SADRI RAMABAJA: REFLEKSIONE PËR ZHVILLIMET NË SIRI

(Prishtinë, 27. 07. 2012) – Kthesa e pritshme në Siri nuk ndodhë vetvetiu. Perendimi do të duhej të mbështeste kryengritësit në mënyrë masive dhe atë jo thjeshtë vetëm duke marrë në konsideratë anën humane. Mosndërhyrja e hapur e Perednimit do të ketë konsekuenca të dhimbshme dhe afatgjata: vdekje dhe masakra të papara, por edhe deportime masive.
Skenari më i keq i mundshëm: lufta e gjatë civile
Popujt arab jetojnë me ndjesinë e të qenunit të poshtruar. Kjo ndjesi, tek ata nuk është krejtësisht e pa bazë. Ata e ndjejnë veten se janë të shpronësuar nga e tanishmja, por edhe nga e ardhmja. Të ardhmen e ndjejnë se nuk po arrijnë dot ta projektojnë vet, ashtu si duan dhe munden. Kjo ndjenjë e poshtrimit që të kthehet në shpresë për një të ardhme që do të përputhej me pritjet kulturore, shoqërore, ekonomike e politike kishte nevojë për pranverën arabe, që në rastin e Sirisë u dëshma si tepër e vonuar, ka nevojë për një minimum të mundshëm vetësigurie. Duket se ndërkohë këtë vetësiguri e kanë fituar kryengritësit, përderia kanë fituar pozicione të reja. Madje vala e kryengritësve tashmë ka përlarë edhe lagjet e Damaskut. Sipas ekspertëve ushtarak Ushtria revolucionare për Çlirimin e Sirisë (UÇS) ka nën kontrollë më shumë hapësirë se pushteti. Ky mund të cilësohet si lajm i mirë, por lajmi I keq është se prapa krejt këtij marrshi kjo ushtri është pa logjistikën e duhur. Nëse ushtria e rregullt e pushtetit ka para dhe tanke, helikopterë e madje edhe armë kimike e biologjike, revolucionarët e UÇS përveç idealit të lirisë, minimumit të vetësigurisë që po e kalisin çdo ditë, kanë pak nga këto mjete të domosdoshme për përballje afatgjatë.

…………………………….

LUFTA NË SIRI: KËSHILLI I SIGURIMIT ZGJAT NJË MUAJ MISIONIN VËZHGUES

……………………………

Sidoqoftë, sipas lajmeve nga zonat e luftimit dhe raportet e agjencive të specializuara, Siria ndodhet para një kthese historike. Në rast se Perendimi do të mbështeste kryengritësit, duke mos marrë shumë në konsideratë prapavijën ideologjike të grupimeve politike që përbëjnë UÇS, lufta do të mund të përmbyllej relativisht shpejt. Në të kundërtën, luftimet mund të vazhdojnë me vite, të jenë herë-herë shumë të ashpra dhe me pasoja të pallogaritshme për përspektivën e shtetit.
Për të ardhur deri tek kjo pikë kthese, sipas të dhënave të OKB-së, që tashti janë shënuar mbi 15.000 viktima, aq sa kishte lufta në Libi, sa e justifikoj ndërhyrjen e Perendimit, pavarësisht vetos ruse dhe abstenimit gjerman.
Intervenimi i mundshëm ushtarak nga jashtë ndërkohë vlerësohet si tejet kritik. Ndërkaq është tejet e qartë se mjetet diplomatike despotizmi i llojit të Asadit, që i shëmbëllen aq shumë atij të Millosheviqit, nuk i përfill e as nuk i njeh. Madje që tashti mund të thuhet se përpjekjet diplomatike të Perendimit bashkë me Misionin Vëzhgues të OKB-së kanë pësuar fiasko. Madje vëzhguesit e OKB do të mund të përfundonin shpejt si pararendësit e tyre në Bosnjë, të lidhur për shtylla elektrike, duke i shkaktuar gaz despotit në damask! Disi ngjashëm si në rastin e Bosnjës dhe Kosovës, në anën e së keqës, ndodhen tok, Rusia dhe Kina, duke i mundësuar Asadit vazhdimin e lojës së dyfisht: botërisht shpallë fillimin e reformës, ndërkaq në prapaskenë jep urdhëra shërbimit të tij të fshehtë dhe ushtrisë për thyerje brinjësh e kokash.
Pala në anën tjetër të barrikadës pret ndihmë dhe për ta nuk çon peshë se nga vjen ndihma: nga Perendimi apo nga Al Kaida. Kjo do të duhej të ishte arsyeja shtesë përse Perendimi do të duhej të vepronte më urgjentisht, pa përjashtuar as ndihmën e pakursyer ushtarake për kryengritësit. Nëse intervenimi i drejtpërdrejtë ushtarak supozohet se mund të ndikoj negativisht në prishjen e balancave në rajon, atëherë ndihma për kryengritësit do të ishte alternativa e vetme. Mosndërhyrja ushtarake e Perendimit tashmë është e qartë, u ka hapur rrugë për veprim brutal forve të qeverisë së Asadit. Ndërkaq në radhët e kryengritësve, për pasojë, është forcuar krahu radikal. Krahas kësaj, kryengritësit kurdë pa hasur në farë rezistence serioze, kanë larguar ushtrinë siriane, dhe kanë proklamuar “Rajonin Autonom të Kurdistanit verior”. Me këtë akt sikur po paralajmrohet mundësia e lindjes së bërthamës së shtetit kurd në veri të Sirisë, për gjatë pothuajse gjithë kufirit me Turqinë, ku jetojnë shumica nga gjithësejt 3 milion kurdëve të Sirisë. Ky fakt ka shqetësuar shumë Turqinë dhe Iranin,raportojnë mediat turke, arabe dhe ato kurde.

…………………………….

LUFTA NË SIRI: REBELËT KONTROLLOJNË KUFIRIN ME TURQINË DHE IRAKUN

………………………………….

Në këtë rrjedhë të ngjarjeve në Siri rol të ndjeshëm po luajnë edhe kurdët nga veriu i Irakut. Televizionet turke javën që shkoi dhanë pamje nga marrshi I më se njëmijë luftëtarëve kurdë drejt Sirisë. Sipas presidentit irakian Masud Barzani fjala është për formacionet që janë trajnuar për të shmangur “vakumin e sigurisë në very të Sirisë”. Duke marrë parasysh pretendimet e hapura të Barzanit për të prezentuar zonën veriore kurde të Irakut si entitet pothuajse të pavarur që luan peshë në politikat e sigurisë për rajonin, konkluzioni se me shpërbërjen e Sirisë po krijohen kondita të përshtatshme për krijimin e bërthamës së Shtetit Kurd, duket logjik. Ndërkaq insistimi I dy forcave politike kurde për , që shtrijnë aktivitetin politik përtej tri provincave kurde, “Këshilli Nacional Kurd“ dhe parasëgjithash ai që vie nga „Partia Demokratike e Bashkimit“(PYD) e bën edhe më të qartë pretendimin për hedhjen e themeleve të autonomies kurde.
„Turqia do të duhej shumë më pak të shqetësohej prej të ashtuquajturit libanizim të provincave që shtrihen gjatë gjithë kufirit, se sa pavarësisë së Kurdistanit në kufijtë e tij jugor“, shkruan e përditshmja e Stambollit Milliyet. Ndërkaq tërheqjen e trupave siriane nga zonat kurde në Sirinë veriore, kjo gazette e ndërlidhë me marrveshjen e mundshme të diktatorit Baschar al-Assad me Partinë e Punës së Kurdistanit (PKK), për mbështetje financiare dhe ushtarake. “Në horizont është ngritja e Kurdistanit të madh, që do të jetë në vazhdimsi të kufijve të Turqisë jugore“, supozon Milliyet.
Kjo situatë, nëse vrojtohet në rrafshin psikologjik e emocional, siç do të preferonte të bëjë Dominique Moisi, jo vetëm tek sirianët, por edhe tek turqit, do të mund ta thellojë ndjesinë e poshtrimit politik e kulturor. Por krahas kësaj, së paku kryengritësve sirian, lufta do t`ju forconte vullnetin për liri dhe dinjitet, duke jua kthyer besimin tek vetvetja, tek identiteti i tyre.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura