Prishtinë, 16. 10. 2014: Histeria kolektive e mijëra serbëve në Beograd gjatë ndeshjes midis Kombëtares së Shqipërisë dhe asaj të Serbisë, nuk ishte as shfrim momental dhe as shpërthim i beftë i rivaliteteve aq të shpeshta në sport. Mitingu fashist në stadiumin e Beogradit, është vetëm maja e akullnajës së një fashizmi të gjithështrirë në shoqërinë serbe gjer në thellësitë e padukshme të nënvetëdijes kolektive serbe. Megjithëse është një pjesë që pëlqen të besoj se akti i djeshëm nuk përfaqëson popullin serb, një vëzhgim i esëllt i çështjes tregon se gjërat janë pabesueshëm më keq se kaq. Shumica e opinionit në Serbi nuk e kanë as idenë më të vogël të barbarive e gjenocideve që shteti i tyre ka kryer në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë. Në Serbi ndërgjegjja humane është varrosur ose nëse është gjallë ajo nuk regëtin meqë është e shtypur nga pesha e mendësisë fashiste. Krejt kjo është rrjedhim i asaj që Perëndimi në mënyrë absurde hoqi dorë nga ndëshkimi i Serbisë pas luftës së vitit 1999, duke mos përsëdytur përvojën me Gjermaninë post-hitleriane.
Në Serbi nuk u zhbë ushtria serbe e as nuk u vendosën trupa ndërkombëtare deri në paqëtimin e këtij shteti. Procese si në Nyrenmberg nuk pati, përderisa serbët janë e vetmja shoqëri, tek e cila nuk është bërë kurrfarë katharsisi për të kaluarën e përbindshme jo vetëm gjatë viteve 90-ta, por prej më shumë se një shekulli. Publiku në Serbi vazhdon të besojë me seriozitetin me të madh se janë viktimë e Perëndimit, terren i plleshëm ky për bulimin e farave të një fashizmi i cili tashmë ka hedhur shtat.
Paqëtimi i Serbisë nuk bëhet duke lëshuar pe Brukseli ndaj kapriçove të Beogradit e as përpjekjet idioteske për të minimizuar qenien kriminale të Serbisë, duke e projektuar atë vetëm si një të kaluar të paqenë, të vegullt dhe të struktur diku në mjegullën e historisë. Paqëtimi i Serbisë, duhet thënë shkoqur, gjendet në futjen në karantinë të këtij shteti, derisa të bëhet denacifikimi i saj tërësor.
Në të kundërtën, tolerimi i fashizmit serb në emër të përpjekjeve qesharake për bllokimin e Rusisë neo-cariste, veçse e përkeqëson gjendjen, aq sa nuk ka paqe ndër kasolle, po të huazojmë një titull novele nga Adem Demaçi. Përndryshe, nga ndeshja e 14 tetorit 20014 në Beograd, e cila kuptohet se për qindra arsye nuk mund të cilësohet as afërsisht sportive, duhet të nxirren disa vërejtje dobi-sjellëse.
Tirana zyrtare duhet të përgatis një dosje të vëllimshme të ndodhive të ndjeshme. Janë të pafundme materialet, incizimet, fotografitë që evidentojnë dhunën serbe, e cila ishte e gjithështrirë në Beograd. Arrestimi i dhjetëra dashamirëve e përkrahësve të Kombëtares Shqiptare me pretekste nga më banalet e deri te manovrat me aeroplanë ushtarakë mbi stadiumin ku stërviteshin lojtarët kuqezinj, janë vetëm prologu i ankthit të djeshëm. Dhuna e djeshme e ekstremistëve neofashistë serbë, të cilës iu bashkuan edhe lojtarë të caktuar serbë si dhe pjesëtarë të sigurimit të stadiumit, janë të tjera fotografi të cilat do të trashin dosjen që duhet t’u dorëzohet UEFA-s me rastin e shqyrtimit të hollësishëm të ndodhive barbare në stadiumin e Partizanit në Beograd.
Përveç kësaj, nivelet më të larta të politikës në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni duhet të problematizojnë ndodhitë e djeshme, meqë i tërë rasti ishte thelbësisht politik. Thirrjet e ulërimat e më shumë se 20 mijë shikuesve të harbuar serbë ‘Ubi Ubi siptara’ (Vraje, vraje shqiptarin!), prekin krejt popullin shqiptar. Këto imazhe të shëmtuara duhet t’u përplasen turinjve edhe gjithë atyre euro-deputetëve e pseudo-majtistëve evropian, që jo vetëm i mbajnë ison politikës serbe, por edhe gjejnë shkase nga më banalet për të përligjur gjingoizmin serb. Këto imazhe po ashtu duhet të jenë epifani për gjithë ata politikanë të pandershëm në Tiranë e Prishtinë që gënjejnë vetën se Serbia me afrimin në Evropë, është bërë me demek më e qytetëruar (sic!). Avitja e Serbisë në Evropë, jo që e paqton këtë shtet grindavec e konfliktuoz, por vetëm që e kreshpëron edhe më shumë, ashtu siç llava e ujqve bëhet më e pangopshme përballë një tufe dhensh.
Këto imazhe po ashtu duhet të jenë një epifani e njëmendët për ata pseudo-moderatorë në disa mediume në Tiranë që i bëjnë ftesa muzikantëve serbë të anti-vlerave me arsyetimin se muzika nuk njeh kufi (sic!). Një tjetër akt me simbolikë të qartë të pathyeshmërisë qe edhe fluturakja me flamurin e Shqipnisë Etnike, me portretin e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit dhe mbishkrimin ‘Autokton’, e cila u valëvit para një turme prej 20 mijë racistësh idiotë.
UBI ZAKOLJI DA SIPTAR NE POSTOJI!
Nëse operojmë me gjuhën e semiologëve, fluturakja ishte shënjuesi, përderisa i shenjëzuari në këtë rast është që shqipja autoktone nuk bëhet zap me zinxhir. Kushdo që e bëri atë, qofshin djemë kreativë nga Shkupi apo diaspora, meriton admirim të pafundmë. Teksa valëvitej krenarisht flamuri i Shqipnisë Etnike midis Beogradit, në mendje mu thadrua një imazh thuajse i panjohur për shumicën. Në mendje më erdhi mësuesi e poeti, Fazli Grajçevci, i cili u martirizua pse mbrujti dashurinë për Shqipërinë e flamurin tek nxënësit, kur bashkë me disa shokë të besës diku në vitet e 60-ta, vuri një flamur kuqezi në pjesën e parme të lokomotivës së trenit që lëvizte nga Shkupi në Beograd. Treni do të përshkonte hapësira të pafundme të Jugosllavisë derisa do të hynte në Beograd me flamurin kuqezi në ballë. Për disa ky flamur mund të jetë estetikisht ndër më të bukurit në botë, por ai ka edhe një anë tjetër gjithë-njerëzore. Ai është flamur i përpjekjes për çlirim, anti-kolonializmit dhe humanitetit. Le të jetë kësaj radhe flamur i një Kombi që po përtërihet e po bashkohet në një njësi të vetme!