PROF.ASOC.DR.FAHREDIN SHABANI: INTERVENIMI I NATO-s NË KOSOVË

Pashtriku.org, 4 prill 2018: (Me rastin e promovimit të librit: ‘Intervenimi i Nato-s në Kosovë’ “NATO Intervention in Kosova”, të autorit Prof.dr.Nusret Pllana)
Deri sa e rilexoja librin e Nusret Pllanës, “Intervenimi i Nato-s në Kosovë’’ me qëllim shkrimin e këtij recensioni me rastin e promovimit, ndieja trysninë e trishtimit që natyrshëm kaplon secilin kur lexon e rilexon një tekst që synon të ndriçojë një kapitull të lavdishëm historie të kombit tonë, kapitull ngjarjet e të cilit i kemi përjetuar të gjithë ne, e të cilat ngjarje, deshëm apo nuk deshëm, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në profilin tonë psikologjik. Për më tepër, një ndjenjë të tillë trishtimi vetëm sa e agravon fakti se autori i këtij libri shquhet për botimin e librave e materialeve tjera dokumentare që pasqyrojnë, në përmasa që shkaktojnë trauma psikologjike për njeriun normal, masakrat shekullore që Serbia ka bërë ndaj shqiptarëve.
Ndonëse i botuar shumë vjet më parë, libri që e kemi në dorë është vepër shumë aktuale që përshkruan të gjitha rrjedhat e ngjarjeve që shpien në çlirimin e Kosovës. Autori, me një stil mbresëlënës, fillon me përshkrimin dhe ndërtimin e një konteksti shumë të gjerë, krejt kjo në funksion të asaj që është tema bosht e këtij studimi, e që është Intervenimi i Nato-s në Kosovë, të zbërthehet sa më mirë nga lexuesi.
Në kapitullin e parë, autori Pllana bën një përshkrim të thuktë të ngjarjeve të fundshekullit të XX, më konkretisht Fundin e Luftës së Ftohtë dhe shpërbërjen e BRSS-së, duke përshkruar përballjen e politikave të Reganit e Gorbaqovit dhe rolin e tyre në ngjarjet dhe zhvillimet ndërkombëtare, të cilat zhvillime më pastaj do të jenë vendimtare për formatin politik, ekonomik e ushtarak të globit.

Siç edhe pritet nga një studiues serioz, sikundër është z. Pllana, ai me përshkrimin që i bën Paktit të Varshavës dhe veprimtarisë së tij në kapitullin e parë, ndërton kontrastin e nevojshëm që ndihmon shumë për të vënë në pah mjaftueshëm akterin tjetër kryesor ndërkombëtar, që është boshti kryesor i studimit, pra NATO-n.
Shpërbërjen e Jugosllavisë, autori, duke i mbështetur tezat e tij edhe në tezat e disa autorëve të tjerë ndërkombëtar, përveç konflikteve të shtresuara etnike, ia atribuon edhe rënies ekonomike. Duke vazhduar përshkrimin kronologjik, gjithnjë në funksion të ndërtimit të kontekstit sikundër u tha më lart, autori shtjellon arsyeshëm fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë, masakrat në Bosnje, Kroaci etj. Po ashtu, brenda këtij kapitulli përshkruhet edhe zbarkimi jo fort i lavdishëm i trupave të huaj në Bosnje në kuptim të parandalimit të masakrave, disa nga të cilat edhe u kryen në mënyrën më mizore edhe në praninë e këtyre forcave të huaja.
Kapitullin e II, autori e fillon me një përshkrim të gjendjes në Kosovë pas përfundimit të Luftës së II Botërore, për të vazhduar me demonstratat e vitit ‘81, të cilave autori ia atribuon rolin qenësor në çarjen e Jugosllavisë pas vdekjes së Titos dhe po ashtu ua atribuon edhe rolin e sprovës për Evropën për sa i takon çështjes së vetëvendosjes së popujve e barazisë së popujve. Përshkrimi i ngjarjeve rrjedhë natyrshëm me gjendjen gjithnjë e më të rënduar në Kosovë, heqjen e autonomisë, themelimin e partive të para postkomuniste etj.
Kapitullin e III autori Pllana e hapë me përshkrimin e, ta quajmë, komponentit të dytë të studimit të tij, atë të NATO-s. Edhe këtu autori tenton që kronologjikisht, shterueshëm e në detaje, të përshkruajë sferën ndërkombëtare dhe NATO-n si pjesë e kësaj sfere. Një përshkrim i tillë detaj i ndihmon lexuesit t’i zgjerojë njohuritë e tij përkitazi me këtë formacion politik e ushtarak, që u ka dhënë udhë shumë rrjedhave politike e ushtarake që nga themelimi i saj, gjatë Luftës së Ftoftë dhe pas saj, e deri në ditën kur po flasim. NATO gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë dhe deri në kohën e rëniës së Murit të Berlinit, u bë kuadri kryesor institucional i zhvillimit të marrëdhënieve ndërmjet aleatëve perëndimor, i cili kishte për synim të vetin kryesor dobësimin e Bllokut Lindor.
Mbarimi i kësaj lufte (Luftës së Ftohtë) krijoi një ambient tjetër politik, ushtarak e strategjik, që u përcoll me krijimin e orientimeve dhe qasjeve të reja në fushën e sigurisë, e që mundësoi ndërrimin e perceptimit rreth rreziqeve të mundshme dhe përgjithësisht sistemit të sigurisë.
Fundin e kapitullit të III, autori e rrumbullakëson me përshkrimin detaj të ngjarjeve dhe dhunës së shfrenuar të pushtetit serb e po ashtu edhe krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në kapitullin e IV përsëri kronologjikisht përshkruhet Kosova gjatë kuvendeve të ndryshme botërore,si Kongresi i Berlinit, Konferenca e Londrës, Versajës, Parisit, Dejtonit, dhe po ashtu përshkruhet lëvizja e çështjes së Kosovës gjatë viteve ’90, si Konferenca e Hagës, Samiti i Romës, Brukselit, Uashingtonit, Rambujesë etj.
Kapitullin e V, autori e nisë me një referencë të ndërhyrjes humanitare që në shekullin e XIII te Toma Akuini, për të vazhduar te studiuesit e mirënjohur i të drejtës ndërkombëtare, Hugo Grosi dhe Openheim. Këtu ai u referohet edhe grupeve të tëra studiuesish përkitazi me llojin e intervenimit humanitar dhe mënyrës dhe kohës se si dhe kur ai duhet të bëhet. Gjithashtu, në këtë pjesë, ai bën sqarimin e gjerë lidhur me Konferencën e Rambujesë, Intervenimin e Nato-s dhe spastrimin etnik me përmasa biblike, të paparë në këtë pjesë të Evropës që nga Lufta e II Botërore. Kapitullin e përshkon një nxjerrje e tillë detajesh pothuajse në formë ditari për gati secilin aktivitet të UÇK-së në terren, selinë e NATO-s dhe çështje të tjera që shuajnë kureshtjen e lexuesit për një periudhë sa të dhimbshme, aq edhe krenare të historisë sonë.
Kapitulli VI përmbledhtazi në formë rekapitullimi përshkruan edhe njëherë gjithë materien bazë që përbën strukturën bosht të librit, dhe po ashtu përshkruan edhe zhvillimet politike dhe të sigurisë në Kosovën e pasluftës.
Shikuar nga prizmi i një vlerësuesi objektiv, rëndësia e këtij libri që po e promovojmë sot del të jetë jashtëzakonisht e madhe, dhe atë për shumë arsye. Autori i këtij libri ka qenë edhe vet akter në Luftën Çlirimtare, madje në një dimension jashtëzakonisht të rëndësishëm të saj, atë të informimit. Informimi përkitazi me zhvillimet gjatë luftës çlirimtare mund të themi lirisht se ka luajtur rol kyç në përcaktimin e shumë rrjedhave, të cilat kulmuan me çlirimin e Kosovës.
Pikërisht për këtë fakt, pra për faktin e autorit-protagonist, ky libër mund të themi se nuk është i zakonshëm, duke qenë se bartë me vete edhe gjendjen psikologjike e shpirtërore, tundimin dhe ndërgjegjen e tij. Një privilegj i tillë, mund ta ketë vetëm autori- protagonist, sikundër është rasti i Nusret Pllanës.
Buzë këtij privilegji qëndron edhe rreziku, që-, pothuajse, pashmangshëm e përcjell autorin-protagonist, – të rrëshqasë në ndonjë subjektivizëm, i cili në këto raste, duke e njohur përmasën tragjike të rrugëtimit tonë historik, është i mirë kuptueshëm dhe nuk e zbehë vlerën autentike të këtij studimi.
Veprat e tilla, zakonisht, sikundër e ka përmendur edhe vet autori, shkruhen pas një distance kohore me ngjarjet, por duhet të thuhet se guximi i autorit për të shkruar edhe kur kjo distancë nuk është ajo e duhura, meriton të çmohet meritueshëm.
Së bashku me distancën kohore nga ngjarjet që janë materie e këtij libri, besoj fort se do zhvillohet motivi i autorit,- sepse guximi besoj nuk ka munguar e nuk mungon as sot-, që ta kundrojë me një dioptri më kritike historinë tonë politike, e cila dioptri kritike është indikator i maturimit tonë politik e shoqëror. Një ribotim i përplotësuar dhe i pasuruar edhe me këtë dioptri, do të rrisë edhe më cilësinë e librit dhe njëherit do të bëjë që kjo vepër të jetë e patejkalueshme lidhur me këtë periudhë historike për brezat që vijnë.
Prizren, më 21 mas 2018
Prof.asoc.dr.Fahredin Shabani. Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura