SEID TAFAJ: HISTORIA E FISIT TAFAJ DHE ROLI I KËTIJ FISI NË LULËZIMIN E KULTURËS SË TIRANËS

Tiranë, 13. 06. 2015 – Kur themi “Tirana”, në të vërtetë kemi parasysh tiranasit, e kur themi “tiranasit” përpara atyre që banojnë në kryeqytet, duhet të kuptojmë ata që përbëjnë “rrënjët” e fiseve të hershme, familjet e para që u rritën, u zhvilluan bashkë me qytetin e më vonë me kryeqytetin Tiranë. Këto rrënjë janë të larmishme dhe sipas studiuesit Bedri Alimehmeti lidhen deri në 1060, fise të hershme që numërohen qysh në kohët e lashta.
Disa prej tyre që mund të përmendim janë: Toptanët, Petrela, Karapicët, Begeja, Ndroqi, Demneri, Sallaku, Reli, Alimehmeti, Xhaja, Kaceli, Harasani, Bakalli, Huqi, Mëniku, Toqi, Vorpsi, Këlliçi, Luga, Arbana.
Një nga këto “rrënjë”, filizët e së cilës i kanë dhënë Tiranës “frymëmarrje”, i kanë dhënë jetë e “freski”, është padyshim edhe rrënja “Tafaj”. Kjo familje është ndër të parat që u ngul në Tiranë, fill mbas themelimit të saj si qytet. Ajo erdhi nga rrethinat e saj, krahina e Ndroqit, nga fshati Shesh, më vitin 1680.
Me ardhjen e tyre, së bashku me fiset e tjera, Tirana filloi të rritet e të marrë “krahë”! Kanë kaluar 335 vjet qysh atëherë dhe filizat e këtij fisi janë rritur së bashku me një harmoni të admirueshme, duke u shtuar e duke u zgjeruar. Rrënjët e fisit Tafaj nuk kanë të përbashkët vetëm gërmën e parë të tyre, “T”-në, por kanë zakonet e përbashkëta, traditat, kulturën, mikpritjen e gjithçka që ia kanë falur me bujari njëri-tjetrit.
Fisi Tafaj si dhe fiset e tjera i kanë pasuruar banorët e kryeqytetit me ndihmesën e vet në të gjitha fushat e jetës, në shkencë, ekonomi, arsim, shëndetësi, kulturë e deri në fushën e sporteve të të gjitha llojeve. Ky fis qysh nga gjeneza e tij ka 11 breza në Tiranë, duke llogaritur një brez 30 vjet. Karakteristikë e këtij fisi është që deri në mesin e shekullit të kaluar janë përsëritur emrat: Osman, Gut, Rexhep, Zenel, Seid, Beqir, Ibrahim, Xhemal, Mustafa, etj. Pas kësaj periudhe, sidomos nga viti 1950 e deri në vitin 2000 mbizotërojnë emrat e periudhës ilire si: Genc, Alban, Genta, Erlenta, Lira, Platon, Fatbardha, Arben, Elina, etj. Shihet që ndikimet orientale të përsëritura nga dëmtimi osman janë zëvendësuar me kalimin e kohës me emra me përkatësi autoktone, pra, vihet re një rikthim i vazhdimësisë iliro-shqiptare me emra të bukur dhe origjinalë, që sot njohin një jetë të dytë duke shkrirë lashtësinë e tyre me një shije moderne.
Po të shikojmë pemën gjenealogjike të këtij fisi që nga vitet 1680 e deri më vitin 2000 e vazhdim, do të dallojmë se ajo përfshin 943 “Tafaj”, prej të cilëve 337 janë femra që përbëjnë 45,2% dhe 606 meshkuj që përbëjnë 54,8%. Jetëgjatësia e këtij fisi është 69,3 vjet. Shembull i jetëgjatësisë mbahet mend Gut Tafaj, i cili jetoi 120 vjet.

Nga ky fis kanë dalë 186 kuadro të lartë, madje ka familje ku të gjithë pjesëtarët janë me arsim të lartë. Kjo dëshmon për një etje të natyrshme për dije në këtë familje. Do ta fillonim në njëfarë mënyre këtë renditje me një emër që njihet në fushën juridike: është emri i Dr. Jonuz Tafajt, i pari që krijoi noterinë dhe hipotekën e parë shqiptare, pra, si të thuash, vuri themelet e kësaj fushe.
Një tjetër personalitet, emri i të cilit nuk mund të përmendet veçse me nderim të veçantë, e që ka zënë tashmë vend plotësisht të qëndrueshëm e të merituar, është Sinan Tafaj, figurë e njohur në fushën e pedagogjisë dhe psikologjisë, autor i disa botimeve në fushën e edukimit të fëmijëve.
Sinan Tafaj është personalitet kompleks, ku bashkohet mësuesi me krijuesin, pedagogu me historianin, hulumtuesi me edukatorin. Ai është një shembull për brezat e rinj, shembull i dashurisë për njerëzit, jo vetëm për fisin nga e ka rrënjën. Ai ka qenë e mbetet një personalitet e një figurë emblematike e kulturës sonë. Jo më kot për nder të tij, një nga shkollat e mesme të kryeqytetit mban emrin Gjimnazi “Sinan Tafaj”. Në vitin 1936 Prof. Sinan Tafaj hapi shkollën e parë fillore në fshatin Malind të Skraparit.
Një tjetër figurë e lindur nga ky fis që për një jetë të tërë, mëse gjysmë shekulli iu përkushtua arsimit në fshatrat e Tiranës, rrugës së vështirë të dijes, duke dhënë një kontribut të paçmuar, është arsimtari i talentuar, Nexhmi Tafaj. Sot, për ta nderuar, shkolla 9-vjeçare në qendër të fshatit “Dalas” mban emrin e tij.
Në këtë fushë kanë dhënë një ndihmesë në arsim, që vazhdon edhe sot, Bukuroshe Tafaj, Leman Tafaj, Renata Tafaj, Zyhdi Tafaj, Seid Tafaj, Rexhep Tafaj, Lulzim Tafaj, etj.
Kontributi i fisit Tafaj është i madh edhe në fushën e muzikës. Do të veçonim në këtë drejtim një figurë që është pianistja virtuoze Lili Tafaj, që njihet jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Evropa, Azia e Afrika dhe të gjithë ata i janë mirënjohës për çastet e magjishme që u ka falur me interpretimin e përkryer, të mjeshtrave të mëdhenj botërorë e të muzikës së bukur shqiptare. Njëkohësisht, për shumë vite ajo ishte edhe pedagoge në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë.
Të kësaj tradite, nga ky fis shohim të shkëlqejnë dy emra krejt të veçantë si specialistë në akordimin dhe riparimin e veglave muzikore, siç janë Ibrahim Tafaj dhe i biri, Astrit Tafaj, at’ e bir mjeshtra të shquar në fushën e tyre.
Ky fis u dallua edhe në një fushë krejt të ndryshme, shumë të rëndësishme në plan njerëzor; mund të evidentojmë emrin e Prof.Doktor Argjend Tafaj, pedagog dhe shef i klinikës së reumatologjisë në Spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë. Duke vazhduar gjithashtu me këtë profil me Zana Tafaj, Leman Tafaj, Silvana Tafaj, Irgen Tafaj, Ermir Tafaj, Lida Tafaj, Vilma Tafaj, etj., etj. Kontributi i fisit Tafaj shtrihet edhe në fushën e vështirë të politikës dhe konkretisht Bashkia Nr.8, një legjislatura është drejtuar nga Genci Tafaj dhe Arben Tafaj, i cili që prej dhjetë vjetësh, njëkohësisht është edhe kryetar i shoqatës “Tirana”, që zbulon dhe nxjerr në dritë traditat e kulturës tiranase. Me propozim të kësaj shoqate, ai ka vënë kandidaturën si kryetar bashkie i pavarur për të përfaqësuar denjësisht vendlindjen dhe fisin e vet dhe për të lartësuar në ngjyrat e saj të larmishme kulturën e qytetit të vet dhe të Shqipërisë së Mesme.
Një veçori e këtij fisi është shumanshmëria e tij, lënia e gjurmëve në shumë fusha të shkencës, të artit, të veprimtarisë njerëzore, madje edhe në skenën e teatrit e të kinematografisë apo të medias televizive. Për t’u përmendur janë: Haxhi Tafaj (tenor i TOB), Xhelal Tafaj (aktor teatri dhe kinematograf), si dhe Jeta Tafaj, përkthyese e shquar në televizion.
Përfaqësues të kësaj familjeje janë shpesh edhe në fushën e biznesit, po përmendim ata më të suksesshmit: Mimi Tafaj, Arben Tafaj, Hamdi Tafaj, Ilir Tafaj me qendrën estetike, Agon Tafaj me pastrimin kimik.
Mund të thuhet se ky fis i pasur me tradita, çuditërisht ka pushtuar të gjitha fushat e jetës. Ndoshta ngjan e pabesueshme që disa nga ata që i kanë dhënë krenari dhe lavdi, jo vetëm fisit “Tafaj” por edhe vetë kombit tonë, përfaqësojnë këtë fis dhe kombin shqiptar në të gjitha llojet e sporteve si: futboll, volejboll, ngritje peshash, çiklizëm, pingpong, etj.
Mund të fillojmë me më të njohurit në fushën e futbollit si Haki Tafaj, Bujar Tafaj, Gut Tafaj, Fation Tafaj e Alban Tafaj. Jo vetëm kaq, por sot Alban Tafaj është shefi i Licencimit në Federatën Shqiptare të Futbollit. Vazhdojmë me pesë herë kampionen në pingpong, Mimika Tafaj, me gjashtë herë kampionin në ngritje peshash, Arben Tafaj, e duke vazhduar me të rinjtë e sotëm Endrit Tafaj dhe Irma Tafaj.
Duhet vlerësuar puna e jashtëzakonshme e autorëve tanë të studimit të gjenezës, Ibrahim Tafaj dhe Seid Tafaj, që gërmuan në thellësi të shekujve duke grumbulluar dokumente, letra, kujtime dhe legjenda dhe për t’i shtrirë ato në një mozaik shumëngjyrësh, ku çdo pjesë e veçantë harmonizohet në kuadrin e së tërës dhe i ngre kështu një përmendore fisit të madh, Tafaj.
Prandaj jemi mbledhur sot sipas traditës, për të bashkëbiseduar me njëri-tjetrin dhe mbi të gjitha për ta bartur këtë traditë te brezat e ardhshëm që të njohin vlerat e shumanshme të kësaj familjeje të madhe dhe për të mbajtur gjallë në të ardhmen pishtarin e këtyre vlerave.

Total
2
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura