PËRPARIM DEMI: PO ME DIPLOMACINË SHQIPTARE Ҫ’DO TË BËHET?

Bukuresht, 08. 09. 2013 – Përjetojmë rotacionin, një qeveri ikën dhe tjetra po bëhet gati të marrë frenat e vendit në dorë. Të gjithë presin. Të gjithë shpresojnë, por ca kanë dyshime, nuk besojnë. Probleme të shumta, halle pa mbarim, nevoja urgjente, korrigjime, rregullime pa fund, hatëre, borxhe…. karrige të boshatisura që presin ulësin e ardhshëm fuqiplotë. Nuk e di a e ka gjetur shkopin magjik Edi Rama që t’i zgjidhi problemet dhe t’i kënaqi të gjithë? Pyes dhe unë, me idenë, që dhe në se ka gjetur, mos ndoshta ia ka dhënë dikush hua, për këtë ditë të zezë.
Zgjedhjet kaluan, gjakrat u ftohën, është koha e hesapeve. Shumë, e zbutën gjuhën, e shuan flakën me ujin e detit. Të tjerë lahen me verën, birrën, rakinë e festës së madhe, pa qenë të sigurt se imagjinarja do u bëhet realitet. Premtimet si zëri u holluan, u ngjirën, u kthyen në copa frazash pa kuptim. Si në një pllakë gramafoni të vjetruar muzika mbeti, u ndërpre, po dëgjohet një fishkëllimë e gjatë. Altoparlantët po ndryshojnë regjistrin, po repozicionohen, po ndërrojnë drejtimin për një tjetër publik, i cili priste i heshtur efektet e parave të sakrifikuara, të dhëna jo për sadaka. Ca thanë se i bënë hallall, haram i paçin – thanë ca të tjerë.
Gumëzhin sofra e krimbave, që s’po përballojnë kufomat e premtimeve të hedhura pas zgjedhje. Tokë e pasur u bë Tirana brenda ditës, pjellore, prodhon çfarë i hedh dhe sa i hedh. Në dhjetë fara njëra mbin, të tjerat kthehen në ushqim për mizat dhe insektet fillimisht, pastaj për brejtësit e qorruar të nëntokës shterpë të uritur dhe të etur. Punë e madhe mbi tokë dhe akoma më e madhe nën dhe, në errësirën e përjetshme ku jetojnë mijëra gjallesa, që tresin pa u ngutur jashtëqitjen e panevojshme për momentin. Ekuilibri i natyrës rivendoset përherë, asgjë nuk humbet, ndërron formën, transformohet, nga krimbi ringjallet njëriu dhe e kundërta, njëriu në krimb kthehet. Shkon në origjinë.

Ik Salua – vjen Edvini!

Punë të madhe kanë kafenetë sot në Tiranë, mos flas për restorantet dhe klubet rreth e përreth. Të krijohet përshtypja e ringjalljes së qytetit, i cili ishte i gjallë dhe më parë, por tani u ringjall përsëri dhe më tepër, u bë dhe më i gjallë, i gjallë mbi të gjallët. Lëvizje makinash, shtrëngime duarsh, valë zërash të lartë që përfundojnë në pëshpëritje në veshat e hapur, që ngatërrohen me fëshfëritjet, muzikën e vjeshtës së sapo filluar. Zhurmë telefonash mbulojnë kudo vendet publike, s’pushojnë, s’ka ligj t’i ndaloj as pas orës së mesnatës, punojnë deri në mëngjes, regjim – NON STOP.
Shtatori i studentëve të provimeve të vjeshtës apo i studentëve të rinj nuk po ndjehet, u mbulua nga shtatori i qeverisë ringjallëse që si ka përveshur mëngët akoma, si ka veshur rrobat e punës, as çizmet e dimrit akoma si ka marrë nga depot e boshatisura. Shyqyr që meteorologët u treguan dashamirë, të njerëzishëm, mikpritës të vërtetë, pasi njoftuan se në Shtator nuk do kemi shira. Po Tetori, po Nëntori…? Dhe dimri që vjen më pas.
“Do i korrigjojmë të gjitha” – premtojnë – “prisni dhe pak”. Luga u bë qepshe dhe thika sëpatë. Si mban shtëpia miletin dhe hop dalin, mos kapin ndonjë fjalë. Kur s’dëgjojnë gjë, takohen me njëri- tjetrin, flasin, prodhojnë lajme imagjinare, pastaj gëzohen apo zemërohen sipas vendit dhe shakasë. Takohen të gjithë, në grupe, sipas ngjyrave të kravatës, numrit të këmbës, markës së makinës, ose ndoshta dhe moshës së gruas apo dashnores së re. Flasin dhe përflasin papushim, pa pauza edhe kur e kanë gojën plot. Atmosferë e ndezur, sikur të ishte dasmë e kaluar dasmës. Peshqeshet zënë radhën, peshohen në ankand, fiton më i madhi, më i bukuri, më i vlefshmi, më i shtrenjti – që shpallet peshqeshpashai. Të tjerët ulin kokën duke murmëritur kur kalon ai.
Sa mirë, sa bukur, më sjell në hatër kohën e shkuar, dikur, kur karvanët plot drejtoheshin për në Portën e Lartë gjithë lezet. Ç’të bënin pashallarët e gjorë atëherë, o tava me flori, o koka në tavë. Varianti i fundit ishte në male. Shumë që s’kishin fuqi të hipnin rrëpirat e larta, shtriheshin me kokën në dhe, shisnin gruan, vajzën, lëkurën e ç’të kishin nën vete, se në pazarin e kokës s’kishte atdhe.
Më duket sikur i kam para syve skenat me radhët e diplomatëve tanë të varfër që ruajtën pushimet për ca punë urgjente që u kanë dalë papritur këto ditë në Tiranë. Rrugët plot me makinat e tyre të zeza me targat CD, TD, trotuaret para kafeneve ngjyrosen me shijet e kostumeve të zgjedhura nga gratë e sprovuara në punët e diplomacisë. Seriozë, hijerëndë, shndërrohen pa pritur buzagaz, përshëndesin kalimtarin që meriton vëmendjen e tyre. Kur kanë fat i japin dorën personalitetit, përqafohen, i fusin krahun dhe e ftojnë në tavolinën e porositur që më parë. Të shkretët, jo gjithmonë u buzëqesh fati, pasi kolegu i tij ja kishte zënë pusinë pak më përpara. Nejse, ka prapë ditë perëndia, nuk dorëzohen, të nesërmen e fillojnë nga e para. Pa sakrifica asgjë nuk bëhet.
Kam dhe unë një ambasador të vogël këtu. Është zhdukur pa gjurmë këto ditë. Ai gjithë vitin fshihet, por tani se gjen dot gjëkundi. Jam në merak për fatin e tij, se është i vogël dhe s’di as të flasë i gjori. Ishallah e ka marrë gruan me vete. E si do bjeri në sy ky, që është sa një çizme para diplomatëve të tjerë trupmëdhenj. Do e shtyjnë me bërryla mavrinë, do e shkelin “pa dashje”. Po ai nuk dorëzohet, është i sprovuar qerratai, helm i tëri. I vogël, i vogël, por punën e bën të madhe. U futet në xhep, u futet në vesh, i pickon ku i thotë gruaja, i gudulis me lezet, ehuu… sa marifete ka. Me siguri që është konsultuar me fallxhoren e tij, prandaj shpresat e tij nuk humbin kollaj.
Tani që u ringjallëm, do ringjallet dhe diplomacia jonë. Do e shihni ju se çfarë do bëjnë – namin. Do habitet dynjaja nga diplomacia shqiptare, politikë të rëndë do kemi, hë hë… nuk është shaka.
Skeptik kronik kam mbetur. I mbarsur me mallin, nostalgjinë, trishtimin tonë karakteristik dhe me hallet e kurbetit, ri e mendoj: – Po me diplomacinë shqiptare çdo bëhet?
Kam qejf dhe unë të ëndërroj, makar natën se ditën s’kam kohë. Po ja që jam i lodhur, në darkë bie i dërmuar dhe ëndrrat e bukura më mungojnë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura