SADRI RAMABAJA: LAMTUMIRË SUPERFUQI!

Prishtinë, 31. 08. 2013 – Përmes votimit kundër projektit të kryeministrit David Kameron për fillimin e intervenimit kundër Sirisë, Parlamenti i Britanisë së Madhe i dha fund pretendimit për të ruajtur me çdo kusht imazhin e një superfuqie. Parlamentarët e ri me këtë akt historik rikthyen peshën e luhatur të Parlamentit, por njëkohësisht dëshmuan se janë vetë ndërgjegjia e re e kombit.
Vota në Dhomën e ultë të Parlamentit britanik e ndërlidhur me luftën në Siri, ishte shpërfaqja më reale e ndjeshmërisë që kanë sot qytetarët europian për pasojat që mund të ketë përsëritja e skenarit të Kuvajtit dhe Irakut në Siri. Parlamentarët britanik dëshmuan se janë zë i qytetarëve që i përcjellin mesazh të qartë qarqeve militariste.
Ora e vitit të largët 1210 duket se sërish është rikthyer në truallin e demokracisë parlamentare, aty ku filloj betejën për të kufizuar veprimet absolutiste të mbretit. Edhe kësaj radhe, historinë nuk e bënë burrështetasit, por parlamentarët, disidentët që kanë zënë vend në Parlament. Këtë moment historik Britania e Madhe e jetoj në orët e vona të së enjtes, respektivisht në agsholin e së premtes. Këtë natë e bën historike edhe ky fakt: ishte hera e parë që prej 50 vjetëve që parlamentarët e Dhomës së ultë kundërshtuan kryeministrin duke mos i dhënë mbështetje për veprime me karakter ushtarak jashtë truallit të Britanisë së Madhe. Komentatorët kanë shfletuar kronikat dhe një rast të ngjashëm madje e kanë shënuar të ketë ndodhur vetëm në vitin 1782, kur parlamentarët britanik me vendosmëri ia kishin refuzuar kryeministrit të atëhershëm urdhërin për ta futur vendin në luftra të jashtme. Atëbotë fjala ishte për intervenim që të pengohej pavarësia e SHBA-ve. Me atë akt Parlamenti gjithësesi kontribuoi në lindjen e një shteti të ri, që do të shndërrohet më pas në aleatin e natyrshëm të Britanisë, ndërkaq me vendimin e së premtes, britanikët jo vetëm se nuk do të marrin pjesë në koalicionin që do të mblidhet rreth SHBA-ve në luftën e pritshme kundër Sirisë, por me këtë parlamentarët britanik dhanë një kumt politik me peshë, duke i dhanë lamtumirën epokës imperiale britanike.

Politika elitare britanike duket se e ka kuptuar që Kriza e Suezit (1956), tashmë është një histori. Britania atëbotë, si edhe në vitet paraprake në koordinim me superfuqitë tjera ose vetëm, insistonte të impononte rezonin politik se gjithandej në hemisferën e globit, kudo ku mund të cënoheshin interesat britanike, ajo do të duhej të ishte në gjendje të intervenonte ushtarakisht.
Pjesa dërmuese e atyre deputetëve që votuan kundër mocionit të kryeministrit Kameron në agsholin e së premtes ishin kryesisht deputet të ri, që për herë të parë ishin zgjedhur të përfaqqësonin vullnetin politik të një gjenerate britanikësh të zhveshur nga aurola imperiale.
Me këtë akt historik parlamentarët britanik rikthyen peshën dhe vlerën e luhatur të Parlamentit. “Përse të insistojmë tutje të mbajmë në jetë imazhin e një superfuqie?” pyeste para se të votohej në Parlament, Stephen Glover, kolumnisti i konservatores «Daily Mail». Të gjithë politikanët e donin këtë rol, shkruan ai tutje, sidoqoftë Kombi ka nevojë të vlerësojë kufijtë e tij mbi baza reale. Këtë e bën parlamentarët britanik duke rrëzuar mocionin e kryeministrit. Për aventura të nxituara dhe të paargumentuara, duket se Britania tashti as nuk ka oreks, por as edhe force. Kjo elitë politike me këtë akt dëshmoi njëkohësisht se është ndërgjegjia e re e kombit.
Por a do të veprojnë ngjashëm edhe parlamentarët tjerë europian, që konsiderohen si disidencë e llojit të vet në raport me politikat intervencioniste?
Shumica e europianëve nuk arrijnë të kuptojnë se përse do të duhej të vazhdoheshin luftrat si ajo në Avganistan, Kuvajt, Irak, Libi…

Qytetarët europian tashmë e kanë të qartë se makineria e luftës, sidoqoftë, është vënë në lëvizje. Tashmë jemi në agsholin e njërës prej luftrave më të përgjakshme. Mbetet të shihet se a do të përfshihen në luftë drejtpërdrejt (meqë tërthorazi tashmë janë në luftë) edhe Irani dhe Izraeli. Nëse po, atëherë bota në përfundim të saj do të jetë krejt ndryshe nga ajo që jetojmë sot…
Krahas këtij vetëdijësimi për pasojat katastrofale të një lufte me shumë të panjohura, duket se edhe kriza e rëndë ekonomike që po kalojnë pjesa më e madhe e europianëve dhe masat shtrënguese që kanë marrë qeveritë në rrafshin e kursimeve, ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e dozës së pasigurisë. Shtrëngesat kanë prekur gjithandej sistemin social dhe arsimin, dy sfera tejet të ndjeshme për politikanët e rinj të pa implikuar në mekanizmat e veprimit kompleks të lobeve të industries së luftës.
Sidoqoftë ky leksion i parlamentit britanik, duket se nuk ka vlerën e duhur politike për presidentin e Francës, François Hollande. Ai tutje mbetet i vendosur që të rreshtojë Francën krah SHBA-ve dhe aleancës që po pritet të krijohet në sulmin ndaj Sirisë. Ndërkaq gjermanët duket se po mbesin disi të tërhequr. Shih për këtë ankesat e politikanëve amerikanë se europianët i ikin përgjegjësisë së tyre në politikën botërore në kurriz të SHBA-ve, merr konotacione reale.

……………………………………..

Militäreinsatz in Syrien ohne Großbritannien

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura