa dyshim shprehje e krizës identitare që ka kapluar një pjesë të popullsisë sonë, e që jam i prirur ta shoh para së gjithash si nusprodukt i dobësimit të paramenduar të arsimit tonë në të gjitha nivelet dhe defunksionalizimit të dy Republikave tona.
Në historinë tonë moderne, sa herë që element a pjesë e tërë e kombit i kanë dhënë prioritet fesë përballë kombit, ka pasuar asimilimi trishtues, i dhimbshëm. Në këtë kuadër do shikuar arsyet e asimilimit të përshpejtuar të popullsisë sonë të shpërngulur nga trualli i vet, Shqipëria, drejt brendisë së Perandorisë Osmane për aq kohë sa ne ishim pjesë e saj. Por ky trend do të vazhdojë edhe më pas, me valët e shpërnguljeve të planifikuara e ratifikuara mes Beogradit e Ankarasë që nga viti 1913 e tutje, e do të kulmojë me valët e fundit të shpërnguljeve që rezultoi me boshatisjen e qyteteve të tëra të Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare në dekadat e para pas Luftës së Dytë Botërore. Ndërkaq trajtimi me prioritet i fesë kundruall kombit ishte me përmasa katastrofale edhe për pjesë të tëra të shqiptarëve tanë ortodoks në Serbi, Maqedoni dhe Greqi.
Por fakti se një shumicë e ndjeshme e shqiptarëve sot i përkasin religjionit islam, pavarësisht se sa prej tyre janë praktikues të tij, a do të duhej të shihej si pengesa reale për vendime të kësaj natyre të Këshillit Evropian që shtyjnë në kalendrat greke vullnetin politik të shqiptarëve për integrim në BE?
Sigurisht se jo. Fundja brenda BE-së sot jetojnë diku 15-20 milion qytetaarë të besimit islam. Ndërkaq brenda 2025-ës kjo shifër pritet të dyfishohet.
Por, duke rilexuar intervistën e historianit gjerman Dr Aleksandre Lambert-it dhënë mediave tona në përvjetorin e 95 të Shqipërisë, tek shprehej për sabotimin që i bëri Evropa Shqipërisë dhe kombit shqiptar në shek. XIX, kur e quajti Ilirinë Ballkan, ndërkaq harroi për një çast kontributin e shqiptarëve dhënë civilizimit tonë, vendimi i fundit i Këshillit Evropian për shtyrjen e statusit të vendit kandidat për qershorin e ardhshëm, më duket disi i zbutur!
Ja çka shkruan Profesor Lamberti për kontributin e shqiptarëve dhënë civilizimit tonë ndër shekuj.
(…)“Në Mesjetë shqiptarët i kanë dhënë udhëheqësa botës, udhëheqësa laikë ose fetarë dhe personalitete kulturore që i kalojnë kufijtë e Evropës. Disa Papë kanë qenë shqiptarë për shembull, – Klementi i XI – të më i dalluari prej tyre. Por shqiptarët kanë qenë në krye të feve me rëndësi botërore si në krye të fesë ortodokse ashtu edhe të asaj muslimane. Në histori gjejmë udhëheqës të shquar shqiptarë në shumë vende të Evropës, madje edhe prej atyre që ngandonjëherë kanë përcaktuar fatin e shumë betejave historike (në vitin 1515 qe Merkur Bua me kalorësinë e lehtë të Venedikut e përbërë e gjithë nga shqiptarë, që përcaktoi fitoren e betejës së Marinjanit, që historia e emëroi beteja e gjigandëve dhe jo Françesku i I-rë, i Francës 19 vjeç që ato dy dite beteje mësoi se si luftohet).
Shqiptarët i kanë dhënë shumë kryeministra dhe gjeneralë të shquar Perandorisë Otomane (vetëm familja Qyprili i dha 5 kryeministra Perandorisë).
Shqiptarët i kanë dhënë shumë heronj të pavarësisë greke prej të cilëve po përmend Kundurjotis, Marco Boçari, Kanaris, Kolokotroni, Karaiskaqis, Bubulina. Ata ishin në udhëheqje të revolucionit grek, prej të cilëve edhe disa kryeministra të shtetit të ri të pavarur grek.
Rumania gjithashtu ka pasur një familje princore me origjinë shqiptare (Aleksandër dhe Vladimir Gjika si dhe princesha Eleonora e njohur me emrin Dora Distria).
Fraçesko Crispi, shok i Garibaldit, Kavurit e Macinit që ka qenë një kryeministër i madh Italisë, ishte me origjinë shqiptare.
Piktorë si Carpacci, Albani, etj, humanisti Leonic Tome, profesori i Kopernikut, dhe shumë personalitete shqiptare janë nderuar nga historia e Italisë.
Muhamet Aliu, reformatori i Egjiptit Modern, që historia franceze e ka quajtur “ Napoleon i Lindjes së Afërt ” qe shqiptari që themeloi dinastinë mbretërore të Egjiptit që mbretëroi gati 150 vjet.
Arkitekti i“Taxhmahalli” në Agra të Indisë kryevepra e arkitekturës islamike, ishte vepër e një shqiptari ashtu sikurse edhe “Xhamia Blu” e shumë xhami të rëndësishme tëStambollit. Dhe më në fund Heroi Kombëtar i shqiptarëve Gjergj Kastrioti Skënderbeu, një shembull gati universal i luftëtarit të lirisë, i nderuar në botën mbarë me përmendore jo vetëm në Tiranë, Prishtinë e Shkup, po gjithashtu në Romë, Bruksel, Gjenevë, Detroit, Buenos Aires. Të tjera përmendore për Skënderbeun janë projektuar të ngrihen në Londër, Varshavë, Melburn, Manila, etj.
Kur shqiptarët kanë kontribuar kaq shumë për qytetërimin e njerëzimit, përse pak njerëz në botë janë të ndërgjegjshëm për këtë përkundrazi shumë as nuk kanë dashur ta pranojnë këtë realitet? Duhet thënë se një gjë e tillë shpjegohet edhe nga izolimi relativ jo pa qëllim i shqiptarëve nga komuniteti ndërkombëtar, dhe në mënyrë të veçantë nga ai evropian, që nga Kongresi i Berlinit e këtej (1878). Në të vërtetë pas mundjes së turqve në luftën ruso – turke, shtypi ndërkombëtar filloi punën për të injoruar shqiptarët duke i ndërruar emrin gadishullit të dikurshëm të Ilirisë të banuar që nga kohët parahistorike dhe deri në ditët e sotme nga ilirianët – shqiptarët. Atë e pagëzuan me emrin e ri që ka edhe sot, Gadishulli i Ballkanit, vetëm duke u nisur nga vargu i maleve Ballkan. Përse iu vërsulën shqiptarëve ? Pjesa më e madhe e diplomacisë konservatore europiane ka përdorur termin pezhoratif “turq“ për t’i cilësuar si turq të gjitha komunitetet myslimane në Ballkan, edhe pse shumica prej tyre nuk janë aspak turq. Evropa ka mbështetur dhe ka zmadhuar tokat e Greqisë, të Serbisë, dhe të Malit të Zi, në kurriz të shqiptarëve. Asnjëra nga fuqitë e mëdha eropiane nuk e ka mbështetur çështjen shqiptare kur shqiptarët krijuan Lidhjen e Prizrenit për të mbrojtur çështjen e tyre të drejtë kundër vendimeve të Kongresit të Berlinit. Ata u lanë në baltë nga të gjithë.”
Pavarësisht krejt kësaj historie të lavdishme, është sërish diplomacia konservatore ajo që shqiptarët pretendon t’i trajtojë si “mish i huaj” dhe sërish shpërblen Serbinë…
Këtij veprimi të BE-së ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve Jean-Louis Bourlanges do t’i përgjigjej ironikisht me përfundimet që kishte nxjerr ai për ndeshtrashat me të cilat po përballej procesi i zhvillimit të brendshëm të BE-së. Ironikisht ai konstatonte se Evropa deri më tashti funksionoi në bazë të tre përbërsve të saj: imagjinatës franceze, përcaktimit gjerman dhe shmangies britanike. Sot, ndërkaq, vazhdonte ai më tutje, jemi dëshmitarë të imagjinatës britanike, përcaktimit francez dhe shmangies gjermane.
* * *
Evropa do të duhej të ishte krenare që ta pranoj sa më shpejt në gjirin e saj kombin shqiptar. Gjithashtu edhe shqiptarët do të duhej të ishin krenar që ruajtën në genin dhe zemrat e tyre shpirtin dhe krenarinë e të qenunit evropian. Klishetë dhe paragjykimet, ky produkt i mendësisë politike konservatore, vogëlsia shpirtërore dhe vese tjera të dobëta, të shprehura sidomos në momente kritike si ky së fundmi, kur iu shty dhënja e statusit të ri të Shqipërisë dhe shqiptarëve në BE, duhet të tjekalohen sa më shpejt që të jetë e mundur.
Për këtë, një pjesë e përgjegjësisë i bie gjithësesi klasës sonë politike, sidomos asaj që kultivoi indiferentizmin në komunikimin politik me Brukselin, ndërkaq në raport me interesat e vendit po sillej në shp;rputhje me idetë e etërve të liberalizmit (Xhon Loku), duke shpërfillur faktin se sovraniteti i takon veç popullit, dhe kushdo që tenton të veprojë kundër interesave të popullit ai ka të drejtë të ngrihet dhe ta rrëzojë.
Ky tejkalim do të mund të bëhej më i lehtë vetëm duke u faktorizuar shqiptarët.
Pa faktorizimin e shqiptarëve në rajon, ndryshimi i qasjes së BE ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve është pothuajse i pamundur.
Vetëm ecja drejt integrimit mes dy republikave tona egzistuese dhe bashkëpunimi i thellë me Maqedoninë në të gjitha rrafshet, duke u imponuar shqiptarët atje si komb shtetëformues, ndërron ekuilibrin e fuqive të mëdha në dobi të kombit tonë dhe aderimit të tij të meritueshëm në familjen evropiane.
Por, rileximi i intervistës së profesor Lambertit, që mbetet në të gjitha rrafshet aktuale edhe sot, para se të jetë i nevojshëm për shqiptarët, është imediat për diplomatët, politikanët, shkenctarët sa edhe për qytetarët e rëndomtë evropianë.
Të gjithë tok do të mësonin arsyet reale përse Shqipëria nuk mori tashti statusin e vendit kandidatë, por edhe përse shqiptarët vazhdojnë të trajtohen kështu si po trajtohen nga një lagje shtetesh që përbëjnë boshtin e BE-së.
Prishtinë, 20 dhjetor 2013

======================

ISLAMI POLITIK DHE DEMOKRACIA

Përpjekja e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim dhe personalisht kryeministrit turk, Rexhep Tayp Erdogan, për ta promovuar mundësinë e ndërlidhjes dhe selitjes së shtetit modern me vlerat që reflekton demokracia dhe liria, gërshetuar këto tok me islamin politik, si dy vlera kompatibile, duket se po dështon. Shih për këtë polarizimi i shoqërisë është proces i pashmangshëm.
Nga Sadri RAMABAJA
Prishtinë, 6 janar – Liria dhe barazia janë dy parimet bazë të utopisë politike që inkorporohen në filozofin politike të shtetit social, e që më pas, me kalimin e viteve, u mishëruan edhe në kushtetutat moderne të shteteve si puna e SHBA-ve, Gjermanisë, Francës, Suedisë…duke shenjuar kështu revolucionin juridik që i hap rrugë idealit politik, ndërkaq politika neoliberale gjithandej këtë utopi po e rikthen në pikën zero.
Eksperimenti neoliberal gjithandej bë Evropë këto dekadat e fundit ka dëshmuar se mbetet njëri prej rreziqeve më serioze të përspektivës së projektit historik, siç është ai i BE-së. As ata që pretendojnë ta shpjejnë përpara projektin e BE-së dhe tok me të prosperimin e demokracisë, nuk mund të tolerojnë tutje eksperimentimin në sistemin ekonmik, por as edhe forcimin e ekstremit populist djathtist që pritet të zë vend në zgjedhjet për Parlamentin Evropian në majin e këtij viti.
Në këtë prizmë interesash do studjuar edhe fenomeni i depërtimit të islamit politik në Kosovë dhe mbarë hapësirën shqiptare, duke e trajtuar si rrezik dhe përpjekje për minim të gjakimeve të kombit tonë për pozicionim gjeopolitk afatgjatë në hemisferën Perednimore dhe me këtë edhe rikthimin e plotë në familjen evropiane.
Trajtimi i këtyre fenomeneve me përmasa rrezikshmërie shoqërore nuk toleron “komoditet” të tepruar. Neoliberalizmi dhe populizmi i djathtë ekstrem në Evropë, ashtu si islami politik në botën arabe e gjetkë, tashmë po dëshmohen se nuk janë as ambivalent e as pozitiv në raport me demokracinë dhe lirinë, përkundrazi, si fenomene janë tejet destruktiv.
Inkopatibiliteti i islamit politik me demokracinë
Mbi mundësinë e përafrimit, respektivisht bashkëjetesës mes kryevlerës së rednit demokratik – lirisë dhe islamit politik, dilemat ishin shtuar sidomos pas inaugurimit të të ashtuquajturës demokraci e re egjiptase. Atëbotë në pushtet përmes votës së lirë në krye të Egjiptit erdhi Vëllazëria Islame. Ndërkaq një vit më vonë, kur shpërthyen demonstrata kundër regjimit të Mohamed Morsit, dhe përgjithësisht Pranvera arabe si flakadan lirie, nga Tunizia u shtri drejt Sirisë për ta trandur më pas, në verën e 2013 -ës edhe Turqinë e Erdoganit, dilemat rreth bashkëjetesës së mudnshme të islamit politk dhe demokracisë u shtuan së tepërmi. Kristine Shirmaher (Christine Schirrmacher) në librin e saj „Islami dhe Demokracia: Një kontrast“ (2013), në mënyrë intenzive është marrë me ktë temë.
Shirmaher në fund të studimit të saj parashtron pyetjen e pashmangshme lidhur me raportet mes islamit dhe demokracisë. Ajo, dëshmon në analizën e saj relativisht shterruese se, pavarësisht zgjedhjeve të lira në Egjipt dhe Tunizi, partitë me begraund islamik kishin prioritet shoqëror dhe në asnjë rast nuk vihej në pikëpyetja fitorja e tyre. Dhe kjo ndodhë pavarësisht faktit se ato nuk janë distancuar asnjëherë nga parimet e tyre politike qenësore që ndërlidhen me gjakimin për aplikimin e Sharias. Ndërkaq, nisur nga ky parim, ajo thellon studimin e saj për të reflektuar se cilat pjesë kuranore dhe ato të Sharias bien ndesh me vlerat themelore të demokracisë.
Studjuesi tjetër mirënjohur politologu nga Universiteti i Heidelberger -it, Prof. Dr. Wolfgang Merkel, mbron tezën se Islami dhe Demokracia nuk janë kompatibël, meqë bota islame nuk njeh ndarjen mes shtetit, ligjit dhe religjionit.
Rezultatet e studimeve empirike flasin gjithashtu për inkompatibilitetin e islamit me demokracinë, sidomos islamit politik. Rënia e diktaturave të djathta në Greqi, Portugali dhe Spanjë në mesin e viteve ’70-ta të shekullit XX-të, ishte vala më e gjerë e demokracisë reale në historinë e njerëzimit. Deri në vitin 2000 në kuadër t kësaj vale, ishin përfshirë më se 87 vende ish diktatoriale, të tipit autokrat, ku ishin praktikuar elementet minimale bazë të demokracisë, siç është e drejta e shprehjes së lirë dhe zgjedhjet e lira. Nga gjithësejt 192 shtete (anëtare të OKB) sa ishin në vitin 2000, 121 prej tyre ishin kualifikuar nga Freedom House si demokraci elektorale „electoral democracies“. Në mesin e tyre ishin vetëm 11 shtete, ku shumicë e popullsisë janë të besimit islam. Ndërkaq nga 47 shtete ku praktikohet besimi islam në shumicë, në vitin 2000, vetëm në 11 prej tyre kishte rezultuar se praktikohen elemente minimale të demokracisë („electoral democracy“), ndërkaq 77 % e tyre kishin regjime diktatoriale. Nga pjesa tjetër e shteteve, 145 sosh që i përkasin shoqërive ku nuk praktikohet islami si religjion, 110 prej tyre ishin kualifikuar si demokraci elektorale. Kjo kuotë përbën 76% të tërësisë, brenda së cilës 24% e vendeve kanë regjime autokratike.
Ky bilanc rezulton edhe më i përmbysur, kur kemi parasysh se cilat vende janë kualifikuar si demokraci elektorale. Freedom House ka kualifikuar si vende demokratike: Shqipërinë, Bangladeshin, Xhibutin, Gambian, Indonezinë, Malin, Nigerin, Senegalin, Sierra Leonen dhe Turqin. Ndërkaq nga 16 shtetet që cilësohen si bërthama e botës islame, (që shtrihen në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore), nuk ishin as edhe njëri prej tyre që përmbushnin minimumin e vlerave demokratike për t’ u cilësuar si vende të demokracisë elektorale. „electoral democracy“.
Politologu Volfgang Merkel, në kuadër të Forumit Universitar të Sudwestrundfunks, 2003, me temën „Përplasja mes civilizimeve – Perendimi dhe bota islame’“ , në përmbyllje të forumit ishte shprehur se, nëse këto “demokraci” do t’i nënshtroheshin vlerësimit më rigoroz, asnjëri prej tyre nuk do ta kalonte dot rubikonin e të cilësohej si shtet i së drejtës dhe vend demokratik.
Eksperimenti turk dhe demokracia reale
Demokracia evropane dhe ajo perendimore në përgjithësi ka kaluar nëpër kalvarët e revolucioneve shoqërore të cilëve ju ka parapri beteja intelektuale mes iluministëve dhe botës shkencore në tërësi në njërn anë dhe Kishës si institucion, në ann tjetër, për të arritur deri tek revolucioni demokratik (1789) i ndarjes së Shtetit nga Kisha dhe kultivimit eksplicit të mendimit sekular në raportet shtet-fe.
Tek pasi Sharia dhe Kurani t’i nënshtrohen mendimit kritik, gjasat që demokracia të ketë mundësi zhvillimi e kultivimi real, do të jenë të hapura, konkludon Kristine Shirmaher. Por, në fakt, kjo do të mund të ndodhte vetëm atëherë kur në botën islame do të fillojë epoka e ndryshimeve që i paraprinë interpretimi teologjik.
Në fakt, gjithandej, si në Perendim edhe në Lindje, rreziku i shndërrimeve regresive, përmbytjes së rendeve shoqërore nga demokracia në diktaturë, nuk është diçka e re. Si Hitleri në Gjermani, ashtu edhe Milosheviqi në Serbi. në pushtet kishin ardhur me vota të lira. Ky shndërrim bëhet edhe më i shpejt, atëherë kur qeveritë cenojnë lirinë e medias, të drejtat elementare për jetë dhe para së gjithash kur nuk arrijnë dot të garantojnë barazinë e qytetarëve para ligjit. Këto vlera nuk janë thjeshtë vetëm pjsë përbërëse, genuine, të një rendi demokratik. Ato janë tejet të domosdoshme për mbijetesën dhe zhvillimin e demorkacisë si rend shoqëror dhe sistem vlerash politike progresive.
Diçka e ngjashme po ngjet me eksperimentin turk dhe fenomenin politik të Partisë së Drejtësisë. Koketimi mes neoliberalizmit me fëtyrë orjentale, që promovoj kjo forcë politike në këtë periudhë të bumit ekonomik turk, populizmit ekstrem djathtistë dhe islamit politik, një miks ky i lloit të vet, nuk kishte si të mos prodhojë krizën politike në të cilën tashmë ka hyrë Turqia.
Eksperimenti i Erdoganit dhe ekipit të tij për rimëkëmbjen e ndjesisë ekspansioniste turke përmes frymës neootomane të deklamuar zëshëm qoftë nga ai, qoftë nga ministri i jashtëm turk, Davud Turkutogllu, nuk janë as ambivalent e as pozitiv në raport me demokracinë dhe lirinë, por edhe me vet përspektivën e Republikës turke.
Pas protestave masive për mbrojtjen e Sheshit Taksim në Stamboll verën e vitit që lam pas, ndërkohë javë të tëra Turqia jeton krizën politike ndër më të veçantat.
Islami politik që po kultivon Erdogani dhe jo vetëm ai, ka pretendime të qarta që të marrë nën kontroll të plotë fuqinë që të jep shteti dhe pushteti, duke mos përfillur fare normat demokratike. Shih për këtë polarizimi i shoqërisë është proces i pashmangshëm.
Strukturat më të larta të Gjyqësorit turk, Prokuroria e Shtetit, instanca më e lartë e Juridiksionit të Pavarur, po i nënshtrohet presionit permanent politik të qeverisë s Erdoganit. Përplasja ishte e pashmangshme. Gjykata e Lartë e Administratës vendosi që ta refuzojë urdhëresën e Erdoganit lëshuar Policisë, përmes së cilës e obligonte atë që kërkesat për hetime të Prokurorisë së Shtetit, paraprakisht t’i paraqes tek kreu I ministrisë përkatëse. Reagimi i Erdoganit në këtë rast ishte krejtësisht i ngjashëm me atë të despotëve. Shteti jam unë, rrjedhimisht edhe ligji jam unë, duket se po trumpetonte Erdogani tek po i urdhëronte institucionet e drejtësisë që të sillen në përputhje me interesat e tij dhe të partisë së tij.
Seneka nuk thoshte kot se “Fenë vegjëlia e beson. Të diturit e përbuzin. E të pushtetshmit e përdorin.”

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura