SELATIN NOVOSELLA: LIBRI “REXHEP MALAJ, ZJARR LUFTE QË NUK SHUHET” – ARKIV PËR JETËN DHE VEPRËN E HEROIT REXHEP MALAJ

Pashtriku.org, 21. 01. 2014 – (Recension për librin e autorit, Agim Sylejmani, me rastin e përurimit në Prishtinë, më 10 janar 2014.) – Një digresion. Në gjykimin e vitit 1976, para Gjuqit të Qarkut të Prishtinës, ku po gjykohej Adem Demaçi, Rexhep Malaj dhe 17 veprimtarë të tjerë në një proces të njohur politik, për të cilin këtu nuk e vlenë të flitet më gjatë, që e udhëhiqte gjykatësi Durmish Koçinaj, për çka vullnetarisht ishte paraqitur që ta udhëhiqte këtë proces gjyqësor, do të zhvillohet ky dialog në mes gjukatësit dhe Rexhep Malajt, përkitazi me një telegram që tre shokë, në mesin e tyre edhe Rexhep Malaj, ia kishin dërguar udhëheqjes së Shqipërisë para se ata të burgoseshin.
– “A keni shprehur admirim ndaj Shqipërisë dhe udhëheqjes së sajë, në këtë telegram?!” – e pyet gjykatësi.
– “Kemi shprehur, shprehim dhe do të shprehim tërë jetën admirim ndaj atdheut tonë të shtrenjtë, Shqipërisë, dhe udhëheqjes së saj!!” – përgjigjet Rexhep Malaj, duke u ngritur në këmbë me grushtin lart.

Selatin Novosella – duke lexuar kumtesën gjatë promovimit të monografisë “Rexhep Malaj – zjarr lufte që nuk shuhet”, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare, në Prishtinë – 10 janar 2014.

I tillë ishte Rexhep Malaj edhe para këtij gjykimi dhe i tillë do të vazhdojë deri më 12 janar të vitit 1984, kur bie në betejën e pabarabartë me forcat e pushtuesit të shqiptarëve, së bashku edhe me bashkëluftërarin e tij të ngushtë, dëshmorin Nuhi Berisha. I tillë ishte Rexhep Malaj, vetëm 17-vjeçar, në demonstratat e 27 nëntorit të vitit 1968, duke qenë flamurtar në ballë të demonstratave në Gjilan dhe, po në të njejtën ditë, në ballë të demonstratave të Prishtinës. I tillë ishte Rexhep Malaj si tudent në Universitetin e Prishtinës në vitet e ’70-ta të shekullit të kaluar si njëri prej udhëheqësve të Grupit Revolucionar të Kosovës. Rexhepi ishte i pari në aksionet e kësaj organizate dhe i fundit që tërhiqej pas shpërndarjes së afisheve dhe shkrimit të parrullave, të cilat ishin një formë e komunikimit me opinionin. Vizionar, i vendosur, i guximshëm dhe i palodhshëm do të jetë Rexhep Malaj në aktivitetet e tij në disa shtetet e Evropës Perëndimore ku kishte arritur të kalonte, me shumë sakrifica dhe peripeti, për vënien e kontakteve të reja dhe rivënien e atyre të shkëputura me shokët e idealit, si dhe vënia e kontakteve me personalitetet e lëvizjeve çlirimtare, nga vendet e ndryshme të popujve jashtë Evropës, që po luftonin për çlirimin e popujve të tyre. I papërsëritshëm Rexhep Malaj ishte edhe kur kishte shtruar nevojën për formimin e “Partisë së Luftës” edhe në përgatitjen e aksioneve guerile në Prishtinë dhe gjithandej Kosovës.
Të gjitha këto të dhëna, dhe shumë më shumë se kaq, na i ofron libri “Rexhep Malaj – zjarr lufte që nuk shuhet”, i autorit Agim Sylejmani. Ky libër kushtuar Heroit Rexhep Malaj, i ndarë në 9 kapituj, i ishkruar në 425 faqe dhe i ilustruar me 247 fotografi, dukumente dhe faksimele, shumica prej tyre të botuara për herë të parë, mund të vlerësohet edhe si arkiv për Jetën dhe Veprën e kryengritësit të përjetshëm – Rexhep Malaj.
Libri përshkohet nga ndjenja e respektit dhe admirimit të autorit, deri në nivel të kultit, për kryeheroin e këtij libri. Në libër defilojnë me veprimet e tyre edhe shumë bashkëmendimtarë, bashkëveprimtarë dhe bashkëvuajtës të Rexhep Malajt. Ata janë shokët e gjashtëdhjetetetës – Irfan Shaqiri, Fatmir Salihu, Shefqet Hoxha, Shemsedin Kastrati etj. Aty janë edhe bashkëveprimtarët e Grupit Revolucionar të Kosovës – Kadri Osmani, Mehmet Hajrizi, Xhafer Shatri, Sami Dërmaku etj. Pastaj, shkëlqejnë me bëmat e tyre – Kadri Zeka, Hydajet Hyseni, Ilmi Ramadani, Gani Sylaj e shumë të tjerë.
Kapitull i veçantë i këtij libri, ndër më të rëndësishmit, është ai ku flitet për qëndresën e Rexhep Malajt në burgjet e ish-Jugosllavisë dhe, sidomos, veprimtaria e organizuar në Burgun e Idrizovës, të Zenicës dhe të Foçës. Të dhënat që ofron libri i Agim Sylemanit, “Rexhep Malaj – zjarr lufte që nuk shuhet” për aktivitetet e të pathyeshmit në burgjet e Serbisë, të Maqedonisë, të Bosnës dhe të Kroacisë, dhe bashkëveprimtarëve të tij – Rafi Halili, Skënder Kastrati, Agim Sylejmani e shumë të tjerë, meritojnë t’iu kushtohet një libër i veçantë.
Duke folur Mehmet Hajrizi për aktin e rënjes së Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës, duke cituar një mendimtar, konstaton se: “ata që kanë jetuar më shumë se një jetë – meritojnë më shumë se një vdekje!” Edhe për këtë rënie të dy heronjve, para 30 vitesh në lagjen e Prishtinës, që sot me krenari mbanë emrin “Kodra e Trimave”, autori Agim Sylejmani na sjellë të dhëna të panjohura deri tash.
Në vitin 2004, në 20-vjetorin e rënies së Rexhep Malajt dhe Nuhi Barishës, kisha shkruar librin “Rexhep Mala – Anteu i Lëvizjes Ilegale”. Aty, kisha theksuar se librin tim e mendoja të ishte vetëm hyllia e parë për studimin e Jetës dhe Veprës së Rexhep Malajt, dhe kisha shprehur dëshirën që të kemi edhe libra të tjerë kushtuar këtij personaliteti krejtësisht të veçantë. Botimi im, për fat, do pasohet nga libri i Basri Musmuratit “Qëndrestarët”, i botuar në vitin 2011, nga romani i Agim Sylejmanit “Rrugëtimi i një vigani”, i botuar vitin e kaluar dhe, tani, vjen libri i radhës i të njëjtit autor, i cili na ka gëzuar të gjithëve, e posaçërisht i ka gëzuar familjarët e Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës, bashkëveprimtarët dhe bashkëvuajtësit e tij në burgjet jugosllave.

Çdo përurim i librit, është vlerësuar me të drejtë, është një festë e vogël. Andaj, sot, nuk është vendi më i mirë ku do të theksoheshin mangësitë e vogla të librit që po përurojmë, edhe për faktin se, siç thotë një autor i njohur: “të përpiqesh të shkruash libër të përsosur do të thotë që atë të mos e shkruash kurrë”. Megjithatë, mungesa e aparaturës shkencore, fusnotave, citimi i burimeve, mungesa në disa raste të saktësimit të faksimileve, mospërkthimi i dokumenteve nga serbishtja dhe maqedonishtja, si dhe mungesa e treguesit të emrave, e bëjnë më të zorshëm shfrytëzimin e librit për studiuesit e ardhshëm të Jetës dhe Veprës së Heroit Rexhep Malaj. Kështu mund të thuhet edhe pë faktin se autori, në Hyrje të librit, thotë: “Ky libër është një nxitje për sudiuesit që të merren me këtë figurë të madhe të kombit tonë.”
Në fund, duke i uruar autorit dhe bashkëveprimtarit të Heroit Rexhep Malaj, Agim Sylejmanit, shëndet dhe të na sjellë edhe libra të tjerë të mirë, si libri që po përurojmë, do ta përfundoja me një konstatim të vet autorit: “Kur shkruhet dhe flitet për Rexhp Malajn, gjithmonë ngelet diçka mangut, diçka e pa thënë.”

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura