SALI ONUZI: ALI SHEFQETI (SHKUPI), I PARI SHEF I SHTABIT MADHOR TË USHTRISË KOMBËTARE SHQIPTARE

Tiranë, 02. 12. 2013 – (Më 4 dhjetor bëhen 101 vjet nga krijimi i Forcave të Armatosura të Shqipërisë.) – Në fund të prillit 1913 zbriste nga deti për në Vlorë një shqiptar 30 vjeçar, simpatik, me një ballë të lartë, me mustaqe spic. Tamam sikur të ish pritur vetëm ardhja e tij Qeveria e Përkohëshme e Vlorës do ta caktonte në detyrën e lartë të Kryetarit të Shtabit Madhor të Ushtrisë Kombëtare. Të një Shtabi që duhej edhe të drejtonte në luftë edhe të ngrinte forcat e armatosura, e sidomos ushtrinë e rregullt nga e para.
Ky 30 vjeçar ishte majori Ali Shefqeti (Shkupi), një personalitet i formuar, një patriot i njohur dhe një ushtarak i talentuar. Bir i një patrioti nga Peja, Hysen Shefqetit, dhe një shqiptareje nga një familje e pasur e Shkupit, Aliu u lind po në këtë qytet në shtator 1883. Kish mbaruar shkëlqyer shkollën qytetëse të Selanikut dhe gjimnazin ushtarak të Manastirit, ishte dalluar në shkollën e lartë ushtarake (Harp Okulu) e pastaj në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm në Stamboll, të cilën e kishte përfunduar më 1905 së bashku me Mustafa Qemalin (Ataturkun). Në mbarim të Akademisë kish fituar gradën kapiten i Shtatmadhorisë. Më pas kishte shërbyer në detyra të ndryshme në Armatën III në Maqedoni. I lidhur me lëvizjen xhoturke, kishte qenë në grupin e oficerëve që sulmuan më 1908 kundër regjimit të vjetër absolutist sulltanor.

Ali Shefqeti – Shkupi (1883 – 1953)

 Shpejt Ali Shefqeti do të zhgënjehej nga xhonturqit dhe duke përfituar edhe nga detyra e tij në Selanik do të lidhej edhe më fort me rrethet atdhetare shqiptare. Në detyrën e komandantit të garnizonit të Stambollit, pas kryengritjes së përgjithëshme shqiptare të vitit 1912, major Ali Shefqeti u informua se qeveria osmane po përgatitej për ta arrestuar. Me përkrahjen e shqiptarëve të Stambollit u arratis në Rumani,prej nga shkoi në Trieste, ku në mars 1913 mori pjesë në Kongresin e Triestes me shumë atdhetarë të shquar të diasporës sonë.
Kishte dashur të vinte në Vlorë ku vepronte Qeveria e Ismail Qemalit Vlorës, por kishte qenë e pamundur ngaqë flota greke e mbante Vlorën të bllokuar. Në fund të prillit përfitoi nga një rast dhe zbriti nga një anije austro-hungareze në grykën e Semanit e prej aty në Vlorën e Pavarësisë dhe të entuziazmit të madh atdhetar.
Siç thamë më lart, më tu paraqitur, për shkak të njohjes dhe kredibilitetit që gëzonte, Ali Shefqeti do të ngarkohej me organizimin e Ministrisë së Luftës, gjë që, siç duket, e bëri shumë shpejt: më 5 maj 1913 Qeveria e Përkohëshme e Vlorës do të diskutonte e miratonte Rregulloren për organizimin e përkohshëm të Ministrisë së Luftës, në përbërje të të cilit do të ishte Shtati (Shtabi) Madhnor. Major Ali Shefqeti do të emërohej menjëherë në detyrën e lartë e të nderuar të Kryetarit të këtij Shtabi. Ministria e Luftës do të kishte gjithashtu edhe zyrën Qertare (të prapavijës), zyrën hertare (të organizimit e personelit) dhe zyrën Shëndetare.
Në nyjen e dytë të kësaj Rregulloreje përcaktohej edhe ndërtimi i brendshëm i vetë Shtabit Madhor i cili, nga ana e tij, përbehej nga qarqet (të themi drejtori, a departamente), shkresina e tij, nga komisioni i rregulloreve, nga komisioni i trajtimit të policisë dhe të xhandarmërisë dhe nga komisioni i ndërtimit (a xhenjos, si të thuash). Rregullorja në mënyrë sintetike kish fiksuar edhe detyrat e të drejtat e tij. Në maj 1913 Shtabi Madhor kishte filluar nga detyrat e tij konkrete, të hartonte rregullore e të lëshonte urdhëra.
Emri i Ali Shefqetit (Shkupit) të del gjithkund përpara në këto dokumente që ruhen në arkivin e shtetit.
Fakti që Ministria e Luftës e shtetit të ri shqiptar u konceptua dhe u ndërtua me Shtab Madhor, që më 1913, tregon se ndërtimi i Ushtrisë së rregulltë filloi nga lart poshtë, karakteristikë për një shtet ligjor, modern. Vetë ideja dhe ndërtimi i një Ushtrie me Shtab Madhor, ishin ideja dhe praktika europiane më e përparuar.
Më 31 maj 1913, Kryetari i Shtabit Madhor informonte ministrinë e Luftës, mbi punën që po bëhej për krijimin e kompanisë model të Ushtrisë, sipas të cilës do të ndërtohej Ushtria Kombëtare. Aty shtrohej edhe nevoja e fillimit së afërmi të shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Më 3 qershor 1913 Major Aliu i përcjell nga ana e Shtabit për studim ministrit të punëve të brendshëm, Myfit Libohovës, variantin e parë të “Rregullores së Milicisë shqiptare”, para se të bisedohej në Këshillin e Ministrave.
Me detyrën e kryetarit të Shtabit Madhor, major Ali Shevqeti komunikonte me telegraf dhe transmetonte vendime të Qeverisë apo urdhëra e udhëzime të Ministrisë së Luftës e të vetë Shtabit për veprime luftarake në territore të ndryshme të vendit, në jug kundër forcave pushtuese greke dhe në Dibër ku po zhvillohej kryengritja e shtatorit të vitit 1913. Shtabi i drejtuar prej tij i kish sygjeruar Qeverisë dhe ajo kishte porositur jashtë shtetit, sidomos në Austro-Hungari, topa, mitraloza, uniforma, dhe ajo që të befason më shumë, edhe “një numër librash shërbimi dhe veprash të ndryshme që do t’i shërbenin administratës ushtarake të Qeverise.”
Në këtë punë Ali Shefqeti do të bashkëpunonte me sukses edhe me grupin e oficerëve hollandezë që do të vinin në vendin tonë sipas vendimit të Konferences së Ambasadorëve të 29 korrikut 1913, për organizimin e xhandarmërisë. Të kujtojmë se xhandari i vitit 1913 ishte edhe ruajtës i rendit edhe ushtar i luftës, një forcë ende e padiferencuar.
Që më 1913, nën udhëheqjen e Ali Shefqetit, Shtabi Madhor i pat hyrë një pune të vecantë për terminologjinë ushtarake. Për këtë çështje ai pat angazhuar një komision të posaçëm në të cilin bënin pjesë oficerë të kulturuar si Mustafa Maksuti dhe Kamber Sejdini (dëshmor i atdheut) nga Elbasani, ish profesor i frëngjishtes ne gjimanzin ushtarak të Manastirit.
Veprimtarisë se këtij kpomisioni i takojnë shumë terma që përdorim sot në fushën ushtarake. Kjo veprimtari është një tregues tjeter i kulturës së Shtabit Madhor, dhe kryetarit të tij, Ali Shefqetit, që në kushte aq të rënda,të një shteti të ri, që luftonte për ekzistencë me armë e diplomaci, ditën të çmojnë vlerën e kulturës ushtarake si pjesë të luftës për liri dhe pavarësi.
Major Ali Shefqeti, edhe pas dorëheqjes së Qeverisë së Ismail bej Vlorës më 22 janar 1914, ka mbajtur e ushtruar poste të larta drejtuese në Ushtrinë tonë Kombëtare. Me fillimin e Luftës së Parë Botërore, Ali Shefqeti u arrestua nga forcat malzeze në qytetin e Shkodrës dhe u burgos deri në vitin 1916 kur trupat austro-hungareze hynë në Malin e Zi. Përkrahës aktiv i Kongresit të Lushnjë, Qeveria e dalë prej tij (janar 1920) do ta caktonte nënkolonel Ali Shefqetin së pari komandant të Komandës së Përgjithëshme, e më pas, me krijimin e Ministrisë së Luftës përsëri në detyrën e Shefit të Shtabit Madhor.
Patriot e demokrat, i lidhur ngushtë me Hasan Prishtinën, Aliu do të ishte nga më aktivët në Lëvizjen e Qershorit 1924 dhe do të ngarkohej përsëri me detyra të larta në krye të Ushtrisë Kombëtare.
Pas dy internimesh dhe largimit nga ushtria regjimi monarkist e dënoi Ali Shefqetin me vdekje si nisiatori dhe kryetar i Organizatës së fshehtë për rrëzimin e Zogut me kryengritje të armatosur më 1935. Pas protestave të fuqishme nga brenda dhe jashtë, regjimi nuk guxoi ta ekzekutonte dhe doli nga burgu me 1938.
Ali Shefqeti dënoi dhe kundërshtoi pushtimin fashist të atdheut. Nazistët gjerman i dogjën shtëpinë në Tiranë. Më pas familjarisht u vendos me banim në Shkodër, ku jetoi me një pension prej tremijë lekësh. Vdiq më 3 dhjetor 1953 dhe u varros aty. Në vitet tetëdhjetë u rivarros në Tiranë.
Në vitin 1992, Ali Shefqeti (Shkupi) u dekorua me urdhërin “Për veprimtari patriotike të klasit të Parë”.
Ky shkrim modest është një homazh për atdhetarin e flaktë, për udhëheqësin ushtarak të talentuar në këtë 101 vjetor të shpalljes së Pavarësisë dhe krijimit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
– Autori është historian ushtarak. Ka lindur në fshatin Nangë të Lumës dhe jeton në Tiranë. Për shumë kohë ka punuar në funksinone të larta në ushtri. Ka gradën kolonal dhe sot është në pension.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura