REXHEP SELIMI: SI E PËRJETOVA VRASJEN E FEHMIUT DHE TË XHEVËS

Pashtriku.org, 09. 03. 2016: “Lajmin për vrasjen e Fehmiut dhe të Xhevës e kam marrë vesh atë ditë që janë vra. Ka qenë 22 shtatori, e martë, ditë e dielltë. Kam qenë në Abri të Epërme, kemi qenë të rrethuar, sulmet serbe kanë qenë nga të gjitha anët. Luftimet më të ashpra kanë qenë në brigadën 114. E kemi përcjellë luftën, kishim një pikë strategjike, “Guri 3”, nga ku kemi pyetur. Në një moment kam marrë një shenjë se kemi humbje. Kam pyetur me forcë se çfarë të rejash kemi. Më është thënë se kemi humbje të mëdha. Pyeta për numrin, por më thanë se nuk është punë numrash. Më thanë se “Shkaba”, si e kemi quajtur bacën Fehë dhe bashkëluftëtari i tij më i ngushtë, që nënkuptonte Xhevën, kanë rënë heroikisht.
Kam pasur afër vetes vëllain e Xhevës, Kushtrimin, kemi mbetë të gjithë pa folë. E pabesueshme ka qenë, lufta i merr më të mirët, e dinim, por ishte e rëndë. Pastaj është interesuar Mujë Krasniqi se si po shkojnë luftimet. I them se duhet të takohemi dhe ta them nga afër se si është gjendja. Kam shkuar ashtu luginës, përmes luftës, jam takuar me të dhe i kam thënë se Feha është vrarë bashkë me Xhevën. Muja nuk e ka pranue vdekjen e tyre. Nuk ka folë, ka pasë veç dhimbje, veç ka thirrë një herë, ka lëshuar një britmë, ka mobilizuar njësitë e veta dhe prej defensivës ka kaluar në ofensivë. Ka kaluar në sulm. Qëllimi i tij ishte të hakmerret për bacën Fehë.
(Mujë Krasniqi ishte njëri nga djemtë gjithë virtyte dhe vlera të Kosovës. Dikur nxënës i Xhevës, më pas bashkëluftëtar, ai spikaste në afërsinë me Fehmiun, në mirëdashjen dhe respektin e tij. Qe njëri nga të shumtët, por nga më të veçantët. Më vonë, duke folur për këtë ngjarje, Mehmet Lladrovci, Meti, më tregoi se “asaj dite Muja ishte i plagosur. I ka mobilizuar ushtarët dhe i ka sulmuar dy herë forcat serbe. Më është dukur se me çdo kusht po dëshiron edhe ai me u vra, duke u munduar t’ia nxjerrë hakun, sa më shumë, bacës Fehë dhe Xhevës – shënim i autorit.)
Për ditë e kemi ndjerë mungesën e bacës Fehë. Kemi pasë luftime më të mëdha, rënie të tjera, secili nga shokët që binin kishin peshën e dhimbjen e vet, por njerëz si Feha dhe Xheva kishin peshën më të rëndë…”. (…)

(Shkëputur nga libri i Bedri Islamit: “Përjetësia e dyfishtë”, Fehmiu dhe Xheva – një jetë e jashtëzakonshme”)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura