SALI ONUZI: ELEZ BRAHA, DËSHMOR I ATDHEUT, HERO I LUFTËS ANTIFASHISTE NACIONALÇLIRIMTARE

Tiranë, 24. 04. 2016: Më 9 prill 2016 u përkujtua në Kukës 100 vjetori i lindjes së Dëshmorit të Atdheut dhe heroit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Elez Braha. Në një sesion jubilar studiues lumjan kumtuan për jetën dhe veprimtarinë e tij,(Isa Halilaj) për kohën e luftës, si nënkomandant i batalionit “Shqiponja” të Korçës dhe rënien e tij heroike në betejën e Gurit të Kamjes (Sali Onuzi), për veprën e tij letrare (Shefqet Hoxha), për poezinë e tij (Izet Duraku) dhe për studimin e tij etnografik, ”Darsma në Lumë” (Fejzulla Gjabri). Po atë ditë u bë edhe promovimi i librit “Elez Braha – Vepra”, përgatitur për botim nga profesor.as.dr. Shefqet Hoxha, rreth të cilit foli shkrimtari Petrit Palushi. Veprimtaria u pasqyrua në median vendore, Radio Kukësi dhe TV Kukësi.
***
Elez Braha lindi në Bice (Bicaj) të Lumës më 9 prill 1916. Pasi mbaroi në vendlindje shkollën fillore, gjimnazin e kreu në Shkodër. Aty ai u njoh dhe u miqësua me Migjenin dhe Qemal Stafën, të cilin e kishte shok klase. Duket se për shkak të lidhjeve me grupin komunist të Shkodrës, e arrestojnë, por e lirojnë për arsye moshe. Është kjo kohë kur ai shkruan poezi e prozë, dhe boton një studim etnografik.
Më 1938 -1940 mbaron studimet për itendencë (logjistikë) në Akademinë ushtarake të Modenas (Itali) dhe shërben si oficer në ushtrinë italiane, në Shijak, Jergucat, Tepelenë dhe së fundi në Korçë. Ndërkohë Elez Braha, para 10 korrikut 1943, kish vendosur lidhje me lëvizjen antifashiste nacionalçlirimtare, mes tjerash që në maj 1943 ai kish ardhur në Lumë dhe kish shprehur mendime rreth gjallërimit të Levizjes dhe krijimit të Çetës partizane, (Maket i historikut të LANC në Lumë) kurse në Korçë kish ndihmuar për ngritjen e Spitalit partizan në Voskopojë. (Isa Halilaj)

Autori, Sali Onuzi, duke mbajtur kumtesën në sesionin jubilar.

Me 5 tetor 1943 emrohet nënkomandant i batalionit “Shqiponja” të Korçës. Me 14 dhjetor vritet duke luftuar në vijën e parë të zjarrit kundër pushtuesve gjermanë dhe bashkëpunëtorëve të tyre në betejën e Gurit të Kamjes.
Rënien e Elez Brahës e ka dokumentuar për herë të parë ,siç dhe i takonte, Komanda e Shtabit të qarkut të Korçës në komunikatën e saj të datës 20 dhjetor 1943. (6 ditë pas rënies së tij )Këtë komunikatë e ka botuar të plotë gazeta “Bashkimi” (shih “Bashkimi dhe buletinet e tij” v. 2,f 392-395.) Edhe “Zeri i Popullit”në buletinin e tij të datës 16 janar 1944 botonte një kronikë të luftimeve të dhjetorit nga qarku i Korçës ,mes tyre ato që u bënë në Gurin e Kamjes me 14 dhjetor dhe rënien aty dëshmor “të nënkomandatit trim Elez Braho, duke luftuar në vijën e parë të zjarrit.”
Si “Bashkimi”dhe”Zëri i popullit” japin mbiemrin “Braho” për Braha.Por ne jemi të sigurtë se nënkomandanti i batalionit “ Shqiponja” është pikërisht lumjani Elez Braha. Këtë e dokumenton më së miri organika e batalionit e hartuar nga mezi i nentorit 1943, që ruhet në Arkivin e shtetit dhe që në fillim të saj në strukturën “Komanda e batalionit “ ka vënë pas komandantit, funksionin e nënkomandantit dhe emrin e tij të saktë: Elez Braha.
Rrethanat e rënies
Në kuadrin e një operacioni të madh që synonte likujdimin e ushtrisë nacionalçlirimtare, pushtuesit gjermanë kishin nisur që në nëntor 1943 sulme kundër batalionit “Reshit Çollaku” të Mokrës, të cilit i kishin shkaktuar jo pak humbje. Fushata e forcave gjermane, “që nuk kish të krahasuar me ato të përdorura më parë prej forcave pushtuese italiane në Shqipëri(M. Kasmi)kishte këndellur forcat balliste, sidomos në Pogradec dhe në Korçë të cilat qenë bërë bashkëpunuese me forcat gjermane . Nga mesi i nëntorit forca të shumta gjermano -balliste u hodhën në sulm në zonën e Mokrës,të cilën e përshkuan me zjarr e terror , vranë banorë ,dogjën fshatra dhe në Llëngë masakruan 60 burra e gra.

Më 24 nëntor komanda e batalionit “Shqiponja” kish informacion se nga qafa e Thanës në Pogradec kishin hyrë 28 makina me gjermanë dhe se po përgatiteshin për një operacion tjetër në Mokër. (AQSH.f.42.d.5fl23)
Për të rivendosur situatën dhe spastruar Gorën e Mokrën nga pushtuesit dhe ballistët, batalioni “Shqiponja”, (nënkomandant i të cilit ishte heroi i ynë, Elez Braha), sipas urdhërit të komandës së shtabit të qarkut të Korçës kishte lëvizuar nga Fusha e Korçës (mezi i nëntorit) drejt Voskopojës, ku ishte pajisur disi me municion dhe kishte arritur në Gorë, ku ishte takuar me batalionin “ Reshit Çollaku”, bashkë me të cilin ,për 4 ditë rresht, kishin thyer sulmet e armikut dhe çliruar Gorën.
Me 10 dhjetor përkrah tyre rreshtohen edhe batalioni “Gorë-Opar” dhe një kompani e batalionit “Fuat Babani”. Këto forca u hodhën në mësymje drejt Mokrës dhe afër drekës së 13 dhjetorit zunë Gurin e Kamjes, lartësia dominuese në zonën perrreth (1462 m, 18 km larg Pogradecit) .
Të nesërmen në mëngjez, (është dimër dhe malet e kodrat jane veshur me borë) me 14 dhjetor, grupe ushtarësh gjermanë dhe forca të shumta balliste u hodhën në sulm për të zënë me çdo kusht latësitë e Kamjes.”Kur forat armike sulmuan dhe gati dolën në qafën e Gurit të Kamjes, luftimet u zhvilluan trup me trup. Dhjetra nazistë dhe tradhëtarë gjetën vdekjen në këtë përleshje të përgjakëshme.” (Historia e Luftes ANÇL.V.3 f 497)
Duke zotëruar Gurin e Kamjes dhe lartësitë dominuese djathtas e majtas, grupimi operativ i forcave partizane (Batalioni “Shqiponja” në krahun e djathtë nga Guri i Kamjes në lartësitë e bregut të Prenishtit) rreth orës 14.00 të datës 14 dhjetor, hidhen në sulm për herë të tretë. ”Duke zbritur dhe duke u mbrojtur prapa drurëve, partizanët e ”Shqiponjës”, kaluan me shpejtësi pyllin, duke e detyruar armikun të tërhiqej prapa. Por kur dolën në vendin me drurë të rrallë , sulmi i mëtejshëm i forcave partizane u ndal përballë zjarrit të pandërprerë të forcave gjermano-balliste.” Pikërisht në këtë moment, në sulm vritet Elez Braha, nënkomandant i batalionit “Shqiponja.” Në këto luftime u vrane dhe 6 partizanë. Por edhe armikut kjo i kushtoi rreth 50 të vrarë e mjaft të plagosur“. Mbas mbarimit të luftimeve Elez Braha dhe 6 partizanët e tjerë u varrosën me nderime ushtarake në vendin ku ai ra dëshmor, në Prenisht (Dhimitër Ristani, kujtime)

Guri i Kamjes ku u zhvillua beteja më 13-14 dhjetor 1943 dhe ra Elez Braha.

Pas Çlirimit, aty pranë Gurit të Kamjes u ngrit një lapidar që kujton rënjen heroike të Elez Brahës dhe 6 dëshmorëve të tjerë.
Situata e rënjes dhe data 14 dhjetor, janë dhënë saktë, në komunkatën e LANÇ-it të Korçës të cilën e botuan në janar 1944 buletinet e” Bashkimit “ e të “Zërit të Popullit”. Data 20 nëntor, që është dhënë në kujtimet e ish komandantit të batalionit ose, “tetor nëntor 1943” ,në kujtimet e ish komisarit të tij, shkruar më 19.04.1971, (“Elez Braha Vepra, 2016) nuk janë të sakta.
Dokumentet e Arkivit të Shtetit na ndihmojnë të qartësojme këtë moment. Në dosjet e komandës së shtabit të qarkut të Korçës ruhet , edhe një proçesverbal ,në të cilin Elez Braha është një nga firmëtarët.Proçesverbali është mbajtur me datë 5 dhjetor (9 ditë para rënies së tij, dhe ndofta mund të jetë nga firmat e fundit që ai të ketë hedhur) për marrjen në dorëzim të një sasie municioni luftarak. Firma e Elezit paraqet emrin e tij të plotë dhe është po ajo që njohim nga letrat e tij.
Ngurime për njohjen e statusit të Dëshmorit të LANÇ !
Adem Ballhysa, shok dhe bashkstudent me Elezin ne Modena të Italisë, në “Disa kujtime nga jeta e shokut Elez Braha”, shkruar më 31 gusht 1968 (“Elez Braha, Vepra”, f.218), shënon: “..kur u ndodha në Tiranë nga disa shokë u furnizova me disa komunikata të shaptilografuara që partia jonë lëshonte në ilegalitet;aty mësova se në përpjekje` me ballistët në Mokër, Elezi kishte mbetur i vrarë. Këtë komunikatë unë ia dhashë të vëllait të tij, i cili në atë kohë ndodhej në Tiranë.”
Nuk ka sesi këtë komunikatë i vëllai i Elezit, Qazim Braha, patriot dhe burrë trim ,të mos e ketë përdorur për të ndriçuar të vërtetën e vëllait të tij në Kukës në mesin e politikanëve që drejtonin qarkun ,nënprefekturën apo rrethin.Duket se këtë njoftim të A. Ballhysës e konfirmon indirekt një burim tjetër sipas të cilit, i vëllai i Elezit, Qazimi ,me 30 maj 1945 kur ishte me shërbim në Delvinë, e ka shënuar ( diku në bllokun e tij, SO) 14 dhjetorin datën e rënjes dhe varrin në Prenisht,.(Rustem Braha: “ Monografi për Dëshmorët”, Tiranë 2007,f.40)

Dokument i komandës së Batalionit ‘Shqiponja’ (AQSH)

Në fondin e Komandës së Qarkut të Kukësit te vitit 1944 dosja 5 (AQ i FA) në Listën e dëshmorëve të nën prefekturës së Lumës, me numër 4 shënohet “Elez Braha, partizan në njësit, vra kundra okupatorit gjerman,në dimnin 1943-1944, në qarkun e Korçës, vjeç 28.” Informacioni ka dhanë saktë emrin, qarkun e Korçës si territor ,rreshtimin e tij në rradhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare.Por ai ka disa mangësi karakteristike, së pari , shënohet se ishte “partizan në njësit”, kur Elez Braha ishte nënkomandat batalioni;nuk shënohet data e rënies së tij më 14 dhjetor, por stina, “dimni 1943-1944”. Kjo na bën të mendojmë se komanda e qarkut të Lumës edhe një vit e ca pas çlirimit të Shqipërisë , më 1946, (kur ne fakt mund të jetë hartuar kjo listë. SO) ende nuk kishte informacion të plotë e të saktë për Elez Brahën. Informacioni duket se vinte nga burime gojore.
Por duket se edhe ky informacion ishte arkivuar dhe “harruar”.Profesor Shefqet Hoxha më 2015 shkruan se “ deri në vitin 1952 për fatin e tij (Elezit S.O)familja nuk dinte gjë, madje përflitej se ishte vrarë në rradhët e armikut. (E.Braha. Vepra, botim 2016.f. ) Ndofta me këtë shpjegohet që edhe tetë vjet pas Çlirimit, ende eshtrat e tij nuk ishin sjellë në vendlindje! Ngaqë,siç duket, Elez Braha nuk ishte njëkohësisht edhe në listat e komandës politike të qarkut, a të rrethit të Kukësit .
Por në vitin 1952 do të kishte një kthesë në njohjen publike të rënjes dëshmor të Elez Brahës. Ne ende nuk e dijmë se çfarë kish ndodhur konkretisht,( perveç interesit “të përgjithshëm” të forcimit të pushtetit monist) që të shpjegojmë këtë kthesë të fortë të pushtetit ndaj Elez Brahës . Sidoqoftë , Enver Hoxha,në fjalën e tij para popullit të Lumës, më 9 shtator 1952 e përmend Elez Brahën të parin nga dëshmorët e Kukësit, bën të njohur detyrën e tij si “ nenkomandant i batalionit ‘”Shqiponja” i rrethit të Korçës “dhe bën edhe vlerësimin: “që u bë tmerr për armikun “… (Vepra 10.f.31)
Dhe vetëm pastaj u tërhoqën eshtrat e tij dhe u suallën në Kukës ku prehen edhe sot në varrezat e “Dëshmorëve të Atdheut” të Bashkisë së Kukësit. Me 13 nëntor 1969, në prag të 25 vjetorit te Çlirimit të Atdheut, me Vendimin nr 104 të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Kukësit , Elez Brahës i është ( ri)njohur Statusi i Dëshmorit të Atdheut, bazuar në Ligjin që u miratua aso kohe, rinjohje që është bërë në atë vit, më pas , për të gjithë dëshmorët e Atdheut .
Emrin e Elez Brahës e mban Shtëpia e Kulturës në Bice dhe e kanë mbajtur atë me nder në flamurin e tyre disa Brigada vullnetare të Rinisë në aksionet kombëtare në vitet 1980 (Xhavit Lashi.)
Por, ndërkohë , një studim dhe vlerësim i plotë dhe i merituar për Elez Brahën, siç e dijmë nuk u bë , dhe është edhe sot e kësaj dite një nga mëkatet e institucioneve përgjegjëse të Kukësit,(si para e pas 1991) po pse jo edhe të Pogradecit , të Korçës e më lart.
2-Elez Braha, “Dëshmor i atdheut”, është në të vërtetë një Hero i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare,
Sepse:
2.1-Elez Braha kishte një shkallë të lartë motivimi dhe vetëdijësimi.Që student në vitin e pestë të gjimnazit në hartimin e tij me temë “kohët ndryshojnë, e vjetra shembet …”shprehet kundër psikologjisë dhe filozofisë fataliste, ai është për një psikologji veprimi dhe ndryshimi, që e formulonte më fjalët:”ne do të jemi dhe do të bajmë” . Ky botkuptim revolucionar bëhet edhe më i kuptueshëm për Elezin si mik i Migjenit, shok klase i Qemal Stafës ( Elez Braha “ Vepra”, Tiranë, 2016.), dhe i ndikuar nga grupit komunist të Shkodrës. (shih AQSH, fondi nr 346,Prefektura e Shkodrës, viti 1941, dosja 194 fl.12)

Firma e Elez Brahës si nënkomandant i batalionit, datë 5 dhjetor 1943.

Elez Braha dëshmon që herët një shkallë të lartë gatishmërie për sacrifice.Student ne Modena të Italisë ai i shkruan nënës së tij:” Do të mundohem, me sa të jetë e mundun, mos të koris vedin si njeri e si shqiptar” (“Vepra”, f.18)Me seriozitetin që e karakterizonte ai do t’i përgjigjej shpotisë së disa shokëve te tij në Shkodër për uniformën e oficerit të ushtrisë italiane që kish veshur: “Do ta shikoni dhe do të bindeni se unë nuk jam tradhëtar” (Vepra,f.21)
2.2-Elez Braha ka rënë heroikisht,në vijën e zjarrit , në sulm.,” tek luftonte më këmbë si trim i vërtetë, “shkruante komunikata e LANÇ e Korçës e botuar në Buletinin e gazetes “Bashkimi” ato ditë lufte. “ E takova Elezin pikërisht atë ditë kur u largua nga Korça dhe erdhi në katundin Vinçan, i veshur me uniformë sikundër ishte. Në bisedën që pata me të çfaqi dëshirën që të qëndronte në repartet partizane në vijën e parë të luftës, ndërsa shokët e tij (dy oficera, emrat e të cilëve nuk më kujtohen) çfaqën dëshirën të punonin në entet e prapavijave mbasi ata kishin punuar në këta sektorë.,” shkruante gjeneral – major Spiro Shalësi, (Stajo) ish komandanti i batalionit “ Shqiponja”.(Elez Braha. Vepra,f.210)
Edhe Elez Braha ishte diplomuar për itendencë në Akademinë e njohur të Modenas në Itali dhe kishte punuar në këtë sektor, (në prapavija), dhe , po të donte edhe ai mund të inkuadrohej në këto struktura, ku rreziku i jetës ishte më i vogël.Por ai kërkoi të inkuadrohej në vijën e parë të reparteve partizane.Kjo sepse Elez Braha, siç e pohojnë bashkëluftëtarët e tij ,kishte një shkallë të lartë urrejtjeje për armiqtë e tradhëtarët. ”Ay ishte trim i patrembur, bile në disa raste i papërmbajtur, ushqente një urrejtje të madhe kundër okupatorëve dhe tradhëtarëve, ruante në veten e vet cilësitë më të mira të popullit të krahinës së vet- “Elezin e gjetëm të vrarë mbi pozicionet e gjermanëve, plumbi e kishte goditur në ballë” kujton ish komandanti i batalionit. ( po aty, f210.)
Është vendi të kujtojmë se komanda e shtabit të qarkut të Korçës disa ditë më parë ngarkonte më përgjegjësi’ veçanërisht komandantë e komisarë (të batalioneve”Reshit Çollaku “ e “Shqiponja”)që nuk kishin kontrolluar frontin ,por rrinin larg si në Zvarisht e gjetkë dhe u kërkonte të largoheshin nga prapavijat e të kalonin në ofensivë, duke qenë komandantë e komisarë në vijë të parë”. (AQSH.F.42,d.3.fl56) Heroi ynë, Elez Braha nuk kish pasur nevojë për hostenë të tillë, ai kish qenë gjithnjë tok me partizanët në vijën e parë të zjarrit,madje kish ndodhur edhe të qe plagosur dhe të mos kish pranuar të mënjanohej nga aksioni.Këso shqiponje ishte Elez Braha !
2.3- Elez Braha që më 5 tetor ditën kur u formua batalioni “Shqiponja” ishte caktuar zv/komandant i tij, post i lartë në kohën e Luftës ANÇ, që emërohej nga Shtabi i Përgjithshëm, me propozim të komandës së shtabit të qarkut. Madje me 29 nëntor 1943 , Elez Braha ishte caktuar anëtar i Shtabit operativ që do të drejtonte veprimet luftarake të dy batalioneve., “ Shqiponja” dhe “ Reshit Çollaku”.
2.4- Elez Braha ka udhëhequr batalionin” Shqiponja’” me trimëri dhe zgjuarësi, në dy beteja (3-4 nëntor dhe 10-14 dhjetor 1943), dhe në të gjitha luftimet e tjera. Ishte ky batalion, ‘“Shqiponja“ që i kish futur tmerrin armikut” dhe një vlerësim i tillë nga Shtabi i Përgjithshëm ishte bërë vetëm për Brigadën I sulmuese te UNÇSH. Pra, “Shqiponja” ishte një batalion elitë i sajë.
Për betejën dy ditore të 3-4 nëntorit në Gjonomadh e Goskovë , Buletini i gazetës “Bashkimi” botonte komunikatën e komandës së shtabit të qarkut të Korçës,në të cilën shkruhej: “…Ndërkohë arrijnë me vrap dhe dy kompani të Batalionit (“Shqiponja “ne fakt, është dhënë gabim :Gorë-Opar. S.O), me nënkomandant Elez Brahon,të cilat muarrën krahun e majtë dhe u vëndosën mbi Gjonomadh deri në kodrat e Goskovës. Aty edhe me kalimin në sulm të kompanisë së 1-rë të batalionit “ Shqiponja “( “Gjashtë dëshmorët-Kelmendi-Gërmenji”, emërtimi fillestar i batalionit. S.O)filloi një zjarr i shkurtër, por i fuqishëm… Armiku u shtrëngua të shkulet nga pozicionet e të vendoset në një vend të zhveshur. Aty skuadra e mitralozit të rëndë hapi zjarr të fortë për një çerek ore dhe i griu gjermanët, duke vrarë disa prej tyre e të tjerët ikën të çakërdisur”.
Në këtë luftë të vështirë dhe të pargjakshme që vazhdoi dy ditë me rradhë. Ushtria Naçionalçlirimtare (vini re, e konsideron batalionin “Shqiponja” përfaqësues e simbol të UNÇ) korri me të vërtetë një fitore të mirë. Nga forcat partizane pati vetëm tri të plagosur…
Kjo luftë ishte një provë e fortë për partizanët që treguan se dinë të jenë jo vetëm atje ku rrëziku është më i madh, por edhe të luftojnë me taktikë të përsosur luftarake. Po duket qartë se kemi një ushtri të rregullt, të organizuar, që po na e zbardh faqen dhe po e shpëton popullin”(“Bashkimi dhe buletinet e tij.1942-4.”Tiranë,1986,f55-56)
2.5- Elez Braha drejtonte në një batalion të shquar në qarkun e Korçës.
Batalioni “ Shqiponja” ishte nje repart partizan territorial i krijuar në qarkun e Korçës me 184 partizanë vullnetarë , me 5 tetor 1943 në Voskopojë, kryesisht nga Rrëza e Fushës së Korçës ,i ndarë në tri kompani.
Të farkëtoje një repart partizan dhe t’i jepje atij shpirtin sulmues dhe qëndrueshmërinë që kërkonte lufta kundër pushtuesit të ri gjerman, duhej aftësi ushtarake, edhe sidomos shembull vetjak, te cilat i kishte komanda e batalionit, e në vaçanti, Elez Braha. Ky batalion kaloi i tërë si efektiv, në përbërje të Brigadës së IV S më 28 dhjetor 1944. Partizanët e këtij batalioni që mbante emrin e bukur “Shqiponja” ishin me të vërtetë shqiponja, dhe Elez Braha, zv/komandanti i tyre ,ishte një kryeshqiponjë!
Ky batalion shqiponjë i kryente detyrat në kushtet e mungesave të mëdha të municionit, të armatimit dhe veshmbathjes. Kjo e bënte edhe më heroike veprimtarinë e tij luftarake.Me 17 nëntor 1943, 30 partizanë të batalionit ishin pa armë. Batalioni hidhej në sulm pa pasur madje asnjë automatik. Municioni është pakësuar shumë” , informonte komanda e batalionit me datë 22 nëntor, “municioni po na mbarohet krejt” (AQSH.f.42,d.5fl23;d.11,f26). E tillë ishte gjendja edhe për veshmbathjen e partizanëve, shumë prej të cilëve “janë fare të zbathur“ ( AQSH.f.42.d.5f.18dhe 22)
Edhe në këto kushte të mungesave të mëdha Batalioni “ Shqiponja” kish guxim të përballej me gjermanë e ballistë, të cilët në rrethin e Korçës dhe të Pogradecit qenë jo të paktë dhe të mirëorganizuar.
2.6- Elez Braha është dekoruar më 1961 me medaljen e Kujtimit, të Trimërisë dhe të Çlirimit.Dekorimi me të tri medaljet nuk është një rast i zakonshëm. Pastaj medalja e Kujtimit u jepej vetëm atyre që ishin pjesmarrës në Luftë ose në Lëvizje para 10 korrikut 1943. Kjo e zgjidh përfundimisht dhe saktë faktin e angazhimit të tij që heret në krah të Luftës ANÇ.
Pse nuk është shpallur si “Hero i Popullit” ,kjo ska të bëjë me të vertetën: jo të gjithë heronjëve të Luftës ANÇ u është njohur ky titull para vitit 1991. Tani nuk jepet më.Por hero nuk të bën dekorata, të bën vepra, të cilën është detyra e historiografisë ta njohë e ta shkruaj, dhe e politikës që ta korigjojë padrejtësinë(ka edhe sot dekorata të tjera të larta me te cilat mund të vlerësohej dhe nderohej.) Është me vend këtu të sjellim fjalët e Romen Rolan se nuk kish nevojë Molieri për Akademinë, por Akademia për Molierin”, e të themi se nuk ka nevojë Elez Braha për dekoratën e Heroit, ka nevojë dekorata për Heroin Elez Braha, që ajo të identifikohet edhe me kontributin e tij në luftën antifashiste nacionaçlirimtare dhe me gjithë veprën e tij të lavdishme.

(Dekorata të tjera të larta me te cilat mund të vlerësohej dhe nderohej.) Është me vend këtu të sjellim fjalët e Romen Rolan se nuk kish nevojë Molieri për Akademinë, por Akademia për Molierin” , e të themi se nuk ka nevojë Elez Braha për dekoratën e Heroit, ka nevojë dekorata për Heroin Elez Braha, që ajo të identifikohet edhe me kontributin e tij në luftën antifashiste nacionaçlirimtare dhe me gjithë veprën e tij të lavdishme.
______________
BURIME:
1-Arkivi Qëndror i Shtetit , Fondi nr 41, 42 ,346
2- Arkivi Qëndror i Forcave të Armatosura, Komanda e qarkut Kukës.viti 1944.
3-Bashkimi dhe Buletinet e tij(1942-1944) .v.2.Tiranë, 1988.
4-Buletinet e “Zërit të Popullit” vëllimi III, Tiranë, 1986
5- Elez Braha “ Vepra” Tiranë, 2016
6-Historia e LANC të popullit shqiptar.3.Tiranë,1988
7-Shaban Braha: Mes jetes dhe vdekjes. 2015.
8-Rustem Braha : Monografi për dëshmorët, Tiranë ,2007
9- Në flakë e zjarr , me pushkë në dorë,Kukës 1974
10-Maket i Historikut te LANC në Lumë.vitet 1980
11-Kopje të hartave të terrenit të Korcës e Pogradecit nga Instituti i Gjeografisë ushtarake, Tiranë.
12- Foto dhe materiale të tjera nga Interneti

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura