SHABAN B.MUHARREMI: AZEM VLLASI GËNJEN, NUK KA QENË TRURI I GREVËS SË MINATORËVE!

(Marly, 19 janar 2013) – Përkitazi me disa deklarime dhe intervista të Azem Vllasit, lexusve të nderuar u paraqes disa fakte se kush në të vertetë kontriboi për t’u suprimue Autonomia e Kosovës dhe kush vërtetë sakrifikoi çdo gjë për t’u jetësuar REPUBLIKA E KOSOVËS. Edhe pse Vllasi pretendon të jet TRURI i GREVËS së Minatorëve, mendoi se faktet e kohës flasin në disfavorin e tij.
Intensifikimi për “Serbinë e bashkuar” përmes ndryshimeve kushtetuese, nisi me ngritjen e Sllobodan Millosheviçit, nga pozita e kryetarit të Komitetit të LK’së për Beogradin në postin drejtues të KQ të LK të Serbisë, në maj të vitit 1986. Platforma ideologjike e Millosheviçit bazohej në Memorandumin e Akademisë së Shkencave të Serbisë, i hartuar në shtator të vitit 1986. Sipas hartuesve të memorandumit “e keqja më e madhe për kombin serb u sendërtua në tekstin e Kushtetutës së vitit 1974, e cila jo vetëm e ndau Serbinë në 3 pjesë, por krijoi edhe mjedisin e përshtatshëm për fillimin e gjenocidit ndaj serbëve të Kosovës.” (V.Meier: Fundi i Jugosllavisë – goditja në Kosovë, Lubjanë – Liria 2007, fq.82)
NËSE HIJA E PERSONAVE TË VEGJËL PARAQITET E MADHE, ME SIGURI SE NË ATË VEND PO PËRENDON DIELLI ! !
Më 21 janar 1987 Kryesia Federale, kishte propozuar fillimin e ndryshimeve në Kushtetutën Federale, duke përfshirë 29 amandamente (nga 9 – 37). Në këtë kuadër më 28 korrik 1987 edhe Kuvendi i Serbisë vendosi t’i hyjë ndryshimeve në Kushtetutën e Serbisë. Më 14 shtator 1987 Kuvendi i Serbisë ua dërgoi Propozimin për ndryshimet në Kushtetutën e Serbisë, Kuvendit të Kosovës dhe atij të Vojvodinës për të dhënë pëlqimin për ato ndryshime që do t’u përkisnin çështjeve me interes për Serbinë (unike) si tërësi.
Shiqoni vendimet që merr Kuvendi i Kosovës !
Në mbledhjet e Kuvendit të Kosovës të mbajtur më 6 nëntor 1987 dhe 2 shkurt 1988 u miratua propozimi i Kryesisë së Kosovës për t’u hyrë ndryshimeve të Kushtetutës së Kosovës, sipas direktivave të Serbisë. Gjatë verës së vitit 1988 (pikërisht në kohën kur Millosheviçi intensifikoi veprimet politike përmes “metingjeve antiburokratike” të organizuar nga shovinistët serbe të Kosovës me seli në Fushë Kosovë) u bënë përgatitjet organizative – politike, për formimin e këshillave koordinues në organet e Lidhjes Socialiste, të aktivave politike etj., që do të jenë bartëse të procesit për ndryshimet substanciale në Kushtetutën e Kosovës.
Edhe një tjetër vendim në Kuvendin e Kosovës!
Kuvendi i Kosovës më 22 shtator 1988 miratoi Projektin e ndryshimeve kushtetuese në Kushtetutën e Kosovës, dhe ky projekt përfshinte ndryshimin e 142 dispozitave të Kushtetutës së Kosovës në amandamentet 18 – 51. Diskutimi publik u zhvillua deri më 31 tetor 1988, në 1597 shoqata e 350 konferenca lokale dhe në 2.427 organizata themelore punuse qeverisëse. (N.Gjeloshi -Kosova në udhëkryq ’89, Velar 1997, f.43)
Këto zhvillime, të cilat po e shkatërronin edhe atë copë autonomie që kishte Kosova, shkaktuan një valë protestash në Kosovë. Nga 17 – 21 nëntor 1988 në Prishtinë e në qytete tjera të Kosovës u organizuan protesta gjithëpopullore, dhe kjo valë protestash nisi në mëngjesin e 17 nëntorit me marshimin e minatorëve të Trepçës nga miniera e Stan – Tërgut për në Prishtinë.
Ku ishin udhëheqësia?
Me minatorët u solidarizuan studentët e UP’së dhe i gjithë populli, por jo edhe strukturat politike shqiptare të këtij regjimi, të cilat këto protesta i cilësuan si armiqësore e kundë – revolucionare.
Ku ishin dhe ç’bënë delegatet e Kosovës?
Më 22 shkurt 1989 ndryshimet në kushtetutën serbe u miratuan njëzëri nga komisioni kushtetues i Serbisë, ndërkaq dy ditë më vonë pasoi miratimi unanim i kushtetutës në seancën plenare të parlamentit serb dhe për çudi delegatët e Kosovës nuk dhanë asnjë vërejtje në këtë drejtim. Kryetari i komisionit kushtetues në parlamentin serb Borisav Joviç, me paturpësi deklaron se “reforma kushtetuese serbe nuk e kërcënon aspak autonominë e krahinave” dhe se vetëm tani Serbia “gjendet në rrugën drejt barazisë me republikat e tjera”! (V.Meier: Fundi i Jugosllavisë – goditja në Kosovë, Lubjanë – Liria 2007, fq.133)


Minatorët në grevë urie (Shkurt 1989).

………………………………………………

Nga 20 – 28 shkurti 1989 sërish ishin minatorët ata që kundërshtuan ndryshimet kushtetuese në dëmë të Kosovës, me grevë të përgjithshme, duke u ngujuar në galeritë e tyre të punës. Këtë herë artikuluan 10 kërkesa dhe njëra prej tyre ishte: “Të jepnin dorëheqje të parevokueshme: Rrahman Morina, kryetar i Kryesisë së Komitetit Krahinor të LK të Kosovës; Husamedin Azemi, kryetar i Kryesisë së Komitetit Komunal të LK të Prishtinës dhe Ali Shukria, anëtar i Komitetit Qëndror të LK të Jugosllavisë.” Një ditë pas fillimit të grevës së minatorëve, (më 21 shkurt) 215 intelektualë shqiptarë i drejtuan një Apel opinionit të gjerë publik dhe strukturave pushtetore të Jugosllavisë, Serbisë dhe të Kosovës, ku u apelua “në Kuvendin e Serbisë që të aprovojë vetëm pjesën e amandamenteve që nuk kanë të bëjnë me ndryshimin e raporteve ndërmjet RS të Serbisë dhe krahinave socialiste autonome…” sepse “Ngushtimi eventual i pozitës kushtetuese të Kosovës do të shkaktonte te shqiptarët ndjenjën objektive se po u merret jo diçka që u është dhuruar, por ajo që u takon burimisht…” (N.Gjeloshi – fq.86 – 88 -89)

KUSH MBANTE POZITAT MË TË LARTA NË UDHËHEQJEN E KSAK-ës ?
1. Ali Shukria – Kryetar i Kryesisë së KSA të Kosovës (1981-1982),
2. Nebih Gashi – Kryetar i Kryesisë së KSA të Kosovës (1982-1983),
3. Shefqet Jashari – Kryetar i Kryesisë së KSA të Kosovës (1983-1984),
4. Ymer Pula – kryetar i KE të KSA të Kosovës (1982-1986),
5. Kolë Shiroka – Kryetar i Kryesisë së KSA të Kosovës (1984-1985),
dhe Kryetar i KK të KSA të Kosovës në periudhën (1985-1986),
6. Nazmi Mustafa – kryetar i KE të KSA të Kosovës (1986-1989),
7. Jusuf Zejnullahu – Kryetar i KE të KSA të Kosovës ( 1989-1990),
8. Bajram Selani – Kryetar i Kryesisë së KSA të Kosovës (1986-1987),
9. Remzi Kolgeci – Kryetar i Kryesisë së KSA të Kosovës (1987-1988),
10. Azem Vllasi – Kryetar i KK të KSA të Kosovës (1986-1988) dhe
11. Rrahman Morina – Kryetar i KK të KSA të Kosovës (1988-1990)
.
Në mbrëmjen e 27 shkurtit, kryesia e shtetit miratoi marrjen e masave të veçanta për Kosovën. Dhe këto “masa të veçanta” nuk ishin gjë tjetër veçse gjendje e jashtëzakonshme. (V.Meier, fq.137).
Tani të gjithë së bashku “kundër” Sërbisë! Mos vallë këtu kanë marrë pjesë dhe kanë votue enveristat e Kosovës ?!
Më 14 mars 1989, dy kryesitë e Kosovës (ajo e Komitetit Krahinor dhe e Kryesisë së Kosovës) përmes një kumtese të përbashkët, theksojnë, se: “Dy kryesitë përkrahin plotësisht amandamentet për Kushtetutën e RS të Serbisë, me të cilat mundësohet që RS e Serbisë të ushtrojë funksionet dhe kompetencat e veta të domosdoshme në tërë teritorin e Republikës…” dhe se me “këto ndërrime nuk ndryshohen parimet themlore të Kushtetutës së RSFJ’së të vitit 1974 dhe pikënisje është realizimi i konsekuent i barazisë së plotë kombëtare të të gjitha kombeve e kombësive në RS të serbisë dhe në KSA të Kosovës”. (Rilindja, 15 mars 1989)
PËR NJERIUN ËSHTË MË MIRË TË JETOI ME PRANGA NË DUAR SE SA ME PRANGA NË SHPIRT

Për lexuesit e nderuar po jap vetëm dy prova të pas demostratave të vitit 1981.
Prova e parë:
Vetëm nga ky fakt A.Vllasi dhe suita e tij janë vrasës dhe po të kishim shtet normal, ky zotëri do të denohej për pjesëmarrje në vrasjen e trefisht në Shtutgart. Pra kjo nuk është çështje private, por tërësisht çështje kombëtare nga se: Elita kosovare, e yshtur nga Shteti Jugosllav dhe nga presioni serb kan bërë krim.

Prova e dytë:
Komiteti Krahinor kishte autorizuar Azem Vllasin, Agim Zatriqin dhe Hajredin Hoxhën që ta udhëheqin dhe mbikqyrin procesin e diferencimit në Universitetin e Prishtinës. Si e shpjegon A.Vllasi rastin e Ali Hadrit? Apo si e shpjegon rastin tjetër kur me 21 korrik 1982 Gjykata Krahinore denoi me burg të rënd grupin e intelektualve:
Halil Alidema-11 vjet burg
Ukshin Hoti 9 vjet burg
Ekrem Kryeziu 8 vjet burg etj.

Të vetmën provë qe ka pasur Trupi gjykues ka qenë: Gjykimi paraprak-politik që i ka bërë Vllasi, Zatriqi dhe Hoxha. Ku janë sot këta njerëz dhe kush ndikoi që jeta e tyre të merr dimenzione aq tragjike?! Përse nuk flasin së paku të gjallët? Përse mediat elektronike dhe të shkruara më shumë u bëjnë publicitet përsonazheve që kanë qenë kolera e Kombit shqiptar nën Jugosllavi, dhe pse në mënyrë aq dinake mundohën ta nxjerrin veprimtarinë e tyre destruktive dhe manipuluese-si pozitive ?

NUK MUNDEMI TE BËJMË GJËRA TË MËDHA NË KËTË BOTË, E RËNDËSISHME ËSHTË TË BËJMË GJËRA TË VOGËLA, POR ME DASHURI TË MADHE.
Koha mes dy ngjarjeve të mëdha, pra mes 17 nëntorit 1988 kur Minatorët marshuan në Prishtinë dhe 20 shkurtit 1989 kur hynë në Grevë, ka qenë e shkurtër përballë presionit shtetror serb. Dita e 17 nëntorit 1988 mua me ka gjetur në hyrje të Prishtinës! Kam qenë me traktor duke ia dërguar pak dru dhe thengjill Sinan Kastratit. Ai ishte një njeri ish i burgosur dhe me gjendje të vështirë ekonomike. Te miqt e tij në Zhilivodë e kishte siguruar thëngjillin dhe m’u lut t’ia bartë me traktor. Ne si familje vendosëm t’i japim pak dru. Në hyrje të Prishtinës , apo më sakt, pak para se të dilnim (tani te kazerna Adem Jashari) në krye të përpjetzës na ndalën Policia dhe na thanë të presim pa na dhënë shpjegim! Nga Lugina e Prishtinës dëgjoheshin brohoritje që nuk mundem t’i kuptonim. Meqë ishim kurreshtar ta dinim, një polic na tregoi se Minatorët po protestojnë. Në mbrëmje i shiquam në TV. Me foto të satrapit Tito, me flamur jugosllav e shqiptar. Kërkesat e tyre ishin sa me kujtohet :
a. Përmirësimi i kushteve të punës dhe gjendjes së rëndë ekonomike,
b. Mos ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës e vitit 1974.

Evulimi i ngjarjeve në gjithë Jugosllavinë dhe sidomos jehona e Protestës së Minatorve në Prishtinë e 17 nëntorit 1988, yshtja dhe margjinalizimi i serbve të Kosovës dhe më gjërë kundër shqiptarëve dhe asaj autonomie që kishin, sikur zgjoj nga gjumi edhe njeriun më apolitik!? Ne u motivuam edhe më shumë dhe përpjekjet tona ishin jashtë mundësive tona reale. E kishim të qartë se mbi supet e Kosovës rëndonte një barrë e madhe nga se i gjithë aparati shtetërorë Jugosllav ishte manipuluar dhe dezinformuar për gjendjën në Kosovë. Rreziqet ishin të mëdha dhe ne s’kishim mundësi tjera t’i kundervihemi Serbisë, por edhe gjithë Jugosllavisë, pos me kundërshtimin tonë dhe të sillemi në mënyr paqësore. Nuk mund ta harroi faktin se: dy-tre javë para se të ndodhte greva e 20 shkurtit 1989 kam pasur një takim me shokun tim të ilegalës Rexhep Ahmeti me të cilin u pajtuam dhe u ngarkuam me detyra që ne mendonim atë botë, se janë me rëndësi. Nuk e harroj faktin se Rexha më njoftoj se kanë shokë edhe brenda në Minjerë. Kjo me pat gëzuar dhe motivuar tej mase.
Detyrat me të cilat u ngarkuam kanë qenë këto:
a. Aktivizimi dhe kyçja jonë në këtë proces, në rend të parë arsyetimi i mëtejshëm për nevojën e një greve të përgjithëshme të minatorëve në Trepçë dhe motivimi i të gjithëve për këtë,
b. Informimi i shokëve, me theks të veçant masovizimin e të gjitha shtresave.
c. Të përgatitën Minatorët dhe klasa punëtore për kërkesën thelbësore, që në fakt, ne synonim kërkesën për REPUBLIKË si kërkesë kyçe.
Unë u ngarkova që me shokët e mi të veproi në Komunën e Vushtrrisë dhe të mbaj lidhje nëpërmjet Bedri. B. Selmanit në Mitrovicë, kurse shokët e mi ta shtrijnë aktivitetin në Prishtinë dhe më gjërë.
Atë natë, kam mbrri dikur vonë (kah ora 23h00) në shtëpi! Aty kam gjetur mysafir shumë të nderuar: Mustafën (babain e Xhafer Durmishit), Sheremet e Isë Saraçin dhe Hoxhë-Mahmut Muratin. Kam qenë i lodhur tej mase! Aty flisnim hapur, ngase të gjithë ishim njerëz të ilegalës, kurse Xha Mustafa ishte njeri shumë i pjekur dhe besnik i madh. Ai dhe e gjithë familja Durmishi i kishin provuar torturat ç’njerzore shkaku i aktivitetit të Xhaferit. Për babain tim s’kisha fare problem, ndërsa për Sheremetin dhe Isën e dija që herët, se kanë qenë anëtar të LNCKVSHJ dhe ishin shokë të vjetër të Xhaferit e Asllanit (vëllait tim). E di dhe jam i sigurt se edhe mysafirët e kësaj nate kanë kontribue shumë në masovizimin e të gjitha shtresave. Pastaj unë fillimisht e kam testuar disponimin e bashkëfshatarve të mi dhe kam qenë i befasuar me shumë nga ta se, sa seriozisht dhe të përkushtuar kanë qenë gjatë gjithë këtyre ngjarjeve.
Fill pas këtij takimi unë kam kontaktuar me shokët e mi : Ferki Morina nga Akrashtica, Xhemajl Pllana nga Shtitarica dhe Shyqyri Imeri nga Dumnica. Ne jemi pajtuar që ta shtrijmë aktivitetin tonë në çdo fushë të mundshme.
Në vazhdën e përpjekjeve, unë kam takuar shumë shokë shkolle, (gjeneratash të ndryshme), familje dhe të afërm, kam takuar njerëz që kam menduar se mund të kontribojnë, por jam konsultuar edhe me njerëz që në njëfarë mënyre kam menduar se mund të jenë të organizuar ilegalisht. Temë diskutimi çdo herë ka qenë: “Si të veprojmë”? Kjo nuk ka qenë aspak e lehtë, përkundrazi! Ne e kishim të qartë se: Për çka luftonin titistët dhe për çka luftonim NE! Qëllimet tona kanë qenë diametralisht të kundërta! Ata janë përpjekur të mbesin në kolltuqet e tyre nën Jugosllavi e Sërbi, kurse ne për REPUBLIKË- drejtë shkëputjes dhe bashkimit me NËNËN SHQIPËRI.
Nga gjendja e rëndë ekonomike, unë atë kohë kam ndarë edhe kafshatën e gojës-kam shitë edhe ate që s’është dashur ta shes-drithërat! Pse? Vetëm të jem në Prishtinë, Vushtrri, Mitrovicë dhe më gjërë.
Një lidhje të veçantë kam pasur me Mitrovicën – për dy arsy :
E para, ka qenë emoconale,,sepse aty kam mbaruar shkollën e mesme, dhe,
E dyta, sepse aty gjithmonë është folur se do të luhet loja e madhe, m’u për shkakun e Trepçës.

Kam pasur rastin të njoh shumë minatorë kur kam qenë nxënës i shkollës së mesme. Me ta jemi takuar nëpër kafenetë e ndryshme duke i ikur të ftoftit, në stacionin e trenit, në tregun e pemëve dhe drithrave etj. Kanë qenë njerëz të sakrificave të mëdha. Njerëz shumë të dashur dhe të rryer-shumë atdhetarë e patriot! Mjerisht niveli i tyre arsimor ka qenë i pamjaftueshëm, kurse organet udhëheqëse fatkeqësisht nuk e kanë pasur guximin e duhur që ta përdorin dijën e tyre në dobi të grevës. Mund të them se kam qenë i informuar se çka po lëvizë në St.Tërg, sepse aty ka qenë minator edhe nipi im Idriz Selmani. Në lagjën BAIR me netë të tëra jemi takuar me Bedri.B. Selmanin etj, i kemi shqyrtuar dhe analizuar rrethanat, rreziqet, të papriturat dhe kishim bindjen se kërkesat do të devijohen.
Një ditë në takim me shokun Shyqyri Imeri, duke i shqyrtuar vështirsitë dhe nga droja se kërkesa për REPUBLIKË nuk do të ngjitet nga fundi i zgafellave, vendosëm dhe e stolisëm qytetin e Vushtrrisë e shumë fshatra-deri në Stanofc me parullën: KOSOVA REPUBLIKË. Kjo punë patë bërë jehonë shumë të madhe sa që tani flitej hapur në çdo familje në çdo takim, e NE përpiqeshim të bënim sqarime se Autonomia e Kosovës duhët të avancohet në Republikë, e kurrsesi të hiqet, apo të degradohet. Ka pasur shumë mjeran, shumë injorantë që titistët i manipulonin se gjoja këto parulla janë shkruar nga UDB-eja vet. Ne nuk e gëlltisnim këtë lojë! Ne vazhdimisht e përsëritnim faktin se: Serbia i ka ndjekë dhe denue ata që kanë shkruar parulla dhe që kanë shpërndarë afishe e trakte për KOSOVËN REPUBLIKË etj.etj. Ditën e 20 shkurtit 1989 kam shkuar në Mitrovicë dhe jam informuar për Grevën, pastaj ika në Prishtinë. Aty kuptova edhe lëvizjet dhe veprimet e studentëve. Kam tentuar të futem në Palestrën e Sporteve, por nuk kam mundur, ngase vetëm me INDEKS studenti lejohej hyrja. Jam kthyer dikur vonë në shtëpi, kam marrë dokumentin dhe të nesërmen u jam bashkuar studentve dhe aty kam qëndruar gjer në fund.
SI E KAM GJETUR GJENDJEN NË PALESTRËN E SPORTEVE 25 MAJ NË PRISHTINË ?
Kisha përshtypjen se kam qenë i fundit që kam hyrë aty. Nuk kishte vend dhe kishte shumë tym duhani. Nuk njifsha njeri ngase kisha absolvuar në vitin 1987 dhe isha student i vonuar. Dal e ngadal u ambientova dhe u shoqërova me disa student dhe të nesërmen (nëse nuk gaboi) kam takuar dy shoqe të gruas. Brohoritjet ishin; Kosova… Kosova… kushtetut… kushtetut etj, e unë shpresat i kisha të orjentuara kah Mitrovica. Atëhere informatat qarkullonin me vështërsi. Palestra ishte mbushur plot gazetarë, kamera… E di se ka qenë TV gjermane dhe angleze. Fatkeqësisht, as udhëheqësa kosovare, as profesor e akademik…. tek ditën e fundit me kujtohet se kanë ardhur disa profa në mesin e tyre kam dalluar Enver Mehmetin e Ali Aliu-n prof, në Fakultetin Filozofik, ndërsa përkrahje nga qytetarët e Prishtinës dhe gjithë Kosovës kemi pasur shumë, sidomos me ushqime. Me 27 shkurt 1989 jemi njoftuar se organet Federative kanë marrë vendim për vënjen e Gjendjës së jashtzakonshme në Kosovë. Atë ditë ka pasur fluturime të aeroplanëve ushtarak, sidomos afër konvikteve dhe aty ku ishim ngujuar ne. Fluturimi ishte aq i ultë sa qe zhurma e tyre ishte shurdhuese. Kjo metodë përdorej për të frikësuar popullatën, por bëhej presion direkt në studentët e ngujuar. Mund të them se nuk ka pasur luhatje as frikë në mesin e studentëve edhe pse kishte shqetësime për ndonjë masakër të mundshme.
MASHTRIMI I PARË!
Ne nuk kemi qenë në dijeni se Minatorët ishin nxjerrë nga Zgafella në Stantërg. Miatorët në thellësi nëntokësore 800-1000 metra kanë pasur një dalje të vetme. Kjo dalje ka qenë e bllokuar dhe e rrethuar nga policë dhe ushtarë. Ka pasur plotë Minatorë që janë dorzuar për shkaqe shëndetsore, nga se ata kanë qenë të shantazhuar në forma të ndryshme. Ata nuk kanë pasur njohuri se ç’po ngjet jashtë, sepse poshtë në zgafellë kanë mundur të futën vetëm Udhëheqësit e Trepçës dhe të deleguarit nga strukturat autonomiste !? Dihet mirëfilli se këta emisarë kanë ndikuar që me mashtrimet e tyre – duke ju ofruar edhe dokument me shkrim, e me nënshkrim të atyre për të cilët kërkohej dorëheqja. Vetëm kur kanë dalur në sipërfaqe e kanë kuptuar lojën!
MASHTRIMI I DYTË!
Me 28 shkurt 1989 u luajt edhe skenari i dytë – u nxorrën studentët nga P.Sportive. Kjo u realizua nëpërmjet Zekria Canës (sa e di unë) i cili mbrenda në Palestër dezinformoi studentë se kanë dhënë dorëheqje TRE të nominuarit, se Minatorët kanë dalë dhe kanë shkuar nëpr shtëpitë e tyre etj.etj, andaj pasi kërkesat janë plotësuar, më s’keni arsye të qëndroni këtu?! Në ato momente në palestër u fut një delegacion i Minatorëve që e demantoi gënjeshtrën e Z.Canës duke thënë se: Kërkesat nuk janë plotsue, po na kanë mashtruar dhe tradhëtuar! Këtë të vërtetë dhe këtë fakt s’mund ta hedhë askush poshtë , jo pse po e them unë, por pse e dinë të gjithë studentët që kanë qenë aty. Në mesin e studentve u krijua një shok i madh. Me qindra studente dhe student janë alivanosur dhe kanë kërkuar ndihmë mjeksore… u hapën dyert dhe u krijua një rrëmujë e paparë . Aty u fut edhe UDB-ja të cilët me forcë nxorrën pjesën dërmuese të studentëve. Në sallë numri i studentëve zvogëlohej gradualisht dhe dikur pas mesnate mbetëm një grusht studentë. Ky numër u reduktua në nja njëqind, dhe dikur për ta evituar ndonjë të keqe të madhe u larguam edhe ne. Pas kësaj, ne një grup kemi shkuar në banesën e disa shoqeve. Ishim të lodhur dhe zhgënjimi ishte i madh. Edhe pas gjithë atyre ditëve dhe netëve pa gjumë sikur ishim bërë imun ndaj pagjumësisë, sikur ishim të destinuar ta luanim rolin e “ROBOTIT“! Me t’u zbardhë dita të gjithë u shpërndamë. Unë që s’kisha metalik në xhepat e mi, dola rrugicave të Prishtinës, dola arave drejt Vushtrrisë. Dola nga Prishtina e kujtimeve të mia, ua thash lamtumirën të gjithë atyre qytetarve që për ato tetë (8) ditë kishin mbajtë me ushqime krenarinë e Kombit-studentët. Mbështetja dhe kujdesi i atyre netëve nga qytetarët e Prishtinës dhe gjithë Kosovës është mbresë që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në qenjën time plot emocione. Nuk e di se si më kanë punuar këmbët, si më ka mbajtë organizmi që të mbrrijë në këmbë deri në fshatin tim. Në të hyrë të fshatit nga larg kam vërejtur nënën time të dashur e të moshuar. Me lëvizjet e saja e kuptova se më kishte vërejtur. Afrohem ngadal dhe duke hyrë në dyert e oborrit, nga dora e nusës sime i shkëputet Nora – vajza ime e vogël. E marrë në përqafim, përshëndetëm me gruan dhe futemi brenda. Isha i lodhur dhe i dëshpruar. Nëna me gjithë familjen me shiqonin… sikur prisnin ndonjë lajm, e unë s’nxirrnja fjalë nga goja! Kisha harruar vetën, kisha harruar fëmiun tim të parë! Ajo priste ndonjë send, por…. unë, tani, as buzqeshje s’kisha për te! Për t’mos e vazhduar këtë gjendje kërkova buk e ujë.
Pas gjithë kësaj, populli nuk u ndalë. Mashtrimi tani më kishte dalë sheshit. Nuk kishte ditë që nëpër qytetet e Kosovës nuk protestohej, kishte të plagosur, kishte edhe të vrarë. Tani nuk pyetej më për çmimin që duhej paguar, por Serbia akoma mbështetej në disa udhëheqës që i përdorte sipas nevojës dhe gjendjës se krijuar. Ishte gjendje e jashtëzakonshme dhe çdo gjë ishte në duart e Ushtrisë Jugosllave dhe policisë serbe.
Është e qartë se presioni i Serbisë ka qenë shumë i madh dhe në sy të botës nuk mund të suprimonte Autonominë e Kosovës pa miratimin e popullit dhe Kuvendit Krahinor, por si të spjegohen faktet e lartëshenuar ku autonomistët kanë votuar çdo gjë që u ka propozue Serbia!? Si shpjegohet fakti se populli shqiptar e dha fjalën kundër, kur të deleguarit fshehurazi dhe hapur me propagandimin e tyre prondryshimeve Kushtetuese thonin se: Kosova s’humbë asgjë. Krahasoni veprimet e shtetarëve Sllovenë e Kroat në Kongresin e 14-të (të jashtëzakonshëm) kur braktisën Kongresin, krahasojeni reagimin e Stipe Mesiqit: http://www.youtube.com/watch?v=J7_9Wln_6Vc dhe do të nxjerrni përfundimet vetvetiu.

Nuk e di saktësisht kur u burgos Vllasi dhe një grup i Minatorëve, por më duket se ka qenë fillmi i marsit, pas atij mitingu në Beograd kur Millosheviq deklaron se: Të gjithë ata që kanë vepruar kundër interesave të Jugosllavisë do të burgosen. Kjo do të thotë, se Vllasi u burgos kur Sërbia e kishte të garantuar ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, gjë të cilën e kundërshtoi edhe Vllasi, por…!? Pastaj, protestat vazhdonin, u vranë dhe plagosën me qindra protestues dhe si për çudi një pjesë e turmave brohorisnin: Azemm… Azem! Jo pse e donte kush Vllasin, por për shkak se e donim Kosovën dhe dëshironim që edhe Vllasin ta motivonim të punonte për Kosovën! Me 23 mars 1989 Kuvendi i Kosovës votoi ndryshimet Kushtetuese me 11 vota kundër dhe dy abstenime. Pastaj me 28 mars 1989 u suprimua Autonomia e Kosovës, u festua në Beograd, u burgosën shumica e nënshkruesve të Apelit të 215 intelektualëve i datës 21 shkurt 1989 dhe pasoi vala e arrestimeve mars-prill, ku në mesin e rrethit tonë u burgosën edhe Ferki Morina e Xhemajl Pllana.
A.Vllasi kujtoje Jusuf e Bardhosh Gervallën dhe Kadri Zekën! Kujtoje Tahir e Nebih Mehën, mos harro Rexhep Malën, Nuhi Berishën e Bajram Bahtirin. Mendo mirë sa vite burg janë mbajtur nga rinia shqiptare! Kujto gjithë ato vuajtje të nënave, baballarëve, motrave dhe vllezërve. Kthehu dhe analizo se ç’ndodhi pas, që ta kuptosh o i mjerë se: Të gjithë këta kanë pasur qëllim LIRINË dhe s’ju kanë bindë propagandës tuaj sllave, që ka qenë alfa dhe omega e të gjitha të këqiave që i ka ndodhur popullit shqiptar atë kohë. Demagogjia, destruktiviteti dhe ksenofobia qe ke ndaj ish shtetit shqiptar, por edhe ndaj ish udhëheqësit ENVER HOXHA http://www.youtube.com/watch?v=cOwcyHX4WwM mbase do të jetë edhe letra juaj e fundit që me mjeshtri po e përdorë për t’i bindur ish’fatkeqët e atij sistemi! Ty s’te pi ujë më dhelpëria, dyftyrësia dhe tradhtia.

Pasojë e gjithë ngjarjeve të pas 1981-ës është krushqia juaj me armikun shekullor – konsekuencat e politikës suaj dhe të emisarve tuaj i barti dhe vuajti populli ynë dy dekada rresht-deri në gjenoci dhe dëbim. Politika juaj ka vdekur! Ta ka vrarë e shenjta, e lavdishmja UCK-ja. Prandaj mos u zgërdhijë o mjeran se janë m’u ajo shtresë që: “Me armë në dorë“ jetësuan REPUBLIKËN E KOSOVËS, e ti je qytetar i saj – nëse e ke ndryshuar nacionalitetin, apo identitetin politik nga jugosllav në shqiptar.
Unë, si njëri nga ata qindra mijëra ilegalë të Kosovës, që ju na etiketuat si armiq, si kundërrevolusionar, irredentist e Marksist-Leninist, jam i gatshëm ta bëjë një gjest human! Tani pas 30 e më shumë vitesh, ju “kërkoi falje” për telashet që ua kemi sjellë-karshi jetës suaj përrallore. Ju “kërkoi falje” se ju është dashur të ngriteni herët dhe t’i kërkoni ata që shkruanin parullën: KOSOVA REPUBLIKË, ata që shpërndanin pamflete etj. Mos harroni se ne kemi nejt tërë natën zgjuar, pra jemi kujdesur që ju mos të fleni shumë! Ju e dini se gjumi i tepërt s’është i mirë për shëndetin!?
Ti akoma vazhdon krushqinë me Serbinë! Ja edhe një fakt se kush je ti dhe si e ushtron (ende me zellë) profesionin nga i cili është shumë vështirë të ndahësh.
Azem Vllasi këndon Vidovdanin midis Beogradit!
28/09/2012 11:38:00

Ish-zyrtari i lartë i Kosovës i kohës së ish RFSJ-së është kapur mbrëmë rreth orës 23 nga mediat serbe në një kafene “bohemësh” në mes të Beogradit, duke pirë raki tradicionale serbe dhe duke kënduar këngë nacionale serbe.

(Lexoni këtu më gjerësisht: http://www.indeksonline.net/?FaqeID=2&LajmID=30762 )

Sqarim përë termin BOHEM :
Turmë njerëzish (zakonisht artistësh endacak) që bëjnë jetë të çrregullt e të dhënë pas qejfeve.
“Thonë se ai pi një litër dhe ishte ende i etur. Dhe si atmosfera shkon edhe kënga. Vllasi nuk mund të rezistojë, kështu që ai këndoi dhe jo më pak se këngën nacionale serbe Vidovdan. Ka vazhduar me hite tjera serbe por nuk kanë munguar këngët e hareshme boshnjake”, shkruan gazeta serbe Kurir.
Nuk dihet nëse Vllasin e “preku” kënga apo alkooli në restorantin “Tre Sheshira”, por Vllasi i ka lënë bakshish muzikës disa qindra euro.
Teksti i Vidovdanit që këndoi Vllasi
Në qiell shikoj duke kaluar shekujt
Kujtoj verat e dikurshme
Kudo që shkoj, unë kthehem te ti
Kush do ma marrë nga shpirti im Kosovën
Vidovdan
Si zjarri në zemrat tona
Beteja e Kosovës mbetet e vërtetë
Na fal Zoti, të gjitha mëkatet
Jepju guxim bijve dhe bijave.

Teksti i hymnit kombëtar shqiptar

Rreth flamurit të përbashkuar
Me një dëshir` e një qëllim,
Të gjith` atij duk` ju betuar
Të lidhim besën për shpëtim.
Prej lufte veç ay largohet
Që është lindur tradhëtor,
Kush është burrë nuk frikohet,
Po vdes, po vdes si një dëshmor!
Vllasi mohon të ketë kënduar serbisht

(E plotësuar) Lajmi se Azem Vllasi ka kënduar këngë serbe mbrëmjen e së enjtes në lokalin e quajtur “Tre Sheshirat” në Beograd, i publikuar nga gazeta serbe “Kurir”, është demantuar nga vetë Vllasi.
Avokati Vllasi, në një prononcim për agjencinë e lajmeve “Presheva Jonë”, ka thënë se çdo gjë që është shkruar në atë artikull, është thjeshtë “një propagandë e kohës së regjimit të Millosheviqit”.
“Çdo gjë tjetër që është shkruar apo paraqitur në fotografi në mediat serbe, janë montazhë dhe propagandë me qëllime të caktuara, të diskreditimit tim. Nuk janë gjë tjetër më shumë se sa pjesë e asaj propagande të kohës së regjimit të Millosheviqit”, është shprehur avokati i njohur i Kosovës, Azem Vllasi për agjencinë informative “Presheva Jonë”

Vllasi: Ekstremistët e Vetëvendosjes ta kallin shtetin!
Brenda Lëvizjes Vetëvendosje ekzistojnë disa ekstremistë të cilët kanë si qëllim izolimin e shtetit të Kosovës, ka thënë Azem Vllasi, duke u kundërpërgjigjur kështu akuzave të deputetit të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, i cili para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka krahasuar veprimet e Azem Vllasit në kohën e Millosheviqit me ato të Hashim Thaçit. Sipas Vllasit, këta persona synojnë që me çdo kusht t’ia vënë flakën shtetit të Kosovës, vetëm për të ardhur në pushtet Normal që për Vllasin, Glauku, është ekstremistë, sepse babai i Glaukut ka qenë atëbotë: enverist, kundrrevolucionar, marksist-leninist dhe armik i shtetit Jugo-Vllasian.
Marly, janar 2013

………………………………………………

(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura