SELATIN NOVOSELLA: PA ADEM DEMAÇIN DHE ADEM JASHARIN NUK MUND TË SHKRUHET HISTORIA E KOSOVËS

Pashtriku.org, 29. 02. 2016: /Në 80 vjetorin e lindjes së Adem Demaçit/ (Viti 1936 – vit i veçantë për shqiptarët) – Viti i 1936 për kombin shqiptar është një vit tepër i veçant për faktin se në këtë vit lindën tri personalitete të njohura, emblematike dhe të papërsëritshme, secili në lëminë e vet: Adem Demaçi, Rexhep Qosja dhe Ismail Kadare. Për deri sa Ismail Kadare do të bëhet shkrimtari më i njohur shqiptar i gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, (si poet dhe romansier); për deri sa Rexhep Qosja do të jetë ndër studiuesit më të spikatur të letësisë, (si kritik, eseist, analist, prozator, dramaturg, por edhe si publicist i mprehtë); Adem Demaçi, ndërkaq, do të shkëlqejë, në fushën e veprimtarisë kombëtare-politike, duke u bërë organizatori dhe promotori i Lëvizjes Çlirimtare në Kosovë dhe, gjithandej, territorteve shqiptare jashtë kufinjëve të Shqipërisë shtetërore.
Me aktivitetin atdhetar të Adem Demaçit dhe me burgosjen e tij në vitin 1958, me ç’rast dënohet me 5 vite burg; me udhëheqjen e Organizatës “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, në vitin 1963, së bashku edhe me 13 bashkëveprimtarë dhe dënimi i tij nga Gjyqi i Qarkut në Prishtinë, me 15 vite burg të rëndë; me dënimin e tretë, poashtu, me 15 vite burg të rëndë, së bashku me 18 atdhetarë të tjerë, në mesin e të cilëve edhe me dëshmorët e mëvonshëm, Rexhep Malën dhe Isa Kastratin, në Procesin e njohur të Prishtinës, në vitin 1976; me qëndrimin e tij të papërsëritshëm para gjyqeve të pushtuesit në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe me angazhimet e tij si Përfaqësues Politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë kohës së luftës, ai do të bëhet, kështu, peronalitet i cili do t’i përfaqësojë ëndërrat, dëshirat, synimet, vullnetin dhe këkesat e shqiptarëve për liri dhe ribashkim kombëtar.

Personalitetin atdhetar, unikat, të Adem Demaçit do ta kompletojë edhe krijimtaria e tij artistike dhe publicistike. Duke qenë autor i romanit të parë në Kosovë, në vitet e 50-ta të shekullit të kaluar, “Gjarpinjt e gjakut”; autor i shumë tregimeve, të përmbledhura në librin “Kur Zoti harron”, në vitin 1994; i romanit në dorëshkrim, të konfiskuar nga policia serbo-jugosllave me rastin e një prej burgosjeve të shumta të tij; i dramës historike “POPU”, (shkurtesa për politika dhe pushka), të shkruar në Burgun e Pozharevcit në vitin 1969; i romanit “Libër për Vet Mohimin”, i botuar në vitet e ’90-ta; i poemthit “Tung vargu im”, i botuar në vitin 2002; të romanit më të ri “Heli dhe Mimoza”, i botuar në vitin 2005, si dhe të një numri shumë të madh të analizave, të komenteve, të opinioneve dhe, sidomos, të intervistave të shkëlqyera, Adem Demaçi, kështu, do të jetë njëri prej personaliteteve tepër të veçanta shqiptare.
Shembulli jetësor i Adem Demaçit, me plotë të drejtë, atë e ka shndëruar në INSTITUCION në vete, çka nuk mund të thuhet, qoftë edhe për një njeri tjetët në Kosovë. Emri i Adem Demaçit do të qëndroj, gjithnjë, natyrshëm dhe dinjitetshëm, pranë dhe krah për krah emrit të Komandantit Legjendar, Adem Jashari. Andaj, mund të konstatohet, me të drejtë, se: pa jetën dhe veprën e Adem Demaçit dhe të Adem Jasharit nuk mund të shkruhet Historia e Kosovës e pjesës së dytë të shekullit XX.
Serbia dhe ish – Jugosllavia kishin vënë embargo ndaj emrit të Adem Demaçit
Pushteti serb dhe ai jugosllav, me decenie të tëra, kishin vënë embargo ndaj emrit të Adem Demaçit. Për këtë pushtet mjaftonte që vetëm të përmendej emri i Demaçit ose t’i gjendej libri i tij “Gjarpinjtë e gjakut” dhe të dënoheshin njerëzit me vite burgu të rëndë. Për këtë pushtet ishte e mjaftueshme edhe vizita e rastit që mund t’i bëhej Demaçit, në mes të burgjeve të gjata, dhe vizitori të kërcënohej, të burgosej, të torturohej në kthinat e UDB-së apo të largohej nga shkolla, fakulteti apo nga vendi i tij i punës.
Pa marrë parasysh këtë embargo, të rreptë dhe të çelikt, të pushtetit sebo-jugosllav ndaj emrit të Adem Demaçit, pa marrë parasysh pasojat që u rrinin mbi kokë shqiptarëve, emri i tij do të jetë gjithnjë i pranishëm në odat tona, në mesin e rinisë sonë shkollore, në shtypin ilegal të Lëvizjes Çlirimtare të Kosovës. Ky emër i amikut numër një të pushtetit serbo-jugosllav do të brohoritet, fuqishëm, gjatë demonstrateve të para kosovare të pas Luftës së Dytë Botërore, më 27 nëntër 1968, duke u kërkuar edhe lirimi i Demaçit nga burgu 15-vjeçar që po vazhdonte ta vuante në burgjet e pushtuesit. Kjo ishte hera e parë që emri i Demaçit do të shqiptohet dhe brohoritet hapur para syve të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, para UDB-ashëve dhe policisë së pushtuesit dhe spiujve nga rradhët e shqiptarëv. Kështu, më në fund, do të hiqet embargoja e dhunshme ndaj ermit të Adem Demaçit.
Heqjen e kësaj embargoje nga emri i Demaçit, definitivisht, do ta bëjnë demonstratat historike të vitit 1981. Pranë parrullës programore të demonstratave të ’81-shit, “Republikë Kushteturë – ja me hatër ja me luftë!”, masovikisht do të brohoritet emri i Adem Demaçit. Edhe pse kjo kishte ndodhur edhe më parë, megjithatë, pas demonstrateve të vitit 1981, me qindëra e mijëra atdhetarë të inkuadruar në Grupet, Organizatat dhe Partitë ilegale politike, do të betohen, (para flamurit dhe fotografisë së Adem Demaçit), se do ta ndjekin edhe ata rrugën e Lirisë të cilën e kishte trasuar Demaçi dhe brezat para tij.
Erërat demokratike që do të fryejnë në vitet e ’90-ta të shkullit të kaluar edhe në hapësirën e Kosovës, erëra që nuk do ta sjellin dot lirinë kombëtare, do ta heqin, përfundimisht, këtë embargo ndaj emrit të Adem Demaçit, duke u bërë emri i tij, kështu, i pranishëm në gazeta, në revista, në radio, në televizion, në libra, në tubime, në përvjetorë, në manifestime, në kremte dhe festa kombëtare. Për Adem Demaçin, tashti, do të flasin të gjithë. Do të flasin kryetarë të shteteve, të parlamenteve, të qeverive, të Akademive të Shkencave dhe të Arteve, të partive politike. Poashtu, do të flasin dhe shkruajnë për Adem Demaçin: historianë, artistë, shkrimtarë, kritkë letrarë dhe publicistë.
Për Demaçin, më në fund, do të shkruhen poezi, do të këndohen këngë të zgjedhura dhe do të shkruhen libra të veçantë. Tashmë, Adem Demaçi, do të jetë pjesë e jetës sonë, duke bartur në vete vyrtytet më larta njerëzore, etike, kulturore dhe kombëtare.
Adem Demaçi, krejt ndryshe nga të tjerët
Njerëzit e mëdhenjë, zakonisht, nuk kuptohen sa dhe si duhet në kohën e tyre. E njejta situatë ndodhë edhe me Adem Demaçin. Dikur, shumë moti, në fillim të viteve të ’50 – të shekullit që lam pas, kur ishte rrezik, shum rrezik, që të shqiptohej fjala liri dhe Shqipëri, Adem Demaçi, jo vetëm i shqiptonte me forcë këto fjalë, por organzonte edhe të tjerët për bërjen e lirisë. E bëntë këte sepse ishte ndryshe nga të tjerët.
Kur Adem Demaçi botonte romanin e parë në Kosovë dhe ishte vërejtur talenti i tij krijues, në vend që të vazhdonte si edhe shkrimtarët dhe kolegët e tjerë, të shkruante dhe të bënte jetën nën robëri, ai zgjedhë diçka tjetër, atë të shkrimit të Programit politik për çlirimin e viseve shqiptare që vazhdonin të administroheshin nga pushtuesi jugosllav. Dhe, në fillim të viteve të 60-ta të shekullit të kaluar, Demaçi, nuk kërkonte të drejta dhe barazi me popujt tjerë që jetonin në shtetin e sllavëve të jugut, por kërkonte, as më pak e as më shumë, ribashkimin e tokave shqiptare në një shtet në kufinjtë etnik. Përsëri, Demaçi, nuk kuptohej sa dhe si duhej, sepse ishte krejt i veçantë nga të zakonshmit.
Në kohët kur dikush trumbetonte, e dikush mendonte seriozisht, se tashmë Kosova ishte subjekt i barabart në atë federatë dhe shqiptarët duhej ta zhvillonin bashkim – vllazërimin, Adem Demaçi deklaronte, pas lirimit të tij të dytë nga burgu, në vitin 1974: “Në esencë asgjë nuk ka ndryshuar. Çdo gjë vazhdon me të vjetrën. Përsëri vazhdon të sundon klasa burokratike-parazitare. Nryshimi i vetëm është se kjo burokraci flasin shqip. Udhëheqësit shqiptarë të Kosovës vazhdojnë të punojnë ashtu si urdhërohen nga Beogradi”. Adem Demaçi, edhe më tujte, vazhdon të jetë ndryshe nga të tjerët.
Derisa vazhdonte jeta jonë në robëri, për të cilën jo pak veta i këndonin hymne, kurse Titon e quanin “kepi i shpresës së mirë”, Adem Demaçi nga qelitë e errëta dhe të akullta sebo-jugosllave, dërgonte mesazhe, – nëpërmes shokëve që liroheshin nga burgu i vogël dhe ktheheshin “në burgun e madh”, siç thoshte ai për Kosovën dhe viset tjera të gjeografisë së dhembshme të atdheut, jasht Shqipërisë, – që të vazhdohej lufta e nisur nga brezat e mëhershëm deri në çlirim të plotë. Kështu, këtë amanet të Demaçit, (e themi amanet sepse kurr nuk i dihej se a të errta nata apo të zbardhte dritet në kazamatet e pushtuesit). Amanetin e përcillnin nga burgjet, herë Rexhep Mala, herë Isa Kastrati, herë Fehmi Lladrovci e herë atdhetarët tjerë. Nuk mund të ishte ndryshe Adem Demaçi. Përsëri ai i ngjante vetëm vetes së tij.
Më shumë se prania e tij fizike në veprimtarinë patriotike, në greva, në demonstrata dhe protesta, ishte shpirti mobilizues dhe mesazhi i shembullit të Demaçit, ai që udhëhiqte kur s’ishte pranë nesh, që na trimëronte kur na mungonte guximi, që na kurajonte kur na mungonte kurajoja, që na kthente besimin për fitoren kur mungonte besimi. Pra, ai ishte tërë kohëm me ne dhe pranë nesh.
Adem Demaçi kur ishte në mesin tonë, pas ferrit të burgjeve të pushtuesit, ishte dikund për të na shiquar nga afër se si dikush po përiqej që ta paraqitnin jetën nën pushtim si jetë institucionale me “udhëheqje legjitime”, edhepse ato “institucione” kishin më pak fuqi sesa mjegulla e dobët para diellit. Andaj, Demaçi, duke mos u pajtuar që t’i thërriste gjërat me emër tjetër përveç se me emrin e vërtetë tyre, përsëri vazhdonte të ishte ndryshe nga ne të vdekshmit.
Edhe kur i venin epitete të ndryshme ai vetëm buzëqeshte, me atë buzëqeshjen që i ka hije vetëm atij, dhe ecte më tutje për të gjetur shtigjet e reja për bërjen e lirë sonë. Edhe kur e lavdëronin dhe i ndajshtonin emrit të tij fjalët: Demaçi – simbol i qëndresës, Demaçi – simbol i bashkimit kombëtar, Demaçi – simbol i sakrificës, Demaçi – Mendela i shqiptarëve dhe i Evropës, e çka jo tjetër, ai, përsëri buzëqeshte, ashtu si i ka hije vetëm atij, dhe sikur thoshte pa zë, e më shpesh zëshëm: fjalë lavdie vetëm për dëshmorët, vetëm për ata që e kanë kryer detyrën ndaj atdheut. Sikur nuk i bënin përshtypje dhe nuk i dëgjonte këto lavdata. Sepse, siç thoshte shpesh, kemi ende rrugë të gjatë për të bërë që të arrihet te caku.
Kur i kishte rënë UÇK-ja bririt për mobilizim, kur në zyrat e ngrohta në Prishtinë vazhdohej, me kokëfortësi, të zhvillohej “jeta e institucioneve” në Kosovën e robërur, Adem Demaçi, si Përfaqësues Politik i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, më 27 nëntor të vitit 1998, deri sa po shënohej përvjetori i demonstratve të ’68-tës, do të delë në foltore por do t’i lidhet gjuha. Për herë të parë do t’i lidhet gjuha atij që nuk iu kishte lidhur as para gjyqeve të pushtuesit me akuza që ligjet e kohës parashihnin edhe dënimin me pushkatim. Do ta përbijë pështymën, do të kollitet dhe do të thotë me dhembshuri dhe emocione:
“Më besoni se është shumë vështirë të flas për bashkëmendimtarët e mi, bashkëveprimtarët e mi dhe bashkëluftëtarët e mi që vdiqën në tortura në burgjet dhe në UDB-në jugosllave, që ranë në demonstratat dhe aksioniet e armatorsura në rrugën e lirsë dhe e kam shumë vështirë, tepër të vështirë, të flasë sot për djemtë dhe çikat më të mira që ka Kosova dhe populli ynë në përgjithësi, që sot po vriten në Drenicë dhe gjithandej Kosovës në luftë me pushtetin kriminal, shovinist dhe fashist të Serbisë! Më besoni, – do ta përfundojë fjalën Adem Demaçi, në Institutin Albanologjik të Prishtinës, – se më lehtë është të jesh i vdekur se sa të flasish për shokët e vdekur burgjeve, rrugëve dhe maleve. Por, ky është çmimi i lirisë”!,
– e pëfundon fjalën e tij Adem Demaçi.
Nuk ka Adem Demaçi nevojë për ne, por ne kemi nevojë për të
Gjatë një pushimi, në mes të seancave të Simpoziumit Ndërkombëtar për Skënderbeun, i mbajtur në Prishtinë, në vitin 1968, shkencëtari i njohur, Aleksë Buda, do t’u thotë (disa të rinjëve që e kishin rrethuar atë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej ky Simpozium), se: “Çdo gjë që e bëjmë, tashti, për Skënderbeun në këtë 500-vjetor të vdekjes së tij, (siç janë: kompozimi i këngëve, shkrimi i poezive dhe romaneve, luajtja e dramave dhe filmave artistik dhe dokumentar, mbajtja e Sesioneve dhe Simpoziumeve), ne, realisht, i bëjmë për vetën tonë, për t’i shërbyer aktualitetit. ” Ata të rinjë idealistë siç ishin, nuk e kuptonin, sa dhe si duhet, mesazhin e këtyre fjalëve të Aleksë Budës, Kryetarit të Akademisë së Arteve dhe Shkencës të Shqipërisë. E njejta gjë mund të thuhet, sot, se çdo gjë që do të duhej të bënim për Adem Demaçin, në 70-vjetorin e lindjes dhe në 50-vjetorin e veprimtarisë së tij, nuk do ta bënim për të por për veten tonë.
Më shumë Mirënjohje i kanë dhënë Demaçit të huajt se sa ne
Për angazhimet e Adem Demaçit në fushën e bërjes së lirisë së shqiptarëve, në fushën e të drejtave të njeriut, për kontributin në lëminë publicistike dhe atë krijuese – artistike, deri tashti, i janë dhënë shumë Mirënjohje dhe Shpërblime, prej të cilave po i theksojmë, këtu, disa prej tyre:
l. Anëtar Nderi i PEN-it danez, Asociacion Botërorë i Shkrimtarëve, më 30 Maj 1989.
2. Çmimi “SAHAROV” i Parlamentit Evropian, në vitin 1991.
3. DIPLOMË NDERI nga Asociacioni Ndërkombëtar i Edukatorëve për Paqe Botërore, më 28 qershor 1992.
4. Çmimi “Lizel dhe Lio Aitinberg” i Universitetit të Osllos për vitin 1995.
5. Mirënjohja “ÇLIRIMTAR I PRISHTINËS” i ndarë nga Kuvendi i Komunës së Prishtinës, më 28 Nëntor 1999.
Duke i ikur rrezikut që të marrë rolin e mësuesit, megjithatë, le të më lejohet ta shprehë mendimin tim, krejtësisht shlirshëm, se në këta dy përvjetorë të Adem Demaçit, do të duhej të bëheshin, së paku, tri aktivitete:
– Një, të botohej komleti i veprave të tij letrare, (romanet, tregimet, drama, poemthi), shkrimet publicistike, në disa vëllime, me analiza, komente, oipinone dhe intervista të zgjedhura të tij;
– Dy, të shkruhej një monografi shterruese për jetën dhe veprën e Adem Demaçit dhe
– Tre, të mbahej një Sesion Shkencor, ku do të ftoheshin ta thonin mendimin e tyre intelektualë, shkrimtarë, historianë, studiues të lëmive të ndryshme, analistë, publicistë dhe diplomatë, nga i gjithë areali shqiptar në Ballkan dhe nga diaspora shqiptare.
Këtë e ka merituar Adem Demaçi, jo ndër të vetmit, por i vetmi personalitet shqiptar i gjallë që, me plot gojën mund të thuhet se, është – INSTITUCION NË VETE.
Në fund,
Pse nuk ndodh kjo, përgjigjen le ta japin institucionet e Kosovës, ato të kulturës, të shkencës dhe institucionet shtetërore. Andaj, le të jetë kjo si një vërrejtje apo akuzë ndaj atyre që ishin përgjegjës, të obliguar dhe të thirrur që të bënin diçka të vogël për këtë personalitet emblematikt të popllit shqiptar, ndonëse, siç do të thoshte akademik Rexhep Qosja: “Adem Demaçi ka në përparësi të madhe mbi të tjerët: ai flet edhe kur heshtë. Numri 28 i skalitur në ballin e tij flet më shumë se të gjitha vjershat dhe të gjitha librat që të tjerët mund të shkruajnë dhe më shumë se të gjitha fjalimet që të tjerët mund të mbajnë – flet si turp i përjetshëm për gjyqësinë sebe dhe si mburrje për popullin liridashës shqiptar”.
Imzot Nikë Prela: “Krishti s’ishte ndryshe”
Sot, në këtë vit jubilar, në 70-vjetorin e lindjes dhe 50-vjetorin e veprimtarisë së Adem Demaçit, nuk është e mundur që të mos i shtrojmë vetës ca pyetje, nga ky tubim i sotëm fare modest:
– Ku është sot Adem Demaçi?
– A është i shtrirë në ndonjë spital duke u shëruar jashtë Kosovës?
– A ka ndonjë pension kombëtar për të siguruar një egzistencë të dinjitetshme?
– A mendon ndonjë institucion i Kosovës që t’i ndajë një Mirënjohje për atë që ka bërë Adem Demaçi, në kohën kur shumica e liderëve të tashëm të Kosovës nuk kishin as të lindur?
– A mendojnë, sot, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, që ta konsultojnë se ç’mendon Adem Demaçi për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, kur po vendoset fati i saj, për fatin e të cilës Demaçi kishte menduar, vepruar e sakrifikuar çdo gjë nga vetja e tij?
Dhe, krejt në fund.
Gjatë përgaditjes së librit kushtuar Adem Demaçit, i cili këto ditë del nga shtypi, me titull “Demaçi – metaforë lirie”, të cilin libër e kam menduar si një mirënjohje dhe falënderim timin, për mësimin e ABC-së për rrugën e lirisë që e kam mësuar nga Ai, kam prezentuar aty rreth 60 mendime të personaliteteve që flasin për jetën dhe veprën e tij. Këtu, të më ndieni që t’i veçoj, vetëm dy prej tyre:
I pari është mendimi i Azem Sylës, Shefi histroik i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, se: “Për gjeneratën time, në vitet e shtatëdhjeta të shekullit që shkoi dy kanë qenë burimet më të fuqishme të frymëzimit dhe orientimit atdhetar, politik dhe jetësor: Shqipëria dhe Adem Demaçi”.
Dhe, mendimi i dytë për Adem Demaçin, janë fjalët e Imzot Nikë Prelës, të shqiptuara në kishën katolike në Ferizajt, në vitin 1990, me rastin e pritjes që i bëhet Demaçit pas lirimit të tretë nga burgu. Imzot Nikë Prela, thotë: “A e keni parë ju Krishtin ndonjëherë? Ja, ky burrë është Krishti! Krishti është Adem Demaçi! Krishti s’ishte ndryshe! Çka ka bërë Krishti më tepër se ky?”
Prishtinë, Nëntor 2006
***
(Kumtesë e lexuar në Tubimin Solemn, kushtuar 70 – vjetorit të lindjes së Adem Demaçit dhe 10-vjetorit të formimit të Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, i mbajtur më 27 nëntor 2006, në Prishtinë)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura