GJOKË DABAJ: ENTUZIAZMI PATRIOTIK DHE GAFAT NË SHKENCAT E ALBANOLOGJISË

(Durrës, 23 korrik 2012) – Vitet e fundit, dua të them, 2 dhjetëvjetëshat e fundit, u botuan dhe vazhdojnë të botohen shumë libra dhe shkrime (Shkrimet, artikujt, sidomos në mediat elektronike), që lidhen me shkencat e albanologjisë. Në krahun tjetër, kemi një anemi, një asfiksim, krejt të pajustifikueshëm, të veprimtarisë udhëheqëse, udhërrëfyese dhe mbikqyrëse të institutevet tanë të albanologjisë dhe të 2 akademivet tona.
Ajo që vihet re dhimbshëm dhe që na dëmton shumë rëndë, si vetë shkencën tonë kombëtare, pra Kombin tonë, ashtu edhe ne autorët, janë PASAKTËSITË, shpeshherë ULURITËSE, që hasen në shumë libra dhe në shumë shkrime që u takojnë këtyre fushave.
Duam të shpjegojmë e vërtetojmë prejardhjen tonë të lashtë, dhe e mbushim tekstin me thënie të pasakta, të pashpjeguara bindshëm, të pambështetura në argumente të atillë, që të mos mund të na rrëzohen. Flasim për pellazgët, flasim për ilirët, flasim për arbërit, dhe i bëjmë gjërat aq lëmsh, sa edhe vetë, kur t’i lexojmë, nëse jemi sadopak prudentë, themi: “A unë i paskam thënë këto gjëra kaq ngatërrueshëm, kaq për ibret?!” Nganjëherë ngulim këmbë dhe mendojmë: “Më mirë se unë s’ka folur askush gjer më sot.” Flasim për krejt historinë e Europës, pa e njohur as 3% atë histori, flasim për sllavët e për grekët në atë mënyrë që, kur të na i lexojë kundërshtari ato që kemi thënë, atij i vjen ironikisht mirë, sepse e ka krejt të lehtë për t’i hedhur poshtë pohimet tanë. Ai thjeshtë tallet me ne, kur lexon të këtilla gafa.

……………………………………………………..

Një shumicë e këtyre autorëve futen në fushë të gjuhësisë, sidomos në etimologji, pa qenë as përafërsisht gjuhëtarë. Duan t’i shpjegojnë fjalët SE S’BËN, edhe atëherë kur dinë fare pak ose kur nuk dinë asgjë nga fonetika historike, nga morfologjia historike, nga fjalëformimi, dhe janë krejt profanë në gjuhësinë krahasuese.
Profesorët tanë më të njohur, që disa prej këtyre autorëve gafëmëdhenj i injorojnë e as që duan t’ua lexojnë veprat, kanë qenë shumë të kujdesshëm në ato që shkruanin. Kemi pasur (dhe disa prej tyre vazhdojnë edhe sot të jenë aktivë) një plejadë të tërë dijetarësh të këtyre fushave. Kanë qenë: A.Xhuvani, E.Çabej, I.Ajeti, A.Buda, M.Domi, Sh.Demiraj, S.Riza, S.Anamali, K.Cipoja, H.Ceka e në vazhdim N.Ceka, S.Dobroshi, M.Korkuti, M.Krasniqi, M.Tirta, A.Çeta, A.Hadri, A.Onuzi, J.Thomai, D.Shala, Z.Sakoja, A.Kostallari, Q.Haxhihasani, Gj.Shkurtaj, S.Mancaku, M.Çeliku, E.Hysa, N.Draga, K.Ashta, Q.Murati, E.Kastrati, J.Gjinari, R.Ismajli, R.Përnaska, H.Koliqi, Z.Mirdita, K.Topalli, Xh.Gjeçovi, Dh.Shuteriqi. Vargu i kësaj plejade dijetarësh është i gjatë. Secili ka dhënë në këto fusha aq sa ka mundur, por cilësia e tyre e përbashkët ka qenë kjo: Ishin të kujdesshëm në ato që shkruanin. Disa vazhdojnë të punojnë edhe sot dhe janë gjithashtu tradicionalisht të kujdesshëm.
Sigurisht, brezat e dijetarëvet në fushat e albanologjisë në vazhdim, nuk do të mbeten skllevër të atyre gjërave që kanë konkluduar ata paraardhës. Brezat e dijetarëvet të sotshëm dhe të ardhshëm do ta thonë me forcë fjalën e vet. Por jo edhe të flasim fare kot, pa u mbështetur në argumente që e bindin lexuesin. Vetë ne mund të jemi të bindur, por duhet të bindim lexuesin, sidomos lexuesin e mirinformuar. Më pat thënë njëherë Prof.Bahri Beci, mbështetur në thënien e një gjuhëtari të madh: “Etimologjia është si një fushë me mina. Duhet të jesh specialist i mbaruar, që të shpëtosh pa të bërë minat copë-copë.” Dhe mua shpeshherë më shkon mendja pikërisht te kjo thënie. Mirë që një ushtar (në rastin tonë, një autor i shkrimevet të tillë të pakontrolluar), po vret veten prej budallallëkut të vet, por nga vrasja e tij po e pëson krejt ushtria (në rastin tonë, po e pësojnë shkencat e albanologjisë). Nisemi për të vënë vetulla, thotë populli ynë, dhe nxjerrim sytë. Të na rrojë patriotizmi, kur nuk dimë të jemi patriotë!
Kur flasim për shtrembërimet që i kanë bërë albanologjisë, përfshirë aty, natyrisht, edhe historinë iliro-arbro-shqiptare, ne gjurmojmë dhe përpiqemi të kapim pikërisht TË PAVËRTETAT që janë thënë. Por kur vetë ne themi TË PAVËRTETA, a nuk u bëjmë shërbime shtrembëruesvet të qëllimtë të së kaluarës sonë?!
Prandaj duhet të kemi shumë kujdes. Unë fut këtu edhe veten. Nuk duhet që entuziazmi i atdhedashurisë, dashuria për Kombin, të na shtyjë të bëjmë GAFA, shpeshherë qesharake, madje të atilla që njeriut i vjen vërtet keq, pse dalin gjëra të tilla prej të njohurvet dhe prej miqvet tanë. Na vjen keq dhe druajmë t’ua themi, nga frika se mos na zemërohen. I kemi miq, mikesha, të njohur e të njohura. I simpatizojmë dhe i duam, sidomos për përkushtimin e tyre atdhetar, por druhemi t’ua themi, se rrëzikojmë të humbasim miqësinë e tyre. Unë prandaj dhe nuk prura shembuj në këtë shkrim, se nuk po dua t’i prek në sedër dashamirët. Dashamirë, patriotë entuziastë, por gafëmëdhenj!

===============================

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG

GAFA E EQREM ҪABEJT: “…SHQIPTARËT JANË TË ARDHUR NË VISET E TYRE” (!!!) PËR MË TEPËR LEXONI NË FQ.78/79 TË LIBRIT: “HYRJE NË HISTORINË E GJUHËS SHQIPE”:

*   *   *

ALARM: ALBANOPOLI – NJË QYTETËRIM I LASHTË, PO HUMB ҪDO GJURMË!
Një qytetërim që po humbet dita ditës çdo gjyrmë në Zgërdhesh të Fushë Krujës! Vendi prej nga vjen emri Albania, është kthyer në një hambar për të mbajtur mullarët e fshatarëve, mbuluar nga gurët e shek.IV para lindjes së Krishtit.(!!!) Në vazhdim, shikoni dy videomateriale për këtë vend të lashtë – që po varroset çdo ditë nga vet shqiptarët!

……………………………..

_______________________

(PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura